Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/02/20

Opozita protestë para Kryeministrisë, Boçi dhe Noka: Do vazhdojmë betejën tonë të vështirë dhe sigurimin e votës së lirë

 


TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Në Tiranë po zhvillohet protesta e thirrur nga grupi i “Rithemelimit” dhe Federata Opozitare e bashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Një pjesë e mbështetësve të “Rithemelimit” u mblodhën në selinë e këtij grupimi, duke marshuar më tej drejt Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit”, ku ishin mbledhur pjesa tjetër e protestuesve.

Në krye të protestës janë Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD dhe Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i “Rithemelimit”, ndërsa nuk është i pranishëm ish- Kryeministri Sali Berisha, që është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ndodhet nën hetim nga SPAK për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Nënkryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Luçiano Boçi hapi tubimin para Kryeministrisë duke u shprehur se “këto godina janë vende ku grabiten pasuritë tuaja, ku bëhen pazare të pista të qeverisë”.

“Në këto godina është vrarë e ardhmja dhe është burgosur shpresa e shqiptarëve dhe po t’i shihni janë të lyera me krim dhe korrupsion. Duke i hapur ato dyer i korruptuari kryeministër do të gjendet pas hekurave. Vetëm kështu e marrin në dorë njerëzit fatin e tyre në Shqipëri. Ndaj duhet të vazhdojmë betejën tonë të vështirë. U them atyre që mundohen të mbyllin këto porta, që duan të burgosin Sali Berishën, që ne nuk dorëzohemi dhe do vazhdojmë luftën tonë sepse jemi të frymëzuar nga njerëzit”- tha Boçi mes të tjerash.

Boçi shtoi se “sot vijmë të bashkuar kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Vijmë të bashkuar sepse diktaturat nuk mund të lulëzojnë nëse ne nuk jemi të bashkuar në një revoltë dhe qëndresë të tillë. Ne vijmë të bashkuar për të marrë nga historia jonë vendosmërinë dhe guximin. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe mposhtet vetëm me guximin tonë dhe ne do e bëjmë një gjë të tillë”.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Flamur Noka u shpreh se kryeministri Rama
“nuk ja doli të shkatërronte pengesën për pushtetin e tij të përjetshëm, Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare”.

“Vëllezër edhe pse na e burgosi liderin tonë në një proces mirëfilli politik, fund e krye pa prova, fakte e asnjë të dhënë, ne jemi sot për t’i thënë Edi Ramës se opozita është këtu, në këmbë, e fortë, e papërkulur, e bashkuar dhe gjithë energji për ta rrëzuar. Sot në këtë shesh ne jemi për t’i thënë se pushteti nuk është i askujt, por pushteti është i njerëzve, ndaj asnjë institucion që ti mundohesh të kontrollosh nuk do të dalë dot kurrë mbi pushtetin e njerëzve”, deklaroi Noka.

Ai e cilësoi këtë protestë si “pranvera shqiptare”.

“Ne jemi sot këtu më të bashkuar se kurrë, siç e keni kërkuar ju prej kohësh, siç e ka kërkuar çdo demokrat dhe shqiptar i lirë dhe i ndershëm. Siç e ka kërkuar gjithë vendi ynë, me këtë bashkim madhështor, me këtë marshim po kaq madhështor dhe historik ne mendojmë se i kemi bërë një shërbim këtij vendi. Motra dhe vëllezër, ne nuk ndalemi deri sa t’i sigurojmë vendit tonë, votën e lirë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Votën e lirë dhe zgjedhjet e ndershme ne do t’i fitojmë. Asgjë nuk na ndal në këtë rrugë”, u shpreh Noka.

Aktori Mehdi Malkaj, i pranishëm në protestë tha se “ne “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” kemi nisur 24 kallëzime dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje, qoftë edhe negative”.

Janë mbi 1 100 trupa policore të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit e sigurisë para, gjatë dhe pas proteste. Policia e Shtetit i ka dhënë drejtuesve të “Rithemelimit” 4 orë kohë për të këtë protestë, ndërsa janë marrë në mbrojtje institucionet qendrore, siç është dhe godina e Këshillit të Ministrave, ku dhe do të realizohet kjo protestë. Po ashtu janë bllokuar dhe akset rrugore në afërsi të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kjo protestë është e para e “Rithemelimit” së bashku me Federatën e opozitës së bashkuar. Kësaj proteste nuk i është bashkuar Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën.

 

 

 

“Miku i mirë, në ditë të vështirë”, Vuçiç krenohet që nuk ka sanksionuar Rusinë: Po vjen rendi i ri!

 



Aleksandër Vuçiç krenohet me faktin që Serbia nuk ka sanksionuar Rusinë. Në një intervistë për median publike ruse, TASS, presidenti serb flet me krenari për kundërshtimin e perëndimit në këtë drejtim dhe popullin rus e konsideron “vëllazëror”. Megjithatë, thotë se ende nuk di edhe për sa kohë do t’i bëjë ballë presionit të SHBA-së dhe BE-së.

“Në serbisht dhe rusisht, si dhe në të gjitha gjuhët anglo-saksone, apo gjermane, ekziston një fjalë e urtë që thotë: shoku i vërtetë njihet në ditë të vështira. Është e lehtë të jesh shok në momente të mira. Të mbetesh mik, të jesh i sinqertë kur është e vështirë, pikërisht në momente të tilla, tregon fytyrën tënde të vërtetë”, tha Vuçiç.

Vuçiç risjell në vëmendje faktin që Serbia pezulloi përkohësisht stërvitjet ushtarake dhe policore me të gjithë partnerët e huaj, konkretisht të Rusisë, pasi në fakt me NATO-n ka kryer disa manovra. Ai komentoi dhe zhvillimin në Konferencën e Sigurisë në Mynih duke thënë se “paqja është kthyer në një fjalë të padëshiruar për mbarë botën”. Si asnjëherë më parë nuk raportohet që Vuçiç të ketë përmendur apo thënë ndonjë fjali për Kosovën në intervistën me median ruse, TASS.

Por në vend të kësaj, paralajmëroi se po vjen një arkitekturë e re e politikës botërore dhe se do të ketë shumë ndryshime. Sjellja e Serbisë kohëve të fundit ka qenë në orbitën e Kremlinit. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, u shpreh i habitur për deklaratën e Vuçiçit se Serbia do të jetë edhe në një pozicion më të vështirë për shkak të vdekjes së opozitarit Navalni.


Ndërkohë, në këtë temë ka ndërhyrë dhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Ai akuzon NATO-n me pretendimin se po përpiqet të zgjerohet në lindje duke bërë presion për anëtarësimin e Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës në aleancë.

“Përgjatë kufijve të Rusisë dhe Bjellorusisë, ka rreth 32 mijë ushtarë të NATO-s, më shumë se 1 mijë automjete të blinduara, 235 avionë dhe helikopterë, kështu që historitë për shpërthimin e mundshëm të Luftës së Tretë Botërore nuk janë pa bazë”, u shpreh ndër të tjera ai.

Bunkerizimi i Kryeministrisë së kuqaloshit Edvin Kristaq Rama.

 



Policia po i “jep doren e fundit” përgatitjeve për protestën e Rithemelimit, e cila do të mbahet në orën 17:30 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.

Efektivët kanë vendosur gardh metalik përballë Kryeministrisë, ndërkohë po vendoset edhe podiumi nga ku do të flasin përfaqësuesit e opozitës.

I pranishëm sot në protestë nuk do të jetë Sali Berisha pasi ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, por pritet që ai t’u drejtohet qytetarëve me një video mesazh.

Për mbarëvajtjen e protestës, në terren do të jenë mbi 1 mijë efektivë nga Policia e Rendit, Shqiponjat, FSK dhe RENEA. Në terren do të ketë edhe autobote me ujë dhe gaz lotsjellës, që do të përdoren vetëm në rast se sulmohen institucionet dhe efekticët e policisë me sende të forta.


Një ditë më parë, deputetja Albana Vokshi në një intervistë për Vizion Plus bëri me dije se  qytetarët kanë shumë arsye për të dalë në shesh, ndërsa u shpreh besimplotë se numri i tyre do të jetë shumë i lartë. Vokshi tha se protesta nuk do të jetë me ngjyrime politike, por e qytetarëve të ndershëm që po vuajnë sipas saj nga sistemi diktatorial i Edi Ramës.

Për mbarëvajtjen e protestës, disa akse rrugore do të jenë të bllokuara, duke nisur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza” apo edhe “Rruga e Elbasanit”.

F.B


Protestën do ta mbyllë Berisha nga dritarja..

 



Në orën 17:30 opozita do të zhvillojë protestën e parë për këtë vit kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Tubimi i Rithemelimit ka disa risi, kjo është protesta e parë pa liderin historik të tyre, Sali Berishën, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, por nga ana tjetër ky është tubimi i parë i Rithemelimit me 11 parti që kanë krijuar federatën e forcave politike të opozitës.

Mësohet se të gjithë deputetët demokratë do të nisen nga selia e SHQUP drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke përcjellë kështu mesazhin e bashkimit.

Po në frymën e bashkimit para protestuesve do të flasë kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, i cili për herë të parë merr pjesë në një protestë të thirrur nga Sali Berisha, sikundër mesazhe për protestuesit do të japin Flamur Noka, Luçiano Boçi e politikanë të tjerë të opozitës.


Sali Berisha do të mbyllë protestën me fjalimin që do të mbajë nga dritarja e shtëpisë së tij e që do të transmetohet në ekranin e vendosur para selisë së kryeministrisë.

Në protestë do të jenë për herë të parë edhe të gjithë aleatët e Rithemelimit, por do të mungojë Ilir Meta e Monika Kryemadhi, të cilët ndodhen jashtë vendit.

Prej ditësh figurat kryesore të Rithemelimit u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin sot në protestë kundër qeverisë Rama, duke përmendur si motiv kryesor korrupsionin, situatën e vështirë ekonomike, pagat e pensionet e ulëta, largimin e shqiptarëve nga vendi.

Rithemelimi ka deklaruar se protesta sot është edhe kundër mbylljes së hapësirave për opozitën në parlament si dhe kundër institucioneve të sistemit të drejtësisë, të cilat të paktën sipas Sali Berishës janë vendosur në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

Për herë të fundit para selisë së qeverisë demokratët kanë protestuar në 3 marsin e vitit të kaluar, në ditën kur gjykata e Apelit ia hoqi Sali Berishës të drejtën për të pasur logon dhe vulën e Partisë Demokratike.

Putini i dhuron makinën luksoze ruse që e përdorte vetë, Kim Jong Un



Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhuruar liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un një makinë luksoze të prodhimit rus. Media shtetërore e Phenianit tha se makina iu dorëzua ndihmësve të Kim-it të dielën. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov më vonë konfirmoi dhuratën, duke thënë se ishte një Aurus, një sedan luksoz i përdorur nga vetë Putini.

Gjatë vizitës së udhëheqësit të Koresë së Veriut, ai pa makinën Aurus të Putinit ku dhe u ftua të hipte në sediljen e pasme. Ata gjithashtu shkëmbyen armët si dhuratë.

Sipas BBC, kjo dhuratë i bëhet Kim Jong-ut sepse besohet që ai të jetë një adhurues i makinave dhe se ka një koleksion të automjeteve të huaja luksoze. Por Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut tha se dhurata shkeli sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë së Veriut, të cilat ndalojnë furnizimet e disa kategorive të automjeteve, përfshirë makinat luksoze.

Motra e Kim, Yo Jong tha se “dhurata shërben si një demonstrim i qartë i marrëdhënieve të veçanta personale midis dy liderëve” të dy vendeve, në burimet e cituara nga agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut KCNA.


Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, dy vendet kanë krijuar marrëdhënie të ngushta. Koreja e Veriut mendohet se po furnizon Rusinë me artileri, raketa dhe raketa balistike për luftën, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare ndaj të dy vendeve.

Për "sharlatanët" tanë që dalin në media dhe peticionin e intelektualëve

 

Për "sharlatanët" tanë që dalin në media dhe


Nga Enkel Demi 

 Lexova me shumë vëmendje një peticion të disa akademikëve, intelektualëve, studentëve që kërkojnë frenimin e daljes në televizion të disa "sharlatanëve" të cilët merren me gjurmimin popullor të etimologjisë duke e shpallur gjuhën shqipe si më të lashtën mbi këtë dhè. Qysh në krye dua të shpreh admirimin tim më të madh për pjesën dërmuese të asaj liste nënshkruesish, ani se pak do syresh janë shumë më të "vyer" si "sharlatanë" në fushat e tyre të aktivitetit jetësor, por padyshim kjo nuk e dëmton rëndësinë e debatit dhe ftesën shumë serioze për reflektim. Sporti popullor i kërkimeve etimologjike apo historike për të nxjerrë të lashtë një komb është karakteristikë e rajonit tonë, madje në nivel akademik. Vendet fqinje kanë përdorur teza marroke të manipulimit foshnjërak të gjuhës, historisë, lashtësisë sa shpesh shqiptarët dalin ardhacakë në rastin më të mirë apo me bisht në rastin më të keq. Mjafton të kujtojmë këtu Enciklopedinë famëkeqe të publikuar pak vjet më parë prej Akademisë së Shkencave të Maqedonisë së Veriut. Sa mirë do të ishte të kishim një reagim po kaq të fortë në at'botë. Në televizionet shqiptare prej vitesh dalin gazetarë, "studiues" apo "historianë" pa licencë, madje lektorë të universiteteve shqiptare, të cilët pretendojnë se Himara është greke historikisht, qysh në kohët e antikitetit. Në bazë të këtyre tezave autoritetet greke kanë ngritur një pretendim të mirëfilltë territorial duke krijuar një tollovi të pazakontë politike, diplomatike dhe penguese në procesin e integrimit europian. Asnjëherë nga personalitetet e mendimit shqiptar nuk është kërkuar nga AMA të ndalojë këta mashtrues të dalin në televizor apo radio. Në këtë rast kemi të bëjmë me një manipulim me pasoja të rënda të ardhmërisë së Shqipërisë dhe me cënim të integritetit territorial. Serbët me "mendim akademik" të hartuar ndër shekuj pretendojnë se shqiptarët janë ardhacakë në Dardani për mos dashur me përdor termin sllav Kosovë. A nuk do të qe mirë ta nisnim qasjen ndaj çështjes kombëtare me ndryshimin e emrit, bashkangjitur me kërkesën për të financuar arkeologjinë, studimet e mirëfillta historike, etnografike e kështu me radhë për t'ju kundërvënë manipulimit të parreshtur që bëjnë të ashtuquajturit historianë, shkrimtarë apo akademikë sllavë? A nuk duhet t'i qasemi kështu me të njëjtën energji e pathos manipulimit historik që i bëhet Çamërisë duke nisur madje nga historia moderne, ku shqiptarët cilësohen kolaboracionistë të nazizmit, ndërsa merret ende i mirëqenë gjyqi i Janinës, i cili shpalli fëmijët kolaboracionistë, siç është rasti i të ndjerit Nexhat Mërgjushi në moshën 7 vjeç. Por, le të kthehemi tek "sharlatanët" tanë që dalin në media. Ky sport popullor është shumë i njohur fjala vjen në Greqi. Kujtoni komedinë e mrekullueshme "My big fat greek wedding" që në shqip e njohim me "Martesa ime greke". Ndoshta ky fenomen duhet marrë me këtë shpirt humori. Disa prej gjurmuesëve tanë popullorë janë dhënë e shtyrë në këto "hulumtime" se do kenë lexuar gjë kafshë nga vepra e Petro Zhejit, e cila e gjen shpjegimin në gjuhën shqipe të disa fjalëve të sanskritishtes. Nuk besoj se do shkojë puna që të hedhim në kosh veprën e Petro Zhejit, megjithëse ajo mund ta verë në diskutim qëndrimin zyrtar akademik. Një tjetër shtysë janë esetë e shkrimtarit tonë Ismail Kadare. Në ndonjërën prej tyre Kadare synon ta shpjegojë emrin e Zeusit nëpërmjet fjalës shqipe "zë". Flasim për një shkrimtar, i cili artin e tij e ka frymëzues për miliona lexues në mbarë botën, por që nuk është studiues i mirëfilltë. Në këtë kuadër mos duhet të kërkojmë që Ismail Kadare të mos studiohet në shkolla si për shembull eseja "Autobiografia e popullit tim në vargje" apo "Eskili, ky humbës i madh"? Avokat Ngjela së fundmi në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në Dritare u shpreh se gjuha shqipe është ajo që shpjegon greqishten dhe jo anasjelltas. Sakaq, ai shton se përkthyesi i "Iliadës", Gjon Shllaku i ka treguar atij se "Iliada" është përkthyer nga shqipja në shqip, por kjo e vërtetë është mbajtur e fshehtë. Avokati dëshmon se Gjon Shllaku ka pas pretenduar që greqishtja e vjetër është një formë me gjasë arkaike e gegnishtes. Si do bëjmë në këtë rast kë do fusim në përcaktimin "sharlatan" avokatin apo Gjon Shllakun? Si gazetar prej 30 vjetësh, drejtues mediash dhe njohës i medias si referues universitar, mendoj se ky peticion e bën debatin mbi median të shëndetshëm, nëse nuk është kategorik, censurues. Dhe në fakt, pikat e tij nuk i gjej ndaluese apo frenuese, por etikisht paralajmëruese për Autoritetin Audiovizual dhe vetë mediat. Sipas meje, ka vetëm dy rrugë për të intervistuar këta njerëz: ose të bëjmë oponencën e të ftuarit, kur e marrim atë seriozisht, ose ta trajtojmë si në filmin "Martesa ime greke". Asnjëherë nuk duhet lejuar në këto biseda denigrimi i albanologëve apo shkenctarëve të gjuhës shqipe si është rasti i Eqerem Çabejt. Megjithatë, këta njerëz burimorë sipas meje nuk shkaktojnë dëm, përkundrazi krijojnë një ndërgjegje kombëtare "catchy" të ngjashme me rritmet tallava që askush nga mendimtarët tanë nuk e ka luftuar me shumë zell. Dëmin më të madh që bëjnë këta studiues është fjala vjen që një emigranti shqiptar, të cilit i del bretku duke i rënë lopatës të jetë i bindur se është më i lashtë dhe fisnik se "afendikoi" që i jep mëditjen apo t'i shkaktojë Ballist Morinës dëshirën që të vendosë në stadium patrullën: "Zoti është shqiptar". Sipas meje ka gjëra të tjera shumë më shqetësuese dhe të rrezikshme për jetën e njeriut që nuk shkakton çuditërisht kurrfarë reagimi prej shtresës së lartë të mendimit në Shqipëri. Fjala vjen "mjekët popullorë" që me yshtje, energji paranormale, nuska, vargje librash të shenjtë apo ilaçe të shpikura nga ide të çartura dalin në televizor dhe shkëpusin plot të paditur nga kurat mjekësore të mirëfillta dhe vrasin njerëz. Në këtë krim marrin pjesë pa dyshim gazetarët që i ftojnë. Po merren në qafë njerëz, të cilët kanë vdekur, pasi kanë besuar se kanceri shërohet duke pirë vajgur. Prej vitesh jam i vetmi ose më mirë ndër të paktët që flas për modelin edukativ të eskortës që po u japim të rinjve nëpërmjet disa emisioneve shumë të ndjekura në televizion. Është bërë e udhës që vajzat e vogla ta shohin si të vetmen mundësi të suksesit në jetë të shitjes së trupit dhe kjo quhet moderne, e bukur, e pranueshme ditës për diell. Askush nuk ndalon këngët me tekste që vënë në dukje se sa "cool" është me pas armë apo me thith kokainë. Videot e tyre janë të shoqëruara me skena të dhunshme, por pak e vënë ujin në zjarr. Në këto raste duhet ndërhyrje energjike, e cila nuk ndodh për shkak të fuqisë disproporcionale që ka media si biznes ndaj autoriteteve kontrolluese dhe zbatuese të ligjit. Dhe këtu e kam fjalën më së shumti për organet e drejtësisë. Uroj që mos të kem lënduar kënd nga nënshkruesit e peticionit, përveç atyre pak që përmenda më lart në krye të këtij reflektimi. Di vetëm që në këtë rast ndalimi i këtyre njerëzve që besojnë se gjithë rruzulli flet shqip do të sillte efektin bumerang. Tezat e tyre, shpesh foshnjërake deri në komike, nëse ndalohen do merren shumë më seriozisht. Librat e tyre shpesh të hallakatur do të konsiderohen të ndaluar e në këtë rast kam frikë që do lexohen më shumë prej kufizimeve. Unë them se shpirti i humorit i filmit grek është bari më i mirë i këtij "derti" kombëtar.


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...