2018-08-07

INTERVISTË ME SALI ZEKAJ | Një jetë me gazetarë!

Gazetari ynë nga Prishtina, Isa ILAZI

Teksa mendoja për konceptin e këtij shkrimi, m’u kujtua se dikur, në kohën kur isha fëmijë, në odat me burra më pat rënë të dëgjoj tek thoshin se ai që rri me hoxhë-hoxhë bëhet, ai që rri me mësues-mësues bëhet. E, kjo i ndodhi edhe personazhit të shkrimit tim, Salih Zekajt, i cili 43 vjet i kaloi me njerëz të penës, të shkrimit, të dijes në revistat tona. Andaj, nuk habit fakti se ai ditë më parë nxori nga shtypi librin publicistik me titull “Dy shekuj të një familjeje me origjinë malësore”.


Të paktë janë ata gazetarë që nuk kanë pasur bashkëpunim me personazhin e këtij shkrimi. Ka pasur shumë fotografi me ta, me shumëkënd. I ka ruajtur me kujdesin më të madh të gjithë numrat e të gjitha revistave. Në bibliotekën e tij kanë zënë vend pothuajse edhe të gjithë kompletet e shkrimtarëve tanë, por edhe të atyre me renome botërore, e që, mjerisht, ia dogji lufta bashkë me shtëpinë në Fierzë të Pejës. Çdo gjë u bë hi… Por, jo edhe kujtimet e shumta, e që, siç tha: “Po t’i përmendja vetëm një pjesë të tyre do mbusheshin faqet e “Kosovares”, madje nuk do të mjaftonin”.

Shkurt e shqip: Kush është Salih Zekaj, ish-sekretari i Revistave, i cili punoi 43 vjet me përkushtim dhe bashkëpunoi me shumë njerëz të penës e të dijes?


Një prezantim tuajin, ju lutem?

– Jam i lindur më 1934 në Fierzë (ish-Novosellë) të Pejës. Isha bir i një familjeje të madhe 68 anëtarë. Në atë kohë të rralla ishin ato familje që i dërgonin fëmijët në shkollë, sepse botëkuptimi i kohës ishte se shkolla ua prishte fenë… Edhe pse fillova me vonesë në shkollë, me anë të kurseve arrita të kryej kursin e daktilografit, i cili edhe më mundësoi më vonë të gjej punë. Së pari, u punësova në Malishevë, por komuna u shkatërrua dhe personeli i komunës u shpërnda në komuna të tjera. Në Klinë punova pak kohë, por nga aty më larguan shkaku i biografisë familjare, e që nuk ishte në vijë të pushtetit të kohës. Më pas ia mësyva Prishtinës, të cilin qyte
t nuk e kisha parë asnjëherë në jetë. Një i njohur imi, Sali Sefaj, më tha se me daktilografi mund të gjeja punë në Revistën “Jeta e Re”, të cilën aso kohe e drejtonte Esad Mekuli.

Si ishte takimi i parë me Esad Mekulin?

– Kisha lexuar për Esad Mekulin dhe, thënë të drejtën, kur emri i tij përmendej isha në gjendje të ngrihesha në këmbë. Ishte viti 1966, kohë kur edhe u paraqita në zyrën e Esad Mekulit. Pas një trokitje të lehtë në derë, hyra brenda, në zyrën e tij. Ishte ulur. I ngriti pak syzet dhe më shikoi habitshëm. Shikimi i tij më çorientoi edhe më shumë, aq më keq kur edhe pa një shikim të tillë kisha njëfarë treme. Pasi iu prezantova dhe ia thashë qëllimin e vizitës sime, tundi kokën dhe më tha: “Do të të provojmë nja 20 ditë sa di të daktilografosh”. U habita, trupi m’u rrëqeth, sepse nuk e prisja t’më ndalte në punë menjëherë. Të nesërmen, por edhe ditëve të tjera më lavdëronte se punën e bëja si duhet. Por, nuk kaluan as dy javë dhe “dikush” i kishte folur keq për mua. Më ftoi në zyrën e tij. Kur hyra brenda aty ishte edhe Tajar Hatipi, kryeredaktor i Revistës “Pionieri”. Tajarin e kisha për herë të parë përballë, sepse deri atëherë e kisha takuar vetëm në korridor. Pasi i përshëndeta, Esadi më tha: “Neve na duhet një njeri me fakultet, letrar”. U habita me fjalët e tij, sepse binin ndesh me ato që m’i kishte thënë ditëve të tjera. Ofshana thellë. Dhe, në moment më erdhën fjalët me mllef: Sa herë e kam pasur në dorë “Jetën e Re” ëndërr imja ka qenë t’u takoja, t’u njihja. Por, ja që qenkam mashtruar!”. Në ato çaste ndërhyri Tajari: “Shuj, shuj, mos fol ashtu!”, më tha. I zhgënjyer dola nga zyra dhe nuk dija as ku të shkoja…

Çka tutje?

– Hë, në atë kohë në Revistën “Zani i Rinisë” ishte drejtor Ali Sutaj. Ia mësyna zyrës së tij. Pranoi të dëgjonte hallin tim. Xheladin Potoku, që unë e njihja, i tha: “Drejtor, ky djalë është i anës suaj. Ishte pak ditë në punë në “Jeta e Re” dhe aty e njoha. Unë edhe pak kohë pensionohem, andaj, të lutem, ta pranoni në vendin tim”. Aliu më tha: “Ulu, merr makinën e shkrimit dhe fillo të shkruash!”. I bëra 6 muaj punë provuese dhe më në fund u shpall konkursi dhe u pranova i rregullt në punë…

Dhe?

– Ndërkohë, të katër revistat e kohës: “Jeta e Re”, “Përparimi”, “Zani i Rinisë” dhe “Pionieri” u bashkuan nën një kulm, e mua më caktuan me punë administrate.

A ke kujtime të tjera me Tajar Hatipin?

– Tajari ishte njeri interesant. Sa herë që dilte Rexhep Hajdari, redaktor teknik, nga zyra, Tajari i thoshte: “A kthehesh?”. Sepse, e dinte se Rexhepi më nuk kthehej atë ditë…

Si ishte njohja me Ali Hadrin?

– Me Ali Hadrin kam shumë kujtime. Punonte shumë. Shumë herë flinte në zyrë. I kam shtypur shumë materiale për Revistën shkencore “Përparimi”. Thënë të drejtën, më paguante honorar të mirë.

Të kthehemi edhe një herë te Ali Sutaj. Thatë se u pranoi në punë. Raporti juaj me Ali Sutajn tutje?

– Njeriu që më ka ndihmuar më së shumti në jetë është Ali Sutaj. Edhe pse ka kohë që ka vdekur e falënderoj shumë. Pa ndihmën e tij nuk do të isha ky që jam sot. Kam kaluar shumë kohë me të: në zyrë, në kafene, në udhëtime… E them me ndërgjegje të plotë se Ali Sutaj ishte “babai” i revistave në gjuhën shqipe në Kosovë. Në kuadër të revistës “Zani i Rinisë”, drejtor i së cilës ishte ai, në fillim në formë shtojce, më vonë u bën revista të pavarura: “Kosovarja”, “Shkëndija”, “Fjala”, “BAT-i”, “Gazeta e Pionierëve” dhe “Thumbi”. Andaj, të gjitha këto revista që i ceka, e që disa dolën me dekada e disa dalin edhe tash, siç është “Kosovarja”, janë “pjellë” e Ali Sutajt.

Di se keni kaluar një kohë të gjatë edhe me Ali Jasiqin. Kur dhe si e njohët?

– Ali Jasiqi, së pari, u punësua në “Rilindje”. Shoqërohej me Ali Sutajn. Ishin të pandashëm. Kur të gjitha revistat u bën nën një kulm, u themelua Ndërmarrja e Revistave e Ali Jasiqi u bë drejtor. Ai, njëherësh, ishte edhe kryeredaktor i Revistës “Jeta e Re”. Në atë kohë mua më emëruan sekretar të ndërmarrjes, meqë ndërkohë kisha kryer edhe shkollën e mesme ekonomike, por edhe Fakultetin Juridik pak më vonë. Edhe me Ali Jasiqin kam pasur një bashkëpunim të ngushtë, i cili bashkëpunim ka zgjatur deri në vdekjen e tij.

Sa më kujtohet, drejtor i Revistave ka qenë edhe Rexhep Zogaj, apo jo?

– Po, pas një kohe Ali Jasiqin e ndërruan dhe në vend të tij udhëheqës vjen Rexhep Zogaj, shkrimtar i njohur, por që ishte i kyçur edhe në politikë. Aso kohe ishte anëtar i Komitetit Krahinor të Kosovës. Para se të emërohej Rexhep Zogaj drejtor, Asllan Fazlija, drejtor i “Rilindjes”, më tha në telefon: “Organizo tubimin e punëtorëve që të pajtohen për ardhjen e Rexhep Zogajt drejtor. Kjo duhet të jetë punë e kryer!”. Pat reagime të disa punëtorëve të revistave, ndërkohë Ali Sutaj, e që ndodhej ulur afër meje në mbledhje, ma shkeli këmbën, duke më thënë me zë të ulët: “Ti mos fol asgjë! Le të flasin të tjerët…”. Dhe, ndodhi si ndodhi, Rexhep Zogaj u bë drejtor i Revistave dhe në post qëndroi deri në pension. Është meritë e Rexhep Zogajt që të ardhurat personale në kohën e tij si drejtor i kemi pasur mjaft të majme. Por, erdhën edhe vitet e suprimimit të Kushtetutës së Kosovës dhe financimi u ndal, ndërkohë që Rexhep Zogaj shkoi në pension. Postin e drejtor në atë kohë e mori Jonuz Fetahaj.

Në këtë kohë vjen edhe te largimi i punëtorëve nga Pallati i Shtypit, a?

– Jonuz Fetahaj u emërua drejtor i Revistave në kohën më të keqe. Financimi nga shteti u ndal. Na larguan nga Pallati i Shtypit. Mbetëm në rrugë. 6 muaj jemi takuar në kafenenë “Koha”, e cila ndodhej afër Pallatit të Shtypit. Më pas arritëm ta merrnim një lokal me qira, pronar i të cilit ishte Alirizai, i ardhur nga Lugina e Preshevës, edhe pse s’kishte kushte pune. Ia bëmë me dije pronarit të shtëpisë se kush jemi dhe se mund të ketë probleme me policinë. Por, ai u shpreh haptazi: “Edhe unë dua të jap kontributin tim për Kosovën”. Andaj, me vetorganizim, me gjetjen e donatorëve, e të cilët i falënderoj përzemërsisht, arritëm ta ringjallim “Kosovaren”, “Pionierin” dhe “Shkëndijën”. Por, shpërndarja e tyre ishte e vështirë, meqë tash duhej ta bënim vetë dhe kudo hasnim në pengesa nga policia serbe. U shtua presioni i policisë serbe ndaj kryeredaktorëve, redaktorëve dhe gazetarëve në maksimum…

Ka shumë vite që Gani Dili është kryeredaktor i Revistës “Kosovarja”. Në takime të mëhershme keni thënë se Ganiun e njihni që nga koha kur ishte gjimnazist. Më konkretisht?

– Gani Dili dhe Nexhat Halimi që në kohën kur ishin nxënës gjimnazi sillnin poezi në revistat tona. Ishin të qetë, të prajshëm, por gjithnjë me një droje se a do u botohen poezitë e më vonë edhe shkrimet e ndryshme, kryesisht se ishin të rinj. Mbaj mend si sot Ali Sutaj i priste mirë. Ai edhe ua hapi dyert që ta gjenin veten me shkrime në revistat tona. Dhe, talenti e entuziazmi i Ganiut triumfoi: tash e shumë vite me sukses e boton revistën më të lexuar dhe më të kërkuar shqiptare – “Kosovaren”.

E, në kohë lufte?

– Arritëm t’i shpërndanim revistat, edhe pse në gjendje të jashtëzakonshme, më vonë edhe në kohë lufte në Drenicë e Dukagjin deri me fillimin e bombardimeve të NATO-s. Kur filloi lufta masive në Kosovë, më nuk dihej kush ku ishte… Pas lufte u kthyem në Pallat të Shtypit, por çdo gjë ishte shkatërruar…

Edhe pas lufte punuat?

– Po. Punova dhe kontribuova aq sa munda edhe pas lufte, deri në vitin 2009, kur stafi i Revistës “Kosovarja” më bëri një përcjellje të paharruar, siç i ka hije një punëtori shumëvjeçar.

Çka nuk u tha?

– Edhe shumëçka… Kjo intervistë do të ishte e mangët po të mos i përmend edhe disa emra të tjerë të gazetarisë, me të cilët kalova një pjesë të jetës: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Abdyl Bunjaku, Vehbi Kikaj, Jusuf Selimaj, Jak Mita, Qamil Batalli, Hasan Hasani, Ymer Shkreli, Nebih Muriqi, Nazmi Rrahmani, Sali Bashota, Milazim Krasniqi, Nafije Latifi, redaktore dhe gazetare e mrekullueshme, Arif Demolli, Demë Topalli dhe shumë të tjerë nga të gjitha viset shqiptare, sepse të gjithë i lidhte puna me mua, qoftë duke i marrë honorarët, qoftë me rishtypjen e materialeve të tyre, të lëshimit të vendimit të vendit të punës, të kërkimit të ndonjë ekzemplari të cilësdo revistë, të marrjes së ndonjë vërtetimi si dëshmi bashkëpunimi apo…

Tjetër, për fund?

– Tërë jetën jam munduar të jem pedant në punë dhe korrekt. E, sa kam arritur e dinë konkretisht ata me të cilët i kalova 43 vjet bashkë…

Jetë të gjatë dhe harmoni në familje!

– Faleminderit! Juve punë të mbarë, të suksesshme dhe gjithë të mirat…

P.S.

Me dhembje them se personazhi i shkrimit tim ndërroi jetë në tetor të vitit 2016, dy muaj pas realizimit të kësaj interviste, në Prishtinë.






No comments:

Post a Comment