2011-03-06

Cikël poetik nga Rraif Gashi




Rraif Gashi lindi  më 20.03.1961 në fshatin Meshinë, Malësia e Gallapit, komuna e Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Tygjec, ndërsa shkollën e mesme në Dardanë. 

Studimet e filluara në Prishtinë iu ndërprenë në vitin 1981, për shkak të angazhimeve në rezistencën kombëtare kundër okupimit serb. Me shkrime letrare filloi të merret qysh si nxënës i shkollës së mesme.

 Kryesisht shkruan poezi e herë pas herë edhe prozë. Disa herë është shpërblyer në konkursin letrar tradicional që e organizojnë komuna e Dardanës dhe klubi letrar “Nositi”, në kuadër të manifestimeve multikulturore “Lulëkuqet e Prillit”.

Punon në MPB në Prishtinë në sektorin e Furnizimit(Logjistikë të MPB)

Veprat letrare:
1. “Çiltërsia prej qelqi”, 2005,
2. “Mollë e egër”, 2008,
3. “Ecje nëpër etje”, 2010.

Etj.

Jeton dhe vepron në Prishtinë.

KUSH...

Thepa të larta
ngreh në Evropën plakë
gjithmonë rrugë pa krye
kohët erdhën e shkuan
shtëpi me kalem s`ndërtuam

aty u mpreh shpata
për kokën e Sutës së vogël
aty u fik drita
e ti gjete të reja
në epokat trishtuese


AH GURI IM

Pështjellim i terratisur
Derdh ecje në etje
Kalorësi i lakmisë
Qeshet në udhëtimin e pafund
As emër
As shenjë

Shushullima e mpirë
Vargon gdhendjen e gurit tim


NUMRI I SHPRESËS

Një llambë neoni
mundohet të na ndriçojë

Pranë neonit telefoni
ku mund të thërras
numrin e lajmit numrin e shpresës
alo alo alo
numër i netëve të pakaluara

Këtu në këtë varr refugjatësh
e dhunuar
qan lumturia


THE SE IKE

Mesditë pa dritë
dhe si ike natë pa ne

The se ike
pa lindur dita
nata pa të parë
..................
The se do të kthehesh
ballëlartë
o ëndrra ime
baladë e gjatë


99 NËNAT

Në afërsinë kurbetçare
lumenjtë u tërbuan
orteku vinte nga kodra
...................
Hipa në kalë të bardhë
i menduar si në përralla
nesër çka do të vijë
... ...............
Dreqi doli në majë të kodrës
piu qumështin e mushkës së vogël
u vendos në prag të vatrës


MOLLË E EGËR

Çdo ditë
Pa dritë
Erë të vdekurish
Pluhur i njëjtë
Një përsëritje tokësore

Çdo natë
Terr i gjatë
Me nga një a dy të ngratë
I larë a i palarë
Po shkon
Vetëm me një lot


BRICAKU

Gur i bardhë bricak
Llavë vullkani të mbuloi
tërmetet t`i lëkundën themelet
e sot e shumë shekuj
balt nuk u bëre

Gur i bardhë bricak
zjarri të dogji në çdo dekadë
nuk u fike as sot
as sot e shumë mot
gjaku i derdhur
në bricak të kaliti

Gur i bardhë bricak
u fërkove
u tkurre
u thërmove
kurrë nuk u fundose
as sot
as shumë mot
baltë nuk u bëre
qëndro gur i bardhë
bricak


MAJA E PLISIT

Mbrëmje qielli kuqëloi
dielli perëndoi
nata afrohej
të gjithë do të  flinin
një lenë e lisit ra
në maje të plisit

Engjëjt bien të pushojnë
lojëra lozin vetëm djallëzitë
lindja e keqe po vjen
mushka do të pjellë
një lenë e lisit ra
në maje të plisit

Kur ka hënë
huti diç do të hajë
një lakuriq nate
me lëkurë të hollë
me sa më pak zorrë
një lenë e lisit ra
në maje të plisit

Baba plisbardhi
tashti luhet zjarri
vdekjet kurrë s`do t`i numërojnë
ilirikumi në zjarr
kurrë më lena e lisit
në maje të plisit


BARDHËZA IME

I gëzuar ta prita lindjen dritë
pa gëzim simbol trimërie
Bardhëz ike
të prita me ditë e shkoi një vit
ike pa kthim Bardhëza ime
unë babai yt ta pres rritën
edhe fustan të kam blerë

Pse
pse shkove
Bardhëza ime
sot një vit
365 ditë të zeza

E imja Bardhëz
je bërë e madhe
9 gusht 1992
shkrumb në jetë
sorkadhe


20 MARS

Po afrohet dita e madhe
një kasollë po bie
e flakë po digjet
hi në të u bëfsha
hiç s`e kam dert

atë ditë kur aroma
e lules së parë të vijë
e dimrit lamtumirë t`i themi
ikjen do ta kemi
edhe unë bashkë me ty 20 mars

Cikël poetik nga Qerim Raqi




Qerim Raqi më 22.03.s 1965 në fshatin Dardhishtë të Kastriotit (ish Obiliq). Ka studjuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin filologjik në Prishtinë. Në halmstad të Suedisë ka studjuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi , me orientim të ngushtë Letërsi komparative. Ka botuar librin me poezi ”Gjak në mallin tim”,  ”Era ” Prishtinë,, 2010. jeton përkohësisht në Varberg të Suedisë. Punon mësimdhënës.

SONET SHEKSPIRIAN I FUNDSHEKULLIT

Gjaku do t´na mallkojë na përfshiu zezona
qielli do t´ mërrolet nxihet në t`ziun mot
varret do t `qohen peshë thirravajeve tona
si fantazmë Hamleti         o Zot

në konak të huaj do t´i bëjmë jetëvdekjet
gjuha do na lidhet nyje malli të na mbytë
tej Urës së Qabesë ashti do na mbetet
derisa vetveten ta hamë të na mbesë në fyt

i akullt këtu dielli buka shumë e kripur
ankthi s´na lë të qetë shpirti na kjason
kur emri t´ na tretet qenia t´na ketë ikur
ndërgjegje e vrarë dilemën tonë shalon:

në atdhe të vriteshim në betejë nga një plumb
a këtu të vdesim nga malli të bëhemi shkrumb?


PRAP KOLLI I KEQ

në qiellin e hirtë, në pejsazhin gri
qentë pas shpinës kafshojnë emrin tonë
në lëkurën e ethëshme, në t´thyerën bri
prap një koll i keq me vjeshtën e vonë

gjaku pëlcet në revoltë zë e ngrihet
se një natë një shekull kishte fjetur
nga ashti pikon loti rrënja mpihet
në herbarium lulëkuqja e etur

një fetus me mjekërr pjellë në fund të verës
don të përbijë globin si një kokërr rrush
e korbi i zi flatron mbi prag të derës
gacë e m`buluar n`mes hirit me prush

dicka po na e zë frymën në rrënjë në farë
t`ía vëmë njëherë durimit litarin në fyt
t´mos na pëlcasë emri si kripa në zjarr
që vetvetës mos t`ia nxjerrim sytë.

           (janar, 1992)


SIMFONIA E GJAKUT

kur valle e vdekjes
përfshin atdheun Prekazin
jasharajt
me breshëri plumbash
shkruajnë
alfabetin e qëndresës
vdekja bëhet lirikë gjaku
në cifteli këputen telat e durimit
njëri tel akordohet në dhembje
tjetri në krenari
gjaku ngrihet në këmbë
kacakqe jasharqe krisin krismat
isove partiturave atdheut
epika ikën nga librat fjalët
”shumë po ndrin ky diell e pak po nxen”
këndon Hamza
yjet zbresin poshtë
në kullën e jasharajve
këmbëkryq ulet epika vetë Shabani
legjenda nxjerr flakë nga goja
dhe hynë drejt në histori
dhjetë dymbëdhjetë njëzetedy yje bien
shkrumb sofrës së atdheut
pëllumbat e gjakut
në mur epika
merr sharkinë e Hamzës
gjysmëdjegur këputen telat e dhembjes
njëri tel i akorduar në krenari
tjetri në dhembje këputur
Ademi për një oktavë më lart
shtrëngon telat e qëndresës akordit të gjakut
në flakë kënga në flakë vdekja
ndërgjegjës sonë i japin shkollë
shkruajnë me plumba në flakë
alfabetin e qëndresës
dhe këndojnë
jasharajt
kur vdesin në këmbë
vdesin bukur
lindin kur vdesin
duke kënduar
simfoninë e gjakut


FËMIJËT  E FLAKËS

S´dinë asgjë për Prometheun
e janë gjysmëPromethe

vrapojnë portave të qytetit tim të djegur
kryeneq varfënjak luajnë lojën e zjarrit
(kohë zjarri është tani)


ja si u bëka jeta në flakë
lindja si u bëka në flakë vdekja
koha ua vjedh qeshjen

dhe s´dinë gjë për Prometheun

krejt jeta në flakë në flakë vdekja 
para pragut të shtëpisë ngrin buzëqeshja
fëmijët ikin prej kohës sfidojnë të mëdhenjtë
struken thellë në prehrin e historisë

natës së shekullit sogje i bëjnë


VITET PA TY

vitet, padiktueshëm
hanë vetveten, hyjnë
në vrimën e zezë

universi im tkurret
në një pikë
vetmia

thika të dhembjes
më hyjnë në asht
kthetrat e mungesës sate

gati sa nuk vdes
nga malli
pëlcas


GJEOGRAFIA E MUNGESËS

po e fshin vetveten nga harta, e dashur
lumin po ndal, burimit
ia mbyll derdhjen

po e gërryen dheun nën këmbë
rrëshqitja jonë shtratin si po e shtron
dalëngadalë fundos Kepin
e Shpresës së Mirë

po e fshin
nga harta ime, vetveten
e dashur po më del nga kufinjtë

përtej mallit po më rrëshqet
gropëzave të zhgënjimit
po merr thua,
gjak po më merr në krua

e dashur
po fshin vetvetën
nga harta gjeografinë tonë


NË SYTË E TU

në sytë e tu
kam lexuar më shumë
se në tërë letërsinë botërore

në shpirtin tënd
luftrat e të gjitha luftërave
i kam ndjerë

në heshtjen tënde
të gjitha heshtjet e botës
kanë rënë si perandorët

në fjalën tënde
të gjitha shpresat…


ALFABETI I SHPIRTIT

po t´i lë të gjitha, e dashur
ja ku i ke
të gjitha
fletët, librin, lapsin,
ditët
gjithcka
që shkruhet dhe më shkruan
merri e lexo në mua
ja gjuha ime,
shkronjat e lodhura
shpirtit tim lexo
hieroglifet, alfabetin tim
më lexo e dashur
merr sytë e së vërtetës
vendosi në zemër lexo hapur
nga e majta në të djathtë
nga e djathëta në të majtë
v
e
r
t
i
k
a
l
i
sh
t
më bëjë fjalë-kryq
më shumëzo në katror fjalën
e shpirtin, gjeometrinë time
jam faqe libri, kapitull i vjedhur
fytyrës sate, syve të tu
ja ku më ke, të tërin
shtypur në shenja, pergamenë
nëse di të lexosh shpirtin tim
dhe më gjyko pastaj pa fjalë
lexo në daq digje gjuhën time
alfabetin tim kapitull i grisur
i prozës sime absurde
dhe më gjyko…


DITA E GJYKIMIT

po ekspandon
a po tkurret
universi?

kohëhapësira
në vezën e vet kozmike

shkojmë para a prapa
në tkurrje a expansion?

me hapa gaforresh
në guacën tonë
a me shpejtësi drite
në shpërbërje?

do takohemi të gjithë
në një pikë vlimi
në vrimën e zezë
Ditën e Gjykimit

Po ekspandon
a po tkurret
Universi im?


PUTHJA E JUDËS

merreni
ja ku e keni
prejani kryet mashtrimit
këputjani kryet Pilatëve e Mojsiut

prejani
me sharrë dhëmbët kafshimit
tradhëtisë ngulni thikat
kopilave të mohimit
jepni helm

hudhjani qenëve
kockat e tradhëtisë
kuajve të harlisur të Judës
prejani trojat

shurdhoni trokun
kobit e Korbit
të Alan Poe-së
qiellit të përflakur tokës së djegur
hidhni farën jepni gji e gjak
pëllumbave pelikanë
a Feniks bëhuni
të gjakut

CIKËL POETIK NGA SARANDA SHALA





Saranda Shala u lind më 16 04. 1986 në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme te mjekësis”Ali Sokoli”,  vazhdoi studimet në fakultetin e komunikimit masiv në Prishtinë. Ambiciet e saj për një të ardhme më te mirë e shtyn të vazhdoj studimet ne degën e Psikologjisë në Prishtinë.Ka punuar si bashkëpuntore në  gazetën “Epoka e Re”,dhe “Nacional Plus”.Të gjitha ato ndjenja që ia thotë shpirti, ajo i hedh në letër. Shkrimin e konsideron pjesë të pandashmë dhe përbërëse të personalitetit.Mesazhi i saj në jetë është.”Çdo ditë: të dëgjosh një këngë, të lexosh një poezi të mirë, të shikosh një pikturë të bukur dhe, po qe e mundur, të thuash ca fjalë të mençura”.



TË KËRKOJ

Një zë i paharruar del nga zemra
Emocionet shfaqen kur kujtoj fytyrën tënde
Të kërkoj, s’të gjej askund.
Një xixellonje nga qielli ra,
As ajo nuk bënte dritë
Shpresa u shua duke pritë..
Sonte as hëna për dreq nuk përgjigjet,
Yjet largohen në oqeanin tjetër,
Unë rrugëtoj..
Kërkimi im vazhdon në male,
Pyes zanat, mos të kanë parë sonte?
Ato, nuk më pergjigjen, ikën me shpejtësi..
Kam nevoje të të takoj..
Jeta më neglizhon, më ironizon
Ah, ky mall ma trazon shpirtin.

Kam nevojë për mbështetjen tënde..
Për fjalët e tua të arta..
Për buzëqeshjen tënde të ngrohtë.
Ty askush nuk mund të të zëvëndësojë,
Kërkimi mbetet vetëm ëndërr
Por, unë prape të kerkoj!...


LABIRINTH

Në dhomën time gjendet një fletë e bardhë
Në të mund të shkruaj vargjet e palexuara më parë

Mund të shkruaj gjithçka që di
Nuk jam ndonjë Markez apo gjeni për poezi


Nuk i njoh të gjitha misteriet e botës
Por, kam kuptuar qe bota sillet rreth nesh

E kjo botë vjen dhe më pyet..?
Pse rri vet në hijen e skëterrës time?
Eja dhe ti në brendësinë e botës sime...

Bota më donte ashtu si dhe  unë  e dua ,
Qëndroja me orë të tëra duke shikuar përreth.
Në të pash disa mrekulli ..
Fëmijë, margaritarë, që shkëlqenin  si rrezet e diellit
Djem e vajza që shëtisin me shpirt, me dashuri.
Të moshuar, ku pleqëria duket se shpirtin ua ka gërry

Midis mallit dhe dhimbjes
Në horizontet e jetës u rilinda përsëri

Sonte nuk më ndalon askush
Prandaj, mund të shkruaj
Gjithçka që di e që më duket që  asgjë nuk  di.


TRI  DITË  ËSHTË  JETA

Mysafirë të paftuar
Askush s'na pyet, na pëlqen ose jo!
Thonë se java  ka shtatë ditë,
e viti, 365,
Por jeta është vetëm tri ditë,
Dje ,sot,neser.

E djeshmja mbetet kujtim,
Si gota e thyer në maturë
Që n uk u kap më kurrë.
Dhe për çudi, edhe pse na lëndon,
nuk harrohet.

E tashmja  është vetëm një çast,
Konsumohet pa u ndjere,
Si vitet që ikën shpejt
Dhe  nuk mundemi ti ndalim dot.

Po e ardhmja çka na sjell ?

Mbetet hipotezë e pa argumentuar
Nuk  dihet se çfarë ndodh.
Për ironi sot ngre dolli
Për të nesërmen që pres të vijë..

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...