Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit në seancën e parë të gjyqit me ish kryeministrin Sali Berisha të cilin e ka akuzuar për shpifje për deklarimet në lidhje me Iranin.
“Sot gjykata vendosi që në datën 19 Maj në orën 10:00, Sali Berisha do të shoqërohet nga policia për paraqitje të detyrueshme në gjykatë. Do të rikthehem prapë në datë 19 Maj dhe policisë do i shkojë njoftimi që të sjellë Sali Berishën, si të gjithë qytetarët e tjerë që duhet të shkojë në gjykatë dhe të provojë akuzat. Që të akuzosh gjithë dynjanë dhe të mos paraqitesh në gjykatë, të thuash shpifjet nga më monstruoze, t’i futesh njerëzve te vrima e çelësit, poshtë fustanit, në krevat, të merresh me gjithë familjet e gjithë dynjasë dhe të mos kesh kurajën civile të vijë në gjykatë. Policia, sipas vendimit të gjyqtarit, duhet të bëjë detyrën dhe të sjellë forcërisht Sali Berishën, që të përballet me akuzat dhe shpifjet që janë të padenja, jo për një plak 80-vjeçar, por për këdo që jeton dhe angazhohet publikisht dhe që e ka përdorur prezencën e vet publike si një qysqi dhe një kokëdash vetëm për të shkatërruar normat dhe vlerat në këtë shoqëri”, tha Veliaj.
Sali Berisha nuk u paraqit në seancën e parë pas padisë së ngritur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës për shpifje edhe pse pak ditë më pare ai hodhi akuza të forta në adresë të qytetarit te parë në lidhje me inceneratorin e Tiranës si dhe lidhjeve sipas tij të kryebashkiakut me Iranin përmes një shqiptari të quajtur Miliad Lopa me disa biznesmenë iranianë, për të cilët këmbëngul se janë anëtarë të forcave speciale të regjimit të Iranian. Veliaj sfidoi Berishën të ballafaqohet me të para drejtësisë dhe jo në studio televizive.
Bashkia e Tiranës pretendon se Berisha arriti kulmin e akuzave te tij kur tha se në foto me Miliad Lopën ishte dhe Qasem Soleimani, ish-drejtuesi i forcave speciale iraniane i vrarë me dron nga amerikanët. Për të përgënjeshtruar kreun e Rithemelimit, bashkia publikoi një foto të shkrepur tre vite më parë të Miliad Lopës së bashku me Ilir Metën duke sfiduar Sali Berishën që të akuzojë dhe aletin e tij të lidhur me iranianët.