Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/20

Shpirti dhe shteti totalitar



Pikturë e Siemiradzki Henryk. "Grua e krishterë e martirizuar në Nero"
Vera Bekteshi
Për të konkretizuar temën Shpirti dhe Shteti Totalitar, mendoj se s’ka shëmbull më sinjifikativ se ai i një muzikanti të vrarë nga diktatura.
Pak kohë më parë, në fjalën e mbajtur ditën e dekorimit Mjeshtër i Madh, një artist shqiptar 60-vjeçar, Gazmend Mullahi, ndalet për të nderuar një artist tjetër shqiptar, ndoshta babanë e tij shpirtëror, një artist që kurrë nuk u dekorua, nuk mori ndonjë çmim, nderim apo mirënjohje. Ky ishte muzikanti Gaspër Çurçia.
Ai lindi në Shkodër në 1934 në një familje të kamur tregtarësh. Gjyshi dhe i ati i tij ishin përfaqësues të Kompanisë Ford për Shqipërinë. E ëma, Vjera, ishte kroate dhe të dy u njohën gjatë studimeve në Zagreb.
Për të kuptuar rrethanat e formimit të këtij artisti krejtësisht të veçantë, më duhet të përshkruaj shkurtimisht qytetin e Shkodrës, qytetin ku kanë zënë fill tek ne zhanret më të rralla të artit muzikor dhe jo vetëm të tij.
Të parat vende ku është luajtur muzikë në këtë qytet, kanë qenë lokalet. Qysh më 1878, ende nën sundimin otoman, Palok Kurti me orkestrën e tij, jepte muzikë në Milet Bahçe (vini re emrin turk të lokalit). Aty luheshin jaret e famshme shkodrane, por edhe muzikë e huaj nga vendet fqinje. Milet Bahçe-ja frekuentohej nga qytetarët shkodranë pavarësisht fesë të cilës i përkisnin dhe kjo traditë u ruajt edhe më pas ndër vite, edhe pse me ndërprerje të herë pas hershme. Kleri françeskan i përkrahu përgjithësisht këto aktivitete artistike në qytet, me sa duket për të zgjuar ndjenjën kombëtare, meqë ishin vende grumbullimi të të gjithë shqiptarëve.
“Është e pabesueshme që në Shkodër nuk u ndërpre muzika në lokale as në kohën e luftërave, thonë bashkëkohësit dhe njohësit e muzikës.”
Pas luftë II, më 1946, në Shkodër u hap Shtëpia e Kulturës dhe Teatri. Atëkohë bëheshin koncerte në sheshin kryesor me banda dhe orkestër. Prenkë Jakova ka qenë jo vetëm  iniciatori i gjithë aktiviteteve muzikore, por edhe kompozitori i operës së parë shqiptare.
Po atë vit, pra më 1946, ndodhi në Postribë, një fshat fare afër qytetit, kryengritja antikomuniste, e para e këtij lloji, jo vetëm në Shqipëri. Pas masakrës ndaj pjesëmarrësve dhe familjeve të tyre, Shkodra pësoi një tronditje të madhe dhe u “tkurr”. Të asaj kohe janë shprehjet e dykuptimta të shkodranëve, shprehje që u pasuruan e u përdorën gjatë gjithë kohës së diktaturës: “Shuk, a bane kursin?” që do të thoshte a arrestuan kënd nga familja jote?
Nën zë, në gjithë Shqipërinë gjatë pothuajse pesë dekadave shpërndaheshin barcaleta me nëntekst politik, që krijoheshin në këtë qytet njerëzish të talentuar. Ishte një nga format e  revoltës ndaj pushtetit e ngaqë kalonin gojë më gojë, i jepnin të drejtën e autorësisë të gjithë atyre që e përdornin dhe e shijonin ironinë me këtë pushtet.
Në këtë atmosferë Gasperi i vogël filloi të marrë mësime muzike nga pianistja Ida Melgushi. Kjo pianiste e mbetur në hije, ka qenë mësuesja e parë e shumë artistëve të shquar nga Shkodra.
Përveç pianos ai mësoi të luante në kitarë, fizarmonikë, harmonikë, por vegla e tij e preferuar u bë tromba. Me gjithë mësimet e marra, mund të thuhet se ai qe autodidakt.
Për shkak të origjinës së pasur familjare nuk mundi të ndiqte shkollën artistike në Tiranë, por futet në lëvizjen amatore, duke ekzekutuar kryesisht në lokalet e qytetit.
Në moshën 20-vjeçare, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, vjen në Tiranë, me të jëmën dhe të motrën, sepse fejohet e më pas martohet me një vajzë tiranase.
Në Tiranë gjen fillimisht punë si instrumentist nëpër lokale. Me krijimin e Estradës së Shtetit fillon për herë të parë një punë më serioze, në orkestër dhe kontribuon në shumë harmonizime dhe orkestrime së bashku me Alqi Karecon.
Gjatë këtyre viteve ai kompozon muzikë të lehtë si dhe një muzikë për film, por kryesisht orkestronte. Incizimet e tij në radio janë ende të paarritshme.
Aktiviteti i Gaspërit nuk u kufizua vetëm në muzikën e lehtë. Ai arriti të studiojë, projektojë dhe prodhojë instrumente të muzikës popullore si dhe të kompozojë për këtë orkestër. Por mbi të gjitha ai ishte një magjistar, një Lui Armstrong shqiptar, ishte një trombë në një gjysmë vajtim – shprehen kolegët e tij.
Në vitin 1962, me fillimin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion, Gaspëri gjeti më në fund veten në fushën e muzikës. Për herë të parë ai u bë pjesëtar i orkestrës së radios për festivalet e këngës.
Edhe mbas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pas 1961-shit, Radio-Tirana jepte muzikë xhaz nga vendet e Lindjes, xhaz hungarez, polak, çek dhe gjerman. Po atë vit tek ne filloi të ndiqet televizioni italian. Shtëpitë e rralla që atë kohë e kishin këtë mundësi, pra aparat televizori, u kthyen në kinema ku ndiqeshin festivalet dhe emisionet muzikore italiane. Pak a shumë kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1967, vitin e histerisë anti-kulturë, histeri që zgjati deri në 1972, për t’u përsëritur në 1973 edhe më ashpër.
Në këtë vit, pra në 1972, në arenën ndërkombëtare ndodhin ngjarje të rëndësishme. Presidenti amerikan Nikson viziton Kinën dhe shumë shpejt ky vend, satelit i të cilit ne ishim që prej prishjes me B.S., fillon të eci drejt hapjes me hapa të shpejtë. Kjo hapje e Kinës si dhe mundësia potenciale e rikthimit të hrushovizmit në B.S., bëri të lindin shpresat edhe tek ne. Këto shpresa mund të realizoheshin vetëm nëse do të kishte një ndryshim kursi, që do të fillonte në radhë të parë në kulturë. Atë vit në fakt, në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në Shqipëri, ndjehej një frymë paksa liberale. Në të gjashtë teatrot profesioniste të vendit, u vunë në skenë drama moderne. Teatri i Operës dhe Baletit vuri në skenë operën “Traviata” me një skenografi të guximshme. Në artet figurative me gjithë vonesën, ndihej përpjekja për futjen e rrymave moderne.
Po në muzikë? Në muzikë njerëzit po prisnin me ankth festivalin e 11-të të Këngës në RTV Shqiptar. Qenë të shumtë ata që ëndërronin dhe guxuan të mendonin se ky festival do çelte rrugën e ndryshimit të kursit në politikën shqiptare. Për të flitej si për një ngjarje që do të ngrinte artin nga mediokriteti dhe vulgariteti që kishte uzurpuar jetën kulturore-artistike të vendit.
Shumë intelektualë dhe artistë mendonin që kultura jonë duhej të hynte patjetër në rrjedhën e kulturës globale. Kjo kulturë kishte të bënte me LIRINË dhe pyetja që shtrohej me ankth ishte:
A do të sillte kjo kohë disi më liberale një hap drejt lirisë?
Koha tregoi që ishte e pamundur!
Mbrëmjen e 23 dhjetorit 1972 filloi Festivali i 11-të i këngës në RTV shqiptar. Për tre net ky festival u ndoq me interes të jashtëzakonshëm, pikërisht për arsyet e përmendura më lart. Deri në ditët e para të Janarit 1973 kudo këndoheshin këngët e tij. Njerëzit e komentonin si ngjarje që lidhej me shpresën për liri.
Në mënyrë të papritur Radioja dhe Televizioni ndërprenë transmetimin e këtyre këngëve dhe kudo u përhap lajmi se diktatori e kishte goditur rëndë këtë festival. Pas disa ditësh ai doli në publik dhe u shpreh:
Kjo është një muzikë dekadente që kërkon të helmojë rininë e të kryejë përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri.
Çfarë mund të pritej paskëtaj?
Elita artistike në shkallë të gjerë mori një goditje shumë të ashpër. Me qindra artistë, jo vetëm në muzikë, por edhe në fusha të tjera të artit si teatri, piktura e arkitektura, morën dënime të ndryshme deri në burgime të rënda. Kërkohej të rrafshohej gjithçka, çfarëdo progresi në art e letërsi. U pengua transmetimi i RAI-it dhe në malin e Dajtit u vendosën zhurmues. Shqipëria po mbyllej hermetikisht. Shtegu i ngushtë që ëndërronim të na çonte drejt rrugës së lirisë, u mbyll përfundimisht.
Çfarë pjese kishte Gaspër Çurçia në këtë festival?
Ai ishte orkestruesi i këngëve dhe dirigjenti i të parës orkestër xhazi në skenë. Kjo ka qenë arritja më e madhe e tij. Edhe me mjetet e sotme është vështirë të arrihen orkestrime të atij niveli. Mjafton të përmendim arranxhimin në xhaz të këngës “Natën Vonë” që tingëllon aq i kohës sot e kësaj dite. Jo më kot artistët e rinj e kanë si pikë referimi. Si të gjithë organizuesit dhe kontribuesit e këtij festivali, që mbeti në historinë e muzikës, jetës artistike dhe shoqërore-politike të Shqipërisë, edhe ai mori dënimin përkatës. Gaspëri u çua fillimisht punëtor në Ndërmarrjen “Migjeni”.
Pas disa vitesh edhe aty filloi pas orarit, punën e muzikantit në lëvizjen amatore, duke organizuar një grup xhazi vetëm me femra. Më 1978 punon në një ndërmarrje tjetër, i angazhuar me prodhimin e instrumenteve popullorë, që i projekton dhe ndërton me pajisje  të ideuara nga ai vetë.
Mendja e tij nuk rresht së krijuari deri sa më 1984 akuzohet për një krijim të një lloji të veçantë, që kurrë nuk u provua, por që i kushtoi atij jetën.
Gjithë veprimtaria e tij artistike u ndalua rreptësisht dhe u asgjësua. Më 11 Prill 1984 muzikanti Gaspër Çurçia ekzekutohet. Në të njëjtën ditë, një vit më vonë, “shpallet” vdekja e diktatorit shqiptar, që ideoi, frymëzoi dhe vuri në jetë jo vetëm ekzekutimet e kundërshtarëve të tij politikë realë apo imagjinarë, por edhe të të gjithë shqiptarëve që luftuan për sado pak liri.
Lajmi i pushkatimit të Gaspër Çurçisë, megjithëse i pashpallur, u përhap fshehurazi në botën artistike të Tiranës. Qe një zi në heshtje. Tani fillonte kalvari i familjes. Gruaja Vasilika dhe tre djemtë Marku, Eduardi dhe Fredi, internohen në fshatin Dardhë të Beratit, në një zonë të thellë malore. Marku kishte trashëguar duart e arta të të atit, Fredi pasionin për trombën, kurse Edi, mirësinë e tij.
E fejuara e Edit, Zana, pa marrë parasysh pasojat dhe vështirësitë e jetës në internim, i bashkohet familjes Çurçia në fshatin Dardhë. Gjatë viteve të hidhura të internimit familja pati edhe një gëzim të madh, lindjen e dy fëmijëve, Vjerës dhe Xhinos.
Në vitin 1991, familja Çurçia, si shumë familje të tjera të dënuara kthehet në Tiranë dhe vendoset në ish Shkollën e Partisë. Fillon për ta një fazë tjetër jete në mizerje:
regjimi i vjetër po lëshonte terren, sepse s’mund ta mbante më. Shkolla e Partisë si bastion ideologjik i rëndësishëm i sistemit komunist, ishte nga të parat objekte, që u ‘pushtuan’.
Të gjitha ambientet e kësaj shkolle u populluan me ish të dënuar politikë, por kryesisht me të dënuar ordinerë të liruar atë vit nga burgjet. Kush ka jetuar apo vizituar ato vite rrethimin e asaj shkolle, mund ta dijë se ajo u kthye në një farë getoje, mu afër qendrës së kryeqytetit shqiptar.
Familja Çurçia u sistemua në një hapësirë, që më parë kishte shërbyer si kafe e shkollës. Hapësira kishte një parket që u kalb në mënyrë të rrufeshme, por së paku kishte një çati, edhe pse pikonte. Në cepin tjetër të katit të parë u sistemua një familje e ardhur edhe ajo nga internimi dhe burgjet politike. Ambienti që ata zunë kishte shërbyer më parë si infermieri e më pas si depo. Ish-kafeneja dhe ish-depoja, u bënë për vite vendet ku dy familjet kalonin çaste të gëzuara në liri, edhe pse në mes varfërisë dhe mungesës së kushteve më elementare të higjienës. Në dhomën e vetme e të madhe të Çurçive një prej djemve të depos, festoi dasmën e tij. Tradita e vjetër e familjes u shfaq edhe në këto kushte banimi.
Me lejoni t’i përshkruaj paksa këto kushte banimi, megjithëse nuk do jetë aspak e këndshme për lexuesin:
Mijëra njerëz të kthyer nga burgjet dhe internimet, jetonin në katër apo pesë godinat e shkollës, çdo familje e ngucur në një apo dy dhoma konvikti. Për çdo kat kishte tre apo katër të ndara banjash alla turka dhe asnjë vend për të bërë dush. Nga banorët e shumtë banjat bllokoheshin çdo javë duke filtruar më pas në tavanet e kateve të mëposhtëm. Plehrat e hedhura nga penxheret krijonin pirgje që zinin dritën dhe ajrin e penxhereve të katit të parë dhe që i ngjitur me tokën, sulmohej pa nda edhe nga banorët e tjerë të kësaj shkolle:
Ata ishin më të shumtë se banorët e sapoardhur që ishin të të gjitha llojeve. Ishin minj gjirizesh të mëdhenj, minj banesash të veckël, krimba shumëkëmbësh të shumuar nga lagështia e madhe, krimba me bisht që s’njihnin pengesa, buburrecë, tartabiqe, akrepa dhe merimanga të madhësive të panjohura, mushkonja dhe miza që nuk njihnin stinë.
Në këtë mjedis u rritën Jera dhe Xhinua i vogël me prindër thuajse të papunë. Për më tepër Vasilika, gjyshja e tyre, një grua me një mirësi të jashtëzakonshme, një mësuese shumë e dashur për breza të tërë nxënësish, sëmuret rëndë dhe pas një vuajtje të madhe, ndahet nga jeta.
Vëllai i vogël, Fredi i ikur në Itali, nuk mund të vijë për të varrosur të jëmën, sepse humb të drejtën e kthimit. Dëshpërimi rikthehet përsëri në familje. Megjithatë, Edi dhe Zana, me shumë përpjekje gjejnë mënyra mbijetese duke realizuar shkollimin e Vjerës së talentuar dhe atë që nuk realizuan dot djemtë e Gaspërit, e realizoi mbesa e tij. Ajo ndoqi traditën artistike të familjes, studioi dhe u diplomua në shkollën e baletit dhe sot është soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve.
Xhino ndodhet në Itali ku punon dhe ndihmon prindërit që janë pa punë fikse dhe që jetojnë edhe sot atje, ku për fat të keq kushtet e jetesës kanë ndryshuar shumë pak.
Ende është aktuale elegjia që i thurën kësaj shkolle nostalgjikët e komunizmit:
Moj Shkoll’ e Partisë
Ç’të ka rënë zija
Varur nëpër tela rroba vija –vija
Atje ku marksizmi mësohej më parë
Sot vej e vijnë vetëm të paparë…


Ky tekst u lexua më 30 shtator 2011 në seminarin e Fondacionit Konrad Adenauer në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës mbi temën Muri dhe Mungesa e Lirisë. Vera Bekteshi është autore e romanit autobiografik Vila me dy porta, Tiranë, 2009, ku tregon përvojën e rënies nga pushteti të një familjes komunistësh, jetën gjatë internimit po aq e vështirë aq vitet e para të kthimit në Tiranë.

“Flauti Magjik” i ditëve tona



Jorida Pasku
Shekulli i 18-të doli duke influencuar në repertorin operistik evropian idetë e iluminizmit.
Kompozitorëve u dilte për detyrë t’i përgjigjeshin filozofisë së kohës me krijimet e tyre. Mbi këtë shtrat idesh dhe ndryshimesh radikale shoqërore dhe politike, u krijua “Flauti Magjik” (origjinali në gjermanisht “Die Zauberflöte”), opera me dy akte që Wolfgang Amadeus Mozart kompozoi më 1791, me libret të Emanuel Schikaneder-it. Vepra e Moxartit trajton çështje si sovraniteti dhe pushteti absolut duke marrë shkas nga drama e një familje, ku bashkëshortët Mbretëresha e Natës dhe Sarastro, divorcohen dhe duan të fitojnë të drejtën mbi kujdestarinë e fëmijës. Lufta për pushtet mishërohet te karakteri i burrit, që injoron ndjenjat e gruas, duke e nxitur që ajo të reflektojë anët e errëta të natyrës së saj me arrogancë.
“Thuhet që Sarastro ishte shumë demokratik, ai mbështeste ndriçimin e mendjeve dhe ideve, por ka edhe shpjegime të tjera që e prezantojnë atë si diktator. Interpretimet janë të formave të ndryshme. Ne duam të shfaqim figurën e njeriut që pretendon të jetë shumë demokratik në bindje, por në fakt nuk është. Ai po qeveris në familje ashtu siç qeveris vendin e tij”, sqaron për sfondin historik të veprës së Moxartit regjisori Stefan Neugebauer, që vjen në Shqipëri, për të parin projekt operistik që realizon në profesionin e tij si regjisor teatri. Publiku shqiptar i teatrit e njeh regjisorin nga realizimi i shfaqjeve “Vojcek” të Georg Byhnerit (Büchner), apo “Grindja” të Marivosë (Marivaux), të realizuara dy vitet e fundit.
Regjisorit i pëlqen të bëjë paralelizma me kohën që po jetojmë, të krijojë skenografi që shikuesi nuk i ka të huaja, t’i veshë personazhet me kostumet e ditëve tona. “Historia që Schikaneder shkroi tre shekuj më parë është universale, çdokush e njeh. Thelbi i historisë është konflikti burrë-grua dhe secili prej tyre do të ketë në mbikqyrje jetën e fëmijës. Dihet se ç’ndodh kur një çift i ndarë grinden për një fëmijë. Çfarë i ndodh nënës, në këtë rast mbrëtëreshës, që ndihet e helmuar dhe e frustruar. Ata janë të dy të lodhur. Kjo është një histori pa magji dhe elemente fantastike. Është realiteti i gjallë”, vijon bisedën Neugebauer, i cili nuk ka vënë dorë mbi historinë origjinale, as ka “prerë”, as ka shtuar.
Ndryshe nga historitë e operave, të paktën të atyre që zgjedh për në repertor Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë, “Flauti Magjik” i devijon historive të zakonshme të dashurisë, të parealizueshme, ku gjithmonë ka një burrë apo një grua që e bëjnë të pamundur jetën në liri dhe mbyllen me fund tragjik, vrasje, apo vetëvrasje.
“Flauti…” portretizon edukimin e shoqërisë njerëzore, që përparon nga kaosi i fillimit ku paragjykimet fetare drejtonin jetën, drejt arsyes së kulluar, mbi të gjitha te gjykimi mbi arsyen, që personifikohet në personazhin e Taminos.
Në këtë opera, që hap gjysmën e dytë të sezonit artistik 2011-2012, pjesa më e madhe e interpretuesve vijnë nga Fondi i Rinisë, që angazhohet me kontratë në teatër. Në role kryesore: Blerta Cina dhe Klodiana Brahimi (Mbretëresha), Erjona Gjyzeli, Dorina Selimaj, Ardita Meni (Pamina), Papageno (Armando Likaj), Tamino (Riad Ymeri) që vjen nga Prishtina, 3 damat (Rezarta Qevani, Sofika Kola, Lindita Kola), Sarastro (Vladimir Sazdovski që vjen nga Shkupi), Monostatos (Erlind Zeraliu, Gilmond Myftari). Për këngëtarët, që në regjinë e Neugebauerit janë më së shumti aktorë, vështirësitë qendrojnë edhe te dialogët në gjermanisht. Vepra e Moxartit është një krijim dramaturgjik dhe muzikor, muzika duhet të ecë bashkë me dialogun dhe veprimin. Regjisori tregon që nuk ka një skenë të madhe ku këngëtarët humbin në të dhe kërkojnë të bien në sy me lëvizjet madhështore. Këtu gjithçka është e mbledhur, e fokusuar te kënga dhe aktrimi, te veprimi dhe ndërveprimi i njëkohshëm. Të rinjtë duket sikur janë të hapur karshi këtyre ideve të reja duke ia bërë më të lehtë punën realizuesit të operës në Tiranë. Edhe pse punët janë të ndara, dirigjenti Elias Grandy, i ardhur edhe ai nga Gjermania, merret më tepër me vokalin dhe artikulimin e saktë, ndërsa regjisori me aktrimin dhe dialogët, ata gjetën gjuhën e njëjtë për krijimin e veprës.
Krijimi është lënë tërësisht në dorë të të ardhurve nga Gjermania. Regjia është e Neugebauerit, kostumet nga Regine Standfuss. Kostumografia premton që te “Flauti Magjik”  ka realizuar kostume realiste, duke marrë shkas nga historia e veprës. “Mbretëresha e ditëve tona është e veshur këndshëm dhe me elegancë, pa madhështinë që kërkon rasti. Ndihet qysh në veshje që ajo vjen nga një familje e pasur, e klasit të lartë. Po ashtu, petku fetar i priftërinjve nuk do respektohet me fanatizëm. Mjaft që veshja të jetë uniforme. Të tjerët do vishen thjesht me shije, me frymën e së sotmes”.
Skena përgatitet nga Markus Meyer, i cili ka krijuar një ambient intim shtëpie, me dhoma më vete për çdo person. Në qendër gjendet Sarastro, Mbretëresha e Natës dhe Pamina.
Neugebauer ka dashur gjithmonë të realizojë një opera. Tek kërkonte për realizimin e një “Flauti…” origjinal ai zbuloi që Moxart është kaq i ngjashëm me Shekspirin, përsa i përket stilit muzikor, “ai kapërcen nga njëra skenë në tjetrën me shpejtësi, sjell gazmend, është poetik dhe krijimi hyn në shpirt. Vepra i ngjan një kolazhi, ka karaktere të ndryshme dhe situata”, thotë regjisori, që u frymëzua nga kjo lëndë për të krijuar më tej hapësirën ku interpretojnë këngëtarët lirikë, lëvizin dhe aktrojnë.
Stefan Neugebauer mori të drejtën për realizimin e Operës në Tiranë, ashtu siç e marrin të gjithë regjisorët e huaj në këtë teatër: prezantojnë një koncept të përgjithshëm, hapen audicione për përzgjedhjen e personazheve gjithmonë duke patur një guidë nga institucioni dhe ngrenë shfaqjen. Kështu ndodhi edhe me regjisorin tonë, që frymëzohet shpesh të punojë në Shqipëri, “pa marrë parasysh edhe kushtëzimet”. Ambasada Gjermane beson në punën e tij dhe e ndihmon në pikëpamjen financiare. Për Neugebauerin, financat nuk hyjnë te problemet që ai ka në dorë t’i zgjidhë. Bën një listë të gjithçkaje për të cilën ka nevojë dhe ia paraqet teatrit. Ky i fundit dhe Ambasada Gjermane merren më tej me shpenzimet.
Këtë herë ambasada donte ta hapte “Tetorin Gjerman” pikërisht me Moxartin, me një vepër dhe realizim që kërkonte angazhim, e cila vjen premierë në fillim të tetorit.

Migjeni në librin e shtëpisë



Elsa Demo
Ke lënë në Akademinë e Shkencave përvjetorin e Dritëro Agollit, me dëshirën që në Black Box të Akademisë së Arteve të gjesh një shteg për ta çarë marrjen e frymës që shkakton apologjia politike për kulturën e djeshme zyrtare në fuqi.
Në njërën sallë duartrokitet për dije sokratike pohimi i shkrimtarit i cili sapo e ka krahasuar artistin me maçokun që i pëlqen ta mbështesë kokën në prehrin e politikanit (e më të fortit). Në atë sallë ku njerëzit i mban bashkë pështyma e kauzave të djeshme, nuk ka pyetje për letërsinë dhe as për jetën publike të tjetrit, as për rolin shoqëror e as për moralin politik të shkrimtarit.
Takimi në Black Box të Akademisë së Arteve për 100-vjetorin e lindjes së Millosh Gjergj Nikollës organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Tiranës (Departamenti i Letërsisë në Fakultetin e Historisë e Letërsisë) jep shenja se ekzistojnë përpjekjet për t’i ndarë domenet e influencave të jashtme mbi letërsinë. Për sa kohë ekziston letërsia e mirë si gjallesë do të ekzistojë antikonformizmi dhe shqetësimi, dyshimi dhe diskutimi, e kështu më tej në një jetë të përbashkët të njeriut me letërsinë.
Në leximin që i bëhet Migjenit dallohen dy burime që drejtohen njëri për nga interpretimi jo tradicional i veprës dhe tjetri për nga biografia dhe origjina etnike e autorit, gjithnjë përmes dokumenteve.
Persida Asllani trajton poetikën e skandalit në prozën e poezinë e Migjenit dhe stilin e tij, si një stil i hapur drejt të ardhmes. Studiuesja nxjerr nga leximi i skandalozes në tekstin migjenian tabutë e seksit e të erosit, të incestit e homoseksualitetit. Asllani kujton se “Vargjet e lira” botuar gjashtë vjet pas vdekjes së poetit, më 1944, përgatiteshin për një vdekje tjetër, për “leximin këmbëngulës ideologjik dhe fabrikimin sistematik të një miti pre realist-socialist të veprave të tij. Përveç varfërimit të përgjithshëm në perceptim duke e salduar Migjenin thjesht dhe mjerueshëm në kutizën e një poeti të mjerimit materialist, kjo zhvendosje fillestare e receptimit të paradigmës artistike shkaktonte varfërimin e receptimit të tij, zbehu ndjeshmërinë ndaj formës dhe asgjësoi rezonimin e një poetike të skandalit brendashkruar strukturës së tekstit”.
Raportet e veprës së Migjenit me kristianizmin duket një temë e parapëlqyer për studiuesit. Dy diskutime u mbajtën mbi këtë subjekt. Shaban Sinani bën një vështrim tekstologjik dhe del në përfundimin që Bibla, letërsia ungjillore është ndoshta më kushtëzuesja nga të gjithë tekstet në veprën e Migjenit: “Pyetja është se deri në ç’shkallë vargjet e lira dhe prozat e poezitë e Migjenit kanë simetri me tekstet ungjillore.” Për të verifikuar këtë simetri studiuesi i referohet rrafshit figurativ ku mund të bëhet paralelja e “Parathënia e parathënieve” me “Këngët e këngëve” apo “Dy Milloshët” me “Dy natyrat e Krishtit”. Dhe në nivelin e leksikonit gjuhësor “duke përjashtuar leksemat të cilat kanë pasur përhapje të gjerë vetëm prej atyre që janë tipike të ligjërimit liturgjik”, studiuesi Sinani përmend: blasfemi, kredo, apoteozë, ati ynë, ishujt e rremë, idhujt pa krena, parajsa, dreqnit, molla e ndalueme, dielli, vuajtja, urdhëresat, shkëndija, yjet, engjëjt, tempujt, zotat, ringjallja, jeta e re, psalmet, mëshira, shpirti i sëmund, kënga e re, drita, ndjesa, lumnitë, lajmi i mirë etj..
Eljon Doçe evidenton risitë formale në prozën e shkurtër të Migjenit nëpërmjet analizës strukturaliste të skicës “Bukuria që vret” ku vdekja vjen e veshur me ngjyrë të bardhë dhe vrasja merr nota poetike si vrasje shpirtërore.

Përkatësia etnike
Grupi i dytë i referateve përballë një auditori të ri, bën një lexim të biografisë së Migjenit nëpërmjet librit të shtëpisë.
Përkatësia etnike e Migjenit: shqiptare apo sllave?
Studiuesit paraqesin, këqyrin dhe lexojnë përmes radhëve të thata dokumentet zyrtare e familjare, certifikata lindjeje e vdekjeje.
Brikena Smajli i kthehet arkivit të Migjenit në Muzeun Historik të Shkodrës, i krijuar më 13 tetor 1961, aty ku është familja Trimçev. Dosjet nuk janë fort të pasura “por ekziston një dokumentacion ku drejtori i atëhershëm i muzeut Vasil Llazari komunikon me bashkëkohësit apo me njerëz të njohur në mënyrë që të mbledhë fonde”. Smajli përmend një letër të z. Trimçev i cili sugjeron rindërtimin e shtëpisë së Migjenit, e asaj shtëpie të dikurshme njëkatëshe, me dy dhoma e një korridor dhe që skicues i kësaj shtëpie mund të ishte Lec Fishta, atëkohë skenograf i Teatrit “Migjeni”.
Smajli thotë se në fondin “Migjeni” të këtij Muze, gjen dokumente të cilat mund të sqarojnë origjinën etnike të poetit vënë në fokus të polemikave në vitet e fundit.
Ardian Marashi paraqiti dëftesa e certifikata nga Arkivat Familjare të Tivarit.
Në pasaportën e datës 17 qershor 1932, emri i Migjenit shënohet Milosh Nikolic me l, pastaj në dekretin e emërimit si mësues një vit mbrapa, më 18 maj 1933, nënshkruar nga Ministri i Arsimit Mirash Ivanaj, emri shënohet Millosh Nikolla. Në letërnjoftimin që mban datën 11 tetor 1933, përsëri gjejmë Milosh Nikolic. Në certifikatën e lindjes, e datës 26 janar 1937 ku korrigjohet viti dhe data e lindjes, shënohet Millosh Nikolla. Me këtë emër paraqitet në dokumentet italiane gjatë qëndrimit në Torino më 28.12.1937. Këtu emri i babait shkruhet Gjokë dhe emri i nënës Sofia. “Nisur nga kjo ne synuam të bëjmë një pemë gjenealogjike të parë e cila lidhet me trungun e parë”, thotë Ardian Marashi, drejtues i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Nga trungu i parë, nisur nga stërgjyshi Nikolla, janë dy vëllezër, njëri Gjergj Nikolla i njohur dhe i shënuar në certifikata njëherë Gjoko njëherë Gjeorgje me mbiemrin Nikolic (1872-1924) lindur dhe banues në Shkodër. Vëllai tjetër Kërsto Nikolic. Nga babai i Migjenit, Gjergj Nikolla, janë disa fëmijë: Nikolla i vdekur më 1925, tutori i Migjenit gjatë 2 viteve të shkollimit në Tivar, është Milloshi, është një fëmijë që ka vdekur foshnje, janë motrat Lenka, Jovanka, Cvetka dhe Olga. Nga Xhaxhai i Migjenit, Kërsto Nikolic kemi katër fëmijë: Milan 1904-1956, Andria 1912-1972, Leposava 1908-1983 tek e cila ai jetoi në Ulqin, dhe Julka 1918-2006.
Marashi thotë që për të kuptuar enigmën e formave të ndryshme të emrave familjarë të Migjenit, duhet shqyrtuar dhe mjedisi familjar e social ku ai lindi, u rrit e u shkollua. Mjedisi është komuniteti malazez ortodoks në Shkodër. Migjeni u shkollua në shkollën fillore malazeze, e ashtuquajtur shkolla serbe e Shkodrës. Pas kësaj dërgohet për të vazhduar kolegjin në Tivar. Nga dokumentet e shkollimit në Tivar studiuesi Marashi përmend faktin që emrat e prindërve në regjistër shënohen Gjeorgje babai dhe Sofia nëna, kurse për babain jepet profesioni “pronar pijetoreje”. Vendlindja jepet Shkodër, ndërsa shtetësia Srpska (serbe). Në vitin e parë të shkollimit kujdestar i fëmijës është babai ndërsa fëmija jeton te Kristo Ivanovic në Tivar. “Ndërkaq”, kujton Marashi, “në gjithë certifikatat dhe dokumentacionin e Migjenit në Shqipëri ai ka kombësi dhe shtetësi shqiptare, pra vetëquhet i tillë.”
Prapë duke iu referuar dokumenteve të shkollimit në Tivar, Marashi përmend që në të gjitha lëndët ai vlerësohet “shumë mirë”, kurse te vlerësimi sjelljes jepet “shembullore”. Në vitin e dytë të shkollimit, ndërrohet kujdestari, bëhet vëllai i tij, Nikolla Nikolic, dhe në fund të këtij viti Migjeni detyrohet të largohet nga shkolla dhe të lërë Tivarin.
“Mbas vdekjes njëri pas tjetrit të babait e pastaj edhe të vëllait më 1925, Migjeni i humb të dy kujdestarët e vet dhe kjo është arsyeja që i ofrojnë një bursë shkollimi në Manastir. Kjo është arsyeja pse Migjeni pas kthimit në Shkodër u emërua në shkollën e fshatit Vrakë një fshat i njohur asokohe për komunitetin e tij malazez. Në këtë mjedis bikulturor ai përpiqet të afirmojë identitetin e tij të vetvetishëm, një identitet i cili nuk do të lidhet me aspektin social e politik, por me identitetin letrar, pra vetëm me poezinë.” Marashi e quan këtë një akt që i hapi rrugën e afirmimit si poet, si poet shqiptar dhe si një zë i fuqishëm i letrave shqipe.
Marashi thekson se mbeten me interes materialet arkivore jo vetëm në muzeun e Shkodrës, por edhe në Manastir e Tivarit si dhe në arkivat e pasardhësve të Migjenit ku mund të gjenden letra, kartolina, fotografi. “Hetimi i aspekteve biografike në një masë të mirë mund të ndihmojnë për të kuptuar veprën, atë ndjeshmëri karakteristike të kësaj vepre, që siç thotë Pipa, është një zë krejtësisht i veçantë që u afirmua në letërsinë shqipe dhe që duket se vjen nga një planet tjetër. Ardhja e Migjenit është një prurje krejtësisht e re, është një traditë që krijohet jo një traditë që vazhdohet, që duket se vjen drejtpërdrejt nga shkollat shkollat e reja moderniste evropiane në vitet 1920-30.”
“Vetëvrasja e trumcakut” videoperformanca e realizuar nga Stefan Çapalikut mbyll takimin mbi Migjenin. Aty në fund mësuam për të ftuarit e ardhur nga Ulqini, të cilët deri në atë moment nuk i kishte përmendur kush.
Takuam Kosto Kitanov, 76-vjeçar, një pasardhës i largët i Migjenit, po jo dhe aq. Ai është biri i Leposavës. Shoqërohej nga Branka, vajza e Julkës. Të dy janë fëmijë të kushërirave të para të Migjeni.t


Pasardhësit e Migjenit vijnë në Tiranë

Si është emri juaj?
Kosto Kitanoviç. Nana jeme është vajza e axhës së Migjenit, është martu në Ulqin. Baba është prej Maqedonie, ka ardhë më 1923. Mandej ka ardhë gjyshi jem me gjyshen, kanë shku mbas vajzës n’Ulqin.

Ju jetoni në Ulqin?
Po. Gjyshi ka dekë kur ka pasë pesëdhjetë vjeç, n’Ulqin. Gjyshja ka dekë ma përpara. Mandej nana jeme ka dekë më tetëdhetetreshin.

Çfarë dini për Migjenin?
Unë jam le më tridhetegjashtën. Migjeni ka dekë më tridhetetetën.

Ai ka jetuar në shtëpinë e nënës suaj. Çfarë dini prej nënës, çfarë flitej për Migjenin te ju?
Çfarë na ka diftu nana kena dit, mandej kta librat janë shqyp e na shqyp nuk dimë me shkru.

Në shtëpinë tuaj çfarë gjuhe është folur?
Nashka, nashka, serbokroatisht. Nana pak shqyp na ka fol. Na n’Ulqin ashtu kena fol.

Sot u fol për origjinën e familjes së Migjenit. Ju çfarë thoni për këtë temë?
Është malazius, ortodoks malazius.

Ju keni ndonjë kujtim për Migjenin?
Kena fotografi qi na ka lanë teze Julka. Edhe nana qi na ka dhan librën. Milani qi ka kenë ma i madhi, mandej nana jeme, Andria edhe Julka, ata janë fëmit e axhës së Migjenit.

Sot ne e kujtojmë Migjenin si një poet shqiptar.
Jo është malazius, nuk asht katolik. Lina ka shkru gabim.

Kush është Lina?
Angjelina Ceka.

Ju mendoni që ajo ka shkruar gabim origjinën e Migjenit?
Për mu po, për te jo.

Ju e keni lexuar Migjenin në shqip?
Nuk di me lexu shqip.

Kaq sa arrini të flisni ku e keni mësuar?
N’Ulqin. Aty kena shit bukë e kena mësu me fol shqip.

Po sot si erdhët, ju ftuan?
Më kanë thirr, na ka shoqëru nji mik. Është organizu shumë mirë.

Keni ardhur më përpara në Shqipëri?
Në Shkodër po, në Tiranë jo.

Keni shkuar te varri i Migjenit?
Jo, sepse qysh më katërdhetetetën nuk kam ardh në Shqypni.


Kanë thënë

Arshi Pipa:
“I lindur shqiptar në një familje me prejardhje sllave, pastaj i arsimuar në një mjedis kulturor sllav, ai u takua prapë me Shqipërinë dhe me kulturën shqiptare si një i rritur. Gjuha që foli në shtëpi ishte serbo-kroatishtja, ndërsa në seminar ai mësoi rusisht. Ai nuk e dinte shqipen mirë.”

Kristaq Jorgo:
Që Millosh Gjergj Nikolla mund të kishte vepruar lehtësisht ndryshe (…) e provon, sa për të sjellë një shembull, rasti i poetit Mateja Matevski, me origjinë po nga Reka e Dibrës, prindërit e të cilit flisnin shqip dhe të cilin maqedonasit e kanë cilësuar kur-e-kur poet kombëtar të tyrin. Migjeni nuk është pra ‘shpirti sllav që flet shqip’ (A. Pipa); ai është trashëgues i shpirtit shqiptar dikur përgjysmë të sllavizuar që shqiptarizohet i tëri sërish.

Feja e Gjergjit



Nga Ardian Vehbiu
Mitet e mbështetura në rrejshmëri (fallacies) vijnë e bëhen të rrezikshme kur fillojnë të përdoren si premisa në arsyetimet, ose kur merren për të mirëqena.
Një mit i tillë, i vulgarizuar tej mase tani së fundi, është ai i Skënderbeut katolik, ose ushtar të Papës.
Në fakt, historianët ende nuk e kanë saktësuar dot se cilës fe i përkiste pikërisht Heroi ynë kombëtar; prandaj çdo përpjekje për të absolutizuar njërën hipotezë në dëm të së tjerave, do parë si formë uzurpimi kulturor dhe nuk duhet lënë pa u “ndëshkuar”.
Po të njihemi me biografinë e Skënderbeut, aty ndeshim në prova që ai të ketë qenë edhe i krishterë ortodoks, edhe i krishterë katolik, edhe mysliman, në periudha të ndryshme të jetës së vet.
Duke u përkitur, së paku formalisht, të tri feve kryesore të Ballkanit, ky arbër mesjetar mishëron kontradiktat e kohës dhe konfliktet ndërfetare në një gadishull që shumë shpejt do të binte praktikisht i tëri në duart e osmanëve.
Për të sqaruar përkatësinë fetare të Gjergjit, do të ndihmojë edhe historia e familjes së tij.
Kështu, ati i tij, Gjoni, shfaqet në dokumente si katolik në vitin 1410 kur i shkruante Republikës së Venedikut dhe nëpërmjet saj Papës, për t’iu ankuar për juridiksionin e peshkopatës së vet; por si ortodoks në 1419, kur lidhte një aleancë me carin e Serbisë. Më vonë, në 1430, Gjoni do t’u nënshtrohej osmanëve dhe do të shndërrohej në mysliman, duke marrë emrin Hamza (Kamusa). Në një dokument të analeve të Raguzës, Gjergji do të paraqitet si: “… i lindur prej Kamusa Kastriotit, zot i Krujës.”
Edhe emrat e vëllezërve dhe motrave të Gjergjit nuk lënë shumë shteg për dyshime: Stanish, Reposh, Konstandin (vëllezërit) dhe Maria, Jella, Angjelina, Vllajka, Mamica (motrat). Disa prej këtyre nuk mund të jenë emra katolikësh, por vetëm të krishterësh ortodoksë.
Më pas, Stanisha do të bëhej mysliman, do të merrte emrin Karagus dhe do të kishte një djalë, Hamzanë, i cili do të luftonte përkrah Skënderbeut, dhe më pas do ta tradhtonte.
Dihet edhe se Gjon Kastrioti me të bijtë i pat dhuruar manastirit të Hilandarit, në Malin e Shenjtë (Athos), dy katunde: Radostushën dhe Trebishtën; akti i dhurimit të tyre, në sllavonishte, është ruajtur.
Më pas, dikur midis viteve 1426 dhe 1431, Gjon Kastrioti dhe të bijtë Reposh, Konstandin dhe Gjergj blenë, prej igumenit të manastirit të Hilandarit, “Pirgun e Shën Gjergjit” po në Malin e Shenjtë (këtë akt-shitjeje A. Plasari e cilëson si provë përfundimtare të përkatësisë së Kastriotëve në Kishën ortodokse, meqë pronat në Malin e Shenjtë mund t’u shiteshin vetëm besimtarëve të asaj kishe dhe askujt tjetër).
Pirgu i Shën Gjergjit, në Hilandar, quhet ndryshe edhe “Pirgu shqiptar” (арбанашки пирг).
Më anë tjetër, një vëlla i Gjergjit, Reposhi, është varrosur në narteksin e kishës së Hilandarit, në Malin e Shenjtë, jo si “murg”, siç është thënë shpesh, por si “dukë ilir”, sikurse shkruhet në mbishkrimin serbisht të varrit.
Ka spekulime që Gjon Kastrioti vetë mund të jetë varrosur në Malin e Shenjtë, diku pranë të birit.
Një legjendë që përsiatet ndonjëherë, sipas së cilës Gjergji dhe Donika Araniti kanë lidhur kurorë në manastirin e Shën Mërisë së Ardenicës, nuk rezulton e faktuar as e dokumentuar gjëkundi; sikur të provohej, gjithnjë sipas Plasarit, do të përbënte një argument më shumë për përkatësinë e Gjergjit në ferrëfimin ortodoks.
Ka edhe të dhëna të tjera, që duket se e mbështetin ortodoksinë e Gjergjit. Kështu, Plasari shënon se ambasadori që dërgoi ai te Alfonsi i Napolit, peshkopi Stefan i Krujës, e nënshkroi traktatin e Gaetës “me shkronja greqishte;” për t’u vënë re edhe se ky peshkop Stefan i Krujës, sipas Plasarit, nuk përmendet gjëkundi në dokumentet katolike të kohës, kështu që nuk do të ketë qenë i asaj hierarkie. Ekziston edhe një dokument aragonez i vitit 1453, ku dikush ankohet se në Krujë “nuk kishte as prift, as xhakon latin…”
Më tej akoma, historianët vërejnë praninë, përkrah Skënderbeut, të një murgu athonit (ortodoks) të quajtur Zaharia, të cilin Skënderbeu e paskësh bërë “at shpirtëror të vetin” (Plasari e thekson këtë, duke u mbështetur te Jorga dhe Beduli); edhe Nifoni, patriarku i mëvonshëm i Konstandinopojës dhe shenjtori i ardhshëm i Kishës ortodokse, “u hirotonis prift me bekimin e arkiereut të qytetit të Krujës”, vëren ky autor.
Ky studiues arrin pastaj në përfundimin se lidhjet e intensifikuara të Gjergj Kastriotit me Vatikanin dhe katolikët anembanë Europës kishin natyrë më shumë politike se shpirtërore; dhe se vetëm katolikët ishin në gjendje, në atë kohë, të jepnin ndonjë ndihmë domethënëse me para, armatime dhe ushtarë, për Skënderbeun dhe përpjekjet e tij kundër osmanëve.
Në rrethanat kritike të përballjes me superfuqinë më të madhe të kohës, diferencat mes dy kishave – të Perëndimit dhe të Lindjes – do t’i jenë dukur këtij arbri krejt të parëndësishme, aq më tepër që ai vetë ishte mësuar me dinamikat e kalimit nga njëra fe te tjetra, për arsye madhore. Shto këtu, më në fund, që në ato vite dramatike për Europën bashkimi i kishave po merrej seriozisht në shqyrtim nga të dy krahët (Koncili i Ferrara-s, më pas i Firenze-s etj., që gjithsesi nuk dha ndonjë rezultat).
Shkruan Plasari: “mes njeriut të fesë dhe burrit të politikës, ai [Gjergji] mbeti vendosmërisht ky i dyti.”
Çfarë mund të nxjerrim nga të gjitha këto? Edhe po të mënjanojmë me kujdes interpretimet e historianëve, dhe veçanërisht ato të Plasarit, faktet flasin qartë: Arbëria nga ku rridhte Skënderbeu dhe ku vepronte ai i përkiste, në thelb, Kishës ortodokse; në një kohë që katolikët ishin fort të pranishëm në vijën bregdetare, ose në Arbërinë Venedikase. Vetë familja e Kastriotëve, si familje feudale, e përdorte përkatësinë në këtë apo në atë fé, duke përfshirë këtu edhe fenë islame, si instrument politik për të mbijetuar dhe/ose përfituar sipas rrethanave.
Skënderbeu lindi pas gjase në fenë ortodokse dhe u rrit dhe u edukua në fenë Islame, por erdhi duke u afruar me katolicizmin, meqë kjo i hynte në punë edhe për arsye politike. Nëse afrimi i Skënderbeut me Vatikanin ishte edhe pasojë e zgjedhjeve të tij mirëfilli “ferrëfyese” (për të përdorur një term të Plasarit), këtë nuk e gjejmë dot. Po ashtu, që Vatikani vetë kishte interes ta paraqiste dhe ta propagandonte Gjergj Kastriotin si “atlet të Krishtit” dhe komandant të asaj kryqëzate që nuk u krye kurrë, nuk do të thotë, automatikisht, se Skënderbeu luftonte për Vatikanin dhe interesat e tij në Ballkan.
Miti për Skënderbeun katolik të kulluar ose kryesisht katolik nuk ka ndonjë bazë reale.

Shënim bibliografik: Të dhënat e mësipërme i kam nxjerrë nga dy vepra: Skënderbeu, një histori politike, e Aurel Plasarit (Instituti shqiptar i studimeve “Gjergj Fishta”, Tiranë 2011); dhe Skënderbeu, jeta dhe vepra, e Kristo Frashërit (Botimet Toena, Tiranë 2002). Faqet po ua lë studentëve që t’i gjejnë, se ashtu edhe i shfletojnë pak librat vetë. Shtoj edhe se shumë prej këtyre të dhënave dihen botërisht, nuk është se u zbuluan tani vonë; nëse ne nuk i njohim, për këtë padije i detyrohemi propagandës dhe mitit. – Blogu “Peizazhe të Fjalës”  

Topi vs Topalli kthehet në Lubonja vs Fevziu (REPLIKAT NË STUDIO)



Konflikti në studion e emisionit “Opinion” në TV Klan ka lindur pasi Lubonja kundërshtoi mënyrën se si diskutonte njëri nga anëtarët e panelit, deputeti i PD, Strazimiri. Ky i fundit lidhi deklaratat e Topallit me myslimanët shqiptarë, ndërkohë që Lubonja po shprehej se konfliktet lindin kur instrumentalizohet feja dhe kur përdoret si mjet për pushtetin. Strazimiri ca më tej nisi të fliste për mrekullitë e PD-së në Shkodër dhe në këtë moment Lubonja ka kërkuar nga moderatori Fevzi që të mos sillte më në studio militantë. Këtu ka nisur një debat i ashpër mes Lubonjës dhe moderatorit Fevziu. Lubonja e akuzoi atë se me emisionet e tij po polarizon shqiptarët, se është bërë palë dhe se emisionet e tij nuk po bëjnë debat, por tentojnë të “hedhin topin andej”, duke pasur parasysh opozitën. Më poshtë, pjesa e fundit e debatit, kur pas replikave, moderatori Fevzi e mbyll emisionin.
(në panel ishin edhe Migjen Kelmendi, Baton Haxhiu, Afrim Krasniqi, Gent Strazimiri, Fatos Lubonja, Stefan Çapaliku)

Fatos Lubonja: Unë jam nga ata që edhe kur flitet për fetë në Shqipëri, që thuhet toleranca shqiptare, unë them: “avash njëherë ta shikojmë a jemi vërtetë tolerantë…”. Sepse po të jemi tolerantë kaq shumë ndaj njëri-tjetrit nuk do të kishim prodhuar regjimin totalitar… Pra, jemi tolerant në thelbin tonë apo nuk është feja e instrumentalizuar? Unë mendoj që nuk është feja e instrumentalizuar… Pasi kur të vijë një moment kur feja të bëhet një instrument për të marrë pushtetin, atëherë befas, fare mirë ajo që quajmë ne tolerancë fetare mund të kthehet në burim konfliktualiteti… Po të vërejmë sot në histori, edhe në botën arabe, do të vëmë re që instrumentalizimi ka një burim politik, janë interesa të tjera që disa diferenca që padyshim ekzistojnë midis feve, – të ndizen… Dhe krijojnë pastaj konfliktin. Në këtë situatë kur Topi hodhi një batutë që duket sikur dëshiron ta instrumentalizojë një diferencë dhe një dallim, duhet pyetur Topi vetë se ku e kishte. Por, kemi një kundërpërgjigje që e bën fare të qartë një diferencë paragjykimi. Haxhi Qamili është përdorur për të demonizuar gjithë ata myslimanë… Në emër të europianizimit… Ashtu sikur Toptani i përpunuar nga historia u përfol nga Berisha. Pra, të gjitha këto ekzistojnë… Por detyra e njerëzve që janë në krye të politikës është të jenë mbi këto dhe të mos e instrumentalizojmë. Pastaj, e gjithë kjo që bëri Jozefina, që ngriti shkodranët…
Blendi Fevziu: E bëri Jozefina apo u ngritën vetë?
Fatos Lubonja: Për mendimin tim është instrumentalizim…
Gent Strazimiri: Besoj që biem në gabime të tjera, nëse identifikojmë myslimanët shqiptarë me Haxhi Qamilin. Ky i fundit s’ka pasur asnjë funksion, por ka qenë një njeri kundër pavarësisë së Shqipërisë dhe mori dënimin e merituar…
Fatos Lubonja: Kjo është historia që di ti.
Gent Strazimiri: Ju na e nxorët që duke folur Jozefina mbi Haxhi Qamilin u fyekan myslimanët shqiptarë.
Fatos Lubonja: Mos na flit si historian që i di të gjitha. Avash një çikë…
Gent Strazimiri: Televizionet po na tregojnë se Bamir Topi është në konflikt me Durrësin, Vlorën, Shkodrën, Tiranën. Do guxim shumë të madh që të vish në një studio dhe të flasësh publikisht për figura të artit, kulturës, sportit, të Shkodrës dhe të thuash që instrumentalizohen nga Jozefina Topalli. Për mua është një guxim shumë i madh… Përveçse është një e pavërtetë shumë e madhe…
Fatos Lubonja: (Qesh) Ore ku jeton ti? Më duket sikur jeton aty ku s’jetojmë ne…
Gent Strazimiri: Zgjedhjet tregojnë se cila është Partia Demokratike për Shkodrën dhe cila është Jozefina Topalli, apo cili është Sali Berisha për Shkodrën.
Fatos Lubonja: Zgjedhjet i merrte edhe Enver Hoxha me 99%.
Gent Strazimiri: Shkodra është tërësisht e rinovuar dhe tërësisht me investime të mrekullueshme, është një qytet që ka ndryshuar faqen gjatë këtyre 5 viteve.
Fatos Lubonja: Ore, po çfarë lidhje ka se s’po flasim për këtë?
Gent Strazimiri: Në këtë prizëm, PD e ka lidhjen natyrshëm me Shkodrën, e djathta shqiptare e ka natyrshëm lidhjen me Shkodrën…
Fatos Lubonja: Nuk thuhet “lidhje natyrore”… Lidhjet janë kulturore… Natyra është tjetër gjë…
Gent Strazimiri: Nuk ka nevojë… Partia Demokratike…
Fatos Lubonja: Ore nuk ka lidhje natyra. Nuk e ka pjellë Partia Demokratike Shkodrën…
Gent Strazimiri: Kemi një fakt dhe e kemi të politikës së fundit, krijuesi i termave më të ndyra dhe më raciste ndër shqiptarët është Edi Rama… Unë shoh të njëjtën gjë tek Bamir Topi….
Fatos Lubonja: Po tek Saliu nuk sheh gjë ti more burrë? (Qesh)
Gent Strazimiri: Topi hapin e parë të politikës e ka ndërmarrë me një sulm personal, e ka bërë me një sulm që bëri lëmsh gjithë dynjanë. Është një veprim që quhet kuqezi. Në fakt të kuqen ia shoh po të zezën s’po ia shoh, ishalla e ka në faqe se tjetërkund s’po ia shoh…
Afrim Krasniqi: Ju lutem shumë… Ne jemi të gjithë zyrtarë dhe jeta është shumë e gjatë… Nuk fyhet Presidenti i Republikës kështu. Nuk ndodh… Në bilancin e përgjithshëm presidencial ky është Presidenti që ka nderuar më shumë personalitete të kulturës, sportit etj,. të të gjitha fushave në Shkodër. Unë kam rastisur që ta shoqëroj 2-3 herë Presidentin atje dhe kam vënë re diçka të çuditshme, edhe përpara se të punoj me Presidentin, por edhe si një njeri i medias..
Është i vetmi qytet ku drejtuesit vendorë kur shkon Presidenti për shkak të urdhrave të caktuar, për shkak të telefonatave që marrin, na marrin në telefon dhe na thonë se na kanë urdhëruar… Na thonë që nuk ju shoqërojmë dot… Që nga prefekti deri tek më i fundit. Kjo ka ndodhur edhe në rastet e fatkeqësive natyrore… Nuk ka lidhje as me 8 majin, as me 21 janarin. Bëhet fjalë përpara 2 vitesh. Pse? Sepse është mentaliteti i një grupi të caktuar që mundohet ta mbaj peng atë qytet.. Shkodra është me e djathtë se e djathta e tanishme.
Fatos Lubonja: O Gent, ti je i vetmi që të ka sjellë ky këtu… Se ti duhet të ishe në debat me ndonjë të PS-së…
Gent Strazimiri: Më ka thirrur drejtuesi i emisionit…
Fatos Lubonja: Të ka thirrur gabim. Ka bërë gabim që të ka sjellë. Ti mund të bëje debat me një të PS-së këtu.
Gent Strazimiri: Taksirat e ke do të më dëgjosh. E vërteta duhet thënë deri në fund…
Fatos Lubonja: E vërteta…? Ke viktimat e Gërdecit… Ke 4 të vrarët e 21 janarit. Ku i ke të vërtetat? Kush dha urdhër që të vriten katër veta? Thuaje pra të vërtetën…
Gent Strazimiri: Mua ky popull më zgjedh, ty jo…
Fatos Lubonja: Thuaje, kush i vrau ato katër veta?
Gent Strazimiri: Unë njëherë në katër vjet dal dhe votohem, ti jo.
Blendi Fevziu: Po mos flisni…
Fatos Lubonja: Jo, do flas, na sillni militant këtu dhe ne jemi gazetarë.
Blendi Fevziu: Meqenëse e more me mua, a të flas unë deri në fund?
(në sallë krijohet zhurmë midis Fatos Lubonjës dhe Genti Strazimirit dhe Afrim Krasniqit)
Blendi Fevziu: Një minutë tani, stop, stop! Zoti Lubonja, e dije ti panelin se kush do të ishte? Thua vij ose s’vij. Mos më thuaj mua…
Fatos Lubonja: Ja dy t’i hoqa unë..
Blendi Fevziu: Si?
Fatos Lubonja: Dy t’i hoqa…
Blendi Fevziu: Gabim kam bërë unë që i hoqa..
Fatos Lubonja: Shumë gabim ke bërë. Kam bërë unë gabim që të vij ty… Me militantë…
Blendi Fevziu: Këtu është një debat…
Fatos Lubonja: Jo, jo, këtu nuk bëhet debat… Po hedhim topin andej…
Blendi Fevziu: Ti më kërkove mua të sillja panelin kështu, s’mund ta bëj patjetër si do ti.
Fatos Lubonja: Ke kohë që bën debate që po polarizojnë Shqipërinë… Ta thashë edhe në fillim. Je në shërbim të një politike … Duhet të mbajmë përgjegjësi edhe ne.
Blendi Fevziu: Bravo! Më fal, si duhet t’i bëj unë debatet?
Fatos Lubonja: Siç i bën gjithë bota. Merr politikanë, por ama ka në dritare ekspertë, njerëz që janë tamam të paanshëm…
(Ndërpret vazhdimisht G.Strazimiri)
Fatos Lubonja: Jo more zotëri jo… Prit ta mbaroj se çfarë desha të them. Pse nuk e thua të vërtetën?
Blendi Fevziu, Strazimirit: Një minutë se e ka me mua dhe s’e ka me ty…
Fatos Lubonja: Muhabeti është këtu… E vërteta nuk mund të qëndrojë vetëm me një palë. Gazetari që kërkon të vërtetën, e kërkon nga bashkëveprimi i palëve… Unë jam nga ata që kam kritikuar Edi Ramën, Sali Berishën dhe të gjithë. Unë tentoj të kërkoj një të vërtetë…
Blendi Fevziu: Stop tani…
Fatos Lubonja: Ti nuk mund të më vendosësh mua këtu…
Blendi Fevziu: Po si të të vendos?
Fatos Lubonja: Unë nuk mund të vij këtu si kundërpalë e këtij Strazimirit, sikur jam i PS-së…
Blendi Fevziu: Por a kemi ne…
Fatos Lubonja: Prit ta mbaroj… Se s’ma le ta them. A ke dëgjuar një të PD-së që më ke sjellë këtu që të bëjë një kritikë të vetme për Sali Berishën?
Blendi Fevziu: Ti ke të drejtë të zgjedhësh, nëse vjen apo s’vjen në emision… Si bëj unë politikanët kështu si do ti…
Fatos Lubonja: Ai është militant, unë jam gazetar. Unë tentoj që të bëj debat, ai s’më le.
Blendi Fevziu: Po mirë atëherë thuaj që nuk vij me politikanë, por thuaj që vij vetëm me gazetarë. Edhe kur është gazetarë thua s’vij se ata janë palë… Kjo s’mbaron kurrë…
Fatos Lubonja: Po palë pra… Se i pari je ti që je palë…
Blendi Fevziu: Me kë do me dalë ti në debat?
Fatos Lubonja: Ore zotëri emisioni ndërtohet…
Blendi Fevziu: Po thuaj emrat… E prish emisionin… Nesër sjell kë do ti. Kë do në debat se e bëj si do ti?
Fatos Lubonja: Ore, varet nga tema kjo… Në temën që ke ti, e kë venë “Topi versus Topalli”. Jam dakord që të sjellësh njerëzit që kërkon ti, por unë si gazetar kërkoj që të mos të bëj polemikun…
Blendi Fevziu: Të mos marr politikan?
Fatos Lubonja: Jo more zotëri, ti ndërtoje…
Blendi Fevziu: Çfarë, si? T’iu them njerëzve që flisni si do Lubonja?
Fatos Lubonja: Bamir Topi ka qenë më i moderuar se të gjithë këta, për shembull, me të gjithë mëkatet që mund të ketë. Ka qenë më i moderuar…
Blendi Fevziu e ndërpret: Spote publicitare dhe ndiqnin pjesën e tretë filmike…
(Emisioni nuk rilidhet më me studion)
.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...