Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/01/15

Shkruan Akademik Prof.dr. Flori Bruqi : Isniqi lind vetëm trima!

Isa Boletini (1864- 1916), atdhetar i shquar, strateg popullor, organizator e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar ku bashkë me Idriz Seferin përbënin një kombinim që u shndërrua në mit ndër bjeshkët e Kosovës, Hero i Popullit.

Lindi në fshatin Boletin, Mitrovicë. Ai pati një nam të madh për guximin dhe arritjet


Mbiemri origjinal i familjes Boletini, është Maksutaj, nga fisi shaljanë, të vendosur në fshatin Isniq të Deçanit. Më vonë migruan drejt fshatit Boletin, prej nga morën edhe mbiemrin. Bëmat e tij u bënë legjenda, dhe arratisjet e tij nga turqit e serbët përralla.





Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane.

Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinjë. Ai mori pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës ku u mori përsipër që vendimet e Kuvendit do t'i zbatonte me përpikmëri. Por armiqtë shekullor të Shqipërisë si gjithmonë, sa e panë se shqiptarët filluan të organizohen, gjetën një kalë troje që e futën në mes për të perçarë shqiptarët. Pikërisht kur Lidhja e Pejës po merrte po atë shtrirje e atë karakter Kombëtar si të Lidhjes së Prizrenit, me dorën tradhtare të shqiptarit Mahmut Zajmi të shitur te osmanlia e te Serbia, më 1901 e vrau kryetarin e Lidhjes së Pejës, të madhin Haxhi Zeka. Betejën e parë me ushtrinë osmane Isa Boletini e ka bërë në vitin 1895.




Valiu i Kosovës Hafiz Pasha i dha urdhër majorit Mehmet Efendiut që ta sulmonte në befasi Isa Boletinin ditën e Bajramit. Por Isai ishte mësuar me pabesitë e osmanlijve dhe rrinte gjithmonë në pritje për çdo të papritur. Në atë kohë majori turk në krye të një taborri ushtarësh u nis për Boletin. Ndërkohë Isai i kishte zënë pusi atje ku ai nuk e priste dhe jo vetëm që e shpartalloi ushtrinë osmane po vrau shumë prej tyre dhe vetë majorin që e la kokën në luftë. Ndërsa Isai me forcat e tij i shkoi në fshatin Banjë dhe i çoi fjalë Veliut: "Shnosh e mirë arrita në Banjë, ndërsa majorin Mehmet Efendiun e lash në Boletin.





Po të doni urdhnoni edhe ju se po ju pres si majorin". Kjo fitore u përhap si rrufe në tërë Kosovën dhe autoriteti i Isait urrit shumë sidomos në Kosovën Veriore. Në atë kohë Kulla e Boletinëve u bë një vend peligrinazhi ku shkonin shumë vizitor jo vetëm shqiptar, po edhe gazetarë e korrespondent të huaj gjë e cila i ra në sy qeverisë osmane. Mbështeti rilindësit shqiptarë, veçanërisht për shkollat, madje ndërtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe për Boletinin e Shalës.




Në vitin 1902 u hap lajmi në të gjithë Kosovën se së shpejti në Mitrovicë Rusia do të hapte një konsullatë. Qëllimi i saj ishte për t'i shkuar në ndihmë Serbisë. Në atë kohë Isa Boletini, sa e mësoi atë lajm, i çoi fjalë Valiut duke i thënë se ai nuk do ta lejonte që të hapej konsullatë ruse në Mitrovicë. "Na nuk do të lejojmë kurrë që të vijë kangjalloz të Miskokit në Mitrovicë", i tha Isa atij. Ky ultimatum e shqetësoi shumë qeverië osmane sepse ajo e kishte pranuar me protokoll qeveritar hapjen e konsullatës dhe ajo vendosi që me çdo kusht ta largonte nga Kosova Isa Boletinin. Por ajo e kishte shumë të vështirë ta bënte atë veprim se me Isain nuk ishte më vetëm Shala, por Mitrovica me Vushtëri e Llap. E ndodhur para këtij fakti, ajo vendosi që ta bindë me të mirë Isa Boletinin.
Mbas shumë përpjekjesh ajo ia arriti qëllimit që ta bind Isain që ai të shkonte në Stamboll, por Isai iu vuri këto kushte:
1) Konsullit rus t'i ndalohej ardhja në Mitrovicë
2) Të lihem i armatosun e me shokë
3) Të banojë vetëm në Stamboll
Mirëpo në pikën e parë qeveria e tradhtoi, sepse konsulli rus shkoi në Mitrovicë. Por populli që ishte lidhur me besë se nuk do ta lejonte të hapej konsullata ruse në Mitrovicë, u çua në këmbë dhe filoi luftën.

Në atë kohë Konsulli rus që ishte artilier, doli vetë të komandonte topçijt kundra shqiptarëve. Një rezervist shqiptar në ushtrinë osmane pyeti:

"Po kush asht ai që po komandon topçijt? Dhe kur i thonë se ishte kangjalozi rus, ai menjëherë ia ktheu pushkën dhe e vrau.

Në Stamboll Isai mbajti një qëndrim të papërfillshëm ndaj pashallarëve e qeveritarëve dhe shtëpia e tij ishte kthyer në një vend strehimi për patriotët dhe shtëpi bamirësie për hallexhinjtë që shkonin nga Kosova.

Nga Stambolli Isa Boletini u lirua të kthehej në Kosovë pas katër vitesh, më 1906 kur Rusia u mund në luftë nga Japonia se përndryshe s'kishte për t'u liruar kurrë. Kur ia komunikuan lrimin ai tha:

"Ma çoi Zoti Zhapanin (Japonezin) në ndihmë e ia theu kryet Muskovit (Rusisë) e mue m'u dha mundësia të kthehem në Kosovë".




Sulltani i dha titullin Bej, (pasha) e çifliqe në Stamboll, vetëm të rrinte atje, por ai iu përgjigj: "Ma i mirë asht Boletini, se Stambolli". Mbas kthimit në Kosovë Isai priti e përcolli miq e dashamirë dhe merrte informata nga ata që e vizitonin se si i kishin punët me qeverinë në vendet e tyre. Me këtë ai ia blente mendjen seicilit e duke pa se pothuaj të gjithë ishin të pakënaqur e të gatshëm për veprim, ai me shaka u thoshte: "Po sikur të fillonim ndonjë kryengritje për të fituar të drejtat tona, a jini të gatshëm të baheni fidakqor? (flijuar)", dhe të gjithë iu përgjigjën se ishin gati. Më 1901-1902, Boletini u caktua si koka e "Rojeve shqiptare" të Sulltan Abdul Hamid II (1876-1909) në Stamboll, ku kaloi 4 vitet e ardhshme. Ai qëndroi në këtë pozitë deri më 1908, kur në nëntor ai i dhá përkrahjen Revolucionit Xhonturk. Ishte një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajt (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Iu kundërvu politikës reaksionare e antishqiptare të xhonturqëve.



Kur Xhavid Pasha dërgoi 7,000 burra me në krye Dervish pashën drejt Shqipërisë që të nënshtronte Kosovën, Isa Boletini me një grusht burrash shtjelluan një mbrojtje të guximshme. Gjatë dëbimit trupat osmane dogjën kullën e familjes së tij në shenjë hakmarrje.



Armiqësia ndaj serbëve nisi po më 1908, kur Isa me njerëzit e vet çarmatos bandat serbe të komanduara nga konsulli rus i asaj kohe, të furnizuara me armë po nga Rusia. Në 1909 Boletini udhëhiqte betejat nga Prishtina në Prizren e më tej edhe më gjërë, Burri i Kosovës luajti rolin qendror si kryetar i kryengritjes të përgjithshme në pranverë të 1910 kur udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910 ku turqit thyhen keqas e më pas ndërton edhe njëherë shkollën shqipe dhe kullën që edhe sot qëndrojnë, e më tej kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë (kjo e fundit u përball me aneksimin e synyar të Sanxhakut) në Shqipëri.




U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore antiosmane të viteve 1910-1912. Mbështeti kryengritjen antiosmane të v. 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë më 1912.

Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në këtë periudhë emri i tij u lakua e komentua shumë në shtypin e kohës i lidhur me betejat e Cernalevës, Kaçanikut, Shkupit dhe të Kalasë së Mitrovicës, ku gjeti vdekjen edhe konsulli rus që ndihmonte serbët në operacionet kundër shqiptarëve.

Në ditët e pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës,- ku tregohet se Ismail Qemali i ofroi një post ministri, e Isa ìa ktheu :
"Jo Ismail, se duhen njerëz të shkolluar", dhe i rekomandoi M. Derallen.

Këtu ngarkohet dhe krijon Gardën e parë të Ushtrisë shqiptare duke vendosur rregull në disa zona të jugut e duke mbrojtur zonat e bregdetit nga forcat greke.

Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar e përfaqsues i Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Historiani Edwin Jacques tregon një anekdotë që trajton sa vijon: “Sa hyri në godinën e Ministrisë së jashtme britanike që të mbronte çështjen e kombit të tij, polici i sigurisë i kërkoj të hiqte revolen nga brezi dhe t'a linte në vendin e posaçëm ngaqë duhet të hynte i paarmatosur.

Ai e dorzoi pa u ankuar. Gjatë takimit, ministri i jashtëm, Sir Edward Grey, e shoqëroi Boletinin drejt vendit për të rimarrë revolen e tij.

Ku ministri qeshi, ‘Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletini, që as Mahmut Shefqet Pasha s'mund t'a çarmatoste, sapo u çarmatos në Londër.’ Boletini ia ktheu me një përqeshje të butë, ‘Jo, jo, as në Londër!,’ dhe nxori nga prapa një revole të dytë.”
Shqiptarët që shkuan në Londër lanë përshtypje të mira (edhe pse në rrezerva i vetmi që përballonte nivelin e homologëve ishte Luigj Gurakuqi,- sipas At Gjergj Fishtës).

Në një rast kur Aubrey Herbert si kryetar i komitetit bashkë me Tonin Prekên shërbyen si përkthyes mes Isa Boletinit e z. Lloyd George ku u tha sa vijon,
"Thuaji atij,” tha Isa, "që unë jam malësor, ashtu si është ai, dhe që unë e di që zemra e tij është e sjellshme karshi atyre që vuajnë.”

E tha me shumë shprehi, ”E thuaji që kur të vij pranvera, do të plehërojmë Fushë Kosovën me eshtrat e serbëve, sepse ne Shqipëtarët kemi vuajtur shumë për të harruar."
Në takimet e shpeshta Gjenerali me qeleshe të bardhë la një mbresë të fortë të zakoneve shqiptare, ku askush nuk mund ta shihte pa e admiruar atë.

Ai zuri shumë miq, që i treguan lavdinë e Londrës. "Por prapë,” ai i thoshte mikut të tij Aubrey Herbert, "madhështore siç është, e të sjellshëm siç jeni ju Anglezët, Unë nuk do ta ndërroja këtë me shkëmbijtë dhe lumejt e mi.” Ai u kthye në Shqipëri, ku trupat e tij mbrojtën Princ Wilhelm zu Wied deri në nisjen e tij nga Shqipëria, dhe me mbështetjen e kolonelit holandez Thomson, krijon xhandarmërinë e parë shqiptare. Më vonë Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.

Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët "Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnis.

Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia!" kur Ibrahim Pasha u kërkoj shaljanëve me Isën në krye të mos niseshin për në Shkup e u premtoi poste.

Më 1916 gjendet në Shkodër për të organizuar mbrojtjen nga malazezët. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin dhe tre luftëtarë të tjerë.
Bëhet fjalë mbase për një sekuencë, së cilës fare pak i afrohen versione të ngjashme të historisë botërore, qofshin të hiperbolizuara nga fantazistë.

Ja skena e papërsëritshme: "I futur në kurth, Isa Boletini qëllohet nga të gjitha anët me plumba, por nuk bie teksa arrin të qëllojë deri në fund mbi ekzekutorët e vet.

I bërë sallatë nga predhat, ai nuk shtrihet, nuk nxjerr zë, nuk dridhet, nuk bën asnjë hap pas, si të ishte prej shkëmbi.

Dikur plagët e rrëzojnë në gjunjë, por sërish ai arrin të mbajë armën në duar duke qëlluar... Dhe në momentin që dora e djathtë i copëtohet, e kalon revolen në të majtën...".

Prologu i vrasjes

Vrasësit e njeriut më të fortë në krah të Ismail Qemalit, njeriut që shpalli Shqipërinë të pavarur, ishin xhandarët malazezë të urdhëruar nga qeveria e këtij vendi, kurse ata që e prenë në besë ishin disa diplomatë francezë.

Ishte janar i vitit 1916, pikërisht koha kur trupat austriake pushtonin Malin e Zi, pothuaj pa hasur në asnjë rezistencë.

Porse qeveritarët e Malit të Zi, pa u turpëruar nga ky pushtim, pa u turpëruar prej faktit se nuk rezistuan deri në fund, u kujdesën gjithsesi të hiqnin qafe armikun e hershëm, shqiptarin e tmerrshëm, Isa Boletinin, të cilin e mbanin prej disa kohësh të izoluar.

Sipas rrëfimeve të një të afërmi të Isa Boletinit, të pasqyruara në librin e Skënder Luarasit "Isa Boletini", botim i vitit 1971, kthesa përfundimtare e jetës së shqiptarit të madh nis me përfshirjen e Kosovës nën Jugosllavinë, sipas vendimeve të fuqive më të mëdha të Evropës në takimin e Londrës më 1913.

Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën dhe legjendës së rezistencës për bashkim kombëtar i mbetet të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve.

Francezët afrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, Bikok, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në ndonjë vend neutral.

Pikërisht këtu nis edhe plani për ekzekutimin e shqiptarit të madh. Njerëz të Boletinit kishin vënë re një lidhje të çuditshme të diplomatëve francezë me ata malazezë në Shkodër, por kjo do u vinte në mendje më pas.

Gjithësesi Isa Boletini dhe shpura e tij mbërrijnë në Cetinë dhe më tej bëjnë një vizitë në ambasadën franceze, ku u tregohet një telegram i paraqitur si urdhër i ministrit të Jashtëm francez për t'i nxjerrë në një vend neutral.

Ndërkohë, anglezët, më bujarë, e ftojnë Boletinin ta marrin nën mbrojtje, por nisur nga ligjet e maleve, ai preferon "mikun që i hapi derën i pari".

Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini sheh se shtëpia ku bujte ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Shqiptarët merren dhe dërgohen në Nikshiq, duke u mbajtur gjatë gjithë kohës nën survejim.
Ekzekutimi
Thyerja e frontit malazez nga austriakët në të njëjtën periudhë kohe dënon me vdekje përfundimisht Isa Boletinin. Ushtarët malazezë e shoqërojnë atë bashkë me njerëzit më të afërt në Danilograd dhe më pas në Podgoricë.

Më 23 janar 1916, në ditën kur malazezët po u dorëzonin kryeqytetin pa luftë austriakëve, duket urdhri për vrasjen e Boletinit dhe njerëzve të tij nuk mund të shtyhej më tej. Ekzekutimi i besohet një njësie ushtarake që kishte për qëllim mbajtjen e rregullit në qytet, deri në dorëzimin e tij trupave austriake.

Ja rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, që i mbijetoi ngjarjes, sipas librit të Skënder Luarasit: "Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike.

Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali.

Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin:

Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!". Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar.

Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje.

"Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S'ja kam dorëzue, as Krajlit, as Mbretit.

Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi.

Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar.

Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi.

Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi.

Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit", rrëfen i mbijetuari.
Sipas Millovan Gjillasit....

Nuk ka ndodhur shpesh që sllavët të shkruajnë me respekt për shqiptarët, aq më pak ata të jugut.

Por duket madhështia e Isa Boletinit i ka kaluar caqet. Millovan Gjillas, shkrimtari i njohur disident, në veprën e tij "Toka pa Drejtësi", botuar në versionin anglisht në Nju Jork, në vitin 1958, shkruan me respekt për shqiptarin në këtë vepër të tijën, që shumë e kanë krahasuar të barasvlershme me "Donin e Qetë" të Shollohovit. Ja si e sjell ai momentin e vrasjes së Boletinit:

"Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm.

Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë. Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr.

Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe.

Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt. Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin.

Edhe babait i vinte keq, megji-thëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij.

Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur. Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë.

Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të! Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër.

Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve".

Varrimi
Të marrë në pyetje nga autoritetet austriake, ministrat malazezë u justifikuan se kishin pasur informata se Isa Boletini do të provokonte ngjarje për të djegur dhe plaçkitur qytetin. Sipas tyre, ai ishte vrarë duke sulmuar prefekturën në përpjekje me patrullat e ushtrisë. Organizatorë të drejtpërdrejtë të vrasjes ishin ministri i Luftës, gjenerali Veshoviq, i kunati i Krajl Nikollës, komandanti i Përgjithshëm, gjeneral Janko Vukotiqi, ministri i Punëve të Brendshme, Plamenac, prefekti i Podgoricës, Ramadanoviçi e të tjerë.

Trupat e Isa Boletinit dhe njerëzve të tij u vendosën fillimisht në një dhomë të prefekturës, ku u bë edhe identifikimi. Varrimi u bë në Podgoricë dy ditë më pas me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve banorë të zonës. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti një fjalim para se arkivoli i Boletinit të futej nën dhe. Gjithsesi askush nuk besonte për vrasjen e Boletinit, pasi nuk ishte hera e parë që lajmet e bënin të vrarë. Po kështu nuk u besua dhe një komunikatë zyrtare e ushtrisë austriake, që jepte lajmin e vrasjes së tij "gjatë një përpjekjeje me malazezët". Eshtrat e tij u transportuan në Boletin me 25 shtator 2004.
Isa Boletini i dha kuptim luftës së Kosovarëve për Shqipëri të përbashkët.Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë Shqipërinë etnike. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka një batalion special të ushtrisë shqiptare, që u instalua në Irak, që mban emrin e Isa Boletinit..

Rivarrimi

Eshtrat e Isa Boletinit, njërës prej figurave kryesore të pavarësisë së Shqipërisë, u varrosën në fshatin Boletin afër Mitrovicës, një fshat në pjesën veriore të Kosovës, që është edhe vendlindja e tij.

Një prej personaliteteve kryesore të luftës për çlirimin nga sundimi osman dhe kundër pushtimit serb të Kosovës, Isa Boletini u vra në Podgoricë të Malit të Zi në vitin 1916.

Varrimi i eshtrave të tij u bë në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, një Kuvend i vitit 1878 kur shqiptarët kishin hedhur themelet e lëvizjes për çlirim nga Perandoria Osmane.

Varrimi u parapri nga një ceremoni e veçantë në qytetin e Mitrovicës. Kryeministri i Kosovës,Akademik Prof.dr. Isa Mustafa vuri theksin tek përmasat e figurës së Isa Boletinit.
“Isa do të prehet në dheun e vendlindjes së tij në Boletin, po rivarroset aty nga u nis në beteja me trimat e tij, aty nga shtegtoi në Vlorë për të shpall pavarësinë e shtetit shqiptar.

Isa Boletini është Hero i Kosovës, dhe si i tillë duhet të ketë nderimin e të gjithë neve dhe të gjithë qytetarëve.

Isa Boletini nuk është vetëm simbol i unitetit shqiptar, simbol i vetëflijimit për lirinë dhe prosperitetin e kombit të tij, por është edhe një simbol i jashtëzakonshëm i luftës dhe flijimit për lirinë universale njerëzore”, tha kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova dhe Shqipëria sot janë ndryshe nga periudha kur Isa Boletini me shokë bënin luftë dhe diplomaci për lirinë e Shqipërisë.

“Në kancelaritë diplomatike të perëndimit, ku dikur e çove zanin e Kosovës, sot janë miqtë më të mirë të lirisë dhe të shtetit tonë. Ne po punojmë bashkë me ta, që Kosovën ta bëjmë përditë e më të mirë, më të sigurt, më demokratike, më prosperuese për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve etnike apo fetare që ata kanë. Është koha të rehatohesh edhe ti Bacë.

Të jesh mirë, sepse mirë janë, edhe Kosova, edhe Shqipnia!”, tha zoti Veseli
Ndërsa presidenti i Shqipërisë,i ndjeri Bujar Nishani tha se Isa Boletini me Ismail Qemalin, që njihet si babai i pavarësisë së Shqipërisë, janë etërit e projektit politik të shtet formimit.

Sot, tha ai Shqipëria dhe Kosova, janë shndërruar në faktor të paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan dhe me partnerë të mëdhenj siç janë Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe NATO-ja.

”Ndaj tyre duhet të jemi mirënjohës për mbështetjen pakufi kur mizoria e kasapit të Ballkanit rrezikonte edhe ekzistencën e shqiptarëve.

Çdo joshje tjetër, çdo lloj propaganda dhe çdo zë i çjerrë që tenton të mbjellë përçarjen ndaj nesh është thjeshtë një antishqiptar. Shqiptarët shquhen për harmoninë e tyre fetare.

Me Besën dhe burrninë shqiptare duhet të izolojmë çdo shfaqje që komprometon të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë. Këtë të ardhme e shohim në dialog miqësi dhe bashkëpunim me fqinjët. E shohim si proces që do të shëroj plagët e së kaluarës. Jo duke u bazuar tek harresa por tek reflektimi. Ku më shumë se para këtij memoriali të këtij burri të madh, të njërit prej etërve të kombit shqiptar do të t’i thosha këto fjalë. Sepse gjithçka që bëri dhe na la Isa Boletini, na çon në këtë drejtim. Nga dinjiteti dhe identiteti”, tha presidenti Bujar Nishani.
Rivarrimi kishte nxitur debate të shumta pasi që më 14 maj të këtij viti qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës vendosën që eshtrat e tij të prehen në Vlorë krah atyre të Ismail Qemalit. Por, reagimet ndaj këtij vendimi bënë që ai të ndryshojë dhe kjo të bëhet në Boletin, kryesisht nën arsyetimin se ajo është vendlindja e tij dhe heqja dorë do të ishte lëshim kundrejt përfaqësuesve serbë që nuk e shohin me sy të mirë këtë rivarrim dhe simbolikë e sovranitetit të Kosovës në veriun e saj të banuar me shumicë serbe.

Lista serbe: Sipas Listë kriminele Serbe:

Varrimi i Isa Boletinit në Boletin, provokim ndaj serbëve
Lista serbe e ka konsdieruar provokim ndaj serbëve të vrarë varrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Boletin, raporton Tanjug, transmeton Floripress.
Përmes një komunikate, Lista serbe është spjeguar duke thënë se “ne nuk e përkrahim varrimin e Isa Boletinit në veri të Kosovës, sepse kjo tregon një mungesë konsiderate ndaj viktimave dhe ndjenjave serbe.”.
Vallë çfarë ndjenjash kanë kriminelet sërb , kur në Kosovë ata kanë vrarë dhe masakruar fëmijë, burra,gra dhe vajza shqiptare ....
Lista ka thënë se në të ardhmen do të vazhdojë të ndërtojë raporte të mira me fqinjët shqiptarë, por këso lloj aksionesh po pengojnë përmirësimin e marrëdhënive, dhe duhet vullnet i dyanshëm....

2024/01/14

Kush e ka shkruar Mesharin e Gjon Buzukut?

 

Diagnoza e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut e ka emrin e saktë “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar MarLin Barleti”. Pavarësisht emrit të përveçëm, informacioni i rëndësishëm se ai është profesor universitar, për ta kuptuar kështu se rezultatet e testimit PISA nuk janë të rastësishme.

Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Më 17 janar 2018 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë po shënohej 550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Ishte ngjarje e një rëndësie të veçantë. Shënimi i 500-vjetorit në ish Jugosllavi, më 1968, thuhej se kishte qenë motiv i madh për konsolidimin kombëtar të shqiptarëve në atë federatë. Kësaj radhe ishte instituti ku punoj, në cilësi të bashkorganizatorit, që po e shënonte këtë datë në parlamentin republikan të Maqedonisë. Si punëtor shkencor i Institutit, më duhej të shkoja në këtë solemnitet. Por, nuk i kisha bërë as tre muaj qëkur kisha dhënë dorëheqje nga detyra e deputetit dhe për shumë gazetarë akoma perceptohesha si deputet. Prandaj, kur në hyjre një gazetar me mikrofon në dorë dhe me kamerë mbi supe ma preu udhën, u desh t’ia shpjegoj se nuk isha aty në cilësi të politikanit, por vetëm si hulumtues shkencor dhe punonjës i Institutit. “Nuk kam pyetje politike, por shkencore.”, më tha ai. Pasi rashë dakord të përgjigjem, më pyeti për vitin e lindjes dhe të vdekjes së Skënderbeut. Pasi iu përgjigja, e pyeta se pse kjo çështje? Ai më shpjegoi se ka dalë aty t’i pyesë deputetët shqiptarë thjesht për ta parë nivelin e tyre të njohurive të historisë shqiptare, veçmas mbi Skënderbeun, sepse po shënohej një përvjetor aq i rëndësishëm. Kjo më intrigoi edhe më shumë dhe më bëri ta pyes se si janë përgjigjur deputetët e tjerë shqiptarë. “Vetëm një deputet deri tash e ka ditur përgjigjen e saktë. Ti je i dyti.”, m’u përgjigj ai.

Ndonëse kronikën televizive nuk e kishin lënë të emetohej, sepse kishte pasur huqje të shekujve të jetës së Skënderbeut dhe gazetari ishte prekur për këtë kufizim të redaksisë, lajmi i keq mbeti se përfaqësuesit e popullit, që çirren me emrin e sheshit “Skënderbeu”, që përkulen para përmendores së Skënderbeut në Shkup dhe që e mbajnë shpatën në dorë për t’i vrarë “hordhitë orientale”, nuk e dinin një informacion aq elementar të historisë sonë kombëtare – vitlindjen dhe vitvdekjen e Kryeheroit.

Se ka më keq se mosnjohja e historisë u kujdes të na bindte një politikan tjetër shqiptar në Maqedoni, i cili në një pyetjen e një gazetareje se “Çfarë është më e rëndë, 1 kg hekur apo 1 kg pambuk?”, pa kurrfarë hezitimi u përgjigj: “Natyrisht, 1 kg hekur.”

Megjithatë, të dyja këto raste nuk janë asgjë në krahasim me informacionin që e na jep mbi gjendjen e arsimit shqip në Maqedoni intervista e një ish zëvendësministri shqiptar, përndryshe profesor universitar. Në pyetjen se “Kush është autor i Mesharit?”, ai me një prepotencë, duke shpjeguar se sa ka degraduar arsimi dhe se shumë studentë nuk e dinë as këtë pyetje, do të përgjigjej: “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar MarLin Barleti”. Ky është kulmi. Një profesor universitar, që shfaq mendjemadhësi dhe gati ofendim se studentët janë injorantë, duke pretenduar vetë dituri, le që nuk e di se kush e ka shkruar veprën e parë në gjuhën shqipe, le që nuk e di se Barleti nuk ka shkruar shqip, le që nuk e di se emri i Barletit nuk është MarLin, por Marin, por ai shpërfaq edhe probleme logjike – ai thotë se “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar MarLin Barleti.”, që është njësoj sikur të thotë dikush “Iliadën e Homerit e ka shkruar Shekspiri”. Kjo nuk është vetëm mosnjohje e letërsisë, por edhe mungesë logjike. Sepse në kohën që e shpreh posesivitetin e një vepre për një person (Meshari i Buzukut, Iliada e Homerit, Hamleti i Shkespirit), si mund të thuash se autor i saj është dikush tjetër? Kjo është përtej.

Sidoqoftë, nuk janë me rëndësi emrat e përveçëm të politikanëve që e kanë huqur me shekuj ditëlindjen dhe ditëvdekjen e Skënderbeut, nuk është me rëndësi as emri i politikanit që mendon se 1 kg hekur është më i rëndë se 1 kg pambuk, madje as i politikanit (profesorit universitar) që nuk e di as kuptimin e fjalisë që e flet, as informacionin themelor mbi veprat e para të humanistve shqiptarë e as informacionin mbi veprat e autorëve që i kanë shkruar veprat e para në gjuhën shqipe. Me rëndësi është vetëm një gjë – këto janë dëshmi me të cilat ne mund ta kuptojmë se cila është gjendja intelektuale e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Fati i mirë në këtë fatkeqësi është se nuk kemi shumë media dhe nuk kemi gazetarë që dinë të zbulojnë këso margaritarë, sepse shembuj të këtillë mund të kemi pa fund. (Për korrektësi më duhet të shpjegoj se nuk kam relacione personale me këta politikanë dhe nuk dua të krijoj oponencë me këso argumente, por po i marr si shembull vetëm për ta ilustruar një dukuri.)

PISA në terrenin shqiptar

Arsyeja që i rikujtova këto momente ishin rezultatet e testimit PISA, që u publikuan në fillim të dhjetorit të vitit 2023, në të cilat Maqedonia e Veriut (por, edhe Shqipëria e Kosova) ka dëshmuar se cilësia jonë në arsim lë shumë për të dëshiruar. Në fakt, pyetjet për Skënderbeun, ato për masën në fizikë ose ato për shkrimin e shqipes janë një trajtësim i testimeve PISA në mjedisin shqiptar. Ato flasin realisht se çfarë është duke prodhuar arsimi ynë. Njeriu mund të bëhët deputet, madje edhe profesor universitar, ndërsa të jetë një analfabet tipik funksional (person që di shkrim-lexim, por që nuk e kupton tekstin dhe nuk di ta interpretojë). Ky është niveli. Duke i parë të veshur bukur, me diksion prepotence, me arrogancë në komunikim, me vetëbësim të aktruar, ata shpesh ngjallin perceptimin se janë kremi i akademizmit. Fati i mirë që janë rrjetet sociale, që mos të mashtrohemi. Shembuj të këtillë kemi plot që nga klasa politike e deri te bota akademike. Kështu, një i a.q. gjuhëtar, që gjithë jetën ka mbajtur lëndë të albanologjisë dhe që tash ankohet pse nuk bëhet akademik, kur e uron Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në FB, shkruan “50 vjet drejtËshkrim”. Të mbash mësim të gjuhës shqipe për 40 vjet jetë, madje edhe në universitet, dhe të mos e mësosh se fjala drejtshkrim nuk ka Ë në trup të fjalës, kjo është vërtet injorancë. I bie se ky “albanolog” nuk e ka pasur në dorë kurrë as Drejtshkrimin e gjuhës shqipe, as Fjalorin drejtshkrimor.

Prandaj, në frymë të proverbit shqip, pas kësaj mund të themi “Ra testi PISA dhe e njohëm injorancën tonë.”, ndërsa në gjuhën e Skënderbeut këtë do ta rimodelonim në semantostilemën “Injorancën nuk e solli testi PISA. Atë e gjeti në mesin tonë”.

Nga diagnoza na terapi

Duke iu falënderuar deputetëve që bëjnë huqje shekullore të jetës së Skënderbeut, atyre që nuk kanë njohuri elementare për temën e masës në fizikë, atyre që nuk kanë njohuri themelore për shkrimin e shqipes ose edhe atyre albanologëve që nuk e dinë as trajtën e saktë të fjalës drejtshkrim, ne vetëm e kemi konstatuar saktë se në çfarë derexheje jemi. Thjesht, diagnoza e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut e ka emrin e saktë “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar MarLin Barleti”. Pavarësisht emrit të përveçëm, informacioni i rëndësishëm se ai është profesor universitar, për ta kuptuar kështu se rezultatet e testimit PISA nuk janë të rastësishme.

Natyrisht, arsye ka plot: tranzicioni, e kaluara komuniste, probemet politike, problemet ekonomike, beteja për arsim shqip, eksperimentet me modelet arsimore, ndikimi i sektorit civil, mungesa e investimeve në arsim, politizimi dhe partizimi i arsimit, ndryshimi i prioriteteve në jetën e njeriut modern, zhvillimi teknologjik, inteligjenca artificiale, rrjetet sociale…, por asnjëra prej këtyre arsyeve të qëndrueshme nuk është e mjaftueshme për të na e lejuar luksin të pajtohemi me këtë gjendje.

Ne, shqiptarët, jemi mësuar që të mburremi me “instiktin e mbijetesës” (Hysamedin Feraj) dhe këtë mburrje e kemi bartur edhe në arsim e kulturë. Kështu, shqiptarët vazhdojnë të mburren me numrin e universiteteve e instituteve, me numrin e studentëve e të profesorëve universitarë, me numrin e botimeve e të disertacioneve, ndërsa familjet shqiptare akoma i varin diplomat në mur, ndërsa nxjerrin fotografi në rrjete sociale me diploma në dorë të fëmijëvë të tyre, për të dëshmuar ndonjë sukses, ndonëse të gjithë parametrat botërorë flasin se arsimi ynë nuk është kurrfare. Kështu, nuk është sekret më se matura shtetërore në  RMV është bërë një formalitet, ku profesorët u ndihmojnë nxënësve për të kopjuar, ngase nuk duan të lejojnë që nxënësit e tyre të dalin keq dhe ashtu të jenë pasqyrë e keqe e profesorëve të tyre. Sepse, sipas informacioneve relevante që i kemi nga Qendra e Provimeve Shtetërore, nëse nuk do të kishte kopjim, maturantët e shkollave të mesme në RMV nuk do të kalonin as 80 për qind, ndërsa ata që do të kalonin nuk do të dilnin me notë mesatare mbi 2-3.

Gjithë kjo duhet të na bindë se koha është për një ridefinim të arsimit. E para e punës është ta pranojmë se jemi shumë keq dhe të mos mburremi me injorancën tonë. Vetëm pasi ta kemi pranuar gjendjen, mund ta mendojmë rrugëdaljen. Pasi ta kemi konstatuar dhe pranuar këtë fakt të dhimbshëm, detyra e ardhshme është të përpilojmë strategji se çfarë duhet të bëjmë. Fjala bie, Singapori, që disa vite me ardhë del i pari në PISA, suksesin e ka arritur për më pak se 50 vjet me një punë këmbëngulëse dhe investim të përkushtuar në arsim. Pra, kurrë nuk është vonë.

Në këtë kontekst gjëja e parë që duhet ta definojmë është se cili është qëllimi i arsimit te ne: duam profesionistë të mirë, shërbyes të tregut të punës, mendimtarë të lirë, të suksesshëm në karrierë, njerëz që luftojnë për njohjen e të vërtetës dhe të mbrojtjes së saj apo njerëz që do të angazhohen për virtytizimin e vetes dhe të shoqërisë?! Varësisht nga përcaktimi i këtij synimi, që sigurisht nuk e përfshin vetëm një përgjigje, duhet ta përcaktojmë edhe cilës ide/ideologji i shërben ai arsim? Çfarë produkti pritet të dalë nga arsim? Ne e dimë se cili ka qenë produkti i arsimit komunist në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi, por e shohim edhe sot se cili është produkti i arsimit me nuanca liberale, i cili më të rëndësishme e kanë bërë temën e relativizimit gjinor e relativizimin e familjes sesa, fjala bie, mësimin e formulës kimike të ujit ose veprës së parë të shkruar në gjuhën shqipe. Prandaj, duhet ta dimë se çfarë brezi duam të kemi nesër, që për të të investojmë sot. Vetëm pasi ta kemi definuar këtë, vijmë te tema e teksteve shkollore, te mënyra e përgatitjes së arsimtarëve/profesorëve, të tema e mësimdhënies, te kualifikimi e trajnimi i arsimtarëve, te këmbimi i përvojave e i kuadrove, te digjitalizimi, te rrjetëzimi i shkollave, te testimet ndërkombëtare, te vlera e diplomës në botë, te buxheti që e ndan shteti për arsimin, te depolitizimi i arsimit etj.

Ndonëse duken tema të gjera dhe të rënda, një komb serioz, që dëshiron ta projektojë të ardhmen e vet, duhet ta dijë se pa ndryshime rrënjësore në sistemin arsimor nuk mund të presë suksese. Kjo nënkupton se edhe një shtet nuk do të ketë as mirëqenie ekonomike e as progres tjetër shoqëror nëse nuk investon në arsim. Qytetarët e një shteti janë produkt i arsimit dhe kulturës që e ka ndërtuar ai shtet. Prandaj “Nuk lind Betoveni në Rahovec”, thoshte Teki Dervishi. Urtia popullore këtë e ka përkthyer në “Çfarë mbjell, do të korrësh”. Nëse mbjell elb, mos prit të dalë grurë!

Arsimi kombëtar

Përveç testimeve ndërkombëtare, që janë të detyrueshme për ta parë nivelin e arsimit tonë, shqiptarëve u duhet ta organizojnë edhe një “PISA shqiptare”. Duke qenë një komb i ndarë në disa shtete në Ballkan, në emër të integrimit brendakombëtar, shqiptarët do të duhej ta kenë një testim për nxënës të shkollave të mesme ose për studentë për ta parë nivelin e kulturës kombëtare shqiptare, qoftë kjo në njohjen e gjuhës shqipe, historisë, letërsisë, muzikës, etnologjisë, folklorit e jetës sociale. Nëse duam të kemi arsim kombëtar, duhet të projektojmë edhe testime kombëtare, për ta matur zhvillimin e kombit dhe për të pasur evaluim të kombndërtimit. Kjo, natyrisht, kërkon programe mësimore të përbashkëta në lëndët e sipërpërmendura, trajnime për arsimtarët/profesorët, tekste shkollore të përbashkëta, libra digjitalë e biblioteka digjitale, këmbim të kuadrit mësimor dhe të nxënësve/studentëve etj.

Kur këtë temë e kthejmë në terrenin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, duhet të konkludojmë se duhet t’i japim fund mburrjes me simbolikën ose me objektet, ndërsa në realitet të na ndodhë analfabetizmi funksional.

Ndonëse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e kanë drejtuar disa herë Ministrinë e Arsimit, për fat të keq akoma kemi probleme themelore, si ajo në Komunën e Çashkës (komunë rurale afër Velesit), në të cilën pengohet arsimi fillor shqip. Por, kjo nuk është arsye që të mos kemi ambicie të larta për zhvillimin e arsimit shqip. Duke jetuar në kohën e epokës digjitale, të cilën Harari e quan “Homo deus”, arsimi shqip në Maqedoninë e Veriut përfundimisht duhet të dalë nga mburrja e mbijetesës, për të kaluar në strategjinë e suksesit dhe konkurrencës me botën. Në të kundërtën, PISA mund të na emërtojë edhe me domethënien shqipe të kësaj fjale.

Fenomeni “Sandulloviq” në raportet Kosovë-Serbi

 

Po t’i dëgjosh fjalimet e politikanit serb Nikolla Sandulloviq, për raportet shqiptare-serbe, ato aspak nuk dallojnë nga vokabulari politik që del nga goja e politikanëve shqiptarë duke shitur patriotizëm. Dhe, kjo është një dëshmi shumë e fortë për faktorin ndërkombëtar, që e vërteta po thuhet hapur edhe nga vetë goja e serbëve, dhe se tani Kosova më nuk ka se çka të mbrohet, kur të vërtetën e kthjellët si loti po e mbrojnë edhe vetë serbët.

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Kosova, 25 vjet nga lufta dhe 15 vjet nga shpallja e pavarësisë, po i afrohet edhe pikës kulmore në rrugëtimin e saj drejt shtetësisë – njohjes reciproke nga Serbia, që nënkupton edhe një status dhe qasje të barabartë në të gjithë organizmat e lartë ndërkombëtar si shtet i pavarur e demokratik. Për të arritur deri te kjo pikë, në vazhdimësi, me vite tëra, po zhvillohet dialogu mes palëve, deri në nivel krerësh shtetëror. Tani në tavolinën e bisedimeve ndodhet i ashtuquajturi “Plani franko-gjerman”, i cili ndonëse po mbahet konfidencial, përmbajtja e tij e përgjithshme tashmë është zbuluar. Dhe, derisa pala kosovare, e udhëhequr nga kryeministri Kurti, në parim është pajtuar me këtë plan, pala serbe, e kryesuar nga presidenti Vuçiq, ka shprehur mospajtime të hapura lidhur me derivatin final të këtij plani, që nënkupton njohjen e Kosovës – një dhimbje e madhe për Serbinë.

Plani franko-gjerman

 Gjeneza e Planit franko-gjerman për Kosovën gjendet te Plani gjermano-gjerman i vitit 1972, kur dy Gjermanitë, nën varësitë e huaja (Perëndimore dhe Lindore), filluan t’i shkrijnë akujt mes tyre, të ngurtësuar që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Njohja e ndërsjellë dhe fillimi i bashkëpunimit në disa fusha specifike të jetës shoqërore ishte uverturë e thyerjes së Murit të Berlinit (1989) dhe bashkimit të dy Gjermanive.

Megjithëse konteksti historik i dy planeve është i ndryshëm, thelbi i tyre duket të jetë i ngjashëm. Në rastin e Kosovës nuk bëhet fjalë për ndonjë lloj bashkimi ndërshtetëror, por për një hap para drejt njohjes reciproke të dy entiteteve të acaruara shtetërore, siç ishte kontesti mes Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermaninë Lindore në baza ideologjike.

Në fakt, presioni i madh ndërkombëtar i këtyre dy viteve të fundit për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e ka nxjerrë në një situatë shumë të vështirë kryeministrin Kurti, i cili i fitoi zgjedhjet dy herë radhazi duke i kundërshtuar bisedimet me Serbinë. Qëndrimi i tij duket ende mjaft parimor në këto bisedime dhe vendosja e kushteve për arritje të marrëveshjes në çështjen e “Zajedinicës” është një tregues i qartë se ai nuk ka lëvizur nga pozicionet e tij. Gjithë retorika kurtiane rreth dialogut me Serbinë sillet rreth reciprocitetit, gjë që paraqet armën më të fortë të tij karshi Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar. Dhe, natyrisht, që për një politikan dhe një shtet, mbi të cilin rëndon e vërteta, ka argumente të bollshme për të mos u gjunjëzuar qoftë edhe para presionit të madh të miqve ndërkombëtarë.

Dhe, e mira e gjithë kësaj është në faktin që kjo e vërtetë dalëngadalë po pranohet haptas edhe nga subjektet e caktuara politike serbe, të cilat sado margjinale të jenë, megjithatë paraqesin një zë të së vërtetës së palëkundur për të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht.

Fenomeni “Sandulloviq”

 Deri më sot nuk kemi parë të ketë dalë ndonjë forcë politike shqiptare në Kosovë e cila do të promovonte hapur të drejtën e Serbisë mbi Kosovën, por kemi parë forca politike serbe në Serbi të cilat e promovojnë hapur të drejtën e Kosovës karshi Serbisë. Do të na kujtohen deklaratat e vazhdueshme të kreut të Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, i cili flet pa doreza mbi të gjitha krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Ai vazhdimisht i bën thirrje klasës politike serbe për ndërgjegjësim, për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, me të cilin Serbia duhet të krijojë fqinjësi të mirë.

Tani, së fundi, edhe për opinionin tonë doli në shesh një politikan tjetër serb, shumë i guximshëm, kryetari i Partisë Republikane Serbe, Nikolla Sandulloviq, i cili jo vetëm që flet hapur për krimet e kryera serbe ndaj shqiptarëve dhe joserbëve tjerë, por edhe u kërkon falje viktimave, për shkak se gjenocidin Serbia e kishte kryer në emër të të gjithë serbëve. Dhe, politikani djathtist serb Sandulloviq, i deklaruar si proamerikan i regjur, shkon në Reçak, u kërkon falje viktimave shqiptare dhe shkon në Prekaz e përkulet para varrit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari! Po t’i dëgjosh fjalimet e politikanit serb, Nikolla Sandulloviq, për raportet shqiptare-serbe, ato aspak nuk dallojnë nga vokabulari politik që del nga goja e politikanëve shqiptarë duke shitur patriotizëm. Dhe, kjo është një dëshmi shumë e fortë për faktorin ndërkombëtar, që e vërteta po thuhet hapur edhe nga vetë goja e serbëve dhe se tani Kosova më nuk ka se çka të mbrohet, kur të vërtetën e kthjellët si loti po e mbrojnë edhe vetë serbët.

Por, problemi më i madh në Serbi dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor është presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe klika e tij qeverisëse, e cila është vartëse e politikave gjenocidale të Sllobodan Millosheviqit. Eksponentët kryesorë të politikës serbe sot nuk duken të gatshëm të distancohen nga e kaluara e tyre e errët, duke vazhduar t’i shërbejnë verbërisht mendësisë mizore millosheviqiane. Prandaj, derisa të thyhet kjo kastë e mjerë politike, është shumë e zorshme që Serbia të ecë përpara dhe t’i njohë realitetet e reja qytetëruese perëndimore. Andaj, gjasat janë të mëdha që Serbia edhe kësaj radhe të mos e pranojë Planin franko-gjerman, sikur dikur Millosheviqi Marrëveshjen e Rambujesë, e cila solli intervenimin ushtarak të NATO-s.

Zajednica dhe Lugina

Dy shqetësimet kryesore të palës shqiptare të Kosovës, në raport me Planin franko-gjerman, janë çështja e Asociacionit të Komunave Serbe të Kosovës (“Zajednica”) dhe mungesa e garancisë për njohje de fakto dhe de jure të shtetësisë së Kosovës nga Serbia.

Realisht, “Zajednica” paraqet projektin më të keq politik për dobësimin dhe moszhvillimin e Kosovës në perspektivë. Ajo paraqet një varrë kancerogjene për shtetësinë e Kosovës, të cilën Serbia do ta lëndojë çdo herë që ka ndonjë motiv bizar për ta dëmtuar Kosovën.

Fakti që projekti për “Zajednicën” është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes përfaqësuesve legjitimë të Kosovës dhe të Serbisë (kryeministrave Thaçi dhe Daçiq), paraqet një minë shpërthyese që i është vënë shtetësisë së Kosovës edhe nga vetë shqiptarët, me ose pa vetëdije. Parë në këtë prizëm, është e pamundur që të ketë njohje të ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës pa u dakorduar plani për “Zajednicën”. Por, tani do të ishte një fitore e madhe e politikës shqiptare të Kosovës nëse arrin që këtë projekt të rrezikshëm ta neutralizojë dhe, të paktën, t’ia presë pikat ndërlidhëse me Serbinë.

Është interesat fakti që pikërisht në kohën kur Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për parimet themelore të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, shqiptarët e Luginës së Preshevës kishin marrë një nismë krye më vete për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi (2015). Pra, shumë pak njerëz mund ta kenë ta njohur këtë hap të njëanshëm të komunave shqiptare të Preshevës dhe Bujanocit, për të cilin nuk kishin votuar madje as partitë shqiptare në opozitë. Por, është fakt se ka një vendim të tillë, që shpreh njëfarë vullneti politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili kishte ardhur si masë reciproke ndaj vendimit të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prani të palës ndërkombëtare.

Pra, dallimi ndërmjet këtyre nismave është shumë i madh, në kuptim të mbështetjes, por flet shumë për një anë të fortë që duhet shfrytëzuar edhe në bisedimet e fundit pala kosovare – e ajo është reciprociteti. Nëse serbëve të favorizuar të Kosovës u takon një e drejtë kolektive, ajo duhet t’u takojë edhe shqiptarëve të diskriminuar të Luginës së Preshevës.

Tani është shansi më i favorshëm që, krahas njohjes ndërkombëtare të Kosovës, të ngrihet në një nivel tjetër edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si pjesa më e rrezikuar aktualisht e trungut shqiptar.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...