Prof. dr. Shyqri GALICA
Ngritja e tij arsimore e intelektuale, kultura e gjerë që ka fituar brenda e jashtë atdheut, e ka bërë këtë personalitet të dallohet me veprën e tij si pedagog, studiues e mbi të gjitha shkrimtar.
Ishte një pedagog me diapazon të gjerë, ligjërues i shkollës europiane, që ka sjellë metodologji e përvojë pak a fare të njohur midis nesh. Veprimtaria e tij iu ka mundësuar brezave të rinj të njihen me realitetin e botës së qytetëruar dhe me njohuritë e gjuhës frënge, duke sjellë kështu dhe njohuri për kulturën arsimore e letrare të një vendi të veçantë europian, Francës e më gjerë.
Duke njohur mjaft mirë kulturën e letërsinë e traditës dhe atë moderne franceze, Prof. Kërveshi bëri një punë të çmuar në këtë fushë, duke shqipëruar e botuar krijimet më të mira poetike nga gjuha frënge. Ai u ofroi lexuesve e intelektualëve tanë nëpërmjet botimeve të përditshme, periodike e në vëllime të veçanta vlera letrare-artistike, që ndihmojnë depërtimin në letërsinë moderne.
Duke qenë pedagog shumëvjeçar në Universitetin e Prishtinës, Prof. Kërveshi arriti të japë shumëçka nga përvoja e tij letrare e pedagogjike dhe t’u krijojë studentëve mundësinë për të njohur më thellë kulturën franceze, sidomos me ligjërimet e shqipërimet e shumta.
Pos poezisë si vokacion parësor, Prof. Kërveshi është marrë edhe me studime e shkrime të tjera, të cilat e bëjnë figurën e tij më komplekse e më interesante edhe si krijues, edhe si studiues, edhe si intelektual.
Vargu i veprave të tij letrare është i gjatë, mbase si rrallë ndonjë shkrimtar tjetër.
Ka shkruar rreth gjashtëdhjetë vëllime poetike për të rritur dhe afër dhjetë për fëmijë, si dhe romane, drama, ese e studime, që e bëjnë shumë të pasur krijimtarinë e tij.
Poezitë e Kërveshit janë përkthyer e botuar në shumë gjuhë të botës.
Ai është përfaqësuar në më shumë se gjashtëdhjetë antologji të ndryshme në vend e jashtë.
Muhamed Kërveshi ka lindur më 1935 në qytetin e Mitrovicës. Ka kryer studimet pasuniversitare të letërsisë në Zagreb, ndërsa ka doktoruar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku edhe ka ligjëruar letërsinë frënge.
Ai ishte anëtar i vjetër i LSHK-së.
Ndarja nga kjo figurë e shquar kombëtare është e dhimbshme, por vepra e tij na bën krenarë që e patëm e do ta kemi të pranishëm përjetë nëpërmjet veprës së tij Profesor Kërveshin. Pa dyshim, me këtë personalitet të kombit krenohet posaçërisht Peja e dashur, ku kaloi jetën e bëri këtë punë tejet të madhe si intelektual e shkrimtar i nivelit më të lartë, që midis nesh qenë të paktë.
Nderim e respekt kujtimit të Profesor Muhamed Kërveshit, dinjitetit, punës e veprës së tij të shtrenjtë!
Ju faleminderit!

No comments:
Post a Comment