Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/08/07

NJË MOZAIK NË LETËRSI


Nga Prof.Dr.Rasim Bebo




Prof. Dr . Flori Bruqi, mori rrugёn dhe ndaloi te zalli i lumit gurgullues të letërsisë shqipe. Këtu ulur, filloi të zgjedh një e nga një gurë: të vegjël, të bukur, të shndritshëm, nga ata që ta reflektojnë spektrin e diellit në fytyrë dhe të verbojnë aty për aty. I radhiti një nga një në një mozaik, të ngjashëm me atë të stërgjyshit tonë pellazg, që ndërtoi të parin mozaik në botë, këtu e mbi 4000 vjet më parë në Nekropolin e Athinës, të zbukuruar më gurë të vegjël të lumit në dyshemetë dhe muret. Prej këndej në të gjithë perandorin pellazge, që shtrihej në tre kontinente: nga Azia e vogël te Priami i madh, në Afrikën e Veriut, duke dalë në Europë te Baskët, dhe deri në veri për gjatë rrjedhjes së lumit Danub me kufi. E gjejmë kudo këtë mozaik dhe sidomos te Tempulli i famshëm i Dodonës, në Butrint, në Durrës, në Apolloni, në Trojë, në Gjenevë të Zvicrës, (si na vë në dijeni Prof. Dr. Agim Shehu) dhe në shumë vende të tjera. Kur i shikojmë këta mozaikë të bukurisë së përkryer, që pasqyrojnë artin e mrekullueshëm të stërgjyshërve dhe gjyshërve tonë, ne mahnitemi që toka nënë – Demetra – i ruan për mijëra vjet. Syri ynë i përmbledh me një të parë.

Mirëpo mozaiku i të nderuarit Bruqi, është bërë në Kosove dhe në vend të gurëve të zgjedhur të lumit, ai radhit shkronjat e trashëguar të gjuhës shqipe, të konfirmuara nga Pema e 63 gjuhëve dhe nga pema, qe pasqyron prof. Dr. Flori e 47 gjuhëve, që për vjetërsi i kalon të gjitha gjuhët e botës mbi 9.000 vjet përpara. Kështu kemi të bëjmë me këtë mozaik libër, “DIADEMA LETRARE”, që përmbledh: kritikë, gjuhësi, pikëpamje, poezi. Mozaikun libër, të Prof. Dr. Florit, nuk mund ta përmbledhim me një të parë, qoftë edhe me dy, sepse duhet kohë për ta lexuar dhe studiuar me vëmendje të përqendruar. Ky grumbullim materiali, i përgatitur nga autori, zëvendëson atë të Akademisë së Shkencave Shqiptare në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Sot ato institucione janë në shërbim të kursit sllavo-rus-greke. Ndërsa Shqipëria është nën drejtimin e Këshilltarit, Kolonelit, Akademikut, të asfalisë (sigurimit) grek, Janullatos. Elitat e kulturës së këtyre vendeve, janë të heshtur, të korruptuar, të politizuar, të frikësuar dhe bëjnë: “Gjumin më të rëndë dhe më të gjatë, si murgjit e pergamenave, që janë mësuar me dhomat e errëta”. (Z. Pergega).

Duke shfletuar “Diademn letrare” në faqen e parë lexohen rreshtat, që Flori i dedikon babës së tij: “Babajt tim MAXHUN BRUQI, mësimdhënës, që tërë jetën evet intelektuale e atdhetare ia kushtoi gjeografisë kombëtare”.

Ai e gjeti shkabën dykrenëshe në themelin e shtëpisë të bërë blozë.

Bregu i detit dhe Mesapliku i këndojnë Shqiponjës. Shkab’e madhe kasaba, / me dy krahë të mëdha, / nuk u dhe dhe nuk u fale. Flori Bruqi aty të zgjon historin e Dodonës. 

 Ndër 1800 objektet e zhgroposura në Dodonë më 1875-1877, gjithçka (ndërtesa, monumente, dhurata si (ex-voto) etj. drejtpërdrejt, lidhen me mbretin e perëndive pellazge ZEUSIN. Këtu u gjetën shumë shkaba dykrerëshe, që janë përhapur në Perandorin Pellazge. Një ndër ato mund të jetë dhe ajo që gjeti Prof. Maxhun Bruqi. Dodona ndodhet 16 km. në J. P. të Janinës në Çamëri. 

Të gjithë autorët e lashtë si Homeri, Hesiodi, Hekateu, Akusilao, Hellaniko, Herodoti, Tukididi etj, siç na i përmend eruditi Flori, na bëjnë të ditur se, para mbërritjes së grekëve në shek e VII p.e.s. vendi banohej nga Pellazgët Hyjnor.

 Dodona ishte vendi i kultit, apo vendi i Shenjtë parahelen, më i lashti dhe i vetmi vend i njohur. Zeusin e trajtonin jo vetëm si pellazg por e cilësonin më tepër si Dodonas. Dodona është bërë disa herë blozë. Dodona u rrafshua në vitin 219 p.e.s. nga gjenerali etolas, Dorimahu.

 U rindërtua nga pasardhësit e Burrit të Ledhezës Pirro. Qëndroi e tillë deri në vitin 167 p.e.s. kur vërshuan lukunitё e Paul Emilit. Dodona Pellazge pësoi edhe një rrënim tjetër vdekjeprurës në motin 88-87 p.e.s. prej trakasve aleatë të Mitridatit… 


 Më 435 e.j. perandori i lindjes, Teodori urdhëroi “shuarjen e përhershme të Dodonës Pellazge si zjarrishte pagane dhe shndërrimin e saj në një nyje të krishtere më 475 e.j. fillimisht nga vandalët dhe më pas (551), Totila me barbarët ostrogotë, të pasuar nga saraqenët e bullgarët etj., e fshinë përjetë të jetës nga faqia e dheut Dodonën, kryeqendrën europiane të pellazgëve, – populli më i lashtë në kontinent. (Dhimiter Pilika “Pellazgët”,f. 161). 

 Flori Bruqi të jep drejtimin dhe te hap rrugë, për t’u thelluar në “Kujtimet” e Ismail Qemali, që thotë: se, “Në vitin 1866, kur isha këshilltar politik i valiut të Janinës, gjatë një vizite tek pronat e një miku tim në fshatin Melingus, kisha dalluar disa rrënoja, që i lidha me tempullin antik të Dodonës. Dhjetë vjet më vonë ia tregova mikut tim në Vlorë Karapanos”. 

 Ky filloi menjëherë gërmimet në Dodonë pas 1460 vjetësh, duke nxjerrë në dritë një sasi thesaresh arkeologjike me vlerë të jashtëzakonshme. (P. Xh. “Ilirira”, 6-2-2006, f. 24).

 Karapano, vllaho-grek, i shkathët, shumë nga këto thesare të Dodonës ua fali si dhuratë delegatëve të Anglisë dhe të Francës, që ishin anëtarë të Kongresit Berlinit. Me qëllim, për të përkrahur kërkesat e qeveris greke në këtë Kongres.

Prof. Dr. Flori Bruqi, hynë në plejadën e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar. Ai është trim, i papolitizuar, nacionalist i pastër, me pak fjalë, të hap horizont për t’u futur thellë në ngjarjet historike.

 E gjeti shkabën dykrerëshe në themelin e shtëpisë të bërë blozë. Ashtu si Dodona u bë disa herë blozë, por prapë u ngjall, se, “fara shqiptare nuk është delikate dhe që të goditet lehtë, e të rrezikojë të zhduket. 

Është e fuqishme, e ashpër, luftarake, që nuk mund t’i nënshtrohet të tjerëve. Ajo i jep rëndësi kombit, ekzistenca e saj e mposht edhe kohën. Ajo mbizotëron aty, ku popujt e tjerë dështojnë.

 (A. Kola “Arvanitasit” f. 166). Një ndër plagët e mëdha, është Shqipëria Londineze, që eruditi Flori e përmend dhe analizon shpesh në librat e tij të shumta. 

Prof. Dr. Eshref Ymeri thotë: se Shqipëria nuk ka qenë 116.000 km2 por 134.000 km2, shifër kjo e marrë nga enciklopedia Ruse.

Lexuesin e shtinë Flori për t’u thelluar në problemet kardinale të popullit tonë, i cili ka kaluar në luftra me pellgje gjaku. Pikërisht Kryengritja e madhe e vitit 1913, që kishte përfshire gjithë trojet shqiptare e ktheu vendin ne shkatërrim dhe mjerim me pellgje gjaku?

 A. Baleta shkruan: “Kryengritjet shqiptare që u bënë në Kosovë më 1908 – 1910 – 1912, praktikisht ia shtrinë rrugën Serbisë, sepse u harxhuan, u grinë forcat me Turqinë. Sot nuk kemi të drejtë të mos i vlerësojmë ngjarjet si duhet, që të mos i bëjmë të njëjtat gabime,

 Është fakt i njohur tashmë, se përplasja shqiptaro-osmane e viteve 1911-1912 dobësoi ndjeshëm potencialet dypalëshe. Pikërisht, pak jave pas mbarimit të kësaj lufte, Më 18 gusht po të vitit 1912, filloi sulmi ndaj territoreve shqiptare, nga Mali i Zi, Sërbia dhe Greqia. 

Nëse lufta e shqiptarëve do të përqendrohej kundër këtyre agresorëve, padyshim që dhe harta e sotme e Shqipërisë do të ishte ndryshe. 

 Në faqen e parë të këtij “Mozaiku Letrar”, Kur Mazhuni gjeti shkabën dykrenore në themelin e shtëpisë bërë blozë të pa dëmtuar, e pastruan nga bloza dhe e vendosën te këndi si më parë.

 Shfletojmë librin më tej dhe shikojmë një fotografi familjare me tre breza dhe me 14 veta të grumbulluar si një tufë trëndafilash, që pasqyron një familje shtet brenda shtetit. Sa bukur, kur sheh gjyshërit, fëmijët e tyre dhe nipër e mbesa, të ulur dhe në këmbë me çiltërsi. 

Kjo është familja, Kosova sot e gjallë, dinamike, e lulëzuar, që e përshkruan biri i saj Flori Bruqi. Jo më larg se 14 vjet, Flori përshkruan: Populli i Kosovës – UÇK-ja dhe NATO = Liria e Kosovës. 

 Të ngjethet mishtë kur dëgjon dhe shikon kasaphanën serbe. Gazeta “Iliria” shkruante në atë kohë: Kur shkova në zyrë, thotë, Magdalena Ollbrajt dhe pashe mbi tavolinë gazetën, me fotot e masakrave serbe në Kosovë, u trondita dhe mora Klintonin në telefon, NATO duhet të filloi sulmin për të ndalur këtë gjakderdhje të këtij populli trim, të përmendur në histori.

Presidenti amerikan Bill Klinton shprehej në qershor të vitit 2002 se: “Nënë Tereza ishte e para që më bëri të dua kombin shqiptar dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyre morele të saj ndaj vlerave të lirisë”. Fjala është për shpalljen e Kosovës të pavarur. (Prof. Dr. Saimir Lojla ”Bota sot” 19-10-2004)

Tani vijmë te fundi i shekullit që shkoi, te përshkrimi i luftës së Kosovës nga Prof. Dr. Flori Bruqi: ‘Lufta filloi më 12 shkurt 1998 deri në 23 mars 1999.

 Më 12 qershor 1999 hyri NATO në Kosovë. Në këtë luftë u dëbuan 800.000 shqiptarë, u vranë 15.000 persona, nga këta, 2400 luftëtarë të UÇK, janë zhdukur rreth 5000 njerëz, janë përdhunuar afër 20.000 femra, janë rrëmbyer mbi 3000 shqiptarë dhe akoma nuk u dihet fati i 2087 të tjerëve.

 Kanë djegur 1.100 vende banimi, kanë plaçkitur djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, objekte kulture, shkencore, fetare. Ky përshkrim do te mbetet si pjesë e krestomacisë historike, për ta përdorur çdo person i kulturuar dhe sidomos çdo historian për referenca. Kosova fitoi Lirinë.

Me ardhjen e Titos së vogël në Shqipëri, Miladin Popoviçi si udhëheqës suprem mbi Enver hoxhën, po ta zije në gojë Kosovën dhe Çamërinë, të jepnin karamelen e plumbit pas kokës.

Grekët Çamërinë e vranë, e therën, e dogjën, përdhunuan dhe e dëbuan, pa pasur asnjë ndihmë nga shteti amë, po vetëm sabotim dhe diskriminim. Kosovën e tradhtuan vetë udhëheqja shqiptare. Djemtë e Shaban Polluzhës, rreth 40-50 mijë frymë dorëzoheshin te vllau shqiptar dhe ky vëlla tradhtar ja dorëzonte serbëve, që i asgjësonte në masë si në masakrat e Tivarit etj. Te gjitha këto ngjarje pikëllimi i gjen te libri “Diadema Letrare” të përshkruara në art.

Ndërsa Çamëria u tradhtua nga qeveria shqiptare dhe Akademia e Shkencave, greku e shpalli Çamërinë, si toponim që nuk ekziston, duke njoftuar institucionet ndërkombëtare për ta ligjëruar dhe u ligjërua. 

Arritën deri aty, sa Ministri i Jashtëm grek, deklaroi serbes, pa u trembur fare se “Çamërinë unë nuk e njoh” dhe qeveria shqiptare hesht, se është bërë Tirana më keq se Athina për kombin shqiptar

Pikërisht për këtë, historiani sllav në Maqedoni, arriti të nxjerrë nga goja se maqedonasit e sotshëm ishin stërnipërit e Lekës së Madh dhe më tej, “Prof. Polljanski” tha se Skënderbeu nuk ishte shqiptar.

 Ne e pyetëm: Profesor, për cilën Maqedoni flisni, sepse për ne historianët, ne kohën e Aleksandrit të Madh, ju bridhnit ende në stepat e Rusisë, kurse në viset e Aleksandrit të madh, keni ardhur 10 shekuj më vonë. 

Polljanski u përgjigj … “Ne, -tha ai,- maqedonët, me të vërtetë kemi ardhur shekuj më vonë, por përderisa u vendosëm në trojet e maqedonëve të lashtë, ne jemi pasardhësit e tyre, jo vetëm pasardhësit e tyre kulturorë por edhe gjenetik.Sot akademikët sllav të Shkupit, nuk duan të dinë fare për saktësitë historike. 

Për ta, sllavo-maqedonët e ditëve tona, vëllezërit e bullgareve dhe të serbëve, kur e do puna, janë sllavë, kur nuk e do puna, nuk janë sllavë, por pasardhësit e maqedonëve të Aleksandrit të Madh. Ndërsa shqiptarët i quajnë disa “ashkla”, që kanë shpëtuar pa u zhdukur. (N. Muhameti “Maqedonia…”, bot. 2009, f. 415). Te “DIADEMA LETRARE” ne shikojmë Flori Bruqin si erudit, i prozës dhe i vargut, duke i zgjedhur gurët e mozaikut dhe duke i radhitur, si nacionalist në plejaden e njerëzve më të shquar të Kombit shqiptar.

ÇABEJ thotë: “Nuk mundet të shkëputet kërkimi gjuhësor, pa pasur parasysh faktoret hitorikë. Flori, me Diademën Letrare, zë vendin e Çabejt që ka vdekur, duke kritikuar “hartën e kulturës indoeupiane, pa e ditur tani se si do të konsiderohemi, në çfarë konteksti si gjuhë e humbur, e rrëgjuar, apo etni, a popull i zhdukur. Prof. Dr. Flori Bruqi, zuri vendin e dhjetëra Profesorëve që punojnë në Akademinë e Shkencave, për të vënë pikën mbi “i”, duke argumentuar me duzina libra dhe tema te ndryshme të tij dhe duke grumbulluar shumë shkrime nga autorë të ngjashëm me veten e tij. Ai thotë: “Të gjitha veprat e mija kanë si lajtmotiv i çështjes Shqiptare. Nuk është e rëndësishme çfarë mendon Qosiqi?!

Flori shkruan: “Kam lexuar, po, dhe ç’nuk kam lexuar, madje ç’të lexuar se (!), nga autorë serbë, beogradas dhe jo vetëm, opinione nga më të neveritshmet dhe më përçmueset, nga më përdhosëset dhe më poshtërueset, nga më të përdalat dhe më të përçartat dhe jo vetëm, që të mos them edhe raciste – kundër shqiptarëve.

 Më vjen ndot edhe t’i kujtoj, e pale më t’i shkruaj a citoj, gjithçka u fol e u shpërfol, gjithçka u shkrua e u nënshkrua, gjithçka u botua e u stërbotua, “nashke”, e jo pak edhe në gjuhë të huaja, që s’i zë në gojë asnjë i çmendur. 

Dhe as i ka edhe fjalori më i zi me sharje e fyerje, me poshtërime e ofendime, me mallkime e stërmallkime. S’është nevoja të përbaltesh e të pisërohesh me andriqët e çubrilloviqët, sepse balta të baltëron, e pisi të pisëron. Mjafton të ndyesh gojën vetëm me një e të vetmin emër e mbiemër, me atë më “aktualin” dhe më të ziun nga aq të zinj, “babanë e kombit serb” – Dobrica Qosiqin”.

 Akoma më shumë: Kriminelët serbë “kanë bërë llamba me kafka shqiptarësh të vdekur, u kane prerë kokën, ua kanë zier në tenxhere, u hoqën katër dhëmbë ari, dhe kafkën e kane ngjyrosur, e kane bere llambe tavoline!” ka thënë S. Stojanoviç. 


 Ata u vranë për Kosovën e lirë… Flori shkruan: “Tridhjetë e një vjet më parë, në rrethin e Shtutgartit në Gjermani, Lëvizja politike për çlirim kombëtar, mori një goditje të rëndë në atentatin kundër Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, tri figurave të rëndësishme politike dhe organizative të lëvizjes kombëtare në emigracion. 

17 janari 1982 ishte datë që tronditi zemrat e bashkombasëve të tyre si në trojet shqiptare, ashtu edhe në shtetet perëndimore, ku jetonte dhe vepronte një komunitet i tërë politik”.

Dy vjet para të quajturës demokraci dhe 17 vjet para atentatit kundër tre djemve Kosovar, dënohet me varje në litar për t’i këputur vargun politik, Havzi Nela, nga Presidenti Ramiz Alia i komunizmit, që kaloi president i demokracisë me fjalën: “Enver Hoxha ka vetëm ditëlindje”.

http://gazetadielli.com/page/3/?s=flori+bruqi

Statusi i shkrimtarit sot



FLORI BRUQI

Borgesit do t’i mjaftonte vetëm një fjali për ta dhënë mrekullisht thelbin e dinjitetit: “Individ dinjitoz është ai që ia del të jetë në paqe me veten dhe me të tjerët”.

Thënia e njohur e Kantit se “Individi pa dinjitet s’mund të prodhojë vepra dinjitoze”, duket që u përket atyre postulateve që s’vjetrohen kurrë, pavarësisht konotacioneve që mund të fitojë fjala “dinjitet” në kohërat moderne apo postmoderne.

A ka dinjitet shkrimtari i sotëm shqiptar?

Jo pa dhimbje, derisa flas edhe për veten më duhet të përgjigjem (zë-ulët): “Jo”.

Si për ta ngushëlluar veten dhe kolegët e mi, po shtoj se problematika në fjalë, domethënë “dinjiteti i humbur i shkrimtarit” duket së është një shqetësim mbarë-kombëtar çka lidhet, me siguri, me “dinjitetin e humbur” të vetë letërsisë.

Sipas studiuesit Ridvan Dibra ”Konsumizmi i shfrenuar, triumfi i imazhit, realitetet elektronikë, ekspansioni i medias etj. duket se vërtet ia kanë lëkundur letërsisë dinjitetin e dikurshëm”.
Amerikani, Joseph H Bloom njëri ndër emrat më të lavdishëm të kritikës letrare bashkëkohore, shprehet plot dhimbje: “Talentet e mëdha janë shurdhuar një herë e mirë nga realiteti i medias amerikane.

Kush mund t’i rivalizojë me parodi lajmet e televizorit, gazetës dhe fjalimet e qeveritarëve?

Realiteti amerikan është më grotesk dhe më qesharak se cilado parodi, sado e mirë qoftë…”. (Kur realiteti amerikan paraqitet i tillë, imagjinojeni tonin, të dashur miq).

Të dënuar të përballen e të jenë pjesë e një realiteti të tillë, disa prej shkrimtarëve shqiptarë bashkëkohorë (post-modernë që të gjithë!) duket se kanë zgjedhur rrugën më të lehtë e më të shkurtër: e kanë hequr nga vetja e tyre dinjitetin, sikur ai të ishte zorrë qorrë a diç tjetër e panevojshme.

Kujt i është shitur dinjiteti?

Së pari, pikërisht asaj për të cilën kanë nevojë më shumë. Asaj që të bën të njohur e “person publik” edhe pse mund të kesh botuar vetëm dy-tre tekste të dyshimtë. Asaj që të bën të famshëm e delirant, deri edhe në ëndrra me Nobel. 

Asaj “lubie” që për ta shuar urinë e vet të përditshme, “gëlltit çorbën” e gatuar prej lloj-lloj grafomanësh e sharlatanësh. Domethënë medias.

Argumente?

– Shikojeni paraqitjen e shkrimtarëve nëpër gazeta ditore, ekranet televizivë: herë fodullë e herë kinse shpërfillës, teksa për hir të pranisë mediatike dëshmohen të gatshëm të debatojnë e diskutojnë për lloj-lloj argumentesh e problematikash jashtë fushës së dijeve të tyre, domethënë jo letrare.

(Para disa ditëve , një poet i lakuar bashkëkohor fliste plot kompetencë për avantazhet e centraleve atomikë).

– Lexuesi i pasionuar i lexon intervistat apo auto-intervistat e tyre nëpër faqet kulturore të përditshmeve tona: megalomani e neveritshme, vetëmburrje e vetëvlerësime foshnjarake, mungesë e plotë etike, modestie e qytetarie.

(“Kur flet libri, autori duhet të heshtë”, përsëriste më postulatin e njohur të filozofit gjerman me origjinë polake Friedrich Wilhem Nietzsche:” Merrni pjesë në promovimet për çdo libër të botuar: seanca të bezdisshme hipokrizie mes “miqsh të gotave dhe të femrave” e që fill të nesërmen media e unshme i bën publike.
– Shfletoni librat e botuar: foto autorësh delirantë e me pamje profetike (kujtesë: post-modernizmi nuk e pranon autorin-profet), shënime entuziaste në kapakët e pasmë, që do ta skuqnin nga turpi edhe vetë Xhejms Xhojsit për shembull etj.

Shkrimtari bashkëkohor shqiptar (përsëri u kërkoj ndjesë përjashtimeve) duket i etur për njohje e famë, qoftë edhe për një “filxhan lavdi”.

Dhe këtë lavdi (i yshtur, si duket, edhe nga ndonjë rast pararendës) kërkon ta arrijë sa më shpejt e më lehtë, duke e konsideruar punën e tij kryesore, domethënë punën e mundimshme me tekstin letrar, si punë të dorës së dytë. Kurse parësore për të bëhen:

1. paraqitjet e vazhdueshme mediatike në gazeta dhe televizonet tona ;

2. pjesëmarrjet nëpër lloj-lloj mitingjesh e festivalesh letrarë anë e kënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Globit;
3. radhitja e sa më shumë çmimeve të fituara (jo pak të dyshimtë e fiktivë) etj.

Këtë situate sipas Ridvan Dibrës “ në thelb tragji-komike – të letrave tona pas viteve 1990, e “favorizojnë” edhe dy mungesa extra, tipike shqiptare:

1. Mungesa thuajse e plotë (uluritëse kjo mungesë!) e kritikës letrare, e cila, kuptohet nëse do të ekzistonte, mund t’ia dilte (ndoshta?) t’i “ulte gjelat që këndojnë majë togut të tyre plehut” dhe të nxirrte në pah vlerat e mirëfillta letrare-estetike.

2. Mungesa e plotë e organeve të specializuara letrare, estetike e kritike (me siguri, duhet të jemi i vetmi vend në botë me një mungesë të tillë, thotë Dibra. 

E megjithatë, humbjen e dinjitetit ndër shkrimtarë nuk e justifikon asnjë mungesë apo situatë, sado të pafavorshme qofshin ato. Gjithnjë e më shumë po shtohen zërat (dashakeqë e nostalgjikë), që rreken t’ia mohojnë çdo vlerë letërsisë shqipe të pas viteve 1990, duke e vendosur bile në rrafshe krahasuese me realizmin socialist.

Dhe besoj që një dukuri e tillë bëhet e dhimbshme sidomos për ata shkrimtarë të përkushtuar, që kanë dhënë e vazhdojnë të japin vlera të qëndrueshme e të spikatura letrare nga Shqipëria :Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Eshref Ymeri,Bardhyl Londo,Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi,Zija Çela, Visar Zhiti,
Fatmir Terziu, Skënder Buçpapaj, Mujë Buçpapaj, Izet Duraku, Përparim Hysi, Agron Shele, Amiko Kasaruho,Fatime Kulli,
Raimonda Moisiu,Rexhep Shahu, Zef Pergega, Rasim Bebo,Ferida Ramadani-Zmijani,Vullnet Mato, Ligor Shyti,Flutura Açka , Jerida Kulla, Fran Ukcama,Linditë Ramushi Dushku,Rami Kamberi, Vjollca Tiku Pasku,Riza Lahi, Kabil Bushati etj., ndërsa nga Kosova : Rexhep Qosja ,Agim Vinca, Ibrahim Rugova,Azem Shkreli,Ali Podrimja,Ramiz Kelmendi,Din Mehmeti, Flora Brovina, Mehmet Kajtazi, Iljaz Prokshi, Shyqri Galica, Rushit Ramabaja, Kadrush Radogoshi, Skënder Zogaj, Naim Kelmendi, Musa Ramadani, Reshat Sahitaj, Migena Arllati, Dibran Fylli, Ruzhdi Baloku,Sejdi Berisha,Halil Haxhosaj, Adem Zaplluzha,Nebih Bunjaku, Zejnullah Rrahmani,Bilall Maliqi,Bedri Zyberaj, Nazmi Rrahmani, Xheladin Mjeku,Begzad Baliu,Zeqir Fazliu, Esat Loshaj,Hydajet Hyseni, Gëzim Ajgeraj …etj).

Shkrimatri i famshëm çek Milan Kundera ka më shumë se 33 vjet që nuk jep intervista, i bindur tashmë në hipokrizinë dhe artificialitetin që ato, shpeshherë, përmbajnë në vetvete.
Kurse novelisti amerikan Thomas Ruggles Pynchon njëri prej zërave më interesantë të narratives bashkëkohore amerikane (natyrisht post-modern!), ka publike vetëm një foto të hershme në internet, kurse gazetarët që i kërkojnë intervista, i përzë me të shara.

Jam i bindur se ithtarët e post-modernes mund t’i konsiderojnë si donkishoteskë këto raste, duke shtuar se statusi i shkrimtarit ka ndryshuar dhe nuk është si ai i para 100 viteve.

Njëra anë e balancës, duket haptazi, qe plot. Ana tjetër e balancës kishte vetëm një njësi, himnizimin e kësaj parajse e cila përmes letërsisë së ideologjizuar, më shumë se përmes vetë indologjisë, bëhej jo vetëm e besueshme, por e dashur dhe e ëndërruar, duke krijuar edhe në mungesë lirie të shprehuri idiolatrinë mbi “statusin shoqëror të shkrimtarit”.

Të gjorët shkrimtarë të Perëndimit!

Ankesat për mungesë statusi dhe vëmendjeje tingëllojnë si një vetëlinçim publik. Kjo për faktin e thjeshtë se “esnafi” i shkrimtarëve, sipas atyre që shoh e dëgjoj çdo ditë, për mua rezulton se është më i përfaqësuari në Shqipëri e më pak në Kosovë.
Shkrimtarët (ose të ngjashmit) prej vitesh i gjemë këshilltarë në Presidencë, në Kryeministri, në Ministri të Arsimit, Ministri të Kulturës, e në të tjera ministri që nuk kanë lidhje me kulturën. Ata i gjejmë drejtues institucionesh kulturore, anëtarë bordesh ku miratohen strategji, projekte, politika e tekste për lexim.

Ata janë pjesë e kryesive dhe kolegjiumeve të medieve tona. Janë dhe kanë qenë parlamentarë, ministra, profesorë, dekanë, rektorë, profesorë e gjer tek mësues të thjeshtë. Ata janë pra të kudondodhur.

Studiuesi Arian Leka thotë “Atëherë kujt ia kërkojnë shkrimtarët “statusin” dhe përse u duhet ai?

Kujt i adresohen dhe a nuk e kuptojnë se ndodhen para pasqyrës sa herë që flasin për statuse shkrimtarësh dhe mungesë vëmendjeje nga shoqëria e cila pret t’i shohë ata sa më pak të rreshtuar nën modelin shkrimtarë të të gjitha llojeve bashkohuni”?

Si kanë ndryshuar shijet e lexuesit?

Ajo që ne quajtëm liri ka ndryshuar jo vetëm për krijuesin, por dhe për lexuesin. Tashmë shkrimtarët tanë janë një hap me lexuesin evropian.

Ne Kosovë, Shqipëri etj., jemi fatlum në krahasim me mjaft vende të tjera sepse kemi më shumë lexues.

Shkrimtari Zija Çela thotë “Nuk besoj se do të kem shpëtuar pa ndonjë kompromis të këtij lloji, për një fragment apo një fjalë të shkruar. Një shembull: si vjen letërsia.

 Në vitin ‘84 kam qenë në Kukës dhe kam shkruar një roman, “Burrat nuk dalin nga lufta”.

Thelbi i një shkrimtari është individualiteti i tij, që të jetë i ndryshëm nga të tjetër.

Nëse censura në vendin tonë tashmë është lënë mbrapa, ajo që nuk lihet mbas është autocensura…Etj.

“Potpuria” letrare e Flori Bruqit




Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Para pak ditësh, Shtëpia Botuese “Klubi i poezisë”, Tiranë, nxori nga shtypi dhe hodhi në qarkullim librin me titull “Moderniteti në letrat shqipe”, të autorit Flori Bruqi, poet, shkrimtar, historian, hulumtues dhe kritik i talentuar, një libër ky, i tridhjetenënti në serinë e veprave të tij, të botuara deri tani. Recenzent i librit është Rexhep Shahu, kurse redaktor – Izet Duraku.

Libri përshkohet tejendanë nga interesimet, emocionet, joshat, dyshimet e autorit që e lidhin artin e fjalës me realitetet shumëngjyrëshe të jetës së përditshme. Analizat kritiko-letrare i adresohen një spektri të gjerë çështjesh etikomorale dhe lidhen drejtpërsëdrejti me kërkesat e përditshme të organizmit shoqëror. Si një kritik letrar i kompletuar, Flori Bruqi ka shpërfaqur aftësitë e tij për të zbuluar para lexuesit tablonë e të kuptuarit të plazmimeve artistike në indin e veprave të analizuara. Kësisoj ai ka marrë përsipër rolin e ndërmjetësit në shtegtimin e veprës letrare nga autori te lexuesi. Brenda penës së tij vjen e ravijëzohet edhe “reparti i punës” së shkrimtarit, edhe bota e larmishme e lexuesit. Shkrimtari, poeti, kritiku dhe gjuhëtari gjerman Frederik Shlegel (Friedrich Schlegel – 1772-1829) thotë:

“Kritiku është një lexues, i cili merret me “tretjen” e gjërave që ka lexuar. Prandaj ai duhet të ketë disa stomakë”.

Funksionin e kritikës letrare Flori e shikon të lidhur ngushtë me ndikimin që ajo duhet të ushtrojë mbi opinionin shoqëror, mbi vetë autorët e veprave artistike dhe mbi zhvillimin e përgjithshëm të letërsisë dhe të artit. Në mundin e tij kritikoletrar, ndihet prania e heshtur e frymës polemike, dialogu i heshtur me autorin, me lexuesit e hamendësuar, me kolegët-oponentë.

Në këtë vepër të re, Flori Bruqi i drejtohet analizës së krijimeve letrare, të kahershme për nga prejardhja e tyre, por që vazhdojnë të ndikojnë me autoritet mbi botën shpirtërore të lexuesve edhe në ditët tona. Të tilla janë krijimet letrare të Homerit shqiptar Gjegj Fishta. Vepra e Fishtës, e këtij korifeu të kulturës shqiptare, përherë do të jetë objekt studimi dhe analizash nga ana e kritikëve dhe e studiuesve të letërsisë shqipe. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet përjetësisht burim frymëzimi për brezat e sotëm dhe pasardhës për farkëtimin e vetëdijes kombëtare, në kundërshtim me vlerësimin armiqësor që i pati bërë Enver Hoxha Fishtës dhe vepërs së tij, simbol i nacionalizmit shqiptar. Lexuesi me vetëdije të lartë kombëtare, vë duart në kokë për mjerimin e palakmueshëm të figurës së Enver Hoxhës, kur sulmin e këtij të fundit kundër Fishtës, e krahason me vlerësimet që kanë bërë për të mjaft personalitete të shquara kombëtare dhe të huaja, të cilat Flori i ka cituar në faqet e këtij libri. Ёshtë e turpshme për Enver Hoxhën, i cili, si argat i regjur i Beogradit, nacionalizmin e pastër të Fishtës, e vë në një peshore me shovinizmin tribal të Vlladan Gjeorgjeviçit, kur deklaron:

“Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese” (Citohet sipas: Enver Hoxha për miqësinë me sllavët, sulmon Fishtën”. Marrë nga faqja e internetit “Peshku pa ujë”. 06 dhjetor 2012).

Këtu po ndalem vetëm në vlerësimin e Prof. dr. Norbert Joklit, të cilin Flori e citon në veprën në fjalë:

“…me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit, u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi…”

Këtë shkrim e titullova “Potpuria” letrare e Flori Bruqit”, sepse Flori, nga vargjet gjëmimtare të Fishtës, kalon te vargjet dhe përgjithësisht te vepra bubulluese e Arshi Pipës. Mandej “e mban vrapin” te josha magjiplote e krijimtarisë së Mira Meksit, në endjen e saj lirike mes Tiranës dhe Parisit, vazhdon me shtresëzimet e letërsisë shqiptare, duke analizuar zhvillimet e saj jo vetëm brenda trojeve etnike, por edhe në diasporë, si në Bullgari, Rumani, Greqi, Turqi e deri në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për mendimin tim, Flori Bruqi, si një kritik erudit, është i pari në historinë e letërsisë shqipe, i cili ka nxjerrë si në një “parakalim festiv” të gjithë shkrimtarët dhe poetët e trojeve etnike shqiptare. Nga radhët e tyre në Perëndimin evropian dhe amerikan, ai përmend 54 syresh. Mes krijuesve të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dëshiroj të shtoj edhe emrin e eseistes dhe të shkrimtares sa të talentuar, aq edhe fjalëpakë, Nimfa Hakani, e cila, në nëntor të vitit 2015, botoi në Shqipëri tre libra: përmbledhjen me tregime me titull “Pacientja 101”, një përmbledhje fabulash dhe rrëfenjash për të rritur, të titulluar “Luani i fjetur”, dhe një përrallë për fëmijë, me protagonist Gjeto Basho Mujin.

Flori vijon me Rexhep Hoxhën, me këtë krijues të heshtur hijerëndë, që të mahnit me ca vargje plot aromë ëndërrimtare:

As vetë s’e dij pse kot rrugëvet po sillem

Pa kurrfarë qëllimi – pa drejtim askund!

Nër rrugë t’ qytetit m’ duket se po hidhem

Sikurse Kolombi n’ oqean t’ pafund.

Paskëtaj Flori ndalet te Kadrush Radogoshi dhe analizon veprën e tij “Semantika e bregut tjetër”, ku del në pah talenti i tij si eseist, studiues dhe shkrimtar. Prej këtej, hidhet te Prenk Jakova, themeluesi i artit operistik shqiptar, autor i sa e sa këngëve dhe romancave plot lirizëm marramendës, i cili e mbylli jetën në një mënyrë tragjike, me vetëvrasje, për shkak se diktatura komuniste enveriane jetën ia pati lënduar rëndë me pushkatimin mizor të të vëllait, për shkak të bindjeve të tij nacionaliste, çka ai e mbajti peng në zemër sa qe gjallë.

Prekëse janë faqet që Flori i kushton krijimtarisë së Ali Podrimjes që të rrëmben me vargjet e tij plot afsh lirik, aq të pasur me një figuracion emocionues. Me vdekjen e tij enigmatike dhe të parakohshme në Francë, Kosova dhe mbarë trojet etnike shqiptare sikur humbën njërën nga arteriet e tyre me gjak gurgullues.

Martim Camaj zë një vend nderi në historinë e kulturës sonë kombëtare, i njohur si studiues i gjuhës shqipe dhe i dialekteve të saj, si njohës i shquar i botës arbëreshe, të cilin autori ia prezanton lexuesit si një poet dhe prozator të talentuar, të respektuar për thjeshtësinë e madhështisë së tij, për pasurinë e pamatë të leksikut të tij.

“Potpuria” floriane vjen e bëhet edhe më emocionuaes kur ai e ndal “fluturimin” e shënimeve kritike te njëra nga krenaritë e kulturës shqiptare me prejardhje shkodrane, te Ndre Mjeda, te autori i poezive aq të dhembshura që ta ngrenë zemrën peshë me notat e tyre elegjiake.

“Potpuria” në fjalë vjen e pasurohet edhe më shumë me elementet e folklorit dhe të etnografisë. Flori, me përshkrimin e qeleshes së bardhë që sfidon popujt në shekuj, ka folur për historinë e saj. Kjo qeleshe, e quajtur ndryshe plisi shqiptar, si një simbol karakteristik i etnisë shqiptare, është përcjellë nga thellësitë e shekujve, plis ky, i papërsëritshëm në asnjë etni tjetër, jo vetëm në kontinentin tonë, por edhe në mbarë botën. Prandaj kjo është edhe arsyeja që, siç thotë Flori, plisi shqiptar (qeleshja) ndodhet i ekspozuar në muzeun e Luvrit (Louvre) në Paris.

Në kreun e librit me titull “Moderniteti në letrat shqipe”, që shërben edhe si titull i kësaj vepre, kritiku Flori Bruqi është ndalur në tre momente kryesore:

Së pari, në zhvillimin e letërsisë në Kosovë, e cila zë fill që në vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur dalin në skenë penat emblematike të Esat Mekulit dhe të Hivzi Sulejmanit. Më tej autori vazhdon me krijimtarinë e poetëve dhe të shkrimtarëve të tjerë, të cilët, edhe në kushtet e terrorit serb, asnjëherë nuk hoqën dorë nga krijimtaria letrare, duke e vlerësuar atë si një armë të fuqishme të identitetit kombëtar.

Së dyti, në zhvillimin e letërsisë arbëreshe, e cila përbën një faqe të ndritur në historinë e kulturës së kombit shqiptar. Domosdo që nuk mund të mos shpërthenin “sythet” e letërsisë artistike arbëreshe, qoftë në prozë, qoftë në poezi, përderisa atje jeton një popullsi prej 90 mijë frymësh që vazhdojnë të flasin gjuhën shqipe.

Së treti, në lindjen në diasporë të një letërsie në gjuhë të huaj, por me tema shqiptare.

Në faqen e internetit “Agjencioni Floripress” të datës 03 shkurt 2014, Flori kishte botur një shkrim me titull “Shkrimtaret e ekzilit” dhe përmendte konkretisht shkrimtaret Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat, siç thekson në këtë libër, përbëjnë treshen shqiptare të mërgimit në Itali, që i boton librat e veta në italisht, në shtëpitë botuese “Feltrinelli” dhe “Einaudi”. Ai përmend edhe zonjën Besa Myftiu që jeton në Zvicër dhe librat e veta i boton në Francë, në shtëpinë botuese “Fayard”. Asokohe, po më 03 shkurt 2014, unë pata botuar në internet një shënim me titull “Katër burbuqet e magjisë shqiptare”. Me këtë rast, dëshiroj të shtoj edhe një tjetër “burbuqe” të talentuar. Kjo është zonja Nimfa Hakani, e cila, siç e përmenda më lart, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Karolinën e Veriut. Këtë vit, dhe konkretisht më 25 prill, ajo botoi një përmbledhje me tri novela, me titull “Under The Orange Tree” (Nën hijen e portokallit), me një vëllim prej 362 faqesh. Tematika e tri novelave ka për objekt fshatin shqiptar në jug të vendit, në periudhën midis dy luftërave botërore

Flori i rikthehet kritikës letrare me analizën e krijimtarisë së Gani Xhafollit, një krijues ky me një individualitet mjaft të spikatur në lëmin e poezisë për fëmijë, i cili u nda nga jeta më 15 qershor 2015, në moshën 73-vjeçare

Studimi kritik i Flori Bruqit pasurohet me një analizë të dialekteve të gjuhës shqipe, ku theksohet se dallimet mes tyre nuk janë të mëdha, me përjashtim të disa ndryshimeve në sistemin fonetik, në strukturën granmatikore dhe në leksik. Mandej ai e vazhdon analizën për shqipen e njësuar, duke u ndalur në parahistorinë e saj që prej shek. XVI-XVIII, në hartimin e fjalorëve të parë, në kontributin që dhanë shumë figura të shquara të Rilindjes Kombëtare para dhe pas shpalljes së pavarësisë, derisa u arrit në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës të vitit 1968, e cila u mbështet në parimin “Një komb, një gjuhë, një flamur”, çka krijoi parakushtet për thirrjen e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, që hodhi themelet e shqipes së njësuar në mbarë trojet tona etnike.

Në këtë pjesë të librit u është lënë hapësirë edhe studimeve shkencore për gjuhën shqipe që janë kryer nga shkencëtarë të huaj dhe shqiptarë, edhe në kuadrin e lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese.

Disa faqe të librit të vet, Flori ia ka kushtuar Nënë Terezës, e cila përfaqëson simbolin e ngrohtësisë shpirtërore dhe të humanizmit botëror. Prandaj figura e saj ka shërbyer si objekt frymëzimi për shumë personalitete të njohura të kulturës sonë kombëtare dhe të kulturës botërore.

Pas një paraqitjeje panoramike të krijimtarisë së poeteshës, dramaturges dhe prozatores Shqipe Hasani, Flori zbret përsëri në truallin e folklorit dhe konkretisht në atë të artit rapsodik të Dervish Shaqa Kosovës, të cilin, me shumë të drejtë, ai e quan “gjeneral të folklorit shqiptar”. Aq përcëllues ishte mesazhi i këngëve rapsodike të Dervish Shaqas për kolonizatorët serbë, saqë ata filluan përndjekjen e tij. Prandaj ai, në vitin 1956, u detyrua të zhvendosej në Shqipëri, në Rashbull, ku pati themeluar grupin e famshëm rapsodik që ka lënë gjurmë të thella në traditën e folklorit shqiptar.

Emocionuese janë faqet e librit, kushtuar njërit nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, Mitrush Kutelit, ekonomistit mendjendritur dhe shkrimtarit erudit, poetit dhe përkthyesit me shije të hollë, të cilin diktatura komuniste e trajtoi si njerka fëmijën e gjetur. Dhe s’mund ta trajtonte ndryshe, sepse intelektualët me dije enciklopedike përbënin rrezik për përmbysjen e saj. Prekëse, deri në lëndim të shpirtit, është letra e fundit e Mitrush Kutelit. Përmbajtja e saj është tronditëse. Me atë letër, Kuteli, tërthorazi, zbulon një realitet tragjik të kohës së diktaturës, kur ai intelektual i madh ishte katandisur në një gjendje aq të rënduar shpirtërore.

Në “potpurinë letrare” Flori nuk mund të linte mënjanë artet e bukura. Prandaj ai i kushton disa faqe jetës dhe krijimtarisë së skulptorit mjaft të talentuar Agim Çavdarbasha, i cili është i njohur për hapjen e shumë ekspozitave jo vetëm në trojet amtare, por edhe në disa vende evropiane.

Me analizën e veprës së Odise Grillos, të simbolit të letërsisë shqipe për fëmijë, me vlerësimin e krijimtarisë së Esat Mekulit, si shkencëtar në fushën e veterinarisë, si poet me një talent origjinal, si përkthyes me një prodhimtari të jashtëzakonshme, si publicist dhe si një aktivist politiko-shoqëror, i cili zë një vend të veçantë në historinë e kulturës sonë mbarëkombëtare, me pasqyrimin e veprimtarisë së Enver Gjerqekut, poet, studiues, përkthyes dhe historian i letërisë, profesor i letërsisë shqipe në fakultetin filologjik të Universitetit të Prishtinës prej vitit 1962 deri në vitin 1995, mbyllet vepra në fjalë e Flori Bruqit.

Në parathënien e librit, autori ka bërë një analizë kritike të botës letrare shqiptare, me të mirat dhe me dobësitë e saj. Ai ka cituar shkëndijëza të fjalës së çmuar të figurave të tilla, si Ismail Kadare, Ridvan Dibra, Arian Leka, Fatos Kongoli, Visar Zhiti dhe Zija Çela, si edhe të personaliteteve të huaja të lëmit të kritikës letrare. Në këtë parathënie shpërfaqet krtitika letrare profesionale brenda këndvështrimit edhe të krijuesit, edhe të lexuesit. Si një kritik-profesionist, Flori Bruqi bie në sy për thellësinë e kujtesës letrare dhe për trajtimin estetik të artit të fjalës së shkruar, çka buron nga përgatitja e tij si një intelektual erudit, i papërsëritshëm në lëmin e shkencës së kritikës letrare. Prandaj sa herë që lexoj shënime kritike të Flori Bruqit, menjëherë më vjen ndër mend një thënie e bukur e Oskar Uajldit (Oscar Wilde – 1854-1900)

“Kritika kërkon shumë më tepër kulturë sesa krijimtaria”.

DIADEMË LETRARE (Kritikë, gjuhësi, pikëpamje, poezi)

Shkruan: Flori BRUQI
      
DIADEMË LETRARE
(Kritikë, gjuhësi, pikëpamje, poezi)


Librin e autorit Flori Bruqi, "Diademë letrare" mund ta shkarkoni falas në sektorin



(E falënderojmë përzemërsisht autorin)



            LETËRSIA DHE PSIKOLOGJIA

            ...As që kam ndërmend të marr gjithsecilin shkrimtar emër për emër dhe të shqyrtoj ndikimin e Frojdit tek ta. Dua vetëm t’ju rrëfej se cili është thelbi i mësimeve të Frojdit; kësodore lexuesi mund të gjykojë vetë për këtë. Po i rendis çështjet më të rëndësishme sa më shkurt të jetë e mundur.
            1. Forca e brendshme në të gjitha format e jetës është instinktive: libidoja, që në vetvete është e pandryshueshme dhe e pamoralshme, “fara e çdo veprimi dhe e çdo vetie që meriton të ndëshkohet”.
            2. Gjendjet zanafillore të kësaj force gjatë aktivitetit krijues janë në kuptimin e zakonshëm të fjalës, fizike. Qelizat bashkohen dhe ndahen. Marrëdhënia më e rëndësishme dhe e dukshme mes individëve është marrëdhënia seksuale.
            3. Me shtimin e rëndësisë së sistemit nervor qendror me më shumë kontroll qendror se sa periferik, numri i formave të kënaqësisë me të cilat libidoja përshtatet, bëhet kryekreje më i madh.
            4. Njeriu ndryshon nga pjesa tjetër e botës organike në faktin se evolucioni i tij nuk ka përfunduar.
            5. Njohja e vetëdijes shënoi një hap të madh në evolucion dhe gjithçka që shënjojmë si të keqe dhe mëkate, është rrjedhojë e kësaj. Frojdi ndryshon nga të dy, Rusoi, i cili mohonte Rënien, duke ua mveshur të keqen rrethanave fizike (Rusoi mendonte se njerëzit janë të këqinj për kah natyra. Ai e shihte të keqen tek ta dhe bënte një jetë vetmitarësh.) dhe po ashtu prej doktrinës teologjike, që e quan Rënien, rezultat të një zgjedhjeje të paramenduar, duke e bërë njeriun kësisoj moralisht përgjegjës.
            6. Rezultat i Rënies, qe një ndërgjegje e ndarë në vend të ndërgjegjes në nivelin e kafshës, që përbëhej më së paku prej tre pjesësh: e pandërgjegjshmja, nënndërgjegja e vetëdijshme, nënndërgjegja e vetëdijshme, gjtihë çka e moralshmja dhe shoqëria kërkon e që duhet harruar dhe të mos shprehet.
            7. Doktrina e shekullit XIX për progresin evolucionist të njerëzores që mposht kafshëroren dhe shuan instinktet shtazore është më së shumti e gënjeshtërt. Paraardhësit filogjenetikë të njeriut ishin të përunjur dhe socialë, ndërkohë që egërsia, dhuna, lufta, të gjitha të ashtuquajturat instinkte parake nuk shfaqen derisa qytetërimi të ketë arritur një nivel të lartë. Një epokë e artë po të flasim në mënyrë përqasëse (ndërsa kërkimet antropologjike priren drejt kësaj), është një fakt historik.
            8. Ajo çka quajmë të keqe ishte dikur e mirë ose është tejkaluar dhe nuk u çua më tej nga mendja e ndërgjegjshme me idetë e saj morale. Është kjo çështje e Frojdit që shtjelloi D.H.Lavrenc-i dhe së cilës i kushtoi jetën e tij: Njeriu është imoral ngase ka mendjen dhe kurrsesi nuk e pranon këtë të vërtetë. Më e rrezikshmja në shkrimet e Lavrencit është lehtësia me të cilën mësimet e tij për të pandërgjegjshmen, me çka kupton nëndërgjegjen e pavetëdijshme, mund të interpretohet si domethënëse që “duhet lënë ndërgjegja jote e vetëdijshme të shprehë veten”, si akte gratuite e Andre Zhidit. Në marrëdhëniet njerëzore kjo në vetvete mund të ketë një efekt çlirues për individin. Nëse i marri do të këmbëngulte në marrëzinë e tij, do të bëhej i mençur. Porse marrëzia marrëzi mbetet sidoqoftë dhe një këshillë e llojit “Zemërimi është i drejtë - drejtësia kurrë nuk është e tillë”, e cila në jetën private është një kërkesë për ndershmëri emocionale, përbën një këshillë politike të dale boje, kur kjo do të thotë “bjeru atyre që të kundërshtojnë”. Po kështu, qëndrimi i Lavrenc-it në faktin se nëse doni të dini se çfarë është njeriu, duhet të këqyrni jetën e tij seksuale, fare mirë mund të bëjë të besojnë shumë syresh që përmbushja e nevojës seksuale është i vetmi aktivitet i nevojshëm.
            9. Jo vetëm çfarë ne njohim si mëkat ose krim, por të gjitha sëmundjet janë të qëllimshme. Janë një përpjekje për t’u kuruar.
            10 .Gjithë ndryshimi, si ai paravajtës, si prapavajtës, shkaktohet prej frustrimit ose tensioneve. Po të ishte kënaqësia seksuale krejtësisht e mjaftueshme, evolucioni njerëzor s’do të kishte ndodhur kurrë. Sëmundja dhe aktiviteti intelektual janë të dyja reagime kundrejt së njëjtës gjë, por jo të barazvlershme.
            11. Natyra e ideve tona morale varet nga natyra e marrëdhënieve me prindërit tanë.
            12. Në zanafillë të të gjitha ndjenjave dhe mëkatit është një ndjenjë faji.
            13.Kurimi përqendrohet në heqjen e kësaj ndjenje faji, në faljen e mëkateve nëpërmjet rrëfimit, rijetimin e përvojës dhe faljen, kuptimin e domethënies së saj.
            14. Detyra e psikologjisë ose artit në lidhje me sa u përmend më sipër, nuk është t’u tregojë njerëzve se si të sillen, por të tërheqë vëmendjen e tyre te ajo çka ndërgjegja e pavetëdijshme rreket t’u kumtojë dhe duke zgjeruar njohuritë e tyre për të mirën e të keqen, t’i bëjë më të zotë të zgjedhin, që të mund të jenë shumë herë më tepër të përgjegjshëm moralisht për fatin e tyre.
            15. Për këtë arsye, Psikologjia u kundërvihet të gjitha përgjithësimeve. I bën njerëzit t’i përmbahen vetëm një përgjithësimi dhe padyshim do të vijë një kohë kur gjërat të rrjedhin asisoj që ai të mos mund të zbatohet. Atëherë ose do të përforcojë përgjithësimin, situatën, ndrydhjen, kur t’u fanitet, ose do të përfaqësojë pikëpamjen e kundërt. Vlera e këshillës varet krejtësisht nga konteksti. Ju nuk mund t’u tregoni njerëzve se ç’duhet të bëjnë, mundeni vetëm t’u rrëfeni parabola: dhe kjo është ajo që mund të quhet me të vërtetë art, histori të veçanta për njerëz dhe përvoja të veçanta e në varësi të nevojave të ngutshme e specifike ai mund të nxjerrë përfundimet e veta.
            16. Të dy, Marksi dhe Frojdi, nisen nga dështimet e qytetërimeve, njëri nga të varfrit, tjetri nga të sëmurët. Të dy e shohin sjelljen njerëzore të determinuar, në mënyrë të pandërgjegjshme, nga nevojat instiktive, uria dhe dashuria. Të dy duan një botë ku zgjedhja racionale dhe vetëdeterminimi janë të mundshëm. Ndryshimi mes tyre është në mënyrë të pashmangshme ndryshim mes njeriut që studion turmat në rrugë dhe njeriut që sheh pacientin, ose të paktën familjen në klinikën private. Marksi e sheh kahjen e marrëdhënieve mes botës së jashtme dhe të brendshme pa të fshehta, Frojdi anasjelltas. Kështu, të dy janë
dyshimtarë kundrejt njëri-tjetrit.
            Socialistët akuzojnë psikologët për prishje të status quo-së, ndërsa përpiqen t’i përshtatin neurotikën sistemit social, duke e privuar atë nga një revolucion i mundshëm. Psikologët kundërpërgjigjen se socialistët përpiqen t’i japin pikë vetes me terma që as vetë nuk i kuptojnë, ose me faktin që etja për para është forma e vetme e etjes për pushtet - kështu që pasi të kenë marrë pushtetin me revolucion, do të rikrijojnë të njëjtat kushte. Të dy kanë të drejtë. Për aq sa qytetërimi mbetet siç numri i pacientëve që mund të shërojë psikologu është shumë i vogël, dhe sapo socializmi të marrë pushtetin, duhet të mësojë të drejtojë energjinë e  tij të brendshme, pra do të ketë nevojën e psikologut. Përmbyllje: Frojdi ka patur ndikime të dukshme teknike në letërsi posaçërisht në shtjellimin e kohës dhe hapësirës dhe përdorimin e fjalëve më shumë me vijueshmëri asociative sesa logjike. Ai e drejtoi vëmendjen e shkrimtarit kah materiale të tilla si ëndrrat dhe neurozat, gjer më tash të shpërfillura; kah marrëdhënie që gjer më tani nuk janë marrë parasysh sikundër është marrëdhënia mes njerëzve që luajnë tenis; ai e ka rishikuar kultin e njeriut hero. Ai është përvetësuar nga irracionalistët e etur për t’u ikur ndërgjegjes së tyre. Porse këto nuk qenë... shqetësimi ynë.
            Unë u rreka të rrëfej se çfarë drite hodhi Frojdi mbi gjenezën e artistit, rendit dhe funksionit të tij në shoqëri dhe çfarë kërkesash ka ai për shkrimtarin serioz. Duhet të ekzistojnë gjithmonë dy lloj artesh: arti - arratiak ngase njeriu do të ikë ndërsa ka nevojë për ushqim dhe gjumë të thellë; dhe arti - parabolë, ai art që duhet t’i mësojë njeriut si të çmësoj urrejtjen dhe të mësojë dashurinë...

            Pjesë nga libri "Diademë letrare"

Metafora e dritës,dhimbjes dhe dashurisë tragjike...

Shkruan: Flori BRUQI
      
DIADEMË LETRARE III


Librin e autorit Flori Bruqi "Diademë letrare III"  mund ta shkarkoni falas në sektorin



(E falënderojmë përzemërsisht autorin)




            FATOS ARAPI, METAFORA E DRITËS, DHIMBJES DHE DASHURISË TRAGJIKE

            Fatos Arapi u lind në vitin 1930 në Vlorë, ku kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane” dhe është ipari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.
            Vepra e Fatos Arapit është e pasur në lloje dhe zhanre. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: “Patat e egra”, 1969; “Cipa e bores”, 1985; “Gjeniu pa kokë”, 1999 etj; disa romane: “Dhjetori i shqetësuar”, 1970; “Shokët”, 1977; “Deti në mes”, 1986; disa drama: “Partizani pa emër”, 1962; “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku”, 1995; ka bërë disa përkthime: “Këngë për njeriun”, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.
            Poezitë e para F. Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet "Shtigje poetike" dhe "Poezia dhe vjersha". Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin.
            Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rruge të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica. Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t'i përqeshë e përbuzë burokratët  dhe demagogët, si në poezinë "Antiburokratike", apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë "Pse erdha në jetë". Siç shihet, poeti i thur ode lirisë dhe "mejtimit të lirë" siç e quan ai. është synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet.
            Pas prozës, tashmë dhe poezia shqipe mund të lexohet në polonisht. Libri me poezi të zgjedhura i poetit Fatos Arapi “Më jepni një emër” është botuar në Poloni nga shtëpia botuese “Komograf” në Varshavë nën përkthimin e Mazllum Saneja & Eva Smietanska. Libri shoqërohet me një parathënie të ndjerë të Andrzej Zaniewski, poet, prozator dhe kritik i njohur polak në botë. Njohës i mirë i Ballkanit dhe i historisë së tij, Zaniewski bën një udhëtim përmes fjalëve në vendet fqinje, për të mbërritur më pas në brigjet e Jonit, në Vlorë, aty ku lindi poeti shqiptar.

            Pjesë nga libri "Diademë letrare III"



Një vepër pa kufizime gjeografike dhe kohore të letrave tona Flori Bruqi, kundër paragjykimeve të kritikëve letrarë




Një vepër pa kufizime gjeografike dhe kohore të letrave tona Flori Bruqi, kundër paragjykimeve të kritikëve letrarë


Një vepër pa kufizime gjeografike dhe kohore të letrave tona Flori Bruqi, kundër paragjykimeve të kritikëve letrarë

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ


Botoi Shtëpia Botuese "Mirgeeralb", Tiranë

Autori Flori Bruqi para lexuesit shqiptar paraqitet me librin e tij më të ri "Diademë letrare II", në të cilën vepër autori bën një studim shkencor lidhur me zanafillën e kritikës botërore e kryesisht asaj shqiptare, si dhe evoluimin e saj deri në ditët e sotme. Nihilizmi i Teki Dervishit Tanimë është e kuptueshme për secilin që merret me letërsi se kritika është studim, diskutim, vlerësim dhe interpretim i literaturës, e që autori Flori Bruqi përmes veprës së tij këto i zgjeron, duke hulumtuar në vepra të autorët klasikë e deri të kritikët bashkëkohorë, që të gjejë definicionin e saktë të kritikës, si dhe të kritikut letrar. 



Një kritikë letrare gjithnjë është e varur nga një kritik letrar dhe më të drejt autori Flori Bruqi librin e tij e hap me një thënie të shkrimtarit tonë tanimë të ndjerë, Teki Dervishit, kur thotë: "Nuk ekziston kritika e mirëfilltë letrare për arsye se nuk ekziston as letërsia e mirë- filltë", (f. 11, "Diademë letrare II". Kjo fjali e Teki Dervisht do ta shqetësojë Flori Bruqin, i cili do përpiqet me çdo kusht që të gjejë mesin e art, ngase nëse nuk ekziston kritika e mirëfilltë nuk ekzistuaka as letërsia e mirëfilltë dhe krijuesit do të pyesin vetën pse të shkruajnë romane kur nuk ekzistuaka roman i mirëfilltë. Edhe pse autori Flori Bruqi nuk pajtohet më thënien e Teki Dervishit, në nëntekstin e veprës së tij mund të vërehet se pjesërisht pajtohet më të kur ka parasysh kritikat që shkruhen në parathënie të librave, recensionet në gazetat tona të përditshme... ku vlerësimet e kritikëve nuk janë objektive, nuk janë profesionale e madje disa prej tyre janë mediokre, klanore dhe të paguara, me ç'rast shkruan: "Shumica e shtëpive botuese përbëhen vetëm nga pronari i saj e në të shumtën e rasteve nga një staf redaktorësh që vallëzojnë sipas xhepit të pronarit e jo sipas kritereve të vlerësimit profesional" (f. 38 "Diademë letrare II").


KRITIKA MBI KRITIKËN

Të analizosh një vepër që ekskluzivisht ka të bëjë me kritikë letrare, është puna më e vështirë, sepse para vetes ke një autor që ka bërë hulumtime të shumta rreth kësaj teme, ke një vepër tërësisht e mbushur me kritikë dhe vlerësime për autorë të ndryshëm, të cilat vepra duhet t'i kesh lexuar, në të kundërtën nuk ke bërë asgjë. Janë dy autorë për të cilët kam hezituar të shkruaj: Flori Bruqi dhe Prend Buzhala. I pari sqaron teorinë e kritikës letrare, gjykon për disa kritikë letrarë, duke i ngritur në piedestal si Rexhep Qosjen që i pari kishte thyer kritikën realizmit socialist në trevat shqiptare, duke e themeluar "kritikën shqiptare" e deri te Ibrahim Rugova si themelues i Hermeneutikës e strukturalizmit, pastaj merret me vlerësimin e autorëve të njohur botëror dhe atyre shqiptarë, ndërsa i dyti i ka botuar recensionet e tij, parathëniet për librat të autorëve vendorë me vlerësime për veprat e zgjedhura. Flori Bruqi nuk ngurron aspak t'i kritikojë ashpër disa vepra dhe disa autorë, ndërsa Prend Buzhala në shkrimet e tij ka vetëm vlerësime pozitive për autorët dhe veprat të cilat i ka trajtuar. Andaj, duke i krahasuar këta dy autorë dhe shumë autorë të tjerë shqiptarë dhe disa specialistë botërorë në fushës së kritikës, përsëri mund t'i kthehemi qëndrimit nihilist të Teki Dervishit, por që unë do ta formuloja më lehtë duke thënë se nuk ekziston kritikë krejtësisht objektive. Bazuar në studiues të njohur të kritikës letrare e njëri prej tyre Jean Starobinsku thotë:" ... kritika është kulmi që zhvillohet si një njohuri, e specializuar dhe e denjë: të figurojë në rangun e disiplinave shkencore: e vepra kritike do shndërrohet në diskurs shkencor mbi atë objekt të veçantë që quhet literaturë".

VLERËSIMI KRIJUESVE TË MARGJINALIZUAR

Flori Bruqi në "Diademë letrare II" kapituj të veçantë di t'u kushtojë krijuesve tanë tanimë të afirmuar, siç janë Isamil Kadare, Aleksandër Xhuvani, Mehmet Kajtazi, Ramiz Kelmendi, Sterjo Sapse, Haki Stërmilli, Jusuf Gërvalla, si dhe të autorëve më pak të njohur për opinionin tonë. Specifika e veprës "Diademë letrare II" është se autori vë theks të veçantë krijimtarisë letrare të Jusuf Gërvallës për të cilin shumë pak kritikë tanë kanë shkruar dhe kur disa kanë shkruar e kanë trajtuar vetëm si dëshmor, si aktivist i çështjes kombëtare dhe i cili u vra padrejtësisht nga shërbimi sekret i Jugosllavisë duke e lënë pas krijimtarinë artistike të tij. Flori Bruqin jo vetëm që do e lartësojë aktivitetin patriotik të Jusuf Gërvallës, por para se gjithash shpreh revoltën e tij se si është e mundur që Jusuf Gërvallës t'i harrohet vlerësimi për veprën letrare, andaj thotë: "Opinioni e respekton dhe e adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetët", (faqe 141 "Diademë letrare II"). Ata që e kanë njohur Jusuf Gërvallën e dinë se ai para se t'i rrezikohej jeta nga sistemi i asaj kohës dhe të ikte në Gjermani, ishte artist, këngëtar, poet, kritik dhe publicist, gjë që "elita" letrare e pasluftës ende ka frikë t'ia përmendë emrin dhe veprat e Jusuf Gërvallës. Ekziston mundësia që bashkëkohorët e tij nga frika se Jusuf Gërvalla mos të radhitet në piedestal të letërsisë dëshirojnë që ta lartësojnë në aspektin kombëtar për t'ia zbehur aspektin artistikoletrar, për ç'gjë e lartëson Isamil Kadare, Sabri Hamiti dhe Myrvete Dreshaj-Baliu e ndonjë tjetër. Autori i veprës "Diademë letrare II" do t'u kushtojë rëndësi të veçantë jo vetëm analizave të poezive të Jusuf Gërvallës, por edhe në aspekte të tjera si: Jusuf Gërvalla këngëtar, Jusuf Gërvalla dramaturg, Jusuf Gërvalla shkrimtar... Në pjesën ku shtjellohet Jusuf Gërvalla si këngëtar, autori shkruan më simpatinë më të madhe që ndjen për Jusufin dhe këngët e tij. Madje autori rrëfen se si gjatë sistemit të okupimit bashkë më Fatime Llugiqin, Skender Tafaj dhe Shyqeri Galicën kishin dëgjuar dhe mbajtur kasetën me këngë të interpretuar nga Jusuf Gërvalla. Ndaj nuk ishte aspak e rastësishme kur një pjesë e repertuarit të këngëve të Jusufit u gjetën në arkivin e aktores Fatime Llugiqi e që u bënë të njohura për publikun tonë, sepse në arkivin e Televizion të Kosovës ato këngë ende nuk gjenden. Jusuf Gërvalla si shkrimtar, në "Diademë letrare II", të autorit Flori Bruqi, trajtohet romani "Rrotull" që u botua pas vrasjes së tij, ndërsa si dramaturg merret drama "Procesi" po ashtu e botuar postmortum. Në anën tjetër, autori Flori Bruqi nuk do ta injorojë krijimtarinë e Mehmet Kajtazit, siç ka shumë tendenca që ky autor të mos përmendet, sepse Mehmet Kajtazi jo vetëm që shquhej si krijues i denjë, por ai ishte edhe aktivist i Lëvizjes ilegale dhe kishte kontribuar shumë në aspektin kombëtar. Në fakt qe nga paslufta e deri sot ekziston një rrymë e " elitës" letrare që t'i zhvlerësojë, t'i injorojë, dhe t'i shuajë të gjithë krijuesit që paralelisht kontributit në letërsi, kontribuuan në çlirimin e Kosovës. Flori Bruqi është i vetëdijshëm se veprimtaria letrare e Mehmet Kajtazit nuk mund të injorohet e as të zhvlerë- sohet si "Nata në gur", "Shote Galica", "Minatorët" "Një diell tjetër", "Shqiptarët në Goli Otok" ..., ku në qendër të veprave të këtij autori janë: luftërat, varrtarët, nënat shamizeza, heronjtë, gjëmimet e rrufeve, zinë e riteve mortore..

NJË VEPËR PA KUFIZIME GJEOGRAFIKE DHE KOHORE TË LETRAVE TONA

Autori Flori Bruqi në "Diademë letrare II" nuk u ka vu pikë krijuesve, të cilët i ka trajtuar dhe mund t'i trajtojë, nuk ka vu pikë letërsisë shqiptare për ta kufizuar vetëm në një regjion, por atë e ka zgjeruar në tërë trojet shqiptare e madje edhe në diasporë, duke mos u kufizuar as në hapësirën kohore. Për letërsinë në diasporë, në "Diademë letrare II", vlerësimi i autorit është ky:"Edhe pse e zhvilluar në kushte të një izolimi gjeografik e ideologjik, fati dhe perspektiva e letërsisë bashkëkohore shqipe duhet vështruar në një kontekst dhe më të gjerë gjeografik, d.m.th. dhe përtej kornizës ngushtësisht nacionale. Pavarësisht nga zhvillimet brenda Republikës së Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, kjo letërsi pati dhe njohu zhvillime edhe në diasporë" (f 207 "Diademë letrare II"). Zhvillimeve të letërsisë në diasporë Flori Bruqi do ta tërheqë një paralele qe nga gjeneratat e para të autorëve, të cilët krijuan në diasporë deri të gjeneratat e sotme, siç merren shembull: Elvira Dones, Ornella Vorpsi, Besa Myftiu, Anilda Ibrahimi etj. Autori Flori Bruqi e ankon fatin e krijuesve të cilët në vende të huaja janë bërë të njohur më romanet e tyre, kurse në atdheun e tyre injorohen krejtësisht. Fenomeni i injorimit dhe zhvlerësimeve të krijuesve dhe krijimtarisë se tyre madje të atyre që kanë arritur të botojnë edhe në shtëpitë më prestigjioze botërore si "Fayard", duhet të zhduket në viset shqiptare, shprehet në mënyrë indirekte Flori Bruqi. Vepra "Diademë letrare II" krijuesit e diasporës autori i ndan në dy kategori: në ata që të përkthyer nga shqipja në një gjuhë tjetër dhe ata që direkt shkruajnë në gjuhë të huaj. Si e para edhe e dyta ata janë krijues shqiptarë, e të cilët duhet të gëzojnë statusin e barabartë me krijuesit që jetojnë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni Mirëpo, afirmimi i tyre edhe në vendin e origjinës shkakton xhelozi tek krijuesit e dobët të cilët i pengojnë të afirmuarit jashtë trojeve shqiptare, ngase fama e rrejshme e tyre do të zbehet në opinion e brendshëm. Këta krijues të dobët që kanë arritur të krijojnë një opinion brenda atdheut, janë kundër atyre që gëzojnë famë ndërkombëtare si Besa Myftiu e të tjerët. Në këtë mes të shkrimtarëve jashtë atdheut, vetëm Isamil Kadaresë nuk mundë t'ia mbyllin dyert, sepse të injorosh Kadarenë ke injoruar vetën dhe tërë popullin shqiptar. Libri "Diademë letrare II", është një vepër e cila duhet të lexohet nga të gjithë krijuesit shqiptarë, sepse mund të mësohen shumë jo vetëm për kritikën letrare, por edhe për disa personalitete shqiptare të cilët lanë gjurmë në kulturë, siç janë: Isamil Kadare, Bekim Fehmi, Rexho Mulliqi, Haki Stërmilli...

(Kosova Sot)

FLORI BRUQIT - “DIADEMË LETRARE II”


Rezultate imazhesh për rxhep shahu

Rexhep Shahu

Që në krye të këtyre shënimeve për librin “Diademë Letrare II”, të gazetarit, shkrimtarit, kritikut e studiuesit shkencor Flori Bruqi, po e them se nuk do ta ndjek traditën e pahijshme të shkrimeve që bëhen për autorë apo për libra të ndryshëm, ku shkruesit e shkrimeve prezantuese, promovuese apo analizuese, në vend që të flasin rreth autorit e librit që marrin në dorë, fillojnë e rrëfejnë, keq e shumë keq, për dijet e tyre të mangëta, për bëmat e tyre të bëra keq, të pabëra apo të ëndërruara e të pamundura, që shpalosin erudicionin e tyre të mangët e shterpë, që gjejnë rast të nxijnë faqe letre, në gazeta, revista a në libra të huaj, për me folë për veten e tyre e përrallat që kanë dëgjuar kafeneve dhe rrallë, fort rrallë, flasin ndonjë fjalë që s’thotë asgjë për librin e autorin e librit që marrin në dorë apo marrin përsipër ta trajtojnë, duke shpalosë një krekosje acaruese, një padije të thellë e një servilizëm të pështirë ndaj autorit për të cilin duan të flasin, nga ndonjë qëllim jashtëletrar ose për shkak të rrethanave të caktuara, të dyshimta, që shtojnë pabesueshmërinë e artikujshkruesve dhe dëmtojnë e cënojnë autoritetin e librit e të autorit të librit për të cilin nxijnë faqe kompjuteri apo letra të bardha.

Në të shumtën e rasteve, krahas padijes e servilizmit, këto lloj shkrimesh i prodhon ndonjë interes i ngushtë çasti dhe pandershmëria e atyre që shkruajnë.

Them që në krye shënime, pasi është e vështirë t’i klasifikoj këto radhë apo fjalë në ato që njihen si rregullat e qarta të klasifikimit për shkrimet kritike që bëhen për libra të ndryshëm që botohen.
Them është e vështirë sepse ky libër i Flori Bruqit çelet pikërisht me një shkrim të gjatë profesional mbi kritikën letrare dhe kriteret që janë caktuar për të bërë një kritikë, shkrim që e trajton kritikën letrare në thellësi që në fillimet e saj, duke krahasuar e ballafaquar përvoja të ndryshme të huaja e vendase për kritikën dhe kritikën letrare.


Unë e kam të vështirë ta bëj kritikën e kritikës. Thjeshtë po e përshëndes këtë libër të 34 të Flori Bruqit, si një kontribut me vlerë në letrat shqipe, si “një libër që i shtohet mendimit kritik për letrat shqipe” siç shkruan poeti dhe shkrimtari Izet Duraku.

Në këtë libër te Flori Bruqit shfaqet gjeografia e gjërë e tematikës që ai trajton, gjeografia e gjërë e interesave të tij letrare, e autorëve dhe veprave që analizon e merr në shqyrtim. Dhe gjithmonë po flasim për atë që ai ka shkruar, për atë që është në libër dhe jo për ato gjëra, fjalë e qëndrime që mungojnë në libër dhe autori nuk i ka marrë në trajtim në këtë vëllim të dytë të librit të tij “Diademë Letrare II”, por që i gjenden të botuara në organe të ndryshme të shtypit të shkruar a të medias elektronike.

Në Diademë Letrare II, Flori Bruqi ka guxuar të merret me tema të rënda, me autorë të përmasave të mëdha, të cilët me ndikimin e tyre në letrat shqipe e më gjërë në fushën e letrave në shkallë europiane e botërore, janë rrezatues e imponues, janë “të frikshëm” për t’u marrë me to, apo për t’u afruar pranë tyre.

Pas një trajtimi të gjërë e të thellë të kritikës letrare, çfarë është e pse është ajo, si është, ku është e si duhet e mund të jetë në letrat shqipe, kur fillon e si fillon, si është lëvruar e si ka evoluar, Flori Bruqi na paraqet Frojdin me tërësinë e tij dhe të zgjidhjes së enigmave që ky shkencëtar ka bërë për njerzimin.

Flori Bruqi i krijon lehtësi e komoditet lexuesit edhe jo profesionist që ta kuptojë e të bindet për ndikimin e madh që pati në botë e në fushën e letrave Frojdi si psikologu që me tezat e tij u bë i pashmangshëm dhe imponues për t’iu referuar gjithkush që merret me letrat, kritikën letrare dhe laboratorin e krijuesit apo studiuesit shkencor.

Me durim e vullnet të spikatur studiuesi Flori Bruqi analizon tëresinë e veprave kritike të Ibrahim Rugovës dhe ndikimin që ai pati në historinë e letrave shqipe, duke qenë ndër të parët që i drejtoi kamerat dhe interesat letrare e shkencore nga shkenca letrare perëndimore për ta avancuar kështu kritikën dhe studimet letrare të autorëve shqiptarë dhe për t’u shkëputë nga shkolla lindore, term ky thjeshtë konvencional, ashtu siç ishte perëndimor edhe shkrimtari i parë modern i letrave shqipe, Pjetër Bogdani, të cilin Rugova e ka studiuar dhe analizuar në tërësi e në thellësi edhe si artist edhe si filozof paraprijës i modernitetit shqiptar.

Pasi paraqet, siç e përmendëm Ibrahim Rugovën me gjithë plotninë e tij si kritik e studiues i epërm i letërsisë që shërben si model për pasuesit me po atë fuqi e lartësi si politikan i pambërritshëm e i papërsëritshëm i kombit shqiptar, Flori Bruqi sjell vështrimin e tij për Krist Malokin – dijetarin shqiptar të Gracit të Austrisë, këtë aristokrat modern të letrave shqipe, i cili me fuqinë e argumentit e të dijës së thellë u rri si kurorë letrave shqipe dhe shërben si model i vështirë e “arrogant” për pasardhësit për shkak të dijeve, fuqisë dhe elegancës në analiza. Pak dihet për Krist Malokin për shkak edhe të nënvleftësimit a lënies mënjanë me dashje nga politika dhe shkenca letrare zyrtare e udhëhequr nga politika dhe për shkak edhe të skrupulozitetit të tij e të raportit të tij të pakompromis me të vërtetën gjatë analizimit të letërsisë apo të çfarëdo fenomeni shoqëror apo letrar.

Flori Bruqi kalon nga Dante Aligeri te Ismail Kadare i shtyrë nga mesazhet e mëdha që përcjell letërsia e madhe e autorëve që kanë fuqi rrezatuese e unifikuese për letërsinë e tyre kombëtare. Ferri ferr mbetet si dje, sot e nesër.

Qëndresa si vlerë kombëtare e shqiptarëve apo si ëndërr e dëshirë e përhershme e shqiptarëve në shumë vepra të Kadaresë, dimrat si stinë e dimrat si vuajtje për shqiptarët, si metaforë në letërsinë e Kadaresë, urat e kështjellat, besa e mbajtja e fjalës së dhënë, janë qëmtime, gjetje e pohime që Flori Bruqi i lehtëson për lexuesin e pangeshëm a dembel të letërsisë së Kadaresë dhe i paraqet me gjuhën e studiuesit në “Diademë Letrare II”.

“Princin shqiptar të kinemasë”, Bekim Femiun, këtë artist të përmasave botërore, këtë Uliks a Odise shqiptar, këtë patriot shqiptar që bëri për shqiptarët më shumë se divizione e taborre bashkë duke pohuar kudo skenave botërore se ishte shqiptar dhe nuk guxuan t’ia ndërrojnë asnjë germë të emrit asnjëherë, që edhe me vdekjen e vet dhe derdhjen e hirit të trupit të tij në Lumbardhin e Prizrenit i shërbeu Kosovës e shqiptarëve, Flori Bruqi e bën pjesë të librit të tij “Diademë Letrare II”, jo për shkak të librit me kujtime që ka shkruar Bekim Femiu, por për shkak se gjithë jeta e vepra e tij ishte në shërbim të artit e ishte art.

Edhe poeti, shkrimtari, këngëtari e patrioti idealist Jusuf Gërvalla është vështruar në tërësinë e tij nga Flori Bruqi me dashuri e konsiderata për artin e jetën e tij në shërbim të Kosovës e të çeshtejs shqiptare.

Nga “Diademë Letrare II” mësova se Jakov Mile, autori i librit “Raca Shqiptare”, mik i Migjenit, patriot i thekur shqiptar, kishte qenë ministër bujqësie në Shqipëri dhe u ndjeva me turp që nuk e kam ditur kur është dashtë me e ditë për me ia vendosë portretin krahas portreteve të gjithë ministrave të tjerë të bujqësisë të Shqipërisë të ekspozuar në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë.

Flori Bruqi edhe për shkak të doktorimit të tij e të shkollimit në në fushën e shkencore të Defektologjisë, është njohur në thellësi me veprën e Jakov Miles, me thëniet e kundërthëniet, me tezat e kundratezat dhe është përfshirë edhe vetë në debatet shkencore e jo shkencore mbi librin e bujshëm “Raca Shqiptare”. Vështrimi për këtë vepër e këtë çeshtje zë vend të rëndësishëm në këtë pjesë të dytë të Diademës Letrare.

Në “Diademë Letrare II” ndërthurën të vjetrit me të rinjtë, të huajt me shqiptarët, të gjallët me të vdekurit e gjallë, shkrimtarët që jetojnë në Kosovë, në Shqipëri, në Diasporë, ata që shkruajnë shqip e ata që shkruajnë për tema shqiptare në gjuhë të huaj dhe ndërthurën mes tyre natyrshëm Aleksandër Xhuvani studiues, gjuhëtar e veprimtar i kulturës kombëtare, Naim Kelmendi poet e publicist, Shefqet Dibrani publicist e poet, Amiko Kasaruho autoritet i rrallë moral i shqiptarëve që shkroi tmerrin e diktaturës komuniste të Shqipërisë që e provoi në kurriz dhe përktheu mrekulli nga letërsia botërore në gjuhën shqipe, shkrimtari Mehmet Kajtazi me korpusin e veprave të tij, Ramiz Kelmendi me kontributet e tij të shumta, Kadrush Radogoshi me jetën e veprën e vet, Engjëll I. Berisha me poezitë e tij, Jakov Xoxa, Sterjo Spase, Haki Stërmilli, Foqion Postoli si katër shkrimtarë të fillimeve të letërsisë së ndërprerë në Shqipëri para diktaturës dhe në fillimet e saj si dhe dhe kompozitori i njohur Rexho Mulliqi që mbetet krenari dhe emblemë në krijimtarinë muzikore shqiptare në Kosovë.

Një libër është si një godinë. Flori Bruqi kishte aq shumë material e lëndë të parë për libër sa nuk mjaftojnë tre – katër libra 300 faqësh për ta përfshi gjithë materialin e lëndën e parë në dispozicion. Shpresojmë se autori do të “ndërtojë” libra të tjerë.



  Librin e autorit Flori Bruqi, "Diademë letrare II"mund ta shkarkoni falas në sektorin


https://view.publitas.com/libraria-online/diademe-letrare-2/page/238-239

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...