Akademik prof.dr.Eshref Ymeri
(Duhet guxim, guxim dhe përsëri
guxim,
dhe Dardania do të shpëtojë)
Para pak ditësh, në
Portalin e njohur”Voal” të datës 14 korrik 2023, ishte botuar një
informaciom mjaft interesant, me titull “(Video) Kongresmeni
Republikan Keith Self akuzon Departamentin e Shtetit për ndërhyrje në zgjedhjet
në veri të Kosovës”, kurse
një ditë më vonë, më 15 korrik, ishte botuar një tjetër informacion, jo më pak
interesant, me titull: “Bugajski: Donika Gërvalla
ka të drejtë - Lajçaku dhe Eskobari dështuan, përderisa nuk ka njohje reciproke
Kosovë-Serbi”.
Këto
dy informacione më nxitën të kthehem në vitin 2020, në mandatin e parë të
Kryeministrit Albin Kurti. Asokohe u njoha me një reagim të një Profesori të shquar
amerikan, të botuar në faqen e internetit “Zëri” të datës 19 mars 2020. Aty
thuhej :
“Eksperti
i njohur amerikan për Çështjen e Ballkanit, Daniel Server, ka thënë se Grenelli
dhe Trampi nuk janë e gjithë Amerika. Madje ai ka thënë se tashmë Grenelli ka
kaluar tërësisht në anën e Serbisë”.
“Trampi dhe Grenelli nuk janë e gjithë
Amerika. Edhe unë jam Amerika. Unë jam më miqësor. Madje në këtë kohë kur
Grenelli ka kaluar tërësisht në anën e Serbisë”, - ka thënë Server gjatë një interviste në emisionin “Jeta”
në Kosovë.
Kjo deklaratë e analistit dhe e ekspertit
amerikan për Çështjen e Ballkanit, Daniel Server, Profesor i Universitetit “John
Hopkins”, më bëri të sjell ndër mend dy fakte mjaft befasuese për ne
shqiptarët.
Pasi u njoha me këtë informacion, i nisa
menjëherë Kryeministrit Albin Kurti letrën në vijim:
I
nderuar Zoti Kryeministër,
Ju
kërkoj ndjesë që po Ju drejtohem me këtë letër, por një brengë që po më bluan
përbrenda s’po më lë të qetë prej disa kohësh. Vendosa t’Jua shpreh Juve këtë
brengë, sepse në personalitetin Tuaj gjej Intelektualin e Shquar Shqiptar, me
brumosje të shkëqyer nacionaliste dhe me dinjitet të lartë kombëtar.
Ja
si është puna:
Mua
personalisht më vjen shumë keq për pozitën tepër të vështirë, në të cilën
diplomacia amerikane Ju ka vënë Juve, si Kryeministër. Informacioni i mëposhtëm
më ka revoltuar që asokohe kur është bërë publik:
“Shtetet e Bashkuara janë kundër masave për
reciprocitet, të premtuara nga Kryeministri Albin Kurti në vend të taksës 100
për qind ndaj Serbisë. Zëdhënësi i të dërguarit të
posaçëm të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, i tha Radios Evropa e Lirë (RFE/RL) se Kosova duhet ta heqë taksën edhe pa
reciprocitet. RFE/RL citon Dick Custinin,
zëdhënës i ambasadori Richard Grenell:
“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të
Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë taksën, por ta heqë plotësisht
atë”” (Citohet
sipas: “Grenell kundër Kurtit,
taksa të hiqet pa reciprocitet ndaj Serbisë”. Faqja e
internetit “Lapsi.al”. 10 shkurt 2020).
Habitem,
ore Zoti Kryeministër. Ky Grenelli, i dërguari i Presidentit amerikan në
Ballkan, me detyrë ambasador në Gjermani, është ambasador amerikan apo është
ambasador rus? Se gjuha që ai përdor me Kryeministrin e Kosovës të kujton
gjuhën e një ambasadori të Kremlinit. Nuk e kuptoj dot këtë diplomacinë
amerikane ndaj Kosovës: një herë i drejtohej Kosovës me gjuhën e Xhon
Boltonit, armikut të pavarësisë së Kosovës, pastaj me gjuhën e Palmerit,
dhëndrit të Serbisë, tani me gjuhën e Grenellit, sikur të ishte ambasador rus.
Kam përshtypjen se në diplomacinë amerikane, që kur ka ardhur Trampi në
pushtet, ka ndryshuar qëndrimi ndaj Kosovës. Sepse në paragrafët që citova më
sipër dëshmohet açik se diplomacia amerikane e Trampit është rreshtuar
tërësisht në anën e Serbisë, çka, në këndvështrimin tim, mund të konsiderohet
si një ndjesë e politikës së jashtme amerikane në ditët tona për bombardimin e
Serbisë në pranverën e vitit 1999, bombardim që shmangu shfarosjen dhe
spastrimin tërësor etnik të Kosovës.
Përshtypja ime
argumentohet me citimet e mëposhtme. Ju me siguri që jeni në dijeni të dy
informacioneve në vijim, megjithatë unë dëshiroj t'jua risjell në kujtesë,
sepse me përmbajtjen e tyre shpjegohet qartë qëndrimi proserb dhe antikosovar i
Presidentit Tramp.
Një fakt, Zoti
Kryeministër, më ka mbetur në kujtesë që prej zgjedhjeve presidenciale të 08
nëntorit 2016: në mbrëmjen e vonë të asaj dite, deputetët rusë ishin mbledhur
në sallën e parlamentit dhe po prisnin me ankth rezultatin e zgjedhjeve. Dhe
nga Moska vinte ky informacion i një dite më pas:
“Deputetët
e Dumës Shtetërore, gjatë mbledhjes plenare, lajmin për fitoren e Donald
Trampit në zgjedhjet për president e pritën me duartrokitje. Për këtë njofton
“Interfaks”(Citohet
sipas: “Në Dumën Shtetërore duartrokitën për fitoren e Trampit”. Faqja
e internetit “Novosti”. 09 nëntor 2016).
Ky
informacion i asokohshëm më pati ngjallur dyshime për ngazëllimin e deputetëve
rusë me rastin e zgjedhjes së Trampit President.
Diplomacia amerikane, pas
zgjedhjes së Trampit President i Shteteve të Bashkuara, është rreshtuar kundër
Kosovës. Kjo për arsye se Trampi, publikisht, ka mbajtur qëndrim antikosovar
para se të zgjidhej President. Që asokohe ai ka pasë deklaruar:
“Për
mua personalisht, bombardimi i serbëve,... ka qenë një turp i vërtetë.
Klintonët, ndërkohë, këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Unë kërkoj
ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në luftë
kundër terrorizmit islamik neve na duhen aleatë me përvojë lufte kundër kësaj
të keqeje dhe në Evropë të tillë janë rusët dhe serbët. Në qoftë se unë do të
vij në krye të Amerikës, atëherë do të ndryshojë kursi i politikës së jashme, i
cili deri tani ka qenë shpesh herë i gabuar” (Citohet sipas: “Trampi i
kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Marrë nga faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor
2015).
Tani,
Zoti Kryeministër, jam në ankth për qeverinë Tuaj. Druaj shumë se Isa
Mustafa, si përfaqësues i gardës së vjetër, si ish-komunist i kohës së
titizmit, i cili po përgjon si dhelpra në ferrë për t’u zgjedhur president, do
ta sabotojë, siç po e saboton konkretisht, qeverinë Tuaj. Dhe ka shumë mundësi
që ky sabotim të bëhet me investimin e fuqishëm të kriminelit Vuçiç, të Ramës
dhe të Thaçit.
Mendoj,
zoti Kryeministër, se aleanca juaj e fortë me Zonjën Vjosa Osmani dhe me
përkrahësit e saj në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të arrijë ta
mposhtë aleancën antikosovare të Vuçiçit me Thaçin, me Ramën dhe me Mustafën.
Me
respekt dhe mirënjohje të thellë për atdhetarizmin tuaj shembullor.
Eshref
Ymeri
Kleveland,
Ohajo
20
mars 2020
Por edhe tani, pasi kanë kalur më shumë se
tre vjet, po vihet re se Departamenti i Shtetit po mban të njëjtin qëndrim,
antikosovar, proserbian, ndaj Republikës së Kosovës. Një qëndrim i tillë, sa i
çuditshëm, aq edhe befasues, del shumë mirë në pah në informacionin e parë të
Portalit “Voal”, të cituar në fillim të këtij shënimi. Aty jepet debati
i Kongresmenit
Republikan Keith Self me Zëvendës Ndihmës Sekretarin
e Shtetit, Douglas Jones, debat ky, i zhvilluar në një Seancë Dëgjimore. Nga ai
debat sqarohet më së miri qëndrimi proserbian i Departamentit të Shtetit, një
qëndrim tërësisht kundër Republikës së Dardanisë, pikërisht si gjatë mandatit
të ish-Presidentit Tramp.
Departamenti
i Shtetit kërkon të bëhen zgjedhje të tjera në Veriun e Kosovës, meqenëse
pjesëmrrja ishte e ulët, për shkak të bojkotimit të serbëve. Kongresmeni Self i
kundërvihet ashpër përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit:
“Kjo ndodh
gjithë kohën në SHBA. Ne kemi zgjedhje lokale ku votojnë veç 10% e qytetarëve,
dhe ne nuk e kundërshtojmë këtë realitet me argumentin e daljes së ulët të
zgjedhësve”.
Nga debati
rezulton se Departamenti i Shtetit kërkon të bëjë kurban Dardaninë për të
plotësuar tekat e Serbisë. Dhe arsyen e këtij kurbani, kongresmeni i nderuar
Self e zbulon fare qartë:
“Problemi i
vërtetë që shoh unë është që Departamenti i Shtetit po tenton të largojë
Serbinë nga orbita ruse. Ju po ndërhyni në zgjedhje që kanë qenë të rregullta,
po u mbivendoseni njerëzve që janë zgjedhur sipas rregullave, e po tentoni të
impononi veten në një problematikë mijëvjeçare dhe ju po kundërshtoni zgjedhje
të ekzekutuara më së miri. Ju nuk do ta nxirrni Serbinë jashtë orbitës ruse.
SHBA e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe Departamenti i Shtetit duhet të
fokusohet në funksionimin e shtetit të së drejtës”.
Për sa i
përket shënimit të dashamirësit të kombit shqiptar, Janush Bugajskit, për
dështimin e misionit të Eskobarit dhe të Lajçakujt në dialogun Kosovë-Serbi -
mosrealizimin e njohjes reciproke - duhet theksuar se këta, të dy, kanë mbrojur
dhe vazhdojnë të mbrojnë vetëm pretendimet shoviniste të Serbisë për copëtimin
e Republikës së Dardanisë. Do të kishte qenë shumë mirë sikur Kryeministri
Albin Kurti, që në fillim, të mos pranonte të ulej në tryezë bisedimesh me
përfaqësues nga dy vende aspak dashamirëse të Republikës së Dardanisë, si
Lajçaku dhe Borelli, të cilëve u është bashkuar edhe Eskobari, që të tre kopje
të Grenellit në këmbënguljen për krijimin e një shteti serb brenda territorit
të saj.
Në këto
kushte, kur Departamenti i Shtetit, me Blinkenin në krye, mikun shumë të afërt
të Sorosit, si edhe Evropa e Brukselit, janë rreshtuar në krah të Serbisë,
kundër Republikës së Dardanisë, Katërshja e Nderuar Udhëheqëse - Kryeministri
Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, Ministrja e Jashtme, burrëresha Donika
Gërvalla, dhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, duhet të mbështeten fuqimisht
dhe të gjejnë frymëzim te Populli Shqiptar i Dardanisë, ta shpërfillin Ramën e
tradhtisë, si edhe të kenë si busull orientimi politik Thirrjen me domethënie
të thellë të Dantonit (Georges Jacques
Danton 1759-1794), revolucionarit
francez, njërit nga etërit e Republikës së parë franceze:
“il faut du
courage, du courage et du courage encore, et la France sera sauvée”
(duhet guxim, guxim dhe përsëri guxim, dhe Franca do të shpëtojë).
Kaliforni, 21
korrik 2023