2018-04-02

Fritz Radovani: Takimi i fundit i dy Burrave

Image result for fritz radovani

Fritz Radovani 

Vetem “historianët, dr...prof...e akademikët...” e Shqiptarëve të sotëm, mendojnë ose u kanë thanë “me mendue” se, Historia e Shqipnisë duhet shkrue “pa Burra”!

Shpesh, mendoj me vete: “Atdhetarët tanë, u vranë krejt ‘kot’ per Shqipni!”

Si mund të mendohet sot mbas gati 90 vjetësh që janë vra Këta dy Burra, madje, kur thohet se, mbas 50 vjetësh “Historia” gjithnjë shkruhet pa pasione nga historianët...

Gati gati, të dy Këto Figura të mëdha Atdhetare, aqsa edhe Heroike e të pasterta si biluri...po fshihen dhe as nuk zihen me gojë as nder pervjetorët e Atyne ngjarjeve, per të cilat Ata kanë dhanë jeten?! Kujt po i bie sot nder mend 135 vjetori që ka lé Gurakuqi?


Kontributi i tyne per çeshtjen e madhe Atdhetare, lufta per çlirimin e Trojeve dhe e të gjitha Tokave të okupueme nga pushtuesit e huej barbar, ishte detyra e parë që këta dy Burra i kishin vue vetes. Po, a ktheheshin këta kreshnikë të Pavdekshem nga rruga në të cilen nuk njihnin asnjë hap mbrapa? – Asnjeni! Sikur t’i kishte ba një Nanë!

Vonë ka me u kuptue se të dy ishin Bijt’ e Një Nane, Nanës së Madhe Shqipni!

Asnjeni nuk kishte ma të voglen deshirë per sundim... Asnjeni nuk thehej as me miqësi dhe as me pare ar, edhe pse këmishat e tyne i kishin të shkyeme...

Asnjeni nuk njihte “marrveshje” në dam të çeshtjes kombtare, dhe këte e provoi koha dhe faktet e atyne rrethanave aq të vështira kur të dy rrefuzuen “rrushfetin”...

Cili prej Tyne nuk ishte Trim?

Mu në Parlamentin e vitit 1924, Luigj Gurakuqi deklaroi: “Né nuk vrasim, né jemi njerëz të ligjit!”...Kujt ua drejtoi këto fjalë Burrnore, Vllaznore e Shpirtnore Shqiptare?

Pikrisht, vrasësve dhe tradhëtarëve që në vend të shpirtit kishin “napolonin ar”!

Në gjakun e tyne anadollak kishin pabesinë dhe shitjen e Tokave Shqiptare!
E “Historia e Shqipnisë” mbas vitit 1912, e vertetoi këte tradhëti me Esad Pashen, Ahmet Zogun, e deri në ditët tona Ata Troje të shituna prej tyne, edhe sot, vazhdojnë me kenë të sundueme nga fqinjët e armiqtë shekullor të Popullit Shqiptar!

Luigj Gurakuqi u vra me 2 Mars 1925. Bajram Curri u vra me 25 Mars 1925...

Kush i vrau? – Per mos me u permendë vrasësi e Tyne, asht mendue “harresa”...

Vrasjet politike asnjëherë nuk janë krye nga një person i vetem!

Ky asht perkufizim që kam lexue nga studjues dhe politikan të mëdhej të kohës.

Sikur Ahmet Zogu të kishte ba vetem këto dy vrasje, politikanët pasues që kanë veprue në gjurmët e tij (e shpesh, edhe ia kanë kalue), me vrasjet e veta këta të fundit, do të kishin krijue një moment “hutimi” ose “topitje” nder ngjarjet tragjike të asaj kohë.

Mirëpo, SOT, “dorasi” i porositun i Ahmet Zogut, nuk na lejon me “harrue”...



“Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni per pshtim pranë Qeverisë Italjane.

– Pyetnij Çatin Saraçin ku asht ..? “besa” Ndihma!...

Baltjon Stambolla – Carceri Giudiziarie Bari.

Shkeqësiës Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)

Shkelqësiës Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë)”

Kjo asht fotokopje e origjinalit të letres së Baltion Stambollës, e ruejtun nga Shkodrani e Atdhetari Gjon Kamsi, sot në Muzeun Historik Shkoder. (Foto 2009).

***

E tragjedia vazhdon...edhe nder ditët tona...


Edhe kjo “Shtëpi” duhej shembë!

Shtëpia ku ka lé Atdhetari Luigj Gurakuqi 135 vjet perpara, me 19 Shkurt 1879, Shkoder.

E PREMTE, 11 KORRIK 1924... BAJRAM CURRI VJEN NË SHKODER...


KUTIA E DUHANIT E KRESHNIKUT BAJRAM CURRI ...

Sa shumë mendime, kujtime, vuejtje e ofshamje, ndryen mbrendë kjo kuti...

Ndoshta, edhe ndonjë buzqeshje e gëzim të Bajramit, por që të gjitha bashkë nuk dij a i bajnë 10 minuta në gjithë jeten e Tij...

Kam pasë një mik, të Ndjerin Pjerin Shestani...Erdhi një ditë tek unë...

Mbas pak kohe nxori nga xhepi një kuti duhani...Ishte e vjetër dhe e nxime nga koha. Mendova se mos do me e pastrue por, jo! E hapi biseden: “Një përson do me e shitë këte kuti cigaresh, për nevojat e tij. Asht i familjes Marubi. Më ka thanë se, po mujte me e shitë 2000 lekë (të vjetra), më ban nderë mbasi aq i duhën atij për nevojën që ka..!” Unë kishe 2500 lekë që më kishin teprue nga të hollat e meremetimit të një unazës dhe, pa u mendue shumë për vlerën, ndonse, kutija ishte argjentit e veshun me suvat të zi, po ma tëpër, tue u nisë nga vjetërsia e saj mora paret dhe ia pagova kutinë e duhanit.

Ai më tha: “E gëzofsh Fritz, këte kuti duhanit! Ke ble një dishka me vlerë shumë të madhe! Nuk të tregova përpara sesi asht historia e kësaj kuti duhani! Në vitin 1924 kur ka ardhë në Shkoder, një nga Burrat e fortë të Shqipnisë Bajram Curri, Ai asht takue me Luigj Gurakuqin në shtëpinë e Kel Marubit, dhe mbasi kanë pi kafet e para, Bajrami i ka thanë Luigjit: “Luigj, më duket se nuk gaboj kur mendoj për ty se jé ndër trimat ma të fortë që kam mujtë me njohtë në jeten teme. Kjo kuti duhanit qyshë sot asht e jotja!”... Dhe i ka falë këte kuti duhani. Kur më thanë se donë me e shitë, e mora dhe jam nisë direkt e tek ti, mbasi më vinte keq me ra në dorë të tjetër kujt, dishka me kaq vlerë!”

Unë e mora në dorë, por jo, si kuti duhani! Tashti kishe një rrelike! Dhe, si të tillë e kam pasë vlersue që ditën e parë, tue mendue se ndër duert e kujt kishte kalue ajo kuti! Përnjëherë më dolën parasyshë Portretët e Atyne dy Burrave, Atyne dy Atdhetarëve, që pushka e tradhëtarit i pat rrëzue përdhe...por, Ata Trima nuk u kalbën...asnjëherë!

Ata u gurzuen si lisat shekullor... Burrnia e Atyne dy Shkambijve nuk vdes, por as nuk humbë kurrë... Ajo, edhe sot, asht e ruejtun mbrenda Asaj kuti duhani..!


Shkoder, (1995). Botue, Melbourne 2014


****


Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për nevoja shendetsore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh,kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull Piktor dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.

Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.

Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.

Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.

Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...