Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/03/22

Në gjurmët e deklaratave qesharake të presidentit Putin



Prof. dr. Eshref Ymeri



            Në një mesazh të posaçëm që presidenti Putin i pati dërguar Kuvendit Federal, ai dënonte deklaratat e politikanëve evropianë lidhur me natyrën e jashtëzakonshme të situatës në Kosovë, krahasuar me situatën në Krime.
            Me këtë rast, Putini përmendi qëndrimin e Perëndimit lidhur me pavarësinë e Kosovës, në krahasim me situatën në Krime. Ai deklaroi:
            “Vetë patën vënë tellallin në mbarë botën, i patën fryrë gjërat, kurse tani revoltohen. Pse? Veprimet e banorëve të Krimesë janë në harmoni me orientimet e tyre personale. Si qenka e mundur që ajo që u lejohet shqiptarëve të Kosovës, na qenka e ndaluar për rusët dhe ukrainasit e Krimesë?” (Citohet sipas: Inga Sllazhinskajte. “Putini: pse ajo që është e mundur në Kosovë na qenka e ndaluar në Krime?”. Marrë nga faqja e internetit “baltinfo.ru”. 18 mars 2014).

            Lidhur me çështjen se veçoria e jashtëzakonshme e rastit të Krimesë qëndron në faktin se në Kosovë pati shumë viktima në njerëz, në dallim nga situata në Ukrainë, Putini deklaroi:
            “Ky është një cinizëm naiv, primitiv” (po aty).
            Me sa duket, Putinin e kanë karfosur keq ethet e shovinizmit rusomadh, prandaj edhe arrin të zbresë deri në ato nivele, saqë të lëshojë në efir deri edhe të tilla deklarata absurde. Autoritetet ukrainase, në as edhe një rast të vetëm, nuk kanë ushtruar as dhunën më të vogël kundër ndonjë qytetari të etnisë ruse. Si është e mundur që presidenti rus të heqë një paralele të tillë mes Kosovës dhe Krimesë, kur bota mbarë e di se çfarë gjenocidi të egër ka ushtruar shovinizmi serbomadh dhe kisha shoviniste serbe kundë popullit shqiptar të Kosovës pas Kongresit famëkeq të Berlinit, dhe sidomos pas Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës të vitit 1913 dhe deri më 12 qershor të vitit 1999? Dhe këtë gjenocid të egër, shovinizmi serbomadh e ka kryer me përkrahjen dhe me nxitjen e drejtpërdrejtë të Rusisë cariste dhe neocariste.


            Po se mos është hera e parë që Putini lëshon të tilla deklarata kuturu. Për t’i vënë “vulën e Kremlinit” moszgjidhjes asnjëherë të çështjes së Kosovës përmes pavarësimit të saj, ai, para disa vjetësh, pati bërë një deklaratë të tillë, thelbi i së cilës zbulonte lakuriq mendësinë cariste të politikës së sotme ruse në raport me çështjet ballkanike dhe rolin negativ të Rusisë në trajtimin e tyre, ashtu siç manifestohej ky rol edhe pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore: Para disa vjetësh, Putini deklaronte:
“…ne jemi për zgjidhje të tilla që të kënaqin si Beogradin, ashtu edhe Prishtinën” (Citohet sipas: “Konferencë shtypi për përfundimin e bisedimeve me Kancelaren e RF të Gjermanisë Anxhela Merkel”. Soçi. 21 janar 2007).

Pra, sipas presidentit Putin, zgjidhja e çështjes së Kosovës duhej të lihej për ditën e moskurrit. Duke e njohur mendësinë paradoksale që manifestonte Kremlini në qëndrimin ndaj çështjes së Kosovës, për të cilën ai ngulte këmbë për “gjetjen” e kompromisit mes Beogradit dhe Prishtinës, një gazetar i gazetës “Figaro”, jo pa qëllim, i pati drejtuar presidentit Putin pyetjen asgjësuese që vijon: 
“Unë do të dëshiroja të reagoja lidhur me atë që u tha për punën e Kosovës. Unë nuk shikoj ndonjë mundësi për kompromis. Më jepni një ide se ç’lloj kompromisi na qenka i mundur në këtë mes. Vendi ose është i pavarur, ose është i varur. S’po e marr vesh se çfarë kompromisi qenka i mundur këtu. Ku e shikoni ju mundësinë e kompromisit?”.

 Dhe presidenti Putin i jep gazetarit të “Figaro”-s një përgjigje mjerane, një përgjigje vetëdemaskuese:
“Po ta dija, do ta kisha propozuar me kohë” (Citohet sipas: “Intervistë e presidentit Putin në Gjermani me gazetarë të mjeteve të informimit masiv të vendeve anëtare të “Grupit të Tetëshes””.  04 qershor 2007).

Tre vjet më vonë, Putini lëshon një tjetër deklaratë edhe më absurde kundër kombit shqiptar
            “Nuk e kuptojmë pse amerikanët kanë filluar fushatën e tyre për të islamizuar Evropën. Pasi shqiptarët të kenë gëlltitur Evropën, ata do të mundohen të shtrihen më tej, në kurriz të Maqedonisë” (Roland D. Asmus. “Një luftë e vogël që tronditi botën”. Palgrave, Macmillan, 2010. Pjesë nga biseda e Vladimir Putinit me Presidentin e Gjeorgjisë M. Saakashvili, f. 105-107. Citohet sipas: Dr. Islam Lauka & Prof.dr. Eshref Ymeri. “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”. Botim i Universitetit ILIRIA dhe i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Prishtinë-Tiranë 2012, f. 169).

            Kjo deklaratë e Putinit, me të pavërtetat që përmban, zbulon urrejtjen që ai ushqente dhe vazhdon të ushqejë ndaj etnisë shqiptare me shumicë dërrmuese myslimane në Evropën Juglindore. Fushatën që ndërmori aleanca veriatlantike për bombardimin e Serbisë për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga zhdukja fizike prej bandave fashiste të Millosheviçit, ai, në radhët e popullit rus, e reklamon si fushatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për islamizimin e Evropës. Çdo lexues me mendje të kthjellët i shtron vetes pyetjen: po si është e mundur, xhanëm, që një deklaratë e tillë paradoksale të dalë nga goja e presidentit të një supershteti, siç është Federata Ruse? 


Jam i bindur se sikur President i asaj Federate të ishte një intelektual i shquar nga radhët e inteligjencies shkencore, artistike apo letrare ruse, ai kurrsesi nuk do t’ia lejonte vetes një deklaratë të tillë. Por Putin nuk vjen nga radhët e intelektualëve të tillë. Ai vjen nga radhët e KGB-së, prandaj edhe nuk ka asgjë për t’u habitur nga deklarata e tij.

https://www.google.com/maps/place/Kiev/@50.1444292,29.5027224,6z/data=!4m2!3m1!1s0x40d4cf4ee15a4505:0x764931d2170146fe?hl=en


            Në paradën ushtarake që u zhvillua më 09 maj 2013 në Sheshin e Kuq, me rastin e 68-vjetorit të fitores kundër nazizmit, Putini, ndë të tjera,  deklaroi:
            “Ushtari ynë… çliroi Evropën dhe korri fitoren, madhështia e së cilës do të mbetet përjetë në histori”.


            Që në fillim duhet theksuar se gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pikërisht Bashkimi Sovjetik ai që përballoi sakrificat më të rënda të sulmit hitlerian të 22 qershorit të vitit 1941, sakrifica këto që u shoqëruan me 20 milionë të vrarë, sipas të dhënave të botuara në shtypin sovjetik pas përfundimit të luftës.
            Por Putini shtrembëron të vërtetën për çlirimin e Evropës dhe lëshon një deklaratë cinike, duke mohuar rolin e aleatëve perëndimorë në fitoren mbi nazifashizmin. Ushtari sovjetik çliroi një pjesë të Evropës që arrinte deri në Berlin, kurse pjesën tjetër të saj e çliruan trupat aleate, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat hynë të parat në Berlin më 08 maj 1945, një ditë para trupave sovjetike.

https://www.google.com/maps/place/Kiev/@50.4508419,30.5230248,2a,9.7y,315.13h,123.22t,0.41r/data=!3m5!1e4!3m3!1s5255600842291089387!2e3!3e9!4m2!3m1!1s0x40d4cf4ee15a4505:0x764931d2170146fe!6m1!1e1


            Por deklaratave qesharake dhe gënjeshtrave të Putinit lidhur me ngjarjet në Ukrainë, ua ka nxjerr bojën keq Departamenti i Shtetit, i cili, para pak kohësh, ka bërë publike një listë me dhjetë gënjeshtra të tilla, të cilën e disponon Agjencia e Pavarur Informative e Lajmeve e Ukrainës. Me sa duket, këto gënjeshtra dhe deklarata mashtruese të Putinit kishin për qëllim të justifikonin zhvillimin e referendumit që do të organizohej më 16 mars në Krime.

            Gënjeshtra e parë: Ushtarakët rusë ndodhen në Ukrainë për të mbrojtur objektet ushtarake ruse. Këto janë “grupe të vetëmbrojtjes”, jo ushtarakë rusë.
            E vërteta: Ka prova serioze që vërtetojnë se përfaqësuesit e shërbimeve speciale ruse janë pararoja kryesore e forcave antiukrainase, të organizuara mirë në Krime, pavarësisht se janë të veshura me uniforma pa shenja identifikuese.
            Gënjeshtra e dytë: Veprimet e rusëve nuk e shkelin Traktatin e Miqësisë, të nënshkruar në vitin 1997 mes Ukrainës dhe Federatës Ruse.
            E vërteta: Traktati i nënshkruar në vitin 1997 i kërkon Rusisë të respektojë tërësinë territoriale të Ukrainës. Trupat ruse që kanë marrë kontrollin operativ në Krime, kanë shkelur në mënyrë flagrante tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Ukrainës.
            Gënjeshtra e tretë: Putini thotë se opozita nuk e respektoi marrëveshjen e nënshkruar me ish-presidentin Janukoviç më 21 shkurt.
            E vërteta: Ajo marrëveshje parashikonte aprovimin prej parlamentit të Ukrainës të ligjit që i jepte fuqi ligjore Kushtetutës së vitit 2004, e cila i linte më shumë kompetenca parlamentit. Janukoviçit iu lanë 24 orë në dispozicion për ta nënshkruar, në mënyrë që konflikti të zgjidhej paqësisht. Por ai nuk pranoi. Përkundrazi, mblodhi rraqet dhe u arratis, duke lënë pas vetes prova të një korrupsioni gjigant.
            Gënjeshtra e katërt: Putini thotë se qeveria e Ukrainës nuk është legjitime dhe se Janukoviçi mbetet udhëheqësi legjitim i Ukrainës.
            E vërteta: Putini e pranoi vetë se “Janukoviçi nuk ka të ardhme politike”. Pas arratisjes, Janukoviçit i ktheu shpinën edhe partia e tij, e cila votoi për largimin e tij nga detyra dhe në përkrahje të qeverisë. Qeveria e re u votëbesua me 371 vota, pra, në masën 82% të deputetëve.
            Gënjeshtra e pestë: Putini flet për krizë humanitare dhe për qindra mijë njerëz që po arratisen nga Ukraina në drejtim të Rusisë, në kërkim të një strehe.
            E vërteta: Sot nuk ekziston asnjë provë për krizë humanitare dhe dyndje njerëzish drejt Rusisë sikur gjoja atje kërkuakan strehë.
            Gënjeshtra e gjashtë: Putini thotë se rusët etnikë i kërcënon rreziku.
            E vërteta: Duke mos marrë parasysh njoftimet e mjeteve shtetërore ruse të informimit masiv, nuk ka kurrfarë faktesh që të dëshmojnë për kërcënimin e jetës së rusëve etnikë. Rusët etnikë dhe përfaqësuesit e tyre kanë botuar deklarata, në të cilat vërtetohet se nuk ekzistojnë kurrfarë kërcënimesh.
            Gënjeshtra e shtatë: Putini thotë se bazat ruse ndodhen nën kërcënim.
            E vërteta: Objektet ushtarake ruse kanë qenë dhe janë të siguruara. Në të vërtetë, të kërcënuara janë objektet ushtarake ukrainase në Krime për shkak të veprimeve të ushtrisë ruse.
            Gënjeshtra e tetë: Putini thotë se janë vënë re sulme masive kundër kishave dhe sinagogave në lindje dhe në jug të Ukrainës.
            E vërteta: Udhëheqësit fetarë të vendit dhe të komuniteteve fetare ndërkombëtare në Ukrainë kanë deklaruar se nuk është vënë re as edhe një rast i vetëm sulmi kundër objekteve fetare. Madje ata janë shprehur në përkrahje të udhëheqësve të rinj politikë. Komunitetet hebraike kanë deklaruar se nuk kanë vënë re asnjë incident antisemit.
Gënjeshtra e nëntë: Putini thotë se Kievi po mundohet të destabilizojë situatën në Krime.
E vërteta: Qeveria kalimtare e Ukrainës ka vepruar me vetëpërmbajtje dhe ka kërkuar dialog. Kurse trupat ruse, nga ana e tyre, kaluan përtej caqeve të dislokimit, në mënyrë që të arrinin qëllime politike për të vënë nën kontroll infrastrukturën e Krimesë.
Gënjeshtra e dhjetë: Putini thotë se parlamenti i Ukrainës është nën ndikimin e ekstremistëve dhe të terroristëve.
E vërteta: Parlamenti është organi më përfaqësues i pushtetit në Ukrainë. Legjislacioni i fundit u aprovua nga shumica dërrmuese e deputetëve, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e Ukrainës Lindore. Grupet ultra të djathta që dolën haptazi kundër ruajtësve të rendit gjatë protestave, nuk kanë përaqësues të vet në parlament. Nuk ka asnjë nismë për politika diskriminuese (Citohet sipas: “Amerikanët e kapën Putinin duke gënjyer dhjetë herë”. Marrë nga faqja e internetit  “from-ua.com”. 06 mars 2014).
Me deklaratat e papërgjegjshme që lëshoi për justifikimin e trupave ruse në Krime, gjoja me pretekstin e mbrojtjes së popullsisë rusishtfolëse, Putini është shndërruar në objekt humori nëpër faqet e rrjeteve sociale. Kështu, drejtori i përgjithshëm i mediagrupit “Premjer” të qytetit të Vollogdës (ndodhet në veriperëndim të pjesës evropiane të Federatës Ruse), Roman Romanenko, në emër të banorëve të krahinës Vollogodskaja, i është drejtuar me një letër presidentit Putin të futë trupat për mbrojtjen e popullsisë së kësaj krahine, meqenëse “banorët e saj janë të gjithë rusishtfolës dhe të drejtat e tyre po cenohen rëndë”. Romanenkoja i lutet Putinit ta mbrojë popullsinë e kësaj krahine, meqenëse “okupatorët që kanë rrëmbyer pushtetin në krahinë përmes zgjedhjeve të pandershme, s’po bëjnë asgjë për popullsinë e robëruar”. Ai e siguron presidentin Putin se pas futjes së trupave “nuk do të ketë kurrfarë lufte partizane kundër çlirimtarëve” dhe se “sanksionet ndërkombëtare me siguri që do të shmangen” (Citohet sipas: Tatjana Aleksandrova. Drejtori i përgjithshëm i mediaholdingut të qytetit Vollogda i kërkoi Putinit të futë trupat në krahinën Vollogodskaja”. Marrë nga faqja e internetit “gorodche.ru”. 04 mars 2014).


Edhe banorët rusishtfolës të Gjermanisë e vënë keq në lojë Putinin me rastin e Krimesë. Në një letër që i dërgojnë atij përfaqësuesit e tyre, kopjen e së cilës ia kishin përcjellë edhe Vladimir Kliçkos, njërit nga udhëheqësit e opozitës ukrainase, ata shkruajnë:
“I nderuar zoti president. Ne jemi pesë milionë banorë rusishtfolës në Gjermani. Neve na detyrojnë vazhdimisht të flasim gjermanisht: në punë, në mësim, madje fëmijët tanë nëpër kopshtet e fëmijëve i detyrojnë të flasin gjermanisht. Edhe neve këtu na detyrojnë të punojmë. Kini mirësinë, na ndihmoni, futni në Gjermani trupat ruse për të na mbrojtur” (Citohet sipas: Sergej German. “V. Kliçko. Detyrë kyç e Putinit nuk është as Krimeja, as Donbasi, por sabotimi i zgjedhjeve”. Marrë nga faqja e internetit “Ostrov”. 09 mars 2014.
Para disa vjetësh, Putini pati deklaruar se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik kishte qenë katastrofa më e madhe e shekullit të kaluar. Me rastin e ngjarjeve të fundit në Krime, kryeministri i qeverisë së përkohshme të Ukrainës Arsen Jacenjuk ka bërë këtë reagim:
“Unë do të thoshja se katastrofa më e madhe e këtij shekulli do të ishte ringjallja e Bashkimit Sovjetik” (Citohet sipas: “Jacenjuk: Putini ka një skenar për pushtimin e kryeqytetit të Ukrainës”. Marrë nga faqja e internetit “gazeta.ua”. 13 mars 2014).


            Lidhur me deklaratën e mësipërme të Putinit, vjen një reagim i fortë në internet:
            “Nëse do ta trajtonim fashizmin si një rrymë politike që parashikon përdorimin e dhunës për zgjidhjen e çdolloj problemesh politike dhe jo thjesht si një term politik, atëherë duhet pranuar se atdheu i fashizmit është pikërisht Rusia që polli bolshevizmin, i cili ishte parathënia e fashizmit italo-gjerman dhe që diktaturën, dhunën, grabitjen dhe shpronësimin i shpalli si orientim themelor të politikës së vet, që përmes urisë dhe kampeve të internimit zhduku dhjetra milionë qytetarë të vendit të vet. Pikërisht në Rusi, ditën për diell, para objektivave të telekamerave, pushkatoheshin kundërshtarët politikë. Pikërisht Rusia ishte ajo që pushtoi Afganistanin dhe pjesë të territorit të Gjeorgjisë, duke shkaktuar edhe konflikte të tjera. Kurse sot, pikërisht si puna e Hitlerit, pa shpallur luftë dhe me një pretekst të trilluar, u dynd në territorin e shtetit sovran të Ukrainës. Kështu që po të dëshironi ta shikoni fashistin me pamje aziatike, atëherë shkoni në Kremlin se atje e keni” (Citohet sipas faqes së internetit “censor.net.ua”. 05 mars 2014).

            Santa Barbara, Kaliforni
            21 mars 2014


2014/03/21

NGA KOZETA NUSHI :Unë puthjen tënde shijoj!!!



SI MUND T’I THOTË VETES SHQIPTAR?


Si mund t’i thotë vetes shqiptar?
Si mund t’i thotë vetes shkrimtar?
Si mund t’i thotë vetes publicist?
Ai që gojën ndyn
Dhe fjalor histerik
Përdor kundër
Njerëzve më patriot të Shqipërisë?
A ka dalë prej një nëne?
Ç’mostër është ai?
A ka ndonjë motër
Apo kushërirë?
Nëse nuk di nga ka dalë,
Le të informohet në
Maternitetet e Shqipërisë.
Një njeri që me dashurinë njerëzore luan.
Një njeri që dashurinë njerëzore fëlliq.
Nuk di ku e ka vendin.
Se edhe kafshët që janë kafshë
Në gjirin e tyre s’e pranojnë,
Pasi janë shumë herë më fisnik.

TI DHE TË TJERËT


Ti ecën vetëm.
Mendja sorrollatet.
Endet kot më kot.
Rrotullohet nga të katër anët.
Futet nëpër skutat më të fshehta të njeriut.
Ti ecën ngadalë.
Copëra bisedash të qëndrojnë mbi kokë.
Çdonjëra prej tyre është një sinjal shprese.
Buzëqeshja jote zgjatet, zgjatet.
Me butësinë e një shalli të mëndafshtë
Gjithë qenien tënde prek.
Lodhja humbet gjurmët.
Faqet çelen.
Mijëra enigma, mistershëm,
Përballë teje qëndrojnë.
Ti nuk kërkon të ngutesh.
Me qetësi përpiqesh t’i zbulosh.
Koha ecën në favorin tënd.
Durimi s’të humbet asnjë rreze shprese.
Takime të lënë pezull.
Telefonata të lëna në mes.
Ndjesi të çuditshme
Që do apo s’do,
arrijnë të të vënë në siklet.
Ti pret. S’ngutesh.
Brenda vetes kërkon të gjesh qetësinë.
Guximi s’të lë të tulatesh.
Nga përhumbja të shkund,
situata të reja, duke të vënë pambarim.
Të tjerët të tregojnë problemet e tyre,
Duke pritur të artin gjykimin tënd.
Ti thua një fjalë të matur.
Të tjerët marrin krahë, marrin zemër.
Flasin, flasin, flasin...
Të fshehtat e tyre
Shpalosen para teje
Si fletët e një libri.
Ti ruan qetësinë.
Kur vjen momenti i duhur
Sërish thua mendimin tënd.
Problem më serioze
Fshihen brenda teje.
Për to ndjen pak dhembje në shpirt.
Bisedat rrjedhin lirshëm.
S’duket se kur do të kenë fund.
Befas vë dorën përpara gojës.
Ndjen se të vjen gjumë.
Lodhesh.Të zë pak koka.
Të flasësh
S’ke më dëshirë.
Qepallat vërtet të rëndohen.
Mjaftohesh me një miratim:- “Ëhë!”
Me të tjerët, më gjatë,
S’ke më forcë që të rrish.
I vetmi mendim që ke për momentin
Është të shtrihesh
e të mbledhësh kockat në krevatin tënd.
Nata ikën shpejt.
Dita lind sërish.
Ka plot gjëra që të mërzisin.
Jo çdo gjë ecën ashtu siç do.
Lë diçka
të programuar
me shumë qejf më parë
dhe diçka tjetër bën.
Jeta të sjell të reja,
Të papritura sa të duash.
Ti i bën nervat çelik
Duke mos harruar detyrën tënde,
Për të kënaqur veten
Dhe të tjerët që të rrethojnë.

BOLL MË!


Bota! Dielli! Toka!
S’është e jotja!
Mbyllu rreth mureve!
Ul kokën!
Nënshtrohu!
Dëgjo po deshe pallavrat e mia!
Në diktaturën e egër të Proletariatit,
Në shtetin e ri socialist,
Në regjimin e ndyrë komunist,
Çdo fjalë për të drejtën e të mirën,
Është një njollë e madhe
Në biografinë tënde,
Prandaj kujdes! Kujdes!
Nuk shikon se ç’bëhet?
Mos fol me zë të lartë të thashë,
Se edhe muret kanë vesh.
Shsht! Është botë e egër.
Për çdo fjalë që thua
Është sikur t’i biesh me gur kokës.
Ah! Mua që të dua si sytë e ballit
Dhe që të kam rritur me gjakun e trupit tim
Më thua se të duket sikur po jeton
Brenda një arkivoli me kapak të hapur?
Të duket sikur jeton me hijen e vdekjes që
Të ndjek nga pas, dhe për asnjë çast
Nuk të lëshon?
Po tmerrohesh më shumë?
Si?
Pret të të mbyll kapakun
Dhe të vdesësh e qetë?
Kot shqetësohesh.
Ai kapak s’ka pët t’u mbyllur kurrë.
Të paktën sa të jem unë gjallë.
Ti do të ngelesh duke bërë ecejakje brenda tij.
Por ama do të jesh e gjallë mes të gjallëve.
Bijë! Me fjalët e tua si mund të më godasësh?
Je e re. E bukur. E brishtë.
Kam frikë për ty.
S’rroj dot me ankth se mos të humb.
Zemra më dhemb
Kur të shoh përditë tek shkon në punë.
Lodhesh, sfilitesh, rraskapitesh.
E si përfundim çfarë merr?
Merr një rrogë qesharake.
Ja atë merr.
Brenda kësaj kutie do të jesh rehat.
Askush s’do të ngasë.
As miza s’do të të bezdisë.
Është e vërtet.
Po të merret fryma
Dhe s’flet dot për terrin,
Që Diellin ka zaptuar.
Flije mendjen dhe rri aty ku je.
Je shumë mirë nëse do ta dish.
Rreth e rrotull, pothuajse që të gjithë
Janë armiq....
S’guxon dot të thuash
Se s’ka as kripë
Nga ky rregjim i egër komunist.
Nëse dikush të dëgjon të thuash
Se qumështi dhe mishi që merr me racion
As të del, as të tepron,
Direkt e në qelitë e errëta të burgut shkon.
Mblidhe mendjen mirë.
Kohët janë të vështira.
Jetën e bukur shijoje nëpër libra.
Pa fund po deshe shkruaj.
Po shkrimet duhet t’i mbyllësh në kyç.
E kam parë Diellin më parë nga ty.
E di mirë si do të na shohë
Enveri dhe
Partia.
Do të na shohë si kafshë që hanë bar.
Shsht tani! Qetësohu! Mos e zgjat!
Në shtëpi ty asgjë s’të mungon.
Të lutem! Vetëm jashtë
Për bindjet e tua
Me asnjeri mos fol.
Tani vendos e bëj ç’të duash.
-Ti ke të drejtë moj nënë.
Për qetësinë tënde edhe jetën dua të jap.
Po si mund të rri unë e nënshtruar?
Si mund të jetoj gjithë jetën në këtë terror?
Ç’janë këta gjakpirës moj nënë,
Që nuk të lënë të ngresh kokë?
E di që edhe mishin ta hanë,
Edhe kockat t’i bluajnë.
Edhe djallin e trembin këta shpirtmizorë.
Po shumë mos kij frikë për mua.
Kam një Zot mbi krye që më mbron.
Me djersën e ballit,
Si ty, jam mësuar të rroj
Dhe për të ardhmen do të bëj dritë.
- Zoti të ndihmoftë moj bijë!
Jetës bëju zonjë
Dhe dili ballë.
Me këmbëngulje e vullnet
Çdo gjë e arrin.
Le të vendosim
Mes nesh
Paqen e Zotit!
Paqe e bashkim për Shqipërinë!
Oh sa ëndërr e bukur dhe kuptimplot moj nënë!
Shqipëria dhe Kosova, ashtu siç duam ne
Një ditë vërtet do të bashkohen
Duke na sjellë në buzë
Buzëqeshjen,
Duke na sjellë në shpirt lumturinë.

KUJTESË...


Vështrimi
donte
Të çante tejpërtej horizontin.
Fytyra iu ishte
Drejtuar
Xhamave të akullta të dritareve.
Lotët
Kërkonin
Dyshemenë.
Dyshemeja
Vidhisej poshtë.
Karrigia
Qëndronte e mpirë
Së bashku me personin
Që mbante.
Dera
Pritej
Që të hapej.
Trupi
Dridhej
Prej dëshpërimit.
Dëshpërimi
Thellohej
Prej humbjes.
Humbja
Ngopej me lotë.
Lotët
Frikësonin
Të qeshurën.
Mendimi tkurrej
Shterej
Zhdukej.
Salla e pritjes
Mbante gra
Veshur kokë e këmbë
Në të zeza.
Dhimbja mbretëronte.
Zotëronte turbullimi.
Të arratiseshe nga kjo mbretëri absurde
Ishte pa pikë kuptimi.
Ngujimi në karrige
T’i bënte të
Ndenjurat plagë.
Të ecje
Të merreshin mendtë.
Të qaje me ligje
S’kishe më zë.
Të mos nxirrje më lotë
Ishte katastrofë.
Mbetej vetëm shpresë,
Për mos të humbur
Prej këtij
Dëshpërimi të thellë njerëzor,
Shëndetin fizik dhe mendor...

JETËS...


Jetë e shkallmuar
Nga të gjitha anët!
Kërkon gëzimin ta rrëmbesh me forcë.
Ta ngjeshësh në kraharor.
Zëri yt i fortë
Herë- herë i ngjan
Një cicërime të ëmbël, të ngrohtë,
Që më vonë shndërrohet në një zhurmë
Dallgësh deti,
Furishëm përplasur në një shkëmb,
Pa pasur asnjë frymë njerëzore pranë
Për ta dëgjuar.
Jetë e ndrydhur!
Ti pret sërish
Të përcjellësh çaste gëzimi
Në një shpirt
Të etur për lumturi,
Që me vendosmëri
Braktis lajkat e hipokritëve
Dhe këndon sërish
Me një zë të ngrohtë bilbili.
Jetë e shkallmuar
Nga të gjitha anët!
Ti s’rresht së luftuari
Për t’i sjellë
Qetësi shpirtit.
Ti s’rresht së luftuari
Për të sjellë dritë.
Shumë korridore
Të errëta deri në pafundësi
I braktis,
Derisa gjen
Një tjetër shpirt të lirë,
Që të shpëton prej ankthit,
Prej vetmisë.
S’ka as lajka, as mashtrime.
Ka vetëm sinqeritet.
Copërat e akullit
Ngado thyhen.
Ti s’lodhesh.
Shpërndan frymë duke thënë:-
Lindim për të ngjallur dashurinë.
Jemi dëshmitar real
Të realitetit
Të ashpër.
Pse të kërkojmë me ngulm
Të pamundurën?
Kur fare mirë
Mund të bëjmë diçka
Që mundemi ta bëjmë?
Pse mos t’u ngjallim gëzim
Njerëzve më të dashur?
Le t’u japim dorën.
Në të mirë të tyre,
Të lëmë si
Trashëgim
Përvojën tonë.
Shpirt i lirë!
Mos harro
Se liria
Kufizohet
Në botën që na rrethon.
Shihe realitetin në sy.
Ka krijesa më të vogla,
Më të dobëta,
Po më të durueshme se ty,
Që presin ngrohtësinë,
Mbrojtjen tënde.
Mos kërko të bëhesh një erë e fortë dimri
Dhe të frysh pastaj
Në krahë të brishtë,
Të njomë.
Mos kërko të ulësh prapë
Ato koka
Që me gjak
Pavarësinë e kanë arritur.
Mendo o shpirt i lirë
Për ato krijesa të ndrydhura.
Që për pak Diell Shqipërie
Kanë nevojë.
Mos kërko akoma
Të shfrysh si era
Dhe t’u shkatërrosh jetën
Që me mund sforcohen për ta ngritur.
Të gjithë e duam lirinë.
Edhe lirinë e tepruar.
Po fisnik është ai
Që njërën dorë e vë në pranga
Për mos të qenë
Krejt i lirë.
Fisnik është ai
Që lirinë e tij
Di si ta kufizojë
Për ta kthyer
Në një burim energjie
Në të mirë
Të popullit, të atdheut tonë.

NUK E DI...


Nuk e di
pse faqet qeshin.
Nuk e di
Pse buzët çelen.
Nuk e di
Pse fjalët s’rreshtin
Dhe si një burim i pastër
Derdhen.
Nuk e di
Pse zëri s’ngjiret.
Zemra jote
Portën çeli,
Zemrën time
Shtrëngoi fort.
Të dyja
Bashkë u forcuan
Dhe më
S’u ngashëryen
Në lotë.
Brenga iku
Humbi gjurmët
Në mërgim u syrgjynos.
Gëzimi
Me forcë
Shpërtheu.
Tek unë rrënjët
Nguli fort.
Loti i pastër
Më s’do derdhet.
Tashmë është vesë
Që pikon.
Dhe gazit i tha të kthehej
Me një tufë borzilok.

DI QË...


Mendja
Dhe fjalët e tua.
Më kishin zaptuar mua.
Unë doja djalë
Të flija.
Shtrihesha
E s’flija dot.
Rreth meje
Ëndrrat lindnin
Dhe më përqafonin fort.
Mjeshtër plot mjeshtëri.
Ëngjëll plot hijeshi.
Artist plot fantazi.
Fjalët e tua
Në këtë fletë
Të bardhë
Të japin hijeshi,
Të japin
Madhështi.
Nuk e di
Sa herë
Natën
Më ke zgjuar.
Di që
Pa gjumë
Po më lë
Dhe tani.
E madhe është
Zemra jote.
Fisnik
Është shpirti yt.
Je larg dhe
Afër në të njëjtën kohë.
Emocionues
Është talenti yt.

S’KISHIM LINDUR POETË, AS UNË, AS TI...

S’kishim lindur poetë
As unë, as ti.
U njohëm
Në një ditë të bukur vere
Dhe lidhëm shpirtin tonë
Të dy.
Unë kam shkruar poezi
Që në fëmijëri
Sepse doja të blija
Një top prej llastiku
Që kushtonte 35 Lekë
Ndërsa tani
Shkruaj për ty,
Vetëm për ty,
Për dashuri.
Në të magjishmen tonë
Fëmijëri
Ti ishe si unë
Unë isha si ti
Një zemër kishim
Që të dy.
Koha e artë
Unaza floriri derdhi
Veç për ne
Për ne të dy.

ËNDËRROJ... ËNDËRROMË...

Kam mbyllur sytë
Dhe ëndërroj
Takimin tonë ëmbëlsi.
Shpejtoi ditët
Shpejtoi orët
Shpejtoje
Kohën
Për ne të dy.
Ëndërromë e
Përqafomë.
Më merr në
Krahët e tu.
Ëmbël më fol
E dashuromë me butësi.
E jotja jam
I imi je
Në përjetësi.
Largoma mallin
Çelma buzën
Dua të ndjej
Pak ngrohtësi.
Rrëmbema zemrën
Rrëmbema trupin
Më bëj të jem
Njësh me ty.
Syve të mi
Të kafenjtë
Falu
Kaltërsinë
E syve të tu.
Se Toka
S’ka kuptim
Pa Qiellin
Plot marrëveshje
Bëjnë të dy.

DUART DHE FJALËT E TUA ...

Duart dhe fjalët e tua
Më kishin zaptuar mua.
Unë doja djalë të flija.
Mbi prehërin tënd u shtriva.
Fjeta si kukull e bukur
U zgjova shumë e lumtur
Mustaqet e tua djalë
Ma bënë trupin valë.
Më doje djalë më doje
Mes puthjesh
Këtë gjë ma thoje.
Rri i qetë mirësi !
E di se më do edhe tani...

TI KAL PA FRE...


Ti kal pa fre
Që endesh në lëm!
Çfarë sheh me sy?
Çfarë shkel me këmbë?
Kur qeshesh, kur vrerosesh.
Kur llastohesh, kur tërbohesh.
Aty dhunon, aty shkatërron.
Aty ndreq, aty prish
Koka
Të është majmur si viç.
Hedh vickla
Si mushkë xanxare.
Të urtët i çmende fare.
Diktati s’të ka hije.
Kali duhet të jetë
Simbol fisnikërie.

SA HERË FLAS ME TY

Sa herë flas me ty
Zinxhirët që më lidhin
Bien përdhe.
Zhduken, treten, shkrihen.
E qeshura, më parë e burgosur
Kumbon, shpon natën.
Udhëton nëpër errësirë.
Në veshin tënd
Si lajkatare e këndshme nazemadhe
Jehon.
Ti qesh këndshëm.
Të qeshurën time e shton.
Udhëton nëpër natë.
Si një stelë kometë vjen tek unë
Në shtratin tim.
Më lumturon,
Më jep pakëz dritë.
Ti mbetesh tek unë.
Prek gjithandej trupin tim.
Dhe unë s’di ç’të them për largësinë...

KUR DITA VJEN

Kur dita vjen
E mesazh nga ty mar,
Lodhja më ikën,
Në shpirt ndjej behar.
Kur mbrëmja vjen
E unë me ty flas
Lulet anekënd botës mblidhen
Duke më kënaqur pa masë.

KUR TI JE I LODHUR...
NGA KOZETA NUSHI
Kur ti je i lodhur
Përpiqem
Lodhjen tënde të mar.
Kur ti je i shplodhur,
Të hidhem
Të më mbash në krahë.
Kur ti je i qetë
Me ty qetësisht flas.
Kur ti je i lumtur
Edhe unë e lumtur jam.

TI HESHT...

Ti hesht.
Unë të vështroj.
Ti flet.
Unë të dëgjoj.
Ti më puth.
Unë puthjen tënde shijoj.
Ti qesh.
Unë gëzoj.
Ti buzëqesh.
Unë ëmbël të shikoj.
Ti adhuron vargjet e mia.
Unë pafundësisht të falenderoj.
Ti je përgjithmonë
I imi.
Unë
E jotja
Jam
Përgjithmonë.

UNË DO TË VIJ NGA QIELLI

Pse s’mi gjen
Nja dy – tri fjalë
Të ma ngrohësh
Shpirtin mua?
Pse më flet aq ngadalë,
Me shpirt të përmalluar?
Qesh, ti qesh
Dhe kur s’të qeshet.
Në trishtim,
Ti mos u zhyt.
Unë do të vij nga qielli,
Do të zbres me parashutë...

FRIKA S’GJEN VEND, KUR JEMI BASHKË TË DY

Mes vargjeve të mia
Të tuat vargje janë
Mes fjalëve të mia
Të tonat ëndrra janë
Mes gëzimit tim,
Strehohet i yti gëzim.
Me turbullimin tim
Haset i yti shqetësim.
Kudo ku unë jam
Gjendesh edhe ti
Dhe frika s’gjen vend
Kur jemi bashkë
Të dy.

NJË MESAZH ME AR GATUAR

Një mesazh
Me ar gatuar,
Nuk e di
Pse është
Vonuar.
Dua që sot
Të stolisem.
Me vargjet
Të kapardisem.
Po ato rrinë
Pranë e pranë
Në të tëndin xhamadan.
Oh sa e dashuruar që jam
Me këngën: xhamadani vija – vija
Vija – vija
Xhamadani vija- vija
Është Kosova, është Shqipëria.
Xhamadani kuq si gjaku- kuq si gjaku
Xhamadani, kuq si gjaku- kuq si gjaku
E qëndisa prej meraku.
E qëndisa prej meraku.

ENIGËM, MISTER ËSHTË MENDIMI


ENIGËM,
MISTER
ËSHTË MENDIMI.
PRITJE,
PADURIM,
KA PLOT.
LUM KUSH DI
Ç’ËSHTË SHPRESA,
Ç’ËSHTË DURIMI.
E BEKOFTË
I MADHI ZOT!

OK JOHN?!
Asgjë
Nuk ndodh rastësisht.
Rastësisht
Asgjë nuk ndodh.
Sapo ti
Të hapësh krahët.
Do të vij
Porsi një zog.
E do të ulem në gushë.
E do të fle
Mbi trupin tënd.
Më zgjo nga gjumi po deshe!
Më zgjo!
E kam me gjithë mend.
Por më zgjo me përkëdhelje
Dhe mbamë
Në kraharorin tënd.
Ok John?!
Të përqafoj fort.

VAJZ E VALËVE

Vajz e valëve
Për ty ka dy fjalë.
S’di nga t’ia filloj o Niku,
S’di ç’të them më parë.
Natyra përreth
Hijshëm pranë më rri,
Ndërsa unë o Niku
Mendoj veç për ty.
Mendoj të të shkruaj
Fjalët të t’i zgjedh
Dhe me to o Niku
Të bëj një buqetë.

DASHURI MBILL DHE DASHURI FAL

Nga dashuria vuan.
Nga dashuria qesh.
Nga dashuria qan.
Nga dashuria vuan.
Nga dashuria lind.
Nga dashuria rilind.
Për dashurinë ke mall.
Dashuria hyn kudo:
Në trup,
Në zemër,
Në shpirt.
Lum kush di
Ta afrojë
Dhe
Ta shpërndajë
Bujarisht.
Dashuria lind
Si njomëzake.
Lind me një belbëzim.
Dashuria lind
Me një buzëqeshje të brishtë.
Dashuria
Ka
Gjithfarë formash
Dhe kurrë
S’e humbet lavdinë.
Dashuria lind
Me një buzëqeshje.
Shoqërohet
Me një përkujdesje.
Njeri! Nëse ti je dhe do të mbetesh njeri,
Dashuri mbill dhe dashuri fal!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...