Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/06

Korrupsioni “lulëzon” edhe në arsim

Image result for korrupsioni ne arsim

“Ka vite me radhë që kur dukuritë e plagjiaturave, diplomave të blera dhe ngjashëm janë bërë të shpeshta. Nuk do të thoja se bëhet fjalë për një fenomen, gjithsesi të ndjeshëm, që ka nisur të shfaqet kohëve të fundit. Aq më shumë, kam bindjen se shumë vonë nisëm të krijojmë ndjeshmëri ndaj kësaj çështjeje”, thotë Mirushe Hoxha.

Intervistuan: Zeqirija IBRAHIMI dhe Afrim GASHI


Image result for Mirushe Hoxha.


Prof. Mirushe Hoxha është ndër intelektualet e pakta shqiptare në Maqedoni që i tejkaluar kufijtë e ngushtë jo vetëm fizikë e politikë, por edhe intelektualë, të Maqedonisë. Ajo është doktor i shkencave humanistike (në Universitetin e Zagrebit) dhe doktor i shkencave juridike (në Universitetin e Nices, Francë). Duke qenë ligjëruese në disa universitete të Maqedonisë, por edhe nëpër universitete të huaja, ajo mund të jetë pedagogia më e qëlluar për të realizuar një intervistë për arsimin shqip në Maqedoni dhe për perspektivat e arsimit shqip në përgjithësi.

 Cili është perceptimi që keni ju për arsimin shqip sot në Ballkan: kemi ngecje apo avancim?

M. HOXHA: Me hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe, arsimi shqip perceptohej si misioni më i shenjtë. Përkundër mungesës së kushteve elementare, entuziazmi nuk mungonte. Sot entuziazmi është duke përjetuar krizë identiteti, tendencë për t’u identifikuar me të rrejshmen, përkundër përmirësimit të kushteve globale. Arsimi shqip vazhdon të ballafaqohet me shumë probleme, ndërkohë që koncepti i arsimit si mision vjen duke u zbehur. Rrethanat ndryshojnë dhe kjo nuk i përket vetëm arsimit, as vetëm arsimit shqip dhe as vetëm Ballkanit. Kemi ngecje të përgjithshme, përderisa revolucioni teknologjik merr hov. Fakti i kauzalitetit cirkular, ndërlidhshmërisë mes shkaqeve dhe pasojave, na bën me dije se të gjithë mbajmë përgjegjësi për gjendjen aktuale, përfshirë këtu edhe avancimin e pamjaftueshëm të arsimit shqip. Në këtë kontekst, kurthi më i madh do të kishte qenë parapëlqimi i rolit të viktimës, me ç’rast do të kishim vazhduar të mos ndërmarrim masa drejt përmirësimit të gjendjes së tashme.

Meqë keni pasur mundësi ta përjetoni edhe sistemin e kaluar arsimor, por edhe këtë tash – të reformuar e të modernizuar, na thoni cili është mendimi juaj – cili ka rezultuar si sistem më i suksesshëm arsimor për shqiptarët?

M. HOXHA: Kur flasim për reformat e arsimit të lartë, mbi të gjitha kemi parasysh reformat konform “Sistemit të Bolonjes”. Kam përshtypjen se ndodhën dhe gabime ose keqkuptime gjatë implementimit të Sistemit në fjalë, e që kanë të bëjnë me mospërfilljen e kushteve apo rrethanave të përgjithshme ku u soll kjo reformë. Për shembull, që të mund të kemi vlerësim adekuat të studentëve sipas metodës së re të “rrethimit të përgjigjes së saktë” në testet me shkrim (e cila përgjigje e saktë mund të jetë ose përgjigjja e gatshme “a”, ose përgjigjja e gatshme “b”, ose përgjigjja e gatshme “c” etj.), para së gjithash do të duhej të ndërtonim shprehi që të mos kopjojmë nga njëri-tjetri gjatë provimit me shkrim. Një shprehi të këtillë nuk do të ndërtojmë ose rindërtojmë, përderisa nuk kuptojmë se në Universitet jemi që të pajisemi me dituri dhe jo vetëm që të marrim një diplomë. Ose, nuk do të bindemi për pasojat e kopjimit, nëse nuk sjellim dhe sankcione të cilave do t’u përmbahemi, në rast të thyerjes të këtij rregulli elementar, pra, ndalesës së kopjimit. Nga ana tjetër, nuk duket i arsyeshëm reduktimi i vlerësimit të studentëve në provime me shkrim, duke i anashkaluar provimet me gojë. Ndodh që studenti t’i nisë dhe përfundojë studimet duke e “provuar fatin” me rrethime përgjigjjesh të gatshme dhe duke mos iu dhënë rasti ta shprehë diturinë e tij të realtë. Ky nuk është varianti më i suksesshëm.

Çfarë mendoni për nivelin e arsimit shqip, në përgjithësi, dhe të atij shqip në Republikën e Maqedonisë, në veçanti? Ku gjendet ai në relacion me majat e suksesit të arsimit botëror?

M. HOXHA: Nuk do të kishim qenë objektivë, nëse themi se niveli i arsimit shqip ka qenë dhe vazhdon të jetë i njëjtë si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Mirëpo, arsyet e këtij dallimi në cilësi janë objektive dhe ato janë të njohura për të gjithë. Arsimi i lartë shqip në Maqedoni është relativisht i ri në krahasim me arsimin e lartë në Shqipëri, e sidomos në krahasim me arsimin e lartë në shtetet e zhvilluara evropiane ose në krahasim me, për shembull, Universitetin Harward në SHBA. Kushtet ekonomike, politike dhe socio-kulturore në të cilat nisi dhe vazhdon të zhvillohet arsimi shqip në Maqedoni, janë gjithashtu të pakrahasueshme me po të njëjtat kushte ku nisën, vazhduan dhe vazhdojnë të zhvillohen universitetet me famë botërore. Pra, përsosja e arsimit në përgjithësi varet nga shumë faktorë. Nga ana tjetër, faktet dëshmojnë se trojet tona dhanë hulumtues shkencorë të rangut botëror. Atëherë, i mirëseardhur do të kishte qenë besimi se në një të ardhme jo dhe aq të largët, atëherë kur institucionet shtetërore do të investojnë më shumë, arsimi i lartë shqip në Maqedoni mbase dhe do të ecë krahas majave të suksesit të arsimit botëror.

 Ku e shihni defektin që shqiptarët as edhe në shek. XXI nuk kanë arritur të krijojnë një universitet kombëtar konkurrent në korniza globale?

M. HOXHA: Përgjigjja në këtë pyetje kërkon, para së gjithash, sqarimin e termeve. Nëse me sintagmën “universitet kombëtar” nënkuptojmë një universitet, të themi, gjithëidentifikues të shqiptarëve, atëherë para se gjithash do të duhej të përpiqeshim të institucionalizojmë një ide të tillë. Se a varet kjo mundësi vetëm nga vullneti i shqiptarëve, kjo është temë tjetër, njëkohësisht temë-boshte. Po qe se në rast hipotetik do të kishim arritur të institucionalizojmë një ide të këtillë, atëherë do të duhej t’i rrekeshim respektimit të rregullave akademike. Jam e qëndrimit se kemi potencial për konkurrencë në korniza globale. Dhe përsëri, se a do të mund ta jetësonim apo jo këtë konkurrencë, kjo nuk varet vetëm nga potenciali ynë. Përfundimisht, do të mund të flisnim për defektet eventuale dhe konkrete, nëse një universitet gjithëidentifikues shqiptar do të çalonte gjatë garimit në korniza globale.

 Çfarë mendoni për tekstet shkollore me të cilat edukohen nxënësit shqiptarë që nga arsimi fillor e deri te ai universitar? Cila është cilësia e tyre dhe çfarë kuadro mund të presim nga ky formim shkollor?

M. HOXHA: Tekstet shkollore me të cilat edukohen nxënësit shqiptarë në arsimin fillor në Maqedoni lëngojnë nga shumë mangësi, që vijnë si pasojë e mënyrës se si rregullohet çështja e po këtyre teksteve në po këtë shtet. Njëra nga mangësitë është përkthimi tekstual i teksteve nga maqedonishtja në shqip. Kjo shkakton huti te nxënësit, që do të thotë se nxënësit kanë vështirësi ta kuptojnë lëndën që u ofrohet. Nga ana tjetër, përmbajtja e disa teksteve shkollore reflekton politizimin e skajshëm të shoqërisë sonë. Ndërtimi i identitetit kombëtar shqiptar nuk ka baza të diskutueshme ose të paqarta, prandaj nxënësve shqiptarë nuk guxon t’u imponohet, nëpërmjet teksteve shkollore, kontestimi i bazave të pakontestueshme. Duke u nisur nga këto fakte, roli i familjes në ndërtimin e kuadrove të ardhme, puna e prindit me fëmijën, mbeten të pazëvendësueshme.

 Po për mësimdhënësit çfarë mendoni? A e kryejnë ata me dinjitet detyrën e besuar?

M. HOXHA: Kjo është çështje individuale. Nuk është e drejtë t’i gjeneralizojmë dukuritë. Kemi mësimdhënës të cilët detyrën e besuar e kryejnë me dinjitet, por kemi dhe mësimdhënës të cilët, për arsye të ndryshme, janë të papërgjegjshëm. Në mesin e arsyeve të ndryshme shkaku i të cilave degradimi i arsimit tonë mori hov, hyjnë problemet te cilat i prekim në pyetjet e kësaj interviste. Ndodh gjithashtu që mësimdhënësi mos dijë ta kryejë detyrën e vetë. Duke mos i gjeneralizuar dukuritë, vlen të përmendet edhe një dukuri tjetër: ndodh që mësimdhënësi i shkollës së mesme të jetë më i përgatitur se ligjëruesi universitar. Kjo është në favor të nxënësve të shkollave të mesme dhe në disfavor të studentëve. Ana e mirë e rasteve të këtilla është shpresa, se me ndryshimin e rrethanave do të mund të përmirësohet edhe gjendja aktuale e arsimit në mesin tonë.

Cili është ndikimi i politikës në arsim? Apo, a kanë elitat politike shqiptare vizion për arsimin shqip?

M. HOXHA: Nëse dakordohemi se politika ka ndikim në arsim dhe nëse njëkohësisht e kemi parasysh gjendjen aktuale të arsimit shqip, atëherë njëkohësisht dakordohemi se elitat politike shqiptare do të duhej ta rishqyrtojnë vizionin e tyre ndaj arsimit shqip. Të paktën, të vetëdijesohen për kushtet globale që ndikojnë në cilësinë e arsimit tonë. Ky konstatim do të kishte qenë eufemizmi im më dashamir përmes së cilit do të preferoja t’i përgjigjem pyetjes suaj.

 Meqë kohëve të fundit janë bërë të shpeshta dukuritë e plagjiaturave, botimeve fiktive ndërkombëtare, diplomave të blera e të tjera. Cila mendoni se është zgjidhja për këtë problem kaq të ndjeshëm?

M. HOXHA: Ka vite me radhë që kur dukuritë e plagjiaturave, diplomave të blera dhe ngjashëm janë bërë të shpeshta. Nuk do të thoja se bëhet fjalë për një fenomen, gjithsesi të ndjeshëm, që ka nisur të shfaqet kohëve të fundit. Aq më shumë, kam bindjen se shumë vonë nisëm të krijojmë ndjeshmëri ndaj kësaj çështjeje. Dhe, po qe se do të duhej ta zgjidhnim problemin, atëherë para së gjithash do të duhej t’u përgjigjemi pyetjeve vijuese: Cilët faktorë ndikuan që çështja të degradohet deri në këtë shkallë? Cili është motivi i degradimit të arsimit, cilat instanca e lehtësuan këtë degradim, sa kohë zgjat kjo amulli? Duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara, i pashmangshëm do të kishte qenë edhe supozimi se mos vallë degradimi i arsimit shqip, dhe jo vetëm shqip, është, ndoshta, dhe i paramenduar. Në këtë fazë të zgjidhjes së problemit mund të shfaqet një rrezik: të ngecim gjurmëve të identifikimit të problemit, pastaj të shpërqendrohemi dhe, si rrjedhojë, çështjen ta degradojmë edhe më shumë. Kushtet të cilat duhet t’i përmbushë një hulumtim shkencor janë strikte dhe të njohura për qarqet akademike. Së këndejmi, problemin nuk do të mund ta zgjidhim nëse vazhdojmë t’i shpërfillim parimet e punimit shkencor. Për shembull, një punim doktorature medoemos do të duhej të ketë / të jetë tezë. Përfundimisht, problemin do të mund të nisnim ta zgjidhnim, po qe se nuk do të vazhdonim të lejonim, për arsye të ndryshme, të promovojmë doktoratura që nuk janë doktoratura.

 Ashtu si edhe ne shumë fusha të tjera të shoqërisë, korrupsioni vazhdon “të lulëzojë” edhe në arsim. Pse mekanizmat politike janë të pafuqishme përballë kësaj dukurie? A po na bëhet traditë kjo dukuri?

M. HOXHA: Përgjigjja më e logjikshme në pjesën e parë të pyetjes suaj do të kishte qenë: korrupsioni vazhdon “të lulëzojë” edhe në arsim, sepse korrupsioni nuk është dukuri e izoluar. Se a na bëhet kjo dukuri traditë ose jo, kjo çështje duhet argumentuar. Atëherë, pyetja është: Sa përpiqemi ta argumentojmë dhe luftojmë korrupsionin në arsim? Dhe përsëri, meqë korrupsioni nuk është çështje e izoluar, problemi ka të bëjë me gatishmërinë ose mosgatishmërinë e eliminimit të korrupsionit në përgjithësi, në çdo sferë të shoqërisë, pa përjashtim.

 Cilat mendoni se janë sfidat e arsimit shqip sot, shikuar në plan gjithëkombëtar? Dhe, sa ndihmon ky arsim në integrimin ndërshqiptar në Ballkan dhe në diasporë? Pse nuk ka iniciativa serioze për integrimin e programeve mësimore ndërshqiptare, por kjo çështje mbahet peng me arsyetimin e integrimeve euro-atlantike?

M. HOXHA: Pyetjet e intervistës suaj prekin njëkohësisht problemin e sfidave të sotme të arsimit shqip. Se a mbahet peng çështja e integrimeve të programeve mësimore ndërshqiptare me arsyetimin e integrimeve euro-atlantike, kjo gjë duhet analizuar. Të kuptuarit e problemit të iniciativës serioze për integrimin e programeve mësimore gjithëshqiptare, kërkon shqyrtim serioz të këtij problemi: vendosjen e problemit në fjalë në suaza të gjeopolitikës. Ndërkohë që gjeopolitika nuk është (vetëm) në duart e shqiptarëve ose të fuqisë së elitës shqiptare. Me fjalë tjera, jam e qëndrimit se edhe problemi i integrimit të programeve mësimore ndërshqiptare, njësoj si edhe çështjet tjera që i shpalosëm gjatë kësaj interviste, do të duhej të shqyrtohet në lidhshmëri me situatat tjera, ku interesat gjeopolitike janë faktorë të pakapërcyeshëm, vendimtarë.

 Sa mendoni se arsimi shqip ndikon edhe në krijimin e gjeneratave atdhetare dhe me vizion për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan?

M. HOXHA: Arsimi kualitativ shqip ndikon në krijimin e gjeneratave atdhetare. Duke u nisur nga fakti se gjuha është shtylla e identitetit të një kombi, pra nga fakti se gjuha shqipe është shtylla e identitetit të kombit shqiptar, arsimi në gjuhën shqipe duhet të kultivohet. Ky kultivim nuk duhet të jetë zgjedhor, por duhet të jetë i obligueshëm. Gjithnjë duke i pasur parasysh rrethanat globale, arsimi kualitativ shqip do të krijojë vizion inteligjent për një të ardhme të qëndrueshme të shtetit dhe kombit shqiptar.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...