2016-04-28

Prof. Dr.Lisen Bashkurti : ÇAMERIA NJE BRENGE E HAPUR




Ndjehem shumë i lumtur dhe i privilegjuar që, me këtë parathënie t’i bashkëngjitem mikut tim të kahershëm Zef Pergega për librin e tij dedikuar Çamërisë. Tanimë çështja e Çamërisë, nga një muze i harruar historik, po shndërrohet sërish në një realitet të gjallë. Çamëria, pra po rikthehet fuqishëm në jetën politike, akademike, opinionale kombëtare dhe diplomatike ndërkombëtare. Kontributi që po jep studiuesi Zeg Pergega padyshim do jetë vlerë e shtuar në fushën e botimeve publicistiko-historike për Çamërinë, sidomos duke marrë parasysh tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku libri do shohë dritën e shpërndarjes.

Nuk mund të rri, gjithashtu, pa shkruar në këtë hyrje modeste mendimet e mija që bartin konsideratën më të lartë për studiuesin e botuesin e palodhur, intelektual e patriot me vlera të admirueshme,

Zef Pergega. Për shkaqe gjenerate dhe profesionale, me Zef Pergegën jam njohur shumë dekada më parë. Ai ka qenë nga mendjet më profesionale që ka punuar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare,
gazetar i palodhur në Gazetën “Koha Jonë”, botuesi i çmuar i gazetës “Kaltërsia” dhe autor me një nivel gjithnjë në ngritje i një vargu librash që mbajnë firmën e tij, si “Vigan në Krisht dhe Vatan”, “Këmbana e Mërgimtarit”, “Dheu i Atit”, “Deti dhe Peshku”, “Sarajat”, “Kallnori në Detroit”, “Djepi i thyer”, “Ylberet e Shejzave”, “Lereni kohën të flasë”, “Zeri im Prishtinë”, “Ora e Rodit”, “Kristale Dukagjini”,etj. Miku im Zef Pergega është gjithashtu autori i disa dokumentareve televizive me temë historike. Ai është antarë Bordi i Revistës “Illyria” që botohet ShBA, Kosovë dhe Shqipëri. Gjithashtu, Zef Pergega ka themeluar në ShBA Institutin e Kulturës Shqiptaro-Amerikane. Tregues i kualitetit të botimeve të tij është fakti, se dy nga librat e Zef Pergegës kanë hyrë në bibliotekat e Kongresit Amerikan në Uashington D.C.

Pra, kemi të bëjmë me një autor, i cili ka kontribut të gjerë e cilësor në fushën e publicistikës , të letërsisë artistike, të studimeve historike, të vështrimeve teoriko-letrare, me një gamë të gjerë temash, me një pasuri të veçante zhanresh dhe mjetesh shprehëse . Mendoj se autori, në këtë botim për Çamërinë ka sintetizuar gjithë akumulimin e tij studimor e botues dhe e ka pasuruar e ridimensionuar çështjen çame parë nga kënd vështrimi edhe historik edhe letrar. Ky zhanër e bën librin shumë tërheqës, të lexueshëm më një frymë dhe mjaft emocional.

Si studiues i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i diplomacisë mund të them se sado që të shkruajmë për Çamërinë, gjithsesi i mbetemi borxh asaj kauze. Çështja e Çamërisë është aspekt themelor i dinjitetit kombëtar. Nga vitit 1940, me Dekretin e Mbretit të Greqisë, u shpall Ligji i Luftës me Shqipërinë dhe, në kuadër të tij më pas vijoi dhuna masive mbi popullsinë e Çamërisë nën arsyetimin se “ishin bashkëpunëtorë të nazizmit”. Kjo tezë ë falsifikuar është e manipuluar historikisht dhe e deformuar faktikisht.

Teza për arsyetimin e spastrimit etnik të Çamërisë si “bashkëpunëtorë të nazizmit” është falsifikim historik në kohë. E vërteta e pastrimit etnik të Çamërisë, nis qysh në vitin 1913, përpara Luftës së Parë Botërore. Asokohe as nazizmi nuk kishte lindur dhe as Lufta e Dytë Botërore nuk kishte filluar. Në vitin 1913, pra shumë vite përpara arsyetimit të Mbretit Grek për Dekretin anti shqiptar, Venizellosi, Kryeministri Grek i vitit 1913, parashtroi doktrinën e tij të Vorio-Epirit.

Në kuadër të kësaj doktrine shoviniste e pretencioze territorialisht mbi shqiptarët e Jugut, Venizellosi bëri veprime konkrete për spastrimin e dhunshëm të Çamërisë, fillimisht nga shqiptarët muhamedanë, por më pas edhe nga çamët ortodoksë, të cilët nuk pranuan të tjetërsonin identitetin e tyre autokton shqiptar.

Mbas Luftës së Parë Botërore, Venizellosi në marrëveshje me Turqinë, bënë këmbime popullsie, midis grekëve që jetonin në Turqi dhe shqiptarëve Çamë që jetonin në trojet e tyre në Çamëri. Ky spastrim etnik u shoqërua me tre veprime: së pari, me largimin e dhunshëm të shqiptarëve të Çamërisë nën etiketimin “turq muhamedanë”; së dyti, me popullimin me kolonë grekë që vinin nga Turqia; së treti, me tjetërsimin e pronave të çamëve në tërë krahinën e tyre, duke ia dhënë kolonëve grekë ose duke i përdorur si prona publike të Mbretërisë Greke. Pra, Doktrina e Vorio- Epirit e vitit 1913 është në thelb nisma e spastrimit etnik të Çamërisë dhe jo viti 1940, nën etiketimin “bashkëpunëtorë të nazizmit”. Vitet 1940-1945 e eskaluan në nivelin më të lartë,, deri në shfarosje etnike e gjenocid, luftën e grekëve kundër popullsisë Çame.

Teza e “bashkëpunëtorëve të nazizmit” është manipulim faktik. Në tërë popullsitë e Rajonit, përfshirë Francën, Poloninë, Holandën, Austrinë, Hungarinë, Kroacinë, Rumaninë, madje edhe Serbinë, Greqinë e vendet të tjera përreth, pati ose Qeveri të mirëfillta naziste, nën presionin e shantazhin hitlerian, ose segmente politike, pra parti e korrente politko-ushtarake të caktuara pro naziste, të krijuara për shkaqe e nën ndikime të ndryshme. Çamëria nuk ishte një mjedis jashtë pushtimit nazist. Edhe Çamëria u pushtua nga nazistët mbasi Italia fashiste dështoi në pushtimin grek. Nga më shumë se 70 mijë banorë që jetonin asokohe në Çamëri, shumica e tyre u bënë pjesë e formacioneve ushtarake antifashiste. Midis tyre kanë bërë pjesë edhe figura që deri në ditët tona qëndrojnë në krye të Greqisë, sikundër është Presidenti Papulias. Vetëm një numër jashtëzakonisht i vogël, jo më shumë se afro 200 persona, u vunë në shërbim të nazizmit. Kjo ndodhte në një kohë kur Kryeministri Grek Metaksa kishte pas qenë i tëri fashist dhe miku më i ngushtë i Musolinit. Pra, fashizmi ishte ulur këmbëkryq në tërë Greqinë përpara ardhjes së pushtuesve gjermanë, ndërsa goditja politike e pastrimit etnik dhe gjenocidit u dha vetëm mbi popullsinë Çame, duke ndëshkuar mbarë popullin vetëm për një grusht kolaboratorësh të nazizmit.

Në dokumente të shumta të kohës, në autorë, dëshmitarë, madje edhe në letërkëmbimin e Konsullit Britanik të Kohës në Janinë, reflektohet shqetësimi i diplomacisë Britanike, që Koloneli Fashist Zerva, po ushtronte reprezalje të papara mbi popullsinë civile të pambrojtur, mbi gratë e fëmijët, mbi pleqtë e të sëmurët, madje edhe mbi mësues e klerikë shqiptarë- nën arsyetimin absurd “të pastrimit të vendit nga kolaborarët e nazizmit”. Në librin tim “Çamëria-Në rrugën e zgjidhjes” kam shqyrtuar pothuajse gjithë autorët e kohës, studimet bashkëkohore, dokumentet autentike të ardhura nga shumë rrugë e drejtime. I kam analizuar në mënyrë krahasuese dhe më rezulton në mënyrë të pakundërshtueshme se politika Greke mbi Çamërinë ka lindur shumë më herët se lindja e nazizmit e fashizmit; ka qenë strategji e pastrimit etnik dhe e kolonizimit të territoreve Çame me grekë nga Turqia si dhe ka synuar të tjetërsojë pronat e shqiptarëve në mbarë krahinën.

Sot çështja Çame shtrohet në kontekste bashkëkohore. Historia nuk restaurohet kurrë tërësisht. As e kaluara nuk mund të riparohet. As gabimet e së shkuarës nuk mund të përmirësohen plotësisht. Ajo çka mund të bëhet sot lidhur me zgjidhjen e çështjes së Çamërisë është konsiderimi i saj, i kompleksitetit të saj, të vendosur në rendin e ri botëror, në normat e parimet e të drejtës ndërkombëtare, të drejtave universal të njeriut dhe ato në kuadër të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian si dhe në respekt të së drejtës ndërkombëtare private.

Shqipëri ka hedhur dy hapa me rëndësi drejt rrugës së zgjidhjes së çështjes Çame. Së pari, Parlamenti Shqiptar ka adoptuar një rezolutë të vullnetit të mirë politik për ta përfshirë këtë çështje në strategjinë e qeverisjes. Së dyti, diplomacia shqiptare , më në fund e ka përfshirë çështjen Çame në dosjen e bisedimeve dypalëshe me Greqinë. Këto dy hapa janë shumë të rëndësishëm. Kjo, sepse, tanimë, çështja Çame nuk është fakultative, sipas konjukturave apo alternativave qeverisës, por është e bazuar në vullnetin politik të Sovranit-Parlamentit Shqiptar dhe është në dosjen e diplomacisë zyrtare të Shtetit Shqiptar. Ky është një fillim i mirë, por vetëm fillimi. Sfida e zgjidhjes së çështjes së Çamërisë, formati i zgjidhjes, aspektet që do ofrojë zgjidhja, rrugët e mekanizmat që do ndiqen – në tërësinë e tyre do të duan kohë, durim, maturitet e, mbi të gjitha, shumë patriotizëm e profesionalitet njëkohësisht.

Shteti shqiptar, qeveria e tij, por edhe vetë komuniteti i Çamërisë kërkojnë një zgjidhje të bazuar në normat e ligjet bashkëkohore, në mundësitë reale të zbatueshme, pa cenuar kufijtë politikë të shteteve ekzistuese në Ballkan, politikën e fqinjësisë së mirë dhe pa cenuar paqen e stabilitetin në Rajon. Madje, faktori shqiptar, kudo që ndodhet, pavarësisht sfidave që kalon, sërish ka qenë dhe mbetet modeli i kontributit për qëndrueshmërinë e stabilitetit Ballkanik, për demokratizimin e Rajonit, por prosperitetin ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit në strukturat Euro-Atlantike.
Mendoj se Zef Pergega me këtë studim historiko-letrar e publicistik sjell një vlerë tjetër të shtuar në rrugën drejt zgjidhjes së çështjes Çame, si një prej kauzave më të rëndësishme të realizmit të Kombit Shqiptar. E përgëzoj shumë autorin për këtë libër të mrekullueshëm, të cilin do dëshiroja ta lexonin gjithë shqiptarët e mirë kudo në botë.

Tiranë, 25 Nëntor 2013