Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se deklarata e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duhet të shërbejë si një sinjal për të ngrirë bisedimet për anëtëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka thënë se marrëveshja në mes Serbisë dhe Rusisë duhet të përcillet me reflektim konkret të veprimeve të BE-së.
“Natyrisht vazhdimësia e aleancës së Serbisë me Rusinë, që historikisht nuk është ndërprerë asnjëherë, dhe që gjithmonë ka shkaktuar trazira në Ballkan, do të duhej të përshpejtonte proceset integruese, së pari anëtarësimin e Kosovës në NATO e pastaj anëtarësimin e të gjitha vendeve të rajonit në BE”, ka deklaruar Berisha.
Sipas Berishës, Serbia duhet të jetë e izoluar nga bashkëpunimi rajonal, njëherësh nga BE-ja dhe SHBA-të.
“Serbia duhet të lihet në rrugën e saj të aleancës me Rusinë, por e izoluar nga bashkēpunimi rajonal dhe e izoluar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian”, ka shkruar ai.
Von Cramon e ka quajtur marrëveshjen në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë, skandal të rëndë.
Lidhur me këtë marrëveshje, kishte reaguar edhe Shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov, kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme.
Përmes një postimi në Twitter, Vela ka thënë se ky është një hap i Serbisë për të harmonizuar më tutje politikën e saj të jashtme me shtetin e Rusisë.
“Serbia punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë. Serbia nuk arrin të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shtetet e saj anëtare për Ukrainën”, ka shkruar Vela.
No comments:
Post a Comment