2020-06-24

Ish-zyrtari i Pentagonit, që ka qenë përgjegjës për Ballkanin, Michael Carpenter, pret që takimi i planifikuar në Washington të anulohet pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi.

Carpenter: Takimi i Washingtonit do duhej të anulohej pas aktakuzës ndaj Thaçit
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në njoftimin për media, theksohet se më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Carpenter ka thënë se takimi do të duhej të anulohej.

“Unë pres që samiti të anulohet, por me administratën Trump asgjë nuk është e parashikueshme. Unë nuk mund të them me siguri se si do të reagojnë, por në këto rrethana, kështu do të duhej të reagonin”, ka thënë Carpenter, aktualisht drejtor menaxhues i Qendrës Penn Biden për Diplomacinë.

Sipas tij, akuzat ndaj Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli janë shumë serioze dhe ndikimi i tyre në dialog "do të ndodhë për faktin se presidenti Thaçi e ka udhëhequr atë për vite me radhë".

Ai pret që dialogun ta udhëheqë kryeministri Avdullah Hoti.

Ish-klyshi i Millosheviqit fitoi, loja e tij me Thaçin dhe rreziku i rritjes së autoritarizmit në Ballkan

Vuçiqi merr “këshilla të mençura” nga Putini për Kosovën
Klyshi i Millosheviqit ,Aleksandër Vuçiqi merr “këshilla të mençura” nga presidenti rus Aleksandër  Putini për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar të martën pasdite me presidenti e Rusisë, Vladimir Putin. Vuçiq ka thënë se me Putinin ka folur për të gjitha idetë dhe mënyrat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas “rts.rs”, Putin ka thënë se në mes të Rusisë dhe Serbisë zhvillohen marrëdhënie politike pragmatike dhe në të njëjtën kohë shumë të mira. Presidenti rus ka konfirmuar se në tetor do të vizitojë Serbinë.

Takimi është zhvilluar në Moskë, ku presidenti serb po qëndron në vizitë dyditore. Vuçiq, sipas Radio Televizionit të Serbisë, ka thënë se ka pasur bisedë shumë të mirë për të gjitha çështjet politike, para së gjithash për Kosovën dhe situatën e përgjithshme në regjion dhe në botë. Ai nga Putini ka dëgjuar analiza të mira dhe këshilla të caktuara.

“Kemi folur për të gjitha idetë dhe mënyrat për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nëse mund të them këtë, Putin në një mënyrë të mençur ka shfaqur mendimin e tij, para së gjithash duke respektuar qëndrimet e Serbisë. Rusia e respekton Serbinë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë Vuçiq kur është pyetur nëse presidenti rus e ka këshilluar se si të qaset tutje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare.

“Putini është shumë i mençur dhe i madh që të bëjë diçka direkt. Por në mënyrë të mençur di të tregojë qëndrime të caktuara dhe për këtë jam falënderues”, ka shtuar Vuçiq.




DW: Ish-klyshi i Millosheviqit fitoi, loja e tij me Thaçin dhe rreziku i rritjes së autoritarizmit në Ballkan

Partia e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Partia Përparimtare Serbe (SNS), ka marrë 63 për qind të votave në zgjedhjet e djeshme në Serbi. Norbert Mappes Niediek (DW) komenton këtë rezultat në prag të takimit Vuçiq -Thaçi.

Duke i dhënë 63 për qind të votave partisë së Presidentit, duket se serbët kanë votuar sidomos për stabilitetin e vendit. Në zemër të Ballkanit sundon qetësia dhe kënaqësia, në një kohë kur bota është duke u çmendur. Me sa duket është mundur çdo lloj opozite, ashtu siç është mundur virusi i rrezikshëm Corona. Si duhet thënë më qartë?

Duket si paradoks, që dekada me radhë është thënë se shtetet e rajonit të trazuar mund të qetësohen vetëm kur të marrin të vendosur rrugën drejt Europës, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ky ka qenë mendim i gabuar. Sepse duket se Serbia e ka gjetur veten me autoritarin Aleksandar Vuçiq. Në vend që t’i kacavirret anijes që po mbytet, BE-së, presidenti serb e drejton shtetin me dorë të fortë duke shpëtuar nga shkëmbinjtë e detit të trazuar botëror. Duke i treguar të gjithëve se si mund të arrihet në brigje të reja: Që të shtunën e ardhshme, Vuçiq do të udhëtojë në Uashington për të celebruar në Shtëpinë e Bardhë „pajtimin“ me Kosovën, ose të paktën „për të hapur një kapitull të ri“. Nuk është Europa, nuk është Angela Merkel që garantojnë sigurinë dhe rendin. Këtë e bëjnë tani më shumë njerëz si Aleksandar Vuçiq dhe – megjithëse mezi besohet – si Donald Trump.

Mezi besohet, dhe është mirë që të mos besohet fare

Është gabim që rezultati historik i zgjedhjeve të interpretohet si dëshmi e besimit që i jepet presidentit. Partia e tij, „Partia Përparimtare Serbe“ (SNS) nuk është forcë politike që mund të konkurrojë në një sistem pluralist, ku partitë konkurrojnë me ide dhe argumente në favor të zgjedhësve. Ajo nuk është parti dokudo, por është Partia, një aparat shtetëror, siç ka qenë dikur Partia Komuniste.

Individi që kërkon punë, sipërmarrja që kërkon të fitojë tendera, politikani lokal që kërkon para nga taksat për komunën, duhet të bashkëpunojë me pushtetin e kudogjendshëm. Duke pasur 730 mijë anëtarë, partia e presidentit, SNS është partia më e madhe në Europë, jo në krahasim relativ, por në krahasim absolut, është partia më e madhe në Europë, duke qenë parti në një vend që nuk është më i madh se landi gjerman i Hesenit. Kush e gëzon vendin e punës apo pozicionin falë kësaj partie, dhe në Serbi janë pothuajse të gjithë të tillë, bën mirë t‘ia japë votën asaj, sepse humbet vendin e punës nëse partia bie nga pushteti. Sistemi është një qark i mbyllur. Në fushatat elektorale vazhdohet të shtohen radhët. Aktivistët u kujtojnë të gjithë simpatizantëve dhe anëtarëve të partisë, nëse i kanë borxh partisë, duke i pyetur thjesht mbi preferencat që kanë kur ndodhen para kutisë së votimit. Kush nuk do të donte të tregonte përulësinë e tij në këto kushte?

Partia e ka ngritur pushtetin me të gjithë personelin, duke dhënë subvencione të vogla, donacione për radiot lokale, duke bërë nderë për kryetarët e bashkive, duke dhënë tendera zemërgjerë. Pushteti u rrit pa rënë në sy, dhe menjëherë u shfaqën nëpër provinca pushtetmbajtësit e shumtë konkurrues. Ka vite që ish/këlyshi i Millosheviqit ka ardhur në pushtet – në fillim si zëvendëskryeministër. Sot, burri dymetërsh shfaqet i vetëm mbi turmën.

Opozita nuk ekziston më. Socialistët, që dolën partia e dytë më e madhe në vend, duke marrë 11 për qind të votave, janë bashkëlojtarë në lojë, njësoj siç kanë qenë partitë e Bllokut në ish-Gjermaninë Lindore, ose siç kanë qenë Aleanca Socialiste e Punonjësve në ish-Jugosllavi.

Sistemi është stabil, aq stabil sa ka qenë dikur sistemi komunist. Ai funksionon vetëm kur ka diçka për të dhënë dhe diçka për të shpërndarë. Falë lojës së zgjuar kjo vazhdon të jetë njësoj: Deri në shpërthimin e Coronës, donacionet nga BE dhe investimet nga Kina e kthyen Serbinë në vendin me zhvillimin më të madh në rajon, bashkë me Rumaninë, dhe sipas parashikimeve kolapsi pas pandemisë do jetë më e butë se diku gjetkë. Investitorët e vlerësojnë Serbinë sepse partia e kudogjendshme e ka kthyer vendin në „One stop shop“. Licencat jepen pa problem, kundërshtime nuk pritet të ketë.

Serbia ka vepruar kundër Covid 19 më ashpër se çdo vend tjetër në Europë: duke vendosur ndalimqarkullimin nga ora 17:00 deri në orën 5 të mëngjesit dhe ndalim total qarkullimi për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç dhe duke dhënë dënime të mëdha. Por njerëzit tremben nga shteti, virusi nuk trembet. Ai ushqehet nga kushtet e këqija sociale. Mbas sukseseve të para, numri i të infektuarve është rritur sërish, sidomos në konviktet e studentëve dhe aty ku banorët jetojnë ngjitur me njëri tjetrin si sardele. Deri ditën e zgjedhjeve kjo temë mbeti pa u diskutuar. Data e zgjedhjeve duket se është zgjedhur në mënyrë perfekte.

Norbert Mappes Niediek komenton rezultatin e zgjedhjeve serbe. Serbët votojnë për stabilitet, mendon ai. Por a mjafton stabiliteti në vendin me një parti në pushtet?

I të njëjtës natyrë është edhe stabiliteti në rajon, që drejtohet tani nga Vuçiqi. Por meqenëse atje nuk ndodhet askush që ta kundërshtojë, dhe meqë edhe Kisha Ortodokse ndodhet vetë nën kontroll, presidenti e ka rrugën e hapur për të zgjidhur çështjen e Kosovës, sipas mënyrës së tij.

Ka dy vjet që Vuçiq dhe egoja e tij e vjetër shqiptare, Hashim Thaçi diskutojnë për këmbimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk mund të flitet për pajtim të vërtetë, për revizionimin e të kaluarës, për

shtensionimin e jetës së përditshme, për takime në nivel shoqëror. Sepse po të flitej për to do të arrihej efekti i kundërt. Të dy udhëheqësit do të ktheheshin në zot shtëpie me zgjidhjen e tyre të preferuar dhe nuk do të kishin nevojë të merrnin parasysh të drejtat e pakicave të bezdisshme. Që Trumpi luan rolin e nxitësisë të paqes, përshtatet mirë me imazhin: Zëvendësimi i rregullave ndërkombëtare me “deals” të arritur midis burrave të fortë, është politika e shpallur prej tij. Nëse manovra arrin po ashtu t’i hipë nervat europianëve, aq më mirë.

63 për qind e votave janë një rezultat fantastik. Por në Europë e dinë mirë si është puna e stabilitetit. „Everything was forever, until it was no more“, thoshte autori ruso -amerikan Alexei Yurtchak, duke treguar shumë mirë përvojën e një brezi të tërë/DW.


*****
SNS-ja e Vuçiqit fiton kudo në Kosovë, pos në Gorazhdec ku pati përleshje fizike

SNS-ja e Vuçiqit fiton kudo në Kosovë, pos në Gorazhdec ku pati përleshje fizike

Heret, sot në mëngjes, janë numëruar votat e gjashtë vendvotimeve në Gorazhdec të Pejës, ku kanë votuar serbët nga Rrafshi i Dukagjinit, raportojnë mediat serbe.

Sipas këtij burimi, në të gjitha komunat ku kanë votuar serbët në Kosovë, ka ngadhënjyer bindshëm Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit, por në vendvotimin numër katër, ku kanë votuar banorët e Gorzhdecit të Pejës, ka korrur fitore bindëse Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiqit. Në këtë vendvotim SPS-i ka fituar 117 vota, ndërsa SNS-ja 62. Në vendvotimin numër pesë, ku përveç banorëve të komunës së Pejës votuan edhe banorët e komunës së Skënderajt, SNS-ja e Vuçiqit mori mbështetjen e 338 votuesve, ndërsa SPS-i 243.

Në vendvotimin numër 1, në Istog, SNS-ja mori 196 vota, kurse SPS-i 29. Ngjashëm ishte edhe në vendvotimet e tjera. Në komunën e Klinës SNS-ja mori 143 vota, ndërsa partia e Daçiqit, SPS-i – 14, raportojnë mediat serbe.

Ra në sy një konflikt që ndodhi në Gorazhdec në mes të ashtuquajturit shef i Qarkut Administrativ të Pejës Millo Stefanoviqit të SNS-së Vuçiqit dhe kryetarit të të ashtuquajturit organ i përkohshëm i komunës së Pejës Millosh Dimitrijeviqit (SPS), që përfundoi me rrahje para qendrës për numërimin e votave në Rashkë.

Pas përplasjeve fizike dhe shkëmbimit të grushteve , Stevanoviq e qëlloi Dimitrijeviqin me shishe, raporton Radio Gorazhdeci në gjuhën serbe.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veselit.

Rezultate imazhesh për albin kurti


Albin Kurti: Besoj në pafajësinë e UÇK’së dhe luftën e saj, këto sot janë pasoja të gabimeve të moçme

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veselit.

Kurti ka thënë se kjo që ka ndodhur sot, pra ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale janë pasoj e gabimeve të moçme.

Kurti ka thënë se beson në luftën dhe pafajësinë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftë kjo që sipas tij u bë ndaj agresorit serb që bëri gjenocid në Kosovë.

“Ajo çka po shohim sot është pasojë e re e gabimeve të moçme”, tha Kurti.

“Lufta çlirimtare e UÇK’së është luftë e drejtë, luftë kundër një agresori dhe okupatorit i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe luftëtarët e lirisë ,veteranët dhe invalidët e UÇK’së edhe politikisht edhe historikisht janë në të drejtën e tyre dhe të tonë”, tha  Albin Kurti .

“Po s’do mend që kjo ngritje e aktakuzës e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një takim i tillë nuk do mund të ishte në rrethana të reja të krijuara”, tha Kurti.

“Besoj në pafajësinë e UÇK’së dhe mendoj që Kosova është dashur qysh moti të ketë gjygjësinë e vet dhe të paanshme që të gjykojë, hetoj dhe dënoj të gjitha krimet e luftës e të paqes dhe mbi të gjitha ato që janë kryer nga Serbia në Kosovë”, tha lideri i LVV Albin  Kurti.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë për të lejuar punën e transportit ajror dhe rifillimin e punës së autoshkollave, i cili u bë i mundur pas vlerësimit të gjendjes epidemiologjike të cilën e ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Lajm i mirë për autoshkollat, lejohen që të rifillojnë punën
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në fillim të mbledhjes së radhës së Qeverisë së Kosovës, i propozoi kësaj të fundit që të hap aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” për udhëtarët, nën masa të mbrojtjes siç rekomandon IKSHPK-ja.

“Me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i kam propozuar Qeverisë së Kosovës që të miratoj vendimin për rifillimin e transportit ajror në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike”, tha Zemaj.

Për transportin ajror dhe autoshkollat foli edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se kjo synohet të bëhet deri në fund të kësaj jave.

“I heqim barrierat për lejimin e transportit ajror edhe lejimin e punës së autoshkollave, pasi ka pasur një interes të shtuar publike ditëve të fundit. Synojmë që në fund të javës të fillojmë punës të transportit ajror dhe punën e autoshkollave”, ka thënë Abrashi.

Mosratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës mund të rrezikojë ekzekutimin e mjeteve financiare nga Pakoja Emergjente Fiskale.

Rrezikohen të mos ndahen shtesat nga pakoja emergjente, kjo është arsyeja

Kjo sipas Ministrisë së Financave do të ndikojë në funksionimin e sektorit privat dhe do të dërgojë në humbje të vendeve të punës.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë tha implementimi i pakos nuk do të bëhet pa rishikim të buxhetit.

“Që në fillim të hartimit të pakos fiskale emergjente është bërë me dije që kjo pako mund të implementohet në tërësi vetëm në rast se bëhet rishikimi i buxhetit. Për tu implementuar komplet pakoja duhet rishikimi i buxhetit në mënyrë që pozicioni që nga bëhen pagesat për masat që kanë qenë dhe janë në kuadër të planit të rimbushen, e atë mundësi e ka vetëm Kuvendi”.

Sipas Krasniqit për të gjetur fonde në implementimin e pakos, do të ketë shkurtime drastike të pagave në sektorin publik.

“Kjo ka të bëjë edhe me marrëveshjet ndërkombëtare për arsye se është vit specifik, të hyrat e rregullta buxhetore priten të zvogëlohen, projeksionet janë rreth 232 milionë. Muajit të parë ende nuk janë kryer pagesat dhe në rishikim i kemi vendos të gjitha fondet që kanë të bëjnë më pakon për rimëkëmbje ekonomike, duke përfshirë edhe pjesën e pagesave që duhet të jetë për punëtorët 170 euro dhe për ata që kanë humbur vendin e punës dhe pagesa e qerave. Momentin që rishikimi përfundon ne jemi të përgatitur fondet, janë aty”, ka thënë Krasniqi për EO.

Krasniqi deklaroi se vendi do të kthehet mbrapa, e që sipas tij, fondet e projektuara prej 620 milionë euro nuk do të jenë më.

“Nëse nuk kalon ky procesi i rishikimit do të jetë problem më gëzua pakon emergjente në të njëjtën kohë rrezikohet funksionimi i pjesës së mbetur të sektorit privat dhe një numër i ri në mungesë të likuiditetit që ata të humbin vendet e punës”, ka thënë Krasniqi.

Fillojnë fluturimet, aeroporti “Adem Jashari” hapet më 28 qershor 2020.

Fillojnë fluturimet, aeroporti “Adem Jashari” hapet më 28 qershor

Sipas një vendimi të ish-Qeverisë Kurti të datës 13 mars për ndërmarrjen e masave me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 në Kosovës, me datën 17 mars ka hyrë në fuqi ndërprerja e përkohshme e të gjitha fluturimeve në ANP “Adem Jashari”.

Janë bërë gati tre muaj që nga ndërprerja e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, qytetarët të shumtë kanë mbetur jashtë Kosovës dhe shumë prej tyre që gjendjen brenda Kosovës nuk munden të udhëtojnë drejt botës.

Megjithatë më në fund Qeveria Hoti ka marrë vendim për hapjen e Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës.

Rihapja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës do të bëhet më 28 qershor.

Megjithëkëtë, në draft-vendim theksohet se rifillimi i transportit ajror dhe hapja e aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, bëhet vetëm për vijat e rregullta të domosdoshme që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë dhe shëndetit.

Udhëtarët që hyjnë në Kosovës, sipas këtij dokumenti, rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 4 ditë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se propozimi është bërë pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Ai ka shtuar se nëse rastet nuk mund të mbikëqyren gjatë javës në vazhdim dhe ka situatë të re epidemiologjike në Kosovë, rekomandimi është kthimi i masave rigoroze.

“Me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i kam propozuar Qeverisë së Kosovës që të miratoj vendimin për rifillimin e transportit ajror në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike”, tha Zemaj.

Për transportin ajror dhe autoshkollat foli edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se kjo synohet të bëhet deri në fund të kësaj jave.

“I heqim barrierat për lejimin e transportit ajror edhe lejimin e punës së autoshkollave, pasi ka pasur një interes të shtuar publike ditëve të fundit. Synojmë që në fund të javës të fillojmë punës të transportit ajror dhe punën e autoshkollave”, ka thënë Abrashi.

Paga mesatare në Kosovë është kalkuluar gabimisht për vite me radhë


Agjencia e Statistikave të Kosovës për 7 vjet me radhë, 2012-2019, ka llogaritur gabimisht pagën mesatare në vend. Këtë e dëshmon edhe raporti i fundit i këtij institucioni: “Niveli i pagave në Kosovë 2012-2019”, i publikuar këtë muaj.
Paga mesatare në Kosovë është kalkuluar gabimisht për vite me radhë
Në këtë raport thuhet se paga mesatare në Kosovë për vitin 2019 ishte 602 euro.

ASK-ja, për të arritur deri te kjo shifër, ka llogaritur pagat e 363 mijë punëtorëve në vend, por metodologjia e përdorur nga ASK-ja në përllogaritjen e pagës mesatare në Kosovë, sipas ekspertëve ekonomikë, po del të jetë e gabuar, pasi paga prej 602 eurove është llogaritur si mesatare aritmetike (e thjeshtë) e pagës mesatare në sektorin privat, në atë publik, si dhe në ndërmarrjet publike. Pra, pagat mesatare të këtyre tri kategorive janë pjesëtuar me 3 dhe kësisoj është arritur vlera prej 602 eurove (bruto).

Kjo i bie që në këtë përllogaritje është supozuar që përafërsisht 121 mijë punëtorë punojnë në sektorin privat, 121 mijë në sektorin publik dhe 121 mijë në ndërmarrjet publike. Mirëpo, kjo nuk pasqyron realitetin në tregun e punës në Kosovë, pasi, sipas të dhënave jozyrtare, rreth 72% e të punësuarve në Kosovë punojnë në sektorin privat.

Në një postim në faqen e tij në “Facebook” në fillim të këtij muaji Visar Vokrri, ekspert i ekonomisë, nga instituti “Riinvest”, thotë se sipas kalkulimeve të tij të bazuara në të dhënat e publikuara, paga mesatare bruto në vitin 2019 në Kosovë do të duhej të ishte rreth 470 euro, pra 132 euro më pak se ajo e raportuar nga institucioni kompetent për këto të dhëna, ASK-ja.

Vokrri,  ka deklaruar se në vend të mesatares së ponderuar, ku do të reflektohej pesha relative e secilit nga këta sektorë, ASK-ja ka përdorur mesataren aritmetike, e cila në rastin konkret supozon që numri i të punësuarve në këta tre sektorë është i njëjtë.

“Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga po ky institucion, numri i të punësuarve në vitin 2019 ishte 363 mijë, ku rreth 72% prej tyre ishin të punësuar në sektorin privat. Sipas një kalkulimi të thjeshtë, duke u bazuar në këto të dhëna, paga mesatare bruto në vitin 2019 në Kosovë i bie të ishte rreth 470 euro, pra 132 euro më pak se ajo e raportuar”, deklaron Vokrri .

Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka pranuar se përllogaritja është bërë gabim, për çka kanë thënë se janë duke e rishikuar publikimin.

Në sqarimin e dërguar  ASK-ja e pranon se nga paga mesatare e tre sektorëve, ku përfshihen 363 mijë punëtorë, është nxjerrë treguesi i derivuar (paga mesatare), që nuk praktikohet në këto raste.

“Të dhënat e marra nga institucionet përgjegjëse, të paraqitura në këtë raport, janë analizuar, llogaritur dhe shpërndarë përmes raportit, i cili është bërë publik. Të dhënat e paraqitura dhe të publikuara sipas sektorëve janë rishikuar dhe janë reprezentative, derisa te tabela 1.1, te kolona ‘Paga mesatare’, është bërë një gabim-lëshim, ku nga treguesit primarë (sektorëve) është nxjerrë treguesi i derivuar (paga mesatare), që nuk praktikohet në këto raste”, thuhet në sqarimin e ASK-së.

Agjencia e Statistikave të Kosovës deklaron po ashtu se,  për këtë çështje, janë në proces të rishikimit dhe se do të përmirësohet gabimi.

“Prandaj, si përfundim, ASK-ja i njofton të gjithë përdoruesit e statistikave zyrtare se është duke analizuar dhe rishikuar raportin në fjalë dhe në momentin e finalizimit do ta publikojë raportin e rishikuar”, thuhet në deklarimin e ASK-së .

Ky institucion deklaron po ashtu se në raport nuk janë të përfshira të dhënat nga ekonomia e pavrojtuar (informaliteti).

“Vlen të theksohet se përfshirja e të dhënave nga ekonomia e pavrojtuar (informaliteti) në të dhënat e paraqitura do të nivelizonte të njëjtën pagë mesatare, të paraqitur në raport, por kjo çështje i përket procesit të rishikimit për një periudhë më afatgjatë”, theksohet në përgjigjen e ASK-së .

Në bazë të të dhënave që ASK-ja i ka publikuar deri më tani për pagën mesatare në vend del se vendi ynë ka pagën mesatare ndër më të lartën në rajon.