Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/02/29

“Pasi Hrushovi u bë çakërqejf me raki mani dhe babai i vuri një qeleshe në kokë, e të dy filluan të kërcenin e këndonin, udhëheqja ngriu…, por Enveri…”/ Rrëfimi i rrallë i bijës së artistit të famshëm korçar



Nga Raimonda Moisiu 

Memorie.al / Artist i Merituar’, tenor i shquar korçar, tashmë i ndarë nga jeta, Piro Sulioti, lindi në qytetin e Korçës, në një lagje tipike autoktone korçare, me tinguj serenatash dhe motive nga muzika e lehtë korçare, në shtator të vitit 1924. Diku aty rreth moshës 20 vjeçare, nisi të këndojë tek ‘anketat muzikore’ të Radio – Korçës, dhe ka qenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet kulturore, që organizoheshin në atë qytet, veçmas atë kohë, për artistët e rinj. Ende në moshë të re, largohet nga Korça, dhe shkon me studime në degën e infermierisë, Tiranë, ku diplomohet si ndihmës- mjek. Aty aktivizohet në aktivitete të ndryshme artistike, muzikore e kulturale, dhe shumë shpejt u bë i njohur në të gjithë vendin, si një këngëtar i ri nga Korça.

Përveç serenatave edhe këngëve me motive ushtarake që artisti korçar Piro Sulioti këndonte, tek Ansambli Ushtrisë, ai bie në sy të kompozitorëve të shquar, për vokalin e tij të pastër e të kthjellët, dhe më 1954–ën, kompozitori Kristo Kono, do i besonte rolin kryesor të operetës së parë Shqiptare “Agimi”, në rolin e “Sokolit”.

Rreth këtyre viteve, e për disa dekada, do të interpretonte këngët karakteristike korçare, duke arritur të bëhej një nga tenorët kryesorë të Grupit Karakteristik dhe historik, “Lira”, të Korçës, rol që e ruajti deri në fund të jetës së tij.

Më pas do të sillte në dritë një buqetë me këngë popullore korçare, (shumica e tyre ende nuk janë kënduar) dhe do të vlerësohej me çmime të ndryshme nëpër festivale dhe anketa muzikore të asaj kohe. Do të këndonte edhe para udhëheqjes së lartë të shtetit socialist, për Enver Hoxhën dhe për udhëheqësit e tjerë të asaj kohe.

Ishte këngëtari i vetëm shqiptar, që rreth viteve ’60-të, këndoi para Hrushovit, në vizitën që ai bëri në qytetin e Korçës. Artisti korçar nuk e “dehu” udhëheqësin sovjetik, vetëm me serenatat, këngët popullore korçare dhe këngët ruse, por e dehu edhe me raki mani Hrushovin, sa do i vinte qeleshen në kokë atij, në qejf e sipër, një lloj “qejfi”, që vetëm këngëtarët gazmorë e të talentuar të Korçës, dinë ta ndezin.

Në vitin ’68-të udhëtoi me Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore, krahas legjendës të muzikës shqiptare, artistes së famshme ikonë, Vaçe Zela, dhe me artistë të tjerë në Kinë, për të kënduar para Mao Ce Dun-it, etj. Në vitin 1978-të, Piro Sulioti do vlerësohej me çmimin e madh “Artist i Merituar”. Inamorimi edhe pasioni për pentagramin, e bëri që të kthejë muzikën edhe artin, në një traditë familjare.

Djali i tij, është tenor i famshëm Gjergji Sulioti, gjithashtu edhe vajza, Zhani Sulioti, personazhi i kësaj interviste, është mësuese muzike. Serenatat korçare edhe muzika karakteristike e atij qyteti, kurrë nuk u ndanë prej Piros, ishin gjithmonë miq duke e shoqëruar atë, deri në momentet e fundit, madje edhe kur sëmundja edhe pleqëria e kishin dobësuar, ai vazhdonte të këndonte. Një jetë që i ngjan një romani apo drame, në sprovën e udhëtimit të trishtë e të bukur të jetës.

Një rrëfim klasik për një gjeni klasik të artit e të muzikës, për ‘Artistin e Merituar’, tenorin e shquar korçar, Piro Sulioti, vjen në këtë intervistë nga vajza e tij, znj. Zhani Sulioti. Artistit korçar i ka pëlqyer gjithmonë të luajë me muzikën, herë me serenatën, herë me këngët e lehta, herë me ato populloret dhe herë në opera, duke dhënë përmes lidhjeve të tyre, mesazhe për të tashmen, ruajtjen e vlerave muzikore të traditës dhe kulturës shqiptare. Për më shumë ndiqni në këtë intervistë.

– Znj. Zhani, së pari ju falenderoj, që pranuat të jepni këtë intervistë, për të risjellë në kujtesë ‘Artistin e Merituar’, një nga tenorët më të shquar të muzikës shqiptare, Piro Sulioti, i ndarë tashmë nga jeta. Si ndjeheni për këtë intervistë, e ndjeni homazh apo, një përcjellje të vlerave qytetare, kulturore e historike të Korçës sonë?

Do të dëshiroja t’ju falenderoj përzemërsisht, për mundësinë që më ofruat, të kujtoj e sjell në vëmendjen e publikut artdashës korçar dhe gjithë shqiptarëve, meritat edhe vlerat e babait tim, që shumica e pushteteve që shkojnë e vijnë, por e kanë lënë në harresë, tenorin e shquar të grupit historik “LIRA”, të Korçës, sikundër e theksoni edhe ju, në pyetjen përkatëse, ‘Artistin e Merituar’, Piro Sulioti.

Artisti korçar dhe ati im, Piroja, është ndarë vetëm fizikisht nga jeta, se për ne, birin dhe bijat e tij, familjarët e e shumtë, ai është këtu, mes nesh. Nga vokali, nga serenatat, nga këshillat, dhe sidomos nga humori i tij, plot sqimë, hare dhe i spikatur që e shoqëroi një jetë të tërë. Sigurisht, kjo intervistë është homazh dhe requiem, sepse një artist si Piro Sulioti, me vlerat e tija të jashtëzakonshme, nuk mund të lihet në harresë. Ai na ka lënë një pasuri të madhe artistike. Nuk e ekzagjeroj, edhe po të thoja me plot bindje e gojë, se është i pazëvendësueshëm.

– Familja Sulioti është një familje autoktone qytetare dhe intelektuale korçare. Cilat janë kujtimet tuaja që nga fëmijëria, si u gjend ati juaj, tenori i shquar Piro Sulioti, në rrugën e bukur të artit të muzikës? E pati të trashëguar gjenin muzikor, apo ishte dhunti e tij?

Normalisht, që do kishte një trashëgimi familjare, fakt që ruhet me fanatizëm deri në ditët e sotme, te familja Sulioti dhe pasardhësit e saj. Ashtu si tenor i mirënjohur, vëllai im Gjergji Sulioti dhe unë, personalisht, nipërit dhe mbesat, vazhdojmë me përkushtim talent dhe dashamirësi, traditën familjare muzikore. Kujtime pa fund nga babai im, por edhe nga shumë qytetarë të tjerë të Korçës sonë, sidomos artistë, që kishin marrëdhënie miqësore me babain dhe familjen tonë.

Piroja e ka pasur pasion muzikën që në fëmijërinë e tij. Ka nisur të këndojë me shokët që në moshë të hershme, dhe vazhdoi të jetë pjesëmarrës aktiv në anketat muzikore te Radio Korça dhe arriti deri në skenat e Republikës Popullore të Kinës, me ansamble të ndryshme të vendit, në turnetë e zhvilluara asokohe. Gjithashtu, deri në fund pothuajse të jetës së tij, mbeti një nga tenorët kryesorë të grupit karakteristik të Korçës, të famshmin “LIRA”.

-A mund të na përshkruani momente nga eksperienca e tij? Kur ka filluar të këndojë? Cila është kënga e parë, që ka kënduar?

Ka filluar të këndojë qysh herët, sikundër e theksova më lart, por si këngëtar amator, fillon të njihet afro viteve ’40-të. Fati i babait tim, ishte që këndonte në shumë repertorë, si; serenata, këngë të muzikës së lehtë, këngë popullore, këngë të huaja, por edhe këngë lirike nga opera. Këngët e para të tij, veçmas ato që patën sukses të madh, dhe interpretohen ende edhe sot (por jo ai lloj interpretimi i babait tim), ka qenë “Jorgjica”, “I pabesë”, “Dje mbrëma”, etj.

-Ç’mund të na thoni për influencat e tij muzikore në muzikën e lehtë, popullore dhe serenatat? Po në opera?

Për muzikën lirike më 1954-ën, i madhi Kristo Kono, do i besonte rolin kryesor të “Sokolit”, tek opereta e parë shqipe “Agimi”, e cila pati një sukses të jashtëzakonshëm. Madje, atë rol historik, ma dedikoi mua, bijës së tij, që sapo kisha lindur. Por, muzika lirike ende s’kishte hedhur rrënjët tek kultura e vendit, shkak që largoi shumë artistë, midis tyre edhe Piron.

Këngët popullore i këndonte zakonisht nëpër dasma dhe në gëzime familjare, duke mbajtur kështu, gjallë, traditën e qytetit. Sa për këngët e lehta edhe serenatat, ato ishin gjith’ jeta e tij, nuk i ndau kurrë nga vetja, ishte gjithmonë në formë për t’i kënduar çdo çast. Kujtoj ditët e fundit të jetës të tij, aty në shtrat i shtrirë, këndonte gjithmonë serenatat e veta. Ashtu si atëhere, me të njëjtin ritëm, por me vokal të dobësuar, nga pleqëria.

-Ati juaj, është i njohur kryesisht si një nga tenorët kryesorë të grupit karakteristik korçar “Lira” dhe si një adhuruese e hershme e tij, vija re një mirëkuptim, mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jepte fuqinë e tingujve, melodisë së serenatave, të këngëve popullore, të lehta, baladat apo ato me ritëm ushtarak. Ç’mund të na thoni për këtë?

Piroja kishte një emocion të jashtëzakonshëm, përsa i përket këngës dhe muzikës në tërësi. Për çdo këngë frymëzoheshe ndryshe, nuk e di se si arrinte të interpretonte gjithmonë, në bazë të frymëzimit. Çuditërisht i ndryshonte mimika e fytyrës, qëndrimi në skenë, etj. Buzëqeshja ose trishtimi, vizatoheshin dhe rrezatonin tek publiku. Adhuronte gjithmonë duartrokitjet edhe gazin e publikut. Dashuria për serenatat edhe qytetin e lindjes, Korçës, e bëri që t’i kthehej, “Qytetit të Ëndrrave”, dhe të mos vazhdonte karrierën në Tiranë. Shprehej gjithmonë, që; “Serenatat me Korçën, janë si peshku me ujin. Nuk mund të rrojë jashtë tij”.

– Në televizione të ndryshme e rrjete sociale, qarkullojnë këngë dhe filmim të arkivave, të koncerteve, që tenor i shquar Piro Sulioti, ka dhënë brenda e jashtë atdheut. Ç’mund të na thoni për këtë?

Është një pjesë e vogël e tyre, sepse shumica gjendet e mbuluar nga “pluhuri i harresës”, tek arkivat e ndryshme të Radios e të Televizionit. Normalisht, që pjesa më e madhe, nuk është e filmuar ose e incizuar, sepse atëhere, ka qenë një tjetër kohë, shtypi i shkruar dhe media vizive, pothuajse kanë qenë inekzistente, kështu që producenti ishte vet artisti, ose shteti.

Për dekada vitesh tëra, koncertet që babai dha në Jugosllavi, në Greqi, në Kinë, në Bashkimin Sovjetik, në Rumani, etj., ishin të bllokuara, për hatër të sistemit socialist të vendit. Por të gjitha këto, babai na i kaloi në memorie dhe ne nuk i harrojmë kurrsesi, shumicën e aktiviteteve apo të historive të ndryshme të tij.

-Cilat kanë qenë disa nga koncertet dhe takimet me personalitete të rangut të lartë, që i patën lënë më shumë mbresa, babait tuaj? Ndonjë eksperiencë të veçantë gazmore, apo të trishtë, ju ka treguar babai?

Babai im ka dhënë koncerte para shumë personaliteteve të rangut të lartë të sistemit dhe regjimit të kohës, kur arti dhe muzika bënin shumë për realizmin socialist, miqësinë sovjeto-shqiptare, dhe Revolucionin Kulturor Kines. Ka dhënë dhjetëra koncerte për Enver Hoxhën, për Mehmet Shehun, për Ramiz Alinë, për Mao Ce Dun-in, Hrushovin, etj.

Eksperiencat gazmore e të trishta që ai na rrëfente, ishin pothuajse të përditshme dhe vija re si artist në shpirt e talent, babai i ndjente dhe i vuante më shumë se kushdo tjetër. Më kujtohen historitë me humor që tregonte nga Kina, mallëngjimi edhe përlotjet në Kosovë, por edhe shumë raste të ndryshme, për kolegët e tij këngëtarë.

– Kam dëgjuar dikur të flitej për babain tuaj dhe artistin korçar, Piro Sulioti, se aty rreth viteve ’60-të për vizitën e Hrushovit në Korçë, ai jo vetëm këndoi para tij këngët e famshme ruse, por edhe në qejf e sipër, kërceu me të. A mund të na i përshkruani atë moment? A pati kritika më pas apo vlerësime?

Ky episod, në fakt është unë i veçantë, interesant e tejet mbresëlënës, por edhe për vetë “bujën” që bëri atë kohë, sa përflitej për një kohë relativisht të gjatë, mes vetë artistëve dhe publikut korçar. Vizita Hrushovit në Shqipëri, në qershor të 1959-ës, ishte një nga vizitat më të rëndësishmet për sistemin e kohës. Organizatorët e një koncerti special për nder të tij në ditën e fundit të qëndrimit të Hrushovit në Shqipëri, thirrën Piron, për të kënduar aty në atë koncert.

Babai e përshkruante Hrushovin, shumë njeri të thjeshtë edhe gazmor, me aq sa ai komunikoi dhe e njohu atë Hrushovi, pasi hëngri peshkun ‘krap”, të porositur nga vetë ai, piu edhe rakinë e manit, u bë çakër-qejf dhe nisi të kërcejë vallen karakteristike ruse me babain, kur Piro për një moment ekzaltimi, ia rrëmben një valltari qeleshen dhe ja vendos në kokë Hrushovit.

Ndërsa kërcenin të dy të përqafuar dhe Hrushovi me qeleshen shqiptare në kokë, qeshte e thërriste; “Spasiba, spasiba”! Ky ishte një veprim i pa papritur dhe befasues për zyrtarët e kuadrot e partisë. Një pjesë e tyre u alarmua, duke kërcënuar Piron, për pasoja apo dënime që mund të kishte, pas kësaj. Por u desh ndërhyrja e Enverit, personalisht, që shmangën peripecitë dhe pasojat politike për babain.

– A ka shkruar poezi apo tekste këngësh dhe serenata, babai juaj?

Jo, babai nuk ka shkruar poezi, apo tekste këngësh. Piro ka ndihmuar poetët dhe kompozitorët, thjesht nga eksperienca e tij si këngëtar, por nuk mund të them, se ka qenë poet. Serenata, mund të them; po, se shkruanin dhe u këndonin çupave korçare, gjith’ meshkujt e dashuruar të Korçës, dhe ma merr mendja, që brenda tyre, është edhe babai im. Më 1967-ën, nisi të shkruajë një roman, (diku e kam ruajtur), por që nuk e mbaroi kurrë.

-Përpos portretit dhe staturës intelektuale, por edhe talentit e kontributit të tij në muzikë, ai i keni mbledhur ato në CD, apo album? Nëse po, cili është roli hulumtues i tyre?

Këtu më jep mundësinë të hap një tjetër çështje madhore për diskografinë shqiptare. Në shumicën e rasteve, këngët, koncertet, filmimet etj., janë sikundër përmenda edhe më lart, janë të arkivuara dhe as kush nuk mund t’i marrë. Kjo më duket vërtet absurde, sepse edhe autori vetë, nuk mund t’i tërheqë nga arkivi.

Shumica e këngëve janë në “errësirë”, se askush nuk merr kurajën, guximin dhe iniciativën, që këto pjesë të çmuara të kulturës shqiptare, të dalin në dritë, për të parë, jo vetëm këtë trashëgimi dhe identitet të artit e muzikës shqiptare, por edhe dritën që ato kanë lënë pas, për brezat e ardhshëm, për kulturën dhe historinë e saj, qoftë qytetare korçare, por edhe kulturës shqiptare në tërësi.

Vërtet nuk ndjehem mirë për këtë dhe më vjen shumë keq, se babai im, Piro, u mundua për vite të tëra, por arriti vetëm të mbledhë dy copë. Shumica e tyre, janë bërë ilegalisht në CD-i, duke i hedhur në treg, pa u ditur të drejtat e autorit dhe pa marrë lejë nga askush. Unë ju bëj thirrje: “Ju lutem, na jepni ato që i përkasin babait tonë”!

–Cili është mesazhi juaj, në vlerësimin e mos harresën e vlerave të tilla?

Vlerësimet, janë subjektive, vijnë dhe ikin me kohën, modën, regjimin, etj. dhe boshllëqet duhet t’i zgjidhim, traditën, ta vazhdojmë dhe të përhapim sa më shumë kulturë, e muzikë. Artistët duhet të inkurajohen, jo vetëm për të identifikuar artin, kulturën muzikën dhe zgjidhjen e situatave jo të këndshme, në dëm të artit, traditës e trashëgimisë kulturore e muzikore. Për këtë, nuk duhet të kemi as frikë, as zemërim, as xhelozi.

Duhet të kemi urtësi, ashtu sikundër kanë pasur kjo elitë e shquar e brezit të artë të artistëve, që nga Vaçe Zela, Ramiz Kovaçi, Avni Mula, Gaqo Çako, Kristo Kono, Piro Sulioti, etj, etj, ndjesë nëse nuk kam përmendur ndokënd, se janë shumë. Të përmendim, të sjellim në vëmendje dhe të kujtojmë historinë dhe ikonat e artit për art, dhe jo për treg.

Të mundohemi të bindim shoqërinë shqiptare dhe trupat e ndryshme të muzikës për drejtësi artistike. Dhe jo vetëm kaq! Të mos harrojmë se dikur në këtë vend, ka pasur artistë, që kanë shkrirë shpirtin, vrullin, talentin dhe dëshirën, vetëm për një duartrokitje, për një buzëqeshje, për një dinjitet, pa klipe, pa menaxhere, pa intervista, pa social-media dhe studio me aparatura, jo për tregti, por për të bërë histori. Dhe ia dolën! Ata bënë historinë! Memorie.al

“Në burgun e Spaçit, dy bashkëvuajtësit e mi, më treguan se si, e kishin varrosur të gjallë Mitrush Kutelin, në kampin e Vloçishitit…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur nga SHBA-ja


Nga Visar ZHITI

        -TË TEJKALOSH TË GJITHA VDEKJET QË TË KANË DHËNË…!-

                        – Shkrimtari Mitrush Kuteli në themele dhe në majë –

Memorie.al / Sipas latinëve, janë dy vdekje për shkrimtarin, njëra ajo natyralja dhe tjetra ajo më pas, kur i vdes vepra, do të thosha prerë. Por për shkrimtarin shqiptar, ka dhe vdekje të tjera të më përparshme, të mbrapshta, kur të vdesin pa vdekur, siç ndodhte kur sundonte ‘Realizmi Socialist’, ndalonin vepra dhe autorë bashkë, rroposin libra dhe futin burgjeve shkrimtarë, i pushkatonin, madje vrisnin dhe të vrarët e kobe të tjera.

Sot, dua të përkujtojmë shkrimtarin Mitrush Kuteli, në ditën e tij të ikjes, në 4 maj 1967, në moshën 60 vjeçare, por që i tejkaloi të gjitha vdekjet që i dhanë, të tijën dhe të tjerat, ato të mëparshmet, burg e ndalim vepre e harrim, madje e pabesueshme, e tmerrshme, ai ka dhe një varrosje për së gjalli dhe deshi Zoti, i shpëtoi dhe asaj, edhe heshtjes vrastare pas vdekjes natyrale, që e kanë të gjithë, se askush nuk është i dënuar për të qenë i pavdekshëm si korp dhe sipas një novele të vetë Kutelit, megjithëse diktatorët, do të donin të paktën të vdisnin të fundit, prandaj dhe e mbushin jetën me spektaklet e zeza të vdekjeve të tjera, të qytetërimit, të ëndrrave dhe të gjithë vendit, etj, etj., ndërkaq Kuteli ynë, provoi dhe ringjalljen e veprës së tij, ëndërr dhe qytetërim dhe zë i vendit, ajo i shkundi nga supet dherat e harrimit të qëllimtë dhe të pa qëllimtë dhe u pa tashmë, që është themeltare në letrat moderne shqipe, ndërkohë dhe në majë, me atë shkëlqim bore të përhershme të majëmaleve…!

Mitrush Kuteli, është i magjishmi i tregimit shqip, le ta themi në toskërishten e ëmbël, bashkë me Ernest Koliqin, me atë gëgërishten gjithë vezullime, dhe me Anton Pashkun në Kosovë, me gjuhën prej dhimbje dheu, një trini e letrave shqipe. Edhe Kuteli, donte të shkruante romane, (thonë se e përfundoi njërin në burg, por ka humbur…) dhe më pas nuk e lanë, nuk i dhanë kohën e duhur, për romanin për Ilirinë, koha ishte e të tjerëve, kur “leje krijuese”, u jepeshin deri dhe atyre që s’dinin të shkruanin dot, as për partinë e tyre, që i kishte emëruar shkrimtarë, shpesh unë e shkruaj këtë fjalë si (sh)krimtarë, që e vrisnin kohën, me denoncime e për të sharë, por ata mbeten jashtletrarë, ndërkaq romani shqiptar, do të merrte njohje botërore me Kadarenë, por tani po flasim për prekursorin Kuteli.

Ndërkohë ai, ishte dhe poet, “Poemi kosovar”, p.sh., sot recitohet me dhimbje, e gjithë krenari kombëtare. Kuteli ishte dhe kritik letrar, ai nxori librin e pare, me kritika në letrat shqipe. Ai si askush tjetër, u bë nxitësi i botimit të përmbledhjeve të yllta me poezi, të mikut të tij, poetit brilant parnasian, Lasgush Poradeci dhe la punët e tij dhe përgatiti vetë “Albumin” e Fan Nolit, ku poezia shqipe, gjëmon si trumpetë. Ai nuk donte të vinte vetëm.

Po erdhën të tjerë dhe e lanë vetëm. Erdhi Realizmi Socialist…! Nuk iu bashkua atij me vetëdije dhe u mor me përkthime nga letërsia e madhe. Dhe e ndjeu se duhej të ikte…!

Thashë që Kutelin e kanë varrosur një herë më parë të gjallë dhe kjo, s’është metaforë, por ngjarje reale, e kam shkruar, gjendet në librin tim “Ferri i çarë”. Ja:

SHKRIMTARI – i varrosur para se të vdiste –

 – E di ti që e kanë varrosur njëherë të gjallë Kutelin? – më tha A. S., ndërsa pinim kafe. Shqeva sytë, por mendova se mos qe fjala për ndonjë metaforë. Sidoqoftë, jo kaq egër.

– Si?! – klitha.

– E kanë varrosur vërtet, ishte i dënuar në kënetën e…!

– Këneta e Koçitas, e ferrit?

– E Vloçishtit. Duhet të ketë qenë viti ’48-49…!

Po, po, e dija. Kisha pasur njerëz të mi atje. Edhe Makesen Bungo, rrëfen për një shkrimtar të burgosur, që e thërret polici dhe e pyet: “Ç’punë bëje ti më parë, ë”? – “Shkruaja libra”, – i përgjigjet i burgosuri. “Ashtu? – ulërin polici. – Pse, Lenini je ti? Vetëm ai shkruante libra”, – dhe e godet në kokë. Mitrush Kuteli nuk lëvizi. As u mënjanua. I plasi gjaku…!

 – Dëgjo tani, është e tmerrshme, e dëshmon Hamza Tusha nga Elbasani, është gjallë, e ka parë me sytë e vet, ka qenë dhe partizan dhe e burgosën, por i shkonte fjala te komandanti i burgut, Tasi Marko, me vëllanë lart, në Byro. O ky, o njëri nga kapterët, me urdhër të komandantit, s’dihej të cilit komandant, a iu shkrep vetë, se dëshirat e një kapteri të xhindosur, ishin barabar me ato të shtetit, thërret pra ai, kapteri, që t’ia sjellin aty, menjëherë, atë shkrimtarin. Të burgosurit punonin si robër për tharjen e asaj kënete, këneta e ferrit, siç the ti. “Shpejt, hapni një gropë, aty në llum, e dua të thellë, – bërtiste kapteri me zë komandanti. – Hë, mbaruat? Shpejt, të dënuar, se… Ja, këtë, këtë shkrimtarin, hidheni brenda, lakuriq!”

Dhe i vërsulen Mitrush Kutelit – s’u pa ç’ishin, roja, të dënuar në shërbim të komandës – ia shkulin rrobat dhe ai, i hutuar, rri në këmbë, drejt, si një Krisht.

– Hidheeeeni, në gropë! Mbulojeni shkrimtarrrrin!” – dëgjohet britma e kapterit si një armë. Lopatat hedhin baltë mbi të, kënetë… Sa veta kishin mbuluar ashtu pas punës, në llurbë…

 – Kjo është makabre, e papërballueshme edhe ta dëgjosh.

– Po, po. Dëgjo vazhdimin. Hamzait i qaset bashkëqytetari i tij, i burgosur edhe ky, Tahir Çiftja, i përgjërohet që t’i thotë komandantit t’i lejojë që ta hapin varrin – e ç’varr ishte ai? krim, hatá… – thuaji, aman, turp, gjynah, thuaji: a ta shohim, ka vdekur apo jo? Sa duron robi… mbase gënjehet.

 Komandanti turfulloi, ç’është kjo… hapeni gropën. Dhe e ashtu bënë. E zbuluan. Nxjerrin atë grumbull balte që pak më parë kishte qenë mish dhe kocka, gjë e gjallë, i burgosur, njeri. Mitrush Kuteli… regëtinte ende… Mbase llumi, uji, lëkura merrte ajër, lakuriq… prilli, ishte muaji prill… Zoti… Grahmat e fundit të baltës.

Mjeku i burgut, ai që të dënuarit e kishin shpëtimtar, engjëll mbrojtës, Dr. Isuf Hysenbegasi, u përkujdes shumë, e solli në jetë. E ngjalli…!

U meka. S’po kisha më fjalë.

– E di ç’bënë me gropën? – e kishte vendosur, donte të më lemeriste prapë.

 – E mbyllën, – bërtita – çfarë tjetër?!

– Po, po, “por më parë futni këta dy pleqtë”, urdhëruan. S’donin t’u shkonte dëm gropa dhe kapterët hodhën të gjallë dy peqinas, s’e di si quhen.

– E tmerrshme!

                                                             *  *  *

Përtej të besueshmes, vërtet! Nuk do të doja ta nëpërmendja, lëndon shumë, e di, por duhet, në emër të së vërtetës, të njohjes, të vuajtjes njerëzore…

Tronditja është e madhe. Ia thashë një herë shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, kisha nderim të veçantë për të dhe unë kisha ribotuar romanin e tij të ndaluar “Tuneli”, kur punoja te botimet “Naim Frashëri”, ai ishte dhe kushëri i Kutelit.

– E dinit që e varrosën të gjallë?…

– Po, – më tha.

– Dhe s’e keni shkruar? – gati akuzova.

– Ja, nga dhimbja, s’donim që…!

Njëra nga vajzat e Mitrush Kutelit, ma tha bukur në një panair libri në Tiranë, në stendën me emrin e babait të tyre:

– Ne nuk duam të kujtojmë se ç’bënë të tjerët me Kutelin, por ç’bëri Kuteli…!

E drejtë. Vështrimi dhe heshtja e të birit të shkrimtarit, Pandeli Paskos, me të cilin kam punuar, më fliste shumë…!

Po, Mitrush Kuteli, është i të gjithë familjes së madhe e të përbashkët, i Shqipërisë. Ajo që i ngjau atij, tani është dhe metafora, jo vetëm e shkrimtarit, por dhe e kohës. Është detyrë ta tregojmë…! Me emra. Dhe vrasësit nuk janë metaforë, por realë, kanë mbështetës, madje dhe ata me letra…

Këneta, që po donin ta thanin me robër dhe dhunë, që në vend të ujërave do ta mbulonte djersa e madhe  njerëzore dhe gjaku, është realiteti i ri që sollën fitimtarët mizorë. Trilli paranojak i tyre për të rroposur atë që ishte arritur, atë kulturë e traditë, art e letërsi, që gjithçka të fillonte me ta, tërbueshëm…! Si panxhari i sheqerit të hidhur, helmues që mbollën në të gjithë kënetën e tharë me emrin AtDhe. (E shkruajta ashtu si poeti i dashur Ali Podrimja).

Dhe ringjallja e mundimshme është dhe në duart tona… të jetë e aftë të kujtojë e sotmja, të dijë çfarë të dijë e ardhmja, dhe nga ato të domosdoshmet, martirizimin e letrave shqipe, që të besojnë në ringjalljen dhe të vazhdojnë të punojnë për atë…

Në emër të vuajtjes njerëzore, thashë? Jo, në emër të lumturisë të së ardhmes…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

30-VJETORI I DITËS NDËRKOMBËTARE TË LIRISË SË SHTYPIT: GAZETARIA NUK ËSHTË KRIM!

 Sipas organizatës botërore, “E drejta e lirisë së të shprehurit, që ruhet dhe mbrohet si diçka e shenjtë, nga Artikulli 19 i ‘Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut’, është një kusht paraprak dhe fuqi shtyrse, për zbatimin e gjithë të drejtave të tjera bazë të njeriut. Prandaj, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, është një thirrje për një ri kushtim të ri ndaj lirisë së shtypit, por edhe një angazhim serioz, për një media të pavarur, pluraliste dhe të shumëllojshme”, thuhet në deklaratën e OKB-së, në mbështetje të lirisë së shtypit si një e drejtë që, njëherazi, është edhe gur-themeli i të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut.

E drejta e lirisë së të shprehurit është kusht paraprak dhe gur themeli i të gjitha të drejtave të tjera të njeriut —

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë, në emër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një deklaratë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, thekson se: “Gazetaria nuk është krim – por është një e drejtë themelore, në një shoqëri të lirë”. Ndërkohë, deklarata shpreh, njëkohësisht, respektin e Presidentit, për të gjithë gazetarët, reporterët dhe të gjithë punonjësit e medias të cilët, trimërisht, përpiqen të zbulojnë të vërtetën. “Asnjë gazetar – qoftë amerikan, apo tjetër –nuk duhet të rrezikojë jetën as jetesën, ndërkohë që punon për të zbuluar të vërtetën”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.

“Sot dhe çdo ditë, ne duhet të qëndrojmë pranë gazetarëve anë e mbanë botës për të mbrojtur lirinë e veprimit dhe të drejtat e tyre bazë. Ne duhet të deklarohemi fuqishëm kundër të gjithë atyre që duan t’ua mbyllin gojën gazetarëve. Dhe të gjithë ne duhet të vazhdojmë të mbështesim lirinë e shtypit, që është gur-themeli i demokracisë tonë dhe i demokracive të tjera anë e mbanë botës”, përfundon deklarata e Shtëpisë së Bardhë me rastin e 30-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.

Shumë bukur e mire, këto deklarata në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe në mbështetje të gazetarëve, anë e mbanë botës, në këtë ditë kushtuar lirisë së fjalës, qoftë nga Kombet e Bashkuara dhe nga Shtëpia e Bardhë, qoftë edhe nga shtete të tjera, të mëdha e të vogla, anë e mbanë botës, ndërsa e deklarojnë veten, të pakën për një ditë, si mbrojtës të lirisë së shtypit dhe të gazetarëve.

Të gjithë e dimë se gjendja e lirisë së shtypit, anë e mbanë botës, është në rënie e sipër, Të drejtat e gazetarëve po kufizohen dhe kërcënohen në mbare botën, përfshi Shqipërinë dhe Kosovën, qoftë nga institucionet shtetërore, qoftë nga grupe interesash korruptive dhe kriminale, të lidhura me institucionet qeveritare. Gjendja e nderë e lirisë së shtypit në botë, ka bërë që organizata jo-qeveritare, amerikane dhe ndërkombëtare, të shprehin dyshimet e tyre, nëse udhëheqësit politikë botërorë dhe organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja, me të vërtetë e kanë seriozisht, me deklaratat e tyre në Ditën e Ndërkombëtare të Lirisë, në mbrojtje të gazetarëve dhe lirisë së të shprehurit.

Organizata ‘Freedom House’, një ent amerikan që merret me mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut, përfshirë lirinë e shtypit, organizoi me këtë rast një diskutim “online”, titulluar me një pikëpyetje: ‘Dita Botërore e Lirisë së Shtypit’: Një celebrim i kotë? ‘Freedom House’ shprehet se; “edhe pse vendet Perëndimore dhe shtete të tjera demokratike, kanë deklaruar përkushtimin e tyre ndaj lirisë së medias dhe aksesit në informacion, zëra të fuqishëm, brenda disa shoqërive gjoja demokratike, vazhdojnë të shpifen dhe të mbjellin mosbesim në media.

Ndërkohë, qeveritë autoritare që nuk besojnë në përfitimet që i vijnë një shoqërie nga një qytetari e mirë informuar, shpesh persekutojnë, burgosin, madje edhe vrasin gazetarë që raportojnë të vërtetën. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, 2023, pyesim se çfarë po ndodhë me lirinë e shtypit, si një e drejtë themelore e njeriut. A ka shumë arsye që të festojmë këtë vit? – -Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit?

Unë tentoj t’u besoj burimeve jo qeveritare, në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit në vendet tona – Shqipëri e Kosovë – për të cilat jemi specifikisht të interesuara, për arsye të natyrshme, por edhe për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, në përgjithësi. Një tjetër organizatë që merret me mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, “Reporterët pa Kufij”, me qendër në Paris, në raportin e saj me rastin e 30-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, njofton se gjendja e lirisë së shtypit, anë e mbanë botës, është përkeqësuar dukshëm, anë e mbanë botës, përfshi edhe Shqipërinë dhe Kosovën.

Për fat të keq, sipas entit, “Reporterët pa Kufij”, Shqipëria ka pësuar një përkeqësim të madh të lirisë së shtypit, në krahasim me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke u renditur në vendin 96. Ndërsa Kosova ka shënuar një përparim të vogël prej 5 pikësh, nga 61 në 56. Por, fatkeqësisht, të dy shtetet shqiptare renditen në listën e “vendeve problematike”, nga organizata “Reporterët pa Kufij”, sa i përket lirisë së shtypit në Shqipëri dhe në Kosovë.

Ndonëse, përgjithësisht, liria e fjalës dhe e shtypit konsiderohen si gur-themeli i të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut dhe duke marrë parasysh se; Shqipëria dhe Kosova ende konsiderohen si “vende problematike”, sa i përket lirisë së fjalës dhe të shtypit, s’do mend se, pse këto dy vende – tre dekada pas shembjes së komunizmit – ende konsiderohen si vende “pjesërisht të lira”, nga organizatat ndërkombëtare të drejtave dhe lirive të njeriut në botë.

Ky është vlerësimi shqetësues i organizatave ndërkombëtare, mbi gjendjen e lirisë së shtypit dhe të gjitha të drejtave bazë të njeriut për shqiptarët, në Ballkanin Perëndimor – në këtë Ditë Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Është një vlerësim që duhet të shqetësojë edhe shqiptarët kudo, të gjithë ata që janë të interesuar në zhvillimet demokratike dhe liritë bazë të njeriut për shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Përndryshe, siç është shprehur dikur, ish-gazetari i njohur amerikan, Edward Murrow, në lidhje me mungesën e lirisë së shtypit, “Një komb delesh, do ketë shpejt një qeveri ujqërish”, në qoft se nuk mbrohet liria e shtypit, si gur themeli i të gjitha lirive të tjera, nga grabitqarët e pushtetit. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...