Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/02/02

Wisner: “E di cili është shpirti i vërtetë i shqiptarëve”


Qëndrimet e zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit, senatorëve dhe kongresisteve, qëndrimet zyrtare të organizmave prestigjioze - qëndrimet e instituteve te ndryshme politike ndërkombëtare dhe vendore, të analistëve politikë, të partive politike etj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë të njohura.
Të gjithë këta bëjnë thirrje t'i jepet fund dhunës në Shqipëri dhe palët të fillojnë dialogun në mes tyre. Ata e quajnë të gabuar vendimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për të vazhduar me planet për organizimin e protestave të tjera në rrugë, duke kërkuar që "beteja" të zhvillohet brenda institucioneve demokratike. Gjithashtu, u bëjnë thirrje dy palëve në Shqipëri, që të qetësojnë situatën, nga e cila sipas tyre, ka vetëm të humbur dhe nuk mund të ketë fitues.
Pas demonstratave të dhunshme, ku opozita në Tiranë, sulmojë duke shkatërruar dhe djegur pronën private shtetërore, dyqane e automjetet, dhe goditur me sende të forta forcat e ruajtjes së rendit, policinë të cilat ishin vendosur në ruajtje të institucioneve shtetërore - ndërtesës së kryeministrisë, në 21 janar ku humbën jetën edhe 3 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, në mes tyre më shumë 25 policë ka folur edhe ish i dërguari i posaçëm të Departamentit Amerikan të Shtetit, në bisedimet për statusin e Kosovës, Ambasadori amerikan Frank R. Wisner, i cili, aktualisht, është në krye të kompanive më me renome amerikane dhe botërore, AIG(American International Group), ku ai mbanë postin e nënkryetarit të kompanisë, kompani kjo multi miliardershësh që operon në tërë botën. Diplomati amerikan tregon se është shumë i lidhur me shqiptarët dhe i njehë mirë shqiptarët si në Shqipëri e Kosovë por kudo që jetojnë ata. Mbasi atë, ai e shprehe duke thënë se "Unë e di se kush është shpirti i vërtet i shqiptarëve dhe se çfarë ju dëshironi që vendi juaj të jetë ndër vendet e para në Evropë, dhe në familjen evropiane, ju dëshironi thotë Wisner, që edhe Shqipëria të jetë sikurse vendet e tjera të perëndimit, ashtu si Shtetet e Bashkuara , Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austria, Zvicra, Italia dhe vendet të tjera."
Wisner, gjithashtu thekson se këtë e dëshironi ju të gjithë shqiptarët, por që të arrini deri aty ju duhet , që të tejkalohen mospajtimet politike, dhe të mos i kërkoni t'i zgjidhni ato me thellimin e mos pajtimeve dhe në rrugë në mënyrë të dhunshme.
Në fund diplomati e njohur amerikan, ambasadorin Frank Wisner, ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së për zgjedhjen e çështjes së Kosovës, i cili, aktualisht, është në krye të kompanive më me renome amerikane dhe botërore, AIG (American International Group), thotë se " Më vjen shumë keq për këto ngjarje, për dhunën e përdorur dhe ndaj institucioneve shtetërore, e tëra kjo është e pikëllueshme por më së shumti më vjen keq për imazhin e Shqipërisë, mbasi Shqipëria, meriton një imazh tjetër edhe më të mirë"./Beqir Sina

Pse të jesh jashtë sistemit...






Nga Bekim Rexhepi



Vullneti politik i një subjekti është aksioni i subjektit rezonues mbi organizimin e tij si i kushtëzuar.
B.R


Subjekti politik në momentin që vendos të funksionoi si i organizuar, ai synon që të veproi si i kushtëzuar mbi një projekt. Cili mund të jetë ky projekt? - qe një subjekt duhet të kushtëzohet mbi të, për të vepruar apo funksionuar politikisht. Pra, të identifikojmë disi, një projekt mund të jetë i ndërtuar nga një ide apo edhe më shumë të ndryshme, çofshin këto koherente apo jo, nga shqetësime apo jo, të mbledhura apo jo, të shkruara apo jo, e me radhë – e deri të një ëndërr. Ndryshe të gjitha këto janë platforma. Edhe një ëndërr është platformë në vetvete sepse ngrihesh mbi të, si në një të gdhirë të nesërme. Pra, po të krijosh një platformë do të thotë se ke synon të veprosh ne aksione subjektive duke rezonuar mbi organizimin e kushtëzuar. Çfarë do të thotë i kushtëzuar mbi një platformë? Nëse, ke zgjedhur një platformë dhe synon ta realizosh atë ( pra, gjithnjë në kontekstin e një subjekt politik), duke caktuar disa kushte dhe mjete të mundshme që të qojnë mbase mbi objeksionin final. I gjithë ky rrugëtim ka edhe rregullat e sjelljes normative mbi të cilat tentohet të shkohet apo të arrihet. Pra vetëm subjekti politik qe ka një platformë të qartë arrin të imponohet i arsyeshëm, duke i mundur pasionet për ta bërë përfundimisht lirinë kuptimplote.
Ndërsa, për një subjekt politik që ka një liri dhe ka një ide që të qarkullojnë anasjelltas, mund të themi se ajo liri pa ide do të ishte hiç kuptimplote në politikë! E mbase duhet nxitur njerëzit në pajtim me lirin të përkujdesen për veten e tyre. Këtë pak subjekte e kuptojnë apo e bëjnë të duket e mundshme, platformat e tyre janë hedhur tashmë në shporta e qoshe, pas derës dhe ato nxirren vetëm atëherë kur u kërkohen në elektorat për tu justifikuar.

Shteti akoma mbetet forma më e mirë e organizimit politik dhe jo vetëm politik të një komuniteti, duke qenë i organizuar një komunitet vendime mund të merren më lehtë. Sepse edhe sot shtetet qe kanë historinë e tyre vazhdojnë të identifikohen dhe të përfaqësohen nga kushtëzime më shumë të brendshme historike. Shqiptaret në historinë e tyre kanë kode identifikuese, me të cilat kode ata kanë synuar të arrijnë qëllimet dhe veprimet e veta si komunitet. Prodhimi i kodeve historike të një komuniteti është treguesi më i mirë i superstrukturës fundamentale qe ndryshe i thonë shtet. Shteti i sotëm “modern” është instrument i marrëdhënieve të brendshme të një komuniteti, që historinë e vet e shikon si në pasqyrë, duke e mësuar atë, madje si një individ që vetveten e tij e shikon në pasqyrë dhe do të duket gjithnjë mirë.
Partitë politike në shtet janë si anëtar të familjes ku vet prindi është shteti, ato (partitë politike) gjatë gjithë jetës përpiqen të respektojnë prindin e tyre, ndërsa të tjerët që nuk përpiqen të respektojnë mbase do të ndëshkohen.

Pamja - i mbrapshtë vlerësimi
Tash pas gjithë kësaj gjendje të ndodhur në Shqipëri, një qytetar i thjeshtë e ka të vështirë të kuptoj se çfarë duan socialistët dhe çfarë nuk japin demokratët. Nuk janë të panjohura kërkesat e socialistëve, por edhe atë qe demokratët nuk mund ta japin si peshqesh tek socialistët e nemitur. Ndarja e pushtetit në demokraci është paksa e dhimbshme, por më e dhimbshme është të mos e pranosh atë si të tillë. Qytetaret në secilin vend demokratik votojnë për atë subjekt qe kanë besim më shumë dhe se ka udhëhequr më mirë vendin. Këtë besim të qytetarëve nuk mund ta ndërrosh me forma të tjera sepse ka një sërë rregullash demokratike që sistemi garanton. Ndërsa është tjetër politikë shfaqur dhe zgjedhur qe një subjekt rival, humbjen nuk e njeh, pse nuk do ta njoh edhe për shkaqe verbërie politike.

Qeveria Shqiptare nuk mund të quhet jo demokratike, kriminale, korruptive, e të tjera si këto, qe i ka ne qejf e t’i përdorë në retorikën e saj partia socialiste. Po të ishte kështu si e quan me këto akuza partia socialiste, atëherë në Shqipëri, nuk do të vinte Gj.W.Bush, të vizitonte një Shqipëri dhe të takonte një qeveri, e cila do të ishte jo demokratike, kriminale, korruptive, e të tjera si këto. Po ashtu edhe NATO – ja, nuk do ta pranonte në gjirin e saj një Shqipëri të tillë jo demokratike, kriminale, korruptive, e të tjera si këto. As dhe BE – ja, nuk do të hapte dyert e saja të lira për një Shqipëri dhe qytetar të saj - jo demokratikë, kriminalë, korruptivë, e të tjera si këto. Pra mbetet vetëm tërbimi politik i Edi Ramës, që tenton të ndal zhvillimet politike në Shqipëri, duke u përpjekur ta ngel qeverinë në probleme politike të parëndësishme, siç janë zgjedhjet e para njëviti, kontestimi i tyre mbi njëvjeçar, mbi autostradën “ Rruga e kombit”, qe tashmë është e mbaruar dhe nuk ka qytetar e të thotë ngjashëm siç i plas tërbimi Ramës për të.
Harron opozita edhe Rama vet se duhet të mos dal nga sistemi politik qe të mos e bëjmë shtetin një akullore për shumë gjuhë.
Partia Socialiste po orvatet që përmes sa më shumë individ të nxitë në qendër të analizave të saja manipuluese për të dhënë përfundimisht goditje tepër të fortë demokracisë dhe drejtësisë në vend. Në këtë kuptim mund të themi pozicionimi i partisë socialiste dhe i Ramës, nuk kanë vij ndërse sa i përket demokracisë dhe drejtësisë në vend, sepse debati aktual dhe kaq i përqendruar sikur do të kundërvë qëllimisht në njërën anë kinse totalizimin e njërës palë dhe në anën tjetër të shfaqë po kështu liberalizmin e vet.
Logjika e Ramës dhe e mbështetur nga PS-ja, ka pësuar shumë deformime të brendshme, ajo po shfaqet me potenca antishqiptare, sepse gjithnjë e më shumë po bëhet përbërëse në mendimet e Ramës dhe shumë përkatëse ne subjektin opozitar, ku shfaqja fillon ngjashëm dhe goxha e ricikluar me virtyte të Hitlerit. Edhe Hitleri ishte i majtë në koncept! Edhe Hitleri ishte antigjenetik (jo pak fakte të mëvonshme e dëshmojnë se edhe ai ishte çifut)! Edhe Hitleri ishte piktor i dështuar! Edhe Hitleri kishte një fjalor skandaloz sa i përket përshkrimit të gjendje! Nga këto virtyte të Hitlerit , kopja e Ramës të ngjason.

Tashmë nuk mund të mos shtrohet si dikur pyetje përjashtuese, se a duhet që politikanët të jenë të virtytshëm? Ata duhet të jenë të virtytshëm sepse nga paraqitjet e tyre edhe qytetari mësohet të sillet dëmshëm me njësit kombëtare. Madje, ka gjasa të rritet sasia e njerëzve në popull, që mendojnë se atdheu i tyre nuk bëhet më për ta - i dashur, ashtu siç e mendojnë dhe e kuptojnë të huajt qe janë dhe në shumë raste mbesin indiferent me kuptimin se nuk është ky atdheu i tyre. Këtë gjendje sikur e provuam me 21 janar 2011 në demonstarat, para institucionit të kryeministrisë kur po vandalizohej e gjitha, e deri në atë pamjen qe s’duhej ta shihnim kurrë më, kur u hedh flamuri kombëtar në drejtim të policisë. Kjo tregon qartë se deri ku dëshiron të shkoj Edi Rama dhe Partia Socialiste duke degraduar në maksimum të gjitha gjërat, për të krijuar gjendjen e kaosit dhe për të shkatërruar virtytin e qytetarëve për atdheun e tyre.
Nuk është e kotë dhe nuk duhet të pranohet si e kotë, asnjë përpjekje intelektuale që i bën thirrje këti populli të mos dëgjoj tërbimin e Edi Ramës, sepse synimet e tija tashmë nuk janë të paqarta, jo vetëm për këtë popull dhe për këtë atdhe, porse atë që tashmë po ekspozohet na Tirana, edhe bota e qytetëruar ka distancuar. Të mos dëgjosh mikun e mirë në ditën e vështirë, e bën budallain e vetvetes, sepse bota ka ndryshuar dhe qytetërimet nuk mund të bien sa herë mbi to ngritën budallenjtë qe s’duan të dëgjojnë për të mirën e tyre. Shqipëria e ka provuar një budalla si Enver Hoxha, i cili pa kuptuar botën sikur donte të bënte të kuptueshme se e gjithë bota sillej rreth tij.
Historia na dëshmon se Hitleri, pos qe kishte mashtruar gjermanet me ultranacionalizëm, kishte zhdukur edhe bashkë gjenetikët e tij, ai po ashtu para vetës kishte edhe shkatërrimin e gjithfarshëm, vetëm e vetëm për tu futur në historinë botërore me skandalin më të tmerrshëm të një lufte nxitëse dhe tërbuese, në emër të popujve të këqij. Edi Rama këtë nuk e bën dot sepse Shqipëria nuk është Gjermani dhe rrethanat nuk janë të favorshme si në ato vite të Luftës së Dytë Botërore, por Edi Rama, me kaq sa di do të përpiqet të diskriminoj qeverinë demokratike të Berishës, duke e cilësuar si pushtet të keq, shumë të keq para shqiptarëve, madje do ta rrënoi përfundimisht si të mundet.
Zhytja e thellë ne polemika, debatet e zhurmshme dhe shterp i kontribuojnë pavetëdijshëm kësaj gjendje të mirëseardhur për Edi Ramën, të arrijë atë qe po e riciklon herë me greva, me protesta, me manifestime, me bojkote, me demonstrata të dhunshme, me krim të organizuar, e me çfarë jo ne ditët e ardhshme. Ikja nga debatet e zhurmshme dhe shterpë, polemikat e thella duhet të menaxhohen nga kujdestaret e mediave, një detyrë primare e konditave të lirisë së përgjithshme të një shteti demokratik.
Sekush në Shqipëri ka një bindje se pos agjenturave të brendshme ka edhe agjentura të mediave qe janë shkarkuar në ambicie politike në dëm të lirisë dhe drejtësisë së shtetit. Shteti nuk mund të varet vetëm nga pushteti i një kryeministri, sepse shteti ka më shumë pushtet të tjera përbërëse, qe gjithsesi duhet të jenë hallka në njësitet kombëtare, por kur dëmtohen dhe përvetësohen këto hallka të pushtetit, atëherë synohet më gjasë të shkatërrohet shteti nga një sistem në një sistem tjetër. Prandaj, Partia Socialiste ka dalë nga sistemi, nga sistemi politik i shtetit, më qëllim që të rrënoi shumë hallka të tjera të pushtetit e deri te ai përfundimtar i qeverisjes shtetërore. Nga kjo gjendje ku ka rënë kjo parti, dukën pak të rëndësishme rrugët qe ka zgjedhur Partia Socialiste apo Edi Rama, më e rëndësishme është analiza e qartë se si në hapat permanent po tentohet të shkatërrohet një shtetit nga një anarki dhe diktaturë perverse.

01 shkurt 2011

Mbi kontekstin historik të fenomenit Gjergj Kastrioti - Skendërbeu (1405-1468)






© Pikturë e Ndue Gjeles

nga Sami Repishti

Figura pluri-dimensionale e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu ka ndezë fantazitë e breznive të njipasnjishme shqiptare për afër gjashtë shekuj. Megjithë pushtimin 423 vjeçar otoman të viseve shqiptare dhe konvertimin në islam të pjesës ma të madhe të popullsisë së vendit, figura poliedrike e Skenderbeut, sundimtar, diplomat, strateg ushtarak i rangut të parë dhe mbrojtës i krishtenimit perëndimor, mbetet gjithëherë epiqendra e kryenaltësise kombëtare shqiptare dhe personaliteti qendror që bashkoi dhe vazhdon të bashkojë të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipnisë, pa dallim feje, krahine ose ideologjie politike. Skenderbeu qendron sot, pesë shekuj e gjysëm mbas vdekjes tij me l468, si nji gjysëm-perëndi, hero i antikitetit, personifikimi i çdo gjaje që shqiptarët adhurojnë dhe vazhdojnë të shpresojnë.
I lindun në nji vend si Shqipnia, kurdohere nji urë në mes të Lindjes dhe Perëndimit, veprimtaria e gjithanëshme e Skenderbeut karakterizohet nga nji marrje qendrimi të preme në favor të njenës - Perëndimit të krishtenë, dhe kundër tjetres - Lindjes islamike, nji qendrim unik në atmosferen politike të Ballkanit në shekullin XV. Ajo që na intereson asht konteksti historik i nji veprimtarie të këtillë që, simbas mendimit tonë, ka percaktue kahen e veprimtarisë së tij, si dhe rezultatet që nji qendrim kaq i vendosun ka dhanë për të ardhmen e nji vendi të kërcënuem nga rreziku i invadimit afatgjatë.

Shekulli XV që lindi Skenderbeun, e gjeti Perëndimin (në këtë rast i identifikuem si "Europë e krishtenë") në nji proces formimi të kontinentit tonë, që do t'i jepte formen e tij afatgjatë dhe të dallueme, si kontinenti i Europës. Bota tjetër ishte kryesisht jo e krishtenë. Prandej, shekulli XV ushqeu idenë e nji qytenimi të mbështetun në nji fe, d.m.th. krishtenimin, që mbante njikohësisht edhe vulen e trashëgimit të qytetnimit të pasun romak, sidomos me ruejtjen e përdorimin e gjuhës së shkrueme latinishte.
Konceptet moderne të "popullit" dhe "kombit", e aq ma shum "i shtetit", kanë qenë mjaft abstrakte; ajo që ishte konkrete, e përditshme, ishte termi, nominal dhe praktik i "krishtenimit" dhe zhvillimi i mavonshëm i ngjarjeve duhet parë nga ky prizem. Këtu fillon edhe historia e "Europës". Organizimet fisnore, ngritjet e paprituna të individëve të fuqishëm, megjithëse pjesërisht të romanizueme, nuk kanë qenë në gjendje me hedhë bazat e "nji shoqnie të qytetnueme", përsa kohë që barbarizmi në Europe ishte nji fenomen i përhapun. Ndërkaq, në botën jashtë "Europës" - Konstantinopoja. Kordoba, Bagdadi - me trashëgimin bizantin e arab kishin krijue "shtete" dhe qytenime që kalonin shumë sukseset e "Europës". Asnji shkollë mendimi ose universitet nuk ishte në naltësinë e arabëve, qoftë në Spanjë, qoftë në Lindjen e Mesme.
Në këtë gjendje të ulët zhvillimi, fuqia e madhe efektive që u trashëgue nga perandoritë e së kaluemes - ajo e Karlit të Madh, e mbretënve anglezë, gjermanë, spanjollë, - mbeti ajo e Kishës Katolike Apostolike të Romës, dhe ma pak të fuqishëm protestanët dhe kishat e tyne. "Nëpër të gjithë Europën perëndimore, ipeshkevit - shpesh herë bij të familjeve me influencë, me pasuni dhe lidhje të fuqishme që i mbronin - ishin figura kyçe në çështjet lokale, e morën përsipër detyra që ma parë i takonin zyrtarëve perandorakë. Kisha, pak nga pak, veshi rroben më të cilen veshej Roma shekuj ma parë - qytetnimin. Vija dalluese në mes të krishtenimit e paganizmit ka qenë gjithashtu edhe vija që ndante qytetnimin romak dhe barbarizmin." (J.M.Roberts, 237)
Nga të gjithë ipeshkevijt, ma i randësishmi dhe ma i fuqishmi u ba ai i Romës - i njohun si Papa i Romës. Arsyet për nji zhvillim të këtillë janë të njohuna: disa nga kryesorët janë prania e eshtnave të martirit Shën Pjetër, pa dyshim edhe fakti se Roma ka qenë për shekuj kryeqyteti i republikës dhe perandorisë romake me nji trashëgim të pakrahasueshëm. Me shkatërrimin e administratës së "perandorisë", ipeshkevijt morën përsipër edhe funksionet shtetnore, tue ruejtë gjuhën e shkrueme latine si gjuhë zyrtare. Për ma tepër, diplomacia papnore ndihmoi formimin e mbretnive kristiane që u ngritën me ramjen e barbarizmit në Europë. "Perandori" legjitimohej vetëm me kunorëzimin nga Papa i Romës.
Gjatë këtij transformimi, Kisha Katolike e Romës, megjithë lëshimet e herëpashershme, ruejti dy aspekte themelore:
a) dënimin e hakmarrjes si barbarizëm e zëvendësimin me "dashuni për të afërmin".
b) mbrojtjen e parimit të martesës së krishtenë, monogaminë, qendrime që mbahen edhe sot.
Njena sillte paqen, tjetra pagëzonte familjen si berthamën e shoqnisë.
Procesi i konvertimit të popujve "barbarë" dhe qendrimi i "Kishës" përfunduen me sukses në përpjekjen "me qytetnue" dhe si rrjedhim, me dalë në skenë si "europiane të qytetnueme" me identitet kontinental. Në nji Europë të këtillë, dimensionet fetare ishin të pakundërshtueshme dhe depërtuen në të gjithë jetën e shoqnisë së re. Asht kjo "Europë" që celebrohet me ndërtimin e katedralevet gotike, si dhe në art me pikturë e skulpturë.
Në sferën shoqnore, themelimi i qyteteve, zhvillimi i industrisë lokale dhe i tregëtisë, veprimtaria kulturore e zbulimi i shtypshkronjës filluen të krijojnë sensin e "bashkësisë" qenien "popull", si dhe nevojën e paevitueshme për nji organizim shtetnor. Ky grumbullim zhvilloi edhe ngritjen e "shtetit", ndjenjen e "kombësisë", të qenies pjesë e nji "kombi" të veçantë me interesa dhe aspiracione të veçanta. Asht lindja e "nacionalizmit" - francez, anglez, gjerman, spanjoll, portugez, holandez, danez, suedez, irlandez etj.
Historikisht, kombet janë zhvillue ma shpejt sa herë që kanë qenë të përfshime në nji shtet të organizuem dhe me sistemin monarkist. Megjithatë, prirja e "Monarkëve" për rritje territoriale kombëtare me dhunë ka shkaktue luftat e vazhdueshme. "Kombet europiane u formuen nga popuj që u treguen mjaft të fortë me qendrue së bashku, si dhe shpesh herë, nga detyrimi i bashkimit për rezistencë kundër invadimit të huej." (J.M.Roberts, 271)

Në Lindje, sundimi i Bizantit (afers. 527-l453) krijoi nji "krishtënim" të ndryshëm nga ai i Romës, sidomos me perandorin ilirian Justiniani i Madh. Në Lindje, perandori ishte i mveshun edhe me rroben e "supremacisë fetare" edhe në subjektet me landë fetare. Menjëfjalë, ishte nji udhëheqës laik dhe fetar (caesaro-papism), që shikohej si nën-mbret i Zotit mbi tokë. Ndërsa Perëndimi nuk lejoi autoritetin fetar me kalue në duert e "sundimtarit", tue sigurue që vetëm Kisha të kishte fjalën e fundit, sepse ajo i detyrohej vetëm Zotit, nji forcë jashtë-tokësore, prandej superiore.
Për arsye të pozitës së Bizantit, zyrtarët e Kishës flitnin greqisht, megjithë shoqninë multi-raciale të Perandorisë. Humbja e ndikimit të antikitetit grek dhe atij të Europës perëndimore, shkaktuen adoptimin e shumë formave aziatike në Ballkan, nji trashëgim që ndjehet edhe sot në këtë gadishull. Forma fetare e këtij zhvillimi u quejt "ortodoksizëm", nji formë e ndryshme nga "katolicizmi" perëndimor.
"Asnji klerik ortodoks nuk kishte randësinë e Papës së Romës. Patriarku i Konstantinopojës, udhëheqës kishtar i pranuem në Kishen lindore mbas shekullit VII, ishte në praktikë i emnuem nga Perandori, dhe si ‘shpërblim' jepte bekimet e Kishës në ceremoninë e kunorëzimit të Perandorit." (J.M.Roberts,173) Klerikët u lejuen të martohen, tue i paraqite ata si pjesë e shoqnisë laike dhe tue i lejue murgjët e monastireve të tërhiqen nga "jeta" për lutje, meditacion e vetëdisiplinim.
Mbas Koncilit të vitit l054 dhe skizmes që rezultoi, ndamja deri atëherë teorike në mes të dy kishave (katolike e ortodokse), u ba ma e theksueme çdo ditë e ma shum

Përsëri në Lindje doli në skenë edhe nji fe e re, Islamizmi, që predikoi "vëllaznimin e besimtareve" (ummi) kudo që ata jetojnë. Që nga fillimi, "…theksi i vumë mbi randësinë supreme të vëllaznimit në mes të besimtarëve, kishte karakter subversiv, gjithashtu sepse sfidonte besnikërinë që kërkojshin fiset" (J.M.Roberts,179), dhe ma vonë kombet. Po lindte nji bashkësi e re shoqnore, e cila me zhvillimin e hovshëm të saj do të sillte qytetnimin e ri islam.
Në kundërshtim me krishtenimin, islamizmi u tregue nji forcë për pushtime tokësore me ndërmarrje ushtarake. Ekspeditat arabe pushtuen Afrikën e Veriut, e të gjithë Lindjen e Mesme. Në Europë, arabët pushtuen Spanjen dhe gjysmën e Francës, deri në Tours e Poitiers (v. 732), pikërisht njiqind vjet mbas vdekjes së themeluesit, Muhamet. Këtu fillon edhe ngritja e qytenimit arab, dhe ramja ushtarake e tyne, njikohësisht, që na e interpretojmë si fitorja e pendës mbi shpaten.
Ramja e arabëve u shpejtue kryesisht nga dalja në skenë e nji fuqie të re që përqafoi islamizmin, por mori për vete lavdinë e ndërtimit të perandorisë: turqit osmanë. Kryqëzatat e Perëndimit për çlirimin e Jeruzalemit, dobësuen Bizantin dhe mundësuen ardhjen e osmanëve në Europë. Nji botë plot intriga si Bizanti nuk ishte në gjendje me përballue sulmin e ushtrisë ma të fortë të asaj kohe. Në vitin 1453, Konstantinopoja ra në duart e osmanëve, nji moment dramatik në historinë e Europës. "Kur erdhi lajmi i rënies, askush nuk e priste dhe krishtenimi mbeti me gojë hapet." (J.M.Roberts,198)
Rruga për pushtimin e Ballkanit ishte tashma e hapun dhe rreziku i invadimit të Europës ishte iminent. Disa vende, si Bosnia, pranuen islamizmin në mënyrë masive, ndërsa vende të tjera si Hungaria, Serbia, Bullgaria dhe Arbenia e kundershtuen me suksese jo të barabarta. Por efektet e pushtimit, islamizimit dhe qendrimit anti-kristian të pushtuesve osmane, krijuen nji reaksion të fortë, koshient e të vazhdueshëm. Krishtenimi në Ballkan u ba forca udhëheqëse e rezistencës, që lindi idenë e kombësisë - si bashkësi e dallueme nga pushtuesi - dhe format e para të nacionalizmit në Ballkan. Në krye të kësaj lëvizjeje proto-nacionaliste qendronin kleri katolik e ortodoks. Megjithatë, për arsye të qendrimit barbar të kryqëzatave katolike europiane gjatë qendrimit tyne në Bizant, e veçanërisht grabitjes së pa fre të Konstantinopojës (l204), ndasia fetare e dy kishave u ba e plotë dhe mori tone politike. "Better Turks than Franks " (Ma mirë turqit se francezët (katolike).
Bizanti ftoi osmanët myslimanë të luftojnë kundër princave të krishtenë ballkanas. Këta të fundit ftuen osmanët myslimanë të luftojnë kundër rivalëve të tyne të krishtenë.
Mbretërit e Serbisë, Bullgarisë dhe të Bizantit u komprometuen me martesat e bijave dhe motrave e tyne me Sulltanin. Gjithçka ishte e kalbun në themel, ndërsa fuqia ushtarake turke kishte arritë kulmin. "Vetë Ballkani u shndërrue në nji teatër lufte, ku ushtarët e krishtenë luftuen vazhdimisht për turqit" (Kinross,49). Në luftën e Konjes (Anadoll), me l387, armata turke përbahej nga ushtarë të krishtenë serbë, grekë e bullgarë.

Më 1380 turqit hynë në Shqipni… "me thirrjen e princërve vendas që kërkonin ndihmën e turqëve me luftue anmiqt e tyne."(Kinross,54) Më l385, mbreti i mundun Lazar i Serbisë detyrohet me njohë Sulltanin dhe me pague tribut në të holla bashkë me nji kontingjent ushtarësh. Ma heret, që më l335, princët europiane kishin fillue marreveshjet me turqit, me qellim që të mbronin tregtinë e qendrave të tyne në Ballkan. Raguza, Venediku e Gjenova braktisën perandorin bizantin e lidhen traktate me perandorinë otomane.
Në nji përpjekje me pushtue Ballkanin, Sulltan Murati I u ndesh me forcat e koalicionit kristian - serbe, boshnjake, shqiptare, bullgare, vllahe dhe hungareze - nën komanden e mbretit Lazar të Serbisë, në Fushë Dardani (v. l389). Koalicioni humbi luften dhe serbët pavarësinë , tue zbritë në rangun e nji shteti vasal. Me fitoret e reja, perandoria osmane hodhi faren e nji shoqnie shumëkombëshe, me besime të ndryshme dhe me nji numër të madh gjuhësh. Njohës i mirë i psikologjisë ballkanase, Sulltan Murati pushoi persekutimin e të krishtenëve dhe konvertimin me forcë të popullsisë në islamizëm. Patriarku serb ruejti prerogativat themelore në kryemjen e funksionit të tij - ashtu siç kishte ba Sulltani me Patrikun grek mbas ramjes së Konstantinopojës, i cili, "… në nji letër drejtue Papës, më l485, pohonte se Sulltani i kishte lanë Kishës liri të plotë veprimi." (Kinross,59)
Ky trajtim mundësoi të krishtenët e perandorisë osmane të ngrihen në pozitat ma të nalta shtetnore. Por, me drejtuesit ma të naltë të Kishave greke e serbe si aleate të privilegjueme të Sulltanit, Papa i Romës mbetej vetëm në skenë si anmik kryesor i osmanëve dhe si organizator i rezistencës efektive kundër turqëve në Ballkan. Ndërkaq, demografia e Ballkanit filloi të ndryshojë me ardhjen e kolonive myslimane në gadishull dhe vendosjen e tyne në shum qendra banimi të tokës së okupueme. Nji humbje e dytë dhe e randë e mbretit hungarez Sigismund në Nikopojë, shënoi triumfin e plotë të osmanëve në Ballkan, pjesërisht me ndihmen e serbëve.
Kisha ortodokse serbe shikonte vetën përherë si nji institucion kombetar, si qendra shpirtnore e popullsisë, që fliste serbisht dhe ruente besimin ortodoks. Edhe vetë ekzistenca e saj, që në vjetin l557, u konfirmue me dekretet e Portës së Naltë Otomane, e cila rivendosi Patriarkatin serb, si nji kompromis të arritun në mes të dy vëllazënve: kryeviziri Mehmet Sokollu ishte nji serb i konvertuem që arriti të bahej kryeministër i perandorise turke, ndërsa vëllai i tij, Makarije Sokoloviq, i cili kishte ruejtë ortodoksizmin, u kunorëzue si Patriarku i Serbisë.
Mbas vdekjes së perandorit gjerman e hungarez Sigismund, më l437, u rindez tek hungarezët dëshira për hakmarrje kundër osmanëve. Nga rradhët hungareze doli nji fisnik, Gjon Huniadi, i destinuem me u ba hero kombëtar. Për mungesë ndihme nga Europa, Huniadi u mbeshtet në përkrahjen që gjeti tek Papa i Romës, tek serbët, shqiptarët, boshnjakët, e bullgarët. Më l443, forcat e koalicionit hungarez munden ushtrinë turke, e pushtuen Nishin. Kjo humbje turke i atribuohet, pjesërisht, largimit të shqiptarit Gjergj Kastrioti Skenderbeu nga fusha e betejës, e kthimit të tij në Krujë. Ma vonë, hungarezët u mundën e Sulltan Murati I nënshkroi paqen në Szeged (Hungari), ku njihte në mes tjerash, nji autonomi të gjanë jashtë sundimit turk për Serbinë e Vllahinë. Turqit kishin tashti dorë të lirë me veprue në Shqipni, Greqi e Bullgari. Më l444, Murati abdikoi në favor të djalit, Bajazit.

Në këtë atmosferë zjarri, lindi, u rrit, dhe luftoi Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Në betejën e vitit l082, normanët fituen Durrësin dhe u shpërndanë në mbrendësi të vendit. Asht koha e kryqëzatave që dobësuen Bizantin. Në ketë situatë të re linden dy shtetetarbnore: Arbnia dhe Epiri. Më l272, ushtritë e mbretit të Anxhuinëve invaduen Shqipninë, e quejten atë "Mbretnia e Shqipnisë" dhe mbreti Karl u quejt "Mbret i Shqipnisë". Asht ai që u dha titujt e fisnikëve feudalëve shqiptarë: Topia, Skuraj, Gropa, Arianiti, Jonima e të tjerë. Bashkë me anxhuinët erdhi edhe nji numër i madh klerikësh katolikë. Ishte vendosë që Shqipnia të mbetej e lidhun me Romen.
Pa kalue shum kohë, princët shqiptarë të lodhun nga pushtimi ngritën kokë dhe me ndihmen e Bizantit, nxorën anxhuinët jashtë. Kleri katolik u largue gjithashtu dhe u zëvendësue me peshkopët ortodoksë. Nji princ i ri, Tanush Topia, u revoltue përsëri në Shqipninë e Mesme. Ndërkaq, u formue Principata e Shkodrës në Veri, nën drejtimin e familjes Balsha, dhe në Jug Principata e Artës, nën drejtimin e familjes Shpata.
Familja Balsha u konvertue në katolicizëm, kërkoi dhe mori ndihmen e Papës dhe të Venedikut. Me forcat e reja ata munden ortodoksin Tanush Topia, dhe u banë zot të pjesës ma të madhe të Shqipnisë. Princi T.Topia u bani thirrje osmanëve për ndihmë. Paraqitja e osmanëve në Ballkan krijoi nji situate të re dhe shumë të rrezikshme. Me humbjen e luftës në Fushë Dardani, l389, princat shqiptarë mbeten pa mbrojtje. Më l430, princi i Krujës, Gjon Kastrioti u mund, por rezistenca kundër turqve osmanë vazhdoi e pandërpreme për të gjithë shekullin XV.
Kjo rezistencë u mbështet edhe nga faktori i ri: katolicizimi i Shqipnisë së Veriut, me l8 qendra ipeshkvnore, disa prej tyne, si ajo e Durrësit, me nji histori të pandërpreme që nga ditët e para të ungjillzimit nga apostujt Pal dhe Andre. Organizimi i Kishës Katolike përbani strukturen gati-shtetnore që mungonte. Çdo ipeshkëv ishte nji mbledhës ndihmash për luftëtarët, e sidomos për Skenderbeun. Çdo prift e çdo murg ishte nji qendër propagande. Si katolikë, ata ishin në gjendje me u lidhë me Perëndimin - me të cilin ndajshin gjuhen e shkrueme të përbashket, latinishten- dhe me kërkue ndihmë nga Perëndimi, sidomos nga Papa, Venediku dhe Mbretnia e Napolit.
Për ma tepër, nga pikpamja e strukturës shoqnore, Shqipnia ishte nji vend bujqësh të vegjël, por të lirë, e jo bujkrobësh, siç ishte rasti në tokat e dominueme nga Bizanti. Këta fshatarë e malësorë të lirë e guximtarë mbronin tokën e tyne (si krahinë dhe si pronë private), lirinë e tyne dhe ishin në gjendje me ushqye nji resistencë afatgjatë. Duke citue V. Makushev, F.S.Noli shkruen: "Nji shqiptar nuk mund të jetonte si nji skllav."(f. 8)
Më 1431-32, kryengritjet shqiptare të Gjergj Arianitit u filluen me përkrahjen e Selisë së Shenjtë. Fitorja e dytë e vitit l435, u përshëndet nga Papa Eugjeni IV dhe perandori gjerman Sigismund, si "fitore e krishtenimit". Historia tregon se në jetën kishtare e politike të vendit, vendimet e Koncilit të Ferraras-Itali (l438-39) paten nji efekt pozitiv në Shqipni. Prania e vetë Papës, Perandorit të Bizantit, e Patriarkut të Konstantinopojës dhe e shumë peshkopëve bizantinë e sllavë, si dhe nënshkrimi në korrik të vjetit 1439 "…i tekstit të bashkimit shpirtnor të dy kishave nën supremacinë e Papatit." (Historia, 395) tregoi randësinë e Koncilit dhe sidomos të afrimit në mes të dy kishave edhe në Shqipni. Në këtë Koncil "…lufta (kundër osmanëve) propagandohej si nji kryqëzatë e të krishtenëve kundër pushtuesit aziatik e besimit të tyne islam." (ibidem)

28 nandor 1443. Hymja e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut në Krujë!
Kryengritja që u shkaktue si rrjedhim i ardhjes së Skenderbeut, "…hapi udhen e zhvillimit të vrullshëm të procesit të bashkimit politik dhe shpirtnor të banorëve të krahinave të ndryshme shqiptare." (Historia, 404) Ndërsa pritej që osmanët të drejtoheshin kundër Shqipnisë, mbas nënshkrimit të Traktatit të Paqes në Szeged (Hungari,l444), në mes të Sulltan Orhanit dhe mbretit Ladislav të Polonisë dhe Hungarisë katolike "…me inkurajimin e Papes dhe forcave të tjera anti-osmane, mbreti Ladislav e shkeli këtë traktat" (Historia, 406). Çdo gja tregonte ardhjen e nji ballafaqimi me osmanët. Kleri katolik u aktivizue. Garnizoni i Sopotnicës (Sfetigradit) drejtohej nga "prifti matjan Pjetër Perlati," (Historia, 411) Argjipeshkevi i Durrësit, Pal Engjëlli u ba krahu i djathtë i Skenderbeut.
Në ketë atmosferë të elektrifikueme nga zhvillimi i shpejtë i ngjarjeve dhe i rrezikut që kërcënohej, më 1444, u mblodh në Katedralen e Shën Gjergjit, Kuvendi i Lezhës, që u njoh edhe si "Kuvendi i Fisnikëve", dhe "…realizoi të parin bashkim të gjanë politik e ushtarak të vendit, në formen e nji aleance ndërmjet përfaqësuesve kryesorë të aristokracisë shqiptare." (Historia, 425) Të gjithë (këta fisnikë shqiptarë para Skenderbeut), pa përjashtim, iu drejtuen Papës tue kërkue mbrojtjen e tij, "… dhe Papët kanë qenë gjithëherë të lumtun me u ofrue atyne ndihmë." (Noli, 9) Noli shkon edhe nji hap ma larg: "Sukseset (e familjes Balsha) spjegohen në radhë të parë me faktin se ata këputen lidhjet e tyne me Kishen Ortodokse Greke dhe u bashkuen me Kishen Katolike Romake, më 1368, tue percaktue kështu identitetin e tyne me Shqipninë katolike romake."(ibidem)
Kështu që në shekullin XV, Skënderbeu u ba udhëheqës i nji Shqipnie pothuejse tanësisht katolike romake. Si rrjedhim, administrata e Skenderbeut filloi me kambë të mbarë, sepse pothuejse e gjithe Europa ishte katolike - me përjashtim të Rusisë dhe Ballkanit lindor e jugor - dhe qendrimi i vendosun i Skenderbeut kundër turqve tërhoqi vëmendjen europiane. Për ma tepër, Skenderbeu ishte nji aleat i vjetër i hungarezëve, nji tjetër qendër rezistencë katolike kundër turqëve.
Tue citue Johann Ph. Fallmerayer, Noli ofron këtë spjegim të pakonfirmuem nga historianët shqiptarë: "…Skenderbeu u revoltue haptas kundër Sulltanit…pushtoi Krujën, Sfetigradin dhe fortesat tjera (që i ishin mohue Skenderbeut nga Sulltani, S.R.) vrau myslimanët (e konvertuem) të vendit, sulmoi krahinat përqark që i mbante ende Sulltani dhe vjehrri i tij serb dhe u bashkue kështu me Kryqezaten kunder Islamit…" Kështu, Noli arrin në përfundimin se: "…nuk kishte asnji mundësi për nji kompromis me nji kryqtar të vendosun dhe fanatik si Skenderbeu." (Noli,42)
Për arritjen e nji marrëveshjeje, sidomos me familjen fisnike Dukagjini, punoi shumë ipeshkvi i Drishtit, simbas udhëzimeve të Papës, (Noli,50), ndërsa Papa Kalisti III u ba propagandisti ma i madh dhe përkrahësi ma i fortë i Skenderbeut. Për këtë, ai dërgoi Abatin e Santa Maria di Rotezo pranë Skenderbeut që të arrihej nji marrëveshje me Venedikun. Papa i ri, Piu II, kërcënoi me ekskomunikim të gjithë princët shqiptarë që nuk u bindeshin urdhnave të Skenderbeut. Dhe ma në fund, Argjipeshkevi i Durrësit, Pal Engjëlli, ndërhyni me sukses disa herë dhe pengoi luften civile në mes fisnikëve të Shqipnisë. Ndërkaq, Republika e Raguzës (sot Dubrovniku), me ndërhymjen e Vatikanit i siguroi Skënderbeut nji ndihmë për luftën e tij nga fondet e mbledhuna për kryqezaten e re në përgatitje.
Edhe Traktati i Paqes me Turqinë (27 prill 1463), nuk preku interesat e "…sovranitetit të Papës mbi Shqipninë" (Noli, 66) (Theksi im, S.R.), dhe Skenderbeu pranoi gatishmëninë e tij me i deklarue luftë Sulltanit, kurdoherë që Papa do të urdhnonte, dhe ashtu ngjau. Në nandor 1463, Papa deklaroi kryqezatën kundër otomanëve. Princat shqiptarë ngurruen me u bashkue, por Argjipeshkevi i Durrësit i bindi ata të bashkoheshin me kryqëzaten. Si rrjedhim i nji marrëdhanieje të këtillë, "…Skenderbeu u prit në Romë me madhështi nga nji numër i madh ipeshkëvijsh dhe funksionarësh të Kishës së Romës." (Noli, 68) dhe më l464, do të kunorëzohej mbret i Shqipnisë nga Papa Pius II , që vdiq papritmas, nji e drejtë ekskluzive e kreut të Kishës Katolike Romane.
Pretendimi se "…shpartallimi prej Skenderbeut i lekundjeve dhe prirjeve separatiste…u ba faktor i randësishëm për ruejtjen dhe forcimin e pushtetit të tij mbi të gjitha viset e lira dhe krijimin e nji shteti të vetëm shqiptar", (Historia, 427) tingëllon ma shumë si nji gjykim i fenomeve të mesjetës në Shqipni me ngjyra dogmatike totalitare të ditëve tona. Asht krejt e mundshme që, "…aparati shtetëror (!) (qe) ishte i shtrirë në të gjitha viset e lira shqiptare dhe vepronte, sipas ndarjeve administrative të vendit, të cilat si kudo në mesjetë (theksi im, S.R.) ishin tradicionale si ndarje krahinore (princë dhe bajraktarë, S.R.) e kishtare (dioçezë dhe famulli, S.R.)," (Historia, 429) ka qenë i përbamë nga dhe nën kontrollin e plotë të hierarkisë kishtare katolike romane, ku çdo rreth kishte ipeshkvin dhe çdo katund priftin si autoritet kishtar e civil. Si shembull kemi afirmimin e Nolit, "…popullsia ishte e terrorizueme nga frika (e sulmit turk). Skenderbeu u detyrue të kërkojë ndihmën e të gjithë ipeshkvijve për frymëzimin e popullsisë me guxim dhe shpresë." (Noli, 43)

Me vdekjen e Skenderbeut, mundësia e invadimit të Italisë u rrit shumë. Në rrethimin e kështjellës së Rozafës (Shkodër 1474), thirrja e ushtarëve turq ishte "Roma! Roma!", thirrje që tregonte synimin e tyne. Mbas ramjes së Konstantinopojës, Roma, qendra e katoliçizmit botnor, mbetej anmiku i pareduktueshem. Si rrjedhim, interesimi i Romës për Shqipninë vazhdoi për nji kohë të gjatë. "Shqipnia vazhdoi me mbijetue me burrni, si bedeni i fundit në mes turqëve invadues dhe brigjeve të Dalmacisë e ishujve italianë." (Kinross,132) Kinross shkruen se simbas nji legjende, me vdekjen e Skenderbeut, Sulltan Mehmeti thirri: "Ma në fund Europa e Azia janë të miat tani. I mjeri krishtenim! Sot ka humbë shpaten dhe mburojen e tij."(f.133)
Menjihere mbas vdekjes së Skenderbeut, oferta e Senatit venedikas - e bame me ndërmjetësinë e Argjipeshkvit të Durrësit - me marrë përsipër të drejtën e mbrojtjes së kështjellave shqiptare, kishte kusht kryesor luftën e pandërpreme kundër osmanëve, luftë që do të siguronte përkrahjen e Romës, përsa kohë që shqiptarët do të mbeteshin besimtarë të Kishës Katolike Romake.
Përfundimi se Gjergj Kastrioti-Skenderbeu personifikon nji epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, "…për mbrojtjen e tokës, të pasurisë dhe të lirisë, "(Historia, 490) asht i thjeshtësuem dhe jo i plotë, sepse lë jashtë elementin thelbësor, mbrojtjen e fesë. Noli asht ma kambëngulës: " ‘Kampioni i Krishtenimit', ai luftoi kryesisht nën urdhërat direktë të Papëve të ndryshëm dhe vetëm rastësisht nën urdhnat e Fuqive të tjera, edhe këtê vetëm kur kishte autorizimin e Papëve për nji qendrim të këtillë. Vetë Papa Piu II shkruen: "Ai (Skenderbeu) konsumoi gjithë jetën e vet tue luftue për kauzen e krishtenë."(Noli,74) (Georgius Scanderbechius…qui aetatem paene omnem in armis pro Christi nomine consumpsit…" Pius II. Europe and Asia, ch.xv, p.338). Shton Lord Kinross: "Skenderbeu shihej si nji hero pothuejse legjendar nga Perëndimi i krishtenë".(32)

Gjergj Kastrioti Skenderbeu njihet si "burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar,…i pari themelues i shtetit të pavarur shqiptar." (Historia, 491) që nga ditët e lavdishme të mbretnive iliriane të shekujve III dhe II p.K.. Por "shteti i pavarur shqiptar" i Skenderbeut, ashtu siç ka qenë rasti edhe me Ladislavin e Polonisë dhe Huniadin e Hungarisë katolike, që jetuen në të njëjten epokë, ka qenë i mbeshtetun nga e gjithë bota katolike e asaj kohe dhe ka shërbye interesat e asaj bote - ashtu siç janë projektue nga Papa i Romës - në nji përpjekje vigane me pengue përparimin e osmanëve në Europë. "Ushtar i Krishtit", "Mbrojtës i Europës", në nji Shqipni që në shekulin XV ishte pothuejse e gjitha katolike, Gjergj Kastrioti Skenderbeu ka gjetë në katolicizëm unitetin që mungonte në shoqninë shqiptare për me formue nji "shtet". Noli e përcakton me mjeshtri faktin se "Feja (katolike) shërbeu gjithashtu edhe si nji hallkë për lidhjen me botën e Perëndimit."(8) Në ato vite të devocionit të thellë fetar, "Feja ishte vetë qëllimi i jetës!" (J.M.Roberts, l77)
Bashkimi politik i Arbnisë mesjetare nga nji varg zotnimesh të princëve rivalë - ndoshta merita ma e madhe e Skenderbeut! - u arrit, për mendimin tonë, në sajë të gjuhës së folun e të përbashkët shqipe, që dalloi shqiptarët nga fqinjët, të devocionit fetar kristian (katolik e ortodoks) të popullsisë vendase, dhe sidomos në sajë të dashunisë proverbiale të shqiptarëve për "nji atdhe të lirë", koncept i papërcaktuem mirë, por që padyshim nënkupton "krahinë e lirë për të gjithë, dhe pronë e lirë për secilin", nji karakteristikë që ruhet ende edhe në ditët tona.
Për ne, breznitë e mavonëshme, trashëgimia ma e madhe e heroit tonë, asht ajo që prof. S. Skendi e përcaktonte: "Nji nxitje për ringjalljen kombëtare të shqiptarëve ka qenë glorifikimi i Skenderbeut dhe kohëve të tij…Tek Skenderbeu ata panë heroin e tyne kombëtar. Muslimanët harruen qe ai kishte luftue kundër turqëve si nji i krishtenë. Ajo që kishte randesi ishte se ai kishte qenë prej gjaku shqiptar dhe kishte mbrojtë vendin e vet…Skenderbeu u ba simboli i bashkimit, pavarësisht nga besimi fetar, dhe u krijue kështu legjenda e Skenderbeut…"(471) "Në shekullin XVI, atëherë kur Francën po e shkretonin luftrat fetare, Skenderbeu merret si shembull i bashkimit kombëtar." (Jaka,313)
Legjenda e Skenderbeut shërben edhe sot si trashëgim për themelimin e nji shoqnie tolerante fetare tradicionale, që karakterizon shqiptarët edhe në këto ditë të pasioneve të shfrenueme e shkatërrimtare fetare.


________________
Bibliografi:
1. Akademia e Shkencave e Shqiperise. Instituti i Historise, Historia e Popullit Shqiptar, I, Botime toena:Tirane, 2002.
2 . Bishop Fan Stylian Noli: George Castrioti Scanderbeg (1404-1468). International Universities Press, New York: N.Y., l947.
3. Ymer Jaka: Skenderbeu ne historiografinë frenge. Istituti Albanologjik i Prishtines: Prishtinë, 2001.
4. Lord Kinross: The Ottoman Centuries. The Rise and Fall of the Turkish Empire. William Morrow.Co. Inc: New York, 1977.
5. J.M.Roberts: A Concise History of the World. New York: Oxford Univers.Press, 1995.

Harresa ndaj Skënderbeut



Kosova mezi po i përmend heronjtë e saj, shumicat vetëm në raste të jubileve, por edhe në ato kohët e fundit shpesh po kalojnë në heshtje. Emra të shquar të historisë shqiptare, artistë që e bënë të njohur vendin tonë nëpër botë dhe plot personalitete të tjera, kanë mbetur të gjysmuar nëpër shtëpi, ose në raste "fati" në arkiva. Kohë më parë ishte përvjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar-Gjergj Kastriot Skënderbeut, dhe asnjë nga institucionet kulturore nuk u kujtua për të organizuar ndonjë aktivitet, aq më pak Ministria e Kulturës. Si duket emra të mëdhenj të kombit shqiptar po lihen në harresë e ndërsa justifikimi i zyrtareve është se nuk ka fonde apo nuk është dorëzuar asnjë kërkesë për të mbështetur financiarisht aktivitete për përvjetorin e Skënderbeut. Një absurditet i vërtetë! Edhe këta emra të rëndësishëm për historinë dhe kulturën tonë nuk po i përkujtojmë nëpër data të caktuara. Ndërkaq, gjithkush mundohet që pikërisht këta figura, t'i trajtojnë si mite të tyre. Dhe shembuj për këtë kemi plotë, nga Maqedonia që përpiqet në vazhdimësi që Nënë Terezën, por edhe Skënderbeun t’i përvetësojnë. Ndërsa ne i lëmë në heshtje, në pluhurin e harresës, një figurë të rëndësishme si e Skënderbeut. Përmasat kombëtare që përfshijnë figurën e Skënderbeut, nuk justifikon harresën institucionale që prej disa vitesh po kthehet në një traditë si duket. Në fakt edhe Shqipëria ka kaluar dje në heshtje këtë përvjetor të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Përjashtim si çdo vit bëjnë shqiptarët në Maqedoni, ku u organizuan tubime të ndryshme duke vlerësuar jetën dhe veprën e heroit të shqiptarëve. Megjithë presioneve që kanë pasur në këto jubile, shqiptarët në Shkup zhvillojnë simpoziume me personalitete të ndryshme.

Por pavarësisht harresës institucionale, pavarësisht justifikimeve vjetore të zyrtarëve, Skënderbeu përkujtohet dhe nderohet nga të gjithë qytetarët, ai është një nga figurat më të dashura për shqiptarët. Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare.

Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava. Mendohet se lindi më 6 maj 1405, u mor peng nga pushtuesit osman që në moshë 9-vjeçare. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit, natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskender. Ai nuk e harroi kurrë Atdheun e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë, Skënderbeu së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenore. U martua me të bijën e Gjergj Arianitit, në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, vdiq më 17 Janar 1468 në Lezhë.

Flori Bruqi

Janarët e krenarisë kombëtare shqiptare

Shkruan: Frrok KRISTAJ




Kastriotizmi shqiptar në vepër


Përpjekjet e popullit shqiptar në viset e tyre etnike për liri e pavarësi datojnë shumë shekuj më herët. Historia jonë është e mbushur me shumë ngjarje e data që nuk duhet të harrohen. Por, mbi të gjitha sikur dallohen datat e nëntorëve, që fillojnë me Gjergj Kastriotin, si dhe ato të janarëve, që po ashtu fillojnë Gjergj Kastriotin. Kësaj radhe do të ndalemi te ngjarjet dhe datat e janarëve të shumtë të dhembjes dhe të krenarisë sonë kombëtare.


Kastriotizmi që gjallëron edhe sot


Historia e popullit shqiptar është shumë e pasur me ngjarje të bujshme për liri e pavarësi. Të gjitha ato ngjarje sikur lidhen me emrin e kryeheroit tonë legjendar të Gjergj Gjon Kastriotit - Skënderbeut, i cili para afro gjashtë shekujve bashkoi popullin shqiptar kundër okupatorit turko-otoman dhe luftoi kundër tij.
Vepra madhore e Gjergj Gjon Kastriotit - Skënderbeut, përkatësisht kontributi i tij në çështjen shqiptare, e veçmas në themelimin e shtetit gjithëshqiptar, në themelimin e armatës shqiptare e shumëçka tjetër, por edhe kontributi i tij në mbrojtjen e vendit, në mbrojtjen e civilizimit, të kulturës e të krishterimit arbëro-evropian, bënë që Gjergji ynë i Madh të jetë i vetmi në botë që mban titullin “Atlet i Krishtit”, që atëbotë ia pat dhënë njeriu i parë i botës së krishter - papa. Ndaj, vepra e tij e madhe në nivelin gjithëkombëtar shqiptar dhe në nivelin evropian e botëror, edhe tash pas 543 vjetëve të përjetësisë, i siguroi Gjergj Kastriotit pavdekshmëri të përjetshme.


http://www.botasot.info/img/Mark%20Krasniqi_16.jpg


Në fakt, Gjergj Kastriotin - Skënderbeun e njohu tërë opinioni evropian e botëror si strateg të parë dhe për këtë atij i thurën mburrje e lëvdata shumë e shumë historianë, ushtarakë, shkrimtarë, kompozitorë, piktorë e të tjerë. Deri më tash, pra edhe pas afro gjashtë shekujsh, janë krijuar mbi 1500 vepra kapitale në gjuhën shqipe, latine, italiane, gjermane, angleze, frenge, portugeze, greke, suedeze, spanjolle e shumë të tjera. Në fakt, janë këto lëvdata e mburrje që nuk i përkasin vetëm kryeheroit tonë legjendar Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, por i përkasin gjithë popullit shqiptar, që u bashkua me të si në një trup të vetëm.
Kështu u veprua edhe me Gonxhe Bojaxhiun - Nënën Terezen, nëpërmes së cilës na njeh bota dhe për të cilën deri më tash janë shkruar disa qindra vepra të zhanreve të ndryshme dhe në gjuhë të ndryshme të botës.

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu ishte figura e vetme historike, madje jo vetëm e historisë sonë kombëtare, që njëkohësisht veproi si strateg largpamës në shumë fusha, si në bashkimin kombëtar, në formimin e vetdijes kombëtare, në shtetformim, në luftë kundër okupatorëve të kohës, në diplomaci, në ngritjen morale të ushtrisë së vet e të kapedanëve të principatave arbërore, në marrëdhëniet ndërfisnore, në kultivimin e traditave kombëtare, si të besës e ndihmës së ndërsjellë e kështu me radhë. Të gjitha këto virtyte të larta të Gjergjit tonë të madh ia patën tërhequr vëmendjen Evropës dhe botës.
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu me veprën e vet të madhe frymëzoi popullin shqiptar në kohën e tij, por edhe më vonë brez pas brezi. Vepra e tij frymëzoi për trimëri e guxim për t’u bërë ballë pushtuesve, prej atij turk, prej të cilit u dridh jo vetëm Gadishulli i Ilirisë (i Ballkanit), por edhe Evropa, e deri të ai sllav, prej të cilit po çlirohemi tash të prirë nga stërnipërit e Gjergjit të Madh, breza këta që në shpirt u fle kastriotizmi i fortë shqiptar.
Kryeheroi ynë legjendar i të gjitha kohëve të historisë shqiptare – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me heronjtë tjerë të kohës së tij, por edhe me të tjerët që u flijuan më vonë për çdo pëllëmbë toke të viseve etnike shqiptare, e të cilët e kishin në gjak ndjenjën e lirisë dhe të sakrificës, shkruan faqet më të ndritshme të historisë sonë deri më tash. Kastriotizmi që edhe sot gjallëron te çdo shqiptar frymëzoi për qëndresë, shpresë e fitore.

Ndaj, ngritja e Flamurit tonë kombëtar, që u bë së pari nga Gjergj Kastrioti më 28 Nëntor të vitit 1443 në Krujë dhe më pastaj në Vlorë, Kaninë, Deçiq, Prishtinë, Tërnoc, Ulqin e vende të tjera, paraqet kastriotizmin shpirtëror shqiptar që shpërthen sa herë e lyp nevoja. Në anën tjetër, ngritja e monumentit të Gjergj Kastriotit nëpër viset shqiptare, si në Krujë, Tiranë, në Prishtinë, Vlladimir (Mal të Zi), në Shkup, Podgoricë Ulqin, Bujanoc e qendra të tjera, paraqet kastriotizmin etnik për brezat e rinj në troje etnike shqiptare.
Kastriotizmi shqiptar, si etno-psikologji shpirtërore kombëtare e popullit tonë historikisht është i lidhur ngushtë me familjet tona, me farefiset tona, me popullin dhe me mbarë viset etnike shqiptare në Ballkan dhe kudo në mërgatën shqiptare në botë.
Dhembja dhe krenaria kombëtare

Gjallërimi i kastriotizmit shqiptar është dëshmi se përpjekjet për bashkim të popullit shqiptar, por edhe ato për çlirim kombëtar gjithmonë janë kultivuar. Historia e kombit tonë është e mbushur me ngjarje të janarëve të shumtë. Por kësaj radhe do t’i dallojmë vetëm disa prej tyre. Përveç atij kur kaloi në amshim Gjergj Kastrioti, ishte janar i kobshëm edhe ai kur okupatori serb dëboi popullatën shqiptare nga trojet e veta etnike në Toplicë, Jabllanicë, Kushumli e Prokuple. Po, ishte janar edhe kur u vra Isa Boletini, ishte janar po ashtu kur u vra edhe Plaku i Malësisë - Bajram Curri… Por ishte po ashtu janar, bile po ashtu 17 (janar i vitit 1982), kur u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishte janar edhe kur u vra Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Smajl Hajdari e Musa Hoti. Ishin dy janarë të tjerë të ftohtë (4 janar 1991 dhe 22 janar 1998) kur u rrethua nga forcat serbe familja e Jasharajve të mëdhenj të Prekazit legjendar, por ishte janar, bile data 15 (janar 1999), kur në Reçak të Shtimes u bë masakra mbi shqiptarët që i mbronin pragjet e shtëpive të veta, ngjarje kjo që tronditi botën dhe shpejtoi faktorin ndërkombëtar për mbajtjen e një Konference për Kosovën (Rambuje e Paris) dhe bindi forcat botërore të NATO-s që të shpëtojnë shqiptarët e Kosovës dhe vetë Kosovën nga okupatori serb.

Ka historia jonë kombëtare edhe shumë e shumë janarë të dhembjes, por edhe të krenarisë kombëtare, që u nxitën nga kastriotizmi shpirtëror e kombëtar dhe kështu frymëzuan dhe frymëzojnë…

T’i kujtojmë edhe disa janar...

T’i përkujtojmë disa nga ngjarjet e janarëve të dhembjes dhe të krenarisë sonë kombëtare: Më 17 janar 1468 kaloi në amshim kryeheroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, në një nga janarët e dhembjes ishte dhe ai kur Serbia okupatore dëboi popullatën shqiptare nga Toplica, Jabllanica, Prokupla e Kushumlia. Në janar u vranë Isa Boletini, Bajram Curri, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Smajl Hajdari e Musa Hoti. Ishin dy janar të tjerë të ftohtë (3 janar 1991 e 22 janar 1998) kur u rrethua familja e Jasharajve në Prekaz, por ishte dhe 15 janari i vitit 1999 kur në Reçak u bë masakra mbi shqiptarët që mbronin pragun e shtëpisë, ngjarje kjo që tronditi botën… Por ishte edhe 21 janari i vitit 2006 kur u nda nga jeta i Madhi Ibrahim Rugova, përkatësisht 11 janari kur u nda nga jeta Imzot Mark Sopi, por ishte janar edhe kur fashistat serb, në vitin 1921, masakruan popullatën e Gallapit e të Llapit, e në veçanti ata të Prapashticës...

Urdhëri: Të eliminohet komanda e gardistëve


Të identifikuara 15 grupe pesëshe të sulmit mbi Kryeministri. Të organizuara, të trajnuar, të paguar me euro dhe të droguar me droga sintetike. Komanda nga jepeshin urdhërat qëndronte tek të ashtuquajturat ''dy kulla''
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha zhvilloi dje një seancë dëgjimore me anëtarët e Komisioni Parlamentar Hetimor "Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit
kushtetues në datën 21 janar 2011". Gjatë dëshmisë së tij, përreth 120 minuta, ministri Basha ka dhënë informacione dhe detaje lidhur me situatën dhe zhvillimet para, gjatë dhe pas puçit të shtetit, më 21 janar.
***
Së pari, iu falënderoj për ftesën që më keni bërë për t'u paraqitur para këtij komisioni. Iu siguroj se paraqitja ime këtu është vetëm një aspekt që dëshmon vullnetin e plotë, të gjithanshëm dhe të pacenueshëm të dikasterit që unë drejtoj dhe timin personalisht për t'iu përgjigjur të gjitha kërkesave të këtij Komisioni Hetimor, me qëllim që të ndihmoj në zbardhjen e rrethanave, fakteve para, gjatë dhe pas 21 janarit. Duke hedhur dritë mbi mënyrën se si jo vetëm institucioni që unë drejtoj, por edhe institucione të tjera të vendit, kanë vepruar në raport me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e vendit, si dhe në raport me të gjitha aktet e tjera ligjore dhe nënligjore për të përballuar situatën para, gjatë dhe pas 21 janarit. Më lejoni ta nis këtë dëshmi para jush duke thirrur në vëmendjen tuaj dhe të gjithë qytetarëve çastin tronditës të fillimit të dhunës më 21 janar. Çdo qytetar dhe kanë qenë me qindra dhe mijëra që kanë ndjekur këtë ngjarje nëpërmjet dhjetra e dhjetra mediave të pranishme në vendngjarje, por po kështu ekspertë, gazetarë, diplomatë, i gjithë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar mban mend fare mirë dhe kujtdo që i është mjegulluar kujtesa mund të rikujtojë, duke parë pamjet filmike të nisjes së ngjarjes të 21 janarit. Ndonëse ishte njoftuar një tubim nga një forcë politike, nga Partia Socialiste zyrtarisht, ndonëse ky tubim kishte marrë përmasa kombëtare i angazhuar drejtpërdrejt në këtë dhe vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, masa e njerëzve që sapo u vendos para rreshtimit të forcave të rendit nuk u angazhua me asnjë parullë politike. Nuk pati asnjë fjalim. Por menjëherë nisi dhe mesazhi i vetëm i 21 janarit, dhuna. Menjëherë pas mbërritjes përpara kordonit policor, pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë provokim, elementët kriminalë të gjendur të grumbulluar këtu para, nisën goditjen e forcave të rendit. Në fillim me çadra, hunj, mjete të tjera të forta që i mbanin në duar dhe pastaj dhuna u përshkallëzua. Vetëm pak minuta pas nisjes së goditjeve me mjete të forta, që tashmë i kishin sjellë, nisën të lëvizin pllakat e bulevardit dhe të godasin me furi mbi rreshtat e punonjësve të rendit, çka kërkohet menjëherë nisjen e planit të masave, që konsistonte në ato momente, largimin e policisë së rendit të veshur vetëm me uniformën e ditës dhe daljen përpara të forcave të rendit të veshur me mjete mbrojtëse. Dhuna u përshkallëzua hap pas hapi. Në valën e parë të dhunës mbetën të plagosur dhjetra e dhjetra efektivë të Policisë së Shtetit, duke përfshirë këtu drejtues të lartë, të cilët u goditën në kokë, gjymtyrë dhe trup me mjete të forta, duke përfshirë edhe gurë të bulevardit. Dhuna vazhdoi përshkallëzimin edhe pas ndërhyrjes së forcave të ndërhyrjes së shpejtë, e cila pati një rezultat të shkurtër kohor të shpërndarjes, por edhe menjëherë të rigrupimit të masës së dhunshme, e cila e gjendur përballë një qëndrimi të vetëpërmbajtur të Policisë së Shtetit, jo vetëm që nuk iu përgjigj thirrjeve të drejtuesve për të shmangur goditjet ndaj efektivave në detyrë, por vazhduan të godasin efektiva të mbrojtur dhe të pambrojtur. Në këmbë dhe të rrëzuar tashmë nga mjetet e forta me të cilat ata godisnin.
Grupe të droguarish me drogë sintetike, komandoheshin për të ushtruar dhunë
Selia e Këshillit të Ministrave u mbajt e rrethuar nga qindra huliganë dhe banditë të pajisur jo vetëm me mjete të forta tashmë, por siç është evidentuar jo vetëm nga veprimtaria e policisë, por dhe nga media, të armatosur me lëndë plasëse, bomba molotov, armë zjarri si dhe mjete të tjera goditëse. Nga informacionet paraprake dhe nga analiza që vazhdon t'i bëhen ngjarjes nga Policia e Shtetit, u identifikuan 10-15 grupe pesë vetëshe, të cilët sipas analizës paraprake rezultojnë të mirorganizuar, të trajnuar, në raste të veçanta të droguar me drogë sintetike dhe me detyra specifike, të cilat jepeshin nga linja të qarta komande, kontrolli dhe komunikimi në sheshin përballë selisë së Këshillit të Ministrave dhe nga çka rezulton të jetë qendra e kontrollit të veprimit apo shtabi i sulmit, i cili vepronte në ndërtesën përballë selisë së KM, e njohur ndryshe edhe si dy kullat.
Në mesin e turmës persona me precedentë penal, të armatosur me armë zjarri
Në mesin e turmës spikasin një numër i madh personash me precedentë penalë, të armatosur me armë zjarri dhe lëndë plasëse, persona të dënuar më parë për krime të dhunshme, duke përfshirë edhe krime të kryera me armë zjarri në periudhën 1997-2011. Për 5 orë forcat e rendit dhe Garda e Republikës përballuan me vetëpërmbajtje maksimale përshkallëzimin e organizuar, koordinuar dhe shpalosur me efektivitet dhe operacionalitet të plotë nga një turmë, e cila ishte lart të qenit kaotike, e organizuar, e drejtuar dhe e komanduar. Pas 5 orësh sulmesh ndaj Këshillit të Ministrave, pas thyerjes së perimetrit të sigurisë, shkallmimit të derës, tentativës për të përdorur mjete motorike për të shkallmuar barrierën e fundit, goditjes së punonjësve të policisë dhe nxjerrjes së një pjese të mirë të efektivit jashtrë funksionit, goditjes së vazhdueshme të punonjësve të Gardës së Republikës brenda territorit, si rezultat i forcave të rezistencës së forcave të rendit dhe Gardës së Republikës ky operacion sulmi dhe rrethimi i Kryeministrisë mori fund. Policia e Shtetit sipas planit të masave ndërhyri dhe arrestoi në flagrancë dhjetra e dhjetra nga këta persona, në një bilanc përfundimtar të ditës, në fillim u bë fjalë për një viktimë dhe në fund për tre të vdekur gjatë sulmit 5 orësh për të marrë me forcë selinë e Këshillit të Ministrave.
10 ditë para 21 janarit, opozita thirrje për protesta të dhunshme
Dua të ndalem në natyrën e paramenduar të dhunës së ushtruar në 21 janar. Dua të ndalem në thirrjet e bëra veçanërisht 10 ditët para dhunës së 21 janarit. Thirrje të drejtuara nga personat politikë më të lartë të subjektit Partia Socialiste dhe aleatëve të saj. Thirrje për t'u ngritur mbi rendin kushtetues, thirrje që Kryeministri Berisha duhet të pranojë një zgjidhje politike ose do të ecë mbi të vdekur, do ta shihni se çdo t'iu bëj më datën 21, thirrje këto nga platforma të Parlamentit shqiptar, por edhe nga informacionet e mbledhura nga policia ditë më përpara, ku persona me pozita të veçanta në linjat e komunikimit midis udhëheqësve së kësaj përpjekjeje të dhunshme për të marrë institucionet e vendit dhe ushtarëve, që ekzekutuan këtë përpjekje të dhunshme në datë 21, janë shprehur se në 21 do të djegim Këshillin e Ministrave. Se më 21 do të marrë fund Kryeministri etj. Thirrjet për t'u ngritur mbi rendin kushtetues, thirrjet për të përdorur dhunë mbi institucionet legjitime të vendit janë vetëm një aspekt i natyrës së paramenduar të dhunës. Policia e Shtetit, në mënyrë operative mblodhi dhe grumbulloi informacione të shumta, të cilat sugjeronin se më datë 21 janar do të kishte skenarë të ndryshëm, të cilët të gjithë konvergonin në një pikë të vetme, provokimin e forcave të rendit, justifikimin e dhunës mbi ta dhe mbi institucionin që mbronin.
Marrja e selisë së Kryeministrisë synohej përmes asgjësimit të efektivave të rendit
Qëllimi kryesor i operacionit të janarit ishte marrja me forcë e Këshillit të Ministrave pas nxjerrjes jashtë loje të efektivave të rendit, pas nxjerrjes jashtë funksionit të efektivave të Gardës së Republikës dhe objektivi dytësor në pamundësi të marrjes së Këshillit të Ministrave me forcë, shkaktimi i paevitueshëm i viktimave dhe përdorimi i tyre si kauzë për të vazhduar përshkallëzimin e dhunës dhe veprimeve kriminale, me qëllim shkaktimin në vend të një gjendjeje anarkie për të justifikuar rrëzimin e kësaj qeverie të zgjedhur, zëvendësimin e saj me një tjetër, kombinuar kjo me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Si kolegu juaj deputet, por edhe si ministër i Brendshëm kam bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme nga foltorja e Parlamentit shqiptar dhe nga foltoret e Komisionit të Sigurisë Kombëtare për distancimin e Partisë Socialiste nga kontigjenti kriminal. Kjo pasi asociimi i elementëve kriminalë dhe përzierja e tij në aksionin politik të PS-së është evidente prej më shumë se një viti e gjysmë. Të gjithë kujtojnë aktet e prillit dhe majit të vitit të kaluar, jo vetëm bllokimin thuajse tre javor të bulevardit, por edhe tentativës së bllokimit të akseve kombëtare dhe kundërshtimin me dhunë të forcave të rendit në detyrë, tentativën për të goditur këto forca vetëm pak ditë para zhbllokimit të bulevardit. Angazhimi i kontigjentit kriminal në të gjitha këto veprimtari i personave me precedentë apo të dënuar për krime të dhunshme. Angazhimi i personave dhe ndjekja operative e policisë, si krimet e rënda, trafik droge, trafik armësh, bashkëpunim në vrasje dhe tentativë vrasjeje. Komunikimi me kriminelë të rrezikshëm brenda dhe jashtë burgjeve të vendit, brenda dhe jashtë vendit, ka qenë një konstante e informacionit operativ të Policisë së Shtetit në veprimtarinë dhe aksionin politik për të ndërthurur me elementë kriminalë PS-në. Në këtë periudhë kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore dhe aspak propagandë politike, që unë në çdo rast i kam bërë thirrje në Parlament Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj të distancohet nga kontigjenti kriminal. Megjithatë në kundërshtim me këto thirrje, ngjarjet duken se kanë ecur në krah të kundërt. Ka qenë një ditë dramatike, një thyerje historike me historinë e Shqipërisë moderne pas viteve '90, një ditë ku u tentua që me forcë të përmbysej rendi kushtetues, të asgjësohej ekzistenca e forcave të rendit dhe Gardës së Republikës, të pushtohej me forcë selia e Këshillit të Ministrave dhe pas kësaj të sigurohej pjesa tjetër e planit të anarkisë dhe rrëzimit të qeverisë së zgjedhur, nëpërmjet dhunës. Kjo, pra, si mënyrë veprimi synonte të arrinte këtë rezultat, largimin e qeverisë së zgjedhur, jashtë dhe pavarësisht zgjedhjeve elektorale dhe instrumenteve të tjerë kushtetues të vendit. Të impononte me forcën jo të tankeve, as të njësive të armatosura, por të njësive të banditëve të paguar, droguar, trajnuar, pajisur me një shtab të mirëfilltë dhune, të realizonte me dy fjalë një puç të mirëfilltë shteti.
Policia dhe Garda kishte marrë masa për garantimin e një tubim paqësor
Gjatë rrethimit dhe sulmit ndaj Këshillit të Ministrave për 5 orë më 21 janar, i gjithë kontigjenti i përdorur rezulton jo vetëm kontigjent kriminal, por dhe në tërësi kontigjent pa lidhje organike me PS-në. Janë evidentuar pjesëmarrës dhe organizatorë të protestës në një perimetër dhe distancë të largët nga teatri i veprimeve të grupit kriminal dhe goditja e KM. Është e qartë se kemi të bëjmë me një operacion të mirorganizuar, detajet po i zbardh hetimi. Unë dua të ndaj me ju në këtë komision disa prej këtyre detajeve. Fakti se pas ndalimit të dhjetra e dhjetra të ndaluarve iu janë gjetur shuma standarde në xhep në vlerë afro 200 mijë lekë, kryesisht në prerje euro, vërteton se grupi që mori pjesë në goditjen, sulmin dhe rrethimin ndaj Këshillit të Ministrave ishte një grup i paguar. Ndonëse që të merren veprimet e tjera hetimore për të vërtetuar informacionin operativ për përdorimin e drogave sintetike dhe drogave të tjera, ky proces është akoma në vazhdim midis Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit. Plani i masave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës ka qenë i plotë. Në përputhje me ligjet e shtetit të dy këto organizma, duke u bazuar në informacionet e marra, hartuan një plan të detajuar masash për datën 21 janar. Ky plan kishte objektiv parësor garantimin e një tubimi paqësor dhe garantimin e rendit të sigurisë dhe mbrojtjen e rendit kushtetues. Ky plan iu është vënë në dispozicion juve të nderuar zotërinj të komisionit, por unë dua të veçoj disa momente. Së pari, plani shtrihej në qarqe dhe në qendër. Ka qenë i detajuar edhe ka përdorur të dhënat operative edhe për të identifikuar personat me precedentë të mëparshëm për ndalimin e tyre. Ky plan masash parashikonte edhe bashkëpunimin me Prokurorinë, të cilës sikundër ngjarjeve të mëparshme i është kërkuar të vendosë në terren prokurorë me qëllim që të jenë aty për të kryer veprimet e çastit, arrestimet në flagrancë etj.
SHISH nuk kishte asnjë informacion specifik për demonstratën e dhunshme
Paraprakisht në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera ligjore, Policia e Shtetit ka kërkuar informacion nga SHISH me shkresë, SHISH i është përgjigjur sipas përgjigjes që ju është bërë publike, duke mos dhënë asnjë informacion specifik mbi ngjarjen e 21 janarit. Më lejoni të ndalem në një pjesë tjetër të grushtit të shtetit. Rreth orës 17:00 morëm infomacione se ka një viktimë, e cila ndodhet në spital. Në përfundim të rrethimit të Kryeministrisë për ta marrë atë me forcë erdhi informacioni se bëhej fjalë për tri viktima të vdekura dhe një person në gjendje të rëndë shëndetësore.
Prokuroria përjashtoi Policinë Kriminale nga hetimi i 21 janarit
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni dhe pas thirrjes që i është drejtuar Prokurorisë për të nisur hetimin mbi këtë çështje janë njoftuar nga policia se, Prokuroria ka marrë në dorë hetimin dhe Policia Kriminale nuk do të jetë pjesë e këtij hetimi, por do të ndihmojë sipas ligjit çdo aspekt të punës së Prokurorisë. Pas situatës së krijuar jam i sigurtë se në çdo familje shqiptare që e përcolli ngjarjen nëpërmjet televizionit, pas situatës së krijuar në mesin e forcave të rendit dhe forcave të Gardës së Republikës të cilët u gjendën për 5 orë në sulmin e vazhdueshëm të kontigjentit kriminal, që kishte për qëllim marrjen me forcë të KM, në orën 01:30 minuta kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mbajti një konferencë për shtyp, ku kërkoi që të nesërmen të protestohej kundër horrave të gardës. Natyrisht deri në orën 01:30 me daljen e kryetarit të Partisë Socialiste dhe thirrjes së tij me luftën ndaj "horrave të gardës", ne gjendeshim vetëm para një tentative unike edhe në Europën e viteve të fundit, për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues të një partie politike dhe askujt në këtë moment nuk i shkonte ndërmend fjala puç apo grusht shteti. Ishte një moment dramatik, moment ku pas paralajmërimeve të qarta publike, zoti Rama kishte vënë në jetë planin e përdorimit të dhunës dhe mjeteve të dhunshme për të marrë pushtetin. Të nesërmen në orën 6 të mëngjesit kam marrë në telefon drejtuesit e policisë, për t'i pyetur ata për gjendjen në vend. Më rezultoi se gjendja në vend ishte e qetë, posaçërisht në Tiranë dhe qytete të tjera, policia menjëherë pas rrëzimit të rrethimit të Kryeministrisë kishte marrë masa të posaçme jo vetëm për shoqërimin e elementëve të dhunshëm që morën pjesë në këtë tentativë, por dhe për kontrollin e çdo pjese të territorit, me qëllim shmangien e akteve vandale mbi pronën private dhe qytetarëve, akte të cilat nuk kishin munguar në pararendje të sulmit të Kryeministrisë, a dhunë mbi qytetarët dhe pronën private. Drejtuesit e lartë të policisë me të cilët mora kontakt, informuan se nuk ka patur ngjarje të jashtëzakonshme dhe se situata në gjithë territorin e vendit paraqitej nën kontroll.
Rama paralajmëroi protestë kundër "horrave të gardës"
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më informoi se në orë 6:15 minuta e kanë informuar se në dhomën operative të Policisë së Shtetit disponon 6 urdhra ndalime të Prokurorisë për drejtuesit e gardës. E pyeta se për çfarë punonjësish bëhej fjalë dhe më tha se do të ma jepte këtë infotrmacion sapo të dilte në zyrë. Në orën 6 e 30 minuta më njoftoi se urdhër ndalimet ishin për komandantin e gardës dhe të 5 komandantëve operativë të gardës. Pra, për të gjithë zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. I ndodhur para një situate të tillë, ku nga njëra anë Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kishin përballuar me sukses të plotë, por edhe me kosto një sulm ndaj Këshillit të Ministrave i ndodhur para një situate, ku i kishim bërë thirrje Prokurorisë të hetonte jo vetëm mbi tre viktimat, por të gjithë rrethanave, madje iu kishim vënë në dispozicion gjithçka, pas thirrjes vetëm 4 orë më parë të kryetarit të PS-së, se të nesërmen do të kishte një demonstratë për "horrat e Gardës" nuk mund të mos shprehja habinë, shqetësimin tim, të cilin e konsiderova në atë moment të paktën të nxituar. Eliminimi i komandës operative të Gardës do të thotë jo vetëm në atë situatë të tensionuar, por në çdo situatë demoralizim i plotë i gjithë objektivit është një sinjal i qartë, që i citohet punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. Çfarëdo që të jetë situata, kini kujdes, sepse jo vetëm ju zyrtarë të thjeshtë të Policisë dhe Gardës, por, duke filluar nga komanda juaj do të ndaloheni. Ky ishte një mesazh shkatërrimtar, jo vetëm për ata që ruajnë rendin dhe sigurinë dhe institucionet kushtetuese, por për çdo efektiv komisiariati në çdo komisariat të vendit, një situatë, e cila e kombinuar me situatën e kërcënimit të vazhdueshëm të Edi Ramës, i cili vetëm 12 orë përpara kishte treguar se ishte i vendosur të përdorte mjete të mundshme për të rrëzuar institucione kushtetuese të vendit ishte tërësisht e papranueshme.
Prokurorisë iu dha garancia për të marrë në pyetje çdo drejtues të Gardës
Prita orën 8 të mëngjesit dhe pak minuta më vonë bëra një thirrje telefonike me Prokuroren e Përgjithshme të vendit, i shpjegova situatën shqetësimin tim dhe i thashë se kjo është një situatë potencialisht eksplozive, e cila mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës, duke nxjerrë jashtë funksionit pjesë të tëra të Gardës së Republikës dhe duke lëshuar sinjale demoralizuese për mbrojtësit e shtetit. I kërkova sqarime, duke i thënë se në asnjë skenë tjetër nën hetim nuk ka patur aq shumë kamera, duke i thënë se, mesa duket hetimi balistik kishte shumë gjasa të përfundonte me sukses, armët e përdorura nga Garda ishin të gjitha në funksion të Prokurorisë të gjithë urdhrat e dhëna janë të regjistruara në qendrat operative përkatëse dhe se ishte e dëmshme që e gjithë komanda operative të ndalohej, ndërkohë që në funksion të hetimit këto mjete mund të shërbenin për një ngushtim të hetimit, përsa i përket nevojave për të shoqëruar dhe marrë të gjithë personat përkatës. Prokuroria e Përgjithshme më informoi se do të merrte kontakte me prokurorët e çështjes dhe do të lidheshim përsëri. 50 minuta më vonë më mori në telefon dhe në një bisedë relativisht të shkurtër më komunikoi se duhet të pyetej secili prej tyre. I thashë se, secili prej tyre është në dispozicion të pyetet, por ndalimi i tyre në këtë situatë, ne nuk e dimë se çdo ndodhë, se është paralajmëruar një demonstratë kundër horrave të Gardës është absolutisht i dëmshëm për veprimtarinë e Gardës dhe në dukje i panevojshëm, sepse të gjithë komandantët ishin në krye të detyrës. I thashë se rreziku i arratisjes së tyre siç thuhej në urdhër ndalimet, faktikisht nuk duhej të mbivlerësohej një situatë e tillë. Pas kësaj, informova Kryeministrin e vendit dhe kërkova një takim me Presidentin e Republikës, të cilin e vura në dijeni mbi këtë çështje, por edhe mbi çështjen tjetër të mosardhjes së informacionit nga SHISH për Policinë e Shtetit mbi ngjarjen e 21 janarit.
Deklaratat e Ramës kundër Policisë dhe Gardës alarmuan përfaqësuesit diplomatik
Rreth orës 12, ndërkohë që tensioni vazhdonte të rritej pas deklaratave pothuaj çdo orë të kreut të PS-së, Edi Rama dhe personave të tjerë dhe i mbetur pa asnjë përgjigje për këtë kërkesë, u detyrova të kontaktoj 4 ambasadorë përfaqësues të shteteve anëtare të NATO-s dhe t'i informoj mbi situatën si dhe t'iu kërkoj atyre mendimin e tyre mbi këtë çështje. Në mënyrë unanime dhe konsensus të plotë më thanë se, kërkesa vetëm disa orë pas deklaratës së Edi Ramës për protestë kundër horrave të Gardës duket pak e nxituar dhe se ndanin shqetësimin mbi efektin që kjo do të kishte mbi strukturat e forcave të Gardës dhe Policisë së Rendit dhe përfundimisht mbi efektin që kjo do të kishte mbi situatën e rendit dhe qetësisë në vend dhe rendit dhe sigurisë së institucioneve kushtetuese.
Prokuroria kërkoi ndalimin e gardistëve, një ditë para protestës së PS, më 28 janar
Pas disa përpjekjesh dhe pas vendimit të SHBA-ve për të ndihmuar fillimisht me ekspertë dhe pastaj me prokurorë hetimin e plotë të gjithanshëm të 21 janarit, pavarësisht anulimit të aktiviteteve politike nga mazhoranca dhe në faqe të kërcënimit të vazhdueshëm për të vazhduar aktivitetet masive politike, pavarësisht këshillave të ndërkombëtarëve për t'i ndaluar ato, u kërkua mundësia e një rrugëdalje përsa i përket marrjes në pyetje të 6 komandantëve të Gardës. Mundësi për të cilën ne ramë dakord menjëherë, u ra dakord pranë informacionit tonë dhe me ndërmjetësimin e një vendi partner në NATO, që të 6 komandantët të pyeteshin dhe të riktheheshin në detyrat e tyre. Pavarësisht paraqitjes së 6 komandantëve mbi 5 orë në ambientet e Drejtorisë së Qarkut të Policisë në Tiranë, pala tjetër refuzoi të marrë deklarata me shkrim dhe insistoi në ndalimin e pjesshëm të personave të paraqitur. Kjo ndodhi një natë para protestës së njoftuar të 28 janarit.
Janë refuzuar përgjime për persona të dyshuar si kontigjentë kriminalë
Kemi të bëjmë me një seri veprimesh dhe mosveprimesh të institucioneve të caktuara të vendit para gjatë dhe pas sulmit të dhunshëm dhe përpjekjes për të marrë me forcë godinën e Kryeministrisë, a është kjo një seri rastësisht absurde apo është pjesë e një plani të mirëfilltë konspiracioni për të mbështetur nëpërmjet veprimeve apo mos veprimeve aksionin kriminal dhe objektivat e tij të puçistëve të 21 janarit? Janë refuzuar përgjime për persona të dyshuar si kontigjentë kriminalë që vepronte në përputhje me interesat e këtij shtabi puçistësh muaj e muaj përpara. Nuk kanë ardhur prokurorë atë ditë, pavarësisht se janë kërkuar. SHISH nuk ka dhënë informacion dhe deri më sot, nuk ka patur as edhe një veprim as në bazë të referimit të Policisë së Shtetit dhe as kryesisht ndaj organizatorëve dhe frymëzuesve të dhunës siç janë dëgjuar dhe vazhdojnë të dëgjohen sot në mediat e vendit që bënin thirrje për veprime antikushtetuese anti-ligjore dhe të dhunshme ndaj institucioneve. Unë besoj se është roli i këtij Komisioni Hetimor të zhbirilojë deri në fund veprimtarinë e çdo institucioni mbi bazë faktesh, provash të shohë nëse këto veprime kanë qenë në përputhje me ligjin dhe të shohë se si bashkëveprojnë veprimet e tyre në momente të caktuara me dhunën dhe përpjekjen për të marrë me dhunë selinë e Kryeministrisë si dhe përgatitjet përpara dhe situatën pas kësaj përpjekje të dhunshme të 21 janarit. Kam besim të plotë, se me faktet që iu janë vënë në dispozicion por edhe fakte të tjera që ju keni vendosur të mblidhni nëpërmjet veprimtarisë tuaj, marrjes së deklaratave, marrjes së informacionit dhe mbledhjes së fakteve në të gjitha mënyrat e format e garantuara në Kushtetutë do të zbardhin përgjigjen e pyetjes që unë sapo shtrova dhe se gjithë këto mosveprime dhe veprime janë një rëndësi absurde apo janë pjesë e një plani për të arritur një rezultat politik me veprime të dhunshme antikushtetuese dhe antiligjore, dhe jashtë kornizës së zgjidhjeve dhe instrumenteve të tjera kushtetuese të vendit. Që prej 21 janarit pozita e shqiptarëve ka ndryshuar jo vetëm në territorin e Shqipërisë, por në të gjithë rajonin .Vetëm pak javë më përpara, faktori shqiptar ka qenë më i fortë dhe i sigurtë se kurrë. Shqipëria, anëtare në NATO, qytetarët shqiptarë lëvizin të lirë në zonën Shengen. Kosova është e pavarur dhe perspektiva evropiane është jo vetëm aspirata, por me sa duket dhe një realitet i frikshëm për çdo shqiptar në Ballkan. Që prej 21 janarit, situata është e ndryshme jo vetëm në Tiranë, por dhe në Prishtinë, Maqedoni, Mal të Zi, po mesa duket në rrethana të ndryshme dhe për shkaqe të ndryshme në të njëjtën kohë faktori shqiptar ndodhet nën goditje të vazhdueshme. Ndoshta dhe kjo është rastësi dhe nuk jam këtu për të spiunuar idenë e një konspiracioni antishqiptar, por të paktën jam këtu për të shprehur vullnetin tim si anëtar i maxhorancës si dhe për t'i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë pavarësisht bindjeve të tyre politike, gjinisë, moshës, statusit shoqëror apo social, të jemi të sinqertë dhe të mos lejojmë asnjë forcë sado të errët, aq më pak sado të izoluar të zhbëjë arritjen e deritanishme dhe të kërcënojë me dhunën dhe mjetet e ndryshme të ardhmen e çdo fëmije shqiptar të prindërve të tyre dhe prindërve të prindërve të tyre.

2011/02/01

Presidenti prof.dr.Bamir Topi thotë se më 21 janar nuk duhet të derdhej gjak shqiptari!

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi u drejtoi sot një mesazh qytetarëve shqiptarë lidhur me situatën e fundit politike në vend.






"Dëshiroj të ndaj me ju mendimet, ndjenjat, por sidomos shqetësimin e brengën e madhe mbi të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë të dashur!
Jam shumë i bindur se të gjithë e duam Shqipërinë më të mirë, më të bukur, më të qetë dhe më të begatë: si një atdhe ku dashurohet e tashmja dhe besohet në të ardhmen, si një familje ku respekti dhe nderi mishërojnë themelet e saj, si një tokë ku historia ka brezuar trimërinë dhe krenarinë e kombit, si një shoqëri ku kodet e vlerës, moralit dhe ndershmërisë kthehen në mit, si një demokraci ku çdo njeri është i lirë dhe ku liria është e shenjtë, si një shtet ku qytetarët dhe shtetarët janë të barabartë përpara drejtësisë dhe ligjit.
Por jam më shumë i bindur se kjo Shqipëri bëhet ashtu si ne e duam, vetëm po të qëndrojmë të bashkuar në këtë qëllim, vetëm po të dëgjojmë me urtësi e mençuri njëri-tjetrin, vetëm po të pranojmë e respektojmë dallimet tona dhe mbi të gjitha vetëm në se politika vihet në shërbim të qytetarëve. Në të kundërtën do të rrëzohemi, do të mbetemi mbrapa dhe Shqipëria demokratike, e lirë dhe evropiane do të vazhdojë të mbetet një ëndërr e paralizuar për qytetarët, ndërsa për politikanët një kalë-beteje i pashtershëm.
21 janari nuk duhet të ndodhte në Shqipërinë e shekullit të XXI! Më 21 janar nuk duhet të derdhej gjak shqiptari! Më 21 janar nuk duhet të kishte viktima, as edhe të plagosur dhe të dhunuar! Më 21 janar nuk duhej të kishte lotë të nënave, grave, fëmijëve dhe fytyra pa shpresë për të ardhmen! Më 21 janar nuk duhej të kishte sulme ndaj institucioneve e as dhunim të ruajtësve të tyre! Më 21 janar nuk duhej të shkelej ligji! Më 21 janar u shkel rëndë ligji.
Në një vend demokratik shkelja e ligjit dënohet dhe shkelësit e tij, cilëtdo qofshin ata, ndëshkohen. 21 janari errësoi shoqërinë dhe demokracinë shqiptare, prandaj kërkesa për ta zbardhur dhe nevoja për transparencë ligjore të saj është përparësi e shtetit, drejtësisë, shërbimeve të inteligjencës dhe organeve të rendit e ruajtjes së tij. Por transparenca e shpejtë kërkon një bashkëpunim dhe respekt reciprok të të gjitha këtyre hallkave, qartësisht të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë. Një vend quhet demokratik jo sepse ka dhe ka zgjedhur apo ka krijuar Prokurorinë, Gjykatat, Shërbimet Inteligjente dhe Policinë e Shtetit, por sepse në praktikën e tyre, të sanksionuar me ligj, janë sa të pavarura aq edhe të ndërvarura, në punën e tyre për të siguruar rendin dhe qetësinë e qytetarëve, janë sa të lira aq edhe të detyruara t’i shërbejnë njëri-tjetrit, janë sa përgjegjëse aq edhe të barabarta përpara ligjit dhe shtetit ligjor. Një shtet ligjor, mbetet i tillë kur transparenca dhe bashkëpunimi i këtyre hallkave nuk pengohet, cilatdo qofshin motivet e saj, dhe drejtësia vendoset.
Në emër të qytetarëve të Shqipërisë kërkoj angazhimin, përkushtimin e Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës për zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje! Në emër të Kushtetutës dhe të ligjit kërkoj bashkëpunimin e menjëhershëm, të pakushtëzuar e profesional të këtyre strukturave për të bërë transparencën dhe lehtësuar gjykimin e pavarur të shkaqeve dhe pasojave të kësaj dite të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët! Të mos harrojmë se padrejtësia diku, është kërcënim për drejtësinë gjithëkund!
Në një vend demokratik shteti përbëhet nga një grup institucionesh legjitime që mbajnë rendin dhe i shërbejnë qëndrueshmërisë e të ardhmes së shoqërisë, sanksionuar qartë në Kushtetutën e tij pluraliste. Nga kjo pikëpamje Kushtetuta jonë ndan qartësisht pushtetet, zgjedhjen dhe kompetencat e tyre duke respektuar pavarësinë dhe fushën e funksionimit të tyre. Sot më shumë se asnjëherë tjetër, në procesin e zbardhjes dhe të analizës së 21 janarit, pushtetet në Shqipëri, duke respektuar pavarësinë, detyrimet dhe kompetencat e tyre ligjore, janë të mirëpritur të japin vlerësimet dhe kontributin e tyre. Pesha dhe presioni i pushteteve ndaj njëri-tjetrit e vonon dhe kompromenton pavarësinë e analizës, mendimit dhe gjykimit të pavarur të ngjarjes dhe aktorëve të saj. Kjo është mënyra e vetme për të lehtësuar zbardhjen e pavarur, gjithëpërfshirëse dhe profesionale dhe për të nxjerrë përgjegjësitë politike dhe ligjore që shkaktuan viktima, të plagosur, dhunë, cënim të rendit kushtetues, shkatërrim të pronës publike e private dhe shkelje të të drejtave të njeriut më datën 21 të muajit janar.
Por kjo ngjarje ka nevojë sidomos për një analizë dhe transparencë politike. Ajo do të na ndihmojë të kthjellojmë mendjet, të qartësojmë interesat dhe të bashkërendojmë veprimet që Shqipëria të dalë nga ky qerthull vicioz politik, në të cilin ndodhet.
Askush nuk mund të mohojë sot që Shqipëria po përjeton një nga krizat politike më të vështira të tranzicionit tonë demokratik. Që në fillimin e kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë ka funksionuar në të shumtën e rasteve gjysmë-plot apo gjysmë-bosh, duke cënuar mekanizmin e funksionimit pluralist të një tribune ku sytë, mendjet dhe interesat e qytetarëve presin të gjejnë zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre.
Ka po aq kohë që debati parlamentar pluralist është spostuar në rrugë, në tribuna, në foltore partish, në studio televizive, gazeta të varura apo të pavarura, duke harruar detyrimin politik dhe përgjegjësinë qytetare që partiakët apo politikanët bëhen deputetë apo ligjëvënës nëpërmjet zgjedhjeve, për t’u shërbyer atyre në procesin e ligjëbërjes sa më të mirë për shoqërinë dhe jo për t’u ofruar atyre arena betejash dhe skena politike të padenja dhe të pavlera për një vend dhe shoqëri të civilizuar. Kjo mungesë e theksuar e përgjegjshmërisë politike dhe legjislative ka vonuar reformat e rëndësishme që ne duhet të kryejmë, ka shkaktuar pengesa në plotësimin dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ka ndikuar negativisht në procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Ka fatkeqësisht po aq kohë që opozita politike dhe mazhoranca në Shqipëri qëndrojnë aq larg në pozicionet e tyre politike sa bashkëpunimi, ndërveprimi dhe dialogu në interes të vendit duket shumë i largët, edhe sot mbas 21 janarit. Jam shumë i shqetësuar mbi mungesën e deritanishme të komunikimit dhe të dialogut politik mes dy forcave kryesore politike. Mendoj dhe shpresoj se ngjarja tragjike dhe pasojat e saj negative për fatet e vendit dhe të demokracisë do të ndërgjegjësojnë, përgjegjësojnë mendjet e nxehura të politikës mbi domosdoshmërinë e qetësimit të situatës, gjetjes së kompromisit dhe zgjidhjes së konfliktit politik që po e mban pezull integrimin e vendit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij.
Unë bëj thirrje edhe një herë sot për gjetjen sa më parë të kompromisit politik si rruga e vetme e domosdoshme për të nxjerrë vendin nga situata e vështirë dhe perspektiva e munguar në të cilën ndodhet! Koha nuk pret! Ajo kërkon që interesat e qytetarëve, të cilët me të drejtë presin një jetë më të mirë, të vendosen mbi interesat e pushtetit dhe të karrierës politike të gjithësecilit. Historia do ta provojë këtë. Gjuha e urrejtjes dhe përshkallëzimi i saj si ndaj kundërshtarëve politikë ashtu edhe ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, nuk tregon as përgjegjësi për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, as vullnet politik për të hedhur hapin e arsyeshëm që kërkohet sot nga interesat kombëtare e as dëshirë për të hetuar e zbardhur në mënyrë të pavarur ngjarjen tragjike të 21 janarit. “Mos urreni! – ka thënë Martin Luter King, – Ajo është një barrë tepër e rëndë për t’u mbajtur!”
Së fundmi, 21 janari kërkon edhe një shpjegim ndaj partnerëve dhe miqve tanë e strukturave ku ne jemi anëtarë apo dëshirojmë të integrohemi.
Kjo ngjarje befasoi me pasojat e saj tragjike pothuajse të gjithë komunitetin ndërkombëtar, i cili shprehu edhe një herë gatishmërinë për të ndihmuar. Me vullnetin e mirë, por edhe me përgjegjësinë maksimale ndaj rrezikut të degradimit të situatës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, OSBE-ja, ofruan këshillat dhe nënvizuan faktin se Shqipëria është vend sovran dhe anëtar i NATO-s. Ata theksuan rëndësinë e jashtëzakonshme të funksionimit të shtetit ligjor, të pavarësisë së institucioneve dhe të investimit dhe angazhimit disavjeçar të tyre në ndërtimin e këtyre institucioneve të pavarura kushtetuese, por sidomos domosdoshmërinë e rivendosjes së dialogut politik.
Paaftësia për të gjeneruar një sistem politik funksionues në Shqipëri është zhgënjyese për NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Vajtje-ardhjet politike Bruksel-Tiranë, Strasburg-Tiranë dhe anasjelltas, tryezat dhe darkat e bujshme, por të dështuara, me qëllimin e vetëm për të zgjidhur krizën e gjatë dhe rraskapitëse të politikës shqiptare, ngrenë pikëpyetjen e madhe të partnerëve dhe miqve tanë mbi pjekurinë dhe aftësinë e shoqërisë shqiptare për të ecur më tej në rrugën e saj integruese. Kjo është përgjegjësi historike e politikës shqiptare. Ajo që i mungon politikës sonë nuk është pasioni, por refleksioni. Në këto çaste kërkohet një përgjigje, kërkohet një sqarim, por më shumë kërkohen veprime konkrete, të guximshme dhe të shpejta duke dëgjuar këshillat dhe vepruar së bashku për të lënë mbrapa këtë çast të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kjo nuk është një ëndërr. Ky është një realitet plotësisht i realizueshëm dhe mjaftueshmërisht i besueshëm në respekt të qëllimeve dhe interesave të kombit e të popullit tonë, të ëndrrave të fëmijëve tanë dhe të mirëbesimit dhe mbështetjes së miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë", tha në mesazhin e tij presidenti Bamir Topi.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...