Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/03/25

Vepër shumëdimensionale


image
Qani Mehmedi në librin “Shtetformimi i Kosovës” gërsheton dy dimensione të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, institucionalizimin dhe veprimtarin ilegale, dimensione të cilat autori i analizon si pjesë të një procesi
Safet Hyseni
Kërçovë - Në organizim të Qendrës arsimore universitare të UNS, të shtunën në ambientet e Muzeut të Kërçovës u promovua libri i Mr. Qani Mehmedi i titulluar “Shtetformimi i Kosovës” ku morën pjesë personalitete të ndryshme të jetës politike e shoqërore nga të gjitha hapësirat shqiptare. Të pranishmit në këtë solemnitet promovues fillimisht i përshëndeti Bekim Adili, i cili tha se libri “Shtetformimi i Kosovës” është vepër e një autori me një profil të vërtetë qytetar, publicist, politik e letrar, me përmasa reale intelektuale të mirënjohura në të gjithë hapësirën shqiptare. Ky libër na vije si  një kontribut origjinal në fondin e vlerave të veçanta të kulturës, shkencës dhe politikës shqiptare. Ai përfaqëson të parin dhe të vetmin autor shqiptarë që angazhohet të trajtojë dhe të analizojë për të parën herë një problem të tillë kaq sensitiv të historisë moderne politike të Kosovës. Ai e konsideroi këtë eveniment si të veçantë për Kërçovën, sepse personaliteti që origjinën e ka nga Kërçova, me përmasat që ka ndërtuar i takon gjithë botës shqiptare. Kjo vepër e autorit, jo rastësisht vjen në 30 vjetorin e fillimit të demonstratave të vitit 81, ku autori është protagonist i atyre ngjarjeve me plot gjak dhe sakrifica. Kjo vepër në vete ngërthen shumë ngjarje, analiza dhe argumente të kohës të cilat sjellin dëshmi historike mbi shtetformimin e Kosovës. Për veprën dhe autorin e sajë foli edhe Fazli Veliu, i cili tha se libri “Shtetformimi i Kosovës” është i lidhur me të gjitha periudhat që e karakterizuan Kosovën deri në pavarësimin e saj. Aty pasqyrohen rrethanat e veprimtarisë legale dhe ilegale, përpjekjet e rinisë studentore dhe sakrificat e gjeneratave të tëra të cilat përmes autorit gjenin hapësirën dhe mbështetjen në mediumet e asaj kohe. Autori i kësaj vepre ka qenë kontribues i madh për lëvizjen dhe të gjitha proceset që pasuan deri në bërjen e shtetit të Kosovës, tha ndër të tjera Fazli Veliu.
Autori i këtij libri shumëdimensional ka qenë dëshmitar i këtyre ngjarjeve që i trajton sepse ato i transmetoi në mënyrë shumë autentike në media ku punonte, tha ambasadori i Kosovës në Shkup Skender Durmishi. Ndërkaq profesori Rexhep Hoti në fjalën e tij tha se autori Qani Mehmedi i ka përjetuar të gjitha zhvillimet dhe ai me natyrën e tij komunikuese, është njëri ndër të paktët personalitete shqiptare prej nga mund të mësosh atë që mungon në letrat e shkruara shqipe. Qani Mehmedi ka pasur guximin e hulumtimit të specifikave dhe analizën e thuktë, e cila prek në thellësitë e të gjitha segmenteve dhe intrigon të gjitha shtresat intelektuale, por ai vuri në dukje se miku i tij ka qenë mospërfillës ndaj vlerave të veta.
Autori në librin “Shtetformimi i Kosovës” gërsheton dy dimensione të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, institucionalizimin dhe veprimtarin ilegale, dimensione të cilat autori i analizon si pjesë të një procesi, pra si evoluim i pashmangshëm dhe i domosdoshëm i kohës, tha ish ambasadori Alajdin Demiri, i cili shtoi se analiza e autorit prek, shqyrton dhe intrigon dukuritë e të kaluarës dhe të tashmes, personazhe të humbur dhe të gjallë, ikona arkivore dhe figura aktive, heronj, martirë dhe lojtarë të ndryshëm politik.
Mysafirëve të tubuar në këtë eveniment iu drejtua edhe autori Qani Mehmedi, i cili falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në botimin e librit dhe në organizimin e promovimit, miqtë që kishin ardhur për ta nderuar veprën e tij nga të gjitha hapësirat shqiptare, mediumet dhe kolegët e tij gazetarë me të cilët ka qenë së bashku në veprimtarinë gazetareske dhe publicistike në Tetovë, Shkup, Kërçovë, Prishtinë dhe Tiranë. Në këtë eveniment i cili korrespondon edhe ditëlindjen e autorit Qani Mehmedi, u prezantuan edhe disa pika artistike të muzikës klasike të cilat u interpretuan nga  Besiana Mehmeti, Shkodran Tolaj, Shkëlzen Pajaziti dhe Xhezaire Aliti.

Epoka e artë e Fotografisë shqiptare


image

Mungon tërësisht nga historia e fotografisë ajo e fotografisë shqiptare, që është një nga koleksionet më të pasura të fotografisë në Ballkan dhe ndoshta një nga më të mëdhatë edhe në Europë. Historia e Fotografisë shqiptare nis në vitin 1850 me një njeri të quajtur Pjetër Marubi, i cili është pionieri i fotografisë shqiptare, që hapi studion e parë fotografike në Shqipëri. Një pikiatë shoqërore-artistike. Një punë etnologjike, ku zbulojmë në sfond shumë personalitete të historisë shqiptare, të Shqipërisë osmane, por dhe të një vendi që jeton i pavarur edhe pse i pushtuar nga Musolini” - kështu ftohet publiku në Muzeun Botanik të Brukselit, ku është hapur ekspozita “Mosha e artë e fotografisë shqiptare”, nga Lopic Chauvin, autor i librit “Shqipëria, fytyra e Ballkanit” dhe Christian Raby, profesor i Filozofisë dhe Fotografisë në Universitetin e Parisit. Në këtë ekspozitë dy ideatorët janë munduar të sjellin një vështrim historik të fotografisë shqiptare për periudhën 1858-1945.

“Asnjë referencë, asnjë emër nuk jepet në historinë botërore të fotografisë për të ilustruar faktin se fotografia shqiptare numëron koleksionin më të pasur të dinastisë Marubi, një emër që ka qenë i injoruar jashtë kufijve. Por Shqipëria mund të mburret se ka qenë skena e një shpërthimit të fotografëve të mëdhenj deri në vitin 1945, kur erdhi në pushtet regjimi komunist i Enver Hoxhës. Që nga vitit 1858-1945 është mosha e artë e fotografisë shqiptare, të cilën ne duam të ndjekim. Shqipëria ka padyshim trashëgiminë fotografike më unike në Ballkan, që ka mbetur e injoruar deri tani jashtë kufijve dhe nuk është vlerësuar as në vendin e vet aq sa e meriton të vlerësohet. Por përtej dinastisë Marubi, dhjetëra fotografë udhëtarë të tjerë kanë kaluar nëpër Shqipëri gjatë këtyre viteve, që kanë parë kalimin historik të Shqipërisë. Këtë duam të paraqesim ne përmes kësaj ekspozite” - thanë dy ideatorët Lopic Chauvin dhe Christian Raby.

Ekspozita “L’age d’or de la photographie Albanaise” (Epoka e artë e fotografisë shqiptare), e cila i kushtohet fotografit të parë në Shqipëri dhe në Ballkan, Pjetër Marubit, do të qëndrojë e hapur deri më 27 mars. Kjo ekspozitë është mirëpritur nga adhuruesit dhe nga mediat, të cilat fotografitë e Marubit i kanë krahasuar me ato të fotografit belg Norbert Ghisoland, një ekspozitë me fotografi të të cilit po ashtu është hapur në Muzeun e qytetit. Historia e fotografisë shqiptare fillon me Pietro (Pjetër) Marubin, i cili hapi studion e parë fotografike në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë, në vitin 1850. Shumë shpejt, suksesi i kësaj studioje u përhap përtej kufijve të qytetit të Shkodrës dhe e tërë shoqëria shqiptare vinte të pozonte para fotoaparatit të tij. Pas vdekjes së tij, disa gjenerata të fotografëve do të marrin përsipër dhe ta mbulojnë historinë dhe jetën lokale. Këta do t’i ofrojnë fotografisë epokën e artë shqiptare, e cila përfundoi vetëm në vitin 1944 me ardhjen në pushtet të regjimit komunist. Galeria mbresëlënëse e portreteve që e kanë lënë pas dëshmon veprën sociale dhe artistike, e cila është zbuluar pas një gjysmë shekulli të represionit dhe të izolimit.

Tradita shqiptare e fotografisë, sipas profesori të fotografisë Christian Raby, është përfaqësuar nga dinastia Marubi, por “tregimi” i tij rreth fotografisë shqiptare nuk sillet vetëm rreth kësaj dinastie. “Plot tridhjetë fotografë, të cilët ushtronin këtë profesion që para Luftës së Dytë Botërore, janë identifikuar, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm mbetet akoma anonim. Këta fotografë kanë dokumentuar periudha kyçe të historisë së Shqipërisë që nga fundi i Perandorisë Osmane deri te rrugëtimi i këtij vendi te Pavarësia. Zbuloni këto përmes kësaj ekspozite, e cila kurrsesi nuk mund të injorohet tashmë që Shqipëria është bërë pjesë e kombeve të Europës” - thotë profesor Christian Raby. 

Helena Kadare: Ju rrëfej testamentin tim letrar dhe jetën me Ismailin


Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image


Helena Kadare dhe Besa Myftiu me veprën e tyre hynë në universalitetin e temës së  Panairit të librit të Brukselit. Panairi u mbajt prej datës 17 deri me 21 shkurt. Këtë vit femrat ishin të nderuara. Shtëpia e madhe botuese franceze Fayard prezantoi dy autoret tona: Helena Kadare me librin: “Le temps qui manque“ përkthyer nga shqipja në frëngjisht nga Artan Kotro dhe Besa Myftiu me romanin “Amours au temps du communisme“. “Le temps qui manque“ janë kujtime të një çifti të veçantë. Një kronikë që riviziton historinë gjysmë shekullore të Shqipërisë. Një testament kushtuar dashurisë për artin dhe lirinë. Zonja, Helena Kadare mbushur me emocione me një çiltërsi të madhe shpalosi rrëfimin e jetës së saj për lexuesit e gazetës Albania në Bruksel.
Janë të rralla rastet kur një grua e një shkrimtari të madh është edhe vet krijuese. Është fat apo e kundërta e fatit kjo?
Së pari është rastësi. Që është fat mund ta quash në kuptimin që: nëqoftëse profesioni im do të ishte një gjë tjetër, unë nuk do të isha për Ismailin një bashkëpunëtore dhe një mikeshë e kuptueshme në të gjitha rrugët që shtron jeta. Mendoj në këtë drejtim ka qenë një fat. Për mua as që diskutohet. Unë që isha e dashuruar në letërsi, bashkëjetesa me atë njeri më ka mësuar të flas në fushën e artit gjëra që nuk do t’i kisha mësuar dot kurrë. Natyrisht po të doja të krijoja dhe të punoja si të thuash pa komunikimin me të. Do të thotë është një rastësi fatlume.
Cila është rruga juaj krijuese?
Që kur jam bërë e vetëdijshme për shkrimin, që kur kam mësuar të lexoj për mua leximi përnjëherë është bërë gjithë jeta ime. Uria për të kapur çdo gjë. Sidomos në Shqipëri që ishte aq vështirë të gjendeshin libra të botuar të gjithfarë llojshmërie. Kam lexuar që në vogëli pa kurrfarë kriteri. Libra që më përshtateshin dhe nuk më përshtateshin. Por që ato ishin germa të shkruara.
Cila është tematika e shkrimeve tuaja?
Në qendër të të gjithë atyre që unë kam shkruar ka qenë gruaja. Gruaja në tërësi. Bota e saj shpirtërore në radhë të parë dhe gruaja në familje, në shoqëri… Të gjitha aspektet e gruas kanë tërhequr vëmendjen time. Që kur kam qenë e vogël duke parë nënën time dhe raportet e saj me babain, gjyshin, gjyshen. Me një fjalë gruaja ka qenë figura më e adhuruar për mua.
A ka shumë ndryshim ndërmjet femrës intelektuale shqiptare dhe asaj franceze?
Po ka. Ka shumë. Gruaja shqiptare për mendimin tim është gruaja më e përkushtuar në botë që kam njohur. Sigurisht që ka edhe vende e vise të tjera ku gruaja ka këtë veti. Kur e pata vizituar për herë të parë Izraelin, nga zakonet e atij vendi kam parë që nëna shqiptare ka diçka të përafërt me nënën hebreje. Një kohë jam marrë me përkthimet e një shkrimtari shumë të dashur për mua, Isaac Bashevis Singer, hebre me origjinë. Të gjitha tregimet, romanet e tij më kanë dhënë një dritare të jashtëzakonshme për të parë jetën e këtij populli. Ai ka përshkruar me hollësi të gjitha marrëdhëniet midis njerëzve, për të mirë apo për të keq. Ndoshta këto ma kujtojnë atë që thuhet ”është e mençur si një çifute”. Këtë gjë e ka populli ynë, nuk ka grua më të përkushtuar se shqiptarja. Mendoj se gruaja shqiptare ndryshon shumë nga një grua franceze. Nuk është fjala në çështjen e emancipimit të saj vetjak. Por në devocionin që ajo i jep familjes së saj. Është ndoshta pak e ekzagjeruar atë që bën d.m.th e mohon vetveten. Nuk flas për të gjitha gratë shqiptare. Për fat të mirë sot një brez tjetër po rritet. E respekton veten shumë më tepër dhe ka kërkesat e tij. Po flas për atë lloj brezi që kam njohur unë, mikeshat, kushërirat e mia. Gra vërtetë të përkushtuara për fëmijët dhe familjen. Pak me tepri do të thosha, por s’ke si ta shpjegosh këtë gjë. Përveç të thuash që kështu ka qenë dhe e trashëguar.
Vitin e kaluar botuat librin “Le temps qui manque“. Ky libër është një lloj testamenti?
Mund ta marrësh ashtu. Po. Një testament. Një testament që p.sh vajzat e mia e kanë lexuar vetëm pas botimit të tij. Nuk kam pranuar ta bëjnë më parë sepse nuk doja të kisha asnjë influencë që shkruaja kështu, këtë mos e vër, etj. Ju e thatë mirë. Është një testament të cilin ato e kanë lexuar si të gjithë lexuesit e tjerë.
Cila është gjeneza e librit?
Jeta jonë së bashku, në çift me Ismailin ka qenë një jetë shumë – shumë e pasur, jashtëzakonisht e pasur. Dhe prej kohësh mendoja që kjo jetë me tërë këtë përvojë të gjatë të mos bëhet e njohur qoftë edhe për vajzat e mia?! Pra, në radhë të parë duke filluar nga familja dhe më gjerë, sepse këtu nuk është fjala për një jetë intime, unë dhe ai. Në të vërtetë kjo është një kronikë e tërë jetës shqiptare. E jetës shoqërore, kulturore. E viteve në të cilat kemi jetuar në Shqipëri. Një jetë e gjatë e mbushur me një përvojë që, mund të themi, nuk është e zakonshme dhe është krejtësisht e veçantë. Veç këtyre unë kam qenë dëshmitare në krijimtarinë e kësaj vepre të madhe. 20000 faqe mund të them që kanë kaluar nëpër duart e mia. Ai gjithnjë ka punuar vetëm me dorë. Isha unë që i daktilografoja. Një pjesë të madhe që niste të shkruante kanë mbetur ose sinopsise ose ide të hedhura nëpër blloqet dhe shënimet e tij. Të gjitha këto doja t’i nxirrja në një përmbledhje që të arrihet ajo që ka qenë gjeneza e çdo vepre të tij letrare. Në shënimet e mbajtura në Shqipëri në vitet e vështira të diktaturës, shumë gjëra ishin të lëna përgjysmë dhe në mënyrë të pakuptueshme. Që sido që të vinte puna ato të mos binin në dorë të një censure, kontrolli. Një arkivë e madhe, jashtëzakonisht e rëndësishme që ishte në shtëpi. Kështu që sa i përket kësaj krijimtarie mua më duhej ndihma dhe aprovimi i tij. Përndryshe unë s’kisha si t’i hyja kësaj pune. Ai si të thuash ma dha vizën, qe në dakord dhe më këshilloi: “Shkruaj si i ke parë dhe ndjerë gjërat, pa i zbukuruar, pa i bërë lavd personalitetit tim”. Bashkë i kemi parë shënimet, m’i la në dispozicion të gjitha blloqet. Aty ku hasja vështirësi ia kërkoja mendimin. Ku nuk i besoja krejtësisht kujtesës sime megjithëse më kujtohej ngjarja e pyesja: – pa më trego njëherë si të kujtohet ty kjo gjë? Dhe duke dëgjuar atë bëja krahasimin me ç’mbaja unë në mend. Po ashtu kishte njerëz të afërt që kanë qenë prezent në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës sonë. I kam takuar dhe i kam pyetur edhe ata. Plus ditari im më ka ndihmuar shumë. Kam mbajtur ditar që gjimnaziste në mënyrë jo të rregullt. Blloqe të tëra i kam marr me vete në Francë. E kam shfletuar me qetësi për të parë si kanë qenë ngjarjet në të dhe si ishin ato në kujtesën time. Gjithashtu shtypi i kohës, kujtimet, librat, kapitujt që kanë shkruar të tjerët kanë pasur një vlerë për mua. Për të qenë sa më e vërtetë Ismaili vet e lexoi librin. Për çudi jo në shqip, por pasi u përkthye në frëngjisht. Sepse, kërkoi që duke e parë në gjuhë të huaj që s’ishte e afërt për të, ai do të ishte më i distancuar.
A keni pasur vështirësi ta botoni librin?
Vështirësi, jo. Përkundrazi kam pasur shumë ndihmë dhe përkrahje. Presidenti i Fayar-it që është edhe presidenti i shtëpisë ku boton Ismaili prej vitesh më ka kërkuar këtë. Ai vazhdimisht më pyeste: “Mbarove me kujtimet“? Kërkesa e tij e pandërprerë ka qenë një nxitje shumë e madhe për mua. Ai e ka ndjekur nga afër jetën tonë dhe ka ardhur në Shqipëri dy herë. I pati marrë dorëshkrimet e Ismailit, flas të kohës së diktaturës. Nëse Ismaili do ta kishte situatën shumë të vështirë presidenti i Fayard–it kishte të drejtën e botimit. Pra, ai ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që unë të mbaroj punë me to. Pa i përfunduar këto dy vitet e fundit ia dha një përkthyesit të ri, Artan Kotro. Shqiptar që jeton prej vitesh në Paris. Unë nuk kisha mbaruar me kujtimet ndërkaq ato kishin filluar të përktheheshin. Ishin 15 vjet punë intensive. Sigurisht me disa ndërprerje.
Çka ka prodhuar ky libër në raport me bashkëshortin tuaj?
Pyetje e bukur kjo që thatë ju. Kjo i ka shtuar diçka atij raporti të mëparshëm. Çfarë? I ka shtuar atë gjë që unë ndjehem më mirë tani që ia kam thënë atij mendimin që kam pasur për të. Ai e ka pritur librin mirë, sigurisht. Ka edhe gjëra që mund ta mërzisnin. Çuditërisht duke i përshkruar ato gjëra (se shpeshherë ka qenë i padrejtë ) unë duke ia thënë pa i kërkuar si të thuash mendimin para se t’i shkruaja, prisja tashti me një lloj ankthi : çfarë do të thoshte kur do t’i shikonte ato?! Por ndryshe nga natyra e tij që një gjë që s’i pëlqen e nervozon e priti me buzëqeshje dhe më përgëzoi.
Cili ka qenë reagimi i tij pas botimit të librit?
Një pjesë të takimeve ku është bërë promovimi i librit, herën e fundit iu bë promovim i madh në Strasburg, por edhe në Paris në sallonet letrare, ai më ka shoqëruar. Këtu kam vërejtur një gjë që nuk është në natyrën e tij. Kur lexuesit bënin pyetje ai nuk ishte indiferent. Mund të thoshte: ngaqë është puna jote përgjigju ti vet. Ai jo vetëm që merr pjesë në këtë, por edhe jep mendimin e tij, gjë që s’më ka ndodhur më parë.
Si ka qenë reagimi i publikut shqiptar dhe të huaj lidhur me librin?
Kritika e shtypit të huaj ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Kam marrë mjaft letra. Kryesisht nga lexues të njohur që më është bërë vërtetë qejfi. Ato janë personalitete të jetës kulturore dhe unë e çmoj shumë mendimin e tyre. Sa i përket publikut shqiptar vetëm pak njerëz e kanë lexuar librin në frëngjisht, sepse ende nuk është botuar në shqip. Por do të botohet.
Cilin autor të artit letrar preferoni?
Në mes të tjerëve gjithë veprën e Singer–it. Kohëve të fundit jam marr me përkthimin e dy autorëve japonezë. Një që quhet Yasushi Inoué. Ai ka shkruar një libër të mrekullueshëm, perlë, për dashurinë e letërsisë japoneze me titull “ Pushka e gjahut“, “Le fusil de chasse”. Shkrimtari tjetër i madh që ka lënë një vepër të rëndësishme pas vetës është Tanizaki. (Marrë revista “Albania” në Bruksel)

Demonstratat e '81-shit dhe politika e sodit


image
Orhan IBRAHIMI
Kjo ngjarje historike është njëra prej momenteve më të lavdishme të historisë së kombit tonë. Gati është e pa imagjinuar se si në atë kohë, në rrethana kur socializmi "lulëzonte", ku "bashkimvëllazërimi" kishte mbërritur në majat më të larta, ku Jugosllavia diktatoriale ishte llogaritur prej shteteve më demokratike në bllokun e lindjes, studentet së bashku me shtresat e tjera popullore organizuan demonstrata me kërkesa politike. Këto demonstrata ndërprenë iluzionin se mundë të ndërtohet bashkim-vëllazërimi, në ato rrethana politiko-shoqërore. Këto ngjarje tronditën udhëheqjen e atëhershme të Kosovës, ia shqerrën maskën gjithë establishmentit serbo-jugosllav para faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Këto demonstrata u shndërruan në fanar, si burim i pashtershëm për ta ndërtuar dhe trasuar rrugën drejt Kosovës së sotme, si shtet i pavarur dhe sovran. Do të tentoj ti tërheq disa paralele në mes kushteve dhe rrethanave të atëhershme të shqiptarëve të Kosovës, me rrethanat dhe kushtet që sot po përballen shqiptarët nën Maqedoni. Shqiptarët në Maqedoni, sot kanë kapacitete dhe resurse njerëzore, ekonomike dhe intelektuale, e atyre nuk i lejohet të organizohen mirëfilli për ta vetë administruar vetë veten. Sot, në shoqërinë shqiptare në Maqedoni, defilojnë kaq shumë parti politike, kaq shumë "politikan- analist", kaq shumë "shoqata civile", kaq shumë "intelektual-profesor universitar", kaq shumë "fakultete dhe universitete", kaq shumë "studentë dhe organizata studentore", kaq shumë "mediume të shtypura dhe elektronike". Pra, si është e mundur në praninë kaq e kaq.... në mesin e popullit shqiptar, ndërsa qytetarët të mos jenë të vetëdijshëm se në çfarë shteti jetojnë, në çfarë kushte e rrethanash politike, ekonomike, arsimore e kulturore gjenden. Si është e mundur që mos ta kuptojnë se jetojnë nën thundrën e një shteti diktatorial. Vallë, i gjithë ky mos akseptim i realitetit, është një paradoks, apo të gjitha këto dukuri dhe fenomene kanë rrjedhë logjike. Në atë kohë të viteve '81, Krahina autonome socialiste e Kosovës kishte institucionet e veta si Kuvendin, Qeverinë dhe Presidentin. Të gjitha institucionet udhëhiqeshin me mbi 80 për qind me kuadro shqiptare. Ndërsa autonomia udhëhiqej vetëm prej një subjekti politik, e ajo ishte Lidhja Komuniste e Kosovës, e kontrolluar nga UDB-jugosllave. Ndërsa sot, shqiptarët nën Maqedoni numerikisht gati sa shqiptarët e Kosovës në atë kohë, nuk i kanë institucionet e veta të pavarura. Jetojnë në një sistem "pluralist dhe demokratik" të integruar në shtetin e Maqedonisë me participim diku prej 2%, e diku me 7%, e në institucionet më të ndjeshme - me 0%. Shqiptarët janë të organizuar në disa parti politike. Për dhjetë vite radhazi, të gjitha zgjedhjet elektorale, votat e shqiptarëve gati me plebishit i fiton BDI. Ata kanë fituar 16, 17 dhe 18 deputetë, kanë fituar dy cikle të zgjedhjeve lokale. Me votat e shqiptarëve, ata kanë zgjedhur dy presidentë shteti - Branko Crvenkovskin dhe Gjorgje Ivanovin, ndërsa kanë përzgjedhur edhe 12 udhëheqës maqedonas në institucionet kryesore të vendit. Këta "çlirimtar" e kanë marre vullnetin e popullit për ti realizuar aspiratat dhe idealet tona. Për dhjetë vite, Marrëveshja e Ohrit ka pësuar goditje për ta vrarë, asnjë ligj, asnjë afat kohor, asnjë përqindje nuk është implementuar në frymën e kësaj marrëveshje (me përjashtime të vogla nënçmuese). Konstatim i intelektualëve, analistëve dhe politikanëve të mirëfilltë është se, "Marrëveshja e Ohrit është e vdekur". Sikur që janë të vdekur dhe të vrarë disa nga protagonistët kryesorë të konfliktit të vitit 2001 (në rrethana misterioze dhe të pa ndriçuara deri tani) siç është Komandant Teli, Komandant Iliri, Komandant Kushtrimi, Ridvan Neziri etj. Burgjet janë përplot me shqiptarë të dënuar me dënime drakonike me nga 15-20 vite dhe me burgje të përjetshme, dënime të dalura nga procese të inskenuara dhe të porositura nga klikat politike. Të pakta janë ata shoqata civile që marrin në mbrojtje shtresa dhe fusha të caktuara të qytetarëve shqiptar. Shumica prej tyre janë poltrone të partisë në pushtet, ata improvizojnë "tribuna" , "përkujtime" dhe "protesta". Në momentin kur qytetarët fillojnë ta kuptojnë realitetin objektiv, ata dalin në skenë për ta relativizuar fajtorin politik shqiptar. Të gjitha këto improvizime, gradualisht po bëhen të lexuara dhe të deshifruara nga qytetarët. Në atë kohë të viteve '81, Kosova kishte shumë institucione arsimore- shkencore. Në këto qendra u zhvilluan seanca dhe ligjërata akademike e shkencore, u mbrojtën dhe u promovuan shumë tituj shkencorë e akademik. Të gjithë këta punëtorë të arsimit, kulturës dhe shkencës, ishin shumë aktiv në sendërtimin e ndërgjegjes kombëtare dhe kthjellimin e rrethanave që po i kalonin. Pikërisht kjo ndërgjegje, kjo vetëdije që u ndërtua te rinia studentore, bëri që këta të jenë në ballë të gjitha proceseve, që kanë një kontinuitet veprimi deri në ditët e sotme. Edhe ne sot, në Maqedoni kemi shumë fakultete e universitete, kemi edhe një sistem edukativo-arsimor të kontrolluar nga shteti. Shtrohet pyetja se sa këta institucione edukative-shkencor kryejnë plotësisht detyrat që dalin prej obligimeve dhe detyrimeve profesionale. Në këto kushte teknike dhe ligjore sa mund të zhvillohet mësimi, a vijnë në shprehje t'i zbatojnë mësimdhënësit përgatitjet didaktiko-metodike. E ajo që është me më rëndësi, në këto shkolla a mund që ardhmëria jonë të aftësohet, edukohet, të marrë njohuri e dituri, shkathtësi e shprehi?. E gjithë kjo klasë e shkolluar disi bën sehir para ngjarjeve që ndodhin para syve tanë. Si mund të rrihet duarkryq para këtij terrori dhe ataku që i bëhet sistemit edukativo-arsimor, sistem bazë i vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit. Si mund të rrinë anash nga këto procese gjithë ky potencial studentor që numëron mbi 30 mijë studentë?. A thua kaq lehtë mund të gëlltitet ky realitet, devijimet në shoqëri..., si e përjetuan "Enciklopedinë maqedonase", Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, apo ndërhyrjet e shtetit në tempullin ku ju studioni?. Sigurisht se e keni ndjekur incidentin që i ndodhi rektorit Mujë Rugova, kur dy studentë i hodhën ngjyre rektorit të tyre. E dini se ky rektorë konsiderohet si personalitet shumë i respektuar, i cili ka dhënë shumë kontribute si në planin akademik, shkencor, publik dhe kombëtar?. Jam në gjendje t'i kuptojë këta dy studentë, me siguri nuk e kanë sulmuar personalitetin e Mujë Rugovës, por kanë sulmuar institucionin "Rektor", i cili duhet tu sigurojë kushte të avancuara moderne, si kolegët e tyre perëndimor. Ky rast duhet të na shërbejë si shembull, se si duhet të rezonojnë, të punojnë dhe veprojnë studentët për ti marrë të drejtat e tyre. E ç'ti bëjmë ne këtu "rektorëve" tanë? Patjetër se meritojnë që çdo ditë t'i presim nga dy studentë në hyrje të rektoratit që t'i hedhin nga një kovë ngjyrë. Natyrisht se kontribut të veçantë për devijimet e proceseve demokratike u përkujdesën t'i japin të gjithë mekanizmat shoqërorë me vasalët e tyre, e në veçanti nga shërbimet inteligjente maqedonase. Ndërsa kjo parti politike në qeveri, bën përpjekje maksimale që popullatën shqiptare ta shndërrojë në popull pa ide inspiruese për vetveten. Të jetojnë në iluzion se këto të drejta të cunguara dhe të dozuara nga qeveria maqedonase, janë maksimumi që i meritojnë si popull i kategorisë së dytë. Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë nevojë formale kinse përkujtojnë data të rëndësishme, të organizojnë Akademi solemne për ngjarje rreth të kaluarës së tyre. Ata, të gjitha këto ngjarje duhet t'i manifestojnë në protesta e demonstrata me kërkesa politike që edhe ne të jetojmë si e gjithë bota e civilizuar. Kjo e kaluar, e sidomos demonstratat e '81, duhet të na shërbejnë si lajtmotiv që pa përpjekje, pa mund e pa sakrificë, nuk mund të arrihet deri te qëllimi. Shumica e aktorëve të '81 janë në mesin tonë. Ata nuk guxojnë dhe s'duhet të lejojnë të përdoren si dekor historik. Kur në vitin e largët '81 kanë patur guxim, vullnet për ta ndihmuar kauzën shqiptare, sot edhe më fuqishëm duhet ti përkrahin dhe ti ndihmojnë vëllezërit e tyre që gjinden të diskriminuar nën shtetin maqedonas. Sot, më shumë se kurrë kemi nevojë për këta titan të kombit. Jam optimist se edhe te ne do të nisë të punojë ai gjen i vjetër ilir, që në vete përmban civilizim dhe atdhedashuri. Një gur që ka shkëlqyer një herë, do të shkëlqejë përsëri.

nga Flori Bruqi :Demostratat e `81-shit,ishin krenaria e shqiptarëve...



Kjo shprehje përdorej për të përshkruar revoltën spontane të studentëve të Kosovës të cilat u mbajtën në Prishtinë me 4 Mars 1981 për kushte më të mira në mencen e studentëve në Prishtinë.

Shërbimi policor pas intervenimit brutal ndaj studetëve të revoltuar paraburgosi një numër të madh të studentëve. Kjo ndërhyrje shkaktonë demostratën e organizuar të studentëve më 11 mars e cla po ashtu shtypet me dhunë dhe parabugosen disa student.


 Më këtë fillon edhe zinxhiri i demostratave të 81-ës. Si pasojë rrjedhin tubimet e njohura si "Demonstratat e Punëtorëve" në të cilat punëtorët kërkonin lirimin e studentëve të burgosur. Përsëri, organet shtetërore intervenojnë me tërë brutalitetin e tyre. Gjatë këtyre tubimeve, armata Jugosllave paraqet prezencën e saj. Pas dy muajsh në territorin e "Krahinës Socialiste të Kosovës" vendoset "Gjendja e jashtëzakonshme" e më vonë edhe Shtetrrethimi. Ky zinxhir vazhdonë deri me fillimin e luftës në Kosovë

I gjithë zinxhiri i demostratave është përcjellur nga lufta speciale e Doktrina e shenjt serbe. Që nga fillimi i revoltes në mence deri te marrja në dorë e forcës së armatosur, kjo doktrinë ka vepruar me metodat e saja pasive dhe aktive nga prapavija.

Katër vitet e para pas demostratave, nga organet e sigurimi janë dënuar 4 mijë veta.

Gjatë periudhës 1981-1990 si rrjedhë e zinxhirit të demostratave janë vrarë 183 qytetarë civil dhe 63 ushtarë shqiptarë në armatën Jugosllave. Janë dënuar 1346 ushtarë dhe 10000 civil për kundërvajtje politike. 3500 persona kanë vuajtur dënimin mesatar me burg prej 7,1 vjetëve.

Çdo i treti shqiptarë në Kosovë është keqtrajtuar nga policia, kurse më 1990 janë helmuar mbi 7000 nxënsë dhe student kryesisht femra. Ne kete rast u fol edhe per sterilizim te femrave shqiptare me qellim uljen e popullsise shqipatre ne Kosove.Nga kjo pikepamje shteti jugosllav barazohet me veprimet e Sadam Huseinit kundra kurdeve.

U mbajt simpozium për demonstratat e vitit 1981



Në 30 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 u organizua simpozium shkencor në fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Me këtë rast u trajtuan tema të shumta nga studiues të shumtë për demonstratat e vitit '81.
Kjo periudhë u vlerësua si paraprijëse për rrjedhën e ndryshimeve të historisë në Kosovë.
Në shënimin e 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 nga studiues dhe pjesëmarrës të demonstratave u trajtuan tema të shumta për atë kohë në simpoziumin shkencor. Demonstratat e studentëve të vitit 1981 u cilësuan si periudhë e re e përpjekjeve dhe luftës politike për t`iu kundërvënë ish Jugosllavisë.
Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Histrorisë në Prishtinë, tha se “sot kur po rrumbullakojmë 30 vjet mund të themi lirisht se ngjarja e marsit dhe prillit të vitit 1981 u miratuan si ngjarje historike me përmasa e dimensione të vlerave frymëzuese për rrjedhën e viteve të më vonshme”, tha ai.
Ndërkaq krytari i Shoqatës së ish të burgosurve politikë, Hydajet Hyseni tha se pranvera e vitit 1981 shënoi një kthesë të rëndësishme historike që lëvizi Kosovën dhe gjithë kombin si dhe i parapriu proceseve të ndryshme në Evropën Lindore.
Në simpoziumin shkencor folën studiues nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Simpoziumi u organizua nga Instituti i Historisë në Prishtinë dhe Departamenti i Histrorisë të Fakuletetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

Reportazh nga vendi i shqiponjave


Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë shtet i gjithë shqiptarëve

Bajrush Morina

Pas një “harrese” pothuaj kolektive gjatë vizitës së fundit në Shqipëri presidenti i Republikës së Kosovës Behgjet Pacolli përsëriti mendimin e përgjithshëm të të gjithë shqiptarëve se Shqipëria është shtet amë i gjithë shqiptarëve.



Përshëndetja: Mirëserdhët në vendin e shqiponjave!”
Që në hapat e parë që hyn në Shqipëri të vjen një mesazh në telefon nga një kompani private e telefonave mobil “Eagle Mobile” në të cilin shkruan: “Mirëserdhët në vendin e shqiponjave!”. Në fakt megjithëse mbi qiellin e Shqipërisë gjithnjë e më pak fluturojnë shqiponjat, ndjenja se je në vendin e shqipeve është e pashmangshme për çdo shqiptar, aq më tepër për ata shqiptarë që jo shpesh kanë rastin të vizitojnë Shqipërinë.
Në mëngjesin e ditës së parë të kësaj jave kolona e gjatë e eskortës presidenciale po gjarpëronte Rrugës së Kombit nën përcjelljen e organizuar të policisë shqiptare gjatë gjithë rrugëtimit. Ajo që bie në sy për të mirë te ky organizim i policisë shqiptare ishte përshëndetja zyrtare që çdo pjesëtar i policisë shqiptare në çdo udhëkryq ose parakalim rruge i bënin eskortës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Për keqardhje, diçka të tillë nuk e di se bëjnë policët e Kosovës, madje edhe gjatë vizitave që i kanë bërë shtetit tonë burrështetasit e lartë të Shqipërisë.



Tirana: Pse është kaq i bukur kryeqyteti shqiptar?
Më pak se sa ndjenja e inferioritetit është ndjenja e nostalgjisë që të mbërthen kur sheh simbolet e shtetit shqiptar me dy ngjyrat shqipe, të kuqen dhe të zezën. Nuk ka pse të mos thuhet se pranë flamurit kuq e zi, flamuri i Kosovës dukej si një “copë arne” pa asnjë pamje dekorative, ndërkaq uniforma e Gardës Kombëtare ishte rreshtuar për të pritur presidentin e Kosovës Behgjet Pacollin.



Tirana është e bukur. Ky epitet është diçka që shihet dhe që ndihet. Edhe bulevardi kryesor ishte “prishur” jo nga demonstruesit e 21 janarit, por nga meremetimi që po i bëhej këtij sheshi të madh, janë rrugët e tjera kryesore të Tiranës sa të gjëra e aq të gjata e të drejta. Dikush do të thotë se janë që nga koha e Mbretërisë së Ahmet Zogut ose të sundimit italian. Le t’u takojnë edhe periudhave të tjera kohore, por ato kanë mbetur ashtu të gjëra e të gjata, të mëdha e të drejta. Pra rrugë që nuk i ka Prishtina.



Bile ata që e mbajnë mend Tiranën e viteve të 90-ta do të kënaqen me ndryshimet e mëdha infrastrukturore të kryeqytetit shqiptar.
Në qoftë se në mars të vitit 1990 në “pesëmbëdhjetëkatësh” “Tirana” nuk ke mundur të shijosh as edhe një birrë të ftohtë, në hotelin “Sheraton” ofrohet komoditeti i një hoteli perëndimor.
Tirana është e bukur edhe natën. Është e gjallë! Një rrugëtim skaj lumit Lana apo edhe një shëtitje bulevardit prej sheshit “Skënderbeu” deri të Universiteti, diku pas orës 22.00 apo edhe më vonë, është një “ushqim” jo vetëm shpirtëror por një veprim i mirëseardhur shëndetësor.



Një kafe tek Naltmadhnia e tij Mbreti Leka Zogu
Në qendër të Tiranës gjendet rezidenca e Mbretit Zog. Aty është ende gjallë e i fortë trashëgimtari i Fronit Mbretëror Leka Zogu. Megjithëse i shtyrë në moshë, ai edhe më tutje rri ulur në Fron të Selisë Mbretërore ose në ballë të oxhakut. Pret e përcjellë mysafirë që e vizitojnë. Aty shërbehet kafeja me filxhanë e me xhezve si në kohën e Mbretit.
Presidenti Pacolli i sjell Mbretit Leka përshëndetjet e gjithë shqiptarëve të Kosovës. Ka dëshirë që ai një ditë të jetë mysafir i tij në Kosovë. Naltmadhnia e tij e pranon me kënaqësi ftesën. Presidenti i dhuron Mbretit një libër dhe e falënderon për pritjen vëllazërore. Princi Leka e shoqëron presidentin deri te sheshi.



Një pritje e ngrohtë i ofrohet Presidentit edhe në Kryegjyshatën Bektashiane. Është festa e Natës së Sulltan Nevruzit që festohet nga gjithë besimtarët e këtij sekti fetar.
Në Krujën e Skënderbeut!
Të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë nuk kanë parë asgjë shqiptare po nuk u ngjitën në Kalanë e Krujës dhe po nuk u “takuan” me kryetrimin e shqiptarëve Gjergj Kastriotin - Skënderbeun.
Kruja është ndër qytetet e lashta shqiptare i cili përmendet që në vitin 879 si qendër peshkopate dhe e garnizoneve bizantine deri në fund të shek XII. Ciceroni shqiptar i shpjegonte presidentit Behgjet Pacolli dhe gjithë të tjerëve gjithë historinë e lavdishme të heroit tonë kombëtar. Në Kalanë e Krujës është e ekspozuar e gjithë lufta dhe qëndresa historike e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dhe e bashkëluftëtarëve të tij. Mungojnë vetëm dy eksponate origjinale të Skënderbeut - përkrenarja dhe shpata e tij. Ato ende ruhen në Muzeun e Vjenës, ndërsa ciceroni flet me nostalgji për këto eksponate të heroit tonë kombëtar.



“I kemi kërkuar Muzeut të Vjenës që përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut të na i kthejnë dhe t’i ekspozojmë këtu në Muzeun tonë në Krujë, sepse ato ishin përdorur nga Skënderbeu në betejat e tij në Krujë, por ata nuk po na i kthejnë. Madje po na thonë se ne duhet t’i falënderojmë ata që na i kanë ruajtur. Ne u kemi thënë: “Po mirë, po ju falënderojmë publikisht edhe si shtet, po ju japim falënderime dhe dekorime të larta shtetërore, vetëm na i ktheni!”, por ata nuk po ndryshojnë mendje, thotë me nostalgji ciceroni shqiptar.
Për të shkuar në Kalanë e Krujës duhet të kalosh përmes Pazarit të Vjetër. E në këtë Pazar, pos që ruhet e paprekur gjithë arkitektura e lashtë, shiten dhe ekspozohen kryesisht eksponate të lashta shqiptare që lidhen me kohën e Skënderbeut. Rastësisht më ranë në sy edhe dy gota uji në të cilat ishin gravuar edhe dy personalitete politike - Enver Hoxha dhe Sali Berisha.
Te varri i Skënderbeut
I shpallur disa muaj më parë qytetar nderi i Lezhës, presidenti Behgjet Pacolli nuk mund të largohej nga Shqipëria pa vizituar edhe Lezhën. Aty e pret kryebashkiaku e përveç tij e presin me valle e muzikë me tupanë edhe qytetarët e Lezhës. E presin qytetarin e tyre që tash është edhe president i Republikës së Kosovës. Presidenti shpreh kënaqësi për këtë pritje dhe fton të gjithë vogëlushët e Lezhës që ishin veshur me kostume kombëtare ta vizitojnë Kosovën.
Rikthimi në Kosovë shënon fundin e një vizite shumë të rëndësishme në Shqipëri.
Xhevati më thotë se në Tiranë na është ngrohur shpirti e madje edhe eshtrat e trupit nga rrezet e diellit.
Po, kjo është e vërtetë, në Shqipëri të ngrohet edhe shpirti edhe trupi.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...