Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/06/10

Sa kemi humbur territor, cilat shtete na i gllabëruan/ 144 Vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit

 


Hava Orana XhukolliNGA HAVA ORANA XHUKOLLI 
Lidhja e Prizrenit

Në 144 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u vlerësua si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Kjo datë u shënua edhe sot dhe u vlerësua nga krerët më të lartë të shtetit.

Lidhja e Prizrenit kishte kulmuar me krijimin e një qeverie të përkohshme, në krye me Ymer Prizrenin, ministër të Jashtëm Abdyk Frashërin, ministër lufte Sylejman Vokshin dhe që kërkonte njohjen e një shteti nën sovranitetin e Portës së Lartë, Perandorisë Osmane.

Në fakt Lidhja e Prizrenit u krijua nën ideologjinë e rilindjes kombëtare, të mbledhur kryesisht asokohe në Stamboll.

Shqiptarët me 1878 shtriheshin përtej Nishit që sot gjendet në Serbi, shtriheshin deri në kufirin e sotëm të Maqedonisë me Bullgarinë, ishin shumicë në Selanik, dhe ende shtriheshin në gjysmën e Greqisë së sotme, ndërsa kishin edhe Sanxhakun, dhe një pjesë të konsiderueshme të Malit të Zi, përfshirë, Ulqinin dhe Tivarin.

Shumë prej këtyre qyteteve, si Tivarin dhe Ulqinin, detyrohen t’i braktisin pasi nga deti sulmoheshin nga fuqitë e mëdha e nga toka nga Perandoria Osmane.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Ky kuvend historik për kombin, nëpërmjet organizmit gjithëkombëtar politik dhe luftarak, paraqet organizim kulmor për çlirimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim dhe pretendim i vendeve fqinje”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas presidentes, kjo Lidhje parqet bashkimin më të madh të shqiptarëve pas Kuvendit të Lezhës, ndaj sot në 144 vjetorin e saj, kujtojmë me respekt ideologët e saj si: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi e të tjerë, të cilët arritën unitetin e faktorit shqiptar, i cili është i nevojshëm edhe sot e kësaj dite.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është frymëzim i përhershëm për emancipimin tonë kombëtar, konfirmimin e orientimit tonë evropian, si dhe referencë e fuqishme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë”, ka thënë Osmani, njofton zyra për informim e Presidencës.

Duke u lidhur më këtë përvjetor, për ‘Bota sot’ flet profesori universitar, Sulejman Mehazi. Ai thotë se përvjetorët e patriotëve më të spikatur të Rilindjes Kombëtare të Lidhjes së Prizrenit, në krye me vëllezërit Frashëri, vijnë e shkojnë, por idealet e këtyre burrave të mëdhenj për bashkimin e trojeve shqiptare sot e kësaj dite mbetën iluzione të parealizuara, krejt për shkak politikës së mbrapshtë e karrieriste të udhëheqësve shqiptarë që nga pavarësia e Shqipërisë, 1912 e deri më sot.

“Derisa ideali i Rilindësve të Lidhjes së Prizrenit ishte dashuria ndaj historisë së lavdishme të popullit tonë, dashuria ndaj gjuhës shqipe, bashkimi dhe krijimi i shtetit të Shqipërisë brenda gjitha trojeve shqiptare, politikanët shqiptarë pas pavarësisë e deri më sot jo që nuk i realizuan idealet e kolosëve të mëdhenj të Rilindësve, por i tradhtuan këto ideale kombëtare”, vlerëson ai.

Mehazi: Ku mbeti porosia e Sami Frashërit në Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet?

Image
Profesori Sulejman Mehazi
FOTO GALERI

Madje Mehazi pyet se ka mbetur edhe porosia e shkrimtarit të madh, Sami Frashërit.

“Ku mbeti porosia e Sami Frashërit në veprën ideore, politike, ekonomike e shtetërore: "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet" (1899)?, askundi, nga këto tre porosi të Sami Frashërit, dyqindvjet më pas vetëm njëra është realizuar, e para, "Shqipëria ç'ka qenë", kurse dy të tjerat, "çështë Shqipëria e ç'do të bëhet" mbetën vetëm dëshira popullore e asgjë më shumë. Shqipëria e sotme e Samiut, Naimit e Abdyl Frashërit është me Serbinë e Ballkanit të Hapur e jo me Lidhjen e Prizrenit të Kosovës, Shqipëria e sotme është e përçarë në shqiptarë të Shqipërisë, shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarë të RMV-së, pikërisht nga politikanët e shitur e të korruptuar shqiptarë. Ardhmëria e Shqipërisë së Sami Frashërit është në Ballkanin e Hapur të Serbisë e jo në atë që dëshironte Sami Frashëri në BE tog e të bashkuar në një shtet”, thekson ai.

Lidhur me përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, edhe historian Jahja Drancolli ka ndarë disa të dhëna interesante. Ai në faqen e tij në Facebook, duke folur për këtë ngjarje ka thënë se kur është themeluar kjo Lidhje, kishte një organizim politik gjithëkombëtar, ndërsa jep edhe disa statistika për numrin e popullsisë shqiptare nëpër qytetet kryesore, ku rezulton se aso kohe Prizreni ishte qyteti më së shumti banore, dhe gati pesëfish më i madh se Prishtina.

“Si sot, në vitin 1878 është themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizim politik gjithëkombëtar: Sipas statistikave europiane të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, botuar në "Nouvelle Géographie Universelle" (Gjeografia e Re Universale/Botërore), Paris, 1876, Prizreni rezulton të jetë qyteti më i madh në Shqipëri me 46.000 banorë. Pas Prizrenit vinin sipas këtij rendi: Manastiri 40.000 banorë, Shkodra 35.000, Shkupi 30.000, Janina 25.000, Gjakova 25.000, Tetova 22.000, Peja 20.000, Prishtina 10.000, Tirana 10.000, etj”, shkruan Dran[olli.

Historiku i Lidhjes së Prizrenit

Image
Lidhja e Prizrenit
FOTO GALERI

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi Lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.

Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër Perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara me dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.

Një nga hapat e tyre të parë ishte të hartonin një memorandum për Earl of Beaconsfield, përfaqësuesi britanik në Kongresin e Berlinit, ku formuluan parimet:

“Ashtu siç nuk jemi ose nuk duam të jemi turq, ne do të kundërshtojmë me gjithë forcën tonë këdo që dëshiron të na kthejë në sllavë, austriakë apo grekë. Ne duam të jemi shqiptarë. ”

Ndërsa territoret e pushtuara nga Mbretëria e Serbisë u braktisën, trupat e Lidhjes mbronin territoret që i ishin caktuar Principatës së Malit të Zi dhe qytetet Janina dhe Preveza në rajonin e Epirit të pretenduara nga Mbretëria e Greqisë .

Anëtarët kryesorë të Lidhjes ishin Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Pashko Vasa, Idriz Seferi, Isa Boletini, shumë të tjerë. Meqenëse liga nuk mund të parandalonte copëtimin e zonave të populluara me shqiptar, ajo filloi të përqendrohej në zbatimin e kërkesave të brendshme politike.

Grimca plastike vërtetohen shkencërisht në gjakun e njeriut

 

Kjo është një çështje serioze për shëndetin. Grimcat nga plastika që përdorim çdo ditë e që jetojnë për qindra vjet, konsumohen po prej nesh në mënyrë të pavetdijshme përmes ushqimit, ujit dhe frymëmarrjes.

Është shumë e thjeshtë. Ndotja nga përdorimi masiv i qeseve plastike dhe produkteve të tjera plastike ka kontaminuar gjithë planetin – nga maja e malit Everest deri në oqeanet më të thella.

Por nëse themi planet, Everest apo oqean nuk do të thotë se problemi ëhstë i largët dhe se këtu në Shqipëri nuk po përballemi me të njëjtin shqetësim dhe situatë alarmante. Pjesë e këtij problemi është edhe shëndeti jonë.

Në një mënyrë apo tjetër, çdo produkt ushqimor në tryezë është i kontaminuar me grimca plastike mjafton të përmendim më bazikët, uji dhe kripa për të vijuar me gjithë varietetet, frutat e detit dhe ato të tokës, perimet, produktet dhe nën produktet shtazore, ato të paketuara, ato të eksportuara – pothuajse gjithçka që ne konsumojmë.

Jo pa arsye, rreziku plastik tek shëndeti është shndërruar në mision shkencor. Në mars të këtij vitit, ndotja mikroplastike është zbuluar për herë të parë në gjakun e njeriut, ku shkencëtarët gjetën grimca të vogla plastike në pothuajse 80% të njerëzve të testuar.

Zbulimi tregon se grimcat mund të futen nëpër trup dhe mund të mbeten në organe. Për këtë arsye, shkencëtartët kanë ngritur shqetësim alarmues pasi mikroplastika e analizuar në laborator rezulton se shkakton dëme në qelizat njerëzore. Grimcat e ndotjes së ajrit hyjnë në trup duke dëmtuar muret qelizore, krijojnë alergji të ndryshme deri tek shkaktimi i sëmundjeve vdekjeprurëse.

“Dëmtimi i qelizave është në shumë raste nisja fillestare e efekteve shëndetësore” konfirmon Evangelos Danopoulos, studiues shkencor Hull York Medical School në Britaninë e Madhe. “Duhet të shqetësohemi. Tani për tani, nuk ka vërtet një mënyrë se si mund ta mbrojmë shëndetin ndaj këtij fenomeni.”

Kujdesi më i mirë është shmangia e problemit në fillesën e tij, përkatësisht zvogëlimi i përdorimit të plastikës në jetën tonë të përditshme. Dhe kjo kërkon një përfshirje kolektive me përfshirjen e shoqërisë ku jetojmë, kompanive që prodhojnë plastikë dhe organeve rregullatore. Ne duhet të veprojmë pa vonesë të mëtejshme për të mbrojtur zinxhirin tonë ushqimor.

Në mbrojtje ndaj këtij fenomeni, Shqipëria po hyn në një fazë të re të kujdesit ndaj rrezikut që ndotja plastike shkakton në shëndet, mjedis dhe ekonomi. Muaji qershor 2022 shënon një kthesë në shmangien e qeseve plastike. Por ndërsa ligji tashmë i miratuar në Parlament hyn në fuqi dhe institucionet publike dhe ato ndërkombëtare janë duke drejtuar fushata me rëndësi ndërgjegjësimi – faktori kryesor që do ta bëjë nismën të jetë e suksesshme dhe jetesën tonë më të shëndetshme jemi vet ne konsumatorët!

Kafja mund të zgjasë jetën?

Nëse mbështeteni te kafeja për tu zgjuar në mëngjes ose thjesht shijoni shijen e saj unike, atëherë e dini se jo çdo filxhan është i njëjtë.

Krahas llojit të kokrrave të kafesë që përdoren , çdo lloj ëmbëlsuesi mund të ndryshojë edhe shijen e saj.

Një studim i ri, të cilit AgroWeb.org i referohet, ka zbuluar se një filxhan kafe që përmban pak ose në mënyrë ideale aspak sheqer, mund t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë.

Si Është E Mundur Kjo?

Studimi i kryer nga studiuesit e Universitetit Të Mjekësisë në Guangzhou, Kinë, hodhën një vështrim në të dhënat e mbi 171,000 pjesëmarrësve.

Kur u shqyrtua se si kafeja e pa ëmbëlsuar dhe kafeja e ëmbëlsuar ndikojnë në në trup, hulumtimi tregoi se pas një periudhe shtatëvjeçare, ata që zgjodhën kafenë e pa ëmbëlsuar kishin një jetëgjatësi më të madhe, rreth 16-20%, në krahasim me ata që nuk e konsumonin fare.

Këto shifra u rritën në 29-31% kur bëhej fjalë për pjesëmarrësit që shtonin rregullisht rreth një lugë kafeje sheqer.

Edhe pse gjetjet janë interesante, për disa dietologë ato nuk janë edhe aq befasuese.

Kjo sepse ka shumë të dhëna që tregojnë se kafeja është një pije e shëndetshme dhe anti-inflamatore.

Sipas tyre, kafja e zezë është më e shëndetshmja, sepse përmban të gjitha polifenolet dhe antioksidantët e duhur, pa asnjë nga komponentët inflamatore.

Sa i përket kafesë që është e ëmbëlsuar me pak sheqer, studimi tregoi se në thelb ka të njëjtin efekt.

Dietologët e mbështesin këtë duke thënë se 1 lugë kafeje sheqer është një sasi e vogël nëse merret parasysh fakti që ndiqni një regjim ushqimor të shëndetshëm.

Për ta, pasojat më të rënda shëndetësore kanë pijet me shumë sheqer, që përmbajnë nga tetë deri në 12 lugë çaji sheqer, përfshirë këtu edhe kafenë që shitet e gatshme.

Zbuloni shenjat e problemeve shëndetësore

Shumë prej nesh e kanë provuar të paktën njëherë një jetë ndjesinë e të pasurit këmbët akull.

Ndryshimet në temperaturën e gjymtyrëve, shëndeti dhe stili i jetesës, janë disa prej shkaktarëve kryesorë të ‘akullnajës’ në këmbë.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për disa nga shkaqet mjekësore të këmbëve të ftohta, por edhe kurat natyrale për më shumë ngrohtësi.

Cilët Janë Shkaktarët e Acarit Në Këmbë?

Ndjesia e të ftohtit në këmbë është një nga reagimet normale të trupit ndaj temperaturave të ulëta.

Kur trupi futet në një zonë të ftohtë, enët e gjakut në këmbë dhe duar, shtrëngohen duke pakësuar qarkullimin e gjakut në këto zona.

Këmbët dhe duart ndodhen shumë larg nga organet jetësore, ndaj një qarkullim i pakët i gjakut drejt tyre ruan ngrohtësinë dhe qarkullimin në zona më të rëndësishme.

Me kalimin e kohës, qarkullimi i mangët i gjakut shkakton mungesa të oksigjenit, gjë që shkakton maviosjen e gishtave.

Zakonisht, një simptomë e tillë është e përkohshme dhe trupi nis e ngrohet sërish në çdo cep.

Megjithatë, ka njerëz që kur ekspozohen në temperatura të ftohta ose tepër të larta, apo përballen me shumë stres, vuajnë nga një qarkullim i kufizuar i gjakut.

Kjo shkakton mpirje të gishtave të duarve dhe këmbëve.

Roli i Stresit Dhe Ankthit

Stresi dhe ankthi janë gjithashtu fajtorë të këtij problemi.

Një nga kundërpërgjigjet më natyrale të trupit ndaj stresit apo nervozizmit është të lëshojë më shumë adrenalinë në gjak.

Ajo shkakton enët periferike të gjakut të shtrëngohen.

Një gjë e tillë, e bën të vështirë furnizimin me gjak në zonat ekstreme.

Problemet me qarkullimin

Qarkullimi jo i rregullt i gjakut shkakton ftohje të përsëritur të këmbëve të duarve.

Qarkullimi problematik vjen si pasojë e një jete sedentare ose qëndrimit ulur për shumë kohë.

Duhanpirja gjithashtu shkakton vështirësi për gjakun që të arrijë në çdo zonë të trupit.

Kjo është arsyeja përse njerëzit që pijnë duhan ankohen se kanë ftohtë nga këmbët dhe duart.

Anemia

Në disa raste, anemia manifestohet edhe me ftohje të këmbëve.

Kjo sëmundje shfaqet në mungesë të sasisë së duhur të rruazave të kuqe të gjakut, kur mungon hekuri, vitamina B12, folati ose ka probleme me veshkat.

Diabeti

Njerëzit që vuajnë nga diabeti janë të rrezikuar nga problemet me qarkullimin e gjakut dhe ankohen shpesh për këmbë ose duar të ftohta.

Mungesa e sheqerit në gjak shkakton ftohje të këmbëve.

Shkaktarë të tjerë

Ftohja e këmbëve dhe duarve mund të shkaktohet edhe nga çrregullimet nervore apo tiroidja dhe mungesa e hormoneve, që ndikon në çdo kënd të organizmit.

Kurat Natyrale Kundër Gjymtyrëve Të Ftohta

Lëvizjet

Lëvizja është një nga mënyrat më të lehta për të ngrohur trupin dhe rikthyer qarkullimin e gjakut nga dhe drejt këmbëve.

Kryeni aktivitete fizike të shpeshta që t’ju ngrohet trupi.

Vishuni mirë dhe me çorape të ngrohta.

Bëni banjë të ngrohtë për këmbët për 10-15 minuta.

Mbani një borsë ose një shishe me ujë të ngrohtë tek këmbët

Konsultohuni me mjekun në rast se përjetoni plogështi, rënie në peshë, temperaturë, dhimbje kyçesh, gishtash, njolla në lëkurë.

Nëse ju ndieni se gishtat i keni të ftohtë, por në prekje ata janë në temperaturë normale, atëherë vizitohuni tek mjeku sepse kjo është një tregues i një dëmtimi nervor.

Takimi i liderëve të rajonit! Merr pjesë edhe kancelari Scholz

 

Ministeriali Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore qe zhvillohet prej mëngjesit të së premtes në Selanik është fokusuar siç pritej tek bashkëpunimi rajonal sidomos në sektorët e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik për lehtësimin e proceseve të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në një ka theksuar se është ende optimiste, duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut por ka nënvizuar faktin se një pritje e vazhdueshme nga ana e këtyre dy vendeve minon  besueshmërinë e procesit të zgjerimit.

Duke shprehur rendësinë e ministerialit në fjalë, Xhaçka  ka theksuar gjithashtu se ky bashkëpunim ndërajonal merr një kuptim të veçantë në kushtet e luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike.

Ndërsa ka prezantuar vullnetin e Shqipërisë për të marrë presidencën e nismës rajonale SEECP  për periudhën 2024- 2025, kryediplomatja shqiptare ka vlerësuar rolin e Greqisë në mbështetjen e saj ndaj Tiranës dhe Shkupit në rrugën e integrimit, por edhe bashkëpunimit me Shqipërinë në sektorë të ndryshëm.

Me interes të madh pritet samiti i mbrëmjes së liderëve të vendeve të Europës Juglindore, midis tyre dhe kryeministri Rama,  nën kryesinë e kryeministrit Mitsotakis  si dhe pjesëmarrjes së kancelarit Sholz dhe presidentit të Këshillit Europian Carles Mishel.

2022/06/09

Ja letra e Bilal Xhaferrit kunder Kadarese

 


Per here te pare: Ja letra e Bilal Xhaferrit kunder Kadarese

Fragment nga libri “Kadare i denoncuar”, zbardhet letra e plotë, e përfolur se nuk ekziston



I dashur shoku Enver

-Romanin “Dasma” unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent…

…U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur…?!

Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzoj me idetë e mëdha të partisë, duke i përdoruar si prestigjiator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi…?!

Bilal Xhaferr Hoxha

Dokumenti në fjalë, ashtu si dhe ai para-ardhës, është një nga më të rëndësishmit e këtij libri, jo vetëm pse publikohet për herë të parë, dhe deri më sot askush nuk e ka bërë të ditur ekzistencën e tij, (të paktën në shtyp publikisht), por dhe që hedh dritë mbi disa çështje dhe probleme shumë të përfolura të cilat kanë vite që “ziejnë” në të ashtuquajturin “çështja  Kadare-Xhaferri”. Bëhet fjalë për letrën që Bilal Xhaferi i ka dërguar Enver Hoxhës, (me shkrimin e tij), lidhur me problemet e mëdha dhe pengesat që i dolën atij, direkt pas diskutimit që bëri në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë në Tiranë, ku sulmoi Kadarenë për romanin “Dasma”. Edhe pse lidhur me këtë problem, janë bërë me dhjetëra artikuj në shtypin e përditshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë (shtypi i diasporës), si dhe disa libra, (“Dosja K”, Shaban Sinani, dy botime, vitit 2005 dhe “Një enigmë me disa të panjohura. Rreth dosjes Bilal Xhaferri”, Aida Tuci, viti 2014), ekzistenca e kësaj letre nuk është përmendur as aluduar kurrë. As nga Kadareja, në të gjitha intervistat që ai ka dhënë për këtë çështje publikisht në shtyp, ku nga pyetjet e gazetarëve, e ka sqaruar gjatë atë ngjarje?! Ashtu siç shihet dhe nga letra në fjalë midis rreshtave, Bilal Xhaferri ka qenë në një gjendje tejet dëshpëruese, apo më saktë depresive, kur ka vendosur që të ulet dhe të formulojë një letër për Enver Hoxhën, duke i kërkuar ndihmë atij për gjendjen tejet të vështirë ku ndodhej?! Ka shumë arsye që mund ta kenë shtyrë Bilalin për të ndërmarrë atë hap. Versioni i parë, është ai i ndonjë prej shokëve të tij të ngushtë me të cilët mund të jetë konsultuar për hartimin e asaj letre që ai i ka dërguar Enver Hoxhës, por ky version bie pa u ngritur mirë. Dhe kjo për faktin, se askush prej tyre, si Bedri Myftari, Namik Mane, Moikom Zeqo e ndonjë tjetër që përmenden në letër-informacionin e Rita Markos, të cilët dhe faktikisht kanë qenë miqtë më të ngushtë të tij në atë kohë, nuk kanë folur kurrë për ekzistencën e asaj letre, të paktën publikisht. (Bedri Myftari prej dy vitesh ka ikur nga kjo jetë, Namik Mane është prononcuar disa herë në media për këtë problem, por jo për letrën, ndërsa Moikom Zeqo i ka qëndruar larg kësaj ngjarje dhe nuk ka folur kurrë për këtë gjë, të paktën publikisht…?!). Tjetër fakt interesant, është se as punonjësit e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, sektori i letrave, që janë marrë me atë punë, nuk janë prononcuar kurrë për të?! Të paktën publikisht në shtyp. Dhe nisur nga këto fakte e deduksione, të paktën për miqtë e ngushtë të Bilalit, bie automatikisht version se kanë pasur dijeni për letrën në fjalë. Kjo gjë bëhet më e besueshme edhe për faktin se shokët e tij më të ngushtë, (Bedriu e Namiku), nuk e patën mbështetur apo inkurajuar Bilalin edhe për diskutimin që ai do mbante në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit “Dasma” të Kadaresë. Të paktën kështu është shprehur publikisht në shtyp Bedri Myftari, disa vjet para se të ndahej nga jeta. Dhe kështu mbetët që, me shumë gjasa, ideja dhe nxitja për hartimin e dërgimin e asaj letre në adresë të Enver Hoxhës, Bilalit mund t’i ketë ardhur nga ndonjë prej funksionarëve të lartë partiakë apo shtetërorë që ishin mbështetësit e tij dhe që përmenden edhe në letrën e hartuar nga Rita Marko. Të cilëve Bilali mund t’u ketë shkuar për t’u kërkuar ndihmë apo më saktë ndonjë mendim apo sugjerim, për të dalë nga situata tejet e vështirë dhe ndoshta pa shpresë në të cilën ai ndodhej. Dhe kjo më si miri duket edhe nga letra në fjalë, ku ai flet për gjendjen e tij tejet dëshpëruese. Sa që mendon edhe vetëvrasjen, madje tejet tragjike, (duke u hedhur në rrotat e trenit…?!). Versioni që Bilali ka pasur shtytje apo indicie për hartimin dhe dërgimin e letrës në adresë të Enver Hoxhës nga ndonjë prej funksionarëve dhe zyrtarëve të lartë, (miq apo të tij mbështetës, që përmend Rita Marko në letër-informacionin e tij), bëhet dhe më i besueshëm, pasi vetëm ata mund të kenë pasur dijeni për letrën e Rita Markos dhe rrezikun që i kanosej pas mbërritjes së asaj letre në Komitetin Qendror?! Dhe ata mund t’i kenë thënë: “Bilal, nuk ka rrugë tjetër, nuk ke se çfarë të humbash më, shkruaji Enverit se ndoshta….”?! Por duket se ata kanë gabuar dhe kanë futur në qorrsokak dhe Bilalin, pasi po të kemi parasysh se si rrodhën ngjarjet më tej, Enveri nuk është prekur fare nga ajo letër…as nga përbetimet e Bilalit se “është margaritar i partisë”?! Madje përkundrazi, me shënimin që ka lënë me dorën e tij, duket se e ka “fundosur” më keq Bilalin, duke e shtyrë me thellë në honin ku ai po gremisej. Por po të shohim anën tjetër të medaljes, nuk është me e mirë situata edhe për Kadarenë?! Pra; denoncimi që Bilali i bën kolegut të tij shkrimtar, Ismail Kadaresë, tek Enver Hoxha, gjithashtu nuk mund të ishte pa pasoja. Ashtu si të gjitha dokumentet e tjera të këtij libri, edhe letrën e Bilal Xhaferit drejtuar Enver Hoxhës, po e japim të plotë.

***

I dashur shoku Enver

Unë që po ju drejtohem me ketë letër jam një punëtor. Ju shkruaj për një çështje që është çështje jete për mua, bile akoma më shumë se i kalon kufijtë e jetës sime personale dhe tani vetëm ju jeni njeriu që do ta zgjidhni përfundimisht e me drejtësi.

T’ju tregoj me dy fjalë biografinë time.

Babai im ka qenë në radhët e Ballit dhe është pushkatuar ne fillim të vitit 1945. Megjithatë, pavarësisht nga rasti i tim eti, familja jonë, duke filluar që nga Hoxha Tasimi, ka qenë një familje patriote.

Unë jam rritur jetim. Kam hyrë në punë që kur isha fëmijë dhe sot kam 17 vjet që jetoj e punoj në gjirin e klasës punëtore, si punëtor i thjeshtë në prodhim. Nuk kam mundur që të marr arsim dhe të kryej studime, por duke punuar në mënyrë autodidakte jam përpjekur të grumbulloj pak njohuri dhe të stërvit dorën në letërsi artistike. Si rezultat i përpjekjeve të mia, vitin e kaluar u vu në qarkullim një vëllim i imi me tregime dhe u botua edhe një vëllim me poezi, gjithashtu Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri”, përgatiti për të futur në shtyp një roman, të cilin e shkrova me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut.

Shkurtimisht kjo është biografia ime. Dhe tani që të mos ta zgjas dhe të mos ju shkurtoj minutat tuaja të shtrenjta, po vij te çështja për të cilën vendosa t’ju shkruaj.

Në pranverën që shkoi, u organizua në Tiranë një diskutim letrar rreth romanit “Dasma” të shkrimtarit Ismail Kadare. Atje u ngrita dhe unë të shfaq mendimet e mija. Fola kundër këtij romani. Si pasojë, ndodhi një skandal që mori më vonë përpjesëtime të bujshme. Shoku Fadil Paçrami që foli pas meje, njoftoi sallën që unë kisha babanë të pushkatuar dhe më deklaroi mua si armik, kurse romanin “Dasma” vlerësoi lart. Me autoritetin e tij ai përcaktoi qëndrimin që do të mbahej më vonë kundrejt meje.

Më pushuan nga puna. U ndalua vënia në qarkullim e vëllimit tim me poezi dhe romani im u tërhoq nga shtypi. U morën edhe masa të tjera kundrejt meje. Kështu ngjarjet ndoqën ngjarjet dhe tani unë ndodhem në një gjendje ku shpresa e vetme jeni vetëm ju, është gjykimi juaj.

Nuk dëshiroj të kundërvihem kundër një anëtari të Komitetit Qendror, siç është shoku Fadil Paçrami, as nuk dua ta paraqes veten si një viktimë e pafajshme, por megjithatë në ndërgjegjen time unë nuk jam i bindur që ta quaj veten fajtor, dhe, gjithashtu, akoma nuk jam i bindur që të pranoj se kundrejt meje janë sjellë më drejtësi Partie, me drejtësi proletare. I thonë një fjale: “Jepja pëllëmbën tjetrit, sipas faqes”.

U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur. Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzoj me idetë e mëdha të partisë, duke i përdoruar si prestigjiator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi.

Lexuesi e ka ndjenjën e së vërtetës dhe të realitetit dhe kërkon një letërsi të vërtetë dhe realiste. Ai di ta dallojë atë që shkruhet nën flakën e fantazisë së një shkrimtari, prapa së cilës flakë zvarriten hije mendimesh të shkapërdisura, zvarriten kapituj të mbështetur në rërë simbolesh e konvencionesh të errëta, të mbështetur në pajandime frazash me kuptime të paracaktuara, të dyfishta.

Romanin “Dasma”, unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent. Nuk ngul këmbë që vetëm si them unë duhet të jetë dhe që vetëm unë duhet të kem plotësisht të drejtë, po sidoqoftë mendimet që kam shfaqur, jam në gjendje t’i mbroj gjer te presja dhe te pika e fundit kundër interpretimeve të shtrembra që u janë bërë. Atje unë nuk bej aluzione, por flas hapur, saktë dhe direkt, duke marrë në analizë të metat e romanit.

Diskutimi im është bërë me shkrim dhe ekziston si dokument. Le të merret ai në shqyrtim dhe le të thirrem unë që të jap llogari për ato që kam thënë atje. Jam i bindur gjer në vdekje se e drejta është me mua për sa i përket thelbit dhe qëllimit të kritikës sime kundrejt romanit “Dasma”, dhe gjithashtu për sa i përket çështjeve të veçanta më të rëndësishme që trajtoj unë në atë kritikë.

Unë jam punëtor dhe kam shtatëmbëdhjetë vjet që punoj me djersën e ballit. Kam punuar si minator, hekurkthyes, hidraulik, punëtor krahu në bujqësi, në ekspedita gjeologjike dhe në fabrika si teknik ndërtimi, në punime rruga–ura dhe vullnetar që në aksionet e para. Kështu në gjirin e klasës punëtore po kaloj gjithë rininë time. Ndokush mund të përmend babanë tim të pushkatuar. Megjithatë, prapë se prapë, unë jam punëtor. Mua nuk më ka rritur dhe nuk më ka edukuar babai im, të cilin nuk e mbaj mënd dhe nuk e njoh, por më ka rritur dhe më ka edukuar klasa punëtore. Dhe në qoftë se duhet të flitet për atësinë time, unë jam bir i klasës punëtore i brumosur me idealet e saj. Unë vij drejt për së drejti nga zemra e kësaj klase.

Këtu jam rritur që kur isha fëmijë i njomë, këtu njoha gëzimet dhe hidhërimet e jetës, këtu mësova të shkruaj, të dashuroj dhe të urrej, këtu gjeta frymëzimin, heronjtë, gjuhën, subjektet dhe motivet. Pavarësisht nga gabimet e mia të mundshme, pavarësisht pastaj nga antipatia dhe opinion i keq që mund të kenë persona të veçantë kundrejt meje, unë mbetem gjer në fund bir i klasës punëtore dhe i Partisë së saj të punës. Në qoftë se ka njerëz që e kanë ndërgjegjen flori kundrejt klasës punëtore dhe kundrejt partisë, unë jam nga ata që e kanë margaritar. Unë kam dhënë prova për këtë, në çfarëdo kushtesh që jam vënë, kam dhënë prova në punën dhe qëndrimin tim si njeri, si qytetar dhe si punëtor kam dhënë prova me veprën time modeste letrare, ku pasqyrohet shpirti im, mendimi im, qëndrimi im ndaj çështjeve të popullit dhe të socializmit.

I dashur shoku Enver.

Unë e kuptoj mirë domosdoshmërinë për të zhvilluar luftë ndaj armikut të klasës, si dhe mprehjen e vigjilencës në kushtet aktuale të thellimit të revolucionit tonë, por njëkohësisht e di se Partia nuk gjykon thjeshtë në bazë të konceptit patriarkal të gjakut dhe nuk mund të më dënojë mua për babanë tim. Unë dua të gjykohet për jetën time. Le të më bjerë mbi kokë dënimi më i rreptë i Partisë dhe i popullit, në qoftë se kam devijuar nga çështja e Partisë dhe popullit dhe në qoftë se këtë e kam bërë me ndërgjegje dhe me qëllim, po kot së koti, pa faj, jam i bindur se nuk do të dënohem nuk do flakem tutje. Me këtë ndjenjë të palëkundur bindje dhe besimi, ju drejtohem juve që jeni njeriu më i dashur dhe më i drejtë për të gjithë ne.

Pse t’ua fsheh, shoku Enver? Jam në një gjendje të rëndë, plot ankth dhe dëshpërim dhe më duket sikur më kanë mbetur vetëm dy rrugë në jetë: ose të më jepet përsëri e drejta e botimit, e drejta që t’i shërbej çështjes së Partisë dhe popullit, ose të hidhem nën rrotat e trenit, se nuk duroj dot që të vegjetoj kot, në një jetë pa kuptim, larg problemeve të mëdha të kohës, larg artit tim.

Mbetem në pritje me shpresën tek ju.

Këtë mbrëmje të vitit tëri, ju uroj jetë të gjatë dhe forca të reja, ju uroj të jetoni edhe më shumë se 60 vjet të tjera.

Me respekt të thellë

Bilal Xhaferr Hoxha

Kullë 31.12.1969

(Shënimi i Enver Hoxhës mbi letrën e Bilal Xhaferrit: Ndonjë autokritikë …nuk bën pse lakrat që ka në kokë, për të cilat drejt është kritikuar, dhe jo se i bën kritika “Dasmës”.

Si shumë e nënvlerëson çështjen e babës, çështje që del gjerësisht e kritikuar te pjesa për “Dasmën” për ideologji…As që vlen t’i përgjigjesh

Enver

Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 584-585. Viti 1967, 1969. Fl. 1-180-214

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...