2011-11-21

Flamuri i Kosovës

Flamuri i Kosovës është një flamur i verdhë, i bardhë dhe i kaltër me hartën e Kosovës në mes dhe 6 yje lart që prezantojnë 6 komunitetet në Kosovë. Më 17 shkurt 2008 bashkë me pavarësinë u zgjodh edhe flamuri i Kosovës nga Kuvendi i Kosovës.



Historia

Deri më 17 shkurt 2008 në Kosovë u përdor Flamuri i Shqipërisë. Më 2007 në Prishtinë pati një ekspozitë më temën "Flamuri i Kosovës". Për flamurin e Kosovës ka pasur shumë propozime, ndër të tjerë nga LDK-ja dhe Joseph DioGuardi. Diskutimet për flamurin e Kosovës filluan paralelisht me diskutimin për statusin e Kosovës.

Dizajnuesi i flamurit është Muhamer Ibrahimi, që është njëkohësisht dhe ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



Përshkrimi

Flamuri i Kosovës është një flamur i verdhë, i bardhë dhe i kaltër me hartën e Kosovës në mes dhe 6 yje lart që prezentojnë 6 komunitetet në Kosovë. Më 17 shkurt të vitit 2008 bashkë me pavarësinë u zgjodh edhe flamuri i Kosovës nga Parlamenti.


Stema e Kosovës


Stema e Kosovës është simbol i Republikës së Kosovës i cili publikisht u paraqit për herë të parë në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Gjashtë yje të bardha në hark mbi formën e artë të Kosovës të parë në një hartë të zakonshme, të vendosur në një mburojë në formë të trekëndëshit të rrumbullakët në një fushë të kaltër të rrethuar me të artë.

Bisedë me artistin e mirënjohur z.Robert Aliaj Dragot

(Në fëmijëri fillova të kisha frikë nga ëndrrat e mia se mos bëhesha një viktimë e paragjykimeve të kohës, simbas së cilës të ëndërroje do të thoshte të ishe budalla)…

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Z.Robert Aliaj Dragot është artist i shquar dhe me një karierë shumë të suksesshme. 
Ai ka realizuar një sërë ekspozitash që gjenden të publikuara si në koleksione private ashtu dhe në galeritë publike në kontinentin e Europës dhe të Amerikës.
Si këngëtar është njohur qysh në vitet 80-90 dhe ka pasur sukses të merituar në muziken e lehtë.

Z.Dragoti diçka nga fëmijëria, kur keni filluar të pikturoni dhe cila është piktura e parë?

Për fëmijërinë unë nuk besoj se kam diçka të veçantë për të thënë, sepse fëmijëria e secilit është e rëndësishme dhe e veçantë.  Secili ka perceptimin e vet për gjërat e fëmijërinë e tij dhe duke qenë se fëmijëria është direkt e lidhur me nostalgjinë, unë mendoj se ne përpiqemi shumë ta mitizojmë pak të kaluarën, t'i japim vlera dhe në këtë kuptim them që ka vlera e kaluara e secilit, sepse lidhet dhe me ekzistencën e tij.  Sa i përket fëmijërisë sime, të gjitha gjërat që përjetohen nga fëmijët e sotëm, unë i kam përjetuar në mënyrë virtuale, pavarësisht se termi virtual nuk ekzistonte, po e etiketoj tani, domethënë ëndërroja shpesh.  Fillova të kisha frikë nga ëndrrat e mia se mos bëhesha një viktimë edhe do të zbulonin që unë isha budalla sepse po ëndërroja, ishte e tmerrshme, këtë gjë e mbaj mënd sepse ishte një stres që më mundonte mua, dhe nuk duhej të tregoja që ëndërroja.  Unë i fshihja ëndrrat e mia.  Po në fakt tradhtoja veten, sepse gjithmonë flisja për të njëjtat gjëra që ëndërroja.

Mund të na flisni për ekspozitat vetjake dhe në cilat galeri në botë janë bërë pronë e tyre?

Është tepër e vështirë të flas për ekspozitat e mia ndër vite sepse janë të panumërta, aq më keq pastaj për destinacionin e tablove të mia.  Shumica e veprave janë bërë pronë e koleksionistëve dhe muzeumeve në mbarë botën, shumë të tjera janë bërë pronë e amatorëve të artit etc.  Nje përgjigje të mirë të kësaj pyetje do ta gjeni ne faqen time zyrtare:http://www.dragot.be/

Artistët shqiptarë nuk i trajtojnë aq sa duhet fenomenet sociale, cili është mendimi juaj për këtë?

Korrupsioni në Shqipëri është si një sëmundje paludike, një nga format më perverse dhe me të egra të korrupsionit, gjë e cila e bën problematikën sociale akoma më të mprehtë dhe serioze, dhe që normalisht do ta kish ndezur frymën dhe shpirtin e revoltës tek artistët shqiptarë.  Qëndrimi i çuditshëm i artistëve gjatë këtyre 20 vjetëve, ka kontribuar, siç e thekson edhe z. Qosja, në dëmtimin e substancës kulturore dhe kombëtare.  Sa e zakonshme është të mendosh se artistët janë të pakompromentueshëm, anti konformistë, idealistë etj.  E keqja është se në Shqipëri ata janë të parët që përshtaten, korruptohen për pak, servilosen shumë, bëhen pre e lojës së politikanëve, prostituohen, këndojnë në mitingje politike për interesat politike të njërës ose tjetrës palë, nuk ka rëndësi për cilën, mjafton të pagohen (kam parasysh këtu muzikantët)!  Ku janë ata artistë që në aktivitetin e tyre artistik do të vinin me një mesazh dhe një angazhim e sensibilizim karshi problematikës politike e sociale të kohës.  Është urgjente dhe e nevojshme të kuptohet nevoja e ndryshimit radikal të nocionit se për çfarë mund të flitet dhe ç’mund të bëhet me muzikën.  Jetojmë në një epokë ku duhej t’i kishim sfumuar kufijtë  midis të  qënit aktivist dhe artist. Nuk është ideja të bëjmë art politik, por të aplikojmë një mendim dhe praktike kreative, që do të pasqyronte dhe do të denonconte realitetin politiko-social, duke e sensibilizuar publikun.
Por asgjë  e re nga fronti i Perë ndimit.  Institucionet artistike janë nën dominimin e artistëve mediokër e servilë të vënë në shërbim të partive, kjo më ben të besoj se ne  vazhdojmë me praktika të vjetra.
Le t’i referohemi  këngës shqiptare për arsye të influencës që ka ajo si medium artistik në publikun e gjërë; asnje gjurmë përpjekjeje nga muzikantët shqiptarë për t’i sjellë brezit të ri dhe progresiv me zërin e tyre, shpirtin protestues, e për ta bërë këtë shpirt proteste një standard në  muzikë.  Do të ishte një emergjencë në këtë fushë për të kuptuar se si do të duhej të funksiononte muzika si mjet proteste masive në një realitet të tillë te mprehte.  Jemi shumë larg shpirtit politik e artistik radikal rebelues në muzikë. Duket sikur askush nga ata të cilët e kanë perjetuar tmerrin e diktaturës nuk kanë mundur t’jua trashegojnë brezit të ardhshëm shpirtin rebelues të revoltës.
Të shprehësh me gjuhë artistike është forma më e mirë për të thënë atë që të preokupon, çka të indinjon e të revolton. Protesta shprehet nëpërmjet formave të ndryshme artistike, si novelës, arteve figurative e vizuale, por mënyra e të protestuarit nëpërmjet muzikës është më e veçanta dhe që është konsideruar si një formë protestimi masiv kulturor, për arsye se muzika, si medium, melodia tingulli ka një forcë  të fuqishme sugjestionuese e komunikative, prandaj edhe është përdorur si formë efikase protestuese në çdo kulturë botërore, mbasi çdo vend në një moment të caktuar ka përjetuar rrezikun e diktaturës e të korrupsionit.  Muzika është një medium jashtëzakonisht i asimilueshëm nga masa, prandaj mund të themi se kënga është një lloj forme e gjetur e protestimit artistik në të gjitha kontekstet kulturore.  Artistët shqiptarë janë produkte të një shoqërie që trashëgon plagë të dhimbshme nga e kaluara, plagë të cilat janë ridimensionuar në një kontekst të ri socio-politik, dhe si të tille, është e çuditshme se si ata pajtohen me realitetin dhe nuk shprehin në muzikën e tyre asnjë lloj revolte ndaj problematikës së kohës, gjë për të cilën arti-kenga do t’u vinte në ndihmë.
Arti protestues nuk mund të mbështetet nga investitorët, bankierët, politikanët e korruptuar etj, por nga vetë masa, nga vetë artistët të cilët duhet të ëndërrojnë për më tepër se sa mizerabiliteti.  Ka një arsye për të protestuar, qoftë edhe në kopshtin e Edenit.
Ky vend na takon neve, ai është i juaji, ai është i imi, ai nuk i takon askujt tjetër, as zotit, as pushtetarëve, askujt, na takon neve.

Si e realizoni nuditetin në pikturat tuaja të cilat zënë një vend të konsiderueshëm në ekspozitat e hapura dhe si janë pritur ato nga publiku, a e kanë sugjestionuar atë?

Nuditeti ka qënë një nga shqetësimet e mia të hershme, si i tillë ka zënë një vënd në krijimtarinë time, por nuk jam i sigurtë për rëndësinë që unë i kushtoj, sepse në punët e mia nudo nuk përbënte në vetëvete një kërkesë, ishte thjesht një pretekst. Nudot në veprat e mia jane përdorur në vartësi të idesë.  Natyrisht që në fillimet e mia kam piktura nudo dhe arsyeja e parë që unë bëja piktura të tilla kur isha më i ri, ishte për të parë një femër lakuriq…. perceptimi im fëminor për femrat ishte dy cica me dy këmbë, sepse kështu më dukeshin në fillim femrat mua. Më pas zbulova më tepër, por asnjëherë të gjitha.  Domethënë piktura ishte një lloj preteksti.  Në ato perpjekjet e mia si piktor unë kurrë nuk arrija që të përfundoja një tablo nudo, kjo më ndodhte në të gjitha rastet.  Doja që ligjet e gravitetit të mos funksiononin tek gratë ashtu si tek burrat.  Kështu më dukeshin në imagjinatën time infantile të paprekshme, më magjike, të adhurueshme. Nudot unë nuk arrij t’i përfundoj dot as sot e kësaj dite.  Mbeta i tillë.

Gjithmonë më ka bërë pershtypje mbiemri juaj Dragoti, emër që më ngacmon fuqishëm ngase është shumë pranë vendit tim të lindjes Tepelenës dhe Mezhgoranit, të cilat më parë jane quajtur Derven, keni lidhje me këtë fshat nga më piktoresket ku pranë tij gurgullon lumi Vjosa dhe në se po, keni ndonjë realizim pikture për Dragotin?

Është Origjina e largët e familjes sime.

Duke qenë një artist shumëdimensional le të hidhemi tek repertori i këngës suaj, pasi zërin tuaj të dashur e kemi ndjerë qysh në vitet 80-të, çfarë do të kujtonit nga festivalet shqiptare të atyre viteve?

Festivalet e atyre viteve ndryshojnë shumë me ato të sotmet.  Për ne ishte shumë e rëndësishme të këndonim dhe arsyeja e vetme që na orientonte drejt skenës ishte pasioni. Sot gjërat kanë ndryshuar për keq, sepse paraja e mbyti arsyen, pra te këndosh në festival sot është çështje parash dhe jo pasioni.  Bile sot këndon po të kesh para si kriter fillestar për ti dyfishuar ato më pas.

Kohët e fundit ju keni dalë para publikut me klipin “Vende me parfum”, për të cilën ka mendime nga më të ndryshmet, pasi fabula që ju keni zgjedhur ka orgjinë brenda, pse zgjodhët këtë lloj fabule?

Nuk është orgjia ajo që mua më shqetëson, por është fakti që gjërat shikohen gjithmonë, për të provokuar dhe ka një lloj banalizimi të historive.  Si të thuash ajo që më shokon në këtë histori është keqinformimi në maksimum nga mediat shqiptare, nga të gjitha sferat qoftë politike, sociale ekonomike, kulturore.  Ka një rendje mbas sensacionit mbas gënjeshtrës të organizuar mirë në Shqipëri me media, edhe me sa duket kjo edhe pëlqehet nga masa.  Këtë ta them edhe sepse thjesht impresioni viziv që më le një dyqan gazetash, është i tillë, të gjitha janë të stilit gossip.  Të gjitha kanë një banalitet, edhe revistat dhe gazetat shqiptare në faqe te parë dhe në brendësi të tyre kanë vetëm banalitete dhe kuriozitete për njerëz shumë banal, të cilët quhen Vip.  Për mua është një moment kritik ku duhet të themi SOS.  Duhet të ndalojmë dhe ta shohim realitetin ndryshe.  Ka në Tiranë dhe në Shqipëri njerëz shumë interesantë të fushave të ndryshme, të cilët kanë gjëra interesante për të thënë, më edukative, më të guximshme dhe që s'janë aspak ekzibicionist, s'janë njerëz që duan të flasin për t'u dukur.  Janë njerëz që kanë një mendim pozitiv dhe një mendim i cili mund të funksionojë, mund ta bëjë shoqërinë shqiptare të ri-startojë me një ritëm më europian sepse jemi jashtëzakonisht të prapambetur.  Kurse për fabulën “Vende me Parfum” janë ato vënde ku dikush kërkon të prehet gjatë, i ngjan proçesit të krijimit.  Në proçesin krijues momentet të cilat përjetohen fuqishëm dhe që ja vlen ti analizosh janë ato gjatë së cilës ti je i angazhuar të sjellësh në jetë një vepër, sepse është ky moment sa magjik aq dhe i vështirë, në të cilin ti komunikon dhe jeton me të.  Aq më tepër, në rastin e një kënge e cila të përket vetëm gjatë këtij proçesi.  Më pas ajo nuk është më e jotja, i përket nga pak minuta secilit.  E parë në këtë perspectivë, marrëdhënia me këngën është një incest, krijuesi kërkon të ketë lidhje me krijesën e tij.  Por kënga është një lavire e denjë që vagabondohet si bletë në zemrat e mijërave njerëzve, i pllenon ata me kënaqësinë që dhuron dhe si një cigane e bukur pushon atje ku e zë nata. Eshtë nje kurvë që kerkon të kurvërojë dha atin e saj. Kurse vajzat në videoklip nuk jane fare nudo. Po të ishin të tilla ndoshta do filloja ti pikturoja, ashtu siç di une. Është një moment ku në këngë thuhet ajo që nuk duhet të thuhet, por të nënkuptohet:  “Çfarë ndodhi?” …Dhe atë “çfarë ndodhi” duhet ta zbuloni ju gazetarët.  Edhe dëgjuesit po të duan mund të zbulojnë atë që ndodhi nëqoftëse kanë kuriozitet të mjaftueshëm. Mund të them se gjithçka që ndodhi, ndodhi aty.

Ju jeni vlerësuar në botë nga shumë kritike dhe historianë arti, a mendoni se arti juaj ka ndikuar në imazhin e Shqipërisë?

Është e thjeshte të krijohet një mendim negativ nëpërmjet shumë pak veprimeve të papërgjegjshme të ndonjë keqbërësi që pastaj shfrytëzohet dhe pompohet nga mediat e huaja për te shkatërruar imazhin e shqiptarëve.  Aq më i vështire bëhet misioni ynë si artistë në këtë realitet ku lipset për të thyer stereotipin e propaganduar të një kulture të paspikatur të një vendi ku mbretëron kaosi dhe korrupsioni.  Kësaj çështje i shërben çdo lloj kontributi artistik e kulturor, në veçanti ai i artistëve me karierë dhe reputacion ndërkombëtar.  Në kontekstin dhe në kuadrin e globalizimit që nënkupton integrimin e kulturave të ndryshme në qytetërimin botëror, në kuadrin e një Evrope të Bashkuar dhe pa kufij, kur më shumë se kurrë u jepet prioritet njohjes dhe prezantimit të kulturave më të vogla, prezantimi i kulturës shqiptare merr një rëndësi të veçantë për ta bërë atë të njohur dhe më të pranishme në Botë.

Ju keni qenë drejtor dhe ideatori i festivalit mbarëkombëtar të filmit të shkurtër që prodhohet vetëm në dy ditë, si e realizuat këtë aktivetet madhor dhe a jeni takuar me regjisorët Rupert dhe Langston të cilët janë prezantuesit kryesor në këtë fenomen global, që u realizua në Washington?

Edicioni i parë i “Tirana 48 Hour Film Project 2010”, me suksesin që pati, konfirmoi pretendimet tona se ishte një angazhim dinjitoz me rezultate të konsiderueshme.  U krijuan 28 grupe filmike, finalizuam me sukses 16 filma të rinj, ku spikatën mjaft talente të reja, u angazhuan 200 kineastë; regjizorë, producentë, actorë, skenaristë, kameramanë etj. Filmi fitues i edicionit të parë “Çifti i Lumtur”, një eksperimentim në zhanrin e filmit mockumentary, do të konkuronte më 11-12 mars në Festivalin Ndërkombëtar të filmit “Filmapaloza” në Miami, nga ku, 14 nga filmat më të mirë të 80 vendeve, do të vazhdonin udhëtimin e tyre për në Festivalin e Kanës, në një program special.
“TIRANA 48 Hour Film Project” është një fenomen kulturor botëror dhe një institucion internacional, që organizohet në 100 qytete të botës me një sukses të jashtëzakonshëm, duke ju ofruar kineastëve të rinj dhe të talentuar mundësinë për t’u shprehur në fushën e kinematografisë, duke ju siguruar vizibilitetin botëror dhe lidhje me festivalet më prestigjoze të filmit në botë, si Festivali i Cannes, ku madje fituesit në shkallë ndërkombëtare do të prezantohen në një seksion të veçantë.

Ju faleminderit z.Dragoti dhe ju urojmë suksese të mëtejshme!

Ju faleminderit juve zonja Zylo!
 
 
 
 2011, New Yok

PËR SHKAK TË MËRISË

KRISTAQ TURTULLI

  PËR SHKAK TË MËRISË

Për shkak të mërisë
Ndaj varferisë.
Iku udhës së poshtme.
Kanati i deres u perplas me zhurme.
Floket e verdhe i qene mbeshtjelle me shamine e brymte.
Nuk dëgjoi kur iu lutën, i thirrën të qëndronte.
Nuk kish më përflakje të gjetheve,
Por veçse degë të thata dhe trungje.

Buzembrëmja dimërore
U mbështet në patericat e ngrëna.
Thërrmoi qetesisht sekonda dhe minuta.
Plaka fqinjë shkuli faqet e rrudhura
Dhe me zhurmë shkundi teshat e vjetra.
Era e paduruar cimbiste rrugicat e ngushta.

Me vrundull bërrylin ktheu 
Iku.
Në sy kish rrëmbushje shiu.
Me thikë marrazi çdo fjalë preu.

Si një kartolinë e vjetër bardhë e zi
Buzëqeshja në pasqyrë e ngrirë i ngeli .

Të lutem, mos shko, dëgjonte pas të nënës pëshpërimë.
Pa buke nuk jem,i i kemi dy pensione.
I ati godiste bastunin ne dysheme.

Për shkak të mërisë
Ndaj varferise
Nga syte kembet,
Iku,
Shtepia kerciste, ish vjetersire...
Harroi të mblidhte në shami bekimin e nënës,
Si thërrimet e bukës.
Të mbushte xhepat me frymën e ngrohtë të shtëpisë.
Të merrte me vete disa ndërresa të vajzërisë
Fotografinë e vogel me gërsheta të fëmijërisë
Dhe arushin e bardhe.

Iku për shkak...
Dritarja e dhimbjes
hapur mbeti, pas,
Mbështjellë me mugëtirë.

Iku
Drejt shtegut te joshjeve dhe mistereve.
Mërmërimat treteshin monopateve
Nën zhurmërimën e karthjeve,
 Nën lojën e verbër të hijeve.
Si e verbër nuk shihte ku shkelte.
Vraponte.

Ujqit pritë i kishin zënë.
Te veshur me kostume dhe frakë. 
Me thonj duke çjerrë
Xixëllonjat e natës
Dhe yllin e bardhe.

Iku dhe la gjurmë,
Udhës së fundme.
Nata shkundej,
Vajtueshëm varej
Në dhembët e ujkonjës.

Mbuluar me kristale bore
 Vërtitej si kokete në parmakët e misterit.

Krihej në zbehtësinë e hënës.
Lahej në lagështinë e rreme të ëndrrës.
Pas orgjisë se mesnatës.

 E mërdhirë prej ftohtësisë.
 E lodhur ndaj mërisë,
Ktheu koken pas.
Ishte mjegullinë.
Në pellgjet e rrugës
Atje ku hena dhembet zberdhte
Pa shëmbëllimin e një plake.

Me 20 nëntor kujtojmë përvjetorin e lindjes së dom Ndre Mjedës (1866-1937)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

(Foto e Komistionit te Alfabetit Manastir 1908. Dom Ndre Mjada ne rreshtin e pare me numer 5)

Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë Dom Ndre Mjedën në 145 vjetorin e ditëlindjes.

Meshtari, Poeti e gjuhëtari i madh, që mbeti në kujtesën e popullit si këngëtari i “Bylbylit në kafaz”, i “Rinisë” e i “Andrrës së jetës”, një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, u lind në Shkodër, më 20 nëntor 1866, për t’u përshkuar pastaj tërë jetën nëpër rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë të Spanjës; nga Kraljevica e Jugosllavisë në Chieri të Italisë, nga Krakovia e Polonisë në vendlindje e në fshatin Kukel. Shumë e njohur është veprimtaria e Mjedës, që nuk bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe.

Në veprën “Jezuitët Martirë në Shqipëri” botuar pak vjet më parë nën kujdesin e Jezuitit italian Atë Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë Mjedja do të shkumbëzonte nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike e tomistike, teologjike e filozofike”.(“Gesuiti Martiri in Albania”, Cusano Milanino, Febbraio, 1966, fq. 45)
Prandaj duke e përkujtuar sot në përvjetorin e 145- të të ditëlindjes, po vemë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura, ato fetare.

Ndonëse shumica e veprave fetare të Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me plot gojën se me to Meshtari dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe.

Ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shêjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç, “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927: “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes.

Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”. Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga”, Projsi i pergjithtë i moshës së re.
Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shêjte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor e atë të kultivuar njëherit. Vepër e Mjedës është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur të uratëve, apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët.

Duke lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedës së madh, ndjejmë gati gati po atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike. Në kohën tonë kur libra si të Mjedës janë tepër të rrallë, kur Kisha ka aq nevojë për kryevepra fetare e kur nuk ka mujtë me nxjerrë ende nga gjiri i vet një Mjedë a një Fishtë, për shkak të viteve të shkatërrimit të madh, mendojmë se do të ishte mirë të ribotoheshin veprat më të realizuara të traditës, si bie fjala “Shë Luigj Gonazaga” ose “Historia Shêjte”, shkruar me dorë mjeshtri, artisti e shkencëtari, vepra që do të zgjonin interesimin e jashtzakonshëm që ka treguar e tregon besimtarët e posaçërisht rinia katolike shqiptare për Kishën e për figurat e saj të mëdha. (Radio Vatikani)

Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare. Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do t’i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare. Në formimin e personalitetit të mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë. Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi “Vaji i bylbylit”, një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite.

Ai iu kushtua me një zjarr çështjes kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore. Themeloi shoqërinë kulturore “Agimi”. Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështjë të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin “I tretuni”).
Edhe pas kësaj, poeti nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare, qoftë në fushën letrare, qoftë në fushën gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin e hovit të madh të lëvizjes atdhetare si edhe të kontaktit të përditshëm me jetën e fshatarëve, lindën krijimet e tij më të mira.
Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e gjendjes së popullit. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme “Liria” e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.
Në të vërtetë, që këtej e tutje, ai do t’i kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore. Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin “Juvenilja” krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s’kishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare.
Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin “Liria”.

Fotoja e çuditshme, ndërron imazhet automatikisht


 
 
 
 
Një video hipnotizuese me imazhe krijon idenë e një fotoje e cila përmban fytyra njerëzish që janë vazhdimisht në lëvizje e sipër. 
Një foto e gjallë njësoj si një video. Amalgami i krijuar nga një ekspert grafike nga Franca i quajtur Micael Reynaud po shndërrohet në një hit në internet. 
 
Fotot që ndodhen brenda kësaj “video-fotoje” janë bardh e zi. 
 
Imazhi GIF është kompresuar nga disa imazhe të ndryshme që janë pjesë e një videoje 1 minutë e 24 sekonda.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...