Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/11/26

Ardian Kyçyku : 'Në kërkim të këmishës së humbur', një libër kyç i letërisë shqipe nga Arian Leka






Sot janë shtuar tej mase ata që preken rëndë në sedër, kur mësojnë se pyetjes “Pse shkruani?” Louis-Ferdinand Céline-i iu përgjigj: “Që t’i bëj të tjerët të palexueshëm”. Sepse sot, si për fund sa më të shpejtuar bote, shumëkush e përfton veten hero kryesor të një libri, madje hero i dyfishtë, edhe si autor. Prandaj nuk janë rastësisht në modë top-et e librave më të lexuar, më të shitur, më të pavdekshëm, të shkrimtarëve, mendimtarëve, politikanëve, ish-ëve të çdo lloji etj. 

Në shumicën dërrmuese te rasteve, pjesëmarrësit nëpër rubrika të tilla i përgjërohen tërthorazi lexuesit, duke shpalosur vetí prej udhëheqësish (të paktën) ndërgjegjesh: “Bëhu si unë... Lexo këto që çmoj unë dhe do të bëhesh si unë...” Nuk di sa lexues duan të bëhen si ata e si ato. E qartë është se top-et e autorëve dhe të librave ndikojnë fare pak dhe kalimthi mbi ecurinë e letërsisë së mirëfilltë, e cila u nënshtrohet ligjesh të tjera gjer edhe kur duket e mënjanuar apo e shfarosur. Ndodhi që librin e ri të Arian Lekës, - të cilin, veç shkrimtar i shquar, doktor shkencash e botues, do ta quaj edhe përfaqësues i plotë i mërgimit të brendshëm në letrat shqipe - ta lexoja në pjesë, ashtu siç është botuar gjatë këtyre dhjetë e më shumë viteve në shtypin kulturor, më tepër në gjuhë të huaja. Ende pa e përfunduar si vëllim më vete, mbresat u shndërruan në bindjen se libri ishte i krijuar dhe jo i shartuar, pra shumë më tepër se një shartim esesh dhe renditje sipas një botëkuptimi të caktuar. Kisha zgjedhur ndërkaq plot 55 faqe[1], të cilat, tek harroja fjali pas fjalie emrin e autorit dhe dialogoja me zërin e tij të brendshëm, më kishin prekur, trandur e magjepsur: për nga hijeshia e përftimit të çështjeve, tematika, arkitektura e brendshme dhe stili. Nuk stepem të them se ky libër mbetet së pari një poemë-roman si shumë pak të tjerë[2], jo vetëm në shqip. Pas një heshtjeje dhjetëvjeçare, me një modesti të cilën shpesh nuk ia pranoj dot, Arian Leka e nëntitullon veprën e vet “Ese” (njëjës dhe shumës). Dihet që eseistika është e sertë dhe lyp frymëzim krejt të veçantë, që të përzjehet me detaje zhanresh të tjerë pa rrezikuar të rrënohet. Ndaj ngulmoj që ky libër, falë disa përmasave të veta, bën të lexueshëm disa libra me vlerë, - shkruar para tij, - pikërisht me fuqinë e një libri që bën të palexueshëm shumë libra të shkruar për forcë zakoni, apo për synime jashtëletrare. OSBE, trajnim punonjësve të Burgjeve për standardet e të drejtave të njeriut LEXO EDHE: OSBE, trajnim punonjësve të Burgjeve për standardet e të drejtave të njeriut “Në kërkim të këmishës së humbur” ka një përmasë poeme (veçmas në çelësat metaforikë, me të cilët hap lidhjet e nyjëtuara, ose thjesht të fshehura, të disa ngjarjeve historike-kyçe, ose brava mendësie); ka një përmasë romani (falë lëndës epiko-lirike dhe ngritjes së disa personave e ngjarjeve të njimendta në nivele burimore); një përmasë gazetarie, me kahun drejt antropologjisë dhe fenomenologjisë shoqërore (po përmend vetëm kapitullin kushtuar mëdyshjeve rreth ndërtesës së Teatrit Kombëtar); dhe një përmasë mirëfilli shkencore (falë paanësisë dhe kulturës së thellë të përdorura ndaj çështjeve themelore e themeltare që shqyrton[3]). Sa i përket kësaj të fundit, si autor që i shkruan librat nga brenda e jo nga jashtë, Arian Leka është një ndër shumë të paktët që dinë se, në disa çështje, paanësia “e sotme” shkencore nuk është veçse një trajtë e fshehur nënshtrimi ndaj direktivave letrare e gjeopolitke dhe nesër ndodh të dalë jo vetëm e dëmshme, por edhe fajtore. Ndaj edhe të vërtetat që përcjell ky libër nuk ngatërrohen me të vërtetat e përditshme. Shkrim jete, jetë shkrimi, lidhëza Duke përkujtuar vetëm në titull kërkimin e kohës së humbur të Proust-it, libri ka si trup metaforik autobiografinë, me emër e mbiemër, me të dhëna tejet vetjake, si lindja “me këmishë” një vit para shpalljes së Shqipërisë si shteti i parë ateist në botë e të tjera, por faqe pas faqeje shndërrohet natyrshëm e pa synime të fshehura përvetësimi, në autobiografi-lumë, ose det (i gjithëpranishëm në tekst e nëntekst, por edhe në poetikën[4] e Arian Lekës) të një breznie (jo kohore, por shpirtërore). Jetëshkrimi i kërkohet autorit nga një botuese perëndimore, me qëllimin që të jetë sa më joshës e i tretshëm për lexuesin. Jo rrallë, kjo nënkupton futjen e dhunshme të një tigri brenda helikave të makinës grirëse, me qëllimin për ta nxjerrë sa më mace, të zbutur e zbavitëse, por që, në fund, e nxjerr thjesht miush prej pushi. Në epokën kur dobësimi i emrit të shtetasve provincialë e globalë dëshmohet edhe nga shfrytëzimi gjer tek vetëvrasja në Kujtesë i autobiografive, Arian Leka risjell në vëmendjen e lexuesit rrënjët e kësaj drame në botën shqiptare të diktaturës – zgjatim i asaj staliniste, por më e rreptë, ashtu siç jo rrallë bishti i një gjarpëri del më vrastar se sa helmi i tij. “Autobiografitë nuk shkruheshin për të mbërritur tek e vërteta, por për të gjetur të mesmen e artë: atë formë mizore, që e kënaq xhelatin, po edhe viktimën nuk e le krejt të pakënaqur. (...) Nuk ishte nevoja të lexohej e gjithë autobiografia. Mjaft të gjuanin nëpër tekst se çfarë lidhëzash përdorte autobiografishkruesi dhe gjithçka bëhej e kuptueshme. Edhe fëmijët e shkollës e dinin vazhdimin. Kush përdor lidhëza bashkërenditëse shtuese ishte “yni”. Kush përdorte lidhëza kundërshtuese, ishte kundërshtar i regjimit. (...) Do të ishte ngjarje e veçantë sikur në ndonjë arkive të Shqipërisë, që ruan ende të paprekura dosjet e përndjekjeve të Sigurimit, të zbulohej edhe ndonjë dosje që ruan autobiografitë tona: këto forma të përkryera vetëdenoncimi”. (f. 13) As sot pjesa më e madhe e autobiografive nuk shkruhet për të mbërritur tek e vërteta, por te nxjerrja për shitje e shpirtit, tek njëfarë vetëtrymbetimi që e vesh me aq virtyte autorin, saqë i zhduk vetveten dhe e detyron të klithë se brenda atyre rrobave, stolive e fjalëve vërtet vigjëlon një mbret. Mbarë shoqëria e sotme ndodhet nën trysninë e zgjedhjes mes së shkuarës siç ka qënë vërtet dhe siç ngulmojnë të njohur e të panjohur se ka qenë. Zgjedhja e njërës përjashton tjetrën dhe sjell përfitime, ose pengesa të gjithëfarëshme, shpesh me ndikim shumëvjeçar, ose me “vdekje”, pa përjashtuar rastet kur kujtesa shfrytëzohet si mjet fajësimi, ndëshkimi publik etj, thjesht për të marrë pushtetin, ose për t’u prishur punë kundërshtarëve, sipas parimit: paraardhësit e tu kanë vrarë e prerë – pushteti më takon mua, që isha në anën e të vrarëve. Shpesh, ky shpërdorim i kujtesës nuk ve në vend drejtësinë, nuk sjell paqen e shumëpërfolur, nuk shton sqarimet, apo përgjegjësitë, por vetëm mllefin brenda bashkësisë. Në rrafshin vetjak, për ndarjen e skajshme të gjërave, një shembull tashmë i stërnjohur vjen nga rrjetet globale të miqësimit, ku, teksa shfaqin vetëm anët e panjollosura e ngadhnjimtare dhe mbledhin në qosh të vetes, si në një kasafortë, mangësitë, bëmat e dënueshme, mëkatet e pashmangshme, makthet etj, njerëzit çmiqësohen dhe / ose armiqësohen siç nuk ndodh as gjatë a pas luftrave më të përgjakshme. Arian Leka shkruan me guxim një poemë autobiografike që nuk ia përvetëson fjalën e as kujtimet ndonjë shqiptari e as lindori. Ai shkruan, sepse, po nuk shkroi, është shumë pak, ose nuk është fare. Mund të thuhet se, falë arkitekturës së tekstit (që endet edhe rreth disa hojesh të muzikës klasike) dhe vendit që autori ka zgjedhur për t’u shprehur, vetë ngjarjet renditen e bëhen të dukshme, duke shtuar befasitë, por edhe freskinë. Lodra që hanin kokë, lojëra fjalësh që paguheshin me kokë “Të zalisur nga nostalgjia, pakkush dëshiron ta pranojë se jo lodrat-armë, që mbanim në duar, por librat me rima të bukura, tingëlluese dhe të embla ishin mjetet më të rrezikshme që frymëzonin urrejtje edhe kur nuk nxisnin vrasje”. (f. 19) Uni-fëmijë “e mëson alfabetin njëheresh me pentagramin muzikor” dhe nuk di kur “ecja buzë detit u plotësua me notin”. Ngjarjet e asaj periudhe i sheh qartë vetëm pasi ka hyrë me trup e mendje në moshën e pjekurisë, në një hapësirë ku ende sundon deti, por tashmë „Deti im. I shfrytëzuar. Deri në palcë. Det që punoi me tre turne, si prindërit, për të sjellë në shtëpi bukë dhe herë pas here dhe disa copëza realiteti, që ngjanin më fort me imagjinatën”. (f. 175) Tani bora bie mbi krahët e pulëbardhave „që nuk gjejnë ushqim as mes dallgëve, as në breg, por ushqehen duke pritur që lypësit të largohen nga koshat e plehërave”. (f. 20) Libri i kushton një hapësirë të veçantë Kujtesës së përbashkët dhe mjeteve të cilat e dobësojnë, ose e ndihmojnë të mbijetojë. „Di të them vetëm se unë jetoj falë kujtesave të të tjerëve, jetoj në mëshiren e tyre, jetoj nëse dikush më kujton dhe pres të dëgjoj si të tjerët më mbajnë mend” (f. 22), shprehet autori. Pas shumë (stër)mundimesh për të ngritur një jetëmë të mirë (njerëzisë nuk i thuhet kurrë sipas çfarë kriteresh e gjer ku/r), në ca zona mbetet gjallë vetëm varfëria me sprovat e saj dhe një lëndë letrare aq e pasur, sa i ndan qartë shkrimtarët e mirëfilltë nga grafomanët, nga mesatarët me emër dhe nga hordhitë e shkruesve që nuk e kapërcejnë asnjëherë gjendjen e përpjekjes. Qëndrimi ndaj Kujtesës na ndan, shpesh me tiraninë me të cilën një kujtesë e caktuar na mban bashkuar me a pa dëshirën tonë. Një gjerdan lojërash të epërme e gjithaq të thjeshta fjalësh ringjiz në libër një realitet të dhimbsur për ata që e njohën, por edhe syhapës për ata që e njohin shtrembër, kryesisht nga shkrimet apo filmat e realizmit-socialist, që ngulmon të shndërrohet në realizëm globalist: “Nga të rriturit dëgjova se edhe ata njerëz (është fjala për disa të burgosur që ndërtojnë pallate – sh. im) kishin rënë. Procesi kishte qenë i njëkohshëm. Ata kishin rënë në burg. Unëkisha rënë në mësime. Kisha rënë për herë të parë edhe në dashuri. (f. 24) (...) Çfarë duhet të tregoja, kur isha fëmija që nuk kisha pasur ndjellje të hershme nga letra, edhe pse dy fabrikat, ajo e Kavajës dhe e Lezhës, që prodhonin karton e letër për të gjithë Shqipërinë, ndodheshin pak kilometra larg qytetit ku linda? Të shpikja. Të shpikja një histori të pëlqyeshme dhe që mbahej mend lehtë[5]. Po kjo që po them ishte e vërtetë. Në kohë të kthjellët, sidomos kur frynte lehtë nga Juglindja dhe qielli pastrohej, tymi i oxhakut të Kavajes dukej me sy të lirë edhe nga Durrësi. Edhe ai tym ngjasonte me krematoriumin që nxinte natë e ditë. Ishte e çuditshme se si ai tym shkonte aq drejt, kur aty diçka digjej! Çfarë duhet të kuptoja nga ajo shenjë urbane që sulmonte natyrën si të ishte gryka e një topi gjigant? Se që të prodhoje letërsi, që të kishim libra me rima të bukura dhe me figura fëmijësh topolakë, duhej të digjej e të sakrifikohej patjetër diçka?”. (f. 26) Pakkush habitet sot kur vëren se gjithmonë një realitet i pasur me varfëri lëndore dhe me ligje të rrepta zgjon një krenari të sëmurë në elitat e kohës së vet. Ato sulen ta zbukurojnë nëpër libra e filma, ta ndreqin, t’ia krasitin gjembat, sqepat, flatrat e rritura jashtë porosive nga lart dhe kësisoj ia bëjnë më të dukshme anët e pavarura, humorin e zi, të vëtëdijshmin e të pavullnetshmin, dhembjet, hidhërimin e përuljeve me forcë dhe të poshtërimeve që, më vonë, duken të pashpërblyera. Ndërkaq, shkrimet e epokës përkatëse, lexuar pas ndërrimit të regjimeve, faniten si dëshmi të vetëposhtërimit me dashje, të ligies së shpitrave dhe marrëzisë, ku çon çdo mohim i Qiellit dhe rropatja për të ngadhnjyer në gjithçka “me forcat tona”. Dënim me lule në mungesë Fëmijët që kanë pasur për gjyshër televizorët dhe janë rritur me shumë më tepër lodra, sesa libra, do të na këqyrin të paktën me qesëndi, nëse do të lexojnë që: “Më shumë se nga armiqtë e brendshëm dhe armiqtë ndërkombëtarë, ishim të rrethuar nga libraritë dhe bibliotekat. Biblioteka të vogla e të mëdha. Biblioteka në qytete. Biblioteka në fshatra. Biblioteka edhe në lagjet ku banonim. Biblioteka në shkolla, kopshte dhe universitete. Bibliotekë në klasë. Bibliotekë në shtëpi. Biblioteka në reparte ushtarake. Bibliotekë në fabrikë. Biblioteka në burgje dhe në anijet lundruese. Biblioteka me të njëjtët libra kudo”. (f. 176) Pyetjet që lindin natyrshëm, ndonëse post mortem, janë: Po si nuk doli ndonjë hero nga ata që nuk lexojnë e t’u vinte zjarrin aq librave dhe të shporrte tërë atë prapësi gjysmëshekullore?! / Pse nuk u themelua ndonjë grup i fshehtë për të shembur bibliotekat e jo pushtetin popullor?! / Si ka mundësi që, të rrethuar nga aq libra plot mençuri e metafora, e çuat marrëzinë njerëzore gjer në mohimin e Krijuesit dhe në shkatërrimin e menjëhershëm, apo me këste, të shoshoqit?! – e të tjera. Ata fëmijë kanë edhe një përligje të patundshme për faktin që lexojnë gjithnjë e më pak, nga monotonia e dikurshme: “Kudo që të gjendesha, librat dhe shkrimtarët ishin po ata. Për të gjithë. Lexime të detyruara. Veç e veç apo lexime kolektive, në grup, si orgjitë (sic!). Por që nga koha kur më thanë se dikush me emrin Don Kishot ishte çmendur pasi lexoi libra, arsyet e mia për të mos e dashur leximin u dyfishuan. Nuk kisha fat, siç nuk kisha as zgjedhje. Unë nuk lexoja. Ishin të tjeret ata që m’i lexonin librat. Veçse edhe pa lexuar libra, jetoja si në një kamp përqëndrimi. Rrethohesha nga librat si nga një mur që nuk duhej kapërcyer. (…) Edhe brenda fletëve të librave në bibliotekën e shkollës nuk gjeta kurrë ndonje lule të harruar, që të bënte të ëndërroja për dashurinë. Dukej sikur të gjithë ishin dashuruar me luftën dhe e vetmja që do të pranonte të më puthte në buze do të ishte vdekja – pakashumë në formën e asaj që shkruan Cesare Pavese, kur përsërit: Vdekja do të vijë dhe do ketë sytë e tu”. (f. 29) Pason një vëzhgim tronditës: “Më vinte keq vetëm për diçka. Unë lexoja se çfarë bënin heronjtë e mi të librave, por kurrë, në asnjë faqe, nuk i gjeta ata duke lexuar libra”. (f. 31) Me sa duket, heronjtë që therrorizohen për të shembur regjime çnjerëzore e jo biblioteka po aq çnjerëzore, nuk lexojnë. Zakonisht vdesin të rinj, dhunshëm, dhe nuk dihet nëse leximi do t’i kish ndihmuar të vdisnin, apo të jetonin ndryshe. Ata të paktët që lexojnë nuk kanë hak vdekje heroike – dhe për të rrënjosur këtë bindje diktatura shfarosi aq njerëz të mësuar dhe ua zëvendësoi vëllimin me trupa heronjsh nën e mbi tokë. Me gjithë numurin marramendës të pó atyre librave, duket sikur Epoka e Lavdishme kishte më tepër heronj, se banorë; më tepër shkrimtarë, se heronj; më tepër lexues, se të vdekur etj. Këto të vërteta dikur torturuese, fëmijëve që u lindën në kapërcyellin mes lavdisë dherënies u duken përralla, ose sajesa të dështuara shkrimtarësh. Pikërisht ndaj kësaj sprove të kujtesës e besimit në bëmat e historisë, “Në kërkim të këmishës së humbur” kapërcen kufijtë e një kërkimi dhe është më tepër se çdo kërkim i çdo këmishe, qoftë kjo edhe metaforë, simbol, mishërim i diçkaje jashtënjerëzore dhe thellësisht njerëzore. Poeti i shquar rumun Nichita Stănescu (1933-1983) ka një varg ku fjalën e përfton si “këmishë në të ftohtë”. Tek Arian Leka këmisha është edhe udhëtim, drejt vetes dhe të tjerëve, - me më shumë vete, se sa të tjerë, - mbrapa, ose para në histori, në Kujtesë, është mbërritje e kthim, mërgim brenda e jashtë trojeve, është dalje përtej vdekjes së shkaktur nga harrimi i qëllimshëm, ose jo, nën ndriçimin e një vetëdijeje që zakonisht verbon, ose përgjak. Këmisha më duket edhe si shpirt i qepur e pastaj i shqyer nga të tjerët, si ndjeshmëri, fisnikëri, apo edhe drejtësi, guxim për të pranuar një të shkuar, ose qetësi për të pranuar një të ardhme që caktohet nga e shkuara përkatëse, si edhe nga një e ardhme e mëpasshme. Heraherës ke përshtypjen se libri synon të gjejë e të riqepë fatin e humbur, - për të mos thënë të vetëvrarë[6], - të trevave juglindore. Fatin e mirë, por edhe më të keqin e mundshëm, se jo gjithmonë humbja vjen për keq dhe, nga ana tjetër, të humbësh fatin më të keq, nënkupton të kesh një fat njëfarësoj të mirë. Prandaj është e natyrshme që lexuesi ta gabojë përkohësisht kahun e zbërthimit të metaforave dhe hyn pandijshëm në dialog me tekstin. Kjo nuk ndodh shpesh as në letërsi e as në eseistikë, jo më në punimet shkencore, sidomos kur zëri i tekstit, ose uni i shumëfishtë, ta quajmë, e paraqit veten haptas si shkrimtar. “Talenti është një mëkat vdekësor i fshehur, që nuk shlyhet dhe as nuk falet. Gjithsesi, mendoj se vdekja më e ashpër nuk ndodh për shkak të talentit dhe trazirave që ai shkakton, duke hyrë si forcë e pazakontë brenda formave të rëndomta të jetës e që u kalon fare pranë edhe njerëzve të pajisur me ndonjë dhunti”. (f. 36) Talenti i të shkruarit kërkon nga të tjerët gati të njëjtin talent në të lexuar, përndryshe u drejtohet të palindurve, që nuk dihet a do të dinë shkrim e këndim. Për këtë arsye: “Formë brengosëse e vdekjes duhet të jetë vdekja që ndodh në kujtesë. Pavarësisht nga arsyet e rreme që shfaqin, për kaq bëhen luftërat. Kush do të harrohet. Kush do mbahet mend. Për kaq janë zhvilluar betejat”. (f. 37) M’u kujtua vetiu edhe fjalia e gdhendur mbi një kryq guri në Rumani: “Kujtonani, që të mos vdesim”. Lexues joshkrimtarë, shkrimtarë jolexues dhe „i Midisti” Një hapësirë e merituar i jepet në libër lexuesit joshkrimtar, më saktë: sprovave të pafundme nëpër të cilat ai kalon. Në mjaft raste, shtypi e burgos këtë lexues në libra të dështuar, brenda të cilëve përjeton si në jerm shndërrimin e tigrit në miush dhe nga të cilët del jo vetëm i fyer, por edhe i mpakur shpirtërisht. „Duket sikur të gjithë mezi ç’presin të vërsulen, për t’ia ngulur lexuesit naiv penën drejt e në bebëzen e syrit të patrembur digjital, ndërkohë që për ata që protestojnë dhe rebelohen kanë tjetër armë”. (f. 47) Për fat të mirë, lexuesi joshkrimtar ende mbetet një Ciklop, të cilit nuk i mbarohen sytë. Po të rikujtonim një parrullë të hershme nga ato me një bie - mijëra ngrihen, mund të thoshim se, për letërsinë e vërtetë, Një sy lexuesi shpohet, dy të tjerë hapen. Arian Leka flet drejtpërdrejt edhe për recetat që do t’i quaj „të përjetësimit”, tashmë të njohura nga shumëkush, por të mbuluara me guna gjithnjë e më të trasha heshtjeje, ose me shkrime gjoja-demaskuese, që dalëngadalë i bëjnë të pabesueshme, a thua se përdorimi i recetave të atilla është virtyt i zgjedhur, ndërsa nxjerrja në shesh – shpifje. „Në këtë pikë kujtohem se njerëz me më shumë përvojë se unë në lëmë të botimeve në gjuhë të huaja, më kanë besuar të fshehtën e tyre. Në qoftë se do të kesh sukses në Perëndim, më këshilluan ata, mëshoi detajeve që lidhen me të majtën dhe të djathtën, me ateizmin dhe çështjen e besimit në një vend ateist, mbi dhunimin dhe ndalesat, mbi burrneshat dhe homofobitë, mbi bunkerët dhe dashuritë nën uniformë, mbi revolucionin naiv seksual, mbi demonizimin e atdheut, mbi homoseksualitetin e Enver Hoxhës, mbi përdhunimet dhe trafikantët, mbi kanunin dhe gjakmarrjen.” (f. 52) Në mbrojtje të lexuesit joshkrimtar, por edhe të fillestarëve ende të panjollosur të letrave, Arian Leka i përgjigjet një mendësie të tërë, ndehur në trajtë oktapodi mes Lindjes e Perëndimit: „Sa herë që më është dhënë rasti të shpreh diçka mbi ata që shkruajnë dhe mbi letërsinë, jam përpjekur të mos mbivlerësoj asgjë. Poeti e prozatori, më të vërtetët dhe më të sinqertët prej tyre, nga ata të paktët dhe të rrallët fare, që nuk e kanë të shkruarit punë mëditëse dhe që nuk i shpjegohen askujt tjetër veç Zotit të Fjalës për gjithë ç’kanë shkruar e shkruajnë dhe sa thonë e sa bëjnë, ky shkrimtar pra, në përfytyrimin tim është një ndërmjëtesues i paanshëm. Ai shfaqet si një shenjë ndërlidhëse, bashkuese, aty ku nuk e pret, aty ku mbase njerëzit nuk kanë fare nevojë për të, aty ku nuk e kuptojnë dhe nuk i krijohen mundësitë të shfaqet plotësisht (...) Ai vjen nga gjuhë të vogla dhe si pjesë e popujve numerikisht të vegjël, si për të na thënë se njerëzit dinë diçka mbi njësitë, por jo mbi përmasat. Një “i midistë” është ai, ngulur si ushtë mes tokës dhe qiellit, një krijesë pa përkatësi, i përmbytur nga të njëjtat përkohshmëri, dilema dhe frikëra si të gjithë. Në çastin kur poeti a shkrimtari shfaqet si ndërmjetës mes nesh, mes realitetit të qenë dhe realitetit të prekur artistikisht prej tij, shkrimtari bëhet i rëndësishëm, pikërisht se na rikujton disa gjëra që kanë qenë, janë dhe do të mbeten, por që ne, të zënë me ngutin e zakonshëm, i kemi harruar. Vijmë nga e njëjta kujtesë. Në këtë kujtesë europiane në kuptimin më të gjerë të termit (pasi vetë besoj se në Europë ka pasur dhe ka po aq Azi dhe Afrikë sa ç’ka pasur dhe do të ketë Azi e Afrikë në Europë), shkrimtarit i është kërkuar të bëjë me mjeshtërinë e tij po aq sa ç’u është kërkuar të bëjnë edhe profetët në misionin e tyre. Kjo për faktin se ky “zog i qiejve”, ndryshe nga artistët e tjerë, ndërhyn në jetët tona për ta marrë shoqërinë në shqyrtim: për ta mësuar, për ta qortuar, për ta ndëshkuar, për ta përkëdhelur, për ta kritikuar, diagnostikuar, ndryshuar, shëruar, shpëtuar dhe mallkuar atë”. (f. 63) Jo rastësisht copëza e mësipërme m’u lidh me vëzhgimin e autorit se si duart e të burgosurve nxirrnin mineral nga i cili bëheshin antenat për të kapur stacionet e huaja televizive[7] dhe me shprehjen se „të gjithë mund të kemi përjetuar ndjesinë e të burgosurit, por vetëm pak kishin qenë ata që provuan burgun”. (f. 195) Ruhet e njëjta logjikë shpirtërore: çdo shkrimtar ka një kredo të vetën, por jo të gjithë janë Shkrimtarë. Në Fjalor Marrëdhënia e shqiptarit me Zotin meriton vëmendjen e shkrimtarëve dhe shkencëtarëve të disa breznive. Vërtet të qënit prore nën mallkim është një mënyrë çapkëne për të mos u larguar nga vëmendja e Zotit, si puna e fëmijës që bën të pabëra për të mos humbur vëmendjen e prindit. Kjo nuk ndodh me plan dhe nuk është shenjë lirie, apo mendjeje të hapur. Është një pafuqi që, me kalimin e kohës, u krijon pasardhësve bindjen se Zoti vetëm (na) mallkon. Pasojë e kësaj pafuqie, - të papranueshme në jetë të jetëve për shqiptarët, - ishte lëvizja e mallkuar e vitit 1967 (që zyrtarisht nisi pó nga Durrësi, një vit pas lindjes së autorit). A ishte fjala për një shpërthim e shumëfishim të mercenarizmit që aq shpesh thuhet mbi e nën zë se na shquan?! Apo idhujtaria ndaj një udhëheqësi që i bëri askushët e pafajshëm të ndiheshin të papërsëritshëm si emra?! Ja, ne askushët, mund të dëbojmë gjer edhe „Atë që Ishte, Është dhe do të Jetë”. Edhe para një jave hasa në televizion një të paemër që, më një çiltërsi shajnitëse, shprehej: „Nuk e di pse e bëri Zoti këtë”. Vërtet ndihej i prerë në besë që Zoti nuk e kishte pyetur, madje nuk i kishte kërkuar as lejë. Por përtej zbavitjes së hidhur e frymës anekdotike që ëmbëlson sadopak hallet e shqiptarëve, duhet thënë se, gjer edhe historikisht, asgjë, askush, nuk ka merituar mohimin e Qiellit për hir të diçkaje a të dikujt. Përkundrazi: çdo mohim i tillë ka sjellë vetëm dalje nga vetja, endje rreth saj si qeni rreth trungut ku i është lidhur zinxhiri, mbushje me zbrazëti e krenari rrënimtare, gjak, grindje pa bukë e ndëshkime, që shpesh plakin e nxjerrin të pasqaruara nga skena e historisë disa brezni. „Dhe ne, të lindurit me këmishë ishim pjesë e së njëjtës skuadër humbësë, si Zoti. Ai u bë i vdekshëm. Ne u bëmë ateistë. Përfshirë edhe mua. Të lindurin me këmishë”. (f. 80) Nuk dihet pse ndodhën këto, por dihet tashmë se ku u strehua Zoti gjatë viteve të ateizmit zyrtar që rrezikonte të mposhtte edhe të zgjedhurit e Tij. „Me siguri që gjyshja duhet ta ketë bërë me vete pyetjen se ku u strehua Zoti, që nuk u zhduk edhe gjatë përndjekjes së ashpër?- shkruan autori. Ku? Në fjalor. Vendstrehimin e Tij e kemi prekur kushedi sa herë me duar, pa e marrë vesh se preknim dorën e Tij. Atë vendstrehim e kishin shfletuar edhe ateistet më të tërbuar, por nuk u kishte shkuar mendja se Zoti do gjente strehë në fjalorin që ata vetë e kishin spastruar nga fjala Zot. Edhe kur e mohuam, ia kemi përmendur emrin e fshehur në fjalor. Sa herë që, për shkak të detyrës apo detyrimit, shqiptuam fjalët zotohem, zotërim, zotëroj, zotësi, i/e zoti, zotërues, zotërohet, nuk kemi bërë tjetër përveçse E kemi pohuar vetë Zotin”. (f. 109) Një dëshmi tjetër se si vepron Kujtesa. Një dollap sa një botë dhe ngjarje me e pa kripë Për pushtetin flasim me tepricë ata që nuk kanë drejtuar ndonjëherë dhe që i njohin përgjegjësitë dhe peshën e pushtetit nga pakënaqësitë e humbësve. Kjo e vërtetë dhemb, shqetëson e egërson. Të kërkosh me çdo mjet pushtetin nuk është edhe dëshmi se e meriton. Arian Leka nuk flet, por thotë. Një rresht ngjarjesh të librit përshkruajnë me tonet e një elegjie plot dhimbsuri, pa lotë që medoemos duan të duken, bëmat e pushtetit në Shqipëri e më gjerë. Ngrihet fillimisht parabola mahnitese e dollapit, të cilin gjyshi partizan e kishte blerë në treg, mirpo i cili i përkiste një të panjohuri që pat rënë nga dynjallëku. Pronarët e rinj të dollapit nuk e hapin asnjëherë gjysmën e kyçur të tij, ku, për vite me radhë, qëndrojnë teshat e të panjohurve. „Që ditën e parë, kur dollapi hyri në shtëpi, unë kuptova se Zoti–rrobaqepës po na jepte një shenjë, - shënon autori. Veshjet pa zotërinjtë e tyre brenda po na vinin në provë dhe, në Ditën e Gjyqit të Fundit, do të ishin veshjet ato që do të dëshmonin ndaj nesh”. (f. 99) Pasojnë faqe të paharrueshme, plot humor të ndritshëm e hidhërim për pafuqitë ndaj fatit, faqe që duhen lexuar, sepse edhe citimi i plotë do të kishte qenë njëfarë përdhosjeje. Historia e gjyshit plotëson tablonë e ngjarjeve, në një gërshetim kulmor të groteskut me lirizmin e kulluar dhe me humorin bardhezi. Diku(r) fanitet sërish deti, por i tjetërsuar, i pamëshirshëm, ai det që nuk zbutet me lotë, ndoshta ngaqë është përjetë i kripur, dhe i le lotët të thahen pa përgjigje, lotët që gjithashtu nuk kanë nevojë për ujë deti. Pushteti lëviz ngjarjet dhe anasjelltas. „Ndodhi në 2 korrik të vitit 1990. Kishin kaluar tetë muaj nga rënia e Murit të Berlinit. Edhe Shqipëria, me sa duket nën simbolikën e gjermanëve, shenjën e ndryshimeve e dha duke shembur gjithashtu një mur. Muri që u shemb ishte gjithashtu një mur gjerman. Ishte muri i Republikës Federale të Gjermanisë – ambasada më e re e një vendi perëndimor në Tiranë”. (f. 232) Vijon një "Histori e gjatë emigrantësh. Kapërcim i detit. Njerëz shpresëhumbur, që as nuk mbërrinin aty për ku ishin nisur dhe as nuk ktheheshin dot në shtëpi. Thjesht mbyteshin. Prej asaj kohe, sa herë që ndodhnin tragjedi në pjesen shqiptare të Deteve Jon dhe Adriatik, banorët e brigjeve nuk blinin kripë të prodhuar në kriporet e vendit (që vdekja të mos u hynte në gjellë)”. (f. 235) Autori kujton edhe një poezi të hershme të vetën, ku shqiptarët, në vend të këpucëve, mbathin varkëza dhe anije, me të cilat „ata kanë ecur jo drejt integrimit, por drejt emigrimit”. Nuk kalon shumë dhe dyndet „Viti 1997, kur u thyen depot dhe kur thuajse të gjithë u armatosën…” Armët prej lodre, ose lodrat prej armësh rimarrin pushtetin, të paktën në kujtesën letrare. U dëshmua sërish se „edhe dashuria fëminore ndaj armës plastike, edhe afshi ndaj pjesëve erotike të pushkës, ishte shndërruar në paranojë. Ishte një pranverë ku lulet e gjakut mbi këmishët e shqiptarëve bënë që askush të mos i vinte re lulet që mbinin në tokë, përveç rasteve kur lulet shkuleshin për t’u vendosur drejt e mbi varrin e porsahapur”. (f. 191) Këmishët na faniten tani nën tjetër kuptim, sikurse lulet që autori nuk i gjeti kurrë brenda ndonjë libri. Por deti, si këmishë më vete, nuk kopsitet e as arnohet me kaq. „Frika ndaj të tjereve i ka zgjeruar kufijtë, duke krijuar mes nesh një det te ri: nuk është Det i Zi. As Det i Kuq dhe as Det i Bardhë. Është Det Mosbesimi, ky që kemi vendosur mes nesh – in between. Këtë det mosbesimi nuk do e gjejmë të shënuar mbi asnjë hartë tjetër, përveç asaj harte që endet në mendësinë tonë, sa herë që ditët zymtohen dhe, në vend të zgjidhjeve, hapjeve, zgjerimit, shohim telat me gjemba si rrugëdalje”. (f. 244) Pasi ndjek me përkushtim ecejaket e fjalëve dušo e dushman, aq të pranishme e turbulluese në Ballkan, Arian Leka pranon, - pa gjykuar kënd, - se „Kemi mbetur po ata. Njerëz të ngjashëm në vese, por jo në virtyte, me paraardhësit tanë”. (f. 150) Zgjedhimi i foljes "me ra” Folja „me ra / të biesh” përshkon tekstin dhe nëntekstin e librit edhe në trajtë mëdyshjesh (me ra a mos me ra, të biesh a të mos biesh). Gjendemi në një hapësirë shpirtërore e gjeopolitike, ku fjalët janë si dama siameze letrash bixhozi; mjafton një çast i vështirë për t’ua kthyer kuptimin sëprapthi dhe të mos merret vesh se cila kokë dame është poshtë e cila sipër. Rënia bëhet ngritje, ngadhnjimi – dështim, shpresa – shkreti. Ish-të burgosurit kishinrënë (jashtë lirisë së pakët, ose në burgje më të vegjël se atdheu); autori-fëmijë kishte rënënë dashuri për herë të parë; njerëzve u kishte rënë kryesh një fat mizor, mirpo tjetër fat nuk u pat rënë në hise... Pas shumë vitesh të rëndë e të turbullt, shtyrë, joshur, cytur e ngucur nga arsye e shkaqe që mezi i mbledh edhe fjalori, të gjithë ranë në një mendje. Ja si: „Duan ta kenë një veshje me fytyren e dikujt. Ish – të majtë, ish – të djathtë, ish – pronarë dhe ish – të përndjekur politikë, ish – të dënuar, ish – bashkëpunëtorë të regjimit, të penduar dhe të papenduar, që iu lëshuan fesë dhe besimit me shpresë se fjala më fal sjell lehtësim edhe mëshirë; ish – shkrimtarë, që nuk duan ta pranojnë se arti i tyre ishte një lloj bombe e shfarosjes në masë; të dekoruar, që nuk i kthejnë mbrapsht medaljet dhe aplikojnë për kredi të butë. Ka edhe të tjerë, por jemi pothuajse të gjithë ata që duan ta kenë një veshje me fytyrën e dikujt. Heronj të luftës antifashiste, me abone të udhëtimit falas; të persekutuarit e luftës së klasave me krushqi komuniste; pishtarë të demokracisë; editorialistet e përditshëm, bashkë me analistët që nanurisin çdo natë; drejtues elegantë ekranesh sqimatarë, që bëjnë thirrje për mbledhje fondesh për ndihma në raste fatkeqësish; trafikantë, terroristë, njerëz të duruar (nuk u bënë dot dëshmitarë të Parajsës së premtuar socialiste, por mundën të shohin me sy të lirë shpërbërjen e kampit, eksodet masive, krijime shtetesh të rinj, përhapjen masive të internetit, ringjalljen e nacionalizmave lokale, rrënimin dhe shitjen e pasurisë publike, ngushtimin e zonës publike) që, në kërkim të alibisë, vazhdojnë t’ia kërkojnë Zotit vendosjen e rregullit dhe të drejtësisë në jetë. Të gjithë pra, apo thuajse të gjithë, rane befas në një mendje”. (f. 117) Më ka vënë dikur në mendime bindja e Shën Joan Shkallarit: „Paqja është katër herë më e madhe (e rëndësishme), se sa drejtësia”[8]. Ndoshta ka ardhur çasti kur nuk duhet gjykuar shkaku që sjell mirëkuptimin, ose edhe pajtimin, por vlera e këtyre të fundit. Na ka shoqëruar në shekuj ajo përsëritje dhe / ose stërvitje, që bëri të mundur të përshtateshim edhe në kushte çnjerëzorë jetese, pa humbur shpirtin e as Kujtesën – dhe mundësitë që stërvitja me mirëkuptim për hir të mirëkuptimit të na pështasë e të na mësojë me të, të paktën deri në përçarjen e ardhëshme. Globalizim, ose glob nën banalizim Jemi në kalimin "Nga shoqëria e represionit drejt shoqërisë së depresionit masiv”. Me arritjet dhe dëmet e tij, duke huazuar ide e mjete nga sistemet e mëparshme, globalizimi i ngjan një hijeje më vepruese se sa trupi nga i cili del. Është i pranishëm në shoqërinë njerëzore qysh kur u ndërtua ura e parë, kur disa nga anëtarët e bashkësisë u bindën se punët e shpirtit mund të drejtohen përmes një pasurie që nuk lidhej me shpirtin dhe kur dallimet në fjalë e sjellje ndërmjet anëtarëve cënuan pushtetin. Arian Leka sjell një vëzhgim që meriton vëmendje: „Globalizimi i parë nuk u shpik prej amerikanëve. As nga zona e Bashkimit Europian nuk u shpik. Protoglobalizmi u shpik në kampin socialist. Për herë të parë globalizmi u zbatua, u krye dhe u përsos në vendet komuniste. Madje ishin shtetet më të varfra dhe më të indoktrinuarat e kampit socialist ato të parat që e zbatuan me sukses globalizmin. Duhen shembuj për ta përligjur? Muzika. Filmat. Veshjet. Kënget. Sloganet. Ndëshkimet. Burgosjet. Represioni. Vrasjet. Kampet e internimit. Survejimet. Pushimet e organizuara. Lejet e krijimtarisë për shkrimtarët dhe artistët. Propaganda. Përgjimi, festat familjare dhe festat shtetërore ishin të njëjta për të gjithë zonën komuniste. Këto janë vetëm disa nga tiparet e globalizmit në kampin socialist të Lindjes komuniste, i cili nuk është studiuar dhe nuk është vlerësuar ende mirë”. (f. 219) Një shekull pas hartimit të planeve globalizuese, në Evropën e përçarë si mos më keq nga pikëpyetjet dhe pikëçuditëset: „Të varfrit do të mbeten të varfër edhe në imitim. Ata që qeverisin Ballkanin e mbetur jashtë Europës dhe ata që qeverisin Ballkanin europian janë vënë në garë. Kush e kush do të qeverisë më mirë? Ata me këmishë pa kollare? Apo ata me këmishë me kollare? Monotonia e imagjinatës së varfër shkon deri aty sa në takime ku nënshkruhen protokolle të nivelit të lartë, ata që qeverisin Ballkanin zgjidhin kollaret nga qafa dhe ia dhurojnë dikujt që është betuar të qeverisë pa kollare. Ndaj nuk kanë më sukses as dramat, as komeditë e zeza dhe as tragjeditë me absurd. Ndonjëherë, këtë objekt që nuk përfaqëson origjinalitet, ata që qeverisin në mënyrë qesharake Ballkanin e heqin nga qafat e tyre në mënyrë teatrale, për të falsifikuar iluzionin se edhe litari do të hiqet po aq lehtësisht edhe nga qafat e shtetasve të tyre që varen plotësisht nga jeta politike. Nuk ndodh ndryshe as në Europën e atyre që qeverisin senza giacca e cravatta, ku autokratët shtohen dhe të majte e të djathtë ushtrohet populizmi që vë në spikamë virtytin kundrejt elitave të korruptuara. Veçse jo që të propozojnë një linjë të re mendimi dhe aksioni politik, por për t’u zënë vendin elitave me të cilat ngjasojnë”. (f. 119) Në vijim të ngjarjeve, do të veçoja kapitullin e titulluar „Të shpiket ballkanasi, siç shpiket një armë”, ku shkruhet: “Dhe ja ku dashur pa dashur e hoqa një vijë demarkacioni mes europianit human dhe ballkanasit gjaksor. Ngecëm, kur ruleta e ndaloi rrotullimin. Kë zemëron më shumë kjo ndarje: europianët skeptikë apo ballkanasit që ëndërrojnë? Shtëpi e përbashkët, por secili në dhomën e vet. Ballkanasi në Lindje. Europiani në Perëndim. Ballkanasit komunistë. Europianët kapitalistë. Ballkanasit në mish-mashin e tyre të besimeve fetare, të cilet të premteve shkojnë në xhami e të dielave ne meshë, ngatërruar mes gjuhësh dhe bindjesh politike. Europianët të ndarë në katolikë, protestantë, ortodoksë. Ballkanasi i fshehur pas Perdes së Hekurt. Europiani i rrethuar me kurorat plastike të integrimi, diversitetit, eurocentrizmit dhe unifikimit të hapësirës, kufijve, monedhës së përbashkët, por pa simbole shtetesh. Themelet e shtëpisë europiane, ku fare pak jetojmë së bashku, janë plasaritur që herët prej rrënjeve të dallimeve mes Perëndimit dhe Lindjes. Më së paku që prej kohës kur Perandoria romake u nda, në Romën (racionale, progresive) dhe Kostandinopojën (dogmatike, intolerante) dhe kur trupi i përbashket i perandorisë u ça më dysh. Krijuesit e kësaj forme të re treguan vëmendje për t’i shtuar një kokë të dytë shqiponjës bizantine, por nuk u kujtuan se ky trup kishte nevojë edhe për një zemër të dytë. Këto dallime do të jenë mes nesh derisa të jetë gjallë edhe europiani i fundit që mësoi ndarjet dhe dallimet mes nesh nga librat shkollorë të historisë”. (f. 268) Gjatë gjysmëshekullit që kaloi, hekuri i perdes së Hekurt u lëmua aq shumë, saqë për ca kohë u shndërrua në pasqyrë, pastaj në qelq, por të pathyeshëm, dhe të dyja palët e ndodhura përballë nuk ditën kujt t’ia kthenin shpinën më parë. Nuk di ta ketë pyetur veten kush se si mund t’i kthehet shpina vetvetes, apo Kujtesës. E qartë është se shpikja e tjetrit për të përligjur mangësitë e vetes vijonte njëheresh: ballkanasi shpikej si pushka që mezi pret të vrasë të pafajshëm dhe shpikte nga ana e tij evropianin përherë shpërfillës, dinak, të shthurur, përfitues, shitur tek paraja të cilën e mblidhte vetëm për vete, teksa ngulmonte ta blinte ballkanasin me kacidhet e këtij të fundit. Zymtësia e autorit ndaj marrëdhënies ballkanas-evropian duket bindëse. Ndoshta duhet thënë se vërtet gjatë ndarjes së Perandorisë Bizantine u harrua t’i shtohej një zemër ish-shqiponjës që u nda më dysh e fitoi dy koka dhe mbeti me një zemër, por se edhe ajo zemra e vetme duket të ketë pushuar prej kohësh së rrahuri. Eshtra, por jo për hajmali Pesha e globalizimit ndihet thellë edhe në letërsi dhe veçanërisht në pasqyrimin që i bën letërsisë shtypi. Është një zonë ku mirëkuptimi mes evropianëve të ligur shpirtërisht dhe ballkanasve të etur për famë të shpejtë ka kapur majat. Vlerat e mesme qarkullojnë dhe trymbetohen në të dyja hapësirat e kontinentit, aq sa të vjen të besosh se dy shqiponjave që përmenda më lart u kanë pushuar së regëtiri edhe trutë. Morali i dyshimtë bën çudira në shtyp. Faqja 317: „... ngaqë në “letërsitë e vogla” talenti nuk shfaq begati të plotë, kushtet për shprehësi të pavarur dhe të shkëputur nga nocionet shtet-etni-komb nuk janë aq të përshtatshme sa të mund të krijonin mjeshtrin e vet përfaqësues, i cili do të ndahej përfundimisht nga të shprehurit kolektiv. Kjo ka ndodhur edhe në letërsinë shqiptare. Dhe jo vetëm gjatë Romantizmit, por edhe gjatë zbatimit të metodës së realizmit socialist – atavizëm ky që, ndonëse gjithmonë e më rrallë, vazhdon të artikulohet edhe sot. Për shkak të këtyre kushtëzimeve, për t’u vetëmbrojtur, për t’u vetëshpallur apo nga frika se humbasin identitetin dhe treten në oqeanin e globalizimit kulturor, disa prej letërsive vetëprovincializohen, zgjedhin mbylljen në vend të hapjes, monodinë në vend të polifonisë së emrave dhe estetikave plurale që sjellin ata. Ato letërsi mblidhen rreth një emri të vetëm apo pak emrave përfaqësues, thua se u duhet ta ruajnë energjinë për kauza madhore, duke vënë shenjën e barazisë mes letërsisë së tyre (të vogël) dhe emrit të përveçëm që, nga ana tjetër, i shfaq si të pamjaftueshme përpjekjet e paraardhësve letrarë. Ndaj në këto zona letrare janë ende në përdorim titujt retorikë “poet kombëtar”, “shkrimtar i kombit”, “poetprofet”, “mjeshtër i madh” dhe “shkrimtar-nder i kombit”, që u ngjajnë eshtrave, prej të cilave mund të rikrijojmë nostalgjinë e dinosaurit të socializimit të zhdukur dhe të shkrimtarit në atë klimë”. Kam bindjen se me këta rreshta Arian Leka mban parasysh pasqyrimin dhe mënyrën se si e përhap letërsinë shtypi i ashtuquajtur kulturor. Sepse, në të vërtetë, gjendja e shkrimtarit-njësh, pa të cilin gjithë të tjerët, përfshi paraaradhësit, janë vetëm zero e s’do të arrijnë kurrë dhjetë, ka kaluar prej vitesh. Tani, si me qenë gjaku i derdhur prej tjetërkujt në emrin tënd, duhet shlyer inercia e errët e propagandës, e cila shpreson që, derisa e vërteta të mësohet nga të gjithë e të mos shkatërrohet dot, letërsia mesatare dhe e shitur të jetë bërë mishërim i vetë Shijes. Me vetëdijë a për forcë zakoni, një veprimtari të shumanshme kanë këtu shkrimtarët që s’pushojnë se luftuari për vënien në vend të drejtësisë, rropaten vetëm për lexuesin (aliaspopullin e shumëvuajtur), të pranishmit kudo e gjithkënd. “Fjala “shkrimtar i angazhuar”, - shkruan Arian Leka, - sigurisht që shqiptarëve u kujton llojin e autorit që trashëguam nga realizmi socialist, atij që i këndoi flladit, tek përkund kallëzat e fushës me grurë, (por jo të njëjtit fllad që përkundi edhe poetët e varur), atij që nuk bëri dallim mes vrimave që hapën plumbat në gjoks (dhe vrimave që hapën dekoratat dhe medaljet mbi xhaketë)”. (f. 256) Nuk është fjala as për të majtë, as për të djathtë, as për ata të pavarur, në tubimet e të cilëve nuk duhet kujtuar litari. Është fjala për kumtin, vendin dhe synimin që zgjedh vepra e secilit. Vite më parë, shkrimtari trigjuhësh dhe mendimtari i shquar rumun Vintilă Horia (1915-1992) sqaronte shkurtimisht çështjen e togfjalëshit „Kultura e djathtë”. Kultura e majtë është gjithmonë tejzgjatje e politikës së majtë, - shprehej ai, - ndërsa mes kulturës së djathtë dhe të djathtës politike shpesh hapet një humnerë[9]. Kultura e djathtë është kultura e përherëshme, ajo që mbledh e ruan, si vetë Kujtesa, arritjet më të mira të njerëzimit. Prandaj harta e vërtetë e letërsisë ndryshon kryekëput nga hartat e shtypit, të politikës dhe të historive të letërsisë. Pjesa tjetër e librit, libri i lexuesit tjetër Do të mund të shkruheshin lirshëm gati po aq faqe sa ka libri për kërkimin e këmishës së humbur. Pas bindjeve të mësipërme, një tjetër lexim nis për mua, por jo edhe për secilin lexues, që do të kërkojë këmishën e vet, në varësi të atyre pyetjeve e përgjigjeve, të jetëshkrimit e jetëkujtimit që e kanë mbrujtur të mos jetë tjetërkush e të mos lexojë me sytë e tjetërkujt. Doja vetëm ta thoja me shkrim se, siç dihet e pëshpëritet, ndodh që një libër të përmbajë kaq thellësi, dhimbsuri, të vërteta e hijeshi, sa t’i shtojë vlerën një biblioteke të tërë. E për fat, libra të tillë janë kaq të rrallë, sa s'ke si të mos i shohësh e aq më pak t’i anashkalosh. Bukuresht, shkurt 2019 [1] Citimet qëllimisht nuk ruajnë kronologjinë e librit (sh. im, A. K). [2] E shpreh edhe vetë autori, por në vijim mendimesh të tjerë: „Poema, ndoshta, ka mbetur e vetmja formë centaur: formë kafshë-njeri. Poema ngjason me qelqin në formën e tij të lëngët, para se të ngurtësohet”. (f. 40) [3] “Guximi për të thënë jo thjesht të vërtetën e një pale, por të drejtën e paanshme. Aftësia për të kuptuar se duhet ndenjur jo përkrah, përbri apo përballe një grupi, por për të ndenjur përmbi të gjithë”. (f. 252). [4] Nxjerrë në pah dhe vlerësuar lart nga kritika dhe lexuesi rumun, pas vëllimeve „Anija e Gjumit” (Nava Somnului, Librarium Haemus, Bukuresht, 2007) dhe „Biblioteka lundruese” (Biblioteca plutitoare, Charmides, Bistrita, Rumani, 2017). [5] Asnjëherë nuk na thuhet pse lexuesi duhet t’i mbajë mend gjërat lehtë. Për çfarë gjëra të rënda e madhore e ruan pjesën tjetër të kujtesës?! [6] „Kryetalentet tona ishin shfaqur sërish, si në këngët e kreshnikëve. Talenti numër një: të humbnim raste. Talenti dytësor: të bënim armiq. Shumë kishim duruar nën diktaturë, por edhe të tjerët e kishin duruar shumë heshtjen tonë”. (f. 211) [7] „Duhet kthjelltësi mendore, jo magjepsje dhe mistikë, për ta besuar se nuk mund të kenë qenë të tjera duar veç duarve të poetëve, të artistëve, të piktorëve, të klerikëve, të përkthyesve dhe të mendimtarëve të burgosur ato që zgjateshin nga galeritë për të rrotulluar antenat drejt sinjaleve të qartë. Ishin ato duar që nuk bënë sa ne dëshironim, por bënë sa mundën që antenat e drejtuara ditën nga Tirana dhe natën nga stacionet e Perëndimit – prej nga mbërrinin pamje të klonuara të Shqipërisë bahçe me lule dhe të parajsës së reklamave, të ktheheshin drejt asaj që ndodhte në kampe, në burgje dhe nëpër të gjithë Shqipërinë”. (f. 194) [8] Për mëninë, Filokalia, vëll. 9. [9] Shih dokumentarin “25 vjet nga vdekja e shkrimtarit Vintilă Horia”, Kujtesa e Mërgatës Rumune, nga Marilena Rotaru, Agerpres, 2017.

2024/11/25

Rrahja në Kuvendin e Serbisë, në Beograd

Ana Bërnabiq sërish mandatare për formimin e Qeverisë së re të Serbisë –  Demokracia



Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë sot pas konfliktit mes deputetëve të opozitës dhe pushtetit në parlament se Prishtina dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duan të shohin një skenar të tillë. 

Tuča u parlamentu: Poslanici se fizički sukobili oko transparenta sa  krvavom rukom u Skupštini Srbije - Politika - Dnevni list Danas

                  



 Në një konferencë për media, pas dhunës në Kuvendin e Serbisë gjatë seancës së buxhetit, ndërsa deputetët e opozitës ia ndërprenë fjalimin me bilbil, Bërnabiq theksoi se opozita po përpiqet të destabilizojë Serbinë, gjë që, siç thotë ajo, i pëlqen të gjithë kundërshtarëve. 


Opšta tuča u Skupštini Srbije (video) - JuGmedia




 “Kështu duket liria e fjalës në interpretimin e tyre. Kështu do të dukej Serbia po të ishte në pushtet. Dhe unë pyes qytetarët se kush e dëshiron këtë? A ka njerëz në Serbi që duan diçka të tillë? 

How did you start the opšta tuča u srpskoj Skupštini? (PHOTO, VIDEO) - Politics - Dnevni list Danas

Dyshoj, por ka njerëz në Prishtinë që e duan këtë, është Albin Kurti që e pret këtë”, u shpreh ajo.

Plagjiaturat ne Kosovë dhe në Universitetin e Tetovës

Plagjiatura në Kosovë më së shpeshti është përmendur si fenomen në radhët e literaturës së botuar në fushën e shëndetësisë. Në këtë kuadër, rasti i fundit është edhe libri universitar “Neurotrauma”, i cili është promovuar këtë vit, i autorit Prof. Dr. Arsim Morina, dhe është vlerësuar nga grupi i profesionistëve shëndetësorë si një libër plagjiat. 
Dr.specialist Talat Gjinolli, neurokirurg, ka deklaruar në një konferencë për media, se libri për rreth 95 për qind është i kopjuar dhe i përkthyer, siç thotë ai, dobët, derisa shërben si libër universitar edhe për studentët e mjekësisë. 

 “Meqenëse është në treg, libri dhe është lexuar. Rreth 95 për qind është i kopjuar nga librat ekzistues të botuesve në gjuhën angleze dhe serbo-kroate. Gjatë analizimit të librit nga profesionistë shëndetësorë, të cilët i përfaqësoj unë, kemi ardhur në konkludime se, libri është pothuajse komplet plagjiaturë”, ka thënë Gjinolli. 

 Talat Gjinolli ka thënë se në emër të grupit të profesionistëve shëndetësorë, do të kërkojë që ky libër të tërhiqet menjëherë nga tregu dhe të formohet një grup ekspertësh që të analizojë vërtetësinë e këtij libri, meqë, siç thotë ai, është i bindur se ky libër është 95 për qind plagjiaturë. “Unë jam si eksponent i grupit punues, unë e mbaj gjithë përgjegjësinë morale dhe do të kërkoj falje publike nga opinioni nëse puna jonë do të dalë si e pavërtetë, apo edhe autorit do t’i përgjigjem nëse del që ne jemi gabim, edhe moralisht, edhe financiarisht”, ka deklaruar Gjinolli. 

 Kurse, në pyetjen e gazetë" Bota sot"  drejtuar Dr.Mehmet Maxhunit,kirurg abdominal , në cilësinë e ish  prodekanit të Fakultetit të Mjekësisë n, që nëse vërtetohet se libri është plagjiaturë, çka do të ndërmarrë, ai është përgjigjur: “Çka duhet ndërmarrë, unë nuk e di, a ka ndonjë rregullore ose ndonjë gjë që do të duhej të sanksionojë këto gjëra. Nuk e di!”. Sidoqoftë, sipas grupit të ekspertëve, të cilët kanë analizuar autorësinë e librit “Neurotrauma” del se në tekstet origjinale pjesa më e madhe e paragrafëve pason me referenca, të cilat në librin plagjiat as që janë përmendur. Qëndrimet dhe rezultatet e autorëve tjerë paraqiten si të vetat, pa përdorur fusnota dhe pa i cekur fare autorët e  librave origjinalë
Burimi : https://www.botasot.info/kosova/220538/plagjiatura-ne-universitetet-e-kosoves/)

2.https://telegrafi.com/plagjiatura-ne-universitet/


“ Edhe kur zbulimet e plagjiaturave të stafit akademik janë publikuar nëpër media, plagjiatorët jo që nuk kanë dhënë dorëheqje, por në shumicën dërrmuese të rasteve as që u janë nënshtruar kësaj, nga ato pak raste kur ndonjë masë është ndërmarr janë shfuqizuar më pas, për më tej shumë prej plagjiatorëve edhe janë avancuar”, u shpreh Gashi. Si raste më të veçanta që u theksuan për plagjiaturë ishin ato të marra nga punimet e bashkëshortëve të tyre si ai i dekanes së Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu-Rugova e cila kishte vjedhur për punimin e saj të doktoratës nga punimi i bashkëshortit të saj, Prof.dr.sci.Bardh Rugova 

Burimi: 3.https://www.botasot.info/kosova/953002/publikon-emrat-e-16-profesoreve-qe-kryen-plagjiature-ne-up/

Rikujtojmë që për plagjiatura të mundshme u akuzuan shtatë profesorë të Fakultetit të Mjekësisë. Deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti dhe vendosjes së një sistemi efikas anti-plagjiaturë, Ditën Ndërkombëtare të Pronës Intelektuale organizata jonë do ta shënojë si ditë zie dhe vaji për Arsimin e vendit.

Ndryshe revista “Veritas” në mars të vitit 2021 publikoi rastin e plagjiaturave të profesorëve nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, por ky rast ende nuk po merr epilog. Inspektorati i Arsimit, Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës thonë se nuk janë kompetent për të vërtetuar nëse profesorët kanë bërë plagjiat për punimet shkencore. Rasti është dashur që të paraqitet në Polici ose Prokurori, por kjo deri më tani nuk është bërë. Të gjitha rrugët çojnë në Universitetin e Tetovës, por nga atje vazhdojnë të heshtin për këtë rast.

Burimi :


5.https://arkiv.portalb.mk/768785-plagjiaturat-rasti-qe-nuk-po-merr-epilog-te-gjitha-rruget-cojne-ne-ut-por-ajo-hesht/

Burimi: 

6.https://arkiv.portalb.mk/735303-skandali-me-plagjiatet-ne-universitetin-e-tetoves-kush-po-akuzon-ke/


KONTEKSTI HISTORIK I EMËRTIMIT TË UÇK-së (PARA 30 VITESH) …

KONTEKSTI HISTORIK I EMËRTIMIT TË UÇK-së (PARA 30 VITESH) DHE ARRITJA DIPLOMATIKE E UÇK-së, DREJT IMPONIMIT TË ÇËSHTJES SË KOSOVËS PËR ZGJIDHJE NË KUADËR TË AGJENDËS NDËRKOMBËTARE

Nga Fatmir Lekaj (politolog)

Më 17.11.1994 kryesia e LPK-së, Dega jashtë vendit, mori vendim që njësitet e armatosura të udhëhequra nga LPK të emëroheshin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).[1] Ky vendim ishte rezultat i vazhdimësisë dhe zhvillimeve të përgjithshme në kuadër të veprimtarisë së LPK-së. Rrjedhimisht, meqë LPK, Dega brenda vendit, e veçanërisht udhëheqja e saj goditej në vazhdimësi (me burgosje, tortura dhe vrasje), LPK, Dega jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar) kishte kompetenca që në situata të caktuara të merrte përgjegjësinë për udhëheqjen e përgjithshme të organizatës. Kjo bartje e kompetencave ndodhi konkretisht pas mbledhjes së katërt të përgjithshme të LPK-së, mbajtur në Kosovë në vitin 1993. Prandaj ky vendim, që përfshinte edhe themelimin formal (emërtimin) të UÇK-së, u mor bazuar në vendimet e mbledhjes së katërt të përgjithshme të LPK-së, dhe ndodhive më pas, sepse menjëherë pas kësaj mbledhje, shërbimi sekret serb (në kuadër të arrestimeve), kishte arritur t’i arrestojë edhe udhëheqësit emblematik të LPK-së në Kosovë, Xhavit Hazirin, AhmetHaxhiun, Bejadin Hallaqin (si udhëheqje me kontinuitet në vazhdën e udhëheqësve emblematik të LPK-së në Kosovë gjatë viteve ’80: Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut etj.). Disa nga veprimtarët që u shpëtuan këtyre arrestimeve të vitit 1993 emigruan jashtë vendit, ndërsa një pjesë e veprimtarëve tashmë vepronin në kuadër të grupeve klandestine të armatosura në Kosovë që, në fakt, edhe para mbledhjes së katërt të përgjithshme të LPK-së, kishin filluar gradualisht të shndërroheshin: nga të qenit pjesëtarë dhe udhëheqës të Këshillave Popullor të LPK-së në Kosovë (degëve të LPK-së në Kosovë) në pjesëtarë dhe udhëheqës të grupeve klandestine të armatosura në Kosovë.

Me fjalë të tjera, ky vendim i themelimit formal të UÇK-së ishte një proces, përveç të tjerash, i bazuar në vazhdën e veprimtarisë së LPK-së që nga viti 1982 e veçanërisht bazuar në vazhdën e vendimeve të katër mbledhjeve të përgjithshme të LPK-së në vitet 1987, 1989, 1991 dhe 1993, jo se grupe të armatosura nuk kishte edhe më herët para vitit 1994. Për shembull, grupi i armatosur i quajtur Fronti për Rezistencë dhe Bashkim Kombëtar (FRBK) ishte themeluar në Gjakovë në vitin 1990[2], por u dekonspirua pas disa muajsh, dhe pas vitit 1994 disa pjesëtarë të këtij grupi iu bashkëngjiten UÇK-së. Gjithashtu grupi i Prekazit në krye me Adem Jasharin dhe grupi në krye me Zahir Pajazitin në Llap, kanë vepruar që në vitet 1990 -’91. Krahas këtyre grupeve vepronin Këshillat Popullor të LPK-së, ku një pjesë e tyre kishin filluar gradualisht të shndërrohen në grupe klandestine të armatosura të LPK-së që nga viti 1989. Duhet të kihet parasysh se LPK-ja si organizatë e fuqishme, në vazhdimësi që nga fillimvitet ’80, (e deri te themelimi formal i UÇK-së, më 17.11.1994), përveçse kishte krijuar traditë/përvojë të konspiracionit dhe riorganizimit (pas goditjeve) të radhëve të saj, njëkohësisht kishte krijuar traditë/përvojë të rezistencës aktive (përfshirë edhe shembujt e rezistencës së armatosur) kundër regjimit serbo-jugosllav. Në fakt, disa nga pjesëtarët e saj më të devotshëm (disa prej tyre edhe udhëheqës emblematik) kishin rënë të altarin e lirisë si pasojë e atentateve, si pasojë e përballjeve të armatosura – të pabarabarta, dhe si pasojë e torturës, përveç të tjerëve: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Zijah Shemsiu, Xhemajli Berisha, Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata, Tahir Lush Berisha, ArifSeferi, Ahmet Haxhiu, Hasan Ramadani, Xhavit Haziri, Bejadin Hallaqi etj. Kështu që kjo traditë/përvojë e LPK-së ndikoi që Këshillat Popullor të LPK-së, Dega brenda vendit, që shtriheshin në gjithë territorin e Kosovës me vise, të fillojnë gradualisht nga viti 1989 të jenë edhe krahu ushtarak i kësaj organizate, dhe me ngulmim kërkonin nga organizata që të krijohet një strukturë ushtarake.

Në vitin 1989 u formua një Sektor ushtarak në kuadër të LPK-së.[3] Në të njëjtin vit, në tetor të 1989-s, në Zvicër u organizua Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e LPK-së, në të cilën të pranishëm ishin edhe delegatët/ përfaqësuesit e LPK-së, Dega brenda vendit.[4] Rrjedhimisht,

Mbledhja e Dytë e Përgjithshme kontribuoi, përveç të tjerash, edhe për legjitimimin e këtij Sektori ushtarak në kuadër të LPK-së, që kishte për detyrë parapërgatitjen e kryengritjes së armatosur në Kosovë, në kuptimin e futjes më të madhe të armatimit në Kosovë dhe krijimin e kushteve për kryerjen e aksioneve të mundshme guerile si opsion i fundit për çlirimin e shqiptarëve në Jugosllavi. Në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPK-së, mbajtur në tetor të vitit 1991 në fshatin Ujmir të Klinës (në shtëpinë e veprimtarit Sadri Shala), nën organizimin e LPK-së, Dega brenda vendit, ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e LPK-së, Dega jashtë vendit, u mor vendimi që të themelohet një forcë e armatosur në Kosovë.[5] Ndërsa në Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPK-së, mbajtur në korrik të vitit 1993 në Prishtinë (në shtëpinë e veprimtarit Fatmir Brajshori), nën organizimin e LPK-së, Dega brenda vendit, ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e LPK-së, Dega jashtë vendit, u mor vendimi për nismën e kryengritjes së armatosur dhe u bënë ndryshimet e mëtutjeshme programore të LPK-së. Në nenin III, përveç të tjerash, thuhet: Për arritjen e aspiratave kombëtare LPK do t’i përdorë të gjitha mjetet e luftës çlirimtare: demokratike, paqësore dhe politike dhe të rezistencës së armatosur. LPK, si mjet për arritjen e qëllimit, parasheh luftën e armatosur për çlirimin e Kosovës.[6] Kështu që, paralelisht me vendimet e këtyre tri mbledhjeve të përgjithshme të LPK-së, filloi gradualisht edhe shndërrimi i Këshillave Popullor të LPK-së në Kosovë në njësi të armatosura.

Në vitin 1991 pati një nismë nga LDK-ja (supozohet nën mbikëqyrjen e akademik Fehmi Aganit etj.,) në koordinim me Qeverinë e Kosovës në Egzil në krye me Bujar Bukoshin, për ushtrime të militantëve nga Kosova në Shqipëri. Në krye të këtij organizimi u vendos veprimtari i shquar i LDK-së, Sali Çekaj. Gjatë vitit 1991 bënë stërvitje ushtarake mbi 150 militantë të cilët simpatizonin struktura të ndryshme politike të kohës (LDK, LPK, PPK etj.) por, në thelb, kishin dëshirën për t’u përgatitur për të rezistuar në rast të luftës. Ndër ta ishin edhe Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti. Fatkeqësisht, ky organizim i LDK-së/Qeverisë Bukoshi u dekonspirua me pasoja të mëdha për të gjithë ata që ishin listuar se kishin shkuar për ushtrime ushtarake në Shqipëri ngaqë ato lista kishin rënë në duart e UDB-së serbe dhe pas operacioneve të arrestimeve një numër arrestohen dhe dënohen, të tjerë arratisen jashtë vendit, por një numër i vogël vazhdojnë të qëndrojnë të gatshëm për rezistencë siç ishte rasti i Adem Jasharit, i Zahir Pajazitit etj., të cilët e vazhduan organizimin e tyre duke u bërë pjesë e organizimit që kishte LPK-ja me njësitet e saj klandestine të armatosura.

Për dallim të LPK-së, LDK-ja dhe qeveria Bukoshi, përveçse nuk e kishin traditën/përvojën e rezistencës aktive (përfshirë shembujt e rezistencës së armatosur) kundër regjimit serbo-jugosllav, nuk e kishin as traditën/ përvojën e konspiracionit dhe riorganizimit (pas goditjeve),

dhe me gjithë meritat e mëdha që kanë deri në konferencën e Dejtonit, pas kësaj konference në masë të madhe u konsumuanpolitikisht, sepse nuk e kishin shqyrtuar seriozisht asnjë përgatitje për një plan B, edhe pse kishte pasur iniciativa, edhe brenda LDK-së, nga Sali Çekaj, Hafiz Gagica etj., (ky i fundit paraprakisht në fillimvitet 80`, ka qenë një ndër veprimtarët e njohur të LPK-së/LRShJ-së në emigracion), por këto iniciativa nuk u mbështetën si duhet. Madje iniciativa ka pasur edhe brenda vetë qeverisë. Për shembull, Xhafer Shatri, në cilësinë e ministrit të Informatave i Qeverisë së Kosovës në Egzil, me seli në Gjenevë, u kishte paraqitur në vitin 1993 një projekt propozim kryeministrit të Kosovës në Egzil, dhe presidentit të Kosovës, për përgatitjen e një force të armatosur. Në kuptimin e përgatitjes (jashtë kufirit të Kosovës), të disa formacioneve ushtarake që do të ishin të gatshme t’i dilnin në mbrojtje popullit të Kosovës. Por, ky projektpropozim s’ishte përkrahur.[7] Shatri me prapavijën e tij (si   protagonist i spikatur i veprimtarisë revolucionare në Kosovë) ka pasur ndikim të madh në kuadër të emigracionit politik shqiptar, fillimisht gjatë fillimviteve 80` në kuadër të konsolidimit dhe bashkëdrejtimit të LPK-së (LRShJ-së). Më pastaj, në fillimvitet 90`, ju besua detyra e ministrit të informatave nga i gjithë spektri politik shqiptar i Kosovës, duke përfshirë pëlqimin e LPK-së, Dega jashtë vendit, konkretisht sekretarit të LPK-së, Emrush Xhemajli. Nga kjo pozitë, Shatri embështeti publikisht UÇK-në, pas shfaqjes publike të UÇK-së në fundvitin 1997[8], dhe në këtë vazhdë, tregoi një gjest fisnik me dorëheqjen tij nga pozita e ministrit, duke kontribuar kështu për uljen e tensioneve në mes Qeverisë Bukoshi dhe UÇK-së, dhe për shmangien e një lufte eventuale vëllavrasëse brenda shqiptare. Sepse me zhvillimin e shpejtë të ngjarjeve gjatë luftës në Kosovë, dhe me mos bashkëpunimin e duhur në mes Qeverisë Bukoshi dhe UÇK-së (sidomos duke e marr parasysh se jo vetëm shërbimi serb por edhe disa shërbime rajonale, ngulmonin ta thellonin përçarjen në mes shqiptarëve)ekzistonte rreziku real për një luftë vëllavrasëse brenda shqiptare, por fatmirësisht ky rrezik nuk u bë realitet.

Vlen të përmendet se ka pasur edhe një iniciativë tjetër serioze për formimin e njësive të armatosura, e ashtuquajtura iniciativa e grupit nga Kroacia, në vitin 1991. Pas kësaj iniciative qëndronte një grup kryesisht i ish-oficerëve të APJsëtë cilët më herët kishin qenë të burgosur politikë dhe anëtarë dhe simpatizantë të LPK-së gjatë viteve ’80, (Ton Marku, Naim Maloku, Fadil Demiri, Xhafer Jashari etj.), të koordinuar nga Fehmi Lladrovci, si kuadër udhëheqës i LPK-së. Kjo iniciativë fillimisht u përkrah nga LDK-ja nëpërmes akademik Fehmi Aganit, mirëpo pasi që ky grup u organizua dhe arriti ta formojë njësitin ushtarak në zonën e Gospiqit/Kroaci në krye me Fehmi Lladrovcin, u detyrua të shuhet pas urdhrit të drejtpërdrejtë të qeverisë Bukoshi, me pretekst se “po doni me na fut në luftë”. Pjesëtarët e këtij grupi më vonë u rreshtuan në faza të ndryshme kohore në strukturat komanduese të UÇK-së.

Rrjedhimisht, periudha e viteve 1989 – 1993 (themelimit të sektorit – ushtarak brenda LPK-së, dhe organizimit të mbledhjes së dytë, tretë dhe të katërt të përgjithshme të LPK-së), karakterizohet nga përpjekjet e LPK-së për krijimin e një strukture ushtarake gjithëpërfshirëse dhe efikase për çlirimin e vendit, e cila formalisht u jetësua më 17.11.1994. Edhe më herët, gjatë viteve ’80, ka pasur veprimtari të grupeve të armatosura (në kuadër të LPK-së) që kanë shërbyer si pikënisje konkrete për përgatitjen, inkurajimin dhe organizimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë, siç janë shembujt e grupeve të armatosura “Partia e luftës” (1983),“Çeta e Llapit” (1989) etj. Por data e themelimit formal të UÇK-së konsiderohet data e komunikatës së parë ushtarake të UÇK-së (më 17.11.1994), pas mbledhjes së kryesisë së LPK-së. Në kuptimin e unifikimit të grupeve të armatosura nën siglën e UÇK-së, të koordinuara, të mbështetura politikisht dhe me logjistikë etj., nga LPK-ja. Pra, unifikimi i grupeve të armatosura klandestine në vitin 1994, nën siglën e UÇK-së, ndodhi sikurse unifikimi i grupeve revolucionare klandestine më herët, në vitin 1982, nën siglën e LPK-së (e njohur nga viti 1982 si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi – LRShJ, nga viti 1985 e njohur si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës – LPRK, dhe nga viti 1993 e njohur si Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK).Kështu që, në periudhën e viteve 1994-1997 pjesë aktive ushtarake, politike dhe logjistike e UÇK-së, konsiderohet të kenë qenë rreth 1000 persona. Përkatësisht ish-pjesëtarët e Këshillave Popullor të LPK-së në Kosovë tashmë të shndërruar në Njësi të armatosura[9],   Grupi i Prekazit në krye me Adem Jasharin dhe Grupi i Llapit në krye me ZahirPajazitin, tanimë si pjesë e organizimit ushtarak të UÇK-së[10], Sektori i veçantë i LPK-së (përfshirë bashkëpunëtorët e ngushtë të këtij sektori/ shtabi, brenda dhe jashtë Kosovës), dhe pjesëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, Dega jashtë vendit, por edhe individë të caktuar që nuk ishin pjesë e LPK-së, por që iu bashkëngjitën gradualisht UÇK-së nga viti 1994 e tutje, në formë të përkrahjes logjistike, ushtarake etj., duke përfshirë edhe pjesëtarë të fraksionit “radikal” të LPK-së, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) që në këtë vazhdë iu bashkuan UÇK-së.

Përkundër numrit relativisht të vogël të pjesëtarëve të UÇK-së (pas Konferencës së Dejtonit dhe çlirimit të Kroacisë me forcat e veta, në vitin 1995), u shtuan aksionet e armatosura të UÇK-së. Në këtë vazhdë edhe UÇK-ja pësoi goditje të njëpasnjëshme, veçanërisht në vitin 1997, ku u vranë: ZahirPajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Luan Haradinaj, Adrian Krasniqi, paraprakisht ishte plagosur në një aksion bashkëpunëtori i tyre Qerim Kelmendi, e gjithashtuparaprakisht gjatë arrestimeve ishte arrestuar edhe NaitHasani. Megjithëkëtë, pavarësisht prej vështirësive të mëdha, përpjekjet e UÇK-së, vazhduan. Njëherësh vlen të theksohet se paraqitja dhe përpjekjet e UÇK-së, ishin një sfidë e re jo vetëm për regjimin neofashist të Slobodan Milošević-it, por edhe për një pjesë të konsiderueshme të diplomatëve të shteteve perëndimore, të cilët pas Marrëveshjes së Dejtonit e rehabilitonin gjithnjë e më shumë Milošević-in. Në lidhje me këtë historiani Noel Malcolm përveç të tjerash shkruan: “Marrëveshja e Dejtonit në përgjithësi ndikoi në konsolidimin e sundimit të Milošević-it në Serbi: diplomatët e Perëndimit deklaruan haptazi se ata i ishin atij mirënjohës për përpjekjet e tij “për vendosjen e paqes” dhe se e konsideronin atë si një forcë konstruktive në rajon, largimi i të cilit mund të shpinte në një destabilizim”. [14]  Me fjalë të tjera, nga njëra anë, shtetet perëndimore, edhe pse kishin keqardhje më shumë dhe më pak për situatën e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, nuk ishin në gjendje ta shpërblejnë politikën paqësore të Kosovës që sakrifikonte me vite në kurriz të shqiptarëve për zgjidhje politike paqësore dhe për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Nga ana tjetër, politika e Lëvizjes Paqësore (para Konferencës sëDejtonit) si faktor i brendshëm dhe gjenocidi në Bosnjë si faktor i jashtëm (që preku thellë ndërgjegjen e shteteve perëndimore), përveçse ishin një sfidë morale për shumë diplomat perëndimorë, njëkohësisht shërbyen edhe për legjitimin ndërkombëtar të UÇK-së, në kuptimin se shqiptarët e Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare kishin provuar me vite ta zgjidhin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Milošević-i dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhte në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale që kishte ndodhur në Bosnjë.Veçanërisht duke e marrë parasysh edhe faktorin gjeopolitik ngaqë një konflikt i armatosur në Kosovë (për dallim të Bosnjës) e kishte potencialin e zgjerimit të luftës përtej kufijve të Jugosllavisë.

Në këtë vazhdimësi, kryesisht dy ndodhi të mëdha e bën ndryshimin e madh për mobilizimin, fuqizimin dhe faktorizimin e UÇK-së. Ndodhia e parë është e ngjashme me rënien heroike në krye të detyrës të prijësve emblematik të LPK-së, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës etj., në një periudhë kyçe historike (pas demonstratave të vitit 1981), që ndikoi për një inkurajim dhe mobilizim të fuqishëm në kuadër të LPK-së. Ngjashëm, në një periudhë kyçe historike, rënia heroike në mars të vitit 1998, e prijësit emblematik ushtarak të UÇK-së, Adem Jasharit, dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, (ku u masakruan 59 persona nga ana e regjimit neofashist të Milošević-it), ndikoi për një inkurajim dhe mobilizim të fuqishëm ushtarak në kuadër të UÇK-së. Ndodhia e dytë është, gjithashtu, e ngjashme me ndodhin para shumë dekadash në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Çlirimin e Kosovës me vise, pas vitit 1912. Sikurse kryeideologu i Lëvizjës Kombëtare Shqiptare për Çlirimin e Kosovës me vise, Hasan Prishtina, që e pati një rol shumë të rëndësishëm për orientimin politik të Lëvizjes Kaçake, duke i dhënë dimension të gjerë kombëtar (antiprovincial). Ngjashëm, një rol shumë të rëndësishëm për mobilizimin edhe më të madh politik të UÇK-së në nivel kombëtar e pati simboli i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, për liri dhe barazi, Adem Demaçi, i cili më 13 gusht 1998 e mori përgjegjësinë dhe u emërua përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së me seli në Prishtinë, e ashtuquajtura Zyra e UÇK-së, në Prishtinë.

Në vijim, disa nga frymëzuesit emblematik disa prej tyre edhe themelues emblematik të UÇK-s, duke e përfshirë prijësin emblematik ushtarak të UÇK-së, Adem Jasharin dhe prijësin emblematik politik të UÇK-së, Adem Demaçin:

Edhe pas krimit monstruoz të regjimit të Milošević-it në sulmin ndaj familjes Jashari,  duke e përfshirë sulmin të njëjtin muaj më 24 mars 1998 ndaj familjes Haradinaj, që së bashku me bashkëluftëtarët e tyre bëri një rezistencë heroike në një përballje luftarake krejtësisht të pabarabartë me forcat serbe[15], institucionet politike ndërkombëtare ende vazhdonin të kenë një qasje refuzuese dhe paragjykuese ndaj UÇK-së.  Rrjedhimisht, hapja e Zyrës së UÇK-së, në Prishtinë, ishte e një rëndësie të veçantë, edhe si vlerë në vete, sepse udhëhiqej nga Adem Demaçi, si personalitet i mirënjohur ndërkombëtarisht në fushën e të drejtave të njeriut (përveç të tjerash i mirënjohur edhe me çmimin Sakharov etj.). Njëherësh konsolidimi i Grupit Diplomatik të UÇK-së që përbëhej kryesisht nga veprimtar të mirëshkolluar në universitete prestigjioze perëndimore dhe që përfaqësonin UÇK-në në pothuajse të gjitha shtetet perëndimore e pati një rrol vendimtar për arritjet e para diplomatike të UÇK-së. Në këtë mënyrë, UÇK arriti të shënoj një etapë të re në vazhdën e (dhe si kulminacion) i kryengritjeve të armatosura dhe përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës prej vitit 1912. Sepse, tashmë UÇK duke qenë e inkurajuar nga altruizmi patriotik, heroizmi dhe sakrifica sublime e familjes Jashari, përveçse arrinte të bënte një përballje titanike ushtarake, edhe pse ishte tërësisht asimetrike në raport me forcat ushtarake të regjimit të Milosheviqit (sikuse Davidikundër Goliatit), gjithashtu për të parën herë përfaqësimi politiko-diplomatik i një kryengritje të armatosur të shqiptarëve të Kosovës (UÇK-së) arrinte suksese të njëpasnjëshme diplomatike. Fillimisht ky sukses diplomatik u arrit si rezultat i veprimtarisë së Grupit Diplomatik të UÇK-së, nëpërmes takimeve dhe komunikimeve të suksesshme fillestare në emër të UÇK-së, përveç të tjerash me RichardHolbrooke (i dërguar special i ShBA-së për Ballkanin) [16], Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Schüssel(gjatë kësaj periudhe Austria ishte udhëheqëse e radhës së BE-së) [17], Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, KnutVollebæk i cili gjatë luftës në Kosovë ishte udhëheqës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) [18],  dhe me shumë personalitete të tjera me ndikim politiko – diplomatik në shtetet perëndimore, përfshirë interesimin e madh të gazetarëve të huaj që i mundësuan Grupit Diplomatik të UÇK-së, mbajtjen e  konferencave dhe paraqitjen në debatet televizive dhe në mediat e shkruara në shtetet perëndimore[19], duke përfshirë edhe deklaratat fillestare nëmediat e huaja në emër të UÇK-së dhe në mbështetje të UÇK-së. [20] Rrjedhimisht, si rezultat i rëndësisë së hapjes së Zyrës së UÇK-së, në Prishtinë, dhe veprimtarisë intensive politike, diplomatike dhe mediatike, të Grupit Diplomatik të UÇK-së, duke e përfshirë Kryesinë dhe Këshillin  e Përgjithshëm të LPK-së, Dega jashtë vendit (përfshirë disa personalitete në kuadër të diasporës shqiptare dhe në përgjithësi aktivitetet pro UÇK-së  të diasporës shqiptare), u arrit të ndryshohet qasja refuzuese dhe paragjykuese që ishte krijuar për UÇK-në, në kuadër të institucioneve politike ndërkombëtare. Në këtë kontekst më 23 shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, miratoi Rezolutën 1199, që shënoi një ndryshim cilësor lidhur me qëndrimin ndaj UÇK-së. Në lidhje me këtë, studiuesi Daniel Cservolgyi, përveç të tjerash, shkruan: “Pas riklasifikimit të saj, UÇK-ja u bë një lojtar i domosdoshëm në procesin e paqes në Kosovë. Përfshirja e UÇK-së në bisedimet për zgjidhjen e konfliktit kishte ndodhur tashmë gjatë procesit të riklasifikimit të saj në qershor-korrik 1998, pas të cilit, UÇK-ja nuk u lidh më kurrë përsëri me terrorizmin në deklarata të gjera politike. Më pastaj, në shtator të vitit 1998, të gjithë anëtarët e KS të OKB-së nënshkruan Rezolutën nr. 1199, e cila e mbishkroi ose e zëvendësoi në shumë fusha Rezolutën e marsit nr. 1160”. [21]

Kjo ishte me rëndësi sepse propaganda e regjimit serb përpiqej, përveç të tjerash, ta paraqesë UÇK-në në arenën ndërkombëtare si një organizatë terroriste dhe si organizatë fundamentaliste fetare.  Për më tepër, kjo ishte e një rëndësie të veçantë, sepse shqiptarët e Kosovës prej vitit 1912, në disa raste kishin korrur suksese gjatë betejave ushtarake, por tani si UÇK për të parën herë korrnin suksese gjatë betejave të njëpasnjëshme diplomatike, duke i përforcuar dhe siguruar binarët drejtë imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës në Egzil në krye me Bujar Bukoshin, krijoi konfuzion gjatë mesit të pranverës së vitit 1998, me iniciativën për formimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), njëkohësisht iniciativë shumë e vonuar, ngaqë kishte pasur në dispozicion gati dhjetë vjet për të formuar një ushtri dhe nuk e formoi e, gjithashtu, edhe iniciativat nga grupet që kishin treguar gatishmëri dhe guxim brenda LDK-së, të cilat përfaqësoheshin nga Sali Çekaj etj., u ndërprenë dhe u demotivuan si rezultat i mosmbështetjes së duhur që nga viti 1991/92. Për më tepër, kjo iniciativë ishte konfuze në kuptimin e ndërtimit të një strukture paraleleushtarake krahas UÇK-së por, fatmirësisht, persona të përgjegjshëm, të udhëhequr nga Sali Çekaj etj., treguan maturi duke e orientuar këtë strukturë si përforcim në kuadër të UÇK-së dhe jo si rivale e saj, në kuptimin se FARK-u ishte pjesë e UÇK-së. Kjo gjë edhe u përsqarua në bisedimet në mes të përfaqësuesve të UÇK-së dhe të FARK-ut, në Takimin e Oslos. Kështu që në këtë vazhdë, FARK-u, u bë edhe formalisht pjesë e UÇK-së, duke iu përmbajtur siglës dhe strukturës organizative të UÇK-së, por në nivel të njësive udhëhiqej nga komandantët e emëruar nga ministri i Mbrojtjes në qeverinë Bukoshi, koloneli me përvojë  të gjatë ushtarake,Ahmet Krasniqi etj. Në fakt, kyçja paraprakisht e disa ushtarakëve profesional shqiptar (me prapavijë ushtarake profesionale nga ish – armata jugosllave, dhe me prapavijë profesionale ushtarake nga armata e shtetit shqiptar), dhe në këtë vazhdë kyçja edhe e ushtarakëve të tjerë (me prapavijë ushtarake nga ish – armata jugosllave), të inkurajuar nga Kolonel Ahmeti Krasniqi, e fuqizuan UÇK-në, deri në një masë, edhe në aspektin profesional ushtarak.

Për Takimin në Oslo në muajin maj të vitit 1998, në mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe të FARK-ut, është përkujdesur Bashkësia Shqiptare në Norvegji (BSHN), e cila përfshinte brenda vetes të gjitha subjektet politike dhe kulturore shqiptare në Norvegji, pa dallim bindjesh politike dhe fetare, me një qëllim të përbashkët: në përkrahje logjistike, politike dhe diplomatike të UÇK-së, si mjet i fundit për kyçjen e çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare. Suksesi më i madh i Takimit në Oslo, përkundër sfidave, është se ka arritur të shmang mundësinë potenciale të luftës vëllavrasëse në mes shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, meqë jo vetëm shërbimi serb por edhe disa shërbime të tjera – rajonale punonin me ngulm për të vu përçarje/vëllavrasje në mes shqiptarëve. Njëherësh edhe shërbimet tjera përtej – rajonale, punonin me ngulm që të kufizohej potenciali i fuqizimit ushtarak për UÇK-n, në mënyrë që lufta në Kosovë të mos përshkallëzohej (përtej kufijve të Kosovës) dhe veçanërisht që UÇK të vihej nënkontrollin e faktorëve relevant ndërkombëtar. Rrjedhimisht kush nuk ishte në takt me këto qëndrime të faktorëve relevant ndërkombëtar, konsiderohej prej tyre i paakseptueshëm për bashkëpunim madje edhe i rrezikshëm. Me fjalë të tjera, u pamundësua evoluimi i UÇK-së në një ushtri me mobilizim të përgjithshëm kombëtar dhe me profesionalizëm të plotë ushtarak. E tëra rezultojë me Konferencën e Rambujesë.

Udhëheqja politiko-ushtarake e Kosovës, u sfidua shumë nga dokumenti i propozuar për negociata në Konferencën e Rambujesë ngaqë në pikënisje, ky dokument garantonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative Jugosllave (RFJ-së) de facto të Serbisë, mbi Kosovën, dhe parashihte një autonomi për Kosovën që nuk ishte në nivel as me autonominë që kishte Kosova në bazë të Kushtetutës të vitit 1974. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçi, sa e kishte privilegjin po aq e kishte të vështirë pozitën e kryesuesit të delegacionit. Për më tepër, ishte nën hijen, në kuptimin e presionit psikologjik, të dy personaliteteve më me ndikim politik në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Kjo gjendje, në fakt, e ndihmoi HashimThaçin, ta gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Brenda kështjellës e kishte simbolin e rezistencës paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovën, i cili, me personalitetin e tij si misionar i paqes e rriste presionin psikologjik pro nënshkrimit gjithsesi të një marrëveshjeje si rrugë drejt paqes. Jashtë kështjellës e kishte simbolin e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, njëherësh prijës emblematikpolitik i UÇK-së, Adem Demaçin, i cili (edhe pse e kishte refuzuar që në fillim dokumentin e propozuar për negociata), me ndikimin që kishte, e rriste presionin psikologjik nëkuptimin që të mos pranohet ndonjë zgjidhje pa asnjëperspektivë politike për Kosovën, dhe kështu tërthorazindikonte për forcimin e pozicionit negociues të delegacionitshqiptar të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Madje edhe Madeline Albright në librin e saj Madam Secretary: a memoir, përveç të tjerash, shkruan se Demaçi ishte: “Një prej atyre që i bënin presion Thaçit ta ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm.” [22]   Në këtë vazhdë, pasi që u premtua se zgjidhja finale për Kosovën do të bazohet në vullnetin e popullit (edhe pse shprehja “vullneti i popullit” nuk ishte e konkretizuar) [23], delegacioni i shqiptarëve të Kosovës, i kryesuar nga Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova, në të cilin kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Rexhep Qosja dhe Veton Surroi (bashkërisht me delegatët e tjerë), e pranoi propozimin për Marrëveshjen e Rambujesë dhe e nënshkroi më 18 mars 1999 në Paris të Francës, e gjithë kjo në kombinim me refuzimin e Milošević-it të kësaj marrëveshje, rezultoi meintervenimin ajror të NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës. Sipas ballkanologut norvegjeze Svein Mønnesland, Milošević-i e refuzoi marrëveshjen e Rambujesë sepse nuk pranoi, siç parashihte kjo marrëveshje, stacionimin e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO dhe se kjo marrëveshje pas tre vjetësh parashihte një lloj referendumi për Kosovën.[24] Këto dy arsye kryesore në lidhje me refuzimin e marrëveshjes së Rambujesë nga Milošević-i, janë konfirmuar para rreth një viti edhe nga Vuk Drašković (ish-kryediplomat i Serbisë gjatë Konferencës së Rambujesë) në një interviste të tij për një TV të Kosovës. Në këtë intervistë, Draškovićgjithashtu jap edhe një shpjegim tjetër shtesë pse Miloševići e refuzoi marrëveshjen e Rambujesë, ku përveç të tjerash thotë: “Personalisht mendoj se Milošević-i, i kishte disa arsye të vetat që e refuzojë marrëveshjen e Rambujesë. Deri para luftës në Kosovë dhe deri para bombardimeve të NATO’s, Milošević-i në botë njihej si agresor. Si një njeri që qëndronte prapa të gjitha krimeve dhe agresioneve në Bosnje e Kroaci. Por, ai tani përnjëherë dëshironte të ishte në pozitën e viktimës. Dhe, që bota ta njihte si dikë që ishte viktimë e agresionit të forcës më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit. Nuk e di, ndoshta kjo ishte njëlloj kënaqësie për te”. [25]

Në përfundim të kësaj eseje vlen të theksohen disa aspekte sa i përket intervenimit të NATO-së. Së pari, intervenimi kishte të bënte me aspektin e sigurisë (për shkak të pozitësgjeografike të Kosovës) që njëkohësisht e legjitimontendërhyrjen e NATO-s. Në kuptimin se konflikti në Kosovë përfaqësonte një kërcënim tejet serioz për stabilitetin dhe sigurinë në zonën thelbësore të NATO-s (jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë rajonin). Kjo do të thotë se kriza në Kosovë ishte një kërcënim për sigurinë edhe për shtetet anëtare të NATO-s, prandaj NATO kontribuoi jo vetëm në shmangien e një kërcënimi madhor të sigurisë, por edhe për t’u konsoliduar më mirë dhe për t’u zgjeruar në Ballkan. Ndërhyrja e NATO-s ishte gjithashtu në masë të madhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të bazuar në dispozitat e Kartës së OKB-së për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe në rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Me fjalë të tjera, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e trajtoi krizën në Kosovë në përputhje me Kapitullin VII të Kartës së OKB-së -kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare të cilat mund të autorizojnë përdorimin e forcës. Prandaj, nuk kishte nevojë të domosdoshme për një rezolutë/autorizim eksplicit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Së dyti, aspekti humanitar vjen si shtesë dhe pothuajse si faktor vendimtar, ngase ishte hera e parë që NATO sulmoi një shtet sovran me justifikimin në konceptin e ndërhyrjes humanitare. Si aspekti i sigurisë ashtu edhe ai humanitar duhet parë si vazhdimësi e Procesit të Helsinkit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Përkatësisht si vazhdimësi e konsolidimit më të fortë të politikave të sigurisë/paqes në Evropë përmes NATO-s dhe njëherësh si vazhdimësi e forcimit të qëndrimit se parimi i të drejtave të njeriut peshon më shumë se sa parimi i mosndërhyrjes në shtete, në rastet kur regjimet shtetërore shkelin rëndë të drejtat themelore të qytetarëve të vet dhe rrjedhimisht krijojnë kriza të rënda humanitare. Në lidhje me këtë aspekt humanitar të intervenimit të NATO-s, vlen të citojmë Václav Havel-in, si një nga aktivistët emblematik për mbrojtjen e parimit të drejtave të njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit, bazuar në Deklaratën e Helsinkit (1975), i cili për gazetën franceze “Le Monde” më 29 prill 1999, përveç të tjerash thotë: “Mendoj se në ndërhyrjen e NATO-s, ka një gjë që askush nuk mund ta kundërshtoj: sulmet dhe bombat nuk janë të nxitura nga ndonjë interes material. Karakteri i tyre është ekskluzivisht humanitar. Këtu kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, që janë prioritet. Dhe këto të drejta qëndrojnë mëlart se sovraniteti i shteteve. Ja çka e bën të ligjshme sulminkundër Federatës Jugosllave, edhe pse nuk e ka mandatin e Kombeve të Bashkuara.” [26]  Ndërsa, intelektuali dhe humanisti serb, Srđa Popović, gjatë fushatës ajrore të NATO-s, në një intervistë të botuar në ‘Feral tribune’, më 19.04.1999, përveç të tjerash thotë: “Perëndimi e kurseu Milošević-in për një kohë shumë të gjatë dhe u përpoq t’ia fshehë publikut fytyrën e tij të vërtetë…(…) Për Perëndimin, pas gjithçkasë që bëri në Kroaci, Bosnje e Kosovë, Milošević-i u bë thjesht i padurueshëm. Nuk mund të tolerohej më. Këtë që po ndodh tash, Perëndimi po e bën sepse nuk e bëri kur ishte e nevojshme. Dhe kjo ishte e nevojshme, për mendimin tim, kur u bë e qartë se çka po bëhej në Vukovar ose kur filloi rrethimi i Sarajevës ose kur ndodhi Srebrenica. Kishte një milion arsye… (…) Milošević-i ka natyrën e bishës, që vazhdimisht duhet të hyjë në konflikte dhe kriza të reja, duke i dhënë rëndësi vetes, duke u ofruar si bashkëbisedues i domosdoshëm dhe faktor i rëndësishëm politik. Perëndimi thjesht u ngop me këtë… (…) Unë jam pacifist dhe kundër çdo dhune. Por, megjithatë mendoj se ndërhyrja duhej të bëhej. Madje erdhi shumë vonë. E kam thënë publikisht se do të duhej të bëhej pas Vukovarit ose më së voni kur filloi agresioni ndaj Bosnje-Hercegovinës. U bë e qartë se nuk kishte rrugë tjetër për ta ndalë Milošević-in. Po të ndodhte kjo, shumë viktima do të ishin parandaluar, e ndërhyrja do t’i kishte ndihmuar edhe popullit serb. Domethënë, nuk do të kryheshin shumë krime, për të cilat serbët si komb kanë emër të keq. Popullit serb i duhej një disfatë ushtarake edhe për arsye psikologjike, për të kuptuar sa e gabuar ishte e gjithë kjo politikë. Dukej sikur i gjithë populli kishte marrë drejtimin e gabuar në një udhëkryq dhe po zhytej thellë e më thellë në katastrofë…(…) Besoj se u bë gabim i madh kur vendet perëndimore nuk e dënuan Armatën Popullore të Jugosllavisë dhe Milošević-in për atë që ata vërtet janë fajtorë, e që është gjenocidi. Madje, gjenocid i përsëritur – pas gjenocidit të kryer në Bosnje, tani po kryejnë gjenocid të ri në Kosovë. Këtu në Amerikë, kjo fjalë vështirë veçohet e përdoret sepse komuniteti hebre dëshiron, si të them, ta ruajë monopolin mbi atë kualifikim, duke thënë se nuk është gjenocid, meqë ndaj tyre është kry gjenocidi i vërtetë, çka është e pakuptimtë”.[27] 

Së treti, aleanca e NATO-s kundër regjimit të Milošević-it, ka qenë aleancë kundër një regjimi  (siç kanë qenë aleancat kundër regjimit të Hitlerit dhe kundër shembujve të tjerë të regjimeve tiranike në botë), dhe nuk ka qenë aleancë kundër popullit serb. Gjithashtu, edhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi kanë qenë përpjekje kundër regjimit të Millosheviqit (duke përfshirë regjimet e mëparshme shtypëse të shtetit serb ndaj shqiptarëve),  dhe jo kundër popullit serb. Si shembull për këtë  vlen ti referoheminjë fragmenti nga libri i historianit Noel Malcolm, që dëshmon se që në fillesën e tyre, përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi të frymëzuara nga kryeideologu Hasan Prishtina, kanë qenë të drejtuara kundër regjimit serb dhe jo kundër popullit serb, në lidhje me këtë, Malcolm përveç të tjerash shkruan: “Shumica e udhëheqësve politikë të Kosovës të kohës së luftës tashmë ishin larguar nga territori i Kosovës, një grup i tyre, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, u mblodh në Shkodër në nëntorin e vitit 1918 dhe e formoi Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, i njohur më mirë si Komiteti i Kosovës…(….) Ç’është e vërteta, Komiteti i Kosovës pjesën më të madhe të energjisë ia kushtoi përkrahjes, deri në një shkallë edhe udhëheqjes së Lëvizjes Kaçake brenda Kosovës. Në fillim të vitit 1919, ky komitet përgatiti një varg rregullash të përgjithshme të lëvizjes, duke filluar me këto dy pika; 1: asnjë kryengritës nuk bën t’i lëndojë serbët vendës, por vetëm ata të cilët rrokin armët kundër shqiptarëve; 2: asnjë kryengritës nuk bën të djegë ndonjë shtëpi apo të rrënojë ndonjë kishë” [28]  Madje simboli i shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, Adem Demaçi, edhe pse i kaloi 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë, mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes ndëretnike, duke konsideruar se populli serb po manipulohet nga pushteti dhe se një popull i tërë nuk duhet të identifikohet me asnjë klasë politike në pushtet. Rrjedhimisht, për Demaçin nuk kishte popuj të këqij por vetëm regjime të këqija, gjithashtu nuk harronte tivlerësonte intelektualët serbë, të cilët ishin mjaft të guximshëm për të gjetur mënyra për të artikuluar kundërshtimin e tyre ndaj autoriteteve serbe: BogdanBogdanović, Milan Nikolić, Zagorka Golubović, SrđaPopović, Lazar Stojanović etj., duke i konsideruar si bijtë e vërtetë të popullit serb. [29] 

Së katërti, edhe pse, intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk ndodhi sikurse intervenimi për çlirimin e Kuvajtit në vitet 1990-’91 nga aleatët perëndimorë (të cilët përdorën trupat tokësore).

Njëherësh, edhe pse gjatë periudhës 78 ditëshe të sulmeve ajrore të NATO-s (që filluan me 24 mars 1999 me qëllim për të ndal gjenocidin e regjimit të Milošević-it në Kosovë), Milošević-i, u hakmor në popullatën e pambrojtur civile shqiptare të Kosovës, duke kryer krime me përmasa gjenocidiale.  Në fakt, Miloševići u ndal vetëm pasiqë NATO e kërcënoi  me përgatitjen e sulmeve me trupat tokësore, madje edhe vetë gjenerali Wesley K. Clark e vërteton këtë në njëfarë mënyre se sikur të kishin filluar që në fillim përgatitjet për intervenim tokësor do të shpëtoheshin shumë njerëz të pafajshëm. Në librin e tij Waging Modern War (2001), përveç të tjerash, shkruan: Planifikimi dhe përgatitjet për ndërhyrjetokësore ishin në proces aty nga fundi i fushatës ajrore dhe unë jam i bindur se kjo, në veçanti, e shtyu Miloševići-n tëdorëzohet.[30] Gjithashtu, edhe pse ndihma për Kosovën (si rezultat i intervenimit ajror  të NATO-s) nuk është shembull i izoluar, ngase historia na mëson se nuk ka popull që është çliruar krejtësisht vet ose shtet që është formuar krejtësisht vet, pa ndihmën më shumë dhe më pak e të tjerëve/të huajve. Megjithëkëtë, shqiptarët e Kosovës janë dhe do të mbesin përgjithmonë mirënjohës për ndihmën e të huajve për  arritjen dhe forcimin e paqes në Kosovë, sepse mirënjohja është edhe pjesë e rëndësishme e traditës shqiptare. Për më tepër, siç thotë filozofi i shquar gjerman Emanuell Kant, mirënjohja është “detyrë e shenjtë”.

Krejtësisht në përfundim të kësaj eseje, vlen të theksohet se parakusht kryesorë dhe i domosdoshëm për ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës, ishte UÇK-ja (duke e përfshirë edhe kontributin e Lëvizjes Paqësore të Kosovës), që arritën më shumë dhe më pak në kuptim komplementar që çështjen e Kosovës (që kishte mbetur çështje e pazgjidhur prej vitit 1912) ta imponojnë për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, dhe me sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës, shërbyen si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, në krye me ShBA-në (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s).

Njëherësh, në kuadër të kësaj game të faktorëve kryesorë që quan në çlirimin përfundimtar të Kosovës, vlen të theksohet se në rastin e Kosovës, intervenimi ushtarak ajror i NATO-s, ka pasur të bëjë shumë edhe me presionin moral ndaj shteteve perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare (NATO-s, OKB-s etj.), në kuptimin për të ndërmarr diçka për të ndalur regjimin vrastar të Milošević-it. Ngase ky presion moral zhvillohej brenda vet shteteve perëndimore, nga mediat, OJQ-tetj. Për më tepër, ky presion zhvillohej kryesisht si rezultat i aktiviteteve intensive  të diasporës shqiptare, e veçanërisht si rezultat i veprimtarisë intensive të anëtarëve të Grupit Diplomatik të UÇK-së në shtetet perëndimore, që në fakt nëpërmes takimeve dhe komunikimeve të suksesshme fillestare në emër të UÇK-së (me diplomat, politikan, intelektual, gazetar etj., me ndikimin në shtetet perëndimore) i përforcuan dhe i siguruan binarët drejtë imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare.Krahas Grupit Diplomatik të UÇK-s, një rrol të rëndësishëm e kanë pasur edhe Kryesia dhe Këshilli  i Përgjithshëm i LPK-së, Dega jashtë vendit (duke përfshirë kontributin edhe të disa personaliteteve në kuadër të diasporës shqiptare). Në fakt e gjithë kjo veprimtari ishte edhe kulminacion i përpjekjeve të vazhdueshme dhe  të përgjithshme të ish-emigracionit politik shqiptar (dhe të diasporës shqiptare në përgjithësi) drejt çlirimit përfundimtar të Kosovës.

______________

REFERENCAT:

[1]Emrush Xhemajli (2021): Dita e pagëzimit të UÇKsë: https://kosovapress.com/%E2%80%8Bdita-e-page zimit-te-uck-se/

[2] Besim Muhadri (2010): Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar u themelua si një organizatë politikoushtarake:http://www.zemrashqiptare.net/news/14320/besim-muhadri-fronti-i-rezistences-dhe-i-bashkimitkombetar-u-themelua-si-nje-organizate-politikoushtarake.html?skeyword=a

[3]Emrush Xhemajli (2002): Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002: http://lpkkosova.com/historiku.html

[4]Po aty

[5]Emisioni “Rasti V – VI”, pjesa 1 dhe 2, mysafir: IbishNeziri etj. (2019): https://www.youtube.com/watch?v=RBW2PLxy9K4 dhe https://www.youtube.com/watch?v=JGS8QgABPSw&feature=youtu.be

[6]Zëri i Kosovës, nr. 15, 15 shtator 1993, programi i LPK-së, f. 4.

[7]Intervistë televizive e Xhafer Shatrit në KTV – Kohavision– DESKU, më 08.09.2020: Telashet e Kosovës – Xhafer Shatri, Desku, 08.09.2020, YouTube.

[8] Intervistë e Xhafer Shatrit për Gazetën zvicerane Le Temps, më 02. 07. 1998: https://www.letemps.ch/suisse/geneve-un-attentatvise-tres-discret-ministere-kosovar-linformation

[9] Emrush Xhemajli (2002): Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002: http://lpkkosova.com/historiku.html

[10] Intervistë televizive e Nait Hasanit në TV – Pressing T7,më 19. 04. 2023: Rrëfimi për Tribunalin, burgun, UÇK’në.: https://www.youtube.com/watch?v=fA0RgxX7CzU  Shihedhe rrëfimin e rrallë të Jakup Nurës, shokut të Adem Jasharit, në TV – Pressing T7 : https://www.youtube.com/live/m23TJau-Bhk

[11]Emrush Xhemajli (2002): Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002: http://lpkkosova.com/historiku.html

[12] Po aty

[13] Intervistë televizive e Nait Hasanit në TV – Pressing T7,më 19. 04. 2023:Rrëfimi për Tribunalin, burgun, UÇK’në.: https://www.youtube.com/watch?v=fA0RgxX7CzU 

[14 ]Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f. 368.

[15]   Lajmi.net (2020): 22 vjet nga Epopeja e Dukagjinit: https://lajmi.net/22-vjet-ngaepopeja-e-dukagjinit/  

[16] Intervistë e Bardhyl Mahmutit për gazetën Epoka e Re, më 25.09.2023:  https://www.epokaere.com/interviste-ekskluzive-me-bardhyl-mahmutin-si-u-hoq-cilesimi-i-uck-se-si-organizate-terroriste-1/

[17] Sabri Kiçmari (2017): Fitorja diplomatike: Kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prishtinë: Epoka e re., f. 62-70

[18] Intervistë e Bardhyl Mahmutit për gazetën Epoka e Re, më 20. 12. 2023:  https://www.epokaere.com/deklarata-politike-numer-7-i-hapi-dyert-e-diplomacise/?fbclid=IwAR3

[19]  Po aty

[20] Gazeta Bujku (10 dhjetor 1997): Mjetet skandinave të informimit rreth ekzistimit dhe aksioneve të UÇK-së. Shih në lidhje më këtë edhe në nyjën në vijim: https://www.scribd.com/document/557546433/Politika-Nordike-dhe-Levizja-Popullore-e-Kosoves-LPK , f. 203 – 207

[21]  Daniel Cservolgyi (2002): The role and ramifications of the Kosovo Liberation Army`s reclassification in the peace process of Kosovo. Naval Postgraduate School Montery, California : AD1173258.pdf (dtic.mil)

[22]  Madeleine Albright (2003): Madam Secretary: a memoir. Miramax Books. United States, f. 404.

[23]  Rambouillet Accords: Interim Agreement for Peace and Selv-Government in Kosovo 1999, f. 85: https://peacemaker.un.org/sites/peacemaker.un.org/ files/990123_RambouilletAccord.pdf

[24]  Svein Mønnesland: Før Jugoslavia ogetter, SyspressForlag, Oslo, 2006, f. 359.

[25]  Intervistë ekskluzive me Vuk Drashkoviqin, flet për krimet serbe dhe për raportet me shqiptarët (05.06 2023) :   https://www.youtube.com/watch?v=K6R-lxnfF-w&t=2727s )

[26] Intervistë e  Vaclav Havel për gazetën franqeze  “Le Monde” ( 29. 04. 1999): Moi aussi je me sensalbanais: https://www.lemonde.fr/archives/article/1999/04/29/moi-aussi-je-me-sens-albanais_3554258_1819218.html, shifedhe: Libquotes: Václav Havel Quote;  https://libquotes.com/václav-havel/quote/lbz0b6j

[27] Shkëlzen Gashi (2024) Serbia Tjetër 3, Srda Popovic, Botues: Admovere : Fragmente nga intervista “Srpski spaszove se Haag” (Shpëtimi sërb quhet Hagë), realizuar nga Darko Vukorepa, botuar në ‘Feral tribune’, 19.04.1999, Split:  https://admovere.org/wp-content/uploads/2024/03/Serbia-Tjeter-3.pdf

[28] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f. 284-285

[29] Shkëlzen Gashi (2010): Adem Demaçi, biografi e paautorizuar. Shtëpia Botuese Rrokullia., f. 99 – 101

[30] Wesley Clark: Waging Modern War. Public Affairs Ltd., 2001, f. 429.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...