Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/03/24

Presidenti dhe presioni ndërkombëtar detyrojnë kryeministrin të tërhiqet nga censura



   

Partia Socialiste ka bërë një lëvizje taktike për paketën e ligjeve “anti-shpifje” që pritej të votohej dje në Parlament. Dy ligjet që janë cilësuar si rikthim i censurës në Shqipëri dhe nuk u dekretuan nga Presidenti Ilir Meta, ishin planifikuar të kalonin për votim pas asnjë ndryshim nga ana e mazhorancës. Në momentet e fundit, socialistët vendosën që të shtyjnë votimin e tyre duke argumentuar se do të pritej opinioni i Komisionit të Venecias, i cili do të vendosë nëse këto ligje cenojnë standardet demokratike apo jo. Lëvizja që duket si një respektim i Komisionit të Venecias në fakt është zbythje e mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama përballë presionit të fortë ndërkombëtar. Pak orë para se PS-ja të merrte vendimin për shtyrjen e ligjeve, raporteri për Shqipërinë në Grupin Partive Popullore Europian në Parlamentit Europian, David Lega, bëri një deklaratë të fortë kundër qeverisë “Rama”. Lega paralajmëroi kryeministrin Edi Rama, se nëse ligjet e kthyera nga Presidenti Ilir Meta do të rivotoheshin pa asnjë ndryshim nga ana e qeverisë, Shqipëria rrezikonte hapjen e negociatave. Deklarata e David Lega nuk është vetëm qëndrimi i një euordeputeti nga 751 të tillë që nga Parlamenti Europian. Partitë Popullore Europane që përfaqëson Davil Lega janë grupimi më i madh polik në BE dhe qeveritë kryesore të vendeve të BE i përkasin pikërisht këtij kampi politik. Praktikisht deputetët e PE-së nuk e këshilluan, por e kërcënuan qeverinë “Rama” duke i vendosur kushtin e bllokimit të negociatave, nëse ligjet rivotoheshin pa marrë rekomandimet e Presidentit Ilir Meta. Mesazhi i PPE-së në adresë të kreut të qeverisë për ligjet problematike nuk është i vetmi. Pak ditë më parë Zyra e OSBE për Lirinë e Medias në Vjenë doli kundër projektit të Edi Ramës për censurën ndaj mediave. Aq antiligjore ishte paketa “anti-shpifje” e Edi Ramës, sa i njëjti zyrtar i OSBE që e mbështeti, pasi pa draftin e miratuar u detyrua të dalë hapur kundër saj. Në këtë reagim edhe më i rëndë është fakti që OSBE doli kundër shefit të saj të radhës Edi Rama duke ja përplasur hapur faktin që ligjet janë dhunuese dhe modeli më i keq që përdoret në një vend që kërkon të hyjë në Bashkimin Europian.

Si rrallë herë, projekti i qeverisë “Rama” për median ngriti në këmbë shoqatat në Tiranë. Pavarësisht se ku financiohen, shumica e organizatave të shoqërisë civile këtë herë ranë në një mendje që ligjet për mediat nuk ishin reformë, por një formë e re censure e rrezikshme për të gjithë. Përveç deputetëve që votuan në rresht këtë paketë, për herë të parë përfaqësues të mediave, të cilët dihet se janë shumë afër qëndrimeve të Edi Ramës u detyruan, në mos të dilnin kundër të paktën të heshtin dhe të pranonin nën zë se ligjet ishin një pavçavure juridike që të kujtonte kohën e komunizmit. Zhurma që më të drejtë u bë në Tiranë për këto ligje vuri në lëvizje dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, të cilët reaguan disa herë për anulimin e ligjit. Qëndrimet në masë kundër ligjit, si dhe dekreti i anulimit të tyre nga ana e Presidentit Ilir Meta, i cili argumentonte dhe shkeljet kushtetuese të këtij projekti, vunë në lëvizje dhe institucione ndërkombëtare. Këshilli i Europës, dy javë më parë, mori përsipër të ndërhyjë duke dërguar paketën ligjore në Komisionin e Venecias për interpretim. Një akt të tillë Këshilli i Europës e ka bërë vetëm për burgosjen e gazetarëve në Turqi apo për shtete ku nuk ekziston demokracia. Vetë akti i ankesës së Këshillit të Europës tregon se qëndrimi i Edi Ramës ndaj medias tashmë është bërë një shqetësim serioz ndërkombëtar. Në mënyrë ironike, vetëm Ambasada e BE në Tiranë u kujtua që ligjet për mediat kishin probleme serioze, pasi Taulant Balla deklaroi se nuk do t’i votonin pa pritur qëndrimin e Venecias. Nëse PS do vazhdonte marrëzinë dhe do t’i votonte siç janë aktualisht, ka mundësi që kjo ambasadë të përshëndeste votimin si një hap përpara në lirinë e medias. Presidenca e OSBE dihet që mendon njëlloj si Edi Rama, ndaj nuk pret njeri që të flasë ambasadori. Pavarësisht qëndrimeve të munguara ose të vonuara nga diplomatëve të veçuar në Tiranë, fakti është se Edi Rama u tërhoq taktikisht nga votimi i ligjeve. Nuk e bëri këtë se ka ndryshuar mendim për censurën dhe kontrollin mbi mediat, por sepse si asnjëherë më parë institucionet ndërkombëtare e kanë goditur qëndrimin e tij dhe paketën anti-shpifje. Është një sinjal që ndërkombëtarët kanë nisur të kuptojnë problemet reale që Shqipëria me qeverisjen “Rama”. Pas këtij presioni të fortë ndaj kryeministrit që e detyroi të tërhiqet, socialistët duhet të mendohen dy herë para se të thonë se kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve.

BE del kundër inceneratorëve:– Nuk përputhen me ligjet tona për riciklimin e mbetjeve, të shmangen sa më shumë




Inceneratorët duhet të jenë zgjidhja e fundit për menaxhimin e mbetjeve. Ky është sugjerimi që vjen nga përfaqësuesi i delegacionit të Parlamentit Europian, Ciaran Cuffe.

Në Komisionin Parlamentar për Stabilizim- Asociimin, mbështetur nga deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, përfaqësuesi i Delegacionit të Parlamentit Europian, Ciaran Cuffe në fjalën e tij mbi çështjet e mjedisit dhe potencialin e tranzicionit në ekonomi të gjelbër theksoi qëndrimin e BE-duke thënë se incenerimi nuk përputhet me ligjet e BE për riciklimin. Ai theksoi, se ndërtimi i inceneratorëve të tjerë duhet që të shmanget. “Incenerimi duhet të mbetet zgjidhja e fundit në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në vendet e Bashkimit Europian dhe sipas acquis të BE, sepse tranzicioni për ekonomi të gjelbër prioritizon një qasje ndaj riciklimit dhe ripërdorimit”, tha ai. Ndër të tjera, ai u shpreh se vendi ynë duhet që të bëjë më shumë sa i përket çështjeve mjedisore.

Cuffe theksoi, se ka shqetësime të shumta sa i përket cilësisë së ajrit. “Shqipëria do të duhet të bëjë më shumë për çështjet e ndotjes mjedisore për shkak të shqetësime rreth cilësisë së ajrit dhe emetimit të CO2 në ajër e cila është në shifra të mëdha. Kam parë debate të mëdha lidhur me incineratorin, por gjithë ky debat është i lidhur me politikën se sa me aspektet mjedisore”, tha ai.

Tabaku flet për inceneratorët

Ndërkohë, edhe për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku Shqipëria duhet të stimulojë parandalimin dhe riciklimin për të reduktuar depozitimin e mbetjeve. Tabaku në fjalën e saj në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim- Asociimin tha se, ka pasur mungesë të transparencës nga ana e qeverisë lidhur me inceneratorët. “Ndërtimi i një inceneratori të ri, përveç dy atyre ekzistues në Elbasan dhe Fier, paraqet shqetësime në rritje për sa i përket përputhshmërisë me Acquis të BE-së për mbetjet, duke përfshirë parimin e hierarkisë së mbetjeve dhe objektivave të riciklimit. Në këtë kontekst, politika e qeverisë bazuar tek inceneratorët, nisur nga përvoja e deritanishme ka pasur mungesë të transparencës dhe llogaridhënies.

Kjo ka çuar në shndërrimin e një afere të vërtetë korruptive, e cila kërkon zbardhje nga ana e drejtësisë para opinionit publik, por dhe vetë partnerëve tanë evropianë. Inceneratorët nuk kanë zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme problemin e menaxhimit të mbetjeve”, tha ajo. Tabaku, u shpreh se duhet të përshpejtojë zbatimi i legjislacionit për mbetjet e papërpunueshme.

“Qartësisht kjo politikë nuk ka adresuar dhe prioritizuar rekomandimet e vazhdueshme nga Komisioni Evropian mbi nevojën e një strategjie të qëndrueshme që garanton ndarjen e mbetjeve në burim, reduktimin e varësisë së landfilleve, riciklimin dhe ripërdorimin ku mundet. Shqipëria duhet të promovojë ekonominë qarkulluese dhe duhet të stimulojë parandalimin, reduktimin dhe riciklimin e mbetjeve për të reduktuar depozitimin e mbetjeve. Duhet të përshpejtojë zbatimi i legjislacionit për mbetjet e papërpunueshme”, tha Tabaku.

“Koncesioni 400 mln euro për inceneratorët”- Tabaku i nxjerr videon Ramës: – Frikacak, gënjeve edhe për dorëheqjen



 “Nëse janë 400 milionë euro për impiantet e përpunimit  dhe trajtimit të mbetjeve, unë jap dorëheqjen”, referuar kësaj deklarate të kryeministrit Edi Rama bërë disa kohë më parë në parlament në një nga debatet me PD, ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku e quan atë një frikacak që u shmanget përgjegjësive dhe që sa herë flet, ka një gënjeshtër.

 “Përditë nga një gënjeshtër me shpresën se ne dhe shqiptarët do t’i harrojmë apo do t’ia falim paratë e vjedhura. Ta harrojë ai dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij”, shkruan ndër të tjera ish-deputetja.

Në videon e publikuar nga Jorida Tabaku, bazohet tek nje investigim i BIRN, ku u faktua me dokumente se totali i kostove shkon në 430 milionë euro per inceneratoret.

Deklarata e plotë:

I vendosur përpara fakteve nga PD për koncesionin 400 mln euro, gënjeshtari mohoi shifrën dhe u betua se, nëse e provonim, atëherë do të dorëhiqej. Përditë nga një gënjeshtër me shpresën se ne dhe shqiptarët do t’i harrojmë apo do t’ia falim paratë e vjedhura. Ta harrojë ai dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij.

Dëgjojeni dhe shiheni edhe një herë si është zotuar dhe mos harroni që sa herë që flet ka një gënjeshtër. Fshihet pas të tjerëve kur vjen fjala tek përgjegjësia, frikacaku që i shmanget përgjegjësisë së premtimit të bërë publikisht.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari : – PD do të bëjë denoncim bombë për Inceneratorët, përfshihen edhe amerikanët e FBI



Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari i ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News u shpreh se PD ditën e premte do bëj një denoncim për inceneratorët ku përfshihen edhe shtetas amerikanë dhe FBI.

Muçollari: Është krim i madh të godasësh opozitën. Berisha është faktor dominant në opozitë.

Këllici qenka në hetim pasuror nga SPAK. Pas një denoncimi që do dalë ditën e premte ku përfshin edhe shtetas amerikanë edhe FBI ku përfshin inceneratorët.

Do ketë denoncim nga PD për inceneratorët ku përfshihen amerikanë dhe FBI që e ka hetuar këtë cështje.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi paralajmëron “bombën”. – Fakte të reja, afera e shekullit mbërrin deri në SHBA, përfshin dhe FBI-në

 


Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi ka bërë me dije se ditën e premte do të pulbikojë faktet të reja bombë mbi aferën e inceneratorit të Tiranës që mbërrin deri në SHBA dhe përfshin dhe FBI-në.

Gjatë një interviste në Euronews Albania, Këlliçi u shpreh se po përpunon informacionin që është i detajuar dhe voluminoz.

Sipas Këlliçit kjo vjedhje shkon dri në SHBA dhe përfshihen fakte dhe arrestime konkrete nga FBI-ja.

Ai deklaron se FBI ka ndaluar persona të cilët kanë lidhje me skemën e inceneratorit të Tiranës.

Këta persona janë arrestuar në SHBA për mashtrim financiar dhe lidhja vjen deri në inceneratorin e Tiranës.

“Ditën e premte do të kemi një bombë për qytetarët në lidhje me zhvillimet e fundit për aferën që mbërrin deri në SHBA dhe përfshin dhe FBI-në.

Po përpunoj një informacion që është i detajuar dhe voluminoz. Unë do të shprehem publikisht të premten. Do mbledh të gjitha të dhënat dhe faktet që kam.

Kjo vjedhje shkon deri në SHBA dhe përfshihen fakte dhe me arrestime konkrete nga FBI-ja. E kam marrë këto ditë dhe do ta bëj publik të premten. Unë do ta publikoj dhe do ta çoj dhe në SPAK.

Edhe pse nuk jam i kënaqur me punën e SPAK dhe ka një tentativë për të mbuluar këtë aferë dhe për të mos prekur Bashkinë e Tiranës unë prap do të vijoj. Nuk ka lidhje me McGonigal.

Përfshihet FBI-ja, e cila ka ndaluar personat të cilët janë të përfshirë në skemën e inceneratorit të Tiranës.

Janë të arrestuar në SHBA për skemë mashtrimi financiar në SHBA.

Mashtrim me qindra milionë dollarë lidhja vjen deri tek inceneratori i Tiranës”, tha Këlliçi.

“Kisha e Shën Premtës në Prizren, trashëgimi kulturore universale”

 


Nga Agon Rrezja.
Reagimi i Vëllazërisë së Manastirit të Deçanit ndaj artikullit tim “Kisha e Shën Premtës në Prizren, trashëgimi kulturore universale”, dëshmon se murgjit e Manastirit do të duhej të jenë më të gjerë në literaturë e njohuri kishtare, sidomos të mesjetës së hershme, pasi ky keqinformim për vetë besimtarët serb-ortodoksë mund të shkaktojë hutime të cilat bien në injorancë e cila kalon pastaj në urrejtje ndëretnike
Pas publikimit të shkrimit tim “Kisha e Shën Premtës në Prizren, trashëgimi kulturore universale” në Shtojcën për Kulturë të gazetës “Koha Ditore” më datën 07.01.2024, Vëllazëria e Manastirit të Deçanit, e indinjuar dhe e mllefosur ndaj punimit tim, siç thotë ajo në prag të Krishtlindjes ortodokse, ka reaguar fillimisht në faqen e vet në X, “Dečani Monastery”, reagim i cili pastaj është botuar në gati krejt mediat në Serbi

E nis në gjuhën angleze duke akuzuar gazetën “Koha Ditore” për “joobjektivitet dhe joprofesionalizëm gazetaresk dhe përhapje të urrejtjes ndëretnike”. Gazeta në fjalë është një prej burimeve më produktive të informacionit, e cila qysh nga vitet ’90 dha kontribut të madh duke e informuar popullatën e Kosovës nën okupimin serb të Sllobodan Millosheviqit, kasapit të Ballkanit. Kjo gazetë pas çlirimit definitiv të Kosovës më 1999 e deri më sot, është ndër më objektivet dhe më profesionalet në nivel vendi me gazetarë të përkushtuar, hulumtues të shumë sferave të ndërlikuara në shtetin tonë e deri te dashamirësia ndaj historisë dhe kulturës në përgjithësi. Jo rastësisht, 20 vjet “Shtojca për Kulturë” u bë emblemë e informimit kulturor të qytetarëve të Kosovës.

Në pasazhin e dytë, Vëllazëria vazhdon me kritikë, duke shkruar “për hir të së vërtetës historike Kisha e Eleousës Panagia/Bogorodica Ljeviška është kishë lindore bizantine e shekullit 11 (XI)”. Ky argument bie poshtë, pasi që vetë historiani i artit, Sllobodan Nenadović, në veprën monografike “Bogorodica Ljeviška”, në gjuhën serbe, botuar më 1963 në Beograd nga autori i cili ka qenë restaurator pjesëmarrës gjatë hulumtimeve në vitet e 50-ta, konkludon se në bazë të gjetjeve të mureve dhe të artefakteve, kjo kishë ka kaluar në disa faza që nga ajo e antikitetit të vonë, pastaj epokën e Justinianit, e deri në fillim të shekullit XIV kur u restaurua nga Millutini II në vitin 1307. Pra vëllazëria e ashtuquajtur e Deçanit bie ndesh me vetë argumentet e studiuesit serb, Nenadović. Ndër të tjera, gjatë gërmimeve arkeologjike në kishë është gjetur një monedhë e perandorit bizantin Roman Lekapenit I që ka sunduar gjatë shekullit X dhe ku Kosova e sotme, Dardania e atëhershme, kishte qenë pjesë e Perandorisë Bizantine.

Më tej thotë se “kisha shërbeu si dioqeza më e madhe për peshkopët kristianë ortodoksë serbishtfolës të lidhur me dinastinë nemanjidase”. Është fakt se pas pushtimit brutal të Kosovës nga mbreti Millutin II – i cili shkatërroi të gjitha qytetet dhe objektet e kultit që kishin të bënin me Bizantin – rifilloi mbindërtimin me gurët e gërmadhave të shkaktuara nga ushtria serbe për t’iu dhënë identitetin personal të tij e me të erdhën edhe kolonët priftërinj serbë rashianë të cilët i shërbenin politikës centraliste të mbretit serb, Millutinit. Prizreni nuk ka qenë kryeqendra e Millutinit dhe as e sunduesve të tjerë, pasi ata nuk kishin një kryeqendër të vetme. Sundimtarët nemanjidas lëviznin apo e bartnin kryeqendrën e tyre nga njëri vend në tjetrin, gjë që dëshmon paqëndrueshmërinë e tyre politike dhe administrative. Në bazë të studimeve të sotme bizantine, kjo familje ndryshe quhet edhe si “Bloody family” (familje gjakatare), ku vëllezërit derdhin gjakun e njëri-tjetrit, ndërkaq i biri e verbëron të atin e tjetri e vret.

Pastaj Vëllazëria shkruan se “nuk ka të dhëna konkrete të shkruara për çfarëdo kishe etnike dardane”. Ky pasazh tregon qartë se kleri ortodoks serb në Kosovë i shkolluar në shkollën e tyre “Bogosllavia” në Prizren, e pastaj në Beograd dërgohet me mision special për të vazhduar me mitin serb për Kosovën edhe në kohën e tanishme postmoderne-demokratike.

Sipas hulumtimeve të teologut të ndjerë, studiuesit Gaspër Gjini në librin e tij “Ipeshkvia Shkup-Prizren”, argumentohet se përmes burimeve latine, organizimi kishtar në Dardani kishte filluar në deceniet e para të shekullit IV kur feja krishtere u zyrtarizua nga perandori Konstantini i Madh. Ndërkaq, Prokopi i Cezaresë historiani i oborrit të Justinianit, kur flet për restaurimet dhe ndërtimet e qyteteve dardane që u prekën nga tërmeti i vitit 518 në veprën e tij “De Aedeficis”, përveç se potencon që Justiniani ishte nga vendi Tauris “diku te dardanët evropianë”, shton se “ai themeloi këtu pranë një qytet madhështor që e quajti Justiniana Prima” që sipas studiuesve është në afërsi të Shkupit të sotëm, ndërkaq në lidhje me organizimin kishtar shkruan se “jo vetëm u ngrit në dinjitetin e metropolit, por u zgjodh edhe si qendër e kryepeshkopit të ilirëve”. Fraza e fundit “kryepeshkopit të ilirëve” nënkupton se Prokopi e ka pasur fjalën pikërisht për kishën e dardanëve, institucion kishtar i zyrtarizuar në Novelën XI të lëshuar nga Justiniani, arqipeshkvit Katelian për organizimin e vikariatit të Dardanisë për të cilin Papa Vigjili u pajtua duke e legalizuar Novelën XI me ç’rast i jep autorizime të mëdha jo vetëm për provincën e Dardanisë, por për të gjithë Ilirikun Lindor.

Vëllazëria në fjalë, si duket nuk di t’i lexojë numrat romakë apo “google translate” i ka mashtruar?! Kur e kam përmendur shndërrimin e kishës në xhami, kam thënë se ajo është konvertuar në shekullin XVIII (1754) dhe jo në shekullin XVII.

Në lidhje me gjithë këtë, mendoj se murgjit e Manastirit të Deçanit do të duhej të jenë më të gjerë në literaturë e njohuri kishtare, sidomos të mesjetës së hershme, pasi ky keqinformim për vetë besimtarët serb-ortodoksë mund t’u shkaktojë hutime të cilat bien në injorancë e cila kalon pastaj në urrejtje ndëretnike. Studiuesit shqiptarë, ka dekada që janë përballur me historiografin serbe qysh në vitet ’70 e sidomos pas demonstratave të studentëve shqiptarë të vitit 1981, ku profesorë të respektueshëm të ndjerë, si rasti i dr. Muhamet Tërrnava që u fut në burg dhe u keqtrajtua fizikisht për çka mbeti me pasoja shëndetësore pikërisht në mbrojtjen e tezës për popullsinë e Kosovës në mesjetë, si dhe dr. Skënder Rizaj, i cili u suspendua me pensionim të parakohshëm dhe përjashtim nga Universiteti i Prishtinës në vitin 1985, kur argumentoi në Manastirin e Deçanit se ky manastir është në rend të parë i arbërve mesjetarë, shqiptarëve të sotëm.

Andaj me sa u tha më lart, Kisha e Shën Premtës në Prizren është kishë universale në të cilën do të duhej të jenë të gjithë hisedarë konform ligjeve kanonike dhe ligjeve ndërkombëtare në një botë të qytetëruar demokratike.

Çfarë është “Sëmundja X” dhe pse po flitet kaq shumë për të?



Në Forumin Ekonomik Botëror, që u mbajt në Davos të Zvicrës, është diskutuar për një sëmundje hipotetike ngjitëse e vdekjeprurëse, të quajtur “Sëmundja X”.

Një sëmundje e tillë nuk ekziston. Por, ky emër i është vënë një patogjeni hipotetik, dhe ky koncept po përdoret për të ndihmuar botën në planifikimin e krizave të ardhshme shëndetësore.

Në Davos, më 17 janar, ekspertët botërorë të kujdesit shëndetësor folën në një forum, me temën “Përgatitja për ‘Sëmundjen X’”. Emri kësaj sëmundjeje inekzistente iu vendos nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në vitin 2018.

Para mbajtjes së këtij paneli diskutues në Zvicër, përdoruesit e mediave sociale nisën të shpërndanin një sërë postimesh, që e pasqyronin “Sëmundjen X” si sëmundje të vërtetë, dhe duke e cilësuar atë si kërcënim të pashmangshëm për shoqërinë.

“‘Sëmundja X’ është sëmundje misterioze ngjitëse për të cilën do të ketë takim sot [17 janar] në Forumi Ekonomik Botëror”, thuhej në një postim në Instagram që mori 2.000 pëlqime në ditën kur u mbajt diskutimi në panelin në Davos.

“Si duket ajo [sëmundja] mund të shkaktojë 20 herë më shumë vdekje sesa COVID-i. Mbajeni mend… ata gjithmonë na tregojnë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, thuhej në postim.

Koncepti i OBSH-së për “Sëmundjen X”

Por, “Sëmundja X” nuk është sëmundje e vërtetë. OBSH e prezantoi këtë koncept si pjesë të listës së saj të vitit 2018 për sëmundjet që paraqesin rrezikun më të madh të shëndetit publik. Ky informacion ndihmon të udhëzojë kërkimet botërore dhe zhvillimin në fusha sikurse ato të zbulimit të vaksinave, të testimeve dhe trajtimeve.

“Sëmundja X” paraqet një patogjen hipotetik që një ditë mund të shkaktojë një epidemi apo pandemi, sipas një njoftimi të vitit 2022 nga OBSH-ja, kur organizata përditësoi këtë listë.

“‘Sëmundja X’ paraqet njohurinë se një epidemi serioze ndërkombëtare mund të shkaktohet nga një patogjen aktualisht i panjohur, i cili do të mund të shkaktonte sëmundje njerëzore. Ky projekt synon në mënyrë eksplicite të mundësojë gatishmërinë e hershme ndërsektoriale të programit të kërkimit dhe zhvillimit që gjithashtu është i rëndësishëm për një ‘Sëmundje X’ të panjohur”, thuhet në ueb-faqen e OBSH-së.

Versioni fillestar i listës së sëmundjeve, që nuk përfshinte “Sëmundjen X”, ishte publikuar më 2017 dhe një listë tjetër e përditësuar planifikohet që të publikohet në gjysmën e parë të vitit 2024.

Sëmundjet e vërteta, që janë të renditura në këtë listë të OBSH-së, ndër të tjera janë: COVID-19, Zika, Ebola dhe SARS-i.

Në Davos, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e nisi diskutimin e tij duke sqaruar çështjen e “Sëmundjes X”.

“‘Sëmundja X’ është duke marrë shumë vëmendje dhe besoj që e keni parë në mediat sociale. Por, kjo nuk është një ide e re. Hera e parë që kemi përdorur këtë terminologji ishte në vitin 2018. Diskutimet për të nisën më 2017 dhe unë sapo kisha marrë detyrën e drejtorit të përgjithshëm. Siç e dini, ne çdo vit listojmë sëmundjet që shfaqen dhe këtu mund të jetë MERS-i, Zika, Ebola, për të cilat ne kemi njohuri. Por, më pas thamë se ka gjëra të panjohura, që mund të ndodhin. Dhe çdo gjë që ndodh është çështje se kur e jo nëse do të ndodhë”, tha Tedros.

“Prandaj, ne duhet të planifikojmë për diçka të tillë, për një sëmundje për të cilën nuk kemi njohuri, por e cila mund të shfaqet. Kjo ishte kur ne vendosëm që ta quanim ‘Sëmundja X’. ‘Sëmundja X’ është planifikim për një sëmundje të panjohur. Vetëm desha ta sqaroja këtë, sepse kam parë që ka tërhequr shumë vëmendje”, shtoi ai.

Tedros tha se OBSH-ja veçse është duke u përgatitur për pandeminë e radhës, duke pranuar se në pandeminë e COVID-19, që u shfaq në fund të vitit 2019 në Vuhan të Kinës dhe me shpejtësi u përhap në mbarë botën, ka pasur shumë probleme.

Ndër problemet që ai listoi ishte edhe ndarja e informacioneve për sëmundjen, e deri te padrejtësia në shpërndarjen e vaksinave që u zbuluan për të luftuar pandeminë.

“Ne veçse kemi iniciuar shumë nisma. Ne kemi krijuar një fond për pandeminë. Kjo, në fakt, ka të bëjë me përgatitjen. Disa shtete veçse kanë përfituar nga kjo. Drejtësia ishte një problem serioz. Shumë shtete pritën për vaksina”, tha ai, duke shtuar se për të adresuar këtë problem, janë krijuar qendra për zhvillimin e vaksinave me teknologjinë mRA në Afrikë, në mënyrë që të rritet prodhimi lokal i vaksinave.

Nga Forumi në Davos thanë për AFP-në se paneli për “Sëmundjen X” u krijua “për të adresuar nevojën për përmirësimin e qasjes dhe qëndrueshmërisë së sistemit shëndetësor dhe për të mundësuar bashkëpunim publiko-privat që të ketë mirëqenie për të gjithë individët dhe për të ulur rreziqet, sikurse është mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e kujdesit shëndetësor”.

Pretendimet e rreme për “Sëmundjen X”

Por, njoftimi për mbajtjen e këtij diskutim nxiti përhapjen e pretendime të rreme për këtë sëmundje joreale, sikurse postimi i mëposhtëm:

“‘Sëmundja X’ po vjen. Por, ajo nuk është një pandemi kaotike që ne duhet ta menaxhojmë. Është një armë vrasëse gjenocidale, për të cilën ka pajtim nga anëtarët më të këqij të njerëzimit”, shkroi më 17 janar në X, themeluesi i InfoWars, Alex Jones.

Jones kishte bërë miliona duke shpërndarë teori konspirative për të shtënat masive dhe COVID-19.

Narrative të ngjashme u përhapën edhe në Instagram, ku në një postim thuhej: “Globalistët nuk e kanë aspak problem që të lëshojnë në përdorim edhe një armë biologjike, në mënyrë që të kenë pushtetin absolut”.

Pavarësisht këtyre pretendimeve të rreme të bëra në rrjetet sociale, OBSH-ja kishte paralajmëruar dy vjet më parë se veçse po punonte që të përgatitet për patogjenë dhe viruse të reja që mund të shfaqen.

“Shënjestrimi i patogjenëve prioritarë dhe familjeve të viruseve për kërkimin dhe zhvillimin e kundërmasave është thelbësore për një përgjigje të shpejtë dhe efektive epidemike dhe pandemike”, deklaroi dr.Michael Ryon, drejtor ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, përmes një komunikate për media të publikuar në vitin 2022.

Associated Press kërkoi nga OBSH-ja që të komentojë për pretendimet e rreme lidhur me “Sëmundjen X”, por kjo organizatë dërgoi një njoftim, që ishte pothuajse identik me njoftimin e lëshuar më 2022.

Që nga fundi i vitit 2019, bota është përballur me pandeminë COVID-19, e cila ka vrarë afër 7 milionë persona.

Pavarësisht se intensiteti i përhapjes së sëmundjes ka rënë, disa shtete ende po përballen me shpërthime të koronavirusit.

Tedros nga OBSH-ja, gjatë panelit në Davos, tha se pavarësisht se ideja për “Sëmundjen X” bazohet mbi një patogjen që nuk ekziston, një sëmundje sikurse COVID-i mund të shfaqet në të ardhmen, dhe bota duhet të jetë e gatshme që të përballet me të.

“Edhe pse COVID-i erdhi menjëherë, me po përgatitemi për një sëmundje sikurse COVID-i. Ju madje mund ta quani COVID-in si ‘Sëmundjen e parë X’. Dhe mund të ndodhë sërish. Sigurisht, mund të ketë njerëz që mund të thonë se gjithë kjo mund të shkaktojë panik. Është më mirë që të presim diçka që të ndodhë, sepse në historinë tonë të tilla gjëra kanë ndodhur shumë herë, dhe të përgatitemi për të”, tha ai.

Thomas Russo, udhëheqës i sektori për sëmundje ngjitëse në Universitetin e Mjekësisë në Bufalo, tha për AFP-në se përgatitja është e nevojshme në rast se mund të ketë shpërthim të një sëmundje të re pas COVID-19.

“Me përfundimin e pandemisë, ne kemi humbur momentumin, prandaj diskutimi në Davos po e mban gjallë momentumin dhe ne shpresojmë se do të kemi vazhdim të mbështetjes financiare për kërkime” në fushën e shëndetësisë, tha ai.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...