2012-01-17

Zenun Gjocaj: Kosova në vargjet e poetëve kurveleshas





Në përmbledhjen e poezive “Fusha e flamurit”, edhe kurveleshasit kanë shprehur botën e tyre të ndjeshme poetike për Kosovën në disa periudha kohore, duke filluar që nga viti 1959, që nga poezia e Çobo Skënderit: (“Ligjërimi i Shotës”, f.  40) Vepra ngërthen tema ndër më të ndryshmet për Kosovën martire, një spektër të gjerë temash e motivesh dhe një gamë të pasur ndjenjash dhe reagimesh emocionale, si dhembja dhe krenaria për të kaluarën e saj, heroizmi dhe trimëria që lidhet me etnopsikologjinë dhe traditën luftarake të kosovarëve e pjesëmarrësve nga të gjitha viset etnike etj. Në vargjet e tyre gjithçka që i përket çlirimit të Kosovës bëhet objekt frymëzimi, që nga historia e kombit, deri te lufta e fundit e pavarësia e saj.
Ndërkaq, individualiteti poetik i secilit nga këta poetë bëhet më i qartë dhe më i sigurt, kurse poezia e tyre ku e ku fiton një gjerësi dhe thellësi më të madhe, një rrjedhë më të gjerë të frymëmarrjes poetike, varësisht nga forca e frymëzimit.>>>
Parimi bazë krijues i poetëve kurveleshas për Kosovën është shërimi i saj, me intonim të theksuar lirik, pos tjerash, krenaria për Kosovën e luftëtarët e saj të pendës, pushkës e tingujve (Agim Shehu), kushtrimi e krenaria për dëshmorët – karafilat e kuq kosovarë (Çobo Skënderi, Halil Qëndro), pjesëmarrja e Shqipërisë perëndimore në luftën çlirimtare të fundit për liri (Dilaver Goxhaj), ekzodi biblik (Daut Gumeni), përafrimi shpirtëror e kombëtar i skajeve etnike, me gjithë copëtimin tokësor (Ibrahim Gani), mozaiku i përgjakur  si pasojë e martirizimit të egër masakrues (Ilir Balili, Martin Cukalla), copëtimi fizik i etnisë (Lirim Deda, Sulejman Mato), portretizimi i figurave luftarake e intelektuale, si dhe mynxyra që pllakosi Kosovën (Martin Cukalla)
Për poetët e Kurveleshit,: Kosova është metaforë e thellë:


 “Flamuri i kuq me fytyrën e shkabës
origjina e saktë e nënës dhe babes.
(Ilir Balili).
Përmes vargjeve poetike të kësaj përmbledhje poetike frymon Kosova herë e djegur, herë e plagosur, herë e vrarë “një zi e pafund malësi varresh, ku lulet pikojnë gjak e ku poeti kishte hyrë në vendin bosh  të zemrës së tij (A. Shehu, “Udhë në Kosovë”)
Aty-këtu  ata përpiqen t’i shërojnë plagët dhe gabimet e historisë, dhembjet dhe plagët e luftës, traumat kombëtare, si dhe të lëshojnë zëra kushtrimi për luftë të vendosur deri në fitore. Në këto poezi ku e ku shpaloset metafora e mendësisë etnike, e shkrirë në tërësinë e saj, të përthyer nëpër fate shekujsh.
Në atmosferën dramatike të fatit kombëtar shfletohet stuhia simbolike e historisë kombëtare, përcjellë me shtërgata të vogla e të mëdha, si një dramë tronditëse që përsëritet shpesh ndër shekuj. Ndërkaq, liria e projektuar që nga lashtësia në gjakimet e brezave ka dale në betejë duke e qitur veten në rreziqe.
Përgjithësisht, në vepër janë një tufë temash e poezish të përafëruara rreth një plage të madhe etnike, poetizuar nga një tematikë të përbashkët me këndvështrime të ndryshme, varësisht nga koncepti, rrethanat e pikëpamjet poetike.
Tematika kryesore e kësaj përmbledhje poetike është Kosova dje e plagosur, e përgjakur, e masakruar, me shumicën të dëbuar e të tjerët si cjapi te kasapi,.. siç thotë poeti, Halil Qendro “si varrezë e hapur, ku vrasësit e kanë frikë vdekjen e tyre  Në kontekstin etnik Kosova me viset e tjera të robëruara nën ish-Jugosllavi poetikisht kundrohet si dy kokat e shqiponjës në flamur, që iu jep përgjigje të huajve për çudinë e tyre:
 “E si mund të kem unë vetëm një kokë
gjersa trupi im qëndron akoma i ndarë më dysh?!”
 (Lirim Deda, 78).
Ndërkaq, harta e Kosovës
“në pranverë – gjethe panje
e grirë me plumba…
që poetin e ndihmoi fati
ta përqafojë Kosovën natën
për të mos ia parë
të gjitha plagët.
                (Daut Gumeni f. 54-5/
Megjithatë, nga poezitë e kurveleshasve, del se Kosova i ka rrënjët e thella që nga Iliria e Teutës dhe e Agronit, që nuk mundën ta përkulin ndër shekuj as furtunat heleno-sllave, andaj ndarja e dhunshme fizike e shqiptarëve nga kancelaritë diplomatike, nuk arriti dot ndër shekuj t’ia ndërrojë lidhjen gjenetike.
Në poezi të kësaj përmbledhje defilojnë trima e koka të mençura të mbarë hapësirës kombëtare, që nga Skënderbeu, Abdyl Frashëri, I. Boletini, Mehmet Pashë Deralla, A. Frashëri, Xheladin Beqiri, A. e Sh. Galica,, Gjoleka, Jusuf Gërvalla, Indrit Cara, Zahir Pajaziti, R. Qosja, A. Demaçi, deri te Adem Jashari, të cilët në një mënyrë a një tjetër e siguruan lirinë edhe të një pjese etnike.
                Poetët i preokupon edhe copëtimi i territoreve etnike që lane pasoja të rënda kombëtare. Dashuria dhe dëshira për bashkim është skalitur me emocione poetike: 
                 “Jam në jug dhe në veri
                Shqipëria – dritë në sy. 
                Unë jam kosovari lab,
                 i përkundur në dy djepe
                djepi im në mes i prerë
                njëra pjesë në Kurvelesh
                pjesa tjetër në Preshevë”
                                                (Ibrahim Gani, “Zogu i mallit” 91) 
                Në këtë kontekst, vepra përshkohet nga dy lidhje veri-jugore:
                1. e brendshme -  Kosova e Labëria – që i lidh një hap, por edhe
                2. e  jashtme: thikë në shpinë, që lidhi Beograd – Athinë dhe që e kafshojnë shqipërinë etnike .(Agim Shehu, “Baladë lirie e Kosovës”)
                Në këto poezi pak vend zë vajtimi për Kosovën (Ilir Balili, Martin Cukalla etj.), por dominojnë vargjet e kushtrimit, fjalë të zgjedhura me figuracion të pasur stilistik që burojnë nga thellësitë e shpirtit për dëshmorët:
Gjaku ynë u zgjua
s’ka të vdekur (Daut Gumeni), sidomos poezitë e Çobo Skënderit, D. Goxhajt, i cili e njohu nga afër frymëmarrjen dhe idealet e Kosovës si epror, strateg e luftëtar. Pos tjerash, ai shquhet për diskurs të thjeshtë të ndërtimit të vargut, por për një botë të fuqishme emocionale.
                Një pjesë poezish, në tërësi apo pjesërisht, shpreh entuziazmin për dëshmorët, duke filluar që nga A. Galica e lidhur me vokacion të hershëm (Çobo Skënderi). Amaneti i A. Galicës, “Ta lidhim besën si dikur” (42), varg që pat përshkuar shekujt, zemrat, betejat, skajet etnike, idealet, heroizmat.                 “Vargu i këngës çdo zemër ndez
     ka për diell nënën Shqipëri”
                                                Halil Qendro: Karafilat e kuq – …qiejt e zemrës  /1981/
Një kodër e butë / e mbjellë me liri  (te Jasharët, pos tjerësh, pushon A. Jashari, “flakadan i sacrifices / Vrana Konti i Drenicës” (D.Goxhaj,  57)
Ekzodi i madh. i kosovarëve gjatë luftës trajtohet në poezitë: “Mbushur malet” dhe “Zonjë e nderuar (Martin Cukalla), “Mikpritje shqiptare” (H. Qendro); “Në kufi të dy shteteve” /S. Mato/
Me gjithë këto fatkeqësi që e kanë kafshuar Kosovën, përgjithësisht shqiptarinë, poetët e kësaj përmbledhje poezish, si shumë poetë, prozatorë e dramaturge të traditës shekullore, nuk e kanë lënë pas dore motivin e shpresës për bashkim etnik, si romanet “Sikur të isha djalë” (H. Stërmilli), “Lumi i vdekur” (J. Xoxa), “Malësorja” (N. Rrahmani), poezia “Rriti nëna dy vasha shqiptare” (J. Ceraja) etj. Kështu edhe në poezitë e Sulejman Matos:
“Janë dy male
poshtë tyre kalon një lumë…
i përbashkët i jetës së tyre
dhe do takohen bashkë
të gjallë dhe të vdekur
dhe do të fërkojnë sytë:
“Sa shumë kemi fjetur” 
                “Kjo përmbledhje poetike e kurveleshasve është një mesazh vëllazëror për Kosovën kreshnike, tanimë sovrane, fitimtare, ballndritur e lavdiplote, që ecën në udhën e fitoreve të reja.” /S. Mato/
Shquhen aty poezitë e simbolit kontekstual, ku bie në sy prirja për pushtimin e hapësirave të reja krijuese, apo për zbulimin e këndeve të reja të vrojtimit për Kosovën, si dhe gërshetimi i trashëgimisë poetike me novatorizmin, përdorimi i shpeshtë i figurave stilitike, si: krahasimi, metafora, epiteti, enumeracioni, anafora, apostrofa, pyetjet retorike etj., rritja e vetëdijes dhe e përgjegjësisë së tyre estetike, shpehja e entuziazmit të matur, pakënaqësia ndaj realitetit të hidhur, e stolisur me lirizëm ku e ku të tjerrë e të thelluar me mjeshtri.

Ahmet Qeriqi: “Bjeshka e namun”, një roman i shkrimtarit, Martin Cukalla, që pasuron prozën e sotme, realiste, shqiptare





Në romanin  “Bjeshka e namun”, poeti tashmë i mirënjohur dhe prozatori, që premton shumë,  Martin Cukalla trajton me realizëm ndodhi të jetës së njerëzve në Shqipërinë e sotme, e cila ka ngelur  në udhëkryq, duke mallkuar dhe duke prishur të kaluarën, por ende pa ndërtuar një sistem të qëndrueshëm vlerash, në rrugëtim drejt së  ardhmes. Shqipëria sot është bërë pre e mujsharëve të politikës, ku me një anë shfaqet  luksi e shfrenimi pa fre, ndërsa në anën tjetër shumica dërrmuese e shqiptarëve bën një jetë me halle e derte, një jetë që ka dalë nga binarët, por edhe nga tradita e njerëzisë shekullore, dhe nuk bëhet dot zap, as mund të mëkëmbet lehtë, meqë Shqipëria tashmë ndodhet e ndarë, e përçarë politikisht, me klane mafioze dhe e shkapërderdhur si mos më keq.
Duke qenë njohës shumë i mirë i realitetit aktual dhe i së kaluarës në Shqipëri, Martin Cukalla inxhinieri i minierave, vrojtuesi i hollë i fenomeneve të jetës, por edhe i  gurit e dheut, ka arritur që në romanin e tij “Bjeshka e namun” të na japë një pasqyre besnike, realiste, të plagëve me të cilat po jeton sot shqiptari, i cili bën përpjekje  të jetojë ashtu si mundet, ashtu si di, apo ashtu sikur e mësojnë dhe  pastaj edhe e viktimizojnë të tjerët.

Në rrugën e tyre për të mbijetuar, inxhinierët me përvojë, Shkëlzen Boriçi e Sulo Shkëmbi, disa vjet më vonë pas rënies së regjimit komunist kthehen në minierën e dikurshme në krahinën e Matit, ku kishin punuar për shumë vite. Ata kishin marrë paraprakisht me vete lejen e shfrytëzimit të një miniere nga Qeveria, por në kontakt me realitetin ekzistues, në malet ku ndodhen minierat, ballafaqohen jo vetëm me vështirësi subjektive, por edhe me një regjim tjetër, me regjimin virulent të  bandave të maskuara, të cilat veprojnë për interesat e bosëve të tyre, në Tiranë. Edhe pse të ballafaquar drejtpërdrejt me dhunën, ata nuk zmbrapsen, jo të verbëruar pas interesit material, as nga nostalgjia për të kaluarën, edhe pse ata kishin vendosur të ktheheshin atje ku kishin lënë pjesën më të dashur  të jetës, por me përgjegjësinë e  njerëzve të profesionit dhe këmbënguljen prej idealistësh, për të rihapur minierat, në rrugë ligjore dhe për të filluar punën, e cila do t’ iu sillte fitime atyre dhe minatorëve, që do të punonin në minierë.  Pas shumë e shumë vështirësish dhe konfrontimit me  “pushtetin në hije” dhe mafian e kromit, e cila ekzekuton vendimet që merren diku lartë, përmes njerëzve me maska, Shkëlzeni,  fillimisht plagoset e pastaj edhe vdes duke u ballafaquar me bandat, ndërsa Sulo Shkëmbi më në fund arrin që lejen për shfrytëzimin minierës t’u lë në duar, familjarëve të Shkëlzenit,  minatorëve të dikurshëm, njerëz të thjeshtë, por punëtorë, duke çuar në vend edhe amanetin e shokut të tij.

Kjo është me pak fjali përmbajtja e romanit, i cili është shkruar me kujdes, me një gjuhë të pasur e të latuar me mjete stilistike, dialog diskret dhe rrëfime fragmentare, intriga e sfida, të cilat e mbushin plot jetë tërësinë e rrëfimit.
Ngjarjet shkak-pasojë, që janë inkorporuar në këtë vepër janë mjaft bindëse për lexuesin, sepse të gjitha ato tok përbëjnë konglomeratin e jetës së shoqërisë shqiptare sot, e cila është e mbarsur me shumë të liga e zezona, në një rrugëtim që lë shumë për të dëshiruar, ngjashëm me konstatimin e epikës shqiptare, të përmbledhur me fjalinë kuptimplote: “Shumë po shdrit njaj diell, e pak po nxen”. Autori i romanit është njohës i shkëlqyer i traditës, njohës profesionist i tokës, i minierave dhe i fenomeneve të natyrës, i pajisur edhe me pikëpamje të thella të filozofisë së jetës, të dialektikës së jetës, e cila ka ligjet e veta, të tilla si universumi, të pagabueshme, të dobishme, por edhe ndëshkuese, nëse njeriu ndeshet me to, sidomos nga padituria. Duke përshkruar autopsinë e shoqërisë në rrokullisje, ai mes tjerash konstaton:
“Dolën në dritë e bënë moralin e ditës, ndjenja që ishin kultivuar si rrena e parazitizmi, u bë real agresiviteti që predikohej, njeriu në udhë u vesh si dyqanet bosh, me hekura në dyer e në dritare. Të fortët në grushte, thika, pistolete të vjedhura e me mashtrime zunë qoshet e odës së kuvendit të burrave dhe u fortifikua shkatërrimi...fshati dhe qyteti u kthyen në një xhungël njerëzore në rrokullimë, ci iknin, ca rrëmbenin, ca shkatërruan, ca vrisnin... Të shumtët në uri për bukë e televizor, për një shtëpi të ngrohtë, për një punë e për ca pare, për ca ilaçe e për një diplomë, si të rritur nga dëshpërimi e të rritur në dëshpërim, kërkonin shtegun e shtegun nuk e gjenin...
( Bjeshka e namun, f 158-159.). Si e tillë, jeta njerëzore ndodhet buzë humnerës  dhe gjasat për të bërë kthesë janë mjaft pesimiste, meqë pushteti është jo vetëm i lëvizshëm si peshku, por edhe kur fillon të prishet, prishet nga koka, ndërsa edhe kur plaket, vdes ngadalë, ashtu sikur kali.

Martin Cukalla, në titullin e romanit të tij “Bjeshka e namun” ka përzgjedhur një fragment të kujtesës fataliste dhe mjaft të përhapur të tragjikës, shqiptare. Nama e mallkimi e kanë përcjellë shqiptarin nëpër shekuj, ca nga padituria e tij, ca nga sundimtarët e despotët të huaj e të vetët, ca nga udhëkryqi, në vendin ku kanë gjalluar dhe gjallojnë shqiptarët, në kufirin mes lindjes e perëndimit, mes Evropës dhe Azisë, në vendin  ku ka ndodhur shkizma e krishterimit dhe  ku nga shekulli në shekull  janë vënë përballë ndeshjet  gjithnjë të përgjakura të perandorive, për të  konstatuar më në fund se “Bjeshka e namun nuk është ai mali atje,  por ajo është në shpirtin e njeriut dhe lum kush e flak tutje pa plagosur të tjerët”. ( Bjeshka e namun, f. 246.).

Duke folur për ligësinë dhe nopraninë njerëzore, Frederiku i Madh i Prusisë,  kishte konstatuar, se “shumica njerëzore lind skllave dhe ka frikë vetëm nga djalli dhe ferri. Në mendjen e secilit është ujku i djallëzuar dhe janë të paktë ata, që e mbajnë lidhur në zingjirë”.  Ngjashëm konstaton edhe shkrimtari e poeti, Martin Cukalla në tematikën e këtij romani. Për më tepër, me veset e liga njerëzore, pushtetarët hipokritë kanë krijuar banda të krimit të organizuar dhe të tillët veprojnë kudo ku konsiderojnë se cenohen interesat e tyre. Ata janë mbi ligjin, mbi policinë dhe mbi drejtësinë, sepse janë të lidhur me instancat më të larta të pushtetit, i cili i manipulon dhe i shtrydh për interesat e veta dhe i cili më në fund i likuidon në mënyra të ndryshme.

Në “Bjeshka e namun”, autori me gjuhën e fakteve dhe me mënyrën mjaft të suksesshme të rrëfimit, të lidhjes së pjesëve në tërësinë e kompozicionit ka përmbaruar një vepër, e cila jo vetëm që do të mbetet dëshmi e një kohe të rëndë e kaotike, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe një mallkim dhe stigmatizim i fuqishëm i një rendi, që shkel njeriun, shkel vlerat më sublime të tij dhe, me qëllim të përfitimit e pasurimit, shkatërron gjithçka që i bëhet pengesë.

Romani nuk do të ishte i plotë sikur të mos e kishte të inkorporuar edhe pjesën tjetër të jetës, atë pjesën humane, të shpirtit të njeriut të thjeshtë, i cila ka qenë dhe do të jetë sundimtari i përjetshëm i virtyteve, i burrërisë, besës e nderit, i idealeve fisnike të kësaj bote, i cili duron të gjitha vështirësitë mbi kurriz  por më në fund fiton, ashtu sikur është Durim Kreshniku me njerëzit e tij, pastaj Mjellma etj. Ky segment realist i romanit rikthen besimin e njeriut në vlerat e vërteta njerëzore, në rastin tonë në vlerat tradicionale shqiptare si besa, nderi, burrëria, solidariteti në rast rreziku dhe mikpritja me bujari e zemër të hapur.

Martin Cukalla u lind në Progonat të Tepelenës në vitin 1943. Ka diplomuar në inxhinierinë e minierave, ndërkohë edhe ka punuar në minierat Memaliaj, Bulçizë, Spaç si dhe  si dhe në Ministrinë e Industrisë e të Minierave, Prefekturën Durrës, Institutin e Minierave.. Deri tani ka botuar; Paguaj Yjet, 1995; Zgjimi, 2001;Dridhen qerpikët, 2003; Magji marsi akuarel,2004; Në shtëpinë e detin, 2006; Simfonia e erës,2007;  (Simfonia vantului në gjuhën rumune në vitin 2008, në Bukuresht); Refrene qyteti, 2008;Planeti im, 2009; Në prozë deri ta botuar: Kosova konstruksion, 2005 dhe Bjeshka e namun 2010. Jeton dhe punon në Tiranë.).

Isuf I. Bytyçi: Migjeni, ky uragan





„Tefta Radi:Dokumentari «Migjeni Ky Uragan» mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë patur kontakte me shkrimtarin e madh, të cilët unë i konsideroj dhe si dëshmitarët e fundit të viteve ’30. Po ashtu me ish nxënës të Migjenit, që numërojnë mbi ’90 vite mbi supe. Por edhe personazhe të tjerë si dhe në dëshmitë e trashëgimtarëve të familjes Nikolla, mbesës Angjelina Ceka dhe nipit Gjergj Pero. Mjaft fakte interesante sjellin edhe studiuesit Mojkom Zeqo e Adriatik Kallulli. Një vend të rëndësishëm zënë edhe interpretimet e aktorëve shkodranë Enver Hyseni, Merita Smaja e Paskualina Gruda.“
                                   
Ishte një mbrëmje, e cila u organizua Më rastin e 100 vjetorit të lindjes së poetit  tonë të madh e jetëshkurtër, Millosh Gjergj Nikolla (Migjenit), „ Themelues i Letërsisë Moderne Shqiptare, në Munih të Gjermanisë. Aty u mbajt mbrëmje perkujtimore, nën përkujdesjen e z. Besnik Rama – kryesues i xhamisë shqiptare, i cili e organizoi bashkë edhe me disa shoqata shqiptare këtu në Munih.
Gjesti i z. Rama bën për t`u përshëndetur, për tri arsye: 1. se na e kujtoi poetin e mjerimit, Migjenin dhe veprën e tij kolosale, 2. i bashkoi shqiptarët e të gjitha feve dhe partive, Brenda një amfiteatri dhe çka është shumë më me rëndësi, në këto vitet e fundit, që është duke përjetuar feja Muslimane; fundamentalizëm e ekstremizëm, kudo në botë po ashtu edhe në trojet shqiptare.
Ky, pra z. Besnik Rama, si përfaqësues i fesë Muslimane, pikërisht, organizoi mbrëmje përkujtimore e kulturore për një poet të fesë Krishtere siç ishte poeti ynë, Migjeni, gjë që një fundamentalist, sado pak të jetë, nuk do ta kishte bërë një vepër të tillë aq fisnike. Prandaj, shihet figura e tij prej një fetari modern e mbi të gjitha kombëtar, i cili prioritet e ka Kombin, kulturën,  gjuhën e nënës dhe atdheun.
Edhe në këtë vit,  s`ka filluar aq mirë me festat e fundvitit, këtu në Munih të Germanisë, por megjithatë, jo edhe aq keq, pasi që në  këto ditë u mbajt një mbrëmjë përkujtimore, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së poetit tonë të madh, Migjenit.
Ky tubim u mbajt në lokalet e një spitali ndër më prestigjioze, Klinikum Gros-hadern, në Munih, që ishte një amfiteatër  shumë i  bukur dhe relativisht i madh.
Të pranishëm ishin shumë mysafirë nga Munihu me rrethinë, ishte ambasadori i nderit për Shqipëri, nga Gjermania, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë  e tjpp shumë personalitete tjera të kulturës e politikës shqiptare.
Siç u përmend më lart, organizator kryesor ishte z. Besnik Rama, kryetar  xhamisë shqiptare në Munih, bashë më mbesën ë poetit tonë Migjenit, z. Tefta Tashko - Radi, që nuk mungoi ndihma as e tjetëvë, që vinin nga Shqipëria e poashtu edhe nga shqiptarë, që jëtojnë në Munih, si psh z. Azem Xhema, mërgimtarë dhe aktivist e humanist nga Ferizaji, që jeton e punon në Munih.

Mysafirët i përshëndëti z. Asllan Tahiri dhe, programi filloi, i cili ishte tejëmase i përgatitur mirë, me fjalime analiza, fotografi  e kujtime për poetin, familjen e tij dhe miqtë.
Në këtë mbrëmjë, përvëç të tjerave, nuk mbeti pa u përmëndur  koha e Migjenit, bashkë me gjithë ato ngjarje si: Lindja e Migjenit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, në të njëjtën kohë u bë edhe ndarja e tokave shqiptare në mënyrë më të padrejtë e çnjerëzore nga fuqitë e mëdha për t`i ngopur egoizmin e fqinjëve barbarë; sllavë e grekë, Lufta e Parë botërore bashkë më vrasjen e princ Franc Ferdinantit, që edhe atë kohë u legjitimua ndarja e tokave të Shqipërisë dhe, menjëherë pas një periudhe të shkurtër , menjëherë pas vdekjes së poetit ndodhi edhe lufta e dytë Botërore, që vazhdoi lënja pas dore e kombit tonë, që këtë  evokim e bëri ambasadori i nderit  për Shqipëri e, deri te dalja në skenë ë UÇk-së dhe kurorëzimi i Pavarëse së Kosovës.
Migjeni ishte një misionar i poezisë dhë jëtës. Vepra e tij ishte: ngacmim, shkas dhe detaj, u tha aty.  Ai ishte shkrimtar, ambasador i Shqipërisë, me veprën e tij letrare. Vështirë  e kishte dhe nuk donte ta vente veten si  viktimë e injorancës, prandaj nuk rreshti së shkruari.
Tregimet e tij, Balada e misrit, Luli i vocërr, Zeneli etj., nuk ishin thjeshtë tregime, por ato ishi një baladë për shoqërinë shqiptare, e cila vuante edhe për bukën e gojës e le për gjëra tjera jetësore. Por çka ishte shumë me rëndësi, se ai kurrë nuk ra në pësimizëm edhe pse në buzë të pësimizmit ishte, për shkak të rrethanave, që i kalonte vendi e populli ynë.
Migjeni, ishte poet niçean, sipas analistëve të veprë së tij, që kishte pika takimi me: Dostojevskin, Bodlerin dhe Hygoin. Ai, pra, Migjeni ishte shkrimtar konceptual , që bëri konceptimin e shoqërisë dhe të poezisë.
Vepra e tij letrare e plotë në esencë, u  përmend se u përfundua dhe u botua në vitin 1936, në tre mijë kopje.
Ai nuk ishte mit, ai ishte rrufe, që me fjalët e tij shkruan: „ Kur Dielli ndërron drejtimin, do të lindë nga Perëndimi“.
Nuk mbeti pa u përmendur edhe dashuria e parealizuar, për shkak të jëtës së tij të shkurtër, me Bojkën.  U lexuan edhe disa letra të tij me të dashurën, Bojkën, që aq shumë e deshi, por kurrë nuk e realizoi atë dëshirë. Nuk e realizoi, sepse e shihte Migjeni fundin e jetës së tij, nga sëmundja, që për çdo ditë ia hante shëndetin e, bashkë më shëndëtin edhe shpirtin:
„ Bojka, qenja ime e madhe esenciale…“.

Vlerësime për librin: “Martirët e Shqipërisë Etnike nga Derë e Stak Mark Mirditës, shkruar nga dr. Muhamet Pirraku





Prof. Dr.Hakif Bajrami: TRAJTIMI OBJEKTIV SHKENCOR E RINGJALL PËR TË JETUAR TË KALUARËN E NDRITSHME HISTORIKE

Prof .Dr.  Muhamet Pirraku, “Martirët e Shqipërisë Etnike nga Derë e Stak Mark Mirditës në kujtesën historike”, Prishtinë 2011 fq. 430 ( Botim i Shoqatës të Burgosurve Politikë)
Libri është shkruar në emërore përkushtuese nga një historian me përvojë të gjatë të punës hulumtuese shkencore. E thashë në emërore me qëllim sepse kemi të bëjmë me një institucion kombëtar për atdhe siq është Dera e Stak Mark Mirditës e gatshme për tu flijuar për Shqipërinë Etnike.
Ky institucion me këtë monografi pretendohet dhe më në fund edhe arrihet që të shndërrohet në shkollë obligative kombëtare për gjeneratat që vijnë sepse ka lënë gjurmë të thella atdhetarie jo vetëm në trevën e Kosovës por në mbarë Shipërinë etnike. Lidhur me këtë dje dhe sot porosia e librit është që edhe nesër Stak Mark Mirëdita, si personazh shtyllë të promovohet në shkollë duke i falë atij me argument hapësirë jetësore shqiptare, sepse këtë e meriton.
Metfora më domethënëse në këtë vepër të Dr. Pirrakut për studiuesin është që veprimtaria e Stak Mirëditës me familje në luftë për ta bërë Shqipërinë etnike të bëhet jo vetëm shkollë por edhe filozofi e ndërgjegjes, që masa të mendojë dhe veprojë në tërë truallin arbëror me dashuri të ndërsjellë e jo me urrejtje dhe cinizëm kundër njeri tjetrit siq ka ngjarë në të kaluarën tonë.
Prandaj heuristika dhe hermeneutika si disiplina ndihmëse të historisë në këtë vepër monumentale argumentuese mbeten në plan të parë sepse kemi të bëjmë me krime të një sistemi që urrente çdo shkëndi liridashëse-demokratike. Lidhur me këtë me një stil të veçantë studiesi Pirraku ka arritur të analizojë në mënyrë dinjitoze jo vetëm historinë e një familje por edhe tërësinë kombëtare në  një kthesë të madhe historike.
Figura e Stak Mark Mirëditës në këtë vepër analitiko-eksplikative nuk personalizohet por objektivizohet në shumës pasionues me qëllim që me te dhe për te sendertuar kërkesën jetësore të kombit për Shqipërinë Etnike të jetohet dhe të veprohet gjithmonë virtytshëm, optimist dhe me racionalizëm.
Pirraku këtu e objektivizon familjen e virtytshme shqiptare në të gjitha dimensionet kështu që Dera atdhetare Staka përjetohet nga lexuesi si shembull se si duhet jetuar të kaluarën.
Vepra e Dr. Muhamet  Pirrakut, del porsi një shkëmb para trajtimit dhe orientimeve lokaliste të përthekimit të historisë dhe me një rreptësi pedagogjike dhe filozofiko-historike e zbërthen Shqipërinë Etnike, të shpirtit të Stak Mark Mireditës, duke ua lëne testament të gjithe brezave, të gjitha viseve shqiptare, ku i thuhet bukës bukë e ujit ujë dhe krypës kryp. Veprës i vjen shija shqip, gjak arbëror mish e kockë shqiptari për ta jetësuar shembullin e flijimit të Stak Mark Mirëditës!
Në këtë vepër të Profesor Pirrakut janë shtruar shumë pyetje, ma shumë Shqipëri Bregdetare, Shqipëri Kontinentale ( Kosovë, Qamëri Iliridë e krahina tjera) apo ma pak Shqipëri Etnike për politikanët e epokave të ndryshme, që është një pyetje në udhëkryqet që e rëndojnë hapësirën etnike shqiptare edhe sot nga faktorët e jashtëm por edhe nga pesha e bajraktarizmit të brendshëm. Ata që bajraktarizohen në çdo etapë historike, në veprën e e Dr. Pirrakut përmes gojës së Stak Mark Mirëditës do të ftohen në urtësi që interesin madhor për Shqipërinë e Rilindasve ta shpalosin pa frikë, pa dymendësi , pa urrejtje dhe pa nënçmime, në luftë për bashkim, për një gjuhë standarde letrare, për një flamur kombëtar, për një ardhmëri të përbashkët. Këtu gjithnjë sikur Stak Mark Mirdita ti drejtohet Shqiponjës me fjslët e Salih Gjuk Dukagjinit: ”Çili kriht e bëna hije, merrmi zogjt ushqej me dije, shikjo anë për anë ti bijë, shihna mirë e lirë me sy!”
Projekti historik në këtë vepër për Shqipërinë Etnike është nxjerrë nga realiteti objektiv. Ndërsa epërsia e nacionalizmës morale, mbetet të studiohet në kohë dhe hapësirë. Ndërsa, pesha aksiomatike e  ideologjisë çlirimtare  në kohë 1912-1945 gjveshet me argumente, që vërtetohet me 340 referenca burimesh të proviniencave të ndryshme. Lidhur me këtë, shqiptarizmi dhe nacionalizmi i NDSH-së në këtë vepër çmohet drejte karshi ideologjise se ashtuquajtur “çlirimtare”. Kur jemi te ky element, autori e ven në plan të parë tragjedinë e tetorit dhe nëntorit 1944, të saktësojmë: Në qytetin e Prishtinës, në vitet  1943-44, pati një burg, kirse  mç 194/45  Prishtina pati gjashtë burgje – qendra të koncentrimit t ëpatriotëve shqiptar. Këtu  duhet të shtrohet pyetja e pyetjeve: Kush, si, dhe për  çka u flijua Stak Mark Mirëdita me shokë, pikërisht nga 23-24 nëntori 1944!?! Lidhur me këtë duhet të theksojmë së kjo plojë dhe tragjedi të tjera në Kosovë ishin parathënie e krimit sllav komunist i Tivarit i fillimprillit 1945!?
Realisht krimet OZNA-së, në vijim, ishin vazhdimsi e krimeve mbi një popull të dënuar nga “Blloku Antifshist” (fitimtar)!?!
Kompozicioni dhe gjuha e veprës së Dr. Pirrakut janë të një niveli të lartë shkencor eksplikativ që është aplikuar nga autori edhe në vepra tjera monumentale.
Në vijim autori prezanton gjenealogjinë e dëshmorëve të Shqipërisë Etnike nga Dera e Stak Mark Mirëditës, por edhe të dhënat themelore biografike të një sërë personalitetesh që u flijuan për Shqipërine Etnike   nga dhuna e “çlirimtarëve” gjatë viteve 1944-45.
 Të përfundojmë me një thënie të Adem Demaçit: “Na duhet mund, djersë ,urtësi  e njohuri që me ndërgjegje dhe objektivitet të punojmë për sëndërtimin e Shqipërisë Etnike!”.
E pra si rezultat I tërë mbarështrimit të këtij studimi del me argument se Lirinë kurrë nuk na e kanë sjellë të tjerët por vetë Lufta jonë e drejtë. “S ‘janë  pra t’ huajt që e shpëtojnë Shqipninë, janë shqiptarët e askush tjetër, mbane në mend se është fjalë e vjetër!” – do të na thërriste përjetsisisht një Rilindës yni.                                                                                   
Prishtinë 24 nëntor 2011

Hilë Lushaku: NJË QIRI PËR SHPIRTËRIMIN QË NGJALLI

Të nderuar të pranishëm,
Ndihem i nderuar në këtë veprimtari përkujtimore, midis të ftuarve të profesor Muhamet Pirrakut, kujdestarit tim të palodhur në një hulumtim shkencor timin, dhe kam privilegjin të jem sot në këtë auditor përkrah kolegëve të tij, korifenj të historiografisë shqiptare .
Ndonëse jam shënuar korrektor në këtë libër, ” Martirët e Shqipërisë Etnike nga Derë e Stak Mark Mirditës”, (Prishtinë, 2011, fq. 430),  falë vendimit të prerë të Profesor Pirrakut, do të dëshiroja të shprehja disa gjëra të thjeshta, mbresa të pashlyera e emocione që ngjall vepra që sot kemi në duar, jo si në letërkëmbimin tonë 3-vjeçar, ku, si Migjeni, të dy, me profesorin e nderuar “pash me pash t’i bie ferrit”, nuk lamë fushë pa rrokur, por këtu sot unë do të jem konciz, do të hyj drejt e në temë.
Do të thoja se, në gjykimin tim, në rreshtat e librit, dhe për ata që dinë të lexojnë mirë edhe midis rreshtave, shprehet kultura e lartë profesionale e historianit të paanshëm Muhamet Pirraku, bagazhi tij i pafund i njohurive të sakta, aftësia e ndjeshmëria njerëzore ndaj ngjarjeve, metodologjia e mjeshtëria e shtruarjes së problemeve, shpirti tij fisnik, zotësia për të depërtuar në pjesët e padukshme e të fshehura të jetës së derës së Stak Mirditës, duke u prezantuar meritueshëm studiues i rrallë i çështjeve madhore shqiptare, grumbullues, qëmtues, analizues, përpunues shkencor dhe prodhues me vlerë i veprave për historiografinë tonë.
Libri pasqyron punën studimore titanike, idealiste, atdhetare, historiografike shkencore, - provë e historisë sonë të karabothtë, me shumë dëshmorë, me shumë martirë të shqiptarizmës, si një amanet të të rënëve. “Përkushtimi dhe ndërgjegjja ime më thonë se po e çoj në vend porosinë e dëshmorëve, të sakrifikuar për lirinë e një kombi të bashkuar, të një Shqipërie të vetme”, shkruan në veprën e tij zotëri Pirraku.
Duke lexuar këtë libër të trishtë të jetës shqiptare me dhimbje njerëzore, të cilën vetëm pena majëhollë e Pirrakut mund ta skalitë e përshkruajë deri në qelizë, udhëton në rrugën e mundimeve të Shqipërisë hallemadhe. Ky libër është qartësim i rrugës shqiptare nga vijmë, kush kemi qenë, kush jemi, është një vepër e denjë që aq sa lartëson autorin në lagjen e historianëve, po aq i bën nder veprës së shkruar. Mark Shkorreti-Kujunxhija-Argjendari-apo Mark Mirdita, la farën e mirë, la të birin, Stakën, që mishëroi në trashëgimi karakterin e shqiptarit legjendar. Sot, këtu nuk është vendi për letërsi apo për epos kreshnikësh si të Gjergj Elez Alisë, të Mujit e Halilit, të Halil Gashit, të përmendjes së bëmave të Skënderbeut me trimat e tij, por vlen të përmendet ngjashmëria e qëndresës para të ligut nga personazhet-dëshmorë të çështjes shqiptare, para pushtuesit nga njëra anë dhe mençuria e burrëria e tyre, pa u ligështuar aspak, me dëshirë vetëm për të fituar nga ana tjetër. Historiani i suksesshëm, i persekutuari sepse ishte tërësisht shqiptar, Muhamet Pirraku, pasqyron këtu gjenin e mençurisë të malësorit mirditor shoqëruar me virtytin human të bamirësit dorëlirë për skamnorë e të pamundur, çfarë e rritën Stak Mirditën në shëmbëlltyrë të parisë së vendit, përkrah luftëtarëve të çështjes mbarëshqiptare të kohës së pavarësisë e më pas, ku përmend: Bajram beg Currin, Isa beg Boletinin, kryekaçakun e viseve të Gjakovës, Zefi i Vogël, Nazim Gafurrin famëmadh; Sheh Mehmet Sezaiun, juristin islam më të famshëm në kohën e tij, mësuesi hirplotë i patriotizmës shqiptare; Haxhi Xhemajl Agushin; Rrok Berishën, etj.
Duke faktuar përpjekjet dhe dëshirën e Stakës për Shqipërinë Etnike, Profesor Pirraku bind lexuesin se Stak Mirdita nuk qe një rastësi në këtë rrugëtim për lirinë e Shqipërisë, ai është një personash real i madhështisë shqiptare, një përfaqësues i shquar i brezit të rilindësve dhe luftëtarëve të bashkimit të kombit shqiptar, një diamant që meriton të ruhet në altarin e përjetësisë në kujtesën tonë historike sepse ai mishëroi zgjuarsinë e besnikërinë e burrit me besim në Zot, sikurse kishte aftësinë të vendoste lidhje me shumë priftërinj, ndër to Don Lazër Mjeda e atë Shtjefën Gjeçovi; ishte i pëlqyeshëm në mjedisin shqiptar islam, boshnjak e turk; ishte i zoti të shfaqej kudo krenar se ishte katolik shqiptar kombëtar, pa u ndjerë as minoritar, as i huaj, kudo në Prishtinë e Kosovë.
Me të drejtë pena e gdhendësit të karaktereve të dëshmorëve të lirisë, profesor Pirrakut, cilëson se “Stak Mark Mirdita është apostulli i asaj që mund të quhet “shqiptari” në kishën katolike të Prishtinës, madje i cili më 1928 guxoi e mori iniciativën për ndërtimin e kishës katolike të Prishtinës”. Krahas kësaj, Pirraku dëshmon se Staka i takonte lagjes së veprimtarëve të “Xhemijetit” dhe të “Komitetit të Kosovës” të viteve nën robërinë jugosllave. Jo vetëm kaq, por duke ngjallur Stak Mirditën dhe prezantuar trungun gjenealogjik të familjes së tij e të vëllazërisë së sotme “Staka të Prishtinës”, ai na ka dëshmuar edhe lidhjen e hershme, të qëndrueshme, lidhje gjaku e ideali të territoreve shqiptare liridashëse Mirditë-Shkodër-Gjakovë-Prishtinë, sidomos në veprimtarinë antikomuniste.
Stak Mirdita, përshkruar mjeshtërisht nga Pirraku si burri me karakter të paepur, i orientuar dhe i aftë për t’u përshtatur me mjedisin njerëzor, politik e shoqëror, mundi të shfrytëzojë rastin për të pasur lidhje edhe me qarqet diplomatike austro-hungareze në vilajetin e Kosovës, por edhe të jetë bartës i dy dekoratave të larta nga dy perandorët më të fuqishëm të asaj kohe, të Sulltan Abdylhamidit dhe të Franc Jozefit. Zotëri Pirraku na e sjell Stak Mirditën në parinë e Prishtinës, duke faktuar se ai i përkiste sofrës së parë të parisë shqiptare të Prishtinës; ishte njëri ndër donatorët e mëdhenj të Vakëfit të Prishtinës, krenohej kurdoherë me Flamurin Kombëtar Shqiptar dhe fotografinë e heroit të kombit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilën e mbante gjithnjë me vete.
Nga lëvrimi i pafund i dokumenteve arkivore të shumta, Pirraku jep fakte se Stak Mirdita, edhe pse ishte i konsideruar gjithnjë nga diplomacia serbe ndër më të rrezikshmit për planet serbe pushtuese ndaj Kosovës e viseve të tjera shqiptare, kurrë nuk u tut e nuk u ndal, por ka qenë aktiv në mbështetje të kryengritjes shqiptare të 5 maj-18 gusht 1912 dhe ndërlidhës i hershëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me shërbimin konsullor austro-hungarez në Prishtinë. Sipas dëshmive të pakontestueshme, faktuar me dokumente dhe informata gojore, të grumbulluara nga Pirraku, për periudhën 1939-1944, Stak Mirdita rezulton si dorë e fortë e qeverisë së Tiranës në Prishtinë dhe lidhje e besueshme me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë shqiptare, Rrok Nallbanin, me të cilin Staku ushtroi korrespondencë konfidenciale të rregullt për sigurinë në Prishtinë dhe pasqyrimin e tendencave antishqiptare të priftërinjve sllavë. Po kështu rezulton se në atë kohë ai pati lidhje ideali me ministrin e Punëve Botore e Zëvendëskryeministrin e qeverisë së Tiranës, patriotin Iljaz Agushi dhe me ministrin e Brendshëm Xhafer Deva e të tjerë.
I lodhur ndër vite prej pushtetit kob të zi të serbëve e bullgarëve, si gjithë shqiptarët e tjerë edhe Staka shprehej “Le të dalë ku të dalë vetëm le të hiqet qafet ky pushtet i urryer…!”, duke shpresuar në anën tjetër se padrejtësitë e historisë do të korrigjoheshin me ardhjen e Italisë dhe më pas të Gjermanisë. Falë ndjenjës kombëtare dhe karakterit patriotik shqiptar të fisshëm Stak Mark Mirdita vuri gjithë pasurinë dhe jetën e pesëmbëdhjetë anëtarëve të familjes në shërbim të përpjekjeve për jetësimin e ribashkimit të Shqipërisë Etnike nën kujdesin e kurorës së mbretërisë fashiste. Si gjetkë në Tokat e Lirueme, edhe në Prishtinë, propaganda fashiste për një Shqipëri të Lirë i hapi mundësi manifestimit publik të ndjenjave shqiptare përmes organizimit paraushtarak të rinisë patriotike, rreshtimit të saj në njësitë e sigurisë kombëtare. Aktiviteti propagandistik i Kolë Bibë Mirakajt, Iljaz Agushit e Ago Agajt dhe vizita e kryeministrit, Mustafa Krujës, në Kosovë, një prej shqiptarëve të asaj kohe me të vlerësuar solli një entuziazëm të pa përjetuar deri atëherë të shqiptarizmës në Prishtinë. Stak Mirdita iu përkushtua tërësisht asaj lëvizje me gjithë çfarë kishte.
Nëpërmjet profilit të madhështisë së Stak Kujunxhisë-Mirditës, Profesor Doktor Muhamet Pirraku jep madhështinë e kombit shqiptar për mbijetesë por njëherazi jepet qartë e drithërueshëm, me nota prekëse, prova e martirizimit dhe viktimizimit të bijve të tij prej serbizmit e sllavizmit. Kujtdo që ka një zemër njerëzore, kur lexon veprën e Pirrakut, besoj se do t’i dridhet mishi e do t’i rrëqethet shpirti kur lexon masakrimin çnjerëzor, mbetur i pashlyer në kujtesën e popullit dhe dokumentuar në burimet historiografike për mënyrat e martirizimit.
Pirraku portreton me ngjyra të forta prekëse fundin tragjik të Stak shqiptarit, kristianit atdhetar, patriarkut të derës së madhe mirditore, të paepurit para osmanëve, bullgarëve serbeve, intrigantëve e hileqarëve, rebelit katolik të çështjes shqiptare, zemërmadhit e bujarit dorëmirë, kavalierit e këmbëngulësit zulmëmadh për shpëtimin nga dënimet e burgimet të shumë miqve, së fundmi i zënë peng nga ata horat që i mbajti me bukë, i robëruar mjerisht prej hajnave, të cilët pasi e torturuan me mizori fizike e psikike, ndër më barbaret për rreth katër ditë e net, të gjallë e futën në furrën e bukëpjekësit dhe e bënë shpuzë. Ky martirizim mesjetar, i ngjashëm me rastin e ekzekutimeve të heretikëve, si ai Xhordano Brunos mbi turrën e druve, i pa përjetuar ndonjëherë në Prishtinë e në Kosovë më solli një koincidencë që zotëri Pirraku e përmend në libër, aty ku bëhet fjalë për fshatin Pjetërshan, aty ku nipit të Stakës iu refuzua strehimi, aty ku unë fillova për së pari herë karrierën e oficerit dhe nga banorët e asaj zone malësore mësova për ngjarje të padëgjuara të ndëshkimeve nga shkjau i pabesë, për krime makabre, deri në futje prushi në bark të gruas shtatzënë, vendosje të foshnjës në sfurkun e drunjtë me të cilin kishte therë burrin para çarjes së barkut të gruas me barrë. Kur lexoj këto rreshta, në libër, ndjej atë ftohtësinë e atëhershme që pata ndjerë thellë brenda vetes, deri në stomak, ndjenjë dhimbje që përjetohet në skena krimesh monstruoze çnjerëzore, të cilat mund t’i bëjnë vetë serbo-malazezët kundër shqiptarëve në trojet e tyre.
Në vijim, Pirraku ka dhënë qartësisht dhe me nota kritike jetën shqiptare nën robërinë serbo-bullgare, vendosur padrejtësisht nga vendimet e fuqive të mëdha të njerkës sonë plakë, Evropës së dyzuar, dhe sjell vlera të një aktakuze, të mbështetur mbi fakte të verifikuara në një proces hulumtues e shkencor mbi dyzetvjeçar për gjenocidin serb e jugosllav mbi qenien shqiptare
Përmes familjes së Stakës, në libër jepet përshkrim jo vetëm dokumentar historik, kronologjik, por edhe poetik e zhbirues, përshkrues për karaktere burrash sokola e grash burrnesha, për traditat e mrekullueshme të familjes së hershme shqiptare, për rolin e peshën e burrit në shtëpi dhe për përkujdesjen e dashurinë që prodhon gruaja, për respektin e ndërsjellë e për bindjen ndaj prindit, për organizimin e punëve në familjen patriarkale të hershme shqiptare. Pirraku shton vlerën e Stakës me gjuhën e pasur që lidh dëshmitë, rrëfimet, informatat, duke i sistemuar ato si usta i përsosur.
Përdorimi i gjuhës së pasur shqipe, duke ngjallur fjalët e kuvendeve burrërore e terma kuptimmëdha e rrit tingëllimën e fjalëve dhe domethënien kuptimplote të tyre për shqiptarizmin. Shumë kujt do ia kishte ënda të gjente atë mjeshtri përzgjedhjeje të fjalëve të hershme që shpreh sintagma “Dera e Stak Mirditës”, apo sjelljen në gjuhën e shkruar të traditave të odave malësore sikurse qenë “dhoma e mirë”, “kutia e burrnotit”, “nënëmadhe shumë madhështore” apo përmendja e ritit fetar në fillim të bukës, mikpritja në shtëpi shqiptare e burrave në zë, radha e shtruarjes së sofrës, duke dhënë njerëzisht dhe me shumë kuptim rëndësinë e raporteve tipike patriarkale të malësive shqiptare edhe në shtëpinë e Stak Mirditës me anëtarët e familjes.
Jeta e Stakës dhe gjaku që ai fali së bashku me bijtë e nipat: i pari Rrok dëshmori, viktimë e kurtheve komuniste serbe, pas ndodhjes në Suhadoll dhe më pas Marku, Mikeli, Staku e Luzi gjetën ngadhënjim mbi vdekjen mizore, por në shërbim të atdheut.
Në mbyllje, librin, që sot kemi në duar, e çmoj si vepër për bashkim, si këshillë që të mos jemi pre e lojërave të fqinjëve, e çmoj si qortim atdhetar për heqje dorë nga politika të mbrapshta të shitjes apo blerjes nga të huajt, nga gjunjëzimi për interesa vetjake apo mohimi i madhores-kombit, gjuhës, racës, trojeve të të parëve, krenarisë, lavdisë e hershmërisë shqiptare në trojet ilire. Mbi të gjitha shoh se ky libër u jep dritë historianëve për të rishkruar e për të saktësuar të vërtetat tona të shkruara me gjak, jep mësim se si duhet punuar për vepra të plota e të pakorrigjueshme, sjell shembullin më të mirë për metodologji historishkruese, lëshon apel për përkujtim e nderim, sjell qetësim të shpirtrave të martirizuar, të baltosur, të mohuar apo të harruar nga kujtesa historike. Libri atdhedashësit e luftëtarit penëmajëhollë, Muhamet Pirrakut, në gjykimin tim, është një provë e shpërblimit të merituar të martirëve të mohuar, është lapidar për derën e nderuar të Stak Mirditës por edhe të tjerët e lagjes së tij. Ai martirizim, që u kthye ahere në shkrumb e hi, në baltë të zezë, në akuzë poshtëruese e në dënim e ndëshkim shembullor çnjerëzor, në kob e në zi shpirtërore, në vdekje që atëherë as qyqja nuk mundi ta vajtojë, sot është një nderim i merituar për heroikë, një pastrim nga shpifjet serbo-sllave antishqiptare, është një ndriçim plot shkëlqim për historinë e shqiptarëve, shpesh herë të ndarë ndër vete.
Sot Dera e Stak Mirditës së ringjallur dhe e ringritur prej historianit arkitekt, Muhamet Pirrakut, ngadhnjon, është hapur për miqtë e dashamirët, amaneti i martirit legjendarë, Stakë shqiptarit të paepur dhe bijve e nipave të tij, luftëtarëve të Shqipërisë etnike, rëndon mbi tokën shqiptare, nuk e tret dheu deri ditën që Shqipëria e të parëve tanë, në çdo pëllëmbë, do të jetë e shqiptarëve të Shqipes-Shqipëri.
Ky libër solli çastin që të bijtë e derës së Stak Mirditës të fitojnë pavdekësinë dhe të shndërrohen në legjendë të çështjes shqiptare, duke merituar përjetësinë në kujtesën historike shqiptare.
Krejt në fund: Përgëzime profesor Pirrakut për këtë vepër brilante e madhore, fryt i një pune disavjeçare, të mundimshme, shkruar me dëshirë e vullnet të paepur e të pavarur, vepër shpirtërore që ngjall jetë të harruara në kujtesën popullore dhe historiografike.
Këtë vepër të Profesor e Pirrakut e konsideroj një qiri për shpirtërimin që ngjalli, ngushëllim për prehje të qetë të tyre. Atyre u ndrittë shpirti, e Pirakut fatlum në këtë rrugëtim të mundimshëm i uroj jetë e shëndet, për shkencën e tij të preferuar, duke i shërbyer fuqimisht të vërtetave të munguara.

Kadri Rexha: RRUGA LETRARE E JUSUF GËRVALLËS




Si poet Jusuf Gërvalla sprovat e para i bëri poashtu si gjimnazist. Nëse nuk i llogarisim këtu tekstet e këngëve dhe pak poezi e trgime të tij, të botuara në gazetën “Flaka e vëllazërimit, fillet e poezisë së mirfilltë të Jusuf Gërvallës datojnë nga viti 1974, kur para lexuesit paraqitet me poemat: Baladë për shavarindhe Kalon pran mejeqë të dyja të botuara në gazetën e studentëve “Bota e re”. Gjatë këtij viti Jusufi ia ofron për botim një cikël poezishë edhe revistës letrare “Jeta e re”. Pasi që poezitë ndahen për botim, ende pa dalë revista në qarkullim, Rexhep Qosja, asokohe kryeredaktor i revistës në fjalë, e fton Jusuf Gërvallën dhe me një ndjenjë të fuqishme kënaqësie dhe gëzime, me fjalët më të mira, i uron këtij sukes në fushën e krijimtarisë artistike. Poezitë u botuan me titull të përbashkët Çaste poetike. Në recensionin që këtij numri të revistës “Jeta e re” i bëhët nga e përditshmja “Rilindja”, si karakteristike e poezisë së këtij numri theksohet dhe ndahet për shqyrtim mu ky cikël. Mehmet Kraja, autor i shkrimit, në këtë poezi sheh një origjinalitet, një botë të pasur dhe të pastër ndjenje e mendimi, një poezi idesh dhe përgjithësimesh të mëdha, të karakterizuara nga gjuha e pasur, nga narracioni poetik, asociacioni, muzika, ritmi i brendshëm dhe i jashtëm etj. Gjatë vitit 1974 Jusuf Gërvalla e përgatiti për shtyp librin e parë me lirika me titull “Shtëpia në rrugë”, të cilin para se ta dorëzonte në radaksi e pagëzoi Fluturojnë e bien, titull simbolik që mbi supet e veta e mbartë e idenë dhe porosinë e mbarë librit. Libri u botua në kuadër të Redaksisë së Botimeve të “Rilindjes” në Prishtinë, në fillim të vitit 1975.
Ky libër, siç shprehej edhe vetë Jusuf Gërvalla gjatë bisedave dhe në ndonjë intervistë, vinte si një borxh ndaj së kaluarës, si shkarkim i poetit nga barra e rëndë e kujtimeve të fëmijërisë, të kujtimeve të idhta dhe të ëmbla për vendlindjen e tij, e cila duke ecur tehut të gërminës dhe ekzistencës së saj mbahej gjallë nga përpjekjet dhe dështimet, nga ngritjet dhe rëniet, nga dëshirat dhe ëndërrat, nga dashuria dhe urrejtja...
Libri u prit mirë nga lexuesi dhe nga kritika letrare. Brenda një kohe të shkurtë botimin e këtij libri e shënuan pjesa dërmuese e gazetave dhe revistave tona. Botimi i këtij libri u shënua edhe në shtypin jugosllav.
Gjatë vitit dhe më vonë për këtë libër u botuan mbi dhjetë ese, recensione dhe vështrime letrare. Për të shkruan Ali Aliu, Teki Dërvishi, Jusuf Buxhovi, Resul Shabani, Sylejman Syla, Januz Fetahaj, Bajram Sefaj, autori i këtij shkrimi, etj. Në vështrimin kritik për këtë libër dr. Ali Aliu ndër të tjera pohon se Jusuf Gërvalla me veprën e parë poetike provon të sjellë “një ton të ri në rrjedhat e poezisësë sotme te ne.” Sipas kritikut vargu i poetit është “i qartë në konceptimin dhe përcaktimin tematik dhe poetik”, ndërsa “bota e poetit është e pasur shtresash të shumta kuptimore”. Në brendinë e kësaj poezie kritiku “heton degëzimin e dy linjave: zëri që shpreh mishërimin dramatik të poetit pas ambientit që tani është vetëm një vizion i tretur i së kaluarës dhe, ambienti real që e step disi ndjenjën e tij edhe atëherë kur ajo ka arsye të shpërthejë deri në pakufi.” Në këtë poezi të pasur “refleksionesh jetësore” kritiku sheh “ballafaqimin dramatik të dy ambienteve – atij rustikal që e ruan esencën e natyrës së njeriut dhe, atij urban që përherë tëhuajsohet nga kjo natyrë.” Prandaj, konstaton Aliu: “në vend që të shpërthente përmes patosit revoltues, alarmues, lidhur me fenomenin e shqetësimit që, në këtë vëllim është nxitësi, embrioni i frymëzimeve dhe shqetësimeve poetike, ai duke e strehuar nën një vel të padukshëm diskret po sugjestiv, e shton intensitetin e brendshëm...

Dhe, duke u strehuar, poeti ofron edhe një imazh ngjyrash të gjalla dhe të fuqishme të njeriut dhe të botës, natyrës së këtij ambienti...” Duke e përfunduar këtë shkrim për poetin Jusuf Gërvalla, dr. Ali Aliu shton edhe këtë konstatim: “Po, është e sigurtë se fjala është për një botë dhe për një sensibilitet tejet të pasur, të ndjeshëm dhe të nuancuar poetik që disponon aftësi dridhjeje edhe nga ngacmimet më të padukshme, nga disonancat më të lehta në jetë e te njeriu. Dhe, pikërisht kjo është ajo që lë të besohet dhe të shpresohet për të nesërmen e këtij poeti...” Lidhur me shënimin e dritësimit të këtij libri dhe pritjes së mirë të tij nga lexuesit Qerim Arifi e zhvilloi edhe një intervistë me Jusuf Gërvallën, e cila u botua në revistënm “Zëri i rinisë”. Pra, ishte konstatim i përbashkët: parabola krijuese poetike e Jusuf Gërvallës po fillonte aty ku shumë krijues do të donin ta përfundonin. Si poet i fuqishëm dhe sugjestiv Jusuf Gërvalla do të gjendet edhe në vëlliminAntologjia e poezisë së sotme shqipe në Jugosllavi të Ali Aliut (Shkup, 1977) në mesin e njëzet poetëve të tjerë.
Libri i parë poetik i Jusuf Gërvallës mbeti vazhdimisht i dashur dhe i freskët për lexuesit, meqë doli në dritë në kohën më të thirrshme, kur një pjesë e poezisë sonë, sidomos e krijuesve të rinj, po vrahej nga heretizmi, nga steriliteti i figurave, nga pagjakësia dhe nga monotonia. Kësaj tendence Jusuf Gërvalla i kishte shpallur luftë qysh në vitin 1968 edhe nëpërmjet të këtyre vargjeve të këngës protestuese “Njeri, ku je”:

njeri, ku je
t’lënduan rëndë me poezi
e arte abstrakte
të kanë mbërthy
n’regjistra e akte
se je njeri
s’u shkon ndërmend

Poezinë e këtij vëllimi e karakterizonte drita, jeta, freskia, lëvizja dhe optimizmi, ndonëse ajo fund e krye ishte poezi e dhembjes, pikëllimit, vuajtjes, ashpërsisë së jetës dhe të tragjikës individuale dhe kombëtare.
Në vitin 1978 Jusuf Gërvalla e boton vëllimin e dytë të lirikave me titull Kanjushë e verdhë. Ky libër është vazhdim i të parit, ndonëse shquhet për zgjërimin e rrethit tematik dhe për thellimin e mendimit poetik. Edhe këtë libër e përcollën një varg vështrimesh dhe kritikash letrare të shkruara nga Mehmet Kraja, Xhemail Mustafa, Emin Kabashi, Halit Fetahu, Bajram Sefaj, autori i këtij shkrimi, etj. Me rastin e botimit të këtij libri dhe të tre librave të tjerë gjatë atij viti, redaksia e “Zërit të rinisë” e organizoi një tryezë diskutimi të frytshëm. Përveç autorëve të librave, në këtë tryezë morën pjesë edhe disa kritikë letrarë të tjerë, si dr. Ali Aliu, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Emin Kabashi, Arif Demolli, Xhemail Mustafa, Ramadan Musliu, etj. Sipas Mehmet Krajës komponentet e realizimit të kësaj poezie janë: “frymëzimi, idilika, imazhi, si pjesë e saj, tabloja impresioniste, narracioni” etj. Dhe në fund vjen ky konstatim: “Poezia e Jusuf Gërvallës është komunikative, është poezi-frymëzim, observimet mbështeten mbi tablo dhe imazhe, i jepet hapësirë asociacionit dhe, në ndërtimin e ligjëratës së vet poetike, mbështetet te metafora.” Xhemail Mustafa këtë vëllim poetik e sheh si “shumësi kreative, ai kufizon me njësinë poezi, por që intencionalisht këto bashkëjetësohen në nivelin libër duke ruajtur gjithnjë pavarësinë e vet brenda një poezie të caktuar.” Ndërsa Emin Kabashi lidhur me këtë libër e jep këtë mendim: “Me kualitetet që sjell në poezinë tonë të re, mendoj që libri i Jusuf Gërvallës është një prej realizimeve më të suksesshme të kohës së fundit te ne.”

Në dhjetor të vitit 1979 del nga shtypi edhe libri i tretë me lirika të këtij poeti me titull Shenjat e shenjta. Libri botohet në Shkup në kuadër të bibliotekës “Valët” të “Flakës së vëllazërimit”. Botimi i këtij libri përkon me kohën e arratisjes së Jusuf Gërvallës, prandaj libri mbyllet dhe i ndalohet qarkullimi. Vetëm pak ekzemplarë të këtij libri që kishin arritur të shohin dritën mbetën të qarkullojnë ilegalisht nga lexuesi në lexues.
Krahas poezisë Jusuf Gërvalla shkroi edhe në proozë. Tregimet e para ai i botoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit” e më vonë edhe në revistat “Jeta e re”, “Fjala”, “Zëri i rinisë”, etj. Sidomos tregimet Vazhdim...,Barziloku i trimit, Lindja e Cufës, Sharkia me dymbëdhjetë tela, Rrum tetë, Abdylrrezakhalimi, Sporteli, Katrahura qindrakëmbëshe, qenë sprova të sigurta që Jusuf Gërvalla të kalojë në shkrimin e prozës së gjatë, romanit. Përpjekjet e para për shkrimin e romanit Jusuf Gërvalla i bëri gjatë vitit 1975.
Romani Dy florinj të një dashurie atë vit hyri në planin botues të “Botës së re”, në kuadër të bibliotekës “Dituria”, në mesin e gjashtë romaneve të shkrimtarëve tanë të gjeneratës së re. Nga kjo ndërmarrje arriti të botohet vetëm vepra “Romani pa kornizë” e shkrimtarit Musa Ramadani.
Si romanin e botuar ashtu edhe pesë veprat tjera që gjendeshin në shtyp i pezulloi cenzura. Romani i parë i Jusuf Gërvallës që mbeti i pabotuar trajtonte një temë nga e kaluara jonë, ngjarja e të cilit zhvillohet diku menjëherë pas pavarësisë sonë kombëtare. Edhe romanin e dytë të Jusuf Gërvallës me titull Rrotull e përcolli një fat pikëllues, i ngjashëm me atë të disa veprave të këtij autori. Ky roman kishte hyrë në planin botues të Redaksisë së Botimeve të “Rilindjes” dhe gjendej në fazën e fundit të shtypjes kur Jusuf Gërvalla qe i detyruar të arratisej nga atdheu. Prandaj, me këtë rast edhe kjo vepër u pezullua nga botimi. Megjithatë, në saje të kujdesit të familjes së Jusuf Gërvallës dhe të mirëkuptimit të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” të Tiranës, ky roman do të botohet pas pesë vjetësh, më 1983, një vit pas vrasjes së autorit. Po kjo shtëpi botuese, më parë, më 1982, e kishte botuar vëllimin me poezi të zgjedhura nga opusi poetik i Jusuf Gërvallës me titull Bekimi i nënës.Po kështu Jusuf Gërvalla la në dorëshkrim edhe dramën Procesi,e cila, pas vrasjes së tij,u botua në Zvicër më 1984, në kuadër të bibliotekës “Liria” të “Zërit të Kosovës”. Të theksojmë këtu se gjatë vitit 1979, deri sa ende gjendej në Kosovë, Jusuf Gërvalla e ka pas projektuar dhe e ka pas filluar të shkruante edhe një roman me temë nga baladat tona të rinjohjes së vëllait me vëlla.

Në një bisedë me Agim Malën dhe Shaip Beqirin të botuar në gazetën “Bota e re” më 1 prill të vitit 1977, lidhur me orientimet dhe parimet e tij krijuese në poezi dhe në prozë Jusuf Gërvalla shprehet kështu: “Po trumbetohet me të madhe se ka perënduar koha frymëzimit, se frymëzim as që ka pasur... ekziston laboratori i artistit, thonë. Dhe, u muar vesh që këtu ka diçka që mban. Por, mbi të gjitha, më bëhet se është qëndrimi ynë ndaj frymëzimit ai që ka ndryshuar: nuk e mendojmë më si pozitë të jashtme e të brendshme emfatike – larg kësaj. Edhe kjo është në rregull. Megjithatë, mendoj se frymëzimi është një akt i domosdoshëm, të cilit krijuesi nuk i shmanget dot.
Dhe, ky farë akti – solemn (por me transformime e varietete të gjendjes solemne ndër kohë e frymë), merr atribute të ndryshme, varësisht nga koha në të cilën trajtohet. Po qe kështu, e kështu më bëhet se është, meqë kështu disi ngjan tek unë, atëherë momenti i tillë të thuash se nuk gjurmohet në kuptimin e plotë të kësaj fjale; imponohet fuqishëm, më së shpeshti. Është me rëndësi që të kapet menjëherë, pastaj, sa për “përpunimin në laborator”, ka kohë dhe për këtë gjë nuk duhet ndonjë kohë e posaçme. Në kushte të sotme përpunimi mund të bëhet ndonjëherë edhe mes punëve të tjera, të ditës – po deshëm, ndoshta pa ndonjë rrezik serioz nga keqtrajtimi. Sa më përket mua, koha e poezisë është gjithë koha që e kemi përpara, prandaj nuk është vështirë ta zësh.
Do të thosha se projeksione absolutisht të pastra, në të cilat s’e heton dot gjurmën e gjendjes së rrëmujës para projektimit konkret – kemi vetën në letër, në inkarnimin sadokudo material të formave e të përmbajtjeve të tyre të përfytyruara. Unë për vete nuk rresht dot nga rrëmuja, që shkaktohet me hapjen e themeleve, kur grumbuj dheu ende kanë mbetur rreth godinës që ke marrë të ndërtosh. Dhe, të thuash se nuk çaj kokë t’i mënjanoj domosdo gjurmët e rrëmujës nga të gjitha fazat e ndërtimit. Më mjafton që, sipas mundësisë, punimet finale rreth pikave kryesore të projeksionit të marrin shkëlqimin e vet të domosdoshëm, e kështu të bëjnë që edhe unë, edhe lexuesi, ndjenjën e rrëmujës ta harrojmë spontanisht për ta shijuar rezultatin final.
Do të pajtohemi ndoshta se sot këtu ndër ne mbretëron të shumtën një kohë eksperimentimesh. Dhe burimet e njohurive dhe preokupimeve, që po bëhen shtytje për prozatorin tonë – në vend që burim i vetëm të jetë trualli ynë konkret, me të gjitha atributet, mbi të cilat mund të ndërtohen projeksione origjinale e autoktone – te ne po vijnë me erëra drejtimesh të ndryshme. Ndonjëherë, pamundësia që ta përkufizosh e ta radhitësh prozën tonë, këtu, në vend të caktuar unik dhe me mjete të caktuara, prapë unike, ka zënë e po zgjon edhe neveri. Është e vërtetë se nuk kemi nevojë për tradicionalizëm të ngurosur, se ndoshta do të gjendeshim në rrugë edhe më të gabuar. Por, s’do mend se largimi total nga tradita (dinamike – me rrotullimin e saj ndër varietete e rrjedha që e shpien përpara) nuk do të na damkoste; përkundrazi, ndoshta kjo do të jetë e vetmja rrugë e shëndoshë për krijuesi tonë.”
Lidhur me preokupimet e veta letrare në një bisedë me Qerim Arifin të botuar më 4 tetor 1975 në revistën “Zëri i rinisë”, Jusuf Gërvalla pohon: “Ajri është përplot klithje, që shprehia na i ka bërë memece. E di një dhembje, di shumë dhembje, që nuk do t’i dija po të mos distancohesha pak prej tyre; e di gëzimin e jetës, që nuk do ta dija, po të mos e shikoja pak me syrin e atij që nuk e ka bukë të përditshme. Po kështu, duke u përpjekur që në momente t’i bëjë pak të huajat edhe bardhësitë, edhe pezmin e jetës, në mënyrë që më vonë të më kthehen të sheshuara, të ndara – ëmbëlsia nga e amshta – me kohë kanë zënë të më bëhen më të qarta konturet e njeriut me etje për sende të imta dhe për gjakime të shumta, po edhe të njeriut me një shpresë të patundshme të varur për ndërgjegjen e vet e të sojit të vet.”
Duke shkruar për Jusuf Gërvallën, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, thekson: “Krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës, poezitë e tij, si dhe proza artistike e publicistika përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të artit e të mendimit shqiptar. Poet, prozator, publicist militant, Jusuf Gërvalla kishte të gjitha cilësitë dhe dimensionet që e bëjnë të shquar një personalitet të letrave e të kulturës. Për fat të keq mundësitë e tij mbetën të pashprehura plotësisht.”
Thënë me pak fjalë, Jusuf Gërvalla në krijimtarinë e tij letrare me një invencion të rrallë kapi dhe trajtoi probleme të kohës me të gjitha idetë dhe idealet e saj, duke i pasqyruar në to dhembjet, vuajtjet dhe shpresat e njeriut konkret, i cili pandërprerë gjendet në luftë për të mirën dhe për të bukurën njerëzore.
Shkrimtarët e çmuar të Jusuf Gërvallës: Ismail Kadare, Teki Dërvishi, Jakov Xoxa, S. Beket, F. Kafka, M.A. Asturias, G. Markes, etj.

Pos krijimtarisë origjinale Jusuf Gërvalla ka përkthyer edhe një numër të konsiderueshëm të materialeve të ndryshme letrare, si poezi, skica poetike, tregime, romane, drama, ese. Jusuf Gërvalla përktheu nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe si dhe anasjelltas nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate. Ndër përkthimet më të rëndësishme të Jusuf Gërvallës nga letërsia jugosllave dhe ajo botërore vlen të ceken këto: një pjesë nga romani “Kështjella” të Mesha Selimioviqit, botuar në revistën “Jehona” të Shkupit; pjesë nga romani “Uliksi” të shkrimtarit Xhems Xhojs botuar në “Bota e re” të Prishtinës; një cikël tregimesh poetike të shkrimtarit Franc Kafka, botuar në “Bota e re” të Prishtinës. Për nevoja të Teatrit Popullor Krahinor në vitin 1975 Jusuf Gërvalla përktheu dramën “Gloria” të Ranko Marinkoviqit, të cilën e botoi edhe Redaksia e Botimeve “Rilindja” e Prishtinës, në vitin 1978. Me përkushtim të madh Jusuf Gërvalla e përktheu edhe romanin “Klepsidra” të shkrimtarit Danilo Kish, të cilin e botoi Redaksia e Botimeve “Rilindja”, Prishtinë, 1977. Poashtu nga opusi poetik i poetit të shquar slloven Ciril Zllobec Jusuf Gërvalla bëri zgjedhjen dhe përktheu vëllimin poetik me titull “Amshimi im i shkurtër”, të cilin e botoi Redaksia e Botimeve “Rilindja”, Prishtinë, 1979. Gjithë talentin dhe vokacionin e tij prej përkthyesi Jusuf Gërvalla e shkriu në përkthimin e veprës madhore poetike Legjenda e Guatemalës të shkrimtarit latinoamerikan M.A. Asturias, poashtu e botuar nga “Rilindja”, Prishtinë,1979. Nga eseistika këtu vlen të ceket përkthimi i esesë së shkrimtarit Edgar A. Po lidhur me poezinë e tij “Korbi”, të botuar në revistën “Jehona”.
Ndër përkthimet më të rëndësishme të Jusuf Gërvallës nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate po i përmendim këto: pjesë nga romani Padrona të shkrimtarit Teki Dërvishi, botuar në një revistë letrare të Nishit; poema Frymëmarrjet e detit e Teki Dërvishit; romanin Halveti të Teki Dërvishit, me të cilin autori mori pjesë në një konkurs letrar me karakter jugosllav, përkthim që ka mbetur i pabotuar; dramën televizive Vdekja e Gjergjezit të Beqir Musliut, me të cilën autori mori pjesë në një konkurs letrar, por përkthimi nuk është botuar; esenë Moda e mallkuar të Rexhep Qosjes të botuar në gazetën “Novi svet”,Prishtinë. Ndërsa për shkaqe të njohura e la të papërfunduar, në dorëshkrim, romanin Zanoret e humbura të Zejnullah Rrahmanit.

Një veprimtari të dendur në fushën e përkthimit Jusuf Gërvalla e zhvilloi edhe për nevojat e Televizioni të Prishtinës. Këtu po e përmendim vetëm përkthimin e filmit të Kinostudios “Shqipëria e re” Beni ecën vetë, të regjisorës Xh. Keko. Ky film u përkthye nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate. Në gjuhën shqipe Jusuf Gërvalla i përktheu edhe disa filma dhe emisione dokumentare nga produksioni i shtëpive filmike dhe televizive të Jugosllavisë. Në bashkëpunim me dr.Shaqir Shaqirin Jusuf Gërvalla përktheu dhe shqipëroi nga gjuha angleze edhe një numër të konsiderueshëm filmash artistikë nga kinematografia botërore.

Jusuf Gërvalla shkroi edhe recensione, ese dhe kritika letrare, të cilat i botoi në periodikun e kohës. Ndër studimet e pabotuara të Jusuf Gërvallës vlejnë të përmenden Poetika e romanit “Lumi i vdekur” i shkrimtarit Jakov Xoxa, punim diplome, të cilin e mbrojti para komisionit në Katedrën e Albanologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës si dhe tezën e magjistraturës Poetika e poezisë së Nolit, punim i papërfunduar dhe i pambrojtur për shkaqe tashmë të njohura. Në revistën “Fjala” Jusuf Gërvalla botoi të panënshkruar edhe një recension për romanin “Klepsidra” të Danilo Kishit, me rastin e botimit shqip të kësaj vepre.
Me vlerë të theksuar janë edhe shkrimet kritike të Jusuf Gërvallës lidhur me filmat artistikë, dramat televizive si dhe me emisionet dokumentare të shfaqura nga Televizioni i Prishtinës. Këtu po i cekim vetëm këto shkrime të kësaj natyre: vështrimet mbi serialin e filmit televiziv Era e Lisi të Besim Sahatçiut, të atij Rrënjët, si dhe vështrimet lidhur me emisionet dokumentare për Arbëreshët e Italisë dhe ato për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Në këtë kuadër mund të inkuadrohen edhe disa biseda të Jusuf Gërvallës lidhur me disa ngjarje të shënuara kulturore në Kosovë, të cilat i realizoi në Programin Dokumentar të Televizionit të Prishtinës. Në mënyrë të veçantë vlen të theksohet këtu biseda impresive e Jusuf Gërvallës me rastin e hapjes së ekspozitës artistike Rilindja Kombëtare Shqiptare në Galerinë e Arteve në Prishtinë, në vitin 1978. Është me interes të veçantë të përmendet edhe një bisedë e Jusuf Gërvallës e zhvilluar dhe e shfaqur nga Televizioni i Prishtinës me rastin e Tetë Marsit – Ditës ndërkombëtare të Gruas, në vitin 1977.
Talentin e tij të gjithanshëm Jusuf Gërvalla e shfaqi edhe në përgatitjen artistike të kopërtinave të një morie librash të shkrimtarëve të Kosovës, si: Romani pa kornizë i Musa Ramadanit, Halveti dhe Kibla të Teki Dërvishit, Vdekja në ajër të pastër të Ymer Shkrelit, Gjurmë në trotuar të Mehmet Krajës, Dy florinj të një dashurie të Jusuf Gërvallës, Suzana të Ramiz Kelmendit, etj.

Rexhep Selimi: Do t’i padisim policët për dhunë ndaj protestuesve




Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka paralajmëruar se subjekti i tij politik do të ngre padi ndaj oficerëve dhe policëve që ushtruan dhunë ndaj protestuesve. Në një konference për medie, ai vuri në dukje se në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka pasur edhe grupe jo formale, të cilat kanë qenë të gatshme të ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve. Duke folur mbi thirrjen e krye-kuvendarit Krasniqi për bisedime midis të gjitha partive politike, deputeti Selimi tha se Vetëvendosja nuk do të bisedojë me askënd për të lejuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
Burime të agjencisë së lajmeve KosovaPress kanë bërë të ditur se ndër kompanitë që kanë punuar me kriminelin, Zvonko Veselinoviq janë pompat e benzinës në Serbi. Duke u mbështetur në hetimet që po zhvillohen, mësohet se nevojat ditore për derivate të naftës në veri të Kosovës janë rreth 100 ton, përderisa atje çdo ditë hyjnë më shumë se 300 ton derivate. Përveç kontrabandës me naftë, Veselinoviq ka bashkëpunuar ngushtë edhe me grupet kriminale nga Jagodina e Krushevci për transportimin e  narkotikëve dhe armëve, të cilat përmes veriut janë bartur në tregun evropian. Këto burime theksojnë se interesi i këtyre grupeve kriminale është mbajtja e sistemit të barrikadave, rrugëve alternative pa kontroll dhe anarkisë. Pikërisht kjo gjendje kaotike përkon me interesat e krerëve ilegale të komunave, të cilët synojnë mbajtjen e një referendumi në shkurt. Misioni evropian i EULEX-it deri më tani as nuk ka zhvilluar hetime e as nuk ka bërë ndonjë arrestim të këtyre karteleve mafioze që struken para barrikadave. Paradoksalisht, EULEX-i praktikon arrestimin e  njerëzve brenda institucioneve të Kosovës, që në plot raste, privohen nga liria pa kurrfarë prove bindëse.
Deklarata e kryeministrit, Thaçi, i cili ditë më parë foli me një fjalor të ashpër kundër Vetëvendosjes, duke u shërbyer edhe me fjalorin autokrat të Sali Berishës, ka bërë që disa deputetë të Partisë Socialiste të Shqipërisë të mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje. Deputeti, Ditmir Bushati, duke mbështetur këtë Lëvizje thotë, “sa kohë që Vetëvendosja  udhëheq protesta paqësore e bëhet promotore e një politike të begatë e parimore për qytetarët, mbështetur mbi një vendim të Kuvendit të Kosovës, ndjej neveri ndaj baltosjes që tentohet t’i bëhet asaj nga ata politikanë që të përbashkët mes tyre kanë veç pasurimin e shpërdorimin e besimit të qytetarëve e jo atdhedashurinë”. Ndërsa deputeti, Erjon Braçe, i cili e ka shprehur hapur simpatinë e tij ndaj opozitës në Kosovë, prej ditësh po komenton këtë protestë të Vetëvendosje dhe ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj saj. Sipas tij, arrestimi i deputetëve të opozitës është shfaqja më e keqe që po jep qeveria e Kosovës. Këtyre qëndrimeve u është bashkuar edhe deputeti, Taulant Balla, i cili porosit që dhuna dhe gazi lotsjellës i shqiptarëve kundër shqiptarëve duhet të shmanget.

Arrest shtëpiak për aktivistët e Vetëvendosjes




Gjykata Komunale e Besianës e udhëhequr prej gjyqtarit, Behxhet Muçiqi, u ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak prej 15 ditëve nëntë aktivistëve të Vetëvendosjes për pjesëmarrje në protestën e 14 janarit. Në seancën që zgjati për rreth 6 orë kjo masë u është shqiptuar këtyre aktivistëve: Frashër Krasniqit nga Prishtina, Salih Zybës nga Prishtina, Hysen Durmishit nga Prishtina, Naim Bunjakut nga Vushtrria, Bekim Sylejmanit nga Mitrovica, Genc Musës nga Besiana, Musa Ajetit nga Mitrovica, Gezim Hysenit nga Besiana e Sabri Bajraktarit nga Dragashi. Prokuroria kishte akuzuar të gjithë të arrestuarit për dyshim të veprës penale për pjesëmarrje në protestën e 14 janarit dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Pas dëgjimit të akuzave, pala mbrojtëse ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të klientëve të tyre, sepse edhe ashtu kishte kaluar afati i paraburgimit të tyre prej 48 orëve, dhe më këtë rast Gjykata ka shkelur ligjin, duke i mbajtur ata nën arrest më tepër se 48 orë.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kërkuar nga Kryetarja Jahjaga që t’i thërrasë të gjitha subjektet parlamentare dhe jo-parlamentare, pas zhvillimeve të fundit në vend. Sipas tij, kryetarja e ka detyrim kushtetues që t’i thërrasë për bisedime subjektet politike në vend. Krasniqi citohet të ketë thënë se përmes rrugës nuk mund të zgjidhen problemet, duke vlerësuar se Vetëvendosja nuk i ka harxhuar të gjitha mundësitë ligjore për mocionin e Kuvendit. Ai ka shprehur keqardhje për arrestimin e deputetëve të Kuvendit dhe nënkryetarit, Glauk Konjufca.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...