Vehabizmi është një lëvizje fetare, ose degë e Islamit, e zhvilluar në shekullin e 18-të në Arabinë Saudite nga teologu mysliman, Muhamed in Abd al-Vahab. Njihet si një formë më e rreptë e Islamit që insiston në interpretimin fjalë për fjalë të Kuranit.
Kritikët thonë se kjo ngurtësi e vehabistëve ka çuar në keqinterpretimin dhe shtrembërimin e Islamit, duke drejtuar gishtin kah ekstremistët si Osama bin Laden dhe talibanët.
Sot, në diskursin mediatik, fjala vehabizëm lidhet me lëvizjet ekstremiste, që në rastet më radikale kryejnë sulme terroriste në emër të Allahut, edhe pse studiuesit e kësaj rryme thonë se vetë teoricieni Muhamed in Abd al-Vahab nuk e ka mbështetur dhunën.
Sidoqoftë, a ekziston lëvizja vehabiste në Kosovë?
Dyshime për individë të caktuar që mund ta ndjekin këtë rrymë të Islamit ka, por mungojnë provat, si nga Policia, ashtu edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
Në Policinë e Kosovës thuhet se vendi nuk është i rrezikuar as nga grupet radikale islame, as nga ndonjë formë e terrorizmit.
Këtë përfundim, zëdhënësi Baki Kelani e jep duke u bazuar në këmbimin e informacioneve me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me Bashkësinë Islame të Kosovës.
“Kosova nuk është në një mënyrë të drejtpërdrejtë e rrezikuar nga sulmet terroriste, por Kosova nuk mund të jetë imune nga rreziqet që sillen nga sulmet e tilla. Në bazë të disa vlerësimeve, qofshin ato edhe ndërkombëtare, populli i Kosovës nuk llogaritet që është një popull, i cili mund të përfshihet në raste të tilla terroriste. E potencova se nuk paraqitet ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë nga grupet e tilla”, thotë për Radion Evropa e Lirë Baki Kelani.
Në shtetin me më shumë se 90 për qind të popullatës që i përket besimit islam, feja nuk është faktor kryesor në jetën publike dhe këtë e vë në pah edhe një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare në botë.
“Retorika fetare mungon në masë të madhe në diskursin publik të komuniteteve myslimane, ndërsa pjesëmarrja në xhami është e vogël. Por, veshja islamike, edhe pse jo shumë e shpeshtë, ka shënuar rritje”, thuhet në raport.
Në të njëjtin vihen në pah shqetësimet e Bashkësisë Islame të Kosovës për grupet radikale islamike, për të cilat thuhet se po veprojnë nga shtëpitë private dhe “udhëhiqen nga persona që nuk janë të Kosovës”.
Elemente që devijojnë nga Islami tradicional
Vërshimi i organizatave të ndryshme joqeveritare në Kosovën e pasluftës, sipas drejtorit për media dhe veprimtari botuese të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka futur edhe elemente fetare që kanë devijuar nga praktikimi i Islamit tradicional në Kosovë.
“Edhe këtu po përflitet, po përdoret termi vehabist, termi selefist... Është e vërtetë që, sidomos pas luftës, prania e shoqatave të ndryshme nga vende të ndryshme të lindjes dhe të perëndimit në Kosovë ka bërë që të hasim dukuri të reja. Në aspektin islam, kemi diçka të tillë që është e pranishme, siç është praktikimi i namazit - po lidhem konkretisht te namazi, apo te forma e të falurit dhe aty-këtu te dukuria e veshjes, ku hasim njerëz me mjekra të gjata dhe me pantallona të shkurtër. Nuk do të thosha se kemi një tendencë në rritje. Përkundrazi, ndoshta para disa viteve ka qenë shumë më e theksuar sesa tani”, thotë Sadriu.
Njerëz me veshje dhe dukje të tillë, siç i përmend Sadriu, në muajt e kaluar kanë organizuar një sërë protestash në Prishtinë, me kërkesat për ndërtimin e një xhamie të madhe në kryeqytet dhe lejimin e bartjes së shamisë në shkollat fillore dhe të mesme.
Njëri nga pjesëmarrësit në këto protesta ishte edhe Fuad Ramiqi, një ish-ushtarak dhe politikan kosovar. Ndaj tij, sikurse edhe ndaj Lëvizjes Bashkohu, u drejtuan akuza se i përkasin rrymës vehabiste.
“Nuk i përkas asnjë sekti, përpos që jam mysliman. Tendencat që të më lidhin me vehabizëm, janë tendenca që kanë zanafillë në qarqet anti-islame edhe jashtë Kosovës, edhe jashtë Ballkanit. Qëllimi është që të destabilizohet në përgjithësi çështja e bashkëjetesës së një shoqërie demokratike - kinse në Ballkan e Kosovë mund të ketë grupe të tilla. Por, tendencat shkojnë kah ato që të paraqitet Islami si frikë për njerëzimin”, thotë Ramiqi, duke kritikuar edhe vetë Bashkësinë Islame të Kosovës se po promovon një Islam tradicional kosovar, e që, sipas tij, nuk ekziston.
Mysafirë të paftuar
Ahmet Sadriu shpjegon se kërkesat e paraqitura në protestë, BIK-u i ka adresuar në vija institucionale. BIK-u nuk i ka mbështetur protestat ku ka marrë pjesë Ramiqi, duke thënë se pas tyre fshihen shërbime të huaja.
“BIK-u kaherë ua ka bërë me dije institucioneve tona se ka njerëz që futen brenda Kosovës e që janë mysafirë të paftuar dhe të pakontrolluar. U kemi bërë kërkesë institucioneve tona që të mos lejojnë të futet kushdo këtu dhe të na shkaktojë trazira apo telashe. Brenda këtyre protestave që kanë ndodhur, kemi pasur elemente që kanë qenë jo të Kosovës, pjesëmarrës që kanë qenë edhe prej trojeve tjera shqiptare - Maqedonisë, Shqipërisë - për të cilët i kemi vënë në dijeni organet tona relevante. Ka qenë grup i vogël, e që nuk besoj se në të ardhmen shkakton rrezik për sigurinë e Kosovës”, thotë Sadriu.
Një vit më parë, nën dyshimet për aktivitete të paligjshme, autoritetet e Kosovës patën dëbuar në Shqipëri Kastriot Dukën, imamin e vetëshpallur në Xhaminë e Marinës së Skenderajt.
Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, duke marrë parasysh rrezikun nga sulmet terroriste pas ngjarjeve të 11 Shtatorit në SHBA, ka hartuar një strategji kundër terrorizmit.
Në dokument thuhet se Kosova kërcënohet nga grupe të jashtme që mund të kenë ndikim radikalizimin e grupeve brenda Kosovës.
“Pozita gjeostrategjike e Kosovës, përveç që krijon mundësinë për ta bërë vendin tonë si cak transiti për aktivitete ilegale dhe trafiqe të ndryshme, paraqet rrezik edhe për shpërndarjen e sindromës së terrorizmit, veçanërisht të atij me bazë të fundamentalizmit religjioz. Në frymën e kësaj, edhe përbërja religjioze e popullatës sonë me shumicë islame mund të përdoret si element për zgjerimin e influencës në rajon”, thuhet në dokument.
“Shpeshherë, kjo përbërje mund të shfrytëzohet si alibi për të ndryshuar fokusin nga elementet tjera që janë të pranishme në Kosovë dhe rajon, e që për qëllime politike të paraqesin Kosovën si vend, i cili strehon, mbron, rekruton, trajnon dhe sponsorizon terrorizmin”, thuhet në strategjinë, e cila synon mbrojtjen e të gjitha komuniteteve nga ndikimet e këtyre grupeve, si dhe parandalimin e luftimin e kësaj ideologjie.
Kosovari vret dy ushtarë amerikanë
Kosovari vret dy ushtarë amerikanë
Kosovarë me shtetësi të huaj, si në SHBA e Gjermani, janë akuzuar për sulme terroriste, të motivuara nga Islami radikal. Ndërsa, edhe në Kosovë ka individë të ndryshëm që janë akuzuar për përfshirje në komplote terroriste.
Një nga ta është Asllan Bajrami, njëri nga njerëzit më të kërkuar të FBI-së, nën dyshimin për mbështetje të veprave terroriste. Ai jeton lirshëm në Mitrovicë, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. EULEX-i thotë se nuk ka bazë ligjore për ta ekstraduar. Sidoqoftë, këto trajtohen si raste të izoluara.
Një hulumtim i bërë nga Qendra për Studime Humanistike, Gani Bobi, vë në pah se Kosova nuk rrezikohet nga radikalizmi fetar. Bashkautori i hulumtimit, Shkëlzen Maliqi, shpjegon më shumë:
“Në vetë deklarimet se sa janë besimtarë e sa janë tolerantë, rezultatet tregojnë se shumica dërrmuese e kosovarëve, besimtarëve, edhe atyre myslimanë, përkatësisht 92 për qind kanë orientim pro-perëndimor, e vetëm 4 për qind tregojnë një formë të deklarimit anti-perëndimor dhe mendojnë se feja është më e rëndësishme sesa vlerat tjera”.
Sipas Kushtetutës së saj, Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Por, Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare.
Duke marrë për bazë dispozitat kushtetuese, së fundmi, Kuvendi i Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën për futjen e lëndës fetare në shkollat publike në kuadër të Ligjit për arsimin para-universitar.
----------------------------------------
Organet e rendit të mos lejojnë hyrjen ekstremistëve fetar
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u bëri thirrje institucioneve të sigurisë që t’i kontrollojnë mirë kufijtë, pasi vlerëson se në Kosovë po hyjnë individë të dyshimtë, të cilët përmes aktiviteteve fetare po synojnë indoktrinimin e rinisë me frymë ekstremiste.
Në intervistën për Radio Kosovën, ai po ashtu rithekson kërkesën për futjen e lëndës së edukatës fetare nëpër shkolla dhe ndërtimin e xhamive të reja në qendër të Prishtinës.
Në intervistën për Radio Kosovën, ai po ashtu rithekson kërkesën për futjen e lëndës së edukatës fetare nëpër shkolla dhe ndërtimin e xhamive të reja në qendër të Prishtinës.
RADIO KOSOVA: Myfti, ju reaguat ashpër kur deputetët e Kuvendit të Kosovës refuzuan ndryshimet në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili do të mundësonte mësimin fetar dhe bartjen e shamisë në shkolla. Tash sikur keni heshtur. A ekziston ndonjë marrëveshje e fshehtë për këtë çështje apo thjesht po prisni derisa të vijë momenti për ta riaktualizuar këtë çështje? Të përmendim se, këto ditë Qeveria procedoi në Kuvend Projektligjin për liritë fetare, me këtë rast a janë marrë për bazë aty kërkesat e Bashkësisë Islame të Kosovës?
TËRNAVA: Kërkesa për zbatimin e lëndës fetare në shkollat publike në Kosovë, është një kërkesë e kamotshme e Bashkësisë Islame, që nga viti 1992, kur për herë të parë kërkesën ia kishim dërguar Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Atëherë na është thënë se do të shikohet mundësia në ditë më të mira dhe unë besoj se këto ditë kanë ardhur, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, në zemër të Evropës. Andaj, kërkesa e Bashkësisë Islame është me vend dhe në kohë të duhur. Kjo kërkesë synon që të gjithë fëmijët tanë të jenë të një niveli me njohuritë për fetë e tyre, me moshatarët në Evropë. Në fakt, kanë mbetur vetëm Kosova dhe Shqipëria pa e zbatuar këtë lëndë në shkolla. Andaj, edhe ligjërata ime për Bajram, nuk ka qenë e ashpër, siç po thoni ju, por ka qenë një ligjëratë e drejtë dhe në kohë të duhur. Parlamentarët e Kosovës janë të zgjedhurit e popullit dhe duhet t’i kenë parasysh kërkesat që dalin nga populli dhe zbatimi i lëndës fetare është kërkesë e besimtarëve të Kosovës. Atë ditë, në Parlament, paksa me dashje dhe padashje, janë fyer ndjenjat e besimtarëve dhe ky ka qenë shkaku që unë kam reaguar dhe do të reagojë prapë, nëse e kërkon nevoja. Nuk është se kemi heshtur, pasi kërkesa është e vazhdueshme, ne presim që institucionet tona të vetëdijesohen dhe të marrin këtë vendim të arsyeshëm e të plotësojnë edhe një prej standardeve evropiane.
RADIO KOSOVA: A jeni duke lobuar për të realizuar kërkesat tuaja? A keni kontakte me partitë politike dhe çfarë ju thonë ato?
TËRNAVA: Unë me të gjitha partitë politike kam kontaktuar; të gjithëve u kemi kërkuar, edhe Kryeministrit edhe Kryetarit të Parlamentit, por ende asgjë nuk është ndërmarrë. Ne presim që në një të ardhme të afërt të ndërmerret diçka. Edhe rasti për shamitë në shkolla është një kërkesë e jona, që nxënëset me shami të lejohen të vijojnë mësimin nëpër shkolla. Kosova është vendi i vetëm në Evropë ku nuk lejohet nxënësja me shami të shkojë në shkollë, dhe kjo besoj se është një shkelje flagrante mbi të drejtat elementare, të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Sot, t’ia mohosh të drejtën e shkollimit dikujt, për shkak të një shamie, është atak i drejtpërdrejtë, dhe t’i hapësh rrugën humnerës, humbjes dhe injorancës, këtë unë e konsideroj krim.
RADIO KOSOVA: Kur prisni të ndodhë kjo dhe nëse prapë i''''u refuzohet një kërkesë e tillë, a keni ndonjë plan se si do të veproni?
TËRNAVA: Besoj që Bashkësia Islame e Kosovës do të gjej mënyrën dhe mundësinë që në bashkëpunim me institucionet tona, gjithherë, që edhe lënda fetare dhe shamia të lejohen në shkolla.
RADIO KOSOVA: A ju është premtuar se kjo do të zgjidhet shpejt?
TËRNAVA: Po, sigurisht se po. Në atë kontekst, do të shikohet më vonë dhe kësaj pune do t’i gjendet zgjidhja.
RADIO KOSOVA: Një çështje tjetër që ngjalli shumë debat është vendi ku të ndërtohet xhamia e madhe në Prishtinë. Këtë ide e kanë kundërshtuar edhe përfaqësues të disa partive politike. A jeni marrë vesh me komunën e Prishtinës, se ku do të ndërtohet xhamia, apo ende jo?
TËRNAVA: Bashkësia Islame është mbipartiake dhe ne, sigurisht, bashkëpunojmë me gjithë ata që i prijnë institucioneve të Kosovës dhe të gjithë kanë kontribuar në krijimin e një infrastrukture të re për Bashkësinë Islame të Kosovës. Prishtina është paksa më e ndjeshme, pasi siç e shohim, ajo është më e ngulfatur dhe unë e kuptoj se i mungon një hapësirë qendrës së Prishtinës. Megjithatë, ne kemi kërkuar në vazhdimësi, tash e 12 vjet, që Prishtina duhet të ketë një xhami të madhe mu në qendër të saj dhe tri simbolet e feve autoktone të korrespondojnë njëra me tjetrën. Pasi është kisha ortodokse edhe katedralja, pra, aty e ka vendin edhe xhamia. Kuvendi Komunal i Prishtinës, për momentin, ka ndarë parcelën te parkingu i Postës së Re. Këto ditë jemi duke biseduar dhe do të shohim mundësinë e ndërtimit të një xhamie aty, por sigurisht, ne do të kërkojmë mundësinë e ndërtimit të xhamisë afër dy objekteve të feve të tjera, afër Universitetit të Prishtinës.
RADIO KOSOVA: Domethënë, po kërkoni ndërtimin e dy xhamive në qendër të Prishtinës?
TËRNAVA: Prishtina ka nevojë edhe për shumë xhami, jo vetëm në qendër.
RADIO KOSOVA: Unë po pyes a po kërkoni ndërtimin e dy xhamive në qendër të Prishtinës?
TËRNAVA: Nuk është qendër ajo atje te posta, nuk është bash qendër.
RADIO KOSOVA: Për vendin te posta jeni marrë vesh që të ndërtohet xhamia, në ndërkohë po kërkoni edhe një xhami afër katedrales, apo?
TËRNAVA: Dëgjo! Numri i xhamive që ka Prishtina deri tash, është i vogël. Kjo është bërë kur Prishtina ka pasur 18 mijë banorë. As për së afërmi xhamitë që janë në Prishtinë nuk përmbushin kërkesat e qytetarëve. I kemi gjithsej 6 mijë metra katrorë hapësirë që është tepër pak. Ju po e shihni edhe vet çfarë interesimi ka, në veçanti në faljen e namazit të xhumasë. Nesër, siç po shihet, do të jetë ditë më shi dhe ju si gazetar duhet të dilni dhe të shikoni xhematin se ku po falet, në baltë ose në diellin kërcëllues, në 37 gradë. Askush nuk po kërkon asgjë, pse kjo këtu e pse ajo atje, por vetëm për shkakun se është nevojë e besimtarëve. Sepse ka interesim më të madh për fe, nga rinia ka kërkesa të vazhdueshme për hapësirë më të madhe për falje të namazit të xhumasë. Ja, në Prishtinë, janë ndërtuar disa xhami por kemi lagje që nuk ka, si p.sh., Pejtoni, Lakërishta, Ulpiana, Arbëria etj.
RADIO KOSOVA: Ta sqarojmë edhe njëherë, Myfti! Jeni pajtuar tashmë me Kuvendin Komunal që xhamia e madhe të ndërtohet afër postës, apo jo?
TËRNAVA: Ai vend na përshtatet për ndërtimin e xhamisë.
RADIO KOSOVA: Por do të kërkoni edhe një tjetër në qendër?
TËRNAVA: Jo vetëm edhe një, por edhe shumë të tjera.
RADIO KOSOVA: E përmende interesimin e rinisë për fenë, në ndërkohë po debatohet mjaft për Islamin tradicional dhe rryma tjera të tij që po depërtojnë, jo vetëm në Kosovë, por edhe ne vende tjera të botës. Çfarë po bëni ju si Bashkësi Islame që kjo rini të përcjell traditën e Islamit që kemi trashëguar?
TËRNAVA: Është e mirë se i madhi Zot kur iu drejtua njerëzimit mbarë, fjalën e parë e tha: lexo! Andaj, i tha lexo, studio, mëso! Prandaj, absolutisht, nuk është mirë të gjykohen gjërat pa i ditur fare. Sepse këtu po na vije se paska Islam tradicional dhe jotradicional. Islami është një- dhe është kështu prej Ademit a.s., deri te Muhamedi a.s,-është një Islam. Kurani është një, porositë janë një. Ta kemi parasysh, se p.sh., kur shkojmë te mjeku dhe ai na shkruan barërat ne nuk guxojmë t’i konsumojmë në masë të madhe, pasi na dëmtojnë. Por duhet t’i konsumojmë aq sa është e nevojshme. Për atë Islami është mesatar dhe e do mesin, nuk do tejkalime.
RADIO KOSOVA: A po mbahet ky mes në Kosovë?
TËRNAVA: Kosova është shtet i ri. Kosova ka probleme të mëdha. Pra, nuk është problem, absolutisht, Islami në Kosovë, pasi ekzistojnë probleme tjera. Ndërsa ne, si Bashkësi Islame, jemi ata të cilët kemi luftuar dhe luftojmë që ta ruajmë mesin, sepse është parim kuranor që të jemi mesatarë, gjithnjë. Në fenë islame nuk ka vend as radikalizmi, as fundamentalizmi dhe as terrorizmi. Këto janë tri gjëra që janë armiku më i madh i Islamit. Ne si prijatarë të fesë islame i kemi luftuar dhe i luftojmë, sepse na urdhëron Zoti dhe thëniet e Muhamedit a.s., dhe e kemi për obligim ta ruajmë vendin tonë prej çdo të keqeje që i kanoset. Askush nuk ka të drejtë ta donë Kosovën më shumë se unë se ti, apo se tjetri.
RADIO KOSOVA: Çfarë duhet të dinë besimtarët mysliman në Kosovë, në mënyrë që të mos bien pre e ekstremistëve?
TËRNAVA: Fatkeqësisht edhe sot në Kosovë ende hyjnë njerëz pa kurrfarë kriteri, hyjnë persona të paftuar, hyjnë persona dhe individë, të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës. Ata nuk janë zyrtarë dhe mysafirë të Bashkësisë Islame. Ata po mundohen që një pjesë, në veçanti rininë, ta indoktrinojnë. Për këtë duhet të jemi shumë syçelë. Ministria e Punëve të Brendshme, EULEX-i dhe Qeveria në përgjithësi, duhet t’i kontrollojnë kush janë ata njerëz. Unë nuk mund t’i kontrolloj kufijtë e Kosovës, pasi nuk është punë e imja, por dua të deklarojë botërisht se ata individë që kanë ardhur në Kosovë nuk kanë ardhur me ftesën e Bashkësisë Islame. Bashkësia Islame ka programin e vet dhe e di rrugën të cilën duhet ndjekur. Ne i porosisim të gjithë xhematlinjtë tanë, të gjithë vëllezërit dhe motrat tona, që të mos bien pre e asnjë interesi të ngushtë, pavarësisht nga vije ai. Pasi nuk ka radikalizëm vetëm në fenë islame por edhe në fetë tjera, dhe ato janë prezente në Kosovë. Megjithatë, unë nuk shoh rrezik për ardhmërinë, mirëpo duhet që institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me ne, të punojnë dhe t’i çojnë në vend porositë fetare, ta ruajmë mesin, por jo duke i luftuar ndjenjat fetare.
RADIO KOSOVA: E përmenda Islamin tradicional sepse disa hoxhallarë kanë thënë se janë sulmuar fizikisht nga njerëz që kanë devijuar nga Islami tradicional. Çfarë është duke ndodhur? A duhet të ndjejnë frikë hoxhallarët?
TËRNAVA: Ne i kemi gjykuar të gjitha ato raste. E kemi ftuar dhe e ftojmë Policinë e Kosovës që sa më shpejt që është e mundshme, këto raste të zbulohen, sepse është vërtet ligështi dhe punë joburrërore të sulmohet imami ose hoxha. Kjo është për çdo kritikë dhe çdo gjykim, ne dëshirojmë që këta njerëz të marrin dënimin e merituar. E përmende edhe rrezikun apo? a shihni rrezik ? (...)
RADIO KOSOVA: Po sepse kur përdoret dhuna atëherë rreziku është i pashmangshëm.
TËRNAVA: Është shumë e vërtetë. Një rast është i tepërt, e neve na kanë ndodhur disa. Mirëpo, duhet të shikojmë edhe aspektin tjetër. Ne jemi në rrezik, të gjithë, por mos të harrojmë se ne kemi edhe mijëra vëllavrasje, 600 raste të vetëvrasjeve dhe qindra raste kur të rinjtë po e mbysin veten me substanca narkotike. Pra, jemi të rrezikuar të gjithë dhe nuk po i kushtojmë rëndësi kësaj pune fare.
RADIO KOSOVA: Por, imazhin e Kosovës e dëmtojnë më shumë rastet e sulmeve ndaj hoxhallarëve.
TËRNAVA: Nuk është kështu. Më shumë e dëmtojnë rastet që i përmenda sesa dy ose tri raste që kanë të bëjnë me Islamin. Ne, qytetarët e Kosovës, duhet të japim kontributin tonë në çdo fushë. Dhuna është e papranueshme për Bashkësinë Islame, dhuna është e papranueshme për Kuranin dhe dhuna është e papranueshme për porosinë hyjnore të pastër që ka Islami. Vetë fjala Islam d.m.th., Paqe. Islami dhuron veç paqe dhe është kundër dhunës, terrorizmit, radikalizmit.
RADIO KOSOVA: Një pyetje për fund. Cili duhet të jetë pozicioni i shtetit të Kosovës karshi vendeve islamike dhe atyre perëndimore? A duhet edhe në këtë drejtim të mbajmë mesin?
TËRNAVA: Mendoj që shteti i Kosovës është duke e mbajtur një balancë të mirë me shtetet islame dhe ato jo islame dhe kështu duhet të vazhdojë, sepse ne duhet të jemi miq me tërë botën. Nuk duhet që me një pjesë të botës të armiqësohemi dhe me tjerët të jemi miq. Kjo nuk ka logjikë. Pra, unë mendoj se po udhëhiqet një politikë e mençur edhe me botën islame. Sigurisht që duke përjashtuar ndonjë shtet të mundshëm që nuk ka raporte të mira me SHBA-në dhe BE-në, gjë që reflektohet edhe në politikën tonë të përditshme.