Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/06/25

NJE SYTH SHPIRTI NE AKUARELIN E NJE KOSOVARI


    brenda syrit poetik të Flori Bruqit

 

NJE SYTH SHPIRTI NE AKUARELIN E NJE KOSOVARI


               

ZEF PERGEGA


Nanat janë krijesa e krijesave njerëzore. Asnjë hije muzgu me fluturim korbash nuk zë vend në shpirtin e tyre. Stoicizmi human dhe krenar është sfida e natës. Ata linden prej dhimbjës dhe dhimbjës së rritjës i kënduan gjithë jetën. Me këngë e thurin djepin e dashurisë dhe me shallin e ylberit i shërojnë ethet e forta. Asnjë art nuk mund ta shëmbë tempullin e shënjtë të tyre. Nanat janë bota e qiellit dhe e tokës dhe krah u japin foshnjave të bëhen ëngjëjt e jetës.
          Sa herë ngjitësha shkallëve të drunjta të kullës së vjetër, nana ime që thurte bukur çorape me luledele apo me degë ulliri, pa më parë me therriste me emër. Me njihte nga hapat e ngjitjës…Ndërkohë që arti i sotëm e ka shpërfillur fytyrën dhe visarët e shpirtit të nanës dhe është mbërthyer si rriqën ne kërthizën e vibrimeve nudo, ngrihet një bir kosovari i lindur në vatren e lisit të tamlit dhe lisit të zjarrit, një flori-florë poetike mbi kurorë të gurrës së parë me emrin njerëzor Flori që me pathosin e tij të vlugut e ngre simbolikën e nanës mbi rrezët e dritës asaj drite që ajo i përket.
          Rastësisht e me saktë në mënyrë periodike e lëxoi krijimtarinë e këtij poeti dhe si anija që e hedh spirancen në molon e ankorimit ma mbajti vështrimin një cikel poetik e këtij fisniku të fjalës së lirë. Duke lëxuar poezinë “Rreze drite” njeriu dhe në mënyrë të veçantë emigranti s’ka sesi të mos ngrohet nga këto rreze dhe të na kujtojë që sado që jemi larg shpinë kthyer, nana kurrë s’e harron birin apo bijen e saj. Që ajo të mos rrijë duke pritur mbas dere nga këto mbrapështi, Flori Bruqi si një thurës vargjesh me mbjellje zambaku e tredofilesh në ballkonin dhe kopështit të mevehtësisë së Kosovës, shkëput nga trungu i shpirtit një petale meraku prej vazos së kujdesit të nanës drejt adresës tonë, si pëllumbi që këkon bregun…

                  

“…Natën e mirë bir
                    Çelësin mos ia vë derës
 Se do të vijë nana
 Gjumin e paprishur
Me hapat e pranverës
Mos je shpluar
Kur ike…!”


          Poeti Flori Bruqi e ka thënë me një ndjenjë të thellë atë që shumëkush e ka harruar madje e ka mbraktisur nga shpirti këtë kumt njerëzor. Këtë thesar që rrjedh në lumin e turbulluar të jetës, Flori  e nxjerr nga fundi si varken e mbytur. Shumë i kanë kënduar nanës që ngjajnë me tinguj nostalgjie, por motivi i autorit në fjalë ka atë rreze drite që nuk shterr në shpirtin e nanës pavarësisht se koha po i josh brezat me harresën dhe përzierjen e gjakut. Bash kur hollohet e ndryshohet gjaku aty nana loton me sytë nga qielli për pak shpresë dhe respekt për prinderit.
          Lajmotivi i poetit Flori Bruqi ka eren e theut të parmëndës dhe e lëron vargun në ngohtësinë e qiellit pa patur nevojë të marrë miell hua, por gruri i arës së tij piqet me afsh trualli. Shpirti poetik me të cilin ka rrethuar tokën e mushtit të vargjeve bashkë me fantazinë dhe dhuntinë rri në dritaret e një kalaje, si zogu që sjell lajmin e begatisë, lidhur guret me metafora dhe ushqyer me qumështin e zanave të kthyera përseri pas shumë motësh ikjesh ndër valë. Poeti kosovar u këndon atyre që nënçmohet, atyre që shkelen me të padrejtë, atyre që u flet puna dhe dikush ua mohon me guna, I këndon urtisë, mençurisë së popullit të tij, bekimit të ballit dhe nderit të nëpërkëmbur. Ai i thërret nanat, vashat të vijnë në këngë se me këngë janë rritur djepat e trimërisë se pa ata djepa Kosova do të ishte përseri e shtypur ndaj dhe  poezia e tij “Lajtmotiv e sinqerte” është një zgjim dhe një kurajo, nje hov dhe një tingull i ri në piskamë se prej tyre ne morëm këmbë

                   “…Ejani në këngë
                    Nana dhe motra
                    Ne lindëm nga këngët tuaja
                    Nga zëri juaj
                    Morëm këmbë…!”

          Para vargut të Flori Bruqit të ndizet një qerpik ngadhnjimi. Ai të fton qetësiht pa tamburante në vargun e rrëzeve të perëndimit për ta përjetuar poezinë nga vitrina e pastër e dritës që ndizet në pishtar. Edhe pse politikisht ka ardhur liria ne Kosovë, shpirti i vashës e përjeton atë me trishtim. Të lehurat e natës nëpër zgavrra përgojimesh të paragjykuara me kurtha e gracka dashurie dhe poeti i vemëndshëm e shkoqit këtë ndjesi, mbasi ai nuk i duron njollat e zeza në bluzën e bardhë të transparences së virtytit njerëzor dhe pyet në poezinë “Liri fjale”

          “…Mos vallë në qytetin tënd ilirik
          të ndjekin qentë e tërbuar
          Ndonjë hije nate…?!”


          Flori Bruqi, si në jetë dhe në krijimtari nuk thyhet nga pushteti i prangave të pritjës dhe as nuk e kapin ethet e padurimit edhe kur e ndjen vetvlimin në damarë. Me krah dallendyshe ngjit muret e heshtura, ku jeta merr serume të hidhura e ai ulet në karriken e sallonit të pallatit të ëndërrave rinore pasi shiu e ka bërë qull fletoren e vargjeve pa e ndjerë shterrjen kur shkruan poezinë “Qyteti ku të prita”

                   “…Unë jam aty ku me ke lënë
                    Vallëzoi me hijet
                    E nuk di cilën të përkedhel
                    Pres dashurinë tënde
                    Mbi buzët e tua të zë një ëndërr…!”

          Një poezi e veçantë me një gurrë me metafora dhe me një kopësht me krahasime është ajo me titullin “Akuareli i diellit”
          Ajo iku në moshë të njomë, pa pasaportë e pa adresë. Ndoshta pa mësuar mirë emrat e malit, lendinës, lumit e bregorës që jetës i japin blegerime. Nxori në rrugë në atë shteg të ngushtë nga gjoksi i paprekur fletoren me vjersha dhe shkroi për mëngjesin e Prishtinës, të vetmin kujtim mori më vete nga majat e ikjës dhe ai ngushtim shpirti e tokë i kujtoi nanen. Në xhamat e retinës vizatoi portretin e baces plak dhe pastaj e fshiu me dorë dhe dorën e puthi me bekimin e vetvetës. Eshtë gjaku që ndjen gjakun, e kush me bukur se Flori Bruqi e përcjellë këtë penelatë, si visari me i çmuar i shqiptarit e i kosovarit. Dikur ajo vashë u kthye ne vendlindje. Autori nuk u bën thirrje dallendysheve të kthehen, por ai nga një kënd i syrit të tij vëzhgon fluturimin e tyre nga qielli që u laguan dhe e stolis tablonë kur vasha e ngjeu penelin në akuarelin e hënës në mbrëmjen e majit dhe pikturoi rrugen. Kishte çelur pranvera e kthimit. Ky motiv është thënë nga Flori Bruqi në mënyren me mjeshtrore. Në fshat vasha që kishte ikur, por atdheu i ishte mbledhur galuc si një gur në zemër e në shpirt, me të cilin ajo kuvendoi gjithë kohën e largimit duke gjetur në ato themele hijet e vetmisë dhe të heshtjës dhe me tej melodinë e draperit në duat e fahtarëve të tokës së saj.             Flori është i dashuruar pas së bukurës, ai e ushqen atë që të mos vyshkët dhe të mos shkilet. Madje ai është një triumf rrënjësh që larton trungun e inditetit njerëzor. S’ka gjë më të bukur kur femra e ruan feminitetin e saj sa edhe pemet kërkojnë ti ngjajnë.

                   “…Shpirti i saj
                     Një lëndinë qërshori
                     Selvitë ndanë rrugës
                     Trupin e saj imitojnë…!”

          Ndesha një krahasim që e vellon se tepërmi stofen e vargun dhe e llamburit mesazhin tek poesia “Mendim e kredhur” Nuk e di nëse ky poet me një fizionomi të konturuar në brumin e farës kombëtare ta këtë provuar mërgimin. Ai me nota trishtimi e vizaton portretin e shekullit që ndau familjen duke u çirrur nëpër tribuna e konferenca për liri e lëvizje të lirë. Sa nana e motra mbetën pa burra, pa fëmijë e autori thotë se nuk paten një gur ku të qajnë!
          Vejusha pa fat me prehera të thatë. Djepa që nuk lidhën dhe as nuk zgjidhen. Kënga Nina-nana e ngrirë në mure të akullta dhe siç thotë Flori, në shpresat e djegura vret e qan trishtimi. Tonelata vujtjesh që mbytën mbi dallgët e mërgimt mekatar dhe poeti i dhimbshur thotë:

  “…Shikimi i nënëmadhës si shqiponjë/ Pas e ndjek/ Klithma djemsh/ Mbetur ikona nëpër pragje…!”

  Në akuarelin e dritës së shpirtit të tij që rri në pëllëmbë të vargjeve, një ditë në Amerikë dallova ylberizimin e figurave letrare dhe artistike të këtij poeti që e shikoj si kurore magjike mbi ballë të tokës kosovare për t’ia zbukuruar fytyren lirisë dhe gjithçka që është shqiptare.


  zefpergega434hotmail.com

  Detroit, 25 Qershor 2011

nga Flori Bruqi:Toponimet sllave në shqip



Çështja e përdorimit të toponimeve në gjuhën e natyrshme, ashtu si duhet të flitet në gjuhën shqipe është çështje shumë e vjetër, e cila akoma nuk është zgjedhur. Kërkesa për përdorimin adekuat të toponimeve në gjuhën shqipe ka vite që është bërë...Ky problem është zgjedhur pjesërisht në trevat shqipfolëse , por mbetet edhe shumë punë për tu bërë. ... Çështja e toponimeve është zgjidhur në faktin se para disa viteve në tekstet mësimore të gjuhës shqipe toponimet shkruheshin serbisht, maqedonisht. Tash  pak a shumë këtë nuk e kemi në trollin arbëror.

Në të gjitha botimet e teksteve shkollore deri në vitin 1995 në vend të Shkupit është shkruar Skopje, në vend të Dibrës, Debar. Kjo çështje duhet zgjidhur në interes të përbashkët nga albanologët shqiptar në Maqedoni..

Të ketë një dekleratë të përbashkët se nuk është e natyrës që maqedonisht ti themi Vlorës Valona, apo Durrësit Draç. Ne nuk kërkojmë që maqedonasit ta përdorin si Durrës, por le të përdoret dhe në shqip, ashtu si duhet....Këta janë disa shembuj tipik, pasi edhe për Tetovën e përdorin Tetovo.

...Ka edhe shumë punë për tu bërë për çështjen e toponimeve në gjuhën shqipe...
Pak kohë më parë deputetja e Partisë për Ripërtëritje Demokratike Liljana Popovska kërkon respektim dhe zbatim të nenit 195 të ligjit për siguri në komunikacion, në të cilin theksohet se toponimet nuk duhet përkthyer. Popovska vlerëson se është bërë gabim në drejtim të shënimit të mbishkrimeve të qyteteve në vend duke i përkthyer emrat e tyre edhe në gjuhën shqipe.



Prof.dr.Sali Berisha: Hiqni toponimet e huaja



Qeveria Shqiptare angazhohet të heqë nga përdorimi i përditshëm të gjithë fjalorin e huaj që lidhet me emërtimet e njësive vendore, siç janë fshatrat, qytetet, apo edhe të vendeve të ndryshme. Pasi vendosi disa javë më parë që të vërë masa të rënda shtrënguese për të gjitha ato aktivitete private, që përdorin tabela apo reklama në gjuhë të huaj, shefi i qeverisë, Sali Berisha, ka paralajmëruar një nismë të re në këtë linjë, por që kësaj radhë ka të bëjë me ndryshimin e të gjitha toponimeve të huaja.

Republika e Kosovës  i rregulloi toponimet deklerativisht


Pas çlirimit të Kosovës, të gjithë emrave të qyteteve të Kosovës iu kthyen emrat e tyre origjinal që i kanë pas në shqip. Mirëpo kjo çështje ka mbetur vetëm në të folur, pasi në gjuhën administrative akoma ekzistojnë toponimet sllave që u vendosën para më shumë se gjysmë shekulli.

Pasioni i Dom Nikoll Gazullit për identitetin dhe krenarinë e kombit

t


nga: Artan Shkreli


Sa më shumë i largohemi asaj periudhe shtypëse dhe t‘ankthshme që përfundoi me të vonuarin vit 1991, aq më fort shtohen pyetjet e "përse"-te për gjithë çka ndodhi, të cilave iu ngarkohet edhe pezmi se nëse çka ndodhi "a duhej doemos të ndodhte". E sa më tepër del mpimja 45-vjeçare dhe njerëzia nis mësohet me lirinë, aq më qartë shpalohet arsyeja pse autoritarizmi despotik pati atë efekt të fundbotshëm ndër shqiptarë. Kështu që vijnë e bëhen gjithnjë e më të dallueshme mistifikimet e turpshme të kujt kish marrë rolin e atit dhe bijtë e mbetur "në besë" i mëkonte me ushqim të prishur. Profetnit e rreme kishin zaptuar papritur rrugët dhe sheshet e qyteteve, e duke përfituar nga plagët shoqërore dhe varfëria e trashëguar, i tregonin gjindjes si shpëtim shtegun e humnerës

Dom Nikoll Gazulli
Arkiva e Dubrovnikut


Në dokumentin me titull "The notion of the public library in the renaissance Dubrovnik" (Nocioni i bibliotekës publike në Dubrovnikun e renesanses), arbano-kroati Aleksandër Stipçeviç hedh dritë mbi zbulimin e dëshmive të shkruara të Gjon Gazullit dhe të dokumenteve mesjetare, të cilat plotësojnë të dhenat biografike për të. Në dokument, të dhënat për jetën dhe punën e Gjon Gazullit janë paraqitur të bashkëlidhura me ngjarjet që kanë ndodhur në Raguzën e shek. XV, XVI, XVII. Kështu një ndër gjerat që tërheq vëmendjen është fakti i rrallë, që nxjerr në pah Stipçeviçi, se librat e koleksionit të tij privat atbotë iu dhanë në përdorim qytetarëve të Raguzës (Dubrovnikut). Së këndejmi mori shkas tash edhe ideja që bibliotekat e pasura private që Dubrovniku disponon, t‘i hapen publikut.

Në njëfarë mënyre ky akt i Gjon Gazullit shënoi edhe fillimin e lindjes së bibliotekave publike në bregun lindor të Adriatikut, ku po qartësohet gjithnjë më shumë fakti se, në atë që më pas do ikonizohej se Albania Veneta (Shqipni Venedike), arbënit ishin ndër aktorët kryesorë të jetës shpirtnore.

Në fakt, ecuria e njerëzve si Gjon Gazulli, bir i parsit Gjin Gazulli, përsa e pazakontë mund të na duket sot, ka qenë diçka rutinë në Arbëninë Mesjetare paraosmane. Ka të ngjarë që mësimet e para ai t‘i ketë marrë në mjedisin humanist Scutari-n, i cili u zhduk sikur të mos kish ekzistuar kurrë pas dramës së pakapërdishme të 1479-ës. Rektor i Universitetit të Padovas (lider shkencash në Europën e kohës) dhe me një bibliotekë të paçmuar, ky dijetar shqiptar, që vdiq më 19 shkurt 1465, nuk u tregua aspak i përkorë kur qe puna për lirinë e vendit të vet. Ai qe përfshirë në një proces gjyqësor për kontrabandë armësh, të cilat duhet t‘i dërgoheshin Gjergj Kastriotit në Arbëni. Por autoriteti i tij dhe miqtë e fuqishëm që lobonin pro Skënderbeut i shpëtuan qoftë njerëzit, qoftë reputacionin e Gazullit. Rrugët e lirisë, sikundër ato të Zotit janë të pafundme. Nga dinastia fatlume e Gazullorëve ato rrugë do të përshkoheshin ne qindvjetshat e ardhshëm në njëmijë mënyra të ndryshme, por veçse për një qëllim të shndërruar tashmë në ide të ngulmët: Lirinë.

Sot pas 500 vjetësh, kroatët, apo hërvatët siç i thonë në Malsin‘e Madhe, e mëtojnë Gjonin për bashkëkombës të tyre të lindur në Raguzë (fakt i pavërtetë ky), por me origjinë arbënore. Saku ndër ne, ndodh e kundërta. Sot Gazujt a Gazullorët e mbramë janë pa varr, të pabotuar e te pazânë ngoje. Gazujt, tabuja fatale e shtetit shqiptar, me dy vëllezër të zhdukur, i pari nga Ahmed Zogu (varur n‘midis të Shkodrës) dhe i dyti nga Enver Hoxha (mbetur në një shpellë të Vrithit, aty në malet e veriut). E ne sot kemi mbetëë ende peng të Janarit të eger të 1946-ës.


Dom Nikolli, pasion i gjallë
Pa i hyrë kronikave gazullore, të cilat të çojnë deri aty nga fundi i shek. XIII, por as atyre të rezistencës së pareshtur antiosmane, e cila shtyhet deri në kohet tona, të tërheq vëmendjen personaliteti i Nikoll Gazullit, pikërisht për ngjashmërinë e habitshme që ka mes tij dhe humanistit të shek. XV, Gjon Gazulli. Kjo ngjashmëri vihet re në spektrin e interesave që shqetësuan jetët e të dyve.

Sikundër Gjon Gazulli (lindur 1399-1465), edhe Nikolli (1891-1946) plot pesë shekuj më pas, erdh në këtë botë në kapërcyell shekujsh dhe ngjarjesh dramatike për historinë e Shqipërisë. Që të dy do të kishin fatin e mirë të edukoheshin në voglì në një mjedis të orientuar nga humanizmi dhe patriotizmi e të shkolloheshin për më s‘shumti në Europë, por dhe fatin e keq që në të ngrysur të ditëve të përjetonin trishtimin e një atdheu që rrëshqiste si mos më keq drejt një antieuropianizmi të skajshëm. E ndërsa Gjoni vdiq atëherë kur emri i arbënit qe bërë simboli evropian i qëndresës ndaj antivlerave, Nikolli dha shpirt si ideator dhe luftëtar i po asaj qëndrese, në emër të atyre vlerave.

Nikoll Gazulli, në fakt qe shkolluar në Insbruk kur Austria ishte ende perandori dhe Shqipëria konsiderohej nga Franc Jozefi si krahina e humbur prej shekujsh e Konfederatës Ilirike. Futja e saj në suazën perandorake austriake konsiderohej nga plaku i fiksuar pas shqiptarëve si arritja e një objektivi që ish kërkuar që nga kohët e Karlit të Madh. Ndeshtrashat historike kishin çuar në kohë të ostrogotëve një simbiozë iliro-gote (Konfederata Herule e shek. V), ende të paeksploruar mirë e që në qëndresën e saj ndaj faktorit sllav, kish lënë gjurmët e veta në Arbëni me të ashtuquajturën Kulturë e Komanit. I gjithë ky iter jo vijimor historiko-gjeografik (Ilirikum - Konfederata Herule - Albania+Dalmatia Veneta - Konfederata Ilirike) në kuadrin e Perandorisë e humbiste thellësinë kohore dhe ndarjen politike ekzistuese. Në këtë kuptim, hapësira arbënore apo shqiptare merrte sërish përmasa mjaft të mëdha. Në njëfarë mënyre Gazulli ynë, ndonëse jo bashkëkombës, ndihej bashkështetas me b.fj. albanologun austriak Joklin, ose atë kroat Shuflaj. Dhe është kjo frymëmarrje popujsh që kanë marrë e kanë dhënë në shekuj, e cila pat krijuar klimën për studime komplekse e të thella. Natyrisht, në familjen e popujve të Perandorisë Austro-Hungare, sllavet, sikurse shqiptarët, nuk kishin asnjë primat dhe kjo i bënte shqiptarët katolikë të kishin raporte të mira me sllavët katolikë (kroatët).

Nikoll Gazulli i ditur, konsiderohej një fenomen nga e gjithë elita kulturore shqiptare aq sa punimet e tij priteshin me padurim nga organet më në zë të kohës, qoftë në Republikën e re shqiptare, qoftë dhe në periodiket e monarkisë. Zogu i vrau të vëllanë, por nuk guxoi më tepër se kaq. Personaliteti i Gazullit dhe lidhjet e tij ndërkombëtare me albanologë e ballkanologë e bënin të sikletshme çdo mase ndëshkimore ndaj tij.

Biblioteka françeskane ishte ndalesa kryesore e Gazullit në Shkodër, si kur shërbente në famullinë e Rriollit, ashtu edhe kur mbulonte famullinë e Shkrelit (pas 1940-ës). Ndonëse bashkëpunonte me Mjedjen e Fishtën, n‘atë bibliotekë gjendej kryesisht në shoqërinë e At Benedikt Demës. Punimet e tij të vlerësuara maksimalisht nga Norbert Jokli (të cilit mbledhjet që i dërgonte me postë Gazulli i shërbenin për të hartuar Fjalorin Etimologjik të shqipes), u kërkuan edhe nga drejtuesit e gjerdanit "Visarët e Kombit". Kështu në v. 1941, libri "Fjalorth i Ri - fjalë të rralla të përdorura në veri të Shqipnisë" u bë një numër më vete (nr. XI) i këtij gjerdani ish. Ishte i pari fjalor krahinor që botohej dhe bashkë me atë të Pano Tasës (edhe ky i mbajtur larg nga shkenca e re zyrtare pas çlirimit) hidhte baza të shëndosha në kursin që duhej mbajtur për njësimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe. Ky njësim në fakt kish nisur që me v. 1916 nga e famshmja Komisi Letrare, e që deri në kohë të përgatitjes së Fjalorit, asistohej edhe nga austriakët R. Nachtigall dhe M. Lambertz. Skrupoloziteti i Gazullit me shaka vihej në lojë edhe nga eruditi Karl Gurakuqi, Inspektor i Lartë i Arsimit dhe promovues i Gazullit, i cili i hoqi Fjalorit disa fjalë të karakterit erotik të konsideruara si ofensive për kohën. Bëhej fjalë për një punë titanike, e cila nuk kishte të bënte vetëm me mbledhjen, por edhe me analizën e thellë deri në errësirë të shekujve të etimonit të fjalëve vërtet të rralla. Nga erudicioni i tij, Nikoll Gazulli, i dhënë veçanërisht pas folklorit dhe historisë arrin në përfundimin se Iliria ka një histori fetare paralele me atë të Italisë, me martirë, me ipeshkvi e me Etën të vet, dhe thotë se "ndë Shkodër t‘anë kemi një Rromë të dytë në Ballkan. Këtu fillimi i Krishtnimit nis me kohna apostolike e vazhdon me nji Seli Ipeshkvnore që ka nji vijim të pakëputun deri në kohët e vona".

Kjo dije po materializohej aty në heshtinë e luginës së Prronit Thatë në Shkrel, ku Gazulli po hartonte një tjetër vepër madhore: "Fjalorin Toponomastik", të shkruar nën pseudonimin "Gelasius".

Nuk mbërriti ta mbarojë

Mbetet një vepër madhore, ndonëse e shpërndarë ndër numra të ndryshëm të "Hyllit të Dritës", dhe konsiderohet nga kritika e shëndoshë si një punim monumental dhe si studim shkencor albanologjik ndër më të mirët e të gjitha kohëve.


Martiri i Shkrelit

Kishte mbërritë deri te germa "K" e "Fjalorit Toponomastik" kur në Malësinë e Madhe ndodhi ndërgjegjësimi i parë masiv në Shqipëri e në krejt Europën Lindore se çfarë donte me thanë ajo që po ngjiste në vend. Identifikimi qe fill pas luftës (fundi i 1944-ës) komunistët shqiptarë i bënë kauzës së tyre me kauzën e Jugosllavëve, shoqëruar ky me shtypjen marramendëse të të drejtave dhe lirive (për të cilat malësorët e veriut qenë veçanërisht të ndjeshëm) çoi atë "përzierje shpërthyese" që u quajt si Kryengritja e Postrribës ose Rezistenca e Malësisë së Madhe (1945). Nikoll Gazulli la librat dhe rrahu kumbonat e Kishës së Shën Kollit në Shkrel. Sot është e vështirë të kuptohet se si një klerik, u bashkua me kryengritjen dhe kundër "qezarit". Porse atij që njeh historinë e Shqipërisë Veriake, i bdaret çdo dyshim. Barijtë e gjindjes nuk kish si të mos ishin krah besimtarëve të tyre.

Ende sot në Shkrel ruajnë kujtime të bisedave energjike që Dom Nikolli bënte me njerëzit e tij. Atë e kujtojnë si tepër serioz, që ia dilte më i mësue fëmijëve të rrethinave katekizmën rreth zjarrit të ndezur aty para kishës-katedrale të Shkrelit. Ishte "burrë i pashëm fort" me sy qiellorë, blu dhe ëndërrimtarë. Kur kërkuan ta arrestonin në janar të 1946-ës nuk pranoi të burgosej; "Un nuk bij kurr i gjallë n‘dorë t‘ktyne!" - kështu u thosh shkrelianëve që vinin me marrë mend o me gjetë ngushëllim. Kishte dëgjuar për torturat që i bëheshin klerit në burgun e Shkodrës. E nuk pranoi as të rrinte në shtëpitë e malësorëve për "mos me i marrë në qafë". Represioni sa vinte e shtohej. Filologu i madh u fsheh për 3 javë në një zgavër në tokë pranë Dedajve që sot quhet Shpella e Priftit. Më pas u ngjit në Vrith ku qëndroi i fshehur në një shpellë të mirfilltë. Vrasja e Dom Nikollit është histori filmash. Velloja e misterit e mbulon atë vrasje për të cilën ende sot ka shumë rezerva. Ushtarët e ndjekjes, të njoftuar për vendndodhjen e tij, e rrethuan hyrjen e shpellës dhe shtinë batar të gjata pushkësh. Kur u afruan, kurmi i Gazullit ishte i ftohtë dhe i ngrirë. Një vrimë e vjetër plumbi i kish marrë jetën me kohë. Kush e kish bërë këtë? Dioqezani dom Nikoll Gazulli nuk kish si të vriste veten. Emrin e atij që e pati vrarë me një plumb në ballë dinë ta diftojnë malësorët e Shkrelit, si dhe At Zef Pllumi - memoria historike e atyre anëve.

Krahina kishte mbetur pa frymë. Një qerre e barti trupin e tij deri në fshatin e Stërkujës dhe aty ndaj rrugës, ballë kishës së Sterkujës e varrosën. Ata djem që çelën gropën, morën urdhër të mos linin asnjë shenjë, por ata duke e pasur famullitarin e tyre, të cilin gjithkush po e njehte për martir, e rrethuan varrin me gurë dhe i mbuluan ata me pak dhe. Shiu dhe koha do ta largonin atë dhe, menduan djemtë, e mandej kushdo kish mundësi ta kuptonte se aty ish një varr.

Enigma e varrit të Gazullit mbeti e tillë deri në vitin 1995, kur zoja Prendë, shërbyesja e dom Pjetër Grudës, famullitarit të ri të Shkrelit (pas 1949), pak para se të ndërronte jetë, u tregoi motrave të Nanë Terezës në Tiranë një sekret, të cilin kish kohë që e ndrynte në mendje.

Kështu në një natë të ftohtë me stuhi në fillim të viteve ‘50, dom Pjetër Gruda në shoqëri të Gjomark Prelës, Kol Zefit dhe dy burrave të tjerë, lidhin besë më i marrë reliket e dom Nikollit dhe me i çu në kishë të Shkrelit. Ashtu ndodhi. Në "shi e kijamet" nën shkreptimën e rrufeve të Alpeve, Gazulli u rivarros me një përshpirtje të shpejtë në këmbë të altarit të Shna‘Ndojt brenda kishës së Shën Kollit. Dyshemeja asokohe ish me dërrasa dhe pas varrosjes, u mbyll përsëri pa lënë gjurmë. Sot trupi i albanologut fle ende në kishën e tij.

Sekreti u nxor vetëm prej së amës s‘Dom Pjetrit, e cila e kish përgjuar gjaktrishtueshëm. E në merak të madh për të birin që kish dalë atë natë të mnershme. E tronditur ajo ia kish treguar vetëm Prendës, së cilës, më vonë në mbarim të ditëve të veta i kish kërkuar të kujdesohej për të birin, dom Pjetrin, i cili tashmë qe burgosur. Dom Pjetër Gruda vdiq në burg në Sarandë. Frymën e fundit e dha në duart e At Zef Pllumit (sot Nderi i Kombit), por besën nuk e theu as në buzë të varrit. E vërteta e Nikoll Gazullit fatmirësisht u "tradhtua" nga Prenda, një grua e prunjtë e besnike, por që nuk ish e lidhur në besë.

Leksikografi i madh sot ka zënë vendin e tij në histori. Librat e tij më së fundi po botohen. Edhe letrat, pasi ato janë dëshmi e pasionit të këtij njeriu të jashtëzakonshëm për vendin e tij, të këtij njeriu, kumti i të cilit na jep identitet dhe krenar si shqiptarë.

DOM NIKOLL GAZULLI (1891-1946)





Rreshtohet ndër dijetarët e spikatur të gjysmës së parë të këtij shekulli, më së shumti gjuhëtar. I shkolluar dhe ai në Insbruk si i vëllai Gjoni. I pajisur me kulturë Gjermane. Qe një shkenctar me fizionomi të plotë; i vlerësuar dhe i mirëpritur në rrethet shkencore dhe intelektuale të viteve ‘30, me një vepër të shpërndarë në periodikët e kohës. Hartoi dy vepra origjinale leksikografike që i botoi në “Visaret e Kombit” dhe “Hylli i Dritës” , përkatësisht: “Fjalori i fjalëve të rralla të malësive veriore” dhe “Fjalori toponomastik” . Si leksikograf solli ndihmesë të shquar në gjuhësi. Nikoll Gazulli ishte i dhënë edhe pas folklorit dhe historisë, fusha në të cilat boton shkrime, këngë të moçme etj. Për të Iliria ka një histori fetare me atë të Italisë, me dëshmorë, me selina ipeshkvnore, me Etën të vet, kurse “ndë Shkodër tanë kemi një Romë të dytë në Ballkan: Këtu fillimi i krishtnimit nis me kohëna apostolike e vazhdon me një seli ipeshkvnore që ka nji vijim të pakëputun deri në kohët e vona”.

Gjen një rast të argumentojë mbi historinë e Mirditës, duke kundërshtuar ndonjë tezë të pasaktë e të diskutueshme mbi prejardhjen e saj. Sjell dhe ndonjë dokument të panjohur për shqyrtim në këtë rrafsh dhe arrin në përfundimin e rëndësishëm se “mirditasit nuk janë një fis i huej”.
 
"Fjalorthi" i Gàzullit per arbnoret e plogshte


"Fjalorthi i ri", (me fjale te rralla te perdoruna ne Veri te Shqipnise), Gazulli gjurmoi e mblodhi fjale e shprehje ne zonen e Malesise se Madhe. Por shume pak njerez kane pasur mundesi qe ta kene ne dore ate fjalor, dhe vetem pas shume vjetesh, plot 64 vjet pas botimit te tij te pare ne Shkoder, ne vitin 1941, studiuesja Ledi Shamku-Shkreli, mori nje nisme per botimin e tij. Ndersa autori Nikoll Gazulli, eshte vrare ne gjyq ne vitin 1946, 5 vjet pas botimit te fjalorit. Fjalor ky, qe do te vije ne duart e te gjitheve ne fillim te dhjetorit nga "Çabej". Kjo eshte nisma e dyte e saj per botimin e nje fjalori "te harruar", pas botimit te fjalorit te 1954- es.

Flet Ledi Shamku-Shkreli, nismetare e botimit anastatik te Fjalorit te Gàzullit

Çfare rendesie ka dhe cili eshte qellimi i botimit te ketij fjalori ?

Dalja serish ne drite e fjalorit te Gazullit meton te rivendose raporte te drejta ndermjet dokumentimit te dy korpuseve gjuhesore shqipe, raporte te cilat per fat te keq, ne gjysmen e dyte te shek. XX u prishen per motive jashtegjuhesore. Ne qofte se flasim per rimarrje te prestigjit gjuhesor te gegnishtes (natyrisht kjo teze nuk do ngaterruar aspak me çeshtje te bazes dialektore te standardit!), duhet te nxjerrim patjeter nga thellesite arkivore pasurine autentike qe e krijoi ate prestigj nder mote. Ne keto pune, procedura eshte fare e ditur: veprohet sikunder bejne arkeologet, te cilet financohen e mbeshteten nga shteti dhe mbare shoqeria per te nxjerre ne pah prestigjin tone kulturor te dikurshem. Keshtu pra, edhe ky prestigj gjuhesor, fale te cilit "gjama per Hektorin e dekun" apo shfrimi i Kont Ugolinit kur "gojen fill e çoi nga e zeza gjelle", tingelluan ne shqip bukur si moskurre, na ndihmon te ballafaqohemi pa komplekse me familjen europiane. Ne pergjithesi kjo familje, per nje sere motivesh, pati vijimesi gjuhesore, sikurse pati edhe vijimesi social-kulturore. Ajo nuk e "reformoi" gjuhen mbi baza revolucionare, por iu mbajt natyrshem parimit te evolucionit.

Ku eshte mbeshtetur Gazulli per hartimin e tij ?
Sikunder defton vetiu emertesa e ketij fjalori - Fjalorth i ri" (fjale te rralla te perdoruna ne Veri te Shqipnise), Gazulli gjurmoi e mblodhi fjale e shprehje ne zonen e Malesise se Madhe. Treva ku u mblodh materiali gjuhesor eshte nga me te pasurat dhe me te rendesishmet e arealit gege. Fakti qe Nikoll Gazulli zgjodhi enkas kete treve per vjeljet e tij, nuk parakupton kurrnjigrime se ky fjalor pasqyron idiolekte malesoresh. Malesia e madhe eshte burimore dhe shume pak e cenuar gjuhesisht ne krahasim me Shkodren dhe rrethinat rrotull saj. Kjo per shkak te izolimit historik te kesaj Malesie, si dhe veçorite gjeomorfologjike te saj. Tjeter rremb qe buron gjuhe te paster ne kete treve, eshte te rrethuarit e saj nga treva shqipfolese, ndonese ajo eshte zone kufitare. Vertet aty kalon kufiri politik, porse kufijte politike dhe ata gjuhesore jo gjithnje perputhen. Gjithaq nuk do harruar fakti, se banoret e kesaj zone e kane njohur nga afer edhe pjesen bregdetare te Shqiperise. Duke qene blegtoria mjeti i tyre kryesor i mbijeteses, ata ngamot zbrisnin tufen per dimerim nder vende afer detit, ku bora shtron pak, si fjala vjen ne Velipoje, Ulqin, Rodon etj. A sillnin prape nder male tok me tufen edhe fjale te trojeve ku dimeronin? Gazulli thote se po. Ai flet per nje grumbull fjalesh detarie, qemtuar nder malesore si trashegim prej detareve ulqinake. Mendojme se mbledhesi i palodhur, ne zgjedhjen enkas te idiomes se Malesise se Madhe si lende e pare, ka pasur edhe nje tjeter arsye misionare per shqipen: gjuha e malesoreve qe njeheresh edhe gjuha e eposit, e gojedhenave, e legjendave, e prrallzave. Pra ajo ofronte njeheresh dy perparesi: 1) stadin e larte te sprovimit e te lavrimit, pikerisht permes kesaj tradite te shkelqyer gojore e brez-pas-brezi; 2) fale kesaj sprove e ketij lavrimi, gjithçka e sendertuar me kete gjuhe do te qe me thjesht e rrokshme nga perdoruesit e gjuhes. I po ketij mendimi qe edhe Gjergj Fishta, sikur porosiste shkrimtaret e asaj kohe: "Mos kqyrni me bodlerue, por shkruni siç kane fole malet tona !". Sa i takon metodologjise se punes, Gazulli, veç formimit te vet prej gjuhetari, marre nder universitetet e Insbrukut e te Romes, u mbeshtet, sikunder shpall edhe vete ne hyrje te vepres, te te tjere fjalore te vyer, si ai i F.Bardhit, i Cordignanos, i Leottit, i Shoqerise "Bashkimi", te studimi i N.Joklit etj.

Sa iu ka sherbyer ky fjalor atyre qe kane hartuar fjalore te tjere pas tij ?

Nje sere punimesh te tjera qe jane bere ne "kohe te socializmit", jane bazuar mbi kete fjalor, por pa e zene ne goje asfare. Kuptohet, ishin "maudis" qe te dy, si Fjalori ashtu edhe hartuesi i saj. Dom Nikolle Gazulli u vra pa gjyq ne vitin 1946. Fjalori i Gazullit ishte tashme nje gojedhane e botes librore, nje reference e njegullt siglash: "G"., "Fjalorth i ri", apo "Shkoder 1941",te cilat shfaqeshin nder punime erudite dhe e peshtillnin me fort kete fjalor me petkun e misterit. Nder te vetmit qe guxuan ta citonin Gazullin, ishin Xhuvani, Çabej e pakkush tjeter, njerez keta, me vlera morale e shpirterore fort mire te sprovuara. Xhuvani dhe Çabej ne dy veprat e tyre: "Parashtesat e gjuhes shqipe" (1956) dhe "Prapashtesat e gjuhes shqipe" (1962), permendin se jane mbeshtetur gjeresisht ne renditjen e pasqyrezave gramatikore te ketij Fjalori. Po ashtu hartuesit e Fjalorit te Gjuhes Shqipe1954; Cipo, Çabej, Domi, Krajni dhe Myderrizi deklarojne se, pos tjerash, jane mbeshtetur edhe ne lenden e Fjalorit te Gazullit. Ketij i referohej edhe Benedikt Dema ne Fjalorin e tij, qe posa ka dale ne qarkullim. Shume studime jane mbeshtetur qysh heret mbi Gazullin, porse pa e thene kete fakt, sikurse kane bere edhe me vepren e Justin Rrotes, Ndre Mjedes, Lef Nosit etj. Nikoll Gazulli eshte nje yll qe ndriçon fort ne hyjtufzen e kultures shqiptare ne pergjithesi, e asaj vetiake ne veçanti. Ka shume qe e kane perdorur driten gazullore, porse pa e emertuar kurre yllin nga buronte kjo drite.

Pra, paska nje arsye qe nuk e ka lejuar kete fjalor te botohej me pare ?

Vete fakti qe ky fjalor ka sherbyer si baze e rendesishme per hartimin e fjaloreve te tjere, deshmon se Fjalori i Gazullit i ploteson te gjitha kushtet per t'u botuar e ribotuar, sikunder kane vepruar per shembull ne Kosove.Veç motiveve qe permenda ne pyetjen e mesiperme, nje tjeter arsye qe e ka penguar botimin e Gazullit eshte se, nder strategjite qe u ndoqen me qellim harrimin e korpusit te kultures gege, njera syresh qe pikerisht zbrazja e tregut gjuhesor nga çelesat interpretues dhe kumtues per lavrimin e mandejte te kesaj kulture. Fjalori i Gazullit eshte njeri nga keto çelesa dhe si i tille "u hodh ne lume" qe dera te mbetej e mbyllur. Per sa levantine, kjo metode fatkeqesisht funksionoi. Ne nje sondazh sociolinguistik qe kam udhehequr, rezultoi se brezat e rinj te arealit gege shfaqen veshtiresi te dukshme per te kuptuar fjale e shprehje te qenesishme te korpusit te tyre letrar. Po i njejti sondazh u aplikua ne arealin toske, ku gjendja rezultoi disi me mire, por prapeseprape jo krejt ndryshe edhe per toskerishten e bukur te tradites. Ka 60 vjet qe Fjalori-Doreshkrim i Pano Tases bashkejeton me mikrogjallesat aerofobike. Gjej rastin ketu te falenderoj Fondin Shqiptar per Monumentet, i cili sapo na ka njoftuar se do te financoje edhe botimin e Fjalorit-Doreshkrim te Pano Tases. Lidhur me kete te fundit, mbetet ende mjaft pune per t'u bere.

Kujt mendoni se do t'i sherbeje me shume nje botim i tille ?
Te gjitheve. Akademikeve, censoreve, profesoreve te universiteteve, arbnoreve te plogshte dhe natyrisht gjithe pjeses tjeter qe mezi po e pret. Megjithate, sherbimin me te madh botimi i Fjalorit te Gazullit do t'ia beje gjuhes shqipe. Me pelqen ta mbyll kete interviste me vargjet e Koliqit, shkruar enkas per ata qe e kane fishkellyer kete gjuhe:

"O Kânge, Arbnor't e plogte i kapi gjumi;

ti kris si zâ burije

mbi ata qi flêjn' pa andrra fisnikije:

e n'qe se belbacuk't e gjuh's ilire,

tue t'ndie fishkllojn' prej smire,

me rrahje flatrash ik n'naltsí t'kalthèra

e prit, per me kumbue, agime tjera"

(Ernest Koliqi) "Gjuhes Shqipe"


*******

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...