TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Në Tiranë po zhvillohet protesta e thirrur nga grupi i “Rithemelimit” dhe Federata Opozitare e bashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Një pjesë e mbështetësve të “Rithemelimit” u mblodhën në selinë e këtij grupimi, duke marshuar më tej drejt Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit”, ku ishin mbledhur pjesa tjetër e protestuesve.
Në krye të protestës janë Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD dhe Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i “Rithemelimit”, ndërsa nuk është i pranishëm ish- Kryeministri Sali Berisha, që është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ndodhet nën hetim nga SPAK për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Nënkryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Luçiano Boçi hapi tubimin para Kryeministrisë duke u shprehur se “këto godina janë vende ku grabiten pasuritë tuaja, ku bëhen pazare të pista të qeverisë”.
“Në këto godina është vrarë e ardhmja dhe është burgosur shpresa e shqiptarëve dhe po t’i shihni janë të lyera me krim dhe korrupsion. Duke i hapur ato dyer i korruptuari kryeministër do të gjendet pas hekurave. Vetëm kështu e marrin në dorë njerëzit fatin e tyre në Shqipëri. Ndaj duhet të vazhdojmë betejën tonë të vështirë. U them atyre që mundohen të mbyllin këto porta, që duan të burgosin Sali Berishën, që ne nuk dorëzohemi dhe do vazhdojmë luftën tonë sepse jemi të frymëzuar nga njerëzit”- tha Boçi mes të tjerash.
Boçi shtoi se “sot vijmë të bashkuar kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Vijmë të bashkuar sepse diktaturat nuk mund të lulëzojnë nëse ne nuk jemi të bashkuar në një revoltë dhe qëndresë të tillë. Ne vijmë të bashkuar për të marrë nga historia jonë vendosmërinë dhe guximin. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe mposhtet vetëm me guximin tonë dhe ne do e bëjmë një gjë të tillë”.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Flamur Noka u shpreh se kryeministri Rama
“nuk ja doli të shkatërronte pengesën për pushtetin e tij të përjetshëm, Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare”.
“Vëllezër edhe pse na e burgosi liderin tonë në një proces mirëfilli politik, fund e krye pa prova, fakte e asnjë të dhënë, ne jemi sot për t’i thënë Edi Ramës se opozita është këtu, në këmbë, e fortë, e papërkulur, e bashkuar dhe gjithë energji për ta rrëzuar. Sot në këtë shesh ne jemi për t’i thënë se pushteti nuk është i askujt, por pushteti është i njerëzve, ndaj asnjë institucion që ti mundohesh të kontrollosh nuk do të dalë dot kurrë mbi pushtetin e njerëzve”, deklaroi Noka.
Ai e cilësoi këtë protestë si “pranvera shqiptare”.
“Ne jemi sot këtu më të bashkuar se kurrë, siç e keni kërkuar ju prej kohësh, siç e ka kërkuar çdo demokrat dhe shqiptar i lirë dhe i ndershëm. Siç e ka kërkuar gjithë vendi ynë, me këtë bashkim madhështor, me këtë marshim po kaq madhështor dhe historik ne mendojmë se i kemi bërë një shërbim këtij vendi. Motra dhe vëllezër, ne nuk ndalemi deri sa t’i sigurojmë vendit tonë, votën e lirë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Votën e lirë dhe zgjedhjet e ndershme ne do t’i fitojmë. Asgjë nuk na ndal në këtë rrugë”, u shpreh Noka.
Aktori Mehdi Malkaj, i pranishëm në protestë tha se “ne “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” kemi nisur 24 kallëzime dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje, qoftë edhe negative”.
Janë mbi 1 100 trupa policore të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit e sigurisë para, gjatë dhe pas proteste. Policia e Shtetit i ka dhënë drejtuesve të “Rithemelimit” 4 orë kohë për të këtë protestë, ndërsa janë marrë në mbrojtje institucionet qendrore, siç është dhe godina e Këshillit të Ministrave, ku dhe do të realizohet kjo protestë. Po ashtu janë bllokuar dhe akset rrugore në afërsi të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Kjo protestë është e para e “Rithemelimit” së bashku me Federatën e opozitës së bashkuar. Kësaj proteste nuk i është bashkuar Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën.