VALLJA E LLUKËS
Gishtat, thembrat, në gjunjë,
dorën ngritur kah tavani,
dysheme e themele në lojë,
burrat llukjanë, traditën në sprovë!
Nuk dijmë se kush e nisi,
Lluka i Nikollës a Nikolla i Llukës!
Një Epikë në Lirikë
dhe Lirikë mbi Epikë,
Lluka vallen luan,
bile edhe nërmjet betejash!
Nuk e di se ku ikën shekujt,
kah shkuan e kah vanë?!
Por, e di që Vallja mbeti,
gjallnon e jeton,
pushuan shpirtëra e shpirtëra,
e shpirti i saj, në lojë se në lojë,
daulles e çiftelisë, jehun súa luan,
pasha atë lëkurë tupani!
Eh, sa herë shahirët epik e lirik,
në fluturim melodie,
kajk mbas kajke, e valle tëhu,
me nga dy palë mustaqe si krahë Shqiponje,
sa në dyshe ala Dervish e Demush,
e Kapedan Valleje si Baba Jahë,
Baca Belë, ai plaku flutur,
se trashëgimtarët në radhë presin,
Selman Shaban e Ahmet Llukë,
Shekullit në kalim!
Sa e sa herë amplitudave drithërima,
Kullave e logjeve,
sa e sa herë luajten Burrat,
e sa e sa lëkura tupanash shkeu Maqunga,
e bërë nergut, me dy gunga?!
E Dasma Llukjane, ajo ala Shqiptare,
tri ditë para e tri pas,
jehonë e oshëtimë deri në Kupë Qielli,
Lluka në kajkë e valle,
në shpirtë u shkri, qebesa!
- O, të na trashëgohen, more!
- Një katund u bëftë prej tyre!
- Na gëzofshin me Myftar Katundi,
Kapedan e Kajmekam Mileti e Vatani!
Dhe, rend Dyerve të Oborrit,
Nusja me këmbë të mbarë,
bashk me tri krisma Mauzerke,
të ligat vriteshin e zhdukeshin të tmerruara!
Po kush tjetër veç Bacës Belë e Nënës Bute?!
Defit e Tupanit, atë lëkurë planci,
do ia shqyejm!
Punë e madhe,
planca në ahur me bollëk kemi,
se Lluka, Vallen s´e len qebesa!
E kajka, jehut e tehut,
vet jeta llukjane!
Me mjeshtri hijeshojnë Vallen,
Qerim Tahir, me Adem Ramen,
cicëron Kavalli, si harabeli,
nga Col Zenuni e Adem Zeneli!
E t´ja marrin kajkës t´kulluar,
tu i ngritë gotat, raki t´bekuar,
për me i ngjallë t´vdekurit nga vorri,
raki kumbullash nga Isuf Kaqorri!
Shtatë tetë kangë-valle, dy tri llafe,
nga dy tri gota dhe një rend kafe!
Se po t´baj be n´atë Verr Binak,
ku asht dhanë Besa me be të bukës,
deri n´gu n´u lafshim n´gjak,
nuk ndalet kanga-vallja, jo, n´Verra t´Llukës!
Mentor Thaqi VS., 18.03.2011
Agjencioni floripress.blogspot.com
2011/03/26
ELEGJIA E DHIMBJES
Arif Molliqi
ELEGJIA E DHIMBJES
( In Memoria Prof.Nimon Alimusaj, mesuesit tim)
Kur Ti ece e ece në damaret e gjakut
Koha tinës n´kurth të vuri
Deri në udhëtimin e moskthimit
Në secilin vend lë gjurmë
Nga shikim i ytë u trembën hijet
Që i pagëzova më nga një fjalë tënden.
Të biem n´dashuri për gjithçka tonën
Për perëndin e Alpeve Shqiptare heq shpirt
Se bukurisë nuk i duhet lutja
Po sonte me ra ndërmend
E jotja udhë e gjatë përmbi Maje Mali
Po t´ka lodhë e t´ka k´putë malli
Një Zot e di
Ç´është kjo rrapëllim në mallin tënd
Që merr frymë në pranverën time
( Mësuesi im; nga maja e Strallit të thirra
Pjekjen ta bëjmë të Gurrat e Bardha
Nuk po më provojnë këmbët, me the
Për herë të parë nuk me dole në fjalë
Nuk e di shikimi na Kosova të vonoj
Apo lahutarët më këngët kreshnike)
Sonte më kot të kërkova
Kishe dalë n´qafë të Strellcit
Në këtë çmendi heshtjen ta trazosh
Blerina Sadiku :"Lindja e Çështjes Çame: 1820-1943"
"Lindja e Çështjes Çame: 1820-1943" e studiueses së re Blerina Sadiku pasuron historiografinë mbi Çamërinë me dokumente dhe dëshmi, shumica e të cilave publikohen për herë të parë
Monografia shkencore "Lindja e Çështjes Çame, 1820-1943" (Naimi, 2011), e autores së re Blerina Sadiku pati vëmendje të gjerë në prezantimin e parë në publik. Titullarë si ministri i Kulturës dhe historianë në zë, gjykojnë se ky studim, me lëndën dokumentare arkivore të pashfrytëzuar deri më sot që sjell mbi një temë delikate, e varrosur dhe e rizgjuar në njëzet vitet e fundit, e meriton dhe kërkon njëmend vëmendje nga institucionet akademike dhe shtetërore.
Çështja çame në një shekull, qysh në kohën e Revolucionit Grek, kur kombi grek luftonte për pavarësi dhe krah tyre edhe çamët, deri në vitin 1943, në kohën e Spastrimit Etnik që iu bë popullatës e përzënë nga rrënjët e territorit të vet.
Në studimin që autores Sadiku i mori 6 vjet, trajtohet lufta e qeverisë greke ndaj komuniteteve të huaja më 1820-ën. Ato kohë objekt i sulmeve greke ishin jo vetëm shqiptarët, por edhe vllehët, hebrenjtë, sllavo-maqedonasit dhe turqit e Thrakës.
Një kapitull zë vështrimi i çështjes në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), më tej gjatë Konferencës së Paqes në Paris (1919-1920).
Autori i disa librave për çështjen çame Hajredin Isufi, i cili ka bërë redaktimin shkencor të monografisë, thotë se autorja tregon që "historia e dramës çame nuk mund të rishkruhet duke u mbështetur gjithnjë në ato burime që dihen e të njohura deri dje, por duke hulumtuar për burime të reja, për t'i sjellë lexuesit pjesët e munguara të historisë së asaj treve, që është e pasur me histori dhe figura të shquara".
Për shembull Isufi merr kapitullin e fundit "Lufta për shkollën shqipe në Çamëri 1908-1943", ku hidhet dritë në një periudhë paraprirëse të luftës për shkollën shqipe në krahinën e Çamërisë, në vitet 1908-1940.
Nga studimi i Sadikut, thotë historiani Isufi, del se jo vetëm që rrethet patriotike çame në Paramithi, Margëlliç, Mazrek, Filat, Pargë etj., nuk iu nënshtruan akteve të dhunshme të qeverisë osmane e më pas të asaj greke, por, luftuan të përhapnin në Çamëri shkrimin e librin shqip.
"Me gjithë botimet e shumta të këtyre njëzet vjetëve të fundit, historiografia mbi Çamërinë vazhdon të mbetet deficitare në raport me interesimin e lexuesit e të vetë shkencës", thotë recensuesi i monografisë, prof. dr. Pëllumb Xhufi.
Historianët e vlerësuan për hulumtimin e materialeve në arkivat greke, italiane, gjermane dhe dokumentacionin që Sadiku ka ditur të vjelë prej tyre dhe ta shfrytëzojë me rigorozitet, aq sa të na provojë, "se edhe një vajzë e re mund të na japë një libër që të bën të mendosh", pohoi historiani Sabri Godo në prezantimin në Tiranë, i organizuar nga Shoqata "Çamëria" dhe Shtëpia Botuese "Naimi".
Për ta përmbushur këtë detyrë nuk mjafton sedra për një punim shkencor dinjitoz e skrupuloz. Por janë ndonjëherë motive të brendshme të forta, që shërbejnë si shtysë për të përmbushur nëpërmjet një punimi shkencor edhe një mision qytetar. Autorja Blerina N.
Sadiku është pasardhëse e një prej familjeve më të njohura të Çamërisë, familjes patriote Sadiku. Duke falënderuar asistencën e profesorëve Xhufi dhe Isufi gjatë procesit të hartimit të librit, thotë se interesimi për t'u njohur me historinë dhe dramën e Çamërisë është bërë pjesë e pandarë e jetës së saj, duke nisur me diplomën universitare të mbrojtur me temën "Diplomacia shqiptaro-greke ndaj çështjes çame 1913-1944", e për të vijuar me këtë libër të ri që doli në qarkullim pas një pune të pandërprerë prej afro 5-6 vjetësh dhe pas një kërkimi dhe konsultimi të gjerë me dokumentet dhe literaturën në arkivat shqiptare, greke, italiane, gjermane etj.. Autorja 25-vjeçare, ka kryer studimet në Universitetin e Nju-Jorkut për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Vargjet e Arbënore Zeqir Abazaj janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik
Vargjet e Arbnores janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik, që në botën e tyre zihet shumëçka që ka të bëjë me kohën dhe realitetin. Motivi i atdheut, motiv që dominon më së shumti në vargjet e poetëve që nga e kaluara, me ndjenjën e dashurisë ndaj mëmëdheut, si prolog hapet ky vëllim poetik: Derisa shkruaja poezinë/ Në fletën e bardhë/ Shkronjat bënin dialog/ Disa dolën jashtë/ Shkronja A filloi të qajë/ Unë mbeta e habitur/ E pyeta A-në pse po qan/ Ajo më tha/ Në alfabet jam numër një/ Edhe në emrin tënd/ Unë jam e para/ Pse më le në mes/ Me ty fillon mëmëdheu ynë. (Poezia, Me A fillon mëmëdheu ynë, f. 5).
Kështu, në vëllimin poetik të Abazaj, objekt frymëzimi dhe preokupimi janë ngjarjet dhe momentet e ndryshme që prekin thellësinë e botës shpirtërore.
Te poezitë e këtij vëllimi poetik, përkatësisht tek kapitulli i parë, Tingujt e heshtjes, me simbolika të fuqishme shpaloset bota që rrethon bashkë me trajtat e përditshmërisë, që trazon këtë shpirt krijues. Në brendinë këtij subjekti ngërthehen edhe hidhërimi, edhe vetmia, edhe reagimi i një shpirti, i cili gjen prehje vetëm në ëndrrat e veta. Në këtë varg, po ashtu e gjejmë edhe trajtimin e temave që lidhen me problematikën sociale e psikologjike, pastaj motivi i botës idile dhe kravatave, si mëtim i hershëm për të ndjekur lëvizjet e reja të mendimit po ashtu edhe të alternimeve jetësore. Motivet që kanë ngjizur krijimtarinë e kësaj autoreje shtysën e kanë në vëzhgimin e hollë e të vazhdueshëm të evoluimit e të transformimit të botës shpirtërore të individit dhe të kolektivitetit. Figurat të cilat dominojnë në vargun e gjatë të këtyre autoreve vihet të veprojnë e të ecin nën trysninë e kushteve dhe realiteteve të caktuara, mirëpo specifika e reaksioneve dhe rrugës së zgjedhur kërkohet në veçoritë e karakterit dhe ngjizin strukturën metaforike të vargut. Konflikti dramatik në të cilën ndeshen ngjarjet dhe protagonistët, autorja bën përpjekje të lehtësojnë formën kapërthimit të motiveve dhe të ngjarjeve. Poezitë e Abazajt shprushin fatin e njeriut bashkëkohor. Fati, vuajtjet, plagët, dhimbja, ngushëllimi, ëndrrat, buzëqeshjet, shpresa, vetmia, dashuria, jeta, vetëdija, apokalipsi, ëndrra, errësira, humnera, drita, zjarri, lotët etj., janë lajtmotiv që dominojnë në këto vargje dhe i japin shkëlqim këtij vargu poetik: Edhe sonte mbretëreshë e lotit jam/ Pa ty shoqe vetminë e kam/ Natës i mungon takimi ynë i fshehtë/ Hëna lutet/ Lutet për ne/ Si valë rrufeje ti u largove/ A kam faj unë që të doja aq shumë/ A kam faj që edhe sonte/ Qaj për ty mbretëreshë/ Mbretëreshë e lotit jam/ Vetmia më ha/ Loti më pikon/ Mbretëreshë e lotit jam/ Askush nuk e di që kur u largove/ Mbretëreshë e loti jam... (Poezia, Mbretëreshë e lotit, f. 21).
Në vazhdim të librit, autorja Abazaj e thyen rutinën e këtij vargu poetik, të konceptuar me një pjesë – shtojce me aforizma, të titulluar “Nuk dua të bëhem rob”. Ja disa nga aforizmat që Abazaj i ka sajuar në librin e saj: Më thua se je kritik arti dhe më kritikon në biznesin tim/. I varfëri i lutet popullit, i pasuri i nënshtrohet pushtetit dhe parasë/. Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka ka një qëllim, por për ne mbetet e panjohura/. Disa njerëz i besojnë fantazisë, disa të tjerë të parealizueshmes/. Nuk ka vetëm jetë misterioze, ka edhe njerëz të tillë etj.
Vëllimi poetik i Arbënore Zeqir Abazaj, është një përmbledhje e veçantë poetike, që përveç vlerave ideoartistike edhe motivet dhe mesazhet që ngërthehen në të janë shumëfish të vlefshme, që njëherësh edhe përcjellin një mesazh udhërrëfyes.
Shqipëria e vitit 1953 në shënimet e një gazetari suedez
Kur erdhi në Shqipëri, në vitin 1936, ai kishte dëgjuar se Shqipëria ishte një vend i humbur kusarësh. Kur sosi në portin e Durrësit, kur u përball me atë panoramë malesh ngjyrë hiri, priste t’i dilnin para edhe ca njerëz të çuditshëm me kapele piratësh.Njerëz të çuditshëm pa me siguri, por as piratë e as kusarë. Pa njerëz të veshur varfër, por që ngisnin makina luksoze, të sjellshëm dhe me masë, tepër mikpritës, madje në çdo rast të nxirrnin përpara tabakanë me kafe të nxehtë. Sven Auren (1906-1985), gazetar dhe shkrimtar i njohur suedez, autor i 55 librave, ka pasur mundësinë të shëtisë shumë vende të botës. Në vitin 1935, pasi kishte marrë shumë këshilla që të mos e merrte atë rrugëtim, erdhi në Shqipëri dhe vizitoi një sërë qytetesh, që nga Durrësi ku mbërriti së pari, Tiranën, Elbasanin, Shkodrën, Krujën, Vlorën, Sarandën e Gjirokastrën. Si një gazetar e shkrimtar, nuk mund të mos mbante shënime, të cilat na vijnë edhe në shqip nga shtëpia botuese “Botimet Enciklopedike”.
Këtë përmbledhje shënimesh, por edhe analizash, Auren e titulloi “Shqipëria, Orienti i Evropës”. Suedezi, të cilin nuk e lidhte asgjë me Shqipërinë, nuk kursehet duke përshkruar mizerjen e qyteteve shqiptare, mënyrën orientale të të jetuarit, por, nga ana tjetër, nuk mund të mos ngrejë lart vlerat e shqiptarëve, si njerëz të rrallë, të pritur, me sqimë, krenarë. Sipas tij, edhe një shqiptar i veshur keq është krejt tjetër gjë nga një leckaman italian, apo francez.. Libri i Aurenit na sjell dëshmi të mrekullueshme nga Shqipëria e fillim shekullit XX, na ofron panorama, rrugë, ndërtesa, të cilat nuk ekzistojnë më. Gjithçka e përshkruar në detaje dhe të duket se ajo që shkruhet, t’i mund ta shohësh. Teksa ka qëndruar në Tiranë, Aureni ka vizituar shtëpinë e mbretit Zog dhe na ofron imtësisht mënyrën sesi ajo ishte mobiluar. I ndodhur gjatë një kohe zije në Shqipëri, pas vdekjes së nënës mbretëreshë, pas informacioneve dhe deduksioneve, gazetari na bën me dije edhe mbi ndikimin që nëna mbretëreshë kishte pasur mbi të birin, Ahmet Zogun.
Drejtori i “CNN-it arab”: Së shpejti “Al-Jazeera” ju flet në gjuhën shqipe!
Mustafa Soung, drejtor i TV gjigant arab “Al-Jazeera” me redaktorin tonë Nefail Maliqi
nga Nefail Maliqi
Intervistë ekskluzive me z. Mustafa Soung, drejtor i televizionit gjigant arab “Al-Jazeera”
Dua t'ju them juve nga "Bota sot" diçka për herë të parë publike se ”Al-Jazeera” së shpejti, gjatë këtij viti, do të hapë një kanal televiziv në Sarajevë me emrin ”Al-Jazeera-Ballkanike” ku padyshim vend të posaçëm aty do të kenë Kosova e Shqipëria për shkak se lajmet për Kosovën dhe për shqiptarët do të emetohen në gjuhën amtare, pra në shqip!
Gjenevë/OKB - Drejtori i TV gjigant “Al-Jazeera”, z. Mustafa Soung, në intervistën ekskluzive për "Botën sot" flet përveç suksesit të këtij kanali televiziv që shpeshherë nga mediet botërore është quajtur si “CNN arab”, flet edhe për vendin e Kosovës dhe të shqiptarëve në këtë medium të njohur botëror, si dhe për hapjen e përfaqësive të “Al-Jazeera” nesër në Kosovë ose në Shqipëri.
Sa mbyllen disa mediume në gjuhën shqipe (siç ishte Radio Zagrebi ose BBC) kemi përshtypjen se po aq po hapen ditëve të fundit, ndoshta edhe më shumë kanale televizive apo radio në gjuhën shqipe sot në botë. Këtyre ditëve fjalë të mira kemi edhe nga televizioni gjigant arab “Al-Jazeera”. Lidhur me të gjitha këto edhe pse arabët, vendet myslimane, hezitojnë për njohjen e Pavarësisë së Kosovë flet ekskluzivisht njeriu kryesor i televizionit të njohur botëror “Al-Jazeera”, z.Mustafa Soung. Ky kanal televiziv sot ka më shumë se 2.500 veta personel në gjithë planetin, me rreth 100 milionë shikues.
Nefail Maliqi: Mustafa, fillimisht çfarë mund të thoni për televizionin tuaj “Al-Jazeera”, që e drejtoni ju. Si ia arritët që të krahasoheni me CNN e Reuters?
Mustafa nga “Al-Jazeera”: Jo vetëm në media, por çdo punë e cila fillon me lutje dhe në emër të Zotit, natyrisht për qëllime të mira, për mision të mirë në shërbim të popullit padyshim se do të shkojë mbarë. Mendoj se “Al-Jazeera” ka arritur këtu, ku është sot, për shkak se televizioni ynë bën një punë profesionale dhe të pavarur. Përveç kësaj shteti i Katarit me një gjenorizitet të madh mbështet financiarisht televizionin tonë. Dhe për këtë arsye ne hallin e financave nuk e kemi dhe kemi potencial të fortë për të mbuluar çdo hapësirë të planetit tonë me informacione ose me korrespondentët tanë. Përveç mbështetjes financiare ne kemi edhe mbështetjen tjetër mjaft me rëndësi, atë morale, dhe bashkë me këtë të fundit edhe liria e shtypit dhe raportimet e lira pa kurrfarë censure apo kontrolli janë elemente që e mbajnë televizionin tonë. Pra, pa këto tri elemente as ne nga ”Al-Jazeera” nuk do të ishim këtu ku gjendemi sot.
Nefail Maliqi: Z. drejtor, a mund të na thoni se cili është vendi i Kosovës, i shqiptarëve në televizionin tuaj ”Al-Jazeera”?
Mustafa nga “Al-Jazeera”: “Al-Jazeera” ka mbuluar zhvillimet tragjike të popullit të Kosovë gjatë luftës së fundit me Serbinë, ku shqiptarët ishin viktimë e krimeve, të masakrave dhe të gjenocidit serb në Kosovë. Madje gjatë kësaj lufte ne kemi pasur edhe emisione speciale dhe biseda me diplomatë, me personalitete të njohura botërore si nga SHBA-ja e nga vendet arabe, po ashtu edhe nga BE-ja dhe nga radhët e shqiptarëve për t’u njoftuar më realisht për situatën në rajon dhe për të gjetur mënyra dhe metoda për t’i kontribuar paqes dhe stabiliteti në rajon. Para këtyre ngjarjeve tragjike ne kemi ndjekur po ashtu edhe zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë. Tash “Al-Jazeera” vazhdon të mbulojë ngjarjet me rëndësi në rajon, për shembull edhe televizioni ynë sikur mediet e juaja në Kosovë e gjetiu i ka dhënë hapësirë të madhe zgjedhjeve të fundit në Kosovë, si dhe zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës dhe të presidentit të ri të vendit z.Behgjet Pacollit. Por ne kemi njoftuar sikur edhe mediet tuaja dhe ato ndërkombëtare edhe për aferën e fundit të senatorit zviceran Dick Marty për “trafik organesh” në Kosovë.
Kosova kur votoi Pavarësinë po ashtu lajmet ose emisionet tona në ”Al-Jazeera” hapeshin me Kosovën. Kështu edhe sot vazhdon, sa herë njihet Pavarësia e Kosovës, sidomos nga vendet Arabe, siç ishte njohja e Republikës së Kosovës nga vendi ynë, Katari. Por, duhet ta pranojmë se çështja e Kosovës në informacionet tona në “Al-Jazeera” më nuk është prioritet sikur dikur, gjatë periudhës së luftës ose gjatë kohës së shpalljes së Pavarësisë, por megjithatë ne me mjaft interesim përcjellim dhe paraqesim çdo zhvillim me interes kombëtar ose ndërkombëtar në Kosovë e në Shqipëri. Dua t'ju them juve nga "Bota sot" diçka për herë të parë publikisht se “Al-Jazeera” së shpejti gjatë këtij viti do të hap një kanal televiziv në Sarajevë me emrin “Al-Jazeera-Ballkanike” ku padyshim vend të posaçëm do të ketë Kosova edhe Shqipëria për shkak se lajmet për Kosovën dhe shqiptarët do të emetohen në gjuhën amtare të shqiptareve, para në shqip! Dhe kur të fillojë puna në Sarajevë e kanalit televiziv “Al-Jazeera-Ballkanike” ne do të startojmë menjëherë me hapjen e zyrave të “Al-Jazeera”-s në Prishtinë dhe në Tiranë, pse jo edhe në Preshevë e në Shkup.
Nefail Maliqi: Shqiptarët e Kosovës, si shumicë myslimane, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kanë pritur më shumë nga vendet arabe për njohjen e shtetit më të ri në Evropë. Por disa vende arabe si duket ende hezitojnë, pse ndodh kështu z.Mustafa?
Mustafa nga “Al-Jazeera”: Për vendin tim, Katarin, nuk mund të thoni kështu, sepse ne jemi nga vendet e para që kemi njohur shtetin e Kosovës. E sa i përket vendeve të tjera përballë njohjes së Kosovës duket më shumë se është çështje politike sesa ndonjë lloj distance nga raporti negativ me shqiptarët. Dhe t’ju them sinqerisht nuk e kuptoj pse disa vende arabe, organizata ndërkombëtare, si ajo e Konferencës Islamike ose Liga Arabe, pse nuk kanë marrë ende një qëndrim të qartë për njohjen e Republikës së Kosovës. Por, më duket se këtu ka edhe ndikime politike dhe disa vende arabe të përziera me popuj të tjerë nuk kanë guxim të njohin Kosovën, për shkak të pasojave që mund t’u dalin atyre në vend. Por, do të kisha shtuar për fund se Kosovës, megjithatë, i mbetet që për këtë të lobojë më shumë, të gjejë miq dhe të meritojnë njohjen e shtetit të Kosovës nga vendet arabe sidomos nga vendet myslimane.
Kryetari i Komisionit për ndryshimet kushtetuese të Egjiptit, takon Prof.Dr. Beqir Ismailin
Prof.dr.Beqir Isamili dhe z.Tarik El Bishri
Alba-Press, Kairo:24 .03. 2011
Kryetari i Komisionit për ndryshimet kushtetuese të Egjiptit, Konsulenti Tarik El Bishri, priti në një takim kortezie, Prof. Dr. Beqir Ismailin, i cili i shprehu Z. El Bishri, urimet më të mira për pozicionin e tij dhe rezulltatet e arritura nga refenderumi.
Z. El Bishri, tha se pas rezultateve pozitive 77.22% pro, zgjedhjet parlamentare do të pasohen nga zgjedhjet e Kuvendit Shura dhe pastaj do të formohet Këshilli i Ekspertëve që përfaqëson të dy dhomat, numri i të cilëve është 100 dhe, që do të punojnë për kushtetutën e re.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë mirëkuptimi dhe miqësie. Me këtë rast Prof. Ismaili, e njoftoi më hollësisht El Bishrin, mbi zhvillimet më të fundit në Kosovë si dhe për formimin i Qeverisë së re duke kërkuar nga Konsulenti El Bishri të luajë rolin e tij pozitiv, për njohjen e Kosovës.
Konsulent Tarik El Bishri, falenderoi Prof. Ismailin për vizitën e tij dhe tha se do të japë maksimumin e tij dhe do të ofrojë të gjithë ndihmën e mundëshme, për çështjen e Kosovës.
Prof. Ismaili ka patur marëdhënie të ngushta me Konsulent Tarik El Bishrin, që nga viti 1997, kur ky i fundit ka kryer detyrën e Zv. Presidentit të Lartë të Kuvendit të Shtetit Egjiptian. Duke përfituar nga kjo njohje e gjatë, Prof. Dr.Beqir Ismaili po punon për një libër kushtuar jetës dhe rolit efikas, që Konsulent Tarik El Bishri, ka luajtur në zhvillimin e lëvizjes intelektuale në Egjipt.
Subscribe to:
Comments (Atom)
Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar
Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
Search inside image Shkruan Akademik prof.dr.Flori Bruqi, PHD Search inside image Pak biografi për t’mos ju ardhtë mërzi…. Search inside ...
-
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Shkruan Akademik Flori Bruqi, PHD. Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Shkruan Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, PHD AAAS. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartav...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Kush është Koço Kokëdhima ? Koço Kokëdhima nga Qeparoi i Himarës është njëri ndër biznesmenët më të pasur dhe të suksesshëm në...