Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/08

Zbret fundbarkut tim ëmbël....


Suzana Zisi e lindur në Vlore ne 1967, është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe ne Elbasan ne 1990. Prej vitit 1990 deri në 2000, ka prezantuar krijimtarinë e saj në faqet e gazetave letrare të kohës.

Boton vëllimin e parë poetik “E bardha ështe pak” në 2004. Libri u prit mirë nga kritika dhe lexuesit. Ai u përzgjodh ne 5 vëllimet poetike më të mira nga Juria e Konkursit Kombëtar “Penda e artë” 2005.

Në 2006, botohet vëllimi i dytë poetik “Imazhet kanë ftohtë” me parathënie të kritikut dhe studiuesit të mirënjohur kosovar, Agim Vinca.






Në librin e saj të pare, Suzana, prezanton një botë të veçantë poetike, nëpërmjet një ndjeshmerie filozofike dhe universale moderniste, e cila e shpalos trajtën e saj, përmes metaforave dhe simboleve individuale. Këtë metaforë dhe simbolikë, autorja e ngre në një shkallë më të lartë në frymëzimin dhe ligjërimin poetik të librit të dytë, ç’ka ka sjellë jo vetem modernizimin e imazhit poetik, por edhe një pjekuri më të madhe në vleresimin dhe materializimin e ideve dhe dukurive të jetës dhe botës shpirtërore. Janë duke pritur radhën e botimit, 3 libra, një roman, një vëllim poetik dhe një përmbledhje me proza të shkurtra.”

Në vitin 2009, ka botuar në Athinë (Greqi), në Shtëpinë Botuese ODISSEAS, vëllimin poetik "ΣΤΙΣ ΕΡΗΜΟΥΣ ΤΗΣ ΣΙΩΠΗΣ".

Në vitin 2011, ka botuar në Shtëpinë Botuese "OMBRA GVG" - Tiranë, vëllimin poetik "TE JESH...FJALE".

Ka botuar një cikël poetik në revistën prestigjoze franceze "Le capital des mots", gjithashtu ka botuar disa poezi në revista sllovene dhe kroate.
______

LIRIKË E PEIZAZHIT SHPIRTËROR

Nga Agim Vinca

Vargut të poeteshave shqiptare të kohës sonë po i shtohen nga dita në ditë emra të rinj. Suzana Zisi, është pa dyshim një nga këta emra. Pas botimit të librit të saj të parë, E bardha është pak (2004), Suzana del para lexuesve me librin e saj të dytë Imazhet kanë ftohtë, që e shpalos në mënyrë akoma më të plotë e më të nuancuar botën e saj poetike. Shikuar nga pikëpamja e qëndrimit që mban ndaj jetës, njeriut dhe vetes poezia e Suzana Zisit do të mund të karakterizohej si poezi e peziazhit shpirtëror.
Shpalimi i botës komplekse shpirtërore të njeriut, të femrës në veçanti, depërtimi në labirintin e dëshirave, ëndrrave, shpresave, dilemave dhe shqetësimeve të subjektit lirik, është një veçori e përgjithshme e kësaj poezie. Ky pozicion, sa soditës, aq edhe refleksiv, e përcakton në masë të madhe edhe strukturën ritmike dhe figurative të kësaj poezie.
I përbërë nga rreth njëqind poezi, vëllimi poetik Imazhet kanë ftohtë ndahet në tre cikle: Ëndrra në pjatën e mungesës…, Lulevjeshte dhe Metafora e diellit. Edhe pse nga pikëpamja e ligjërimit poetik libri ka një unitet të theksuar artistik, megjithatë bie në sy fakti se derisa në ciklin e parë mbizotërojnë motivet që lidhen me dehumanizimin dhe tjetërsimin e njeriut në kohën tonë (peziazhi urban, imazhet gri, ftohtësia dhe mungesa sugjerojnë pikërisht këtë emocion), në dy ciklet e tjera ndeshim një atmosferë disi më të butë e më subtile, pra kemi të bëjmë me një lirikë tipike femërore, nocion ky që në këtë rast nuk ka kurrfarë konotacionesh negative. Përkundrazi. Imazhet e rënda e dramatike të ciklit të parë, ku poetesha i referohet shpesh mitologjisë antike e biblike (Adami, Eva, Zoti, djalli, Krishti, Zeusi, Pandora, Prometeu, Narcisi, Dionisi etj.), por edhe realitetit bashkëkohor, e ku nuk mungojë herë-herë as vizionet apokaliptike, zëvendësohen në dy ciklet vijuese nga një ndjeshmëri më e butë lirike e intime, ku figura qendrore dalin lulevjeshta dhe dielli, që shfaqen që në titujt e cikleve.
Dashuria është një lajtmotiv i poezisë së Suzana Zisit. Këtë ndjenjë kaq të thellë dhe motiv të lashtë poetik autorja e këtij libri arrin ta trajtojë me një ndjeshmëri të hollë lirike e shprehje moderne poetike. Në disa nga vjershat më të bukura të librit, çfarë janë, fjala vjen, Në ëndrrën time, Fillim-fundi im, Pëshpërimë etj. ndjenja e dashurisë merr përmasa kozmike. Në lojën magjike të dashurisë hyjnë: dielli, qielli, yjet, retë, shiu… Është një “valle”, që ta kujton pak a shumë vallen eterike lasgushiane, por e luajtur ndryshe, me mjete të tjera e tingëllim të ri dhe në tjetër kohë gjithsesi.
Suzana Zisi është krijuese që e zotëron mirë ritmin, figurën, fjalën, rimën dhe ngjyrimin stilistik, predispozitë kjo pa të cilën askush s’është bërë poet në këtë botë. Është për t’u përshëndetur gjithashtu fakti që elementet fundamentale të poezisë (rimën, ritmin, metaforën etj.) ajo i vë në shërbim të mendimit poetik. Fjala dhe ideja në vargun e saj janë në harmoni të plotë.
Unë jam pëshpërimë,
e stinës së ndezur.
Dehem duke pirë, honeve të trillit…
Ndërsa ti i ndrojtur
i derdh lulevjeshte,
Kupës së praruar me mushtin e pyllit…
thuhet në vjershën Musht i lulevjeshtës, ndërsa vjersha Vjeshtë … Mëngjes hapet e mbyllet me vargjet:
Vjeshtë…
Mëngjes…
Pi të trishtën mjegull, në vend të kafesë….
Muza poetike e Suzana Zisit ndërton “mure marrëzie”. Absurdi dhe rebelimi nuk janë të panjohura për të, por në aurën e saj mbizotërojnë dashuria dhe humanizmi. Poeti, sipas Suzanës, i ngjan një zogu fantastik që “çukit simbole” dhe “ftillon metafora”, duke mbështjellë gjithçka me “rima e asociacione”.
Zogjtë e malit çukisin simbole,
Metaforat, ftillohen deteve me shkumë,
Tkurren vargjet, shkretëtirave të heshtjes,
Jam unë...
Të mbështjell me rima dhe asosiacione.
Tretem
e detit shkumë,
e qiellit, re…
Ashtu e përgjakur, nderem mbi lëkurën tënde,
Dhe duke pëshpëritur: “Je imi Diell…”
Fle…
Një nga poezitë e librit në fjalë titullohet Ty që po më lexon tani… Është e qartë se poetesha jonë, si çdo krijues tjetër, dëshiron të komunikojë me lexuesin e saj hipotetik, me atë të cilit ia dedikon vargjet e saj dhe ia detyron frymëzimin. Me çiltërsi e modesti autorja shpreh dëshirën e saj që të krijojë një varg që “shpirtin ta ngroh”, me një ritëm që t’i ngjajë “lëkundjes së valëve”; një varg që të përçojë dritë në shpirtin e njeriut e të gdhendë një varkëzë me emrin “fjalë”, për të përfunduar:
Dhe ti,
i ulur brenda saj,
Nëse do ndihesh i gëzuar,
Ëmbël do më pëshpërisësh:
“Është shpirti yt, duhet lexuar…”.
Është shpirti i poeteshës, që flet me afsh e mall. Është një pëshpërimë që duhet dëgjuar; një libër që duhet lexuar.




TË JESH…


Të jesh,
Duhet të të prekin,
Që të vërtetojnë hipotezën e rënies dhe ringritjes…

Të qeshësh nëse do mundësh,
Mes rrudhave të thella të pritjes,
Duke rrëzuar jargë të lashta dhimbjesh,
Stuhi, përpëlitjesh.

Të jesh,
Do të thotë të vjellësh rininë nga goja e pleqërisë,
Kujtimeve të trishta të rrëmosh.

T’i këndosh kufomës tënde psalme biblike.

Të jesh,
Do të thotë: Të harrosh.



KATARSIS


U ktheva në foshnjërinë e botës sonë.
Femrat e pyllit, ua blatuan foshnjat perëndive.
U shenjtëruam ne.
Gjyshet, u qëndisën rrobat nipërve me kuaj ere,
mbetën pa atdhe…
Meshkujt, u vunë zgjedhën grave dhe i dërguan në arë.
Zoti,
shkroi në librin e shenjtë se duhej vënë pak drejtësi…
Djalli,
i shtrirë mbi re, dërgoi shi.
Ne,
si gaforret,
të larë nga mëkatet,

Rendim në Ardhmëri…!

JAM I YTI…


Jam i yti...
Pëshpëritje që kaloi prej gojës,
mushkërisë,
kërthizës,
deri në fundbarkun tim.
Ish zgjim i vdekur shekuj më parë.
I dashurisë - rikthim.
“Jam i yti”,
ulërin dëshira për ta shuar flakën me zjarr.
Etjendezur, përpëlitesha në tëndin përqafim...
“Jam i yti?”
Jo!
Ti, nuk je veç Dielli im...
Rrezelëshuar, harlisur mbi ankthin - mallkim.
“Unë jam i yti...”
Ish ëndërr, makth, lojë e syve blu.
Zbret fundbarkut tim ëmbël.
Dhe, si klithmë lëshohet qiejve të tu.


I PANJOHURI IM...


Duke u ndriçuar prej hënës kemishëverdhë,
Ti, pikturon me sharrat dhëmbëmprehta të vjeshtës,
Të mundshmin takim
Me mua.
Lastarët e blertë të pranverës,
që ende nuk është konfiguruar në kohë,
marrin shkëlqimin e metaltë të pritjes tënde,
Që,
natën,
verdhacukja anemike e shndërron në ankth,
derdhur hapësirave,
……………krrelat e flokëve të pafaj të
…………………………….vogëlushes fantazisë sime,
Të cilën,
dëshira jote, e kaplon me dhunë,
dhe e tret në gjirin e ngrohtë të saj.
Ti, “i panjohuri” im i paduruar,
Të kaftën e syve,
prej filxhanit me lëngun e së njëjtes ngjyrë,
………………………………...........…ma përplas në fytyrë.
Dhe, jo më kot…
Ndërsa honeve të thella të mallit,
……………………........zgjat duart e më kërkon.
Lagesh i tëri në dy pika lot.
Krejt natyrshëm kupton se
Hëna,
në garderobën time e vodhi këmishën e verdhë.
Ti
Duke pikturuar dhunshëm
………….....……….të mundshmin takim me mua,
Kohën dhe hapësirën mallkon,
Fsheh penelat dhe ngjyrat e çmendura të fantazisë,
Nën lëkurën e zbehtë të mospërfilljes…
Padurimisht,
Ankthin e ditënetëve të pritjes, derdh,
Në oqeanin e pafund të dashurisë…


APOKALIPS...

Rrathëve të ngatërruar të heshtjes,
të xheloztat dridhma dashurie, enden.
Duke u vetëvrarë çdo natë,
......................nderur telave të një burgu.
Vetmia,
heshturazi gërmon të sajin varr.
Të roztat ndjesi pëshpërijnë këtu.
E postojnë dridhmën e ylbertë, te sytë
në të zbehtat agime mollësh,
ku Adamët,
përditë,
puthin të njëjtën Evë, me zjarr.
Ti,
duke përtypur të lagështën ëndërr,
Doruntinash e përplas “Konstantinin”
............................vetëvrarë skutave pa dritë
Dhe rend drejt meje,
metaforë e hiperbolizuar puthjesh të rrumbullakosura buzësh,
lagur burimesh të kristalta periferish.
Ku Muzat mbyten në oqeane të çmendura vibrimesh.
Fundbarkut,
ku Zeusi përzgjedh ujshëm, Perënditë…


Kushtuar E.D.

Me një gotë vere të kuqe të vjetër,
duke përtypur ëmbël poezi,
syçkat të ndrijnë si yje nate.
Ty.

Të kanë rënë dy rima nëpër buzë,
Eja të t’i fshij.

MEMORIAL…


U shpirtëruat këtu,
ju të për - humburat e mia,
të diku - treturit e mi.

Honeve të ditës së parë të krijimit,
humbellave të së fundit frymë,
frymëroni…herezi…

Frëngjive të mia në oazet e syve,
pragjeve të shpirtit u fashitët lotëve,
bërë det në shtratin e orgjive.

Mbytem,
vdes,
gjalloj, aty
lavde u thur Perëndive…

Rropullive u qepem, kacavjerrë si gjarpër,
për të thithur helmin, gjuhës së munguar.

Kafshimet e ujkonjës së urisë,
kthinave të pangopësisë, harruar.

Gdhendur shpateve të thepisur të besës,
rastis të përballem me të përbalturin, Konstantinin tim.

Statujë majë kalit,
ngrirë udhëve të “rregullave të panjohura të lojës”,

duke iu përvjedhur kalendarëve,
thur gërsheta fijet e gjelbra të shpresës,
Duke shthurur penjtë e pangjyrë te harrimit.

Rrënjëzuar në shtatin e memorialit të padukshëm,
endur dhimbshëm tezgjahut të kohës.


JAM SHEKUJ LARG…MË PRIT


Po fluturoj drejt teje,
më prit.
Rrugën, nuk e di por ji i duruar.
Hijen tënde, e shoh gjithandej.
Sytë, dritë, miliona kilometrash kanë lëshuar.
Nuk e dije?
Unë, për ty jam në jetë.
Që pa lindur,
nisa rrugëtimin në mijëra forma shndërruar.
U bëra Evë për të lindur më parë njerëzimin,
e më pas,
për të të kërkuar.
Nuk e dije?
Plagët e këmbëve m’i lëpijnë gjarpërinjtë.
Krahët,
thyer dritareve të mbyllura, pikojnë…
Derë s’ka.
Unë rend përtej kohës.
Hapësirat kam sfiduar,
motër-zanat më përçmojnë…
Zeusi, volli vullkane.
Pandora e hapi të mallkuarën kuti.
E fshehta ime pikon, pikon…
Gjithkush e di.
Imazhe të gënjeshtërta më verbojnë.
Mijëra diej, më shfaqen si sy.
Unë dua të tutë…
Po vij.
Sa pak,
fare pak,
një copëz jete kërkoj.
Nëse derën nuk do të ma hapësh,
Një vend te pragu, s’meritoj?
E sheh?
Mbërrita.
Edhe pse e verbër, shoh dritë.
Hape derën!
Jam shekuj larg.
Do vij patjetër,
më prit.
Më prit…!



Don Zhuani...


Endesh
si hije,
Mes ecejakesh
të pasosura…
Dashnor
i përjetshëm.
Tragjik
i shekujve.
Ti.
Donzhuani
shqiptar
i legjendave.
Ti.
Fantazma
ironike
e netëve…!
Kostandin!
“Vëlla”
i përbaltur.
Pse
frikë
patën?
Pse
s’thanë
të vërtetën?
Që,
Doruntainat,
ti,
i ndërrroje
përditë.
Pse
e përçudnuan
kështu
legjendën?
Pse
mbyllën
sytë?
Shkatërron
dhe rilind.
Shuan
dhe ndez,
Ëndërrat
e vajzave,
të prera
në mes...!
Herë – copa balte
tragjike,
lëshon.
Herë – ar – eliksir dashurie.
Herë Doruntinën – princeshë,
përqafon.
Herë,
i frikshëm,
shfaqesh
si hije.
Qëndron
statujë,
mes jetës
dhe varrit.
Dhe,
stepesh!
Të hysh,
a,të dalësh?
Të rendësh ,
mes territ
dhe
skandalit,
a,
hapin,
gjëkundi,
ta ndalësh?
Kostandin!
Don Zhuani im, shqiptar.
Oqeane lotësh
mblodhe,
në altarët
e pritjes.
Pasione pa fund
ndeze.
Shojte,
zjarre
tragjikë.
Me alibinë- satirë
të Ngritjes,
nga,
i yti
varr,
alegorik…!
Endesh
fantazmë,
mes,
ecejakesh
të panumërta...
Dashnor
i përjetshëm.
“Vëlla”!!!
Ah,
sikur...!
Doruntinat
e dhimbjes,
nuk vdesin.
Rilindin,
nga brinjët
e tua…
Si
Eva,
nga Adami,
dikur …!!!

Përgatiti për Floripress:Flori Bruqi

2011/05/06

Kolltuku i presidentit të Kosovës ndrin nga një grua zonjë

Nga Këze Kozeta Zylo



Kolltuku i presidentit të Kosovës ndrin nga një grua zonjë



Para disa vitesh kam shkruar artikullin: “ Ka ardhur koha për një grua zonjë, presidente shqiptare”, botuar në disa gazeta ” dhe këto javë kur dëgjova që në kolltukun e Presidentit u ul një grua zonjë, pata ndjesinë se vendi ndriti nga gruaja luftëtare, e edukuar dhe në Perendim, nga zonja Atifete Jahjaga, e cila është prej grave të pakta që ka kryer trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë "Xhorxh Marshall" në Gjermani dhe Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është dalluar për profesionalizmin e lartë, ndaj dhe u përzgjodh të takohej me ish presidentin Bush në vizitën që i bëri Akademisë.
Zgjedhja e saj si presidente e Kosovës u mirëprit nga shumë personalitete të botës, ndërmjet tyre dhe nga presidenti Obama, i cili e vlerësoi zgjedhjen e saj si një pjekuri politike në rritje të Kosovës.

Po ashtu zonja Jahjaga ka marrë telegrame urimi dhe nga gruaja më karizmatike në botë, Hillary Clinton e cila në telegramin e urimit që i dërgonte vlerësonte zgjedhjen e zonjës Jahjaga duke theksuar se: “si femra e parë udhëheqëse e shtetit në hapësirat e ish-Jugosllavisë, udhëheqja e Juaj pa dyshim do të frymëzojë gra dhe vajza në tërë regjionin dhe do t’i tregojë botës vlerat demokratike dhe tolerancën që shteti Juaj i ri i ka përqafuar”.


Zgjedhja e saj në detyrën më të lartë të shtetit më të ri në botë, personalisht si grua më bën të ndjehem tejet krenare, pasi për historinë e Kombit tim përbën një moment të ndritur historik, sepse asnjëherë që me krijimin e shtetit shqiptar në këtë kolltuk nuk është ulur asnjë grua. Por për mua akoma më e rëndësishme është mënyra se si po punon zonja presidente për vendin e saj!
Duke ndjekur me vëmendje të posaçme fjalimet e saj që nga dita e parë e zgjedhjes, ndjej se duket një grua tejet serioze, e përkushtuar, me vizion dhe që ka dëshirën dhe dashurinë për ta çuar më përpara kauzën e Kosovës, dhe të kombit shqiptar. Shpresoj se ajo do të le gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare, jo vetëm pse është gruaja e parë, por dhe se do te jetë politikanja e parë grua, që do të ndryshojë shumë gjëra në drejtim të Paqes së vendit tonë dhe në rajon.
Edhe në Shqipëri ka ardhur koha për një grua zonjë, presidente
Karrikja e Presidentit të Shqiperisë do të ndrinte nqs në të do të ulej një grua zonjë shqiptare. E Shqipërise nuk i mungojnë zonjat intelektuale, shpirtgjera dhe me nje vullnet te mirë në politikë. Historia ka treguar se kur në krye të vendeve të ndryshme janë vendosur gra, ato me mençuri dhe guxim kanë ditur të udhëheqin vendet e tyre, pa tensione luftrash, e në mos i kanë shuar këto luftra.
Pra aty ku ka qënë gruaja, ka gjetur strehë paqja dhe qetësia, aq shumë e kërkuar në kohëra dhe vende të ndryshme.

Kështu nqs do t’i hedhim një sy të shpejtë historisë botërore, do të shohim se mjaft gra të shquara në botë i kanë dhënë historisë po aq sa dhe burrat, e në shumë raste dhe më shumë.

Unë po e nis nga vendi që më dha Lirinë personale dhe shoqërore, nga vendi që i tha stop genocidit serb, pra me Amerikën, se gjuha vete ku dhëmb dhëmbi.

A nuk ishte Zonja Medlin Ollbrajt, një nga mbështetëset kryesore të Administratës së Klintonit, një profesore me intuitë të rrallë, që diti të zgjidhte mjaft çështje dhe probleme ndërkombëtare, kur shumë presidentë dhe diplomatë kishin dështuar më parë?

Kjo zonjë inspiroi Lirinë, duke vendosur Paqen në shumë vende tepër të tensionuara.

Amerika u përballë ne zgjedhet për president dhe me kandidaten Znj. Hillary Clinton, një grua që me mënçuri dhe dinjitet i ka dhënë shumë Kombit amerikan dhe botës.

Veçanërisht ajo do të kujtohet nga shqiptarët si First Lady American që mori pjesë energjikisht për çlirimin e Kosovës.

Hillary Clinton ishte një nga kandidatet më me shumë reputacion për të marr kolltukun e Presidentit për vitin 2008.

Në rast se ajo do të kishte fituar perqindjen maksimale të votave ajo do të ishte zonja e parë si presidente e Amerikës.

Indira Gandi ish kryeministre e Indisë që shërbeu katër herë radhazi, do të trondiste botën me kurajon, vitalitetin e saj ku dhe do të sillte mjaft ndryshime për popullin Indian.

Ajo ndoqi sistemin e parlamentit anglez dhe për këtë u bë si një nga udhëheqëset më popullore.

Një tjetër grua e fuqishme është dhe Kleopatra e VII e cila u lind në 69 B.C. në Alexandria, Egjypt, ku shteti në saje të saj e rriti fuqinë dhe më shumë, dhe e shkëputi Egjyptin nga presioni i jashtëm i Perandorisë Romake.

Edhe Catherin II Perandorja e madhe Ruse është e njohur për inteligjencën dhe ambicien e saj, ajo e udhehoqi Perandorinë Ruse drejt Perëndimit.

Ajo jo vetëm e nxori Rusinë nga korrupsioni, skandalet, por vendosi shumë gra në pozicione shtetërore.

Arritjet e saj bënë që Rusia të bëhej një fuqi e madhe botërore, biles dhe në ditët e sotme në disa aspekte, 1729-1796

Tz’u-Hsi or Cixi ishte gruaja më e famshme në historinë moderne të Kinës, shquhej për bamirësine dhe bukurinë. Gjithashtu ajo ishte mikja më e madhe e armiqve më të tmerrshëm.

Ndersa nobelistja Aung San Suukyi ka lindur me 1945 në Burma e cila e ka marrë çmimin Nobël për Paqe më 1991.

Në Prill 1989 duke mbajtur fjalimin për vendin dhe të drejtat u arrestua. Në vitin 2002 ajo është arrestuar përsëri.

Ajo deklaron se ja ka kushtuar jetën Lirisë dhe do të luftojë deri në momentet e fundit të jetës së saj.

Por midis shumë grave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori është dhe shqiptarja katolike, Nënë Tereza, që me besimin tek Krishti, dhe me shpirtgjerësinë shqiptare arriti të trondiste botën, dhe pse me një trup të pakët.

Ajo me autoritetin e saj, përkushtimin e madh karshi Zotit, ndaloi sa e sa luftra, shëroi shumë mendje të prishura nga gjaku, tmerret dhe brejtja e minjve!

Nqs do t’i referohesha historisë me gratë më të famshme në botë, do të bëhej një listë e gjatë dhe unë nuk kam për qëllim në këtë shkrim të rendisë numrin e tyre, por qëllimi im është të sensibilizojë më së shumti intelektualët shqiptarë, botën shqiptare, Diasporën dhe më së paku deputetët e Kuvendit Popullor.

Kur them më së paku, se deputetëve nuk ja u bën tërr syri, dhe nuk e kanë aq seriozisht me zgjedhjen e Presidentit.

Prandaj duke pasur një shekull e ca në krye burra kryeministra, presidentë, dhe që gjysma e popullsisë akoma është nën thundrën e të tjerëve, le ta ndryshojmë mentalitetin dhe të provojmë se çfarë ndryshimesh cilëore ka për të sjellë një grua në kolltukun e Presidentit.

Sigurisht që nuk e kam fjalën për ato gra që janë përfshirë në qarqe të ndryshme politike dhe që janë të detyruara të hedhin vallen sipas liderit të tyre, por e kam fjalën për ato gra intelektuale, kurajoze, që i kanë dhënë shumë kulturës, dhe kanë luftuar për të drejtat ndërkombëtare të popujve.

Janë disa gra që mbi moshën 40-vjeç, kanë arritur suksese dhe që luajnë një rol model dhe në kulturën Perëndimore. Ato janë edukuar nga kultura qytetare Perëndimore, dhe ka ardhur koha që t’i japin vendit të tyre te shtrenjtë.

Shpesh politika shqiptare ja le spontanitetit përzgjedhjen e përfaqësuesve të shtetit dhe nuk ka një strategji të caktuar për të tërhequr kontigjentin e mirëfilltë intelektual, e cila jo vetem që është brenda trojeve tona, por nuk duhet harruar dhe Diaspora në dyert e Perëndimit, që u largua duke shkaktuar hemorragjine e trurit nga politika e krimbur këmbë e kokë.

Të gjitha këto gra udhëheqëse i ka provuar me fakte bota e civilizuar ku pikërisht në Angli, Zonja e hekurt Margareth Thatcher do të shprehet:

“Nqs ju doni gjëra të mërzitshme pyesni një burr, nqs doni punë të mbaruara pysni nje grua.

Dhe çdo grua që ka zgjedhur problemet e veta në familje, do të di t’i zgjidh shumë mirë problemet e shtetit”.

Kështu që unë mendoj se ka ardhur koha e ndryshimit, ka ardhur koha e sprovës, e shoqerise shqiptare per t’i treguar botes se çfarë ndryshimesh cilesore do të duken, kur në këtë kolltuk do të ulet një grua zonjë, ashtu sic e meriton Mëmëzonja jonë, ashtu sic e meritoi Kosova, qe kolltuku i presidentit te saj po ndrin nga nje grua zonje si Atifete Jahjaga.

U PERURUA LIBRI I RESHAT SAHITAJT PER DESHMORIN MUSA HOTI‏

Begzad BALIU





PËRMASA E DOKUMENTIT



Reshat Sahitaj, Musa Hoti (shënime, kujtime, përjetime, dokumente), botoi Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, ISBN 978-9951-8595-9-2, Prishtinë, 2011, f. 401.



Një vit me parë më ka rënë të lexoj dorëshkrimin e kolegut tim Reshat Sahitaj me titull tipik të të gjithë idealistëve të Periudhës së Rilindjes, të shekullit të Pavarësisë shqiptare dhe të çlirimit të Kosovës: “Idealistët”. Duke qenë njëri prej atyre miqve të tij që kam insistuar shumë për tu shkruar ky libër, jo për tu rrëfyer Reshati, sepse sot rrëfimtarë dhe të rrëfyer në mesin tonë ka shumë, por që të botoheshin disa nga ato qindra dokumente, traktate, revista e dekaloge të shumta në botën e ilegales shqiptare. Në atë dorëshkrim kam vënë re me krenari, se si një shkollë tipike evropiane po rikthehet në publicistikën tonë. Në të vërtetë po këtu kam vënë re se si një Koloni shqiptarësh, në fillim të shekullit XX e identifikuar me “Albaninë” e Faik Konicës dhe në fund të tij me veprimtarinë e Enver Hadrit, po hapej për lexuesin shqiptarë, jo në emër të kujtesës personale të Z. Behare Rexhepi e Reshat Sahitit, po në emër të disa qindra e mijëra dokumenteve të radhitura kryesisht në formë fragmentesh të zgjeruara.

Vepra me shënime, kujtime, përjetime dhe dokumente kushtuar Musa Hotit, hapet me kujtimet për trashëgiminë materiale dhe shpirtërore kur familjare kur personale të Musa Hotit. Duke kujtuar fëmijërinë e hershme të Musa Hotit, në të vërtetë përshkruhet fati jetësor i gjyshit dhe prindërve të tij, në rrebeshet e stuhisë serbe shumë herë të përshtrira në Kosovë dhe rreth saj; duke shkruar për fatin rinor të tij autori i kësaj vepre identifikon atë brez të viteve ’70 e ’80, të cilët duke parë gjendjen e tyre dhe sidomos perspektivën e errët jetësore të tyre, kishin vendosur, sikur thuhej të marrin botën në sy; duke shkruar për hapësirat, qytetet dhe madje kolonitë e mërgatës ku ishte vendosur dëshmori Musa Hoti, mjeshtri ynë shkruan për strukturën e organizimit politik dhe të organizatave politike shqiptare, për lëvizjen politike të tyre, e pse jo edhe për gjendjen morale, intelektuale dhe sociale të këtyre grupeve a grupacioneve me shtrat historik apo edhe me tendencë të re sapo të organizuar. Fjala është për atë qerthull të rëndësishëm të Lëvizjes sonë ilegale në diasporë, për të cilën ç’është e vërteta ende nuk është krijuar pasqyra e plotë e përbërësve politik dhe organizativ të bartësve të saj. E të krijosh këtë pasqyrë nuk do të thotë të shkruash vetëm për Enver Hadrin, Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, por që më parë të shkruash për martirët e gjallë e të vrarë, pararendës të tyre: Hysen Karalinë, Vehbi Ibrahimin e Rasim Zenelajn. Dhe sigurisht të identifikosh gjithë ato organizata konceptesh nga më të ndryshmet politike e ideologjike, që jo njëherë më parë se sa kundër armiqve të përbashkët humbnin kohë duke e luftuar njëra tjetrën.

Kishte ndërkaq edhe arsye të përhershme kur ato i bashkonte me shumë interesi kombëtar se sa ndarja konceptuale ideologjike. Një rasti brilant për bashkimin e tyre bëhen Lëvizja studentore dhe gjithëpopullore, demonstratat e vitit 1981, të cilat reflektuan ringjallje jo vetëm në Kosovë e hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, por edhe në diasporë. Demonstratat e Pranverës shqiptare në mars të vitit 1981 në diasporë bëhen refren i aktiviteteve shumë të ngjeshura dhe shumë të përkushtuara kundër politikës jugosllave të rrënimit të gjithë asaj që ishte shqiptare. Në këtë prizëm shquhet angazhimi shumë i vendosur i Musa Hotit nga dialogjet mes kolegëve, te takimet politike dhe partiake dhe madje deri te angazhimet në demonstratat në rrugë apo tekstet polemizuese në shtypin ilegal. Sigurisht kjo është arsyeja pse në rrjedhë të zhvillimit të propagandës kundër ish-Jugosllavisë ai hapi radion në gjuhën shqipe në Belgjikë, përmes të cilës me përkushtim të rrallë shqipton fjalën patriotike të tij dhe të mendimtarëve si ai në mesin e bashkatdhetarëve të diasporës evropiane në Europë. Prej teksteve të lexuara, pjesë të të cilave do të mund të lexojmë edhe në këtë vëllim mund të shihet këmbëngulja e tij dhe e miqve të tij për t’ua thënë të vërtetën mbi shqiptarët në ish-Jugosllavi, jo vetëm mërgatës po edhe opinionit politik europian. Dëgjuesit e sotëm të radiove dhe lexuesit e gazetave do të duhej të mësonin shumë prej frymës intelektuale dhe kombëtare që përshkon artikujt e kësaj radio kushtuar Kosovës, gjendjes ekonomike dhe sociale të banorëve të saj, politikës shtypëse serbe, burgosjes së brezit të ri të saj dhe sidomos bardit të kësaj Lëvizjeje Adem Demaçit. Kush nuk do të donte sot të dëgjoj dhe të lexoj artikuj të plotë dhe me të dhëna aq përimtuese për kohën kushtuar Adem Demaçit, rinisë heroike shqiptare të vitit 1981 etj., të cilat në këtë vëllim autori Reshat Sahitaj i pasuron edhe me artikuj të tjerë, komente, letërkëmbim mes anëtarëve të Lëvizjes Kombëtare, komunikim me ambasadën shqiptare në Paris e të tjera e të tjera. Prej artikujve të lexuar në këtë radio dhe sidomos prej frymës së zjarrtë patriotike të tyre do të mësonim edhe sot se si duhet qasur politikës, publicistikës dhe institucioneve propagandistike serbe, me të cilat Musa Hoti dhe bashkëkohësit e tij polemizonin dendur dhe me vendosmëri. Sigurisht kjo është arsyeja pse reagimet shumëdimensionale dhe shumëplanëshe të diplomacisë, sigurimit dhe agjendave të tjera serbe kundër Musa Hotit do të jenë më të theksuara, më revoltuese dhe me përpjekje eliminimi fizik të tij. Një atdhetarë si Musa Hoti ndërkaq nuk mund të ishte indiferentë ndaj rrezikut që i kanosej prej shtetit që në fushë të diplomacisë shënonte majat e tij, prandaj reagimi i fuqishëm i tij në mbrojtje të jetës së tij, e kjo do të thotë vrasja e ambasadorit jugosllav në Bruksel, nuk ishte as i rastit as i vetmi që mund të ndodhte. Musa Hoti ishte vetëm njëri prej atyre atdhetarëve që po i printe një shkalle të avancuar veprimtarie kundër një shteti, për të cilin thurreshin mite nga Lindja në Perëndim dhe që për shumë kënd në radhët e emigracionit shqiptar ishte i paprekshëm dhe i pamundshëm.

Në jetën politik dhe në veprimtarinë atdhetare të pjesëtarëve të Lëvizjes Kombëtare, prandaj akti i Musa Ahmetit shënon një nivel të avancuar të konfliktit mes Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe shtetit të ish-jugosllavisë. Ajo shënon një formë dhe një trajtë të avancuar të atij brezi që lidhë nyjën mes kryengritjeve antisjugosllave në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe brezit të rinisë së Pranverës së vitit 1981, një hallkë e cila në një formë a një tjetër nuk do të shkëputet deri në fillim të vitit 1997, kur do të triumfojë me daljen në skenë të Lëvizjes së Armatosur Kombëtare, përkatësisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në të vërtetë, vrasja e ambasadorit jugosllav në Bruksel nga Musa Hoti, paraqet edhe shumë trajta të tjera ndikimi në sferën diplomatike evropiane, në ngritjen e moralit kur e kur të zbehur të emigracionit shqiptar në Europë dhe Amerikë, në bashkimin dhe përqendrimin e grupacioneve kur e kur të ndara ideologjikisht e partiakisht, në një pikë: çlirimin e Kosovës, në trokitjen e fortë të ndërgjegjes historike, politike, e diplomatike evropiane për fatin e një populli të ndarë etj. Sigurisht, kjo është arsyeja pse reagimet e emigracionit gjithëshqiptar ndaj burgosjes së përjetshme të Musa Hotit do të jenë të mëdha, deri sa ky dënim të ulet në shkallë simbolike.

Vepra mbyllet me një varg dëshmishë e komentesh të tjera të mjeshtrit tonë, të cilat shoqërohen edhe me dokumente të arkivit personal të Musa Hotit, të arkivave të përgjithshme të diasporës shqiptare dhe teksteve kryesisht litarte të shtypit të Prishtinës, Beogradit dhe Brukselit, që japin pasqyrën e vrasjes së Misa Hotit, në një periudhë kur më së paku pritej. Vrasja e tij në Bruksel nga sigurimi jugosllav dëshmon më së miri thënien e përvijuar shekuj me radhë në traditën shqiptare: uji fle, hasmi s’fle! Vrasja e Musa Hotit në vitin 2004 dëshmon më së miri se Serbia nuk e ka përfunduar luftën me ata patriot dhe atë Lëvizje kombëtare, e cila e ka penguar dhe do ta pengoj historikisht rikthimin e saj mitik në Kosovë.

Në të vërtetë më parë se sa të shkruante një sintezë shkencore, Reshat Sahitaj ka shkruar një biografi kronologjike për Musa Hotin, doemos në vetën e parë. Pretendimi për të shkruar një sintezë shkencore as nuk ka qenë qëllimi i tij, me vet faktin se nuk ka dashur t’i referohet literaturës në mënyrë kritike, por vendosja kaq e dendur e dokumenteve, madje kryesisht të dorës së parë, na dëshmon se sinteza shkencore nuk është gjithmonë ajo që e përcakton pasurinë materiale de shpirtërore të heronjve tanë. Përkundrazi, janë dokumentet, trashëgimia e tij ajo që rrëfen botën komplekse të tyre. Kështu, në kohën kur edhe botimet shpesh të identifikuar skajshmërisht shkencore, në institucionet tona shkencore shkruhen kryesisht me referenca të natyrës literate dhe madje dokumentesh të cituara ndërmjetshëm, Reshat Sahitaj përgatiti një vepër të përmasave shteruese dokumentare. Le të më lejohet prandaj ta përmbyll fjalën time për këtë vepër, me krenarinë e lajmësit për atë që është realizuar brenda kopertinave të saj: e kjo do të thotë dalje e literaturës sonë nga folklorizmi publicistik dhe hyrje e saj në publicistikën e dokumentit. Prej gjithë kësaj prandaj ne mund të theksojmë se sa më parë se sa rrëfimtari e analisti Reshat Sahitaj është arkivi i madh i mërgatës shqiptare, ndërsa veprat e tij publicistike dhe memoaret, padyshim janë pamja më e plotë dhe më komplekse e mërgatës shqiptare.

*Fjala e lexuar ne përurimin e librit, me 5.5. 2011, ne ambientet e Panairit të Librit në Prishtinë.

Prishtine, maj 2011

CIA DHE KOSOVA...

Jemi mësuar ta njohim historinë e Kosovës dhe origjinën e serbëve në Ballkan vetëm nga historianët tanë. Tashmë variantit të Akademisë së Shkencave Shqiptare mbi ardhjen e serbëve në gadishullin ballkanas i bashkëngjitet dhe botimi zyrtar i Shërbimit Inteligjent më të madh në botë. Në faqen zyrtare të CIA-s, jepen jo vetëm të dhënat në shifra të Kosovës, por dhe një historik i shkurtër i shtetit më të ri në botë.
Historia
Në faqen zyrtare të CIA-s theksohet se serbët erdhën rreth shekullit të shtatë në gadishullin e Ballkanit. Por deri në shekullin e 13-të, serbët ende nuk ishin grumbulluar rreth një mbretërie të fortë. Beteja e Fushë-Kosovës u solli humbjen serbëve, por aty nis dhe bashkimi i tyre nën një mbretëri. Shkëputja e Kosovës nga serbët dhe vendosja e strukturave shtetërore serbe, sipas të dhënave të CIA-s, është bërë në shekullin e 19-të, pas Luftës së Parë Ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore. Në këtë shekull, sipas faqes zyrtare të CIA-s, shqiptarët e Kosovës u zëvendësuan me serbët dhe këta të fundit u bënë dominues në të gjithë territorin. Ndërkohë që gjatë Luftës së Parë Ballkanike në 1913-n, sipas raportit, serbët kërkuan shtrirjen e mbretërisë së tyre në gjithë krahinën që më parë cilësohej si pjesë e Perandorinë Osmane, duke përfshirë dhe Shqipërinë e sotme. Ndërsa pas vitit 1945, serbët e përfshinë Kosovën në Federatën Jugosllave, duke i njohur disa të drejta që ishin afër autonomisë. "Për katër dekada shqiptarët e Kosovës kërkuan një autonomi të zgjeruar nga Jugosllavia, deri sa më 1980, pas përbuzjeve të kërkesave të tyre, bënë thirrje për një pavarësi të plotë nga Jugosllavia", thuhet në faqen zyrtare të Shërbimit Sekret Amerikan.

Lufta
Në ato pak radhë për historinë e Kosovës përshkruhet dhe nisja e luftës për pavarësi, krijimi i UÇK-së, lëvizja e pacifiste e Ibrahim Rugovës dhe sulmi i Sllobodan Milosheviçit mbi Kosovën. Sipas CIA-s, nacionalizmi serb sulmoi Kosovën pas ankimit që serbët bënë te Milosheviçi për keqtrajtimin që u bëhej nga kosovarët. Lideri që mori përsipër që të mos e lejonte shkëputjen e Kosovës, duke e marrë masa represive në arsyen se serbët e etnikë po dhunoheshin. Sipas raportit të CIA-s, në 1989-n Milosheviç ndryshoi kornizën kushtetuese për Kosovën dhe autorizoi ndërtimin e planeve për mposhtjen e rezistencës kosovare. Më 1998, pasi komuniteti ndërkombëtar nuk arriti ta bindë Milosheviçin t'u jepte fund masakrave dhe dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës, ndërhyri me anë të armëve deri në mundjen e Serbisë dhe largimin e ushtrisë nga Kosova.

Shpjegimi i flamurit
Flamuri i shtetit më të ri në botë ishte një ide e ndërkombëtarëve. Ja si shpjegohen simbolet e tij në saitin zyrtar të CIA-s. Fusha blu e gjithë flamurit, në mes harta gjeografike e Kosovës me ngjyrë të verdhë dhe pesë yje që tregojnë të gjashtë grupet më të mëdha etnike që jetojnë në Kosovë, shqiptarët, serbët, boshnjakët, goranët, romët, turqit.

Serbët
Shërbimi Inteligjent Amerikan konfirmon tezën e Akademisë Shqiptare të Shkencave. Serbët erdhën në territoret e Kosovës në shekullin e shtatë pas lindjes së Krishtit. Bashkim i serbëve dhe fillimi i dominimit të tyre në rajon nis me betejën e Fushë-Kosovës, më 1389, ku serbët u grumbulluan në një mbretëri të vetme dhe filluan të synonin më shumë vende në rajon.

Pushtimi
Shekulli i 19-të solli dhe dominimin e serbëve ndaj kosovarëve. Sipas të dhënave të CIA-s në këtë shekull, serbët arritën të imponoheshin mbi shqiptarët e Kosovës, duke shfrytëzuar mungesën e një shteti dhe luftërat që u zhvilluan në Ballkan dhe Lufta e Parë Botërore, ku kërkuan që të shtriheshin deri në kufijtë e Epirit.

Jugosllavia
Në raportin e parë zyrtar të Shërbimit Inteligjent Amerikan, theksohet se pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova u njoh si provincë autonome e Jugosllavisë, nën juridiksionin e Serbisë brenda federatës, por me të drejta të kufizuara. Më pas korniza kushtetuese e Kosovës ndryshoi, duke ua pakësuar të drejtat në raporte me shtetet e tjera të federatës.

Zgjimi
Sipas raportit të CIA-s, për katër dekada pas Luftës së Dytë Botërore, kosovarët u përpoqën të merrnin autonominë nga Federata Jugosllave. Ndërkohë që kërkesat për Pavarësi, sipas CIA-s, bëhen zyrtare në vitet 1980. Ndërkohë që serbët nuk ishin dakord me një shkëputje të Kosovës dhe nacionalistët u përpoqën ta kthenin Kosovën në qendër të qytetërimit sllav.

Lufta
Sipas raportit të CIA-s, në 1990-n shqiptarët e Kosovës të lodhur nga pasivitetit i politikës së Ibrahim Rugovës nisën rezistencën, për të shpërthyer në një konflikt të armatosur në vitin 1995. Në këtë vit del për herë të parë në skenë dhe Ushtria për Çlirimin Kosovës, e cila ishte një përgjigje ndaj represionit që po ushtronin nacionalistët serbë në gjithë rajonin e Kosovës.

NATO
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, sipas raportit të CIA-s, u bë kur faktori ndërkombëtar u lodh me politikën e paqes ndaj Milosheviçit. Pas Marrëveshjes së Rambujesë, serbët refuzuan të njihnin të drejtat e shqiptarëve. Më pas, për tre muaj NATO bombardoi ushtrinë serbe, duke e detyruar të tërhiqet nga Kosova dhe u vendos administrimi i saj nga Kombet e Bashkuara.

Pavarësia
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Sipas raportit të CIA-s, gjatë viteve 1999-2008 administrata e Kosovës nën drejtimin dhe kornizat ligjore të Kombeve të Bashkuara tregoi se respektonte të drejtat e njeriut dhe minoritetet që jetojnë në atë territor. Ndërkohë që aktualisht korniza e saj ligjore është sipas standardeve ndërkombëtare.

Republikë
Sistemi i qeverisjes së Kosovës është ai i demokracisë parlamentare. Parlamenti ka 120 vende dhe ato janë të ndarë në bazë të minoriteve që ka Kosova. 100 vende në Parlament janë për shqiptarët, 10 vende janë nga minoriteti serb dhe 10 vende për minoritetet e tjera. Në këtë mënyrë Kosova respekton të drejtat e minoritetit sipas kritereve ndërkombëtare.

Republika e Kosovës nën "sytë" e CIA-s

Në faqen zyrtare të internetit të shërbimit sekret më të fuqishëm në botë janë shtuar dhe të dhënat për shtetin më të ri. Qendra e CIA-s ka hedhur së fundi gjithë informacionin që disponon për shtetin e Kosovës. Një informacion që jo vetëm njeh shtetin e dytë të shqiptarëve në Ballkan, por shërben dhe si pikë referimi për të gjitha agjencitë ndërkombëtare. Të gjitha të dhënat janë klasifikuar sipas informacioneve më të sakta, duke nisur nga historia e vendit, të dhënat gjeografike, popullsia, etnitë që banojnë, ekonomia, burimet natyrore, besimet fetare, përdorimi i gjuhëve zyrtare e deri te niveli i arsimit dhe kushtet sociale të Kosovës.

Popullsia
Tashmë jo vetëm ne, por edhe CIA thekson se popullsia e Kosovës është autoktone shqiptare. Sipas të dhënave të kësaj agjencie, 88 për qind e popullsisë së Kosovës janë shqiptarë dhe vetëm 7 për qind janë serbë. Ndërsa pakicat e tjera përbëjnë vetëm 5 për qind. Emri zyrtar i njësisë administrative të Kosovës pothuajse gjatë gjithë periudhës së Titos ka qenë "Kosova dhe Metohia", shpesh e shkurtuar në një fjalë të vetme si "Kosmet". Ndërsa tani Kosova në arenën ndërkombëtare njihet me emrin Republic of Kosovo, kurse në gjuhën shqipe Republika e Kosovës ose shkurt Kosova. Sipas CIA-s, 2 126 708 banorë është numri i popullsisë së Republikës së Kosovës. Kurse prodhimi i brendshëm bruto (GDB) është 4 miliardë dollarë. Por, sipas CIA-s, rreth 43 për qind e popullsisë së Kosovës është e papunë dhe 37 % e kosovarëve janë të varfër.

Pozita e Kosovës
Vija kufitare me Shqipërinë, në tërësinë e saj ndan shqiptarët me shqiptarët. E gjithë vija kufitare e Kosovës është 700.7 km. Vendet kufitare janë: Shqipëria 111.8 km, Maqedonia 158.7 km, Mali i Zi 78.6 km dhe Serbia 351.6 km. Ndonëse e rrethuar nga male deri 2000 m lartësi, Kosova ka dalje rrugore për në gjithë Ballkanin. Kosova ka 1,925 km rrugë automobilistike dhe ka 430 km hekurudha.

Gjeografia
Gjeografia dhe gjeologjia na japin arsye thelbësore për të kuptuar rëndësinë historike dhe vazhdimësinë e Kosovës veçanërisht për gjysmën lindore të saj. Ajo përmban përqendrim të madh të mineraleve sa e gjithë Evropa Jug-Lindore. CIA vlerëson se pasuritë më të mëdha natyrore të Kosovës janë nikeli, plumbi, zinku, magnezi, kromi dhe shumë minerale të tjera.

Burimet
Kosova përcaktohet si një shtet me burime natyrore mjaft të pasura. Burimet kryesore janë: Nikeli, plumbi, zinku, magnezi, kromi, etj. Prej vitit '90 burimet nuk janë shfrytëzuar

Grupet etnike
Kosova ka një popullsi autoktone shqiptare dhe shumicën e të cilës e përbëjnë po shqiptarët. Pasi 88 % e popullsisë është shqiptare, vetëm 7% serbe dhe pakicat e tjera janë 5 %

Gjuhët
Kosova ka dy gjuhë zyrtare, të cilat janë gjuha shqipe dhe ajo serbe. Gjuhët e tjera jozyrtare janë boshnjake, turqishtja dhe ajo rome

Si do bëheshin sllave vajzat dhe kërkesa për 600 milionë dinarë për të përzënë 40 mijë familje

“Duhet të zbatohen me dhunë të gjitha dispozitat, edhe në shtëpi, që duhet të fillojnë që me prishjen e mureve rrethuese të shtëpive, zbatimin rigoroz të masave veterinare, që do të pengojnë nxjerrjen e bagëtive të tyre në treg. Gjithashtu, duhet aplikuar edhe masa praktike me efikasitet. Kur është fjala për fenë, shqiptarët janë shumë të ndjeshëm ndaj saj, kështu që edhe duhet të preken. Kjo mund të arrihet nëpërmjet keqtrajtimit të klerikëve, me prishjen e varrezave, me ndalimin e poligamisë dhe, sidomos, me zbatimin e pamëshirshëm të ligjit për dërgimin e detyruar të vajzave në shkollat fillore, kudo që të ndodhen ato. Edhe iniciativa private mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Kolonistëve tanë, në rast nevoje, duhet t’u shpërndajmë armë. Medoemos, duhet lëshuar një valë malazezësh nga bjeshkët që të shkëmbejnë konflikte të gjera me shqiptarët në Metohi. Ky konflikt duhet të përgatitet nga njerëz të besuar, të nxitet dhe t’i jepet hov, po nga këta, në mënyrë që të krijohet një psikozë e vërtetë, sikur shqiptarët kanë ngritur krye, dhe nga ana tjetër, krejt ngjarjet duhet të paraqiten me keqardhje si konflikt vëllezërish dhe fisesh, në rast nevoje, mund t’i jepet karakter ekonomik. Në fund të fundit, mund të nxiten edhe turbullira lokale, që do të shtypen në mënyrë të përgjakshme me mjetet më efikase, por jo aq me ushtri, se sa me kolonistë, me fise malazezësh dhe me çetnikë. Mbetet edhe një mjet, të cilin Serbia e ka përdorur në vitin 1973, duke djegur në masë fshatra dhe blloqe qytetesh shqiptarë.

Harta e shpërnguljeve të shqiptarëve

Rrethet që duhen të shpërngulen janë: Dibra e Sipërme, Pollogu i Poshtëm e i Sipërm, Mali i Sharit, Drenica, Peja, Istogu, Vuçiterna, Stavica, Llabi, Graçanica, Nerodimja, Gjakova, Podgori, Gora, Podrimja, Gilani dhe Kaçaniku. Nga këto rrethe, që përbëjnë pykën shqiptare, për ne, aktualisht, më të rëndësishme janë: Peja, Gjakova, Podrimja, Gora, Podgori, Shari, Istogu dhe Drenica, në veri këto të Malit të Sharit. Për mendimin tim, këto janë rrethe kufitare që duhet të shpërngulen me çdo kusht. Rrethet në thellësi si: Kaçaniku, Gilani, Nerodimes, Graçanicës, Llabit, Vuçiternës, mundësisht, duhen dobësuar, sidomos, ai i Kaçanikut dhe i Llabit, ndërsa të tjerët duhet të kolonizohen gradualisht e sistematikisht. Kjo duhet të realizohet gjatë dhjetë vjetëve. Gjatë shpërnguljeve të para duhen pasur parasysh shumë gjëra, por më të rëndësishmet janë: në radhë të parë duhet të bëhet shpërngulja e fshatrave dhe pastaj e qyteteve. Fshatrat janë më kompaktë, prandaj paraqesin rrezik. Nuk duhen shpërngulur vetëm të varfrit, por edhe njerëzit e pasur dhe të mesëm, të cilët përbëjnë kolonën vertebrale të çdo populli. Të varfrit, duke qenë pa mbështetje ekonomike dhe të pavarur nga bashkatdhetarët, shpërngulen shpejt. Kjo është një çështje me shumë rëndësi, pasi është një nga shkaqet kryesore për mossuksesin sa duhet të kolonizimit tonë në Jug, sepse i shpërngulëm të varfrit, kurse të pasurit mbetën dhe qëndrojnë gjithnjë në të njëjtën gjendje, ku si rezultat, shumë pak tokë u përfitua për vendosjen e kolonëve tanë. Gjatë përgatitjes së psikozës për shpërngulje, duhet të bëhet çmos që të largohen fshatra të tërë, në fund të fundit, familje të tëra. Duhet të kihet parasysh që të mos mbeten këtu, pjesë familjesh të shpërngulura. Shteti ynë duhet të shpenzojë miliona jo për t’ua lehtësuar jetën shqiptarëve, por për t’i hequr qafe sa të jetë e mundur më parë. Për këtë duhet penguar, pa tjetër, blerja e pasurisë së shqiptarëve që shpërngulen, nga ata që mbeten te ne. Bashkë me këtë duhet kombinuar edhe shpërngulja e individëve me atë të fshatrave të tërë, kjo, nëse dëshirojmë që të kemi lehtësira gjatë procesit të shpërnguljes. Sapo të bien dakord për t’u shpërngulur, duhet t’u jepet ndihmë e gjithanshme. T’u paguhet menjëherë pasuria dhe të shkëputen menjëherë nga ana administrative, dokumentet e udhëtimit t’u jepen pa asnjë farë formaliteti. Të ndihmohen për të shkuar në stacionin më të parë hekurudhor, duke ju vënë në dispozicion trena deri në Selanik dhe prej aty të çohen menjëherë me vapor në Azi. Ka shumë rëndësi që udhëtimi të jetë i rehatshëm dhe pa shpenzime. Udhëtimin me tren, mundësisht, ta bëjnë pa pagesë, njëkohësisht të ndihmohen edhe me ushqime, pasi nga kjo varet shume shpërngulja në masë ose jo. Frika e vështirësive të udhëtimit është pengesa kryesore e lëvizjes së tyre. Për këtë arsye është e domosdoshme që të eliminohen vështirësitë, duke i zgjidhur shpejt e në mënyrë energjike të gjitha punët rreth udhëtimit të tyre. Duhet pasur kujdes që të shpërngulurit të kenë sa më pak probleme gjatë udhëtimit, pasi njerëzit e thjeshtë orientohen me vështirësi, prandaj është e nevojshme që t’u mësohet sistemi i transportit të punëtorëve nëpërmjet agjencive të mëdha. I shpërnguluri duhet të kalojë nga dora në dorë, duke mos e ndjerë peshën e kësaj lëvizjeje. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet lumi i shqiptarëve të shpërngulur".

Popullarizimi i krahinave të shpërngulura

"Problemi i vendosjes së kolonëve në vendet e boshatisura, nuk është më i vogël se largimi i shqiptarëve. Pyetja e parë që shtrohet është se kush duhet të vendoset atje? Më e natyrshme është që atje të vendoset elementi ynë nga krahinat pasive, në radhë të parë malazez, hercegovinas, liçanas dhe kraishnicas. Malazezët janë më të përshtatshëm për shumë arsye, pasi Metohia, Drenica dhe Kosova, janë vendet më të natyrshme ku vërshojnë nga malet e tyre të varfra. Shtimi i popullsisë në Mal të Zi ka sjellë varfëri, gjë e cila ka shkaktuar lëvizje të vazhdueshme social-politike, kohët e fundit, jo të favorshme këto për pushtetin tonë dhe mjaft të rrezikshme, përsa i përket rendit e qetësisë në të ardhmen. Nuk na intereson që tyre t’u japim misër e pensione. Për këtë, e vetmja zgjidhje është çuarja e tyre në krahinat pjellore të Metohisë, Drenicës e Kosovës, sepse afrohen në mentalitet e temperament me shqiptarët. Malazezët janë arma më e përshtatshme për mposhtjen dhe largimin e shqiptarëve. Në radhë të parë, ata duhen përdorur në viset shqiptare në veri të Malit të Sharit, por, krahas tyre, duhen kolonizuar edhe me një sasi liçanas, kraishnicas, serbësh, çaçaka, uzhiçanash dhe topliçanas. Kjo është e nevojshme për të krijuar tek ata shprehitë e punës dhe të organizimit, për të thyer psikologjinë e tyre nomade-kolektive prej malësorësh, me qëllim që të neutralizojmë këtë psikologji me anë të përzierjes dhe martesave nga vise të ndryshme dinarike. Kështu do të arrihet të krijohet një tip i ri malazesi, më pak lokal dhe më tepër i ngjashëm me serbin. Kurbetlinjve serbojugorë, në jug të malit të Sharit, duhet t’u krijojmë kondita të përshtatshme, në mënyrë që të fusin në dorë toka pjellore. Ky do të jetë një kontigjent i ndershëm e punëtor, i cili do t’i jetë mirënjohës për gjithë jetën këtij shteti, në rast se do të krijojmë kushte për jetën e tyre në fshat. Përgjithësisht, fshati i serbëve të jugut ka të drejtë të kërkojë nga ne më shumë përkujdes dhe preokupacion nga sa po tregojmë sot. Kolonizimi me anë të këtyre varfanjakëve në Pollog të Sipërm e të Poshtëm, në Dibër si dhe dhënia e kullotave këtyre, në vend të shqiptarëve, do të bëjë të kuptohet se ky është shtet i tyre si dhe do të dinte t’i mbronte kufijtë me gjak. Pranë tyre, në jug të malit Shar dhe të Malit të Zi të Shkupit, mund të kolonizohet me vranjanët, leskovçanët, pirotasit dhe vllastiçanët, sidomos ata të fshatrave malorë pasivë. E përsërisim edhe njëherë se dinarikët nuk duhen lejuar në jug të linjës së Malit të Zi të Shkupit dhe Malit të Sharit. Gjatë kolonizimit të fshatrave të lëna nga shqiptarët, duhet evituar ngadalësia burokratike. Kryesorja, në radhë të parë, është dhënia e menjëhershme e tapive kolonistëve, për pronat ku do të vendosen, sepse një nga shkaqet kryesore të mossuksesit të kolonizimit tonë të sotëm, ka qenë, pikërisht kjo, sepse kolonialisti nuk e ka ndierë veten të sigurt në pronën ku është vendosur. Atij nuk i është dhënë tapia menjëherë dhe kështu ishte i ekspozuar përpara poshtërsirave të shumta të nëpunësve dhe politikanëve të pandërgjegjshëm. Fshatari e ndjen veten të sigurt në pronën që posedon, vetëm atëherë kur e di se askush nuk mund ta lëvizë nga atje, prandaj, duhet t’i jepet menjëherë kjo garanci. Pra, kolonialistëve u duhen krijuar të gjitha kushtet e jetesës për disa vjet, nëse dëshirojmë që ata të mbeten atje. Pa mëshirë duhet të shuajmë çdo spekulim që bëhet me pronat dhe shtëpitë e shqiptarëve të shpërngulur. Shteti duhet të ruajë për vete të drejtën e pakufizuar për zotërimin e pasurisë së tundshme e të patundshme të të shpërngulurve, madje, menjëherë pas largimit të tyre, të vendosë aty kolonistët e vet. Kjo duhet bërë pasi rrallë herë ka ndodhur që të shpërngulet menjëherë gjithë fshti. Në këto fshatra, në radhë të parë duhet të vendosë malazezë, si njerëz arrogantë, të rrëmbyer, të paarsyeshëm dhe të papërmbajtur, të cilët, me sjlljet e tyre do t’i detyrojnë shqiptarët e mbetur të shpërngulen, e mandej, të sillen në këtë vend kolonistë nga vendet të tjera. Jo më pak i rëndësishëm është për ne edhe problemi i Vojvodinës, sidomos trekëndëshi hungarez në Baçka Senta Kulla, Baçka-Topolla. Të shkatërrosh atë në Vojvodinë, do të thotë, njësoj sikur të shkatërrosh bllokun në shqiptar rreth Malit të Sharit".

Kolonizimi: ushtria serbe të merret me organizimin e tij

"Një problem i rëndësisë së veçantë për zgjidhjen e këtij problemi mbetet ekzistenca e një aparati, që do të drejtojë të gjitha punët. Si rezultat i punës së keqe të aparatit të deritanishëm të politikës sonë të kolonizimit, qëndron një pjesë e mirë e mossukseseve tona të deritanishme. E që të evitohet kjo në të ardhmen, duhet bërë riorganizimi. Asnjë çështje tjetër nuk kërkon aq vazhdimësi e kujdes për t’u kryer, sesa kolonizimi. Kemi thënë se një nga shkaqet e mossuksesit tonë në kolonizimin në jug dhe në veri, është puna josistematike e drejtimit dhe ndryshimi i politikës sipas ndryshimit të qeverive. Që të evitohet kjo në të ardhmen, kolonizimi i duhet besuar Shtabit të Përgjithshëm, pasi ushtria jonë është e interesuar që në kufijtë tanë, sidomos në sektorë delikatë, të vendosë elementë të vetë. Për këtë do të bëjmë çmos që të sigurojmë kufijtë me një kolonizim sa më të fortë. Shtabi i Përgjithshëm si institucion primar i mbrojtjes së interesave kombëtare, mund t’i japë shumë gjithë politikës sonë të kolonizimit. Tërë kompleksin e punë, Shtabi i Përgjithshëm do të mund ta drejtonte nëpërmjet një Këshilli Shtetëror për kolonizimin. Ky këshill do të ishte krejtësisht autonom, duke qenë plotësisht nën urdhrat e shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe do të kishte nën varësi të gjitha organizmat e kolonizimit tonë. Në këtë këshill duhet të hyjnë përfaqësues të disa ministrive të interesuara, shoqatave nacionaliste, organizatave teknike dhe institucioneve shkencore. Është e nevojshme lidhja organike në politikën tonë të kolonizimit ndërmjet pushtetit shtetëror, iniciativave private dhe institucioneve shkencore. Iniciativa private mund të veprojë në shumë drejtime si, Mbrojtja Popullore, Sokollashat dhe shoqatat çetnike. E para do të jetë ushtria civile e ngritur nga shteti, sokollashat do të jenë çeta terroriste të padeklaruara, të armatosura dhe udhëhequra nga shteti për luftë kundër shqiptarëve, ndërsa çetnikët, çeta kriminelësh civilë të armatosur nga shteti për të kryer krime të vazhdueshme kundër shqiptarëve. Edhe shoqatat kulturore si: “Prosfeta” në Sarajevë, “Matica Srepska” në Novi Sad, “Sv. Sava” në Beograd e të tjera si këto, kanë detyrat e tyre lidhur me këtë çështje. Duhet të krijohet një institut kolonizimi, detyra e të cilit të jetë marrja me studimin e kësaj çështjeje. Pushteti shtetëror duhet të veçojë tashmë nga disa ministri dhe të tjera institucione që janë marrë, deri tani, me këtë problem organizma dhe të krijojë një institucion të veçantë, “Inspektoriatin e kolonizimit”. Vetë teknikën organizative të shpërnguljes së shqiptarëve dhe vendosjen e kolonistëve tanë, do të përpunojë instituti shtetëror dhe instituti për kolonizim. Ndoshta, nuk do të ishte keq që përveç këtyre, të ishte edhe një organizatë private dhe të mbështetej në shoqatat ekzistuese dhe të kishte si detyrë që me vetë iniciativat private, të merrej me zbatimin e politikës sonë të kolonizimit. Më mirë do të ishte sikur përsipër këtë punë ta merrte lidhja e shoqërive tona kulturore-arsimore. Ajo do të interesohej për koordinimin e punës së shoqërive private me punën shtetërore të kolonizimit dhe do të shërbente si ndërmjetës midis tyre dhe Institutit për Kolonizim".

Mjetet financiare, 600 milionë dinarë për shpërnguljen e 40 mijë familjeve

"Sa herë që është kritikuar politika jonë e kolonizimit për mossuksese, mbrojtësit e saj janë ankuar për mjetet e pakta financiare që ka vënë shteti në dispozicion për të kryer këtë punë. Nuk e mohoj se nuk është kështu deri në një farë mase, por duhet thënë se më tepër është shpenzuar për mbajtjen e këtij aparati dhe për një punë joracionale, sesa për vetë kolonizimin. Megjithatë, nëse shteti nuk ka dhënë aq sa duhet, duhet pranuar se çdo shtet ka interesat e tij primare dhe sekondare. Në interesat primare futet edhe detyra e shtetit që të sigurojë vetveten në krahinat e pasigurta nacionale, të kolonizuara me elementin e vet. Para së gjithash, le të llogarisim se sa do t´i kushtonte shtetit tonë shpërngulja e 200 mijë shqiptarëve dhe vendosja e një numri po aq kolonës në ato vende. Shpërngulja e rreth 40 mijë familjeve, duke marrë mesataren që një prej tyre përbëhet prej pesë vetash, i kushton shtetit 15 mijë dinarë për familje. Pra, për shpërnguljen e tyre duhen, të paktën, 600 milionë dinarë. Shtoj kësaj edhe rreth 200 milionë dinarë që duhen për vendosjen e familjeve tona në vend të shqiptarëve të shpërngulur. Kjo llogaritet, pasi shqiptarët e shpërngulur do të lënë jo vetëm tokën, por edhe shtëpinë dhe veglat e punës. Kështu, jo vetëm që do të vendoset pjesa më e madhe e kolonistëve tanë në shtëpitë e shqiptarëve, por me një ndihmë të vogël në bagëti dhe ushqime, këta do të marrin vetëm nga ana ekonomike dhe do të bëhen të pavarur. Gjatë krijimit të kolonive të reja, aty ku e lyp nevoja, duhet të përdoret edhe forca ushtarake, ashtu siç është përdorur gjatë ndërtimit të Sremska Raqes dhe të rindërtimit të fshatrave të shkatërruara nga tërmeti në vitin 1931, në jug. Për këtë punë, t’i jepet ushtrisë e drejta dhe mundësia që me thirrjen e rezervistëve në stërvitje ose me zgjatjen e afatit të shërbimit ushtarak, të krijojë një lloj shërbimi të detyrueshëm pune për qëllime publike. Në marrëveshje me organizatat dhe shoqëritë e specializuara, duhen kërkuar rrugë më pak të kushtueshme për hapjen e tokave nga shkurret, tharjen e moçaleve dhe të tjera. Gjatë kolonizimit shteti mund t’u japë kolonistëve prona me kredi ose me para në dorë. Do të ketë mjaft nga ata që do të blejnë toka në vise të reja dhe që do të shesin tokat e tyre në vendlindje. Nga kjo shteti do të marrë një pjesë të mirë të pronave që ka dhënë. Toka mund t’i shitet vetëm atij që ka ndërmend të vendoset atje përfundimisht. Toka e dhënë me kredi nuk duhet të jetë e shtrenjtë. Kamata duhet të jetë minimale, koha e shlyerjes së kredisë duhet të fillojë disa vjet pas vendosjes së kolonëve, domethënë, kur ata të jenë fuqizuar ekonomikisht. Të marra së bashku, shuma prej disa qindra milionë dinarësh, nuk është ndonjë shpenzim i madh për shtetin, në krahasim me përfitimin që ai do të ketë. Sigurimi i pikave nevralgjike ne jug, me vendosjen e elementeve tanë nacionalë, kursejmë në rast lufte disa divizione. Duke vendosur disa dhjetëra mijë familje si kolonialistë nga krahinat tona pasive, sidomos nga Mali i Zi, lehtësohet kriza ekonomike në ato zona. Për një detyrë të tillë nacionale, strategjiko-ushtarke dhe ekonomike, shteti ka për detyrë të sakrifikojë disa qindra milionë dinarë. Në një kohë kur është në gjendje të shpenzojë miliarda dinarë për ndërtimin e rrugës ndërkombëtare nga Subotica deri në Caribrod, nga e cila duhet të kemi përfitime, ndoshta në të ardhmen e largët. Ai duhet dhe mund të gjejë dhe milionat e dinarëve për këtë problem madhor nacional, siç është shpërngulja e shqiptarëve. Kolonizimi gradual, ashtu si edhe në vende të tjera, nuk ka pasur sukses te ne. Kur pushteti shtetëror dëshiron të ndërhyjë në interes të elementit të vet kolonizues, në luftë për tokën, mund të ketë sukses vetëm nëse vepron brutalisht. Përndryshe, shqiptarët e rrënjosur në vendlindje janë më të fortë se kolonisti. Kjo, në rastin tonë duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një racë të varfër me rrënjë dhe pjellore. Për të, pat thënë Cvijiç se është më ekspansivja në Ballkan. Statistikat tregojnë se politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave shqiptare. Nga kjo duhet të nxjerrim përfundime dhe të korrigjohem, deri sa nuk është akoma vonë. E gjithë Evropa është në një gjendje kaotike. Ne nuk dimë se ç’na sjell dita e jo më nata. Nacionalizmi shqiptar, edhe në viset, tona po rritet". (Nga elaborati i Çubriloviçit)
---------

Mënyra e shpërnguljes: feja dhe bërja e jetës e padurueshme nga shteti

“Tashmë dihet se është më efikase mënyra e shpërnguljes në masë e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre. E që të arrihet një shpërngulje në masë si kusht i parë është që të krijohet një psikozë e përshtatshme, e cila mund të krijohet në shumë mënyra. Dihet që masa myslimane shumë shpejt i nënshtrohet influencimit, sidomos fesë, besojnë në të shpejt e me fanatizëm, prandaj në radhë të parë shpërnguljen e tyre ta bëjnë vetë drejtuesit shpirtërorë të tyre dhe njerëzit me influencë, me para ose me shtrëngim. Duhet të gjenden sa më parë agjitatorët, të cilët do të propagandojnë për shpërnguljen, mirë do të ishte sikur të na i jepte Turqia këta. Ata duhet të përshkruajnë bukurinë e viseve në Turqi, jetesën e lehtë dhe të këndshme atje, të ndezin fanatizëm fetar dhe t’u zgjojnë krenarinë shtetërore turke. Mjet tjetër do të ishte edhe shtrëngimi nga aparati shtetëror. Ai duhet të shfrytëzojë ligjet deri në fund, në mënyrë që t’ua bëjë sa më të padurueshëm qëndrimin shqiptarëve te ne. Duhet të aplikohen gjobat, burgimet, aplikimi në mënyrë të pamëshirshme i të gjitha dispozitave policore, si dënimin e kontrabandës, prerjen e pyjeve, përvetësime, lëshimin e qenve në oborret e shtëpive. Të detyrohen sa më shumë njerëz që të punojnë angari dhe të merret çdo masë tjetër, që mund të aplikojë një polici me përvojë si masa ekonomike, mosnjohja e tapive të vjetra, duhet të vendosen taksa të pamëshirshme, detyrimi i shlyerjeve të të gjitha borxheve private e publike, e kullotave komunare dhe publike. Duet të zhvishen shqiptarët nga koncesionet, heqja e lejeve afariste për kafenë, dyqane tregtare, mos të lejohen shqiptarët të marrin leje për krijim monopolesh, pushimi nga puna shtetërore, private e të tjera mënyrë shtrënguese, për të shpejtuar procesin e shpërnguljes…”.

Falsifikimet e Beogradit në regjistrimet e popullsisë shqiptare

Për të realizuar zvogëlimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi herë pas here kanë përdorur falsifikimet e pafundme në regjistrimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Për këtë janë shpikur dhe zbatuar lloj-lloj formash e presionesh që të shënohen sa më shumë shqiptarë si maqedonas, malazezë, serbë dhe turq (të ashtuquajturit kombësi myslimane e Jugosllavisë). Përfundimisht, në 60 vjetët e fundit 1912-1976, në viset shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia u zhdukën fizikisht mbi 277 mijë shqiptarë dhe u shpërngulën nga trojet e veta më shumë se 973 mijë të tjerë, që gjithsej kapin shifrën e 1 milion e 250 mijë vetëve. Nga dokumente dhe studiues të ndryshëm del se midis dy luftërave botërore vetëm në Turqi kanë shkuar mbi 700 mijë shqiptarë, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia. Por, me gjithë zhdukjet fizike dhe shpërnguljet e mëdha, popullsia shqiptare e këtyre anëve, për shkak të qëndresës së madhe dhe të natalitetit të lartë, nuk u sllavizuan dhe as mbetën në pakicë. Përherë shqiptarët kanë qenë shumicë në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Në vitin 1971, regjistrimi i popullsisë në Jugosllavi jepte si shifër të shqiptarëve 1 milion e 310 mijë vetë. Natyrisht kjo shifër nuk është e saktë, pasi fshihet realiteti. Atëherë po të merret parasysh shtesa e popullsisë shqiptare në trojet e tyre në Jugosllavi kjo shifër duhet të ishte që në atë kohë rreth 2 milionë, që do të thotë për nga numri i popullsisë shqiptarët ishin të tretët në atë shtet, gjë e cila ngjallte shqetësim edhe te politikanët e regjimit të Titos....

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...