- Shkruar më 8 maj
2016, ditën e Festës së Nënës
nga Andon Dede, Nju York
Nuk di se ç’ka ndodhur me të tjerët, por thellë tek
unë, që kur e dëgjova këtë këngë për herë të parë, m’u ngul si gozhdë e nuk më
është shqitur për asnjë çast, edhe kur nënën e kisha gjallë edhe tërë këto vite
që ajo nuk është më. Mbase jam subjektiv, por tek ajo këngë më ngjan se është
sintetizuar bukur e saktë portreti i nënave tona hallemëdha. E kam fjalën për
nënat shqiptare ndonëse e di se nëna është nënë jo vetëm për gjithë njerëzit,
në kuptimin mbiemëror të saj, por dhe për gjithë botën e gjallë, si burim i
jetës. Pa të ne jo vetëm që s’do të kishim ardhur në këtë botë por as nuk do të
ishim ata që jemi, me të mirat e të këqijat tona. Vlerat e antivlerat që mbart
secili prej nesh e kanë burimin tek ato. “Nuk është mësuesi ai që edukon
njeriun por nëna”, thotë gjeniu ynë i Rilindjes, Sami Frashëri. Nëna japoneze,
megjithëse nga profesioni mjeke, mësuese, inxhiniere apo kontabiliste, si
rregull, e lë punën dhe qëndron në shtëpi kur bëhet me fëmijë. Shpesh bëhet
pyetja nga të huajt: “A mos është humbje, për shtetin, që të shpenzohen kaq
shumë para për arsimimin e lartë të saj, (nga shteti), dhe të mos iu shihet
hairi drejtpërdrejt? Përgjigja është kategorike: nuk është pa kuptim që nëna, e
cila edukon fëmijën dhe e ndihmon atë në përvetësimin e mësimeve të shkollës,
të jetë në shtëpi. Nëna kryen mision të lartë nga i cili varet e ardhmja e
Japonisë. Në rastin konkret ajo kryen
detyrën më atdhetare”.
Lexova një libër-album të autores Mariana Kuk,
(Marianna Cook), kushtuar nënave dhe fëmijve. Ajo e kish drejtuar objektivin e
aparatit fotografik tek personalitete të njohura të të gjitha fushave. Për
ilustrim apo si diçitura kishte pohime të të dy palëve, ku si emërues të
përbashkët kishin pak a shumë krenarinë e të parave për arritjet e bijve apo
bijave të tyre dhe mirënjohjen e këtyre të fundit për gjithë sa kishin bërë ato
për ta. Kjo nuk besoj se habit njeri. Por,
duke u njohur me nënat e përfshira në atë botim tepër interesant e me vlerë.
nuk mund të mos vë në dukje se ato qenë të gjitha me shkollë, madje shumë
syresh personalitete të shquara në fushat përkatëse që iu ishin kushtuar. Edhe
në ato momente, kur po shfletoja faqet e atij libri, mendja më shkonte tek
nënat tona, apo më saktë tek nëna ime që, jo për faj të saj, nuk u shkollua siç
do të dëshëronte. Si nëna ime ishin e janë dhe shumë të tjera, të paktën flas
për brezin tim. Por, edhe pse vetë pa shkollë, ato bënë të pamundurën që ne të
shkolloheshim dhe kjo i ngre ato edhe më lart në sytë tanë, kur kemi parasysh
sakrificat e tyre deri në flijim që ne të përparonim në punë e në jetë se, siç
thuhet në këngën që cituam më lart, “na donte bota edhe të bukur edhe
luftëtarë”. Dikush e ka krahasuar nënën me një qiri që djeg veten për të
ndriçuar jetën fëmijve. Si e tillë mirënjohja për të është e pamatëshme. Ajo ka
qënë e mbetet burim frymëzimi për tërë krijuesit e gjithë kohërave dhe jo vetëm
për ata. Gëte
në bisedat me Ekermanin ka thënë se në Greqinë e vjetër nënat nderoheshin
njëlloj si hyjneshat. Revista e njohur amerikane ”Esquire”, kohë më parë, bënte
një sondazh, me dhjetra burra, se si kishin arritur të bëheshin ata që janë
sot, njerëz të shquar të politikës, shkencës, artit, sportit etj.. Pjesa më e
madhe e tyre ua atribonin prindërve, herë babës e herë nënës. Por, mbas shumë
të pyeturve, aktori dhe regjizori i njohur Robert Redford tha: “Nëna ime! Ajo
nuk e humbi kurrë besimin tek unë edhe kur nuk më ecte ndonjë gjë. Besimi i saj
tek unë qe shtysa më e fuqishme për të ecur”. Amerikanët kanë një shprehje se
“prapa çdo burri të madh qëndron një grua e madhe”.
Andre Ordioni ka qënë një kolonel në
ushtrinë franceze që fati ia desh të jetojë në Shqipëri për gjatë viteve
1917-1925, madje një nga figurat kryesore të “Republikës së Korçës”. Më
hollësisht mund të njihesh përmes librit me kujtime të tij, botuar edhe në
shqip: “Një oficer francez në Ballkan”. Tek lexon librin, habitesh se si ai,
ndonëse njeri i luftës, përshkruan me aq dhembshuri fatin e viktimave të saj.
Ne po ndalemi vetëm në një paragraf që ka lidhje me temën. “Nënë, është një emër i
ëmbël që e kam dëgjuar aq shpesh në luftë nga të plagosurit rëndë kur afronin
çastet e tyre të fundit – shkruan ai. – Këndej, në këto vende të largëta, kjo
fjalë më është dukur se ka një domethënie më të madhe, më humane. Nënë!… Për
shumë nga ushtarët e mi, kjo fjalë është thënë si një frymëmarrje me
pëshpërimën e fundit të shpirtit. Ç’trishtim i pamasë!”.
Më bëri përshtypje kur lexova “Lufta ime”,(“Main Kampf”-in”)
e Hitlerit kur ai shprehte dashurinë e jashtzakonshme që ndjente për të ëmën,
Klarën, veçanërisht kur ajo po lëngonte në shtratin e vdekjes. Mjeku që i
kishte shërbyer pohon se kurrë më parë nuk kishte vënë re një dhimbje si ajo e
Adolfit. “Babanë e kam respektuar, shkruan diktatori, kurse nënën e kam
dashur”. Dhe mos harrojmë se është fjala për atë që veshi në zi miliona nëna në
tërë botën. Unë me qëllim e solla si shëmbull atë për të thënë se dhe një
anti-njerëzor si ai, kur është fjala për nënën e vet, dorëzohet. Mbase nuk qe
shembulli i duhur për temën më humane që po trajtojmë dhe për këtë nuk druhem
t’i kërkoj të falur lexuesit. Po ndalem tek një shembull tjetër dhe konkretisht
tek një film dokumentar i mrekullueshëm për Lojrat Olimpike që u zhvilluan në
Romë aty nga fillimi viteve ’60 të shekullit të kaluar. Teksti që shoqëronte
figurën qe i jashtzakonshëm, por unë po e ilustroj vetëm me një detaj. Kur
tregoi për fituesin e peshës së rëndë në boks, emri i të cilit nuk më kujtohet,
spikeri tha: “Ky është pa dyshim njeriu më i fortë në botë dhe tani ka frikë
vetëm nga nëna e vet”. A ka vlerësim më madhështor për të treguar jo vetëm
përkushtimin por dhe pushtetin më se të merituar të nënave ndaj nesh?! Dhe jo
vetëm ndaj nesh. Poeti i njohur amerikan Uilliam Ross Uallace ka një poemë të mrekullueshme për nënat,
ku ndër të tjera thotë: “Dora që tund djepin është dora që sundon botën”. Si
zor ta kundërshtojë njeri këtë pohim të tij. Nënat gjithmonë kanë qënë e mbeten
heroina, modele të papërsëritëshme për fëmijët e vet, madje edhe më të bukurat
në botë, kudo e sado që të ndryshojnë kohërat. Më pëlqen të riprodhoj këtu disa
vargje të poetit N.Abilekaj: “Miss Bota është nëna ime/ata që thonë “jo” më
mirë e dinë/ edhe pse, thotë më tej poeti,”Fustanet e modës nuk i ka njohur,/ e
në kokë shtrëngon shaminë./Paçka se fytyrën e ka të rreshkur nga erërat/ e nuk
zbuloi këmbët e gjinë/ këtë e dinë dhe fitueset e kurorës, konkludon ai. Ma
merr mëndja se ai me këto vargje është bërë dhe zëdhënësi i secilit prej nesh
për të vërtetën e thjeshtë se kur e duam një njeri na duket edhe i bukur se i
bukur është shpirti; bukuria e trupit është aq e përkohëshme sa harrohet shumë
shpejt, kurse shpirti kurrë. Ndaj dhe nënat tona ne nuk i harrojmë për asnjë
sekondë, jo thjesht se na kanë sjellë në jetë, por edhe se me përkushtimin e
tyre na rritën, na dhanë gjithçka më të mirë që mund të na jepnin për të ecur
në jetë, për të marrë fluturimin drejt lartësive.
Ndaj dhe më pëlqen të kthehem përsëri e përsëri tek
nënat tona, madje tek nëna ime, i sigurt se duke folur e treguar për të po
rrëfej edhe për shumë e shumë nëna të tjera shqiptare.
Babai na vdiq herët, duke e lënë mamanë rreth të
dyzetave me gjashtë fëmijë. Edhe kur qe ai gjallë, sidomos vitet e fundit që
ishte i sëmurë, mbi të binte tërë barra e shtëpisë. Por, sidoqoftë, tani ajo
duhet të bëhej edhe burrë edhe grua. Fshati donte punë jo llafe. Kush nuk ka
banuar vetë aty e ka vështirë ta kuptojë. Nuk kanë të numuruar punët e
domosdoshme që duhen bërë çdo ditë, edhe sikur të jesh një njeri i vetëm e jo
më të kesh për të rritur gjashtë fëmijë. Dhe në ato kushte skllavëruese kur
mungonin edhe mjetet më elementare për të lehtësuar sadopak furnizimin me ujë,
me dru, me ushqime apo gatimin, larjen e rrobave, kujdesin e ushqyerjen e
bagëtive e kështu me radhë. Vetëm t’i numurosh punët e përditëshme të saj do të
duheshin faqe të tëra. E, megjithatë, jeta e saj mund të përmblidhet edhe me
një fjalë të vetme: punë dhe vetëm punë, që pa zbardhur akoma drita e mëngjezit
e deri sa errësira e natës mbulonte çdo gjë e s’të linte të punojë jashtë se,
brenda mureve të shtëpisë, me kandil, punët vazhdonin: kapica e rrobave për t’u
larë, gatimi, kujdesi për fëmijët e të tjera. E, ndonëse shpesh e stërlodhur
deri në raskapitje, si nuk e dëgjuam një herë të ankohej e të thoshte se u lodh
kur shkonte për të fjetur afër mesnate apo dhe pas saj. Nuk kishte zgjidhje
tjetër: I duhej të përballonte “me forcat e veta” gjithçka. Detyrohej të bënte
dhe dy-tre punë njëheresh, se koha qe njëlloj si për ato që kishin burra e
fëmijë të rritur dhe për të që ishte thuajse e vetme, me që ne ishim akoma të
vegjël. Nuk mbaj mend ta kem parë ndonjëherë, tek kthehej e ngarkuar, pa shtiza
në duar, për të na bërë neve triko, çorape apo dhe pantallona leshi për dimër.
E ku shkruhen dot gjithë sa ka bërë ajo për ne? Në çdo rrudhë e thinjë të saj
ishin edhe gjurmët tona.
Siç thashë më lart, si nëna ime qenë ndofta shumica
e nënave të brezit të saj: dikujt i kishte ikur burri në kurbet dhe e kishte
lënë me fëmijë të vegjël; dikujt tjetër i qe vrarë në Luftë apo i kishte vdekur
para kohe si vetë asaj; Nderim e respekt për tërë ato!
Për hir të së vërtetës, duhet të pohojmë se tabloja
jonë për nënat e vuajtura, nuk do të qe e plotë dhe e saktë po të linim jashtë
edhe atë kategori që ndonëse i kishin burrat shëndoshë e mirë, vuanin njëlloj
si të tjerat, me që ata, si “burra zakoni” kapardiseshin klubeve duke pirrë,
duke luajtur apo duke bërë llogje për shtatë palë qejfe dhe as që donin t’ia
dinin se bashkëshorteve të tyre u dilte shkuma nga lodhja. A thua se kjo racë e
neveritëshme që të revolton me anadollakllëkun e saj nuk ndeshet akoma aty-këtu
në mjediset tona apo dhe gjetkë? Gjatë diktaturës po e po. Kam shëtitur tërë Shqipërinë, si gazetar.
Gratë përgjithësisht, sidomos në fshat, rrobtoheshin shumë më tepër se burrat.
Ata kishin zënë qoshet e rehatëshme si roje armësh, llogaritarë e magazinierë
ndërsa gratë e tyre rrudhoseshin e fishkeshin nga puna prej skllavi në ara.
Rrallë të shihje burra duke vaditur e prashitur kur kalonim rrugëve të
koopeativave. Kjo, për të keqen tonë, i kishte rrënjët thellë në histori. Ja se
ç’më shkruan miku im nga Franca, përkthyesi e studjuesi Fotaq Andrea: “Në
familjet tradicionale shqiptare, mentaliteti anadollak ishte i plotfuqishem,
siç e ka dhënë Konica e të tjerë. Burrat me mustake ishin tepër të
prapambetur dhe i vetmi element emancipues në familje e shoqëri ishte gruaja
shqiptare. Nga studimet që kam bërë, mund te them pa droje se në shumicën e
familjeve të mëdha fisnike në Shqipëri, gruaja i kishte sytë nga Perëndimi
europian, si shoqëri e perparuar, Kurse burrat i kishin sytë nga Stambolli ku
prisnin ofiqet, gradat, ulufenë (paranë!), sic thotë Konica. Ishte pikërisht e
ëma e Faikut, nga familja fisnike Delvina, vazhdon më tej Fotaqi, që i mbushi
mendjen të shoqit që djemtë e tyre, Faiku e Mehmeti, të shkonin për studime nga
Kostandinopoja në Francë, Austri e gjetkë. Kam episode të shkëlqyera se si
gruaja shqiptare ishte shumë më e përparuar dhe më perendimore nga burrat
anadollake”.
Përsëri tablosë sonë do t’i mungonte
një dimension tjetër, ndofta edhe më i dhimbshmi që kemi përjetuar. Të shkruash
për nënat shqiptare e të mos ndalesh tek ato, që pa as më të voglin faj, u
persekutuan gjatë diktaturës, do të qe jo vetëm mangësi e madhe por dhe një
mëkat i pafalshëm. Kam takuar shumë syresh, gjatë diktaturës e pas saj. Tek
shihje hiret e tyre që po merrnin fund nga vuajtjet fizike e shpirtërore,
s’mund të mos të të coptohej zemra, nëse ishe njeri normal. Shumë nga ato u
lindën, u rritën, jetuan e u plakën kampeve të internimit, duke përballuar çdo
ditë mizoritë çnjerëzore në të gjitha format e saj të mundshme. Emrat e tyre
janë të panumërt, ashtu siç është e pamatshme madhështia e shpirtit të tyre,
ashtu siç është i pakufishëm borxhi që Shqipëria ka ndaj tyre, sepse gratë e
virtytshme janë pasuria më e çmuar e një kombi. O Zot, të vuash tmerret e
Ferrit pa pasur asnjë faj!
Ja pra se kush janë nënat shqiptare që mbajtën mbi
supet e tyre peshën më të rëndë të diktaturës, shpesh pa burra, janë krenaria e
vërtetë e racës shqiptare, heroinat e heshtura të Shqipërisë fisnike.
Po nënat e sotme shqiptare? A thua nuk kanë më
lodhje, halle e shqetësime, me që rrobat nuk i lajnë më me dorë e me finjë por
me lavatriçe e solucione; që nuk gatuajnë më me dru e çerep por me furra
elektrike e mikrovalë e kështu me radhë…?! Vetëm ndonjë që është jashtë
realitetit shqiptar mund ta mendojë këtë. Tjetër kohë, të tjera meraqe e
probleme, mbase edhe më të mëdha se ato të hallemadheve tona. Disa
syresh ndjehen të vetmuara për shkak të emigrimit të fëmijve që kanë shkuar
larg, tepër larg, për një jetë dhe të ardhme më të mirë se zemra e nënës
asnjëherë nuk e bën dysh dëshirën e fëmijve të vet kur është fjala per
t'ardhmen e tyre...Por dhe ata, si zogjtë shtegëtarë që nuk e harrojnë folenë e
tyre, mbase do të kthehen një ditë…Mbase, por pikërisht tek kjo fjalë e ka
zanafillën ai trishtim i thellë i tyre, që buron së brendëshmi, e që siç është
shprehur një gazetare, “nuk ka pudër e rimel që e fsheh”, dhe ka të drejtë… Ajo e ka të vështirë në mos
të pamundur që t’iu servirë pjellave të veta një model për të ndjekur. Është
trishtimi i një qënieje të përgjegjëshme që i dhëmb dhe e tremb e ardhmja e
krijesave të veta në këtë xhungël që kemi krijuar para e pas ’90-ës të shekullit
të kaluar. Është më se e trishtueshme, madje tragjike, që shumica absolute e
nënave shqiptare sot do të donin që pjellat e dashura të tyre të mos jetonin në
këtë vend por larg, diku gjetkë, matanë deteve apo dhe oqeaneve, me që janë
bindur tashmë se hë për hë, ky vend nuk bëhet. Me këtë klasë politike, s’ka as
drejtësi, as shëndetësi, as arsim, as të sotme e as të ardhme. Ndaj o burra,
nga sytë këmbët! Kam qënë vetë dëshmitar i disa rasteve kur nëna i thoshte të
birit, pasi ai i kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer: “Rri aty, tu bëftë
mamaja, mos hajde se këtu s’ke ç’bën, do të ngelesh pa punë si tërë moshatarët
e tu!” Dhe sa mbyllte telefonin, shpërthente në lot. A mund të përfytyrohet një
nënë më e dhimbëshme se kjo?! Në këtë vend që s’ka as punë e as rend, të qënit
nënë është një sfidë e madhe, gati e papërballueshme. E si mund të jesh nënë e
mirë kur ke frikë të kultivosh tek pasardhësit e tu ndershmërinë, dëshirën për
të mësuar, për të qënë i ndershëm, modest, i sinqertë e dinjitoz, se po t’i
mësojë këto vlera universale, njerëzore apo dhe fetare, ajo po rrit një hyzmeqar, një skllav, një
shërbëtor të lukunisë së ujqëve që kanë pushtetin e paranë. Dhe kjo është
tragjedia më e madhe jo vetëm për nënat që Zoti iu ka dhënë shënjtërinë por dhe
për shoqërinë e kombin. Nuk ka mallkim më të madh se ky! Është kaq e vështirë
në mos e pamundur të jesh nënë e mirë, siç e mishëron në vetvete kjo fjalë, në
çdo gjuhë të botës, pse jo edhe të kafshëve. Por jo tek ne ku babëzia për para
e pushtet s’ka të krahasuar me asnjë vend tjetër. Atdheu ku lindëm, për fat të
keq, na është bërë si njerkë e nuk na mban dot. Na mbetet vetëm shpresa për
ngushëllim. Më vjen aq keq që këtë shkrim po e mbyll kështu…