Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/04

Gjermania u bashkua, po Shqipëria me Kosovën?


PROF.DR.NEXHMEDIN SPAHIU,MITROVICË
Shumë studiuesve të huaj që merren me Ballkanin, u ka ra në sy dukuria se 20 vite më parë, pothuaj 100% e shqiptarëve të Kosovës dëshironte që Kosova të bëhej Shqipëri, ndërsa në Shqipëri pothuaj po kaq për qind ishin kundër kësaj. Në këto 20 vite, ky raport po lëviz në drejtim të kundërt. Sa më shumë që bie numri i kosovarëve që e duan bashkimin, aq më shumë shtohet interesimi i qytetarëve të Shqipërisë për bashkim.

Për të shpjeguar këtë dukuri në mënyrë të ftohtë duhet të shikojmë analogjitë në botë.
Njëra prej qasjeve në teorinë e kombeve është ajo biologjike. Kombet si konstrukte politike, të gjalla, të lëvizshme, që lindin, zhvillohen dhe dikur shuhen, studiohen sipas modelit të organizmave biologjikë.
Këtë qasje ka edhe himni kombëtar shqiptar:

Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
Bashkimi gjerman 03.10.1990

Në historinë e kohës moderne, ne kemi vetëm një rast të shuarjes së një kombi. Kjo ka ndodhur pikërisht ditën e sotme  21 vite më parë (3 tetor 1990), kur u shua zyrtarisht kombi gjermano-lindor.
Lindja e këtij kombi pas Luftës së Dytë Botërore kishte ndodhur si rezultat i faktit që Gjermania e Hitlerit kishte humbur luftën.

Kemi shumë raste të tjera në botë, ku projektet kombformuese u modifikuan gjatë zhvillimeve të tyre, por rasti gjerman është i vetëm. Ka dy arsye kryesore se pse kombi gjermano-lindor është i vetmi që u shua.
I pari është fakti se kur ndodhi degëzimi i kombit gjerman në atë perëndimor e lindor, ky komb veç kishte qenë mirë i ngjizur në vetvete, saqë kishte pretenduar ta sundonte botën. Ndarja e tij e dhunshme, pas 4 dekadave rezultoi me një degë të fuqishme (atë perëndimore) dhe me një degë të dobët (atë lindore).
Kombi gjermano-lindor nuk ishte i vetmi komb socialist në botë, por ishte i vetmi që u lind, u zhvillua dhe u shua si komb socialist.

Në përgjithësi kombet socialiste: shqiptarët, serbët, bullgarët, rumunët, hungarezët, çekët, polakët, rusët, kinezët dhe kubanët kishin lindur para se ato të bëheshin kombe socialiste. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me koreano-veriorët, kur dhe nëse do të përmbyset socializmi atje: do të shuhet si komb duke u shkrirë në kombin koreano-jugor apo do të vazhdojë të mbijetojë si një komb demokratik.

Rast rumun

Rast jo tërësisht i ngjashëm me gjermanët është ai rumun. Krahina e Moldavisë pushtohet nga rusët pas Luftës së Dytë Botërore dhe bëhet republikë sovjetike. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, moldavët dalin komb në vete dhe nuk i bashkëngjiten Rumanisë.

Shumë studiues mendojnë se gjermanet u bashkuan, ngase ndarja 40-vjeçare ishte e shkurtër karshi jetëgjatësisë së trungut të tyre të përbashkët. Por ky argument vlen edhe për rumunët. Madje, këtu situata është edhe më ekstreme në këtë drejtim. Edhe pse si moldavët, si gjermano-lindorët de facto ishin të pushtuar nga rusët, nga aspekti tjetër, moldavët ishin brenda Bashkimit Sovjetik, kurse gjermano-lindorët jashtë tij, si komb i njohur ndërkombëtarisht. Moldavët lindën si komb tek më 1991.

Arsyeja qëndron jo tek gjermano-lindorët e as të moldavët, por tek gjermano-perëndimorët dhe rumunët.
Dy dekada më parë, kombi 60-milionësh gjermano-perëndimor ishte një komb i aftë për të futur në gjirin e vet popullsi  20-milionëshe, që i takonte një kombi (gjermano lindor) të molisur, të lindur e rritur si komb socialist, por kombi 20 e kusur milionësh rumun, i lodhur nga katarzi socialist, nuk ishte i gatshëm për të futur në gjirin e vet një popullsi 4- milionëshe të gjuhës e të gjakut të vet…

Ritmet e zhvillimit të Shqipërisë dhe Kosovës

Tani t’i kthehemi rastit Kosovë-Shqipëri. Dy dekada më parë, Shqipëria jo që nuk ishte një komb i aftë për të futur Kosovën në gjirin e saj, por ishte vetë lazëm që të futej në gjirin e kujtdo qoftë, por nuk kishte kombe të interesuar për këtë. Sot, kombi shqiptar është këndellur dhe potenca e tij po shtohet. Oreksi zakonisht drejtohet tek njerëzit e gjuhës e të gjakut, por edhe drejt fqinjëve më të dobët.

Në anën tjetër, kombi kosovar i lindur dhe i njohur nga më se 80 kombe të tjera, edhe pse ende në inkubator, po fillon ta shijojë ëmbëlsinë e të qenët komb i pavarur. Sa më shumë potencë do të fitojë kombi kosovar, aq më i painteresuar do të jetë që të futet në gjirin e një kombi tjetër, përkundrazi do të jetë i interesuar që kombet më të dobëta t’i gllabërojë në gjirin e vet.

Në momentin e pikërishëm, bashkimi Kosovë–Shqipëri nuk po ndodh për shkak se është forcuar kombi kosovar (sepse ai është ende i dobët) dhe as për shkak se mund të mos jetë interes i aleatëve të kombit kosovar dhe atij shqiptar (të cilët janë të përbashkët), por për shkak se Shqipëria ende nuk ka potencë ta gëlltisë Kosovën. Gëlltitja e Kosovës nga ana e Shqipërisë mund të ndodhe vetëm nëse Shqipëria ecën furishëm përpara, ndërsa Kosova ngel në vendnumëro ose edhe anasjellas.

Autobiografia e Paautorizuar e Assange, një dështim



Përkundër gjithë zhurmës për autobiografinë e paautorizuar të themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, libri ka shitur vetëm 644 kopje në tri ditët e para të daljes në shitje, duke rezultuar një dështim për nga pritshmëritë. Ndërsa Assange kishte kaluar me dëshirë më shumë se 50 orë duke u intervistuar për librin dhe kishte bashkëpunuar me botuesit e Canongate, ai më vonë ndryshoi mendje. Assange tërhoqi dëshminë dhe autorizimin e tij për librin, por shtëpia botuese Canongate vendosi ta publikojë atë, nën titullin; “Julian Assange: Autobiografia e Paautorizuar.” Polemikat që përfshinë Assange dhe shtëpinë botuese para publikimit të librit u mendua se rritën interesin për të, por sipas Nielsen BookScan, libri u rendit në vendin e 50-të si libri më i shitur i dites, ndërsa i 537-i në klasifikimin e përgjithshëm të javës. Pavarësisht se botuesit kanë thënë se performanca në shitje e librit është një “maratonë dhe jo një vrap i shpejtë”, njerëzit duket se nuk janë shumë të interesuar për detajet e jetës së Assange, specialistët e justifikojnë me faktin se, gjithçka nga jeta e tij njerëzit e kanë marrë nga interneti.

NGA ALFRED BEKA:PËRGJIGJEN AKADEMIKËT PËR HISTORINË



Foto:Atdhe Mulla

Historianët dhe akademikët kosovarë si dhe ata nga Shqipëria, duke reaguar ndaj kërkesave të qeveritarëve turq për korrigjimin e teksteve të historisë, e mbajtën një tryezë shkencore, përmes së cilës apeluan te qeveritarët të mos përzihen në çështje që nuk u takojnë.

Disa javë pas vizitës në Kosovë të Ministrit të Arsimit si dhe atij të Punëve të Jashtme të Turqisë dhe kërkesës së tyre për rishikim apo korrigjim të teksteve të historisë, reagojnë, përmes një tryeze shkencore, historianët dhe akademikët kosovarë.
Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkëorganizim me Institutin e Historisë së Kosovës, të enjten, u mbajt tryeza shkencore me titull: "Trajtimi i Perandorisë Osmane dhe i raporteve turko-shqiptare në tekstet e historisë".
Fjalën e hapjes e mbajti Akademik Besim Bokshi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. në fjalën e tij, Bokshi e përmendi miqësinë dhe ndihmën që Turqia po ia jep popullit të Kosovës, por theksoi se kjo miqësi nuk mund të lëndohet nga trajtimet e bëra shkencore për periudhat e rënda të historisë nën sundimin e Perandorisë Osmane, për efektet e rënda shtypëse që i solli popullit shqiptar e për qëndresën dhe kundërshtimin krenues ndaj asaj shtypjeje nëpër kryengritje të shumta e flijime me lavdin e dëshirës për liri. Ai shtoi se kjo tryezë do të nxjerrë në pah se historiografia shqiptare kurrë nuk ka rrëshqitur në pozicione shoviniste e fyese për popullin turk. Lidhur me çështjen e korrigjimit të teksteve të historisë, Bokshi theksoi se kjo çështje duhet të trajtohet nga historianët e jo nga politikanët.
“Çështja nuk është politike, që ta trajtojnë politikanët, as qeveritare që të trajtohet nga qeveritarët. Po të ishte çështje, do të ishte çështje që do të zgjidhej vetëm nga trajtimi shkencor i historianëve”, tha Bokshi.
Ai tha po ashtu se asnjë zaptues nuk vjen pa deklaruar se vjen për të sjellë të mirën dhe për të krijuar rënd.
Mbajtjen e kësaj tryeze shkencore, Bokshi e arsyetoi me faktin se opinioni duhet të njihet me përgjigjen e historiografisë shqiptare për relacionet e Perandorisë Osmane me shqiptarët dhe përgjigjen ndaj kërkesës për ndryshime të teksteve të historisë me shmangie nga trajtimi shkencor.
Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës, i konsideroi të pavërteta vërejtjet kinse tekstet tona shkollore të historisë kanë qasje dhe paragrafë fyes ndaj popullit turk dhe Turqisë.
Ai tha se në tekstet e historisë për shkollat e Kosovës në gjuhën shqipe të periudhës 1881-1912 nuk ka terminologji joshkencore, fyese ose diskriminuese për asnjë popull dhe as për turqit e Perandorinë Osmane.
“Përmbajtjet lëndore si dhe vlerësimet shkencore të ngjarjeve dhe të figurave janë në harmoni me metodologjinë e mësimdhënies dhe me të vërtetën historike, natyrisht duke lënë të hapur mundësinë e begatimit me burime të reja”, theksoi Bajraktari.
Ndërkaq, historiani nga Shqipëria Pëllumb Xhufi, duke u marrë me figurën e Skënderbeut në tekstet e historisë, e konsideroi brengosës faktin se në historiografinë evropiane po shtrembërohet figura dhe kontributi kombëtar i Skënderbeut. Duke folur për librin ‘Skënderbeu’ të historianit zviceran Oliver Jens Schmitt, Xhufi tha se për heroin kombëtar Schmitt shkroi se bëri një luftë hakmarrëse ndaj Sulltanit, gjë që, sipas Xhufit, kjo nuk është e vërtetë. Ai më pas u shpreh edhe kundër atyre shqiptarëve të cilët, nën ndikimin e fesë islame, deklarojnë se Skënderbeu ka qenë tradhtar, por u shpreh edhe kundër atyre që, nën ndikimin e fesë së krishterë, deklarojnë se Skënderbeu ka qenë atlet i krishterimit.
“Skënderbeu ka qenë luftëtar për liri dhe pavarësi të shqiptarëve”, u shpreh Xhufi.
Duke folur për islamizimin e shqiptarëve në Perandorinë Osmane, historiani Muhamet Mala u shpreh se problemi i islamizimit të shqiptarëve në shkencën e historisë ende nuk e ka marrë trajtimin adekuat dhe çështja lëvizë nga një ekstrem në tjetrin. Ai theksoi se në një anë qëndron ideja që e shikon islamin si fenomen shpëtues për çështjen tonë kombëtare apo ekstremi tjetër që e mohon tërësisht si proces me rëndësi për avancimin tonë kombëtar. “Duke qenë në mes të këtyre dy ideve diametralisht të kundërta, hartuesve të teksteve iu mbetet detyrë e vështirë për përcaktimin e drejtë lidhur me këtë çështje. Andaj në nivele të teksteve shkollore islamizimi duhet të përmendet si proces, i cili në një periudhë të caktuar kohore, në fillim individualisht e mandej në masë, si pasojë e sundimit osman, u bë pjesë e identitetit tonë kombëtar”, tha Mala.
Historiani Frashër Demaj tha se pavarësisht vullnetit tonë, historia nuk mund të ndryshohet e as të tjetërsohet. Sipas tij, historia mund të plotësohet e ndryshohet me fakte e jo me ‘vullnet politik’.
“Ministrat të shfaqin vullnetin e tyre politik, por janë shkencëtarët ata që, bazuar në kërkime dhe argumente shkencore, duhet ta thonë fjalën e tyre”, u shpreh Demaj. Sipas tij, historia nuk shkruhet me qejfe e për qejfe por me argumente të bazuara e të studiuara mirë e në mënyrë profesionale nga studiuesit e shkencave të historisë.
Lidhur me këtë çështje referuan edhe historianë dhe akademikë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Isa Bicaj, Fehmi Rexhepi, Ferid Duka, Beqir Meta, Emine Bakalli, Esat Stavileci, Izber Hoti etj
.

THE GUARDIAN SHKRUAN PËR LULJETA LLESHANAKUN


Në gazetën e njohur angleze “The Guardian” të datës 23 shtator, në faqet kushtuar librit, është botuar edhe një shkrim kritik për poezitë e Luljeta Lleshanakut, shkruar nga poeti dhe kritiku Sean O’Brien. “Haywire: New and selected poems” nga Luljeta Lleshanaku (poezi të përkthyera nga autorja, Henry Israeli, Peter Constandine dhe Shpresa Qatipi). Pas një hyrje të biografisë, O’Brien bën një analizë kritike të poezive të Lleshanakut.

“Lindur në 1968, Luljeta Lleshanaku arriti pjekurinë në Shqipërinë postkomuniste, e lirë për të shkruar sipas dëshirës, por me imagjinatë të formuar nga ngjarjet e mëparshme nën regjimin e Enver Hoxhës. Pas vdekjes së Hoxhës në 1985, diktatura vazhdoi deri në 1990. Familja e Lleshanakut, kishte qenë kundërshtare e regjimit dhe asaj i ndalohej të ndiqte arsimin e lartë, apo të botonte punimet e saj të hershme. Sikur ta kishte bërë këtë, do të kishte rënë pre e censurës, e cila shihte me dyshim edhe shprehjet më të pafajshme dhe konformiste. Punimet e botuara më vonë nga Lleshanaku janë kokëfortësisht besnike të shqetësimeve dhe preokupimeve të saj. Ka edhe ajo poezi për historinë, politikën dhe pushtetin, por ato shpesh janë derdhur sipas kushteve lokale apo të përditshme, në klimën e provincializmit ekstrem të regjimit të vjetër. Në mungesë të pushtetit, ironia në vetvete përbën një formë rezistence. Bota që Lleshanaku shpesh përshkruan është si një dhomë pa dritare, ku gjithçka që pritet të ndodhë, tashmë ka ndodhur”, shkruan O’Brien.
“Në një ese që kemi botuar këtu, Lleshanaku kujton se pas një qëndrimi në SHBA ajo i flaku poezitë që kishte shkruar atje, sepse ‘kisha ndjekur yllin e gabuar’. Megjithatë, jeta jashtë guaskës letrare ndoshta s’është aq e ndryshme, po t’i heqësh asaj numrat dhe zhurmën. Poezia e fuqishme ‘Me fatin e shkruar në fytyrë’ pikturon një varg fatesh të pandryshueshëm: “Gruaja flokëkuqe që pret përnatë burrin e pirë do të vazhdojë ta presë kështu edhe njëqind vjet. Nuk është faji i alkoolit. Ajo ka pritjen vulosur në fytyrë. Dhe ai ndodhet krejt rastësisht në këtë akt sa spektatori i rastit që shiu e futi nga rruga në sallë”. Natyrisht që këtë do ta kishte kuptuar mire një poet si James Wright. Por Lleshanaku është edhe origjinale. Kur vëmendja e saj i kushtohet dashurisë, kuptimi i fatit njerëzor është i pamëshirshëm. Në ‘Veçanërisht në mëngjes’, mendimi i përhapur se dashuria e tejkalon në vlerë historinë, trajtohet me një efekt të pasur dykuptimësie: ‘Edhe nëse ai akoma fle me atë fytyrë të panjohuri, pa kujtesë, që njerëzit kanë zakonisht në gjumë është pikërisht ai që e njeh atë kod, ndërsa rrjedh si një lumë pranë një kolonie ciganësh pa nënkuptuar as burimin dhe as fundin’. Në këto kushte, nuk ka asnjë vend për sentimentalizëm. Këmbëngulja e tiranit për të mos lejuar asnjë centimetër ‘privacy’ sjell pasojën e paparashikuar prej tij, të lindjes së domosdoshme të shkrimit të poezive të fuqishme që i rezistojnë kohës, të cilat megjithëse vuajnë gjithë privimet e imponuara të izolimit, megjithatë ruajnë në vetvete diçka të pasundueshme, pikërisht, saktësinë”.

VETËMASHTRIMI I SERBISË




Nga Bekim Çollaku



Çelësi i stabilitetit në rajon varet nga shpejtësia e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është arsyeja përse BE kërkon patjetër që Serbia të ndalojë vetëmashtrimin e saj lidhur me mbajtjen e Kosovës në kontroll dhe të përcaktohet për anëtarësim në BE.


Veprimet e fundit të Qeverisë së Repubikës së Kosovës për vendosjen e masave reciproke tregtare kundër Serbisë dhe shtrirjen e autoritetit të institiucioneve legjitime në veri të vendit, përfundimisht kanë krijuar një realitet të ri jo vetëm në aspektin nacional, por edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar.
Së pari, në aspektin nacional është thyer akulli i pathyeshëm i dymbëdhjetë viteve të fundit. Si rrjedhojë, është prishur rehatia e kriminelëve që e kishte shëndrruar pjesën veriore të Kosovës në një oazë të krimit të organizuar. Status quo-ja e deritanishme, që ishte rezultat i veprimeve të papenguara të grupeve kriminale, vrasësve ordinerë dhe strukutrave ilegale të financuar nga Qeveria e Serbisë, është ndryshuar përgjithmonë. Tani e tutje, lëvizjet dhe veprimet e organeve legjitime të rendit dhe të zbatimit të ligjit në veri të vendit, nuk do të paraqesin ndonjë lajm senzacional. Së dyti, në aspektin rajonal, edhe një herë është rikonfirmuar rreziku potencial i shteteve të rajonit në rast të ndonjë apetiti të sëmurë për ndryshim të kufijve të ndonjë shteti. Frika se luftërat etnike të shekullit të kaluar mund të rikthehen, i bënë shtetet e rajonit të jenë shumë të kujdesshme në sjelljet e tyre dhe në kundërshtimin absolut të mundësisë për ndryshimin e kufijve ekzistues. Së treti, në planin ndërkombëtar është rikonfirmuar pozicioni i qartë i qendrave kyersore vendimmarrëse se bashkësia ndërkombëtare nuk ka vullnet për eksperimente të pafundme në Ballkanin Perëndimor. Për shumë arsye, Ballkani Perëndimor nuk është fokus i vëmendjes së shteteve të fuqishme, të cilat presin me padurim normalizimin e plotë të rajonit, në mënyrë që tërheqin prezencën e tyre ushtarke dhe civile.
Si rrjedhojë e një konteksti të tillë gjeopolitik, SHBA dhe BE kanë filluar të rrisin presionin e tyre politik kundrejt Serbisë dhe Kosovës, me qëllim të normalizimit të raporteve ndërshtetërore. Në fakt, mund të thuhet se çelësi i stabilitetit në rajon varet nga shpejtësia e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është arsyeja përse BE kërkon patjetër që Serbia të ndalojë vetëmashtrimin e saj lidhur me mbajtjen e Kosovës në kontroll dhe të përcaktohet për anëtarësim në BE. S’ka dyshim që shtetet kyçe të BE-së e kanë bërë të qartë gjithmonë se kufijtë e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të pandryshueshëm, mirëpo Serbia ka vazhduar të mos e prishë iluzionin e saj për ndarjen e Kosovës. Fatkeqësisht, strategjia që ka përdorur deri më tani Serbia ka qenë mjaft e suksesshme, në veçanti për presidentin Tadic dhe partinë e tij. Kjo për faktin se Tadic me lehtësi ka arritur të bëhet partner kyç i BE-së dhe, njëkohësisht, të mbetet lideri më i fuqishëm i Serbisë në luftë për ndarjen e Kosovës. Me ndihmën e BE-së, Tadic ka mbajtur pushtetin absolut dhe me lehtësi ka fituar mandatin e dytë për president të Serbisë.
Mirëpo, duket se strategjia e përdorur deri më tani po përfundon.Tani që ka filluar dialogu teknik Kosovë-Serbi, është momenti që president Tadic t’ia kthejë BE-së investimin e bërë që nga viti 2003 kur Tadic ishte ministër i Mbrojtjes i Unionit të Serbisë dhe Malit të Zi. Natyrisht kthimi i borxhit gjithmonë është proces i veshtirë, por është i pashmangshëm. Prandaj, Serbia dhe Tadic nuk kanë shumë opcione në dispozicion për t’i prolonguar proceset në pafundësi. Sepse, tani e tutje jo gjithçka varet nga vullneti i Serbisë. BE ka filluar ta humb durimin me Serbinë dhe partnerin e saj Tadic. Këtë mesazh e solli së fundi në Beograd, në menyrë shumë të qartë, kancelarja gjermane Merkel e cila i kërkoi Tadicit që t’i jep fund iluzionit për ndarje të Kosovës dhe të shpërbëjë strukturat ilegale të Serbisë që veprojnë në veri të vendit. Këto mesazhe që janë shumë të rënda për Serbinë, e në mënyrë të veçant për Tadicin, vijnë në një moment kur Serbia pret të marrë statusin e vendit kandidat për antarësim në BE dhe, njëkohësisht, Serbia futet në periudhën paraelektorale të zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të mbahen në pranverën e hershme të vitit 2012.
President serb Tadic e ka të qartë se çfarë pret BE nga ai dhe nga Serbia, mirëpo pretendon të përfitojë në kohë duke luajtur lojën e njëjtë që ka bërë në vitin 2004 dhe 2008. Por, kjo nuk është e mundur jo vetëm për shkak se BE nuk mund ta presë pafundësisht Serbinë, mirëpo edhe për shkak se më në fund Kosova ka filluar të sillet si shtet sovran. Kësaj radhe, Tadic nuk do të mund të fitojë mbështetjen e BE-së dhe njëkohësisht të vazhdojë me kryeneçësi të nxisë dhunimin e sovranitetit të Kosovës nëpërmjet strukturave kriminale që financohen nga Serbia. Deklaratat e fundit të Tadicit se ’Serbisë nuk mund t’i kushtëzohet të zgjedh ndërmjet antarësimit në BE dhe Kosovës’ janë thjesht pjesë të retorikës së njëjtë populiste për konsum të brendshëm. Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk i ka bërë Serbisë një ofertë të tillë. Kjo për shkak se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht. Kështu, Serbia nuk mund të zgjedh për diçka që nuk e ka. Për më tëpër, Tadic flet për “realitetin në Kosovë dhe kërkon një zgjidhje kompromisi“. Për çfarë realiteti flet ai dhe çfarë kompromisi? Nëse me realitet ai nënkupton ndarjen e Kosovës, kjo është e pamundur. Nëse me kompromis nënkupton përsëri ndarjen e Kosovës, kjo është përsëri e pamundur.
Kështu, pritjet e tij dhe të Serbisë janë asgjë më shumë se pritje të pafundme, që për momentin shërbejnë vetëm për të shmangur ankthin e madh të Serbisë. Realiteti mund të jetë vetëm një, por ai mund të kuptohet dhe interpretohet në forma të ndryshme. Ne në Kosovë njohim vetëm realitetin ekzistues - atë të Kosovës së pavaruar dhe mbi këtë realitet projektojmë të ardhmën tonë. Ndërsa, Serbia është përballë dilemës së saj për të vazhduar me vetëmashtrimin apo për të pranuar realitetin ekzistues, e që për Serbinë vazhdon të mbetet realitet i hidhur. E gjërat e hidhura nuk përtypen lehtë, ndërsa Serbia ka pak apetit për ta gëllitur atë. Mirëpo, sa më shpejt ta bëjë një gjë të tillë, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë, Kosovën dhe rajonin.
Autori është Këshilltar i lartë i Kryeministrit të Kosovës.

POLICIA E KOSOVËS BASHKËPUNON ME INTERPOL-IN




Sikurse edhe në disa raste tjera, Policia e Kosovës ka vazhduar bashkëpunimin me policitë e vendeve nga Evropa, respektivisht me INTERPOL-in. Kësaj radhe Njësia e hetimeve rajonale të auto-krimeve në Prizren me kërkesë të INTERPOL-it, ka nisur hetimet lidhur me një rast të vjedhjes gjegjësisht të mashtrimit dhe si rrjedhojë ka bërë edhe sekuestrimin e një auto-betonjerke të llojit IVECO. Sekuestrimi i këtij automjeti thuhet se është bërë pasi që i njëjti është kërkuar nga INTERPOL-i italian, sepse i dyshuari B.S (1978) në bashkëveprim me 11 persona tjerë ka bërë trafikim ilegal të më shumë se 100 automjeteve transportuese dhe industriale duke i marrë në Itali. Sipas policisë, personat në fjalë automjetet transportuese nga Italia, fillimisht kishin nisur t’i sillnin me dokumentacion jo të rregullt dhe në mënyrë ilegale dhe më pastaj i kanë trafikuar nëpër vende të ndryshme. “Sekuestrimi i automjetit (auto-betonjerk), është bërë nën dyshimin e bazuar se i dyshuari B.S, i njohur si trafikues i automjeteve nga INTERPOL-i së bashku me të dyshuarin V.S me të cilin është edhe në lidhje familjare i kanë shitur automjetin viktimës në vlerë prej 40. 000 eurove”, njofton policia. Bëhet e ditur se Prokuroria është njoftuar lidhur me këtë rast, si edhe zyra ndërlidhëse e INTERPOLIT dhe ILEK (njësiti për bashkëpunim ndërkombëtar në zbatim të ligjit). Rasti vazhdon të hetohet nga sektori i auto-krimeve në Prizren në bashkëpunim më ILEK dhe INTERPOL.

PRESIDENCA FSHIN KOMENTIN E FRON NAHZIT



Presidenca e Kosovës ka korrigjuar vetën duke hequr nga uebfaqja zyrtare shkrimin autorial të Fron Nahzit, i cili lartëson personalitetin e Atifete Jahjagas dhe i cilëson liderët tjerë kosovar si kriminel dhe të korruptuar. Presidenca e kishte publikuar shkrimin me titull “Atifete Jahjaga, zonja e shpëtimit” në faqen zyrtare një ditë pasi i njëjti koment është publikuar nëpër mediat e tjera. Por, pasi mediat kanë raportuar se Presidenca nëpërmjet këtij shkrimi autorial po i njollos të gjithë liderët tjerë, dikush nga stafi i Atiifete Jahjagës është kujdesur për të mos e lënë këtë shkrim në faqen zyrtare. Nahzi, artikulli i të cilit ka qenë i botuar ne gazetën amerikane "HuffingtonPost" dhe në shumicën e medieve të Kosovës, pos Atifete Jahjagës, politikanëve të tjerë u ka bërë tretman prej kriminelësh. “Të akuzuar për korrupsion, vrasje, dhe ndërlidhje me mafien nga Këshilli i Evropës dhe organizata të tjera të mëdha ndërkombëtare monitoruese, udhëheqësit më të lartë të Kosovës ranë brenda pak vjetësh nga atraksioni në vendin e kriminelëve të dyshuar. Ata janë të izoluar dhe rrallë ftohen jashtë vendit të tyre për t'u takuar me udhëheqësit e botës”, ka shkruar Nahzi. Deri më tash praktika të tilla të botimit të komenteve autoriale nuk janë botuar në faqen zyrtare të Presidentëve të Kosovës. Aq më tepër kur një koment përmban fyerje dhe akuza të rënda në drejtim të zyrtarëve të Kosovës.

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...