Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/05

Rudi Erebara dhe Vezët e Thëllëzave - Një roman tronditës.

Nga: Mimoza Erebara (autore e romanit: Dry me qera )
Vezet e Thellezave, Rudi Erebara
Vezët e thëllëzave është romani i fundit i autorit Rudi EREBARA, një roman që të trondit. Lufta të trondit, persekutimi të trondit, vuajtja të trondit, dhimbja të trondit, pafajësia e fëmijës të trondit, revolucioni të trondit. Sipas një këndvështrimi të përgjithshëm në kritikën botërore të letërsisë pranohet që pjesa më e madhe e letërsisë posttraumatike nuk është edhe aq e mirë. Kjo e ka shpjegimin e saj. Së pari, autorët nuk janë ende të distancuar nga ajo çka ka ndodhur. Së dyti, egërsia dhe intensiteti i ngjarjeve, të gjitha të përjetuara në një periudhë të shkurtër kohore, dhe të gjitha të egra, makabre, njëra me makabre se tjetra, edhe kjo mungesë hapësire kohore sjell një "frenim" të autorëve. Së treti, edhe autorët pas luftës janë të amullt, qetësia që pason në fillimet e veta u duket e rrejshme dhe e papranueshme. Pra në thelbin e vet kjo letërsi me gjithë qëllimin e mirë dhe të padiskutueshëm, nuk është edhe aq edhe mirë. Kjo letërsi vuan nga parcialiteti, qoftë nga forma, qoftë nga përmbajtja. Personazhet nuk skaliten mirë dhe nuk bëhet dallimi mes tipikës dhe tipizimit. Veçanërisht problemet e tipizimit janë edhe ato që e dëmtojnë më shumë. Nga pikëpamja e stilit ka mangësi strukturash dhe gjuha me qëllim nuk është e latuar dhe e përzgjedhur, por kemi të bëjmë në shumicën e rasteve me një gjuhë të vrazhdë, gati-gati zhargon. Por nga ana tjetër, e gjithë kjo prurje, që çdo letërsi do ta kishte zili, ka edhe një anë të mirë, nëse e shohim nga ky këndvështrim. Ndoshta i shërbejnë qëllimit më të madh se ne, për të kuptuar të keqen, që pastaj po ne të kuptojmë të mirën më mirë.

Në fakt ka shumë teori dhe mendime për mënyrën se si shfaqet letërsia tek një autor, se si vjen ajo te ai dhe se si e përdor ai këtë dhunti. Nëse shikojmë letërsinë në fjalë, ajo ka një shkëputje nga vetë autorët, është si në ajër, herë-herë ndodh që ndonjë shkëndijë t'i sjellë ata në tokë drejt hulumtimit të ndjenjave dhe të shpirtit të tyre, por kjo është po aq sporadike sa edhe vetë ekzistenca e këtyre autorëve. Në këtë kontekst më pëlqen t'u bashkangjitem formalisteve rusë të cilët pranojnë dhe mbrojnë pikëpamjen se letërsia, energjitë e saj vijnë si një vullkan, vijnë nga së brendshmi. Romani "Vezët e thëllëzave" i Rudi Erebares e vërteton më së miri këtë qëndrim. Autori duket qartë që zotëron mekanizmin e letërsisë. Ai di shumë bukur të përzgjedhë historinë më tipike dhe përmes saj të na japë një tipizim të asaj kohe. Personazhet e tij janë të pakët në numër por me ngarkesë të lartë emocionale. Ky është një sekret që Rudi e zotëron falë qëndrimit të tij ideoemocinal. Qëllimi i tij si autor në këtë rast nuk ka qënë në asnjë çast ekspozimi por leximi. Duke ndarë këtë qëndrim me veten ai arrin të mbajë analizën e hollësishme të një sistemi të caktuar politik edhe përmes një 13 vjeçareje, sikur është Afërdita, vajza kryeqytetase që ideologjia ndryshe e prindit të saj, e hodhi në egërsinë dhe indeferentizmin e pushtetit, krejtësisht në mëshirë të fatit. Është një "praktikë" e njohur në letërsi syri i një fëmije për të bërë analiza të thelluara të një sistemi të caktuar, apo të një lufte të caktuar. Kujtojmë, të parin që na vjen ndër mend "Ditari i Ana Frankut". E përbashkët është fëmija. Imazhi. Imazhi që na çon me gjithë personazhin në kalvarin e vuajtjeve. Meritë e autorit është fakti që këtë imazh ai pasi e ka gjetur na e servir me elegancë, stil, por ç'është më e rëndësishmja me shpirt. Në çdo rresht që lexon dhimbja është aty, ulëritëse në heshtjen e saj, ulëritëse në sytë e fëmijës dhe të nënës së vet. Dhimbja zotëron ngjarjen, dhimbja zotëron mendjen dhe ndjeshmërinë tonë duke arritur të na përçojë, jo keqardhje, por shpresë, jo humbje, por dashuri. Janë këto elementë që e mbajnë leximin gjallë deri në fund. Ne jetojmë tashmë jo më me imazhin, harrojmë primardialitetin e letërsisë dhe bëhemi njësh me të, jetojmë me ankthin e zgjimit pas një nate të egër dimri në mal, pothuaj jashtë. Dhe duam (ah, sa shumë duam!), të ndihmojmë personazhet tanë. Në një çast të tillë autori duhet të ndjehet me të vërtetë i bekuar, sepse ka mbërritur kësisoj qëllimin dhe funksionin e ekzistencës së vetë letërsisë. George Eliot thotë: "Funksioni i romanit është të shpërndajë simpati ku qëniet njerëzore mbajnë një qëndrim të barasvlefshëm me veten". Mendoj se Rudi Erebara me "Vezët e thellëzave" e arrin më së miri këtë kërkesë qënësore të romanit.

Escape from freedom

Arratisje nga liria, Erich Fromm
Titulli: Arratisje nga liria
Origjinali: Escape from freedom
Psikologji
Autori: Erich Fromm
Shqipëroi: Gjergj Sinan
Shtëpia botuese: Plejad
Viti: 2011
fq. 285
Pesha: 0.38 kg
ISBN: 978-99956-57-57-4

Zhvillimet aktuale politike dhe rreziqet që ato përmbajnë për fitoret e shumta të qytetërimit modern, lipset të na përqëndrojnë mbi një aspect që është thelbësor për krizën kulturore dhe sociale të kohës sonë: kuptimi i lirisë për njeriun modern.

Njësia themelore e procesit shoqëroro është individi, dëshirat dhe frika e tij, arsyeja dhe pasionet e tij, prirja e tij dnaj së mirës dhe së keqes. Për të kuptuar dinamikën e procesit social duhet të kuptojmë dinamikën e proceseve psikologjike që ndodhin tek individi, ndaj atë duhet ta shikojmë në kontekstin e kulturës që e plazmon.

Teza e këtij libri është se njeriu modern, i çliruar nga shtrëngesat e shoqërisë para – individualiste, e cila në të njëjtën kohë i jep sigurinë dhe e kufizon, nuk e ka arritur lirinë në kuptimin pozitiv të realizimit të qenies së vet, dmth në shprehjen e mundësive të tij intelektuale emotive dhe ndjesore. Megjithatë, i etur për pavarësinë dhe arsyen, liria e ka bërë të izoluar dhe shpesh të ankthshëm dhe të pafuqishëm. Ky izolim është i patolerueshëm dhe alternativa që i paraqitet njeriut është si më poshtë: ose të largohet nga perla e kësaj lirie drejt një marrëzie dhe nënshtrimi të ri, ose të përparojë drejt realizimit të plotë të lirisë pozitive që bazohet në unicitetin dhe individualitetin e njeriut.

Megjithëse, ky libër është më shumë një diagnozë se sa prognozë – më shumë një analizë se sa një zgjidhje – rezultatet e parashtruara në të mund të ndikojnë mbi veprimet tona të ardhshme. Në fakt, kuptimi i motiveve të braktisjes totalitare të lirisë, përbën hyrjen e çdo veprimi që synon fitoren ndaj forcave totalitare.

Libër deti

Liber deti, Arian Leka


Titulli: Libër deti
Poezi
Autori: Arian Leka
Faqe: 176
Pesha: 0.2 kg
ISBN: 978 99956-29-45-8


Dy fjalë hyrëse...
12 muaj kushtuar detit, njerëzve që i qëndruan përballë dhe atyre që i kthyen shpinën.
4 stinë për dashurinë dhe një qytet – Durrësin në historinë dhe përditshmërinë e tij.
Dhe të gjitha nën një trill: Lundrimi ka rëndësi, jo jeta, thjesht... - Navigare est necesse, vivere necesse non est...

Është një pjesë e planetit, që shumë e duan, por pak e njohin.
Një vend magjik dhe i rrezikshëm, ku trupi e shpirti përshtaten e bëhen njësh.
DETI... Deti dhurues, deti kufi, deti ndëshkues, deti mundësi, deti mister, urë, miqësi, premtim, shpresë, vdekje, jetë.

Legjendat më të bukura

Legjendat me te bukura Vell. 2, Arian Leka


Titulli: Legjendat më të bukura
Autori: Arian Leka
Shtëpia botuese: Ideart, 2004
F. 240
Pesha: 0.26 Kg.



Në vëllimin e dytë të Legjendave flitet për heronjtë mitologjikë, të cilëve s’u mbeti gjurmë tjetër veç bëmave dhe emrit, lavdisë dhe veprave të mira që ata vinin mbi gjithçka. Ata ishin të gjithë bij perëndish, u ngjanin perëndive në shpirt, në shtat e në pamje. Heronjtë nuk trashëguan prej etërve pavdekësinë, por jetën e bujshme e të mbushur me zulmë dhe trimëri, si për të na dhënë shëmbëlltyra dhe vetëdijen se jeta, kur pasurohet me vepra, është edhe më e vyer se pavdekësia. Ata ishin të vdekshëm, por i pavdekshëm ishte njerëzimi që ruajti kujtimin e tyre.

Gjarpri i Shtëpisë

Gjarpri i Shtepise, Arian Leka


Titulli: Gjarpri i Shtëpisë
Roman. Proza bashkëkohore, botim i tretë.
Autori: Arian Leka
Redaktorë: Mira Meksi, Zija Çela
Shtëpia botuese: Ideart
Viti: 2005
Numri i faqeve: 264
Pesha: 0.32 Kg.



I suksesshëm është konsideruar nga kritika romani “Gjarpri i shtëpisë”. Në shkrimet dhe artikujt e shumtë që janë botuar në shtyp dhe komentet në TV është theksuar se kjo vepër jo vetëm është një nga arritjet më të mira të autorit, por edhe të prozës shqipe në përgjithësi. Në të trajtohet tema e ditës në një thellësi dhe gjerësi të plotë. Motivi kryesor është ikja: ikja nga mosha ikja nga jeta, arratia nga ajo botë që ke krijuar vetë, por që nuk të pëlqen më të jesh. Megjithatë, më e rëndë se ikja është përzënia. Përmes jetës dyfishe të një detari, jetë kjo e kaluar sa në tokë edhe mbi e nën det, autori ia del të operojë me të gjitha shtresëzimet psikologjike të personazhit, dhe përmes një narracioni të ngjeshur si dhe tekstit të plotë i ofron lexuesit një roman postmodern me disa rrafshe leximi. Një vlerë e përmendur e këtij romani është edhe gjuha mjaft e pasur dhe dialogët e qartë dhe gati “filmikë”.

Anija e gjumit

Titulli: Anija e gjumit
Poezi
Autori: Arian Leka
Shtëpia botuese: Ideart, 2006
f. 138
Pesha: 0.19 Kg.

Anija e gjumit, Arian Leka

Poezia e Arian Lekës, tek libri “Anija e gjumit”, është sfidë magjepsëse për aventurë krijimi, kumte e zëra plot vibrime të brendshme, drithërima befasish, frike, gëzime e trishtime që frymojnë bashkë. Ali Aliu

Ajo që e bën të bukur poezinë e Arian Lekës, tek Anija e Gjumit, është afrimi me eksperimentin e avangardës - një çudi kaleidoskopike, përpjekje për shpjegimin e epistemës sonë, shenja që e bëjnë këtë krijimtari të jetë unikale. Ervin Hatibi


Duke lexuar librin: “Anija e Gjumit”, hyn në një botë të lëngshme, ku anijet, dallgët, vjeshta, pema, gjethet, ndjenjat, dëshirat, ëndërrat, iluzionet, Durrësi, fëmijëria, adoleshenca, dashuria, malli, lamtumira, ankthi, të derdhen para syve veshur me petk muzikor, aq sa lexim përftohet më mirë si këngë, një këngë e brendshme, që të ngjitet në mendje e nuk të shqitet, siç zakonisht na ndodh, me melodi të preferuara e të arshivuara në kujtesë.... Është libër që të detyron ta veçosh nga moria e botimeve të sotme, ta lexosh hera herës dhe autorin e tij t’ua rekomandosh edhe të tjerëve. -

Njerëzit nuk kanë frikë vdekjen, kanë frikë shëmtimin

Nga: Erion Kristo

(rreth poemës së Arian Lekës Ndreqje gabimesh)


Arian Leka, i njohur si poet, prozator, eseist, fitues i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, si dhe i botuar në revista prestigjioze, zhytet sërish dhe krejt në botën e një trilli të rrallë. Libri Ndreqje gabimesh është një trill, një risi jo thjesht për poezinë shqipe, që i dhuroi autorit çmimin “Lasgush Poradeci” – 2011 të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
I larguar paksa nga bota e ujit, që me vëllimin poetik Libër Deti arriti zenitin e vet, poeti tashmë çapitet në një botë tjetër, në një materie të re, kërkon dhe gjen tingull ndryshe në botën e gabimeve njerëzore dhe të përqeshjes hyjnore ndaj “gabimeve” tona, hyn pa udhërrëfyes në botën e marrëdhënieve intime burrë – grua, trup – shpirt, nga e thjeshta, primarja, primitivja, jo drejt më të lartës, spirales, por drejt më së thjeshtës fare, aty ku fillon jeta. Ky libër nuk premton evolucion. Është ndërprerje edhe në krijimtarinë e autorit, pavarësisht se duket se një syth i tij bulon nga libri poetik Strabizëm, gjithashtu fitues i Pendës së Argjendtë, pesë vjet më parë.
Gabimet njerëzore dallohen, shquhen qartë, që në vargjet e para të poemës. Madje ato duken se janë aty dhe presin të shfaqet e para figurë njerëzore e tekstit poetik, si për të shpallur jopërsosjen si udhëheqës. Arian Leka i drejtohet idilikës njerëzore, konceptimit të modelit klasik të së bukurës dhe së mirës si t’i drejtohej demonëve futur në trupat njerëzorë: “Dil prej meje. / Siç del kavilja / që të pengon të ngarendësh në fushë. Siç/ prej një race të egër pëllumbi / del / pëllumbesha e butë”, sepse “Nga më e bukura njeriu mërzitet./Kafaze teli thur për zogj.”
Dyshimi, forma e lëkundshme që ndryshon formë, kalimi i pandjeshëm nga qenia njerëzore në një formë tjetër, në formën mitike të shtazës imagjinare që ka fusha me lule dhe bar në stomak dhe që nuk do të ngrihet në lartësitë e njeriut, të njerëzores, të shoqërores, që dëshiron të jetë kafshë që ripërtyp fusha të gjera me gabime dhe që këshillon të ruhemi nga njeriu me hark, shigjetë dhe kukurë të re, njeriu që kërkon ta përmirësojë gjenetikisht, teksa…“Duke gjurmuar gabimin tek unë / mund të vrisje edhe atë cilësi fare të vockël / tretur te gabimi… Apo nga dëshira për të zgjuar / njeriun tek unë – ndërsa unë vetë kënaqem / rri shtrirë, dergjem njëlloj si gabimi / shigjeta e humbur…”
Gabimi, pra mbetet një konstante e jetës. Kjo e bën njeriun njeri dhe njerëzor. Kjo ndeshet duke e lexuar, përsëritur dhe pranuar nëpër faqe, si një mësim, apo si një përvojë e panxënë mirë. Me këtë gabim përplasesh shpesh nëpër vargjet e poemës, i ikën, e shmang dhe prapë rikthehesh për të nomatisur përballë tij si përballë një muri lutjesh.
Ndërkaq poema Ndreqje gabimesh, ndonëse e shkruar me thjeshtësi dhe edukim gati spartan për sa i përket shmangies së simbolikave dhe metaforizimeve të lodhura, është e vështirë për t’u përcaktuar apo klasifikuar në një zhanër të vetëm, sikundërse është e vështirë të besosh se e rrok duke e zotëruar pjesshëm, këngë pas kënge. Për shkak të teknikave shkrimore dhe stilistikave që autori përdor, kjo poemë kërkon lexim dhe shijim në tërësinë e vet, deri tek vargu i fundit, madje deri tek pika në fund të këtij vargu, përfshi këtu edhe heshtjet.
Baza e kësaj vepre poetike, shkruar në formën e një poeme me XVII këngë, është një lloj vënieje në dyshim e gjithë vlerave të arritura në etikë dhe të ngritura në estetikë rreth figurës njerëzore, duetit njerëzor. Kjo vepër vjen si dekonstruksion i mitit të dashurisë për të përkundërtin / për të përkundërtën, është thirrmë për një marrëdhënie tjetër mes tyre, një marrëdhënie ku nuk premtohet më e mira, por ndryshimi, ku në themel të gjithçkaje rri Gabimi. Janë gati – gati ca vise përfytyrimi pa engjëj, pa shenjtorë dhe moralistë, por me njeriun që gabon dhe fal gabime dhe që “gabimin e vjetër e shlyen me një gabim të ri”, duke besuar gjithashtu se edhe “i falshëm edhe mësues është gabimi.”
Kjo na bën të kërkojmë e të gjejmë tek kjo poemë forma të tjera qasje e mëtime të tjera veç formës së shfaqur të femrës dhe të mashkullit, përtej burrit dhe gruas dhe ta shtyjmë kërkimin në fill të asaj që e kemi quajtur jetë dhe vdekje, aty ku gjithçka është e rrezikuar, e kërcënuar, aty ku qenia shfaq rebelizëm, rebelohet, klith për mbijetesë, aty ku krijesa njerëzore nuk “është më gjahtar, por viktimë” dhe ia del të mbijetojë duke besuar më të thjeshtën: “embrionin, fillesën, farën, vezën, lulen, kërcellin, gjethen dhe marrëdhënie e tyre me rrënjën dhe me një dorë që i ka braktisur format dhe zanatet e tjera për të qenë kultivues, kopshtar.” Vetëm kaq.
Kopshtar, po i kujt, i çfarë gjëje? Jeta është Mjeshtëri që i lutet formave të jetës të gabojnë, të tradhtojnë për të jetuar, për t’ia dalë mbanë, të zgjedhë komandën “duhet” edhe kur e di se ç’do, se ç’dëshiron. Jeta e propozuar kësisoj në poemën Ndreqje gabimesh bëhet Mjeshtëri që i sheh format mbi të cilat kemi ngritur idhujtarinë, idiolatrinë, besimin e rremë, forma me të cilat nuk mund të vijohet më pa qenë i verbër. Ndaj kërkon shëlbim.
“Punishte gabimesh / ku fajet lindin / përsosen me dorë / dhe vdesin pa u përsosur.” Jetë dhe forma jete derdhen para shqisave tona “Fajtore. Të papastra, si gjithçka e barkut tënd, / si duart dhe dorezat e thikave në thertore.” Këto forma shfaqjeje na shtyjnë të besojmë se autorit nuk i ka interesuar të merret thjesht me dashurinë e përcaktuar si burrë – grua apo femër – mashkull. Duket se mëtimi i tij shkon përtej. Ku? Tek “Çështë bërë nga Zoti duhet shkatërruar…” Tek pamje që të kujtojnë pikturat me mishra të varur të piktorit me emër filozofi Francis Bacon. Tek ajo që Arian Leka na e sjell në vëmendje se gjithçka, sado e përcaktuar dhe e mbyllur në burgun e formës duhet marrë në duar me kujdesin që i duhet një mine e cila mund të të plasë në dorë për t’i përsheshur përfytyrimet, idetë dhe idilet.
Le të besojmë autorin kur përmend veset që lindën nga një formë e përkryer, njëlloj siç mund të besojmë se edhe Odiseu e “mësoi nga barqet e luleve / dinakërinë e hidhur / të fshehjes së ushtarëve në bark.” Atëherë le ta besojmë se dhe Arian Leka në poemën Ndreqje gabimesh ka fshehur kërkesën poetike (dikur edhe profecitë në formë poezish shfaqeshin) për një rikonstruktim që i drejtohet dashurisë, por që e tejkalon atë, për të përfunduar gjithsesi tek një formë e re besimi që mund të jetë po Dashuria si vlerë e rimarrë, e rivalorizuar. Le të besojmë edhe tek ftesa për ndreqje më të gjerë gabimesh sesa rrafshi erotik, seksual, seksual apo thënë ndryshe, rrafshi i marrëdhënies dashurore.
Ndreqje gabimesh…! Po cilat gabime, çfarë duhet e mund të ndreqet? Ç’mund dhe ç’duhet të shohim përtej marrëdhënies mes mashkullit dhe femrës? Ç’simbolikë fshihet nën këtë anatomi njerëzore, rrëfyer me morfologjinë e një përralle për Evën dhe Adamin e një herë e një kohe? Për se përdoren gjithë ato vargje sinonimikë: shkatërroj, rrafshoj, zhbëj, zhbij, prish, shkallmoj, vrarë, shpërdoroj, shkrij, çmontoj, plas, vret, shqep, gërric, përdhos, thyej, çaj ?– Thua për një trup të brishtë njerëzor? A mund të mendojmë se përtej këtij trupi është jeta, jetesa, të jetuarit, mënyra si mendojmë, veprimet, përvojat, gjithë sa nuk duam dhe që na mundon, paraardhësit, pasardhësit, arti, poezia, vendi yt, njerëzit e dashur dhe të padashur, gjithë sa kemi ndërtuar ne dhe paraardhësit tanë dhe që njëlloj si të qe një minë detare, plot gunga në trup, rrekemi ta çmontojmë, gjithë kujdes, me drojën se do të na vrasë, me frikën se prej saj do të mbetemi të gjymtuar dhe me dyshimin se jemi vallë në jetë nëse nuk i vëmë në këtë provë marrëdhëniet tona?!
Dhe prapëseprapë… Dhe sidoqoftë: “Gabimi ishte antitrupi / varkë shpëtimi / vaksina mbrojtëse nga i njëjti gabim.”
Libri Ndreqje gabimesh, është prirja drejt më të thjeshtës, aty ku jeta kanoset dhe mbrohet nga fara. Kërkon të mbrohesh? Shtohu! Kërkon të zhdukesh? Shtohu! Po çfarë paska, çfarë ofrohet dhe çfarë gjejmë përtej mishit dhe gjakut, çfarë ka përtej farës tek kjo poemë? Ç’mund t’i bëjmë vetes dhe njëri – tjetrit në këtë proces ku gati shpallet shenjtëria e gabimit, thuajse një ungjill i tij? “Të qep / gjithë sa shqepa vetë / dhe gjithë sa gjeta të shqepur/tek ti”.
Ndoshta në të vetmen mënyrë që i mbijetoi përvojave, trupi, mendja, shpirti “merr formën e gjilpërës së madhe me një sy. / Hyn edhe del nëpër trupin tënd të lodhur / vetëm e vetëm për të thurur një lule, një lule të vogël.”
Në këtë poemë Arian Leka shpaloset fort sepse mbështetet në djerrina që papritmas nën çokun e fuqishëm poetik kthehen në deltina, ku poetin të soneteve befas nuk i interesojnë më tingujt dhe vargjet e rregullt, ka hequr dorë se dashuria shfaqet si bimë fatkeqe, së cilës as lulet dhe as gjethet nuk i rrojnë gjatë, ku njerëzit i dhurojnë njëri – tjetrit kërcej mërzish, i luten Zotit të marrë formën e shpezës dhe t’u pastrojë zemrat që meshojnë nën formulë ripagëzimi: “Ati ynë që zbret nga qielli, gabimin e përditshëm epna edhe sot dhe bëj të mundur që i falshëm dhe jo njëjtë të jetë gabimi.”
Duke folur për gabimin, që i përket të gjitha botëve, autori shkruan: “Thënë ndryshe: jeta ndahej në njerëz të gabueshëm /dhe në aq pak gabime /sa për të mos qenë engjëjt /që për veten mbajnë pasqyrë dhe krehër /dhe për të tjerët/shpatë.” Se “njerëzit nuk kanë frikë vdekjen, kanë frikë shëmtimin”, se gratë ende nuk kanë vendosur ende cilin të zgjedhin mes dy modelesh: “vrasësen apo ledhataren”, se “dashuria bredh e uritur gjer në fund të pranverës”, se dikush, tinës të tjerëve, “në shishe hollake, si epruveta mbledh djersë dashurie”, ndjen frikë dhe lutet: “Ndaje thartirën me mua. Dashuria që tepron për zogj, tepron edhe për ne të dy, gjersa njerëz të tjerë nga veset dhe nga virtytet do të na ngjajnë.”
Ndreqje gabimesh hyn tek librat profanë. Por pavarësisht nga kjo pyetja fatale mbetet: A duhen ndrequr gabimet e vjetra me gabime të reja, siç ngulmohet më se një herë në poemë? Përgjigjja është: sipas dëshirës, ad libitum, si t’ju pëlqejë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...