Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për angazhimin e tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai, në një postim në Twitter, tha se në Ohër shkuan me qëllime të mira dhe se treguan mirëbesim gjatë takimeve.
“Ne kemi ardhur në Ohër me qëllime të mira dhe kemi treguar mirëbesim gjatë takimeve të djeshme. Falënderoj përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për angazhimin e tyre të palëkundur, si dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen e tyre të ngrohtë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti thotë se tani i takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme.
“Tani kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.