Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/04/23

INTERVISTA/ Flet historiani, Prof. Doc., Arben Puto: “Integritetin e Shqipërisë e shpëtoi Lufta Nacional-Çlirimtare”


Intervistë me Prof.Dr. Arben Puto



image




INTERVISTA/ Flet historiani, Prof. Doc., Arben Puto: “Integritetin e Shqipërisë e shpëtoi Lufta Nacional-Çlirimtare”

Diplomatja më e saktë për Shqipërinë në periudhën e LANÇ-it, ishte BBC 
Musolini, Hitleri dhe Metaksai ishin diktatorët e Luftës Italo-Greke


Takimi me Prof. Arben Puto ishte plot mbresa. Brenda tij ishte akumuluar një bibliotekë me vete, ku në çdo pyetje do të gjeje përgjigje nga më interesantet. Biseda filloi me problemin tashmë të bërë publike, rastin e konsullit grek në Korçë, (Ikonomus), një rast i rrallë ku një diplomat bën thirrje për ndërrimin e kombësisë, të cilin Puto ishte ndër të parët që e denoncoi. Prof. Puton e gjen mes librave, por më shumë e gjen duke shkruar. Tashmë ai po përgatit një libër historik mbi Luftën e shumëdiskutueshme Italo-Greke, luftë, e cila solli dhe ligjin e luftës që Greqia i shpalli Shqipërisë. Një ligj lufte, i cili çuditërisht ekziston edhe sot, një ligj lufte që shpesh herë ka çuar në acarimin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Në këtë libër Prof. Puto sjell fakte historike përse Shqipëria nuk mund të quhet shtet pushtues në atë periudhë dhe rolin e qeverisë kuislinge shqiptare në atë periudhë. Por në këtë libër Prof. Puto nxjerr dhe fate të reja për rolin e luftës Nacional Çlirimtare dhe atë të BBC në këtë luftë. Sipas tij, BBC ishte diplomatja më e mirë e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore pasi pa propagandën e saj, ku Shqipëria renditej në krahun e aleatëve kundër boshtit Romë-Berlin Toki, integriteti i Shqipërisë pas lufte do të ishte shumë i dyshimtë. Në këtë libër, që mendohet të dalë në vjeshtë të këtij viti Prof. Puto sjell fakte dhe komente të reja mbi këtë luftë që do t’u hapin një dritare të re historianëve, por dhe Historisë së Shqipërisë...

Per me shume lexoni gazeten"Telegraf"

Polemikë: Ardian Puto i përgjigjet Ardian Ndrecës




NGA PUTO VERSUS NDRECA

Ka tërhequr vëmendjen një shkrim i Ardian Ndrecës në Mapo lidhur me librin Diktatorë e Kuislingë të Arben Putos, dhe sot, po në Mapo, ish një përgjigje e shkurtër e autorit të librit. Po i publikojmë të dyja, duke filluar me përgjigjen e shkurtër të Putos.

Arben Puto

(Reagim ndaj artikullit të Ardian Ndrecës, botuar në gazetën MAPO në datat 15 dhe16 shkurt)

Unë e dëgjoj për herë të parë këtë emër. Më thonë se nuk është historian. Atëherë e ka aq më të lehtë të më bëjë humbës të historisë dhe të më ngelë në klasë. A ka lexuar ndonjë libër tjetër nga librat e mi, veç këtij?

Nga leximi i shkrimit kuptohet se është intelektual, publicist, por është një intelektual i profilit të ulët. Artikulli nuk është kritik. Kritika është një gjë normale. Ai nuk kritikon. Ai shfren urrejtje, fyen, poshtëron, ai është i hidhur, halucinant. Nuk duhet të marrë pozën e një autoriteti në fushën e historisë. Është vetëm një diletant që hyn nga dera e prapme në histori. Nuk ka haber nga normat më elementare të historiografisë. Nuk i njeh burimet kryesore të ngjarjeve të periudhës dhe injorancën e shet për erudicion. Nuk i pëlqen ditari i Cianos, se është “fashist”; as “Tomorri”, se është gazetë.

Herë-herë nuk bën kritikën e librit, del krejt jashtë temës dhe bën digresione në politikën e madhe në Europë dhe në botë: Stalin, Molotov, Ribbentrop, Leon Blum, deri te japonezi Matsuaka.

Artikulli ka vetëm një kuptim: autori nuk më fal që libri denoncon kolaboracionizmin. Nuk i fsheh simpatitë, jo vetëm për kuislingët që dhurojnë hektarë toke shqiptare (Sh. Verlaci), por edhe për Mussolinin e Hitlerin, që “admiroheshin” për qëndrimin antibolshevik.

Se çfarë konceptesh ka ky intelektual, del edhe kur flet për angazhimin tim në fushën e të drejtave të njeriut. Nuk është “konvertim”; asnjëherë nuk jam penduar për zgjedhjet që kam bërë që në rini. Të rinjtë ishin për një Shqipëri të pavarur, të përparuara dhe për një shoqëri të drejtë. Të drejtat e njeriut janë një pjesë e pandarë e shoqërisë së drejtë. Bëra thirrje për vendosjen e pluralizmit dhe për lirimin e të gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë. Ai përflet veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të atyre që ai quan me përçmim “grekofonë”.

Artikullshkruesi është antikomunist, por jo edhe antifashist. Është avokat i kolaboracionizmit. Kolaboracionistët dhe kuislingët kanë dalë përpara gjyqit të historisë dhe nuk do të rehabilitohen kurrë.

Historinë e atyre viteve e bëri Lëvizja e Rezistencës, Lufta Nacionalçlirimtare, që e shpëtoi Shqipërinë nga një copëtim i dytë me Jugun në dorë të Greqisë.

Le të vazhdojë me monolog.



Lufta e humbun e Arben Putos me historinë (II)

Ardian Ndreca

Vitin e fundit disa gazetarë kanë botue libra me karakter historik dhe prej atyne që un kam lexue veçoj atë të Ilir Ikonomit kushtue Faik Konicës, libër i shkruem me kulturë, me stil tregimtar të pëlqyeshëm, i mbështetun në fakte dhe pa gjykime emocionale. Para pak kohësh doli në qarkullim nji libër i autorit Arben Puto me titull “Lufta italo-greke.

Mbas leximit të vemendshëm të librit të Putos, konstatova se teksti i tij, edhe pse ai asht historian, nuk barabitet as me atë të Ikonomit e të ndonji tjetri, pse Putoja në librin e tij kur shkruen si historian thotë gjana të stërdijtuna, kur thotë gjana të vetat resht së qeni historian dhe kthehet edhe nji herë në radhët e nji partie që mbështetej në rrena, shpifje, banalitete të cekta e nëpërmjet tyne ushqente gjykime të mangëta e të shtrembta historike.

Prej titullit libri premton se do të sqarojë çeshtjen e konfliktit italo-grek. Në të vërtetë ai e anashkalon me nji shpengesë të çuditshme ketë luftë, tue mos ofrue të dhana as për forcat (armatat) në fushën e betejes, as për dislokimin e tyne, as për kontaktin mes ndërluftuesve dhe as për betejat ma të randësishme. Nga ana tjetër ai nuk jep asnji pasqyrë të besueshme, të mbështetun në të dhana konkrete, për pjesmarrjen e shqiptarëve në atë konflikt. Për shembull prej këtij libri nuk mëson se komandanti i forcave të armatosuna italiane në Shqipni, gjenerali U. Soddu, me nji urdhën sekret të datës 22.11.1940 autorizonte krijimin e “nuclei armati albanesi” me qëllim, jo pjesmarrjen në operacione luftarake, por mbrojtjen e territorit dhe ruejtjen e rendit publik. Këto forca përbaheshin prej 400 mirditasish, 100 matjanësh, 200 peshkopiasish dhe 200 çorovodasish të armatosun me pushkë mod. 91 dhe të paguem me nga 100 frang ar në muej (drejtuesit me 200 fr. ar.). Puto pretendon me folë për nji konflikt që ai vetë nuk e njeh në termat që duhet ta njohin nji historian. Për shembull flet për dezertimet e shqiptarëve, por nuk njeh as shkaqet dhe as masat e marruna. Po të kishte lexue dokumentat arkivore do të kishte mësue se dezertorët shqiptarë vinin ma së shumtit nga radhët e ushtarëve të zonave operacionale, siç njofton gjen. Geloso komandën e përgjithshme në nji telegram të datës 3.12.1940, ku flet edhe për zëvendsimin e tyne me elementë të zonave tjera. Putoja nuk flet për organikat dhe veprimet e batalioneve Dajti, Taraboshi, Gramozi, psh. nuk din se ky i fundit në qershorin e 1940 kishte 20 oficera, 20 nënoficera dhe 629 ushtarë, dhe komandohej prej maj. Rexhep Gjilanit e ma vonë prej maj. Adem Boletinit.

Solla këto pak fakte për me nënvizue se autori mëton me shkrue historinë e nji lufte që s’e njeh aspak përmes dokumenteve të dorë së parë. Ai nuk ka pa asnjiherë dokumentat e shtatmadhorisë italiane dhe asaj greke, nuk njeh literaturën përkatëse dhe madje as dëshmitë e atyne që kanë marrë pjesë direkt në atë konflikt apo kanë shkrue rreth tij, si për shembull: A. Serra, F. Benanti, G. Bonomo, E. Bucciol, M. Coltrinari, L. Ferrari, R. Gatti, A. Comel, A. Ventura, M. Laureati, G. Fusco, R. Panetta, V. Azzi, M. Rigoni Stern etj.

Gjithë pjesa e parë e librit s’asht tjetër veçse nji përsëritje gjanash të dituna: kush ishte Mussolini, kush ishte Hitleri. Mund të themi se deri në faqen 23, autori nuk ka thanë asnji gja të re apo të randësishme që mund të shkojë përtej nji libri shkollor të klasave të ulta. Për me besue ketë që un pohoj, mjafton leximi i 23 faqeve të para.

Bahet fjalë për nji libër plot me vlerësime emocionale që synojnë me denigrue me çdo kusht të gjithë ata që nuk i përkasin palës politike të autorit. Për shembull, Vërlaci quhet “beu i shumë flamurëve” (sic, f. 39). Për Konicën pohohet se aktiviteti i tij diplomatik ishte diçka e “dorës së dytë”, nji aktivitet “krejt i shpërfillun”, dhe në ketë konkluzion Putoja arrin mbasi: “Në Arkivin e Ministrisë së Jashtme, në Tiranë, nuk është gjetur asnjë raport mbi veprimtarinë si diplomat” (f. 177). Edhe nji student i vitit të parë të historisë e din se nuk mund të organizojnë argumentime tue u nisë prej mosnjohjes së fakteve nga ana e tij. Ex silentio nuk mund të ndërtohet asgja pozitive, sidomos pohime të tilla të rreme.

Denigrimi që Putoja përpiqet me i ba Konicës, i ka rranjët përtej injorancës së tij, ai buron prej sensit të inferioritetit dhe prej metodës së “prozhmimit me çdo kusht” që karakterizon historianët komunista. Në fakt Putoja e njeh librin e Ilir Ikonomit, nepërmjet të cilit mund t’i kishte plotsue mangësitë e tij në lidhje me aktivitetin diplomatik të Konicës. Asht e çuditshme sesi, me dashje apo padashje, Putoja nuk mbërrin me e citue saktë as edhe nji herë të vetme emnin e autorit të atij libri të vlertë.

Ma poshtë, në faqet 178-185, Putoja nuk ban tjetër veçse perifrazon I. Ikonomin.

Në librin e Putos flitet për gjyqin e Jacomonit të zhvilluem në Itali mbas lufte (ff. 59-60, 63-64), por autori nuk njeh promemorien e botueme prej vetë ish-Mëkambësit mbas atij gjyqi. Quen Jak Koçin nji “individ anonim” (f. 60), gja që tregon se nuk njeh aspak rolin e këtij individi, negativiteti i të cilit asht i dukshëm gjatë gjithë traktativave mes Zogut dhe italianëve. Ndoshta Putos do t’i kishte shërbye në ketë drejtim libri me kujtimet e Alessandro Lessona-ës (Memorie, Firenze 1958), por me sa duket as atë nuk e ka gjetë në Arkivin e MPJ në Tiranë!

Në faqet 72-75, 80-87, nuk thotë asgja të re. Ah, po! Në nji shenj vendit autori e ka pa të arsyeshme me sjell tekstin e plotë të kangës “Faccetta nera” (f.77), studimi i së cilës me siguri do t’i hapin horizonte të reja lexuesit shqiptar për me kuptue luftën italo-greke dhe kuislingët!

Burimet e tij të dorë së parë janë shumë të kufizueme. Libri mbështetet kryesisht në pak autorë që sillen mbarë e mbrapsht simbas nevojave ideologjike të Putos. Së pari kemi kujtimet e Ciano-s, pohimet e të cilit merren si ar i kulluem, edhe pse ai ka qenë fashist dhe megaloman i pashembullt, por ndoshta kjo asht arsyeja që Putoja e parapëlqen. Nji tjetër autor, i “plaçkitun” pa mëshirë prej Putos, asht O. Pearson, mbi tekstin e të cilit bazohet 1/3 e librit të Putos. Në qoftë se do të lexoni Puton, s’keni nevojë me lexue Pearson, e po lexuet ketë s’ka çka ju duhet Putoja vetë.

Nji tjetër libër që simbas Putos përban burim të besueshëm për historinë tonë të asaj kohe asht R. Morozzo della Rocca, i cili na paska dhanë “nji pasqyrë shteruese” (f.162), anipse s’din as gjuhën shqipe! Që Morozzo della Rocca-ës nuk mund t’i besohet me sy mbyllë, po ju sjell vetëm disa shembuj prej librit të tij “Nazione e religione in Albania” (ed. Besa, Nardò 2002). Për Zogun, ky autor shprehet se për me u “oksidentalizue”, eliminoi pjesën arabo-turke të emnit Ahmet, dhe modifikoi Zogolli në Zogu, gja që acaroj shumë Ataturkun (bot. cit., f. 90). Nuk e dijmë që Zogu ta ketë eliminue emnin e tij Ahmet pse i qenka dukë i shëmtuem! Dikund tjetër Morozzo della Rocca thotë se At Anton Harapi po mbaronte (it. spasimava) për me u ba regjent (bot. cit., f. 189). E keqja asht se ky pohim i tij nuk mbështetet në asnji dokument. Ndërsa e keqja ma e madhe qëndron në faktin se Morozzo della Rocca nuk njeh deklaratën në të cilin Harapi spjegon pse ka marrë atë detyrë, madje ai nuk e din se Harapi e merr atë detyrë me kusht që mos me firmosë dënime me vdekje. Ka edhe ma, as ai as Putoja nuk e dijnë se Harapi e “braktisi” atë detyrë, i lodhun prej vllavrasjes që po ndodhte dhe shkoi në Austri, dhe vetëm kërkesat e shumta me u kthye e premtimet e qeverisë për mos me krye gjakderdhje mes shqiptarësh e bajnë me u kthye në Tiranë.

Aty ku përshkruen hymjen e partizanëve në Shkodër me 29 nandor 1944, Morozzo della Rocca shkruen: “Skena asht lirike e mjaft e njohun: kangë, valle, parada, flamuj të shpalosun, së bashku me të pamungueshmet gjuejtje dhe shpërthime” (f. 194). Skena asht aq e njohun, sa që historiani italian s’e ndien të nevojshme me citue asnji autor. Megjithatë, dikund ndër nota ai i referohet jo drejtpërdrejt nji teksti, bahet fjalë për përmbledhjen me titull: “Partizanët tregojnë… Kujtime, ditarë, shënime të pjesmarrësve në luftën nacional-çlirimtare” (Tiranë 1960), po aty citon edhe ndonji libërth tjetër me “përralla”.

Roli që Putoja i ka caktue vetes në ketë libër asht ai i nji historiani-prokuror që dënon me artikuj gazetash dhe me telegrame të rastit. Në fakt, e kjo asht çudija e radhës, ai e konsideron gazetën Tomori, e cila për nji komunist duhet të jetë nji “gazetë e fëlliqur fashiste” si nji burim të dorës së parë (shih ff. 92, 189). Mendoni nëse sot nji studiues serioz mund ta shkruente historinë e Shqipnisë së 50 viteve të fundit tue konsiderue si burim të dorës së parë gazetën Zëri i Popullit apo buletinin Rruga e Partisë? Të gjitha zbulimet e jashtëzakonshme të këtij libri, të cilat na i shiti për pak lekë edhe në nji të përkohshme shqiptare, kanë të bajnë me telegrame të rastit që personalitete të kohës, si Koliqi, Kruja, Fishta kanë dërgue asokohe (shih ff. 139, 158, 167). A mundet nji telegram urimi të impostojë nji personalitet historik me nji aktivitet prej pesëdekadash si Fishta?

Po të ishte kështu atëherë duhet ta gjykojmë pozitivisht Haxhi Lleshin për faktin që gjatë karrierës së tij ka dërgue nja 3000 telegrame urimi kryetarëve të shteteve të gjithë botës?! Në qoftë se 3000 telegrame urimit s’dalin për me shpëtue Haxhi Lleshin, i cili ka firmosë me qindra dënime me vdekje, kam frikë se edhe nji telegram i vetëm urimit nuk mjafton për me fundos figurën e Fishtës, që, siç dihet, s’ka firmosë dënimin e kurrkujt!

Njianshmënia e Putos asht aq e madhe, saqë edhe po të kishte qenë nji trans-oqeanik do të ishte fundosë në pak sekonda. Por ai s’asht tjetër veçse nji historian komunist i lidhun me njimijë fije me nomenklaturën komuniste, veprimet çnjerzore dhe antikombtare të së cilës mundohet me i mbulue me ketë libër xhevahir me të cilin mbyll, besojmë, karrierën e tij të palavdishme.

Ai mbërrin me interpretue bashkimin me Kosovën dhe krijimin e Shqipnisë etnike si nji hap për sulmin kundër Jugosllavisë (f.91). Pra, nuk ka asnji fjalë pozitive për andrrën e bashkimit me Kosovën, pse ketë gja e kanë ba “fashistat”. Kah ana tjetër çon në qiell përpjekjet diplomatike (?) që Enver Hoxha bani për me shpëtue coptimin e Shqipnisë prej grekëve mbas luftet (f. 196), por në mënyrë absolute nuk e thotë nji fjalë për humbjen e Kosovës apo për masakrën e Tivarit.

Putoja skandalizohet me qëndrimin e Anglisë ndaj pushtimit fashist të Shqipnisë (f.105), por s’na thotë pse nuk reagoi BRSS? Mund t’ia themi ne pse nuk reagoi Stalini. Tashma asht ba publik memorandumi i bisedës së mbajtun në Kremlin natën e 23 gushtit 1939 mes ministrit të Jashtëm të Reich-ut, Stalinit dhe komisarit të popullit, Molotov. Në protokoll lexohet sesi Stalini i drejtohet von Ribbentrop-it tue e pyet për qëllimet italiane në Shqipni. Stalini e pyet nëse italianët mendojnë me pushtue Greqinë? Pse, Shqipnia, shton me cinizëm diktatori gjeorgjian, asht e vogël, me male dhe pak e popullueme e s’ka çka i duhet Italisë. Ministri gjerman i pergjegjet se Shqipnia ka randësi strategjike për Italinë, çka nënkupton nji pohim të asaj çka e pyet Stalini.

Putoja flet në mënyrë të përgjithshme për dështimin e sulmit italian kundër Greqisë dhe për përgjegjsitë e gjeneralit Cavallero. Nga ana tjetër flet për nji projekt të Verlacit për me i dhurue gjen. Cavallero si mirënjohtje për triumfin ndaj grekëve1000 hatokë dikund kah Fieri (ff. 139-140). Njikohsisht Putoja pohon se Duçja e largoi Cavalleron dhe shkarkoi Verlacin për arsyen e kësaj “dhurate” që binte erë korrupsion. Pra, sensibiliteti moral fashist arrinte deri aty sa me shkarkue Verlacin dhe me heqë gjen. Cavalleron, i cili (ketë gja Putoja e injoron) ishte vjehrri i Jacomonit. Absurditete të pandieme!

Putoja përpiqet me çdo kusht me denigrue M. Krujën e ketë gja e ban kryesisht tue citue nji fashist si Ciano-ja. Fashist për fashist, pse nuk citon Koliqin? Pse fjala e Ciano-s duhet të ketë vlerë absolute në gjykimet e tij? Putoja citon dhe riprodhon disa ligjërata të M. Krujës, por për çudi harron me citue fjalimin e tij të 22 nandorit 1942 në teatro Savoia, fjalim që zemëroi shumë autoritetet e Romës për tonet nacionaliste dhe për paralajmërimin se Shqipnia mbetet Shqipní. Në anën tjetër Putoja nuk thotë as edhe nji fjalë të vetme për kontributin e qeverisë Kruja në shpëtimin e hebrejve. Edhe kjo gja i ka rrëshqitë historianit Puto që s’mëton me shkrue historinë “siç ka ndodhë në të vërtetë” (wie es eigentlich gewesen), siç shprehej dikur L. von Ranke, por si i pëlqen atij. Nji akuzë tjetër qesharake asht se Kruja gjatë mërgimit të viteve ’20-‘30 ishte spijun i italianëve (f.148). Shpifje e ulët edhe për nji si Putoja. Në qoftë se ai do ta kishte marrë mundimin me kontrollue si duhet në Arkivin e Farnesinës, do të kishte gjetë dokumente që tregojnë se Kruja ndiqej dhe kontrollohej prej qeverisë së Romës në vitet ’20 si person i rrezikshëm për planet italiane. Por kulmin Putoja e arrin me “moralin” që nxjerr prej gjithë aktivitetit të M. Krujës: “Në dreq atë strofkull Toskninë, të shpëtojmë Gegninë” (f.151).

Kolaboracionistave shqiptarë mund t’u faturojmë shumë gjana, por kurrsesi përçamjen veri-jug, gegë-toskë. Putoja harron ndoshta se qenë pikërisht partizanët e tij komunista ata që sapo mbërrijtën me hy në veri mbas largimit të gjermanëve, hiqnin vallen: “luaje luaje këmbën t’ia bëjmë Gegës nënën”! Kah ana tjetër miqtë ma të mëdhenj të M. Krujës, si Xhevat Kortsha, Qazim Koculi, Kostandin Kotte kanë qenë toskë, dhe andrra e të gjithëve bashkë ka qenë Shqipnia etnike. Nuk ka asnji dokument të vetëm historik që të vërtetojë ketë shpifje të ulët të Putos. Në librin e tij sillet si shkak i dorëheqjes së Krujës mossuksesi i tij (shih ff. 130, 140), por nuk përmendet as edhe nji herë të vetme arsyeja që vetë Kruja ka pohue: vrasja nga ana e italianëve e mikut dhe bashkëpuntorit të tij Qazim Koculi, i cili kishte qenë nji prej udhëheqësve të Luftës së Vlorës. Po të kishte pasë nji nuancë sadopak shkencore libri i Putos, do të ishte dashtë me e përmend edhe ketë fakt. Ndoshta e ka lanë në heshtje pse do t’i ishte dashtë me shpjegue se kush ishte Koculi dhe se cili ishte misioni i tij në Vlorë!

Tue lexue se çka shkruen Kruja mbas luftet, Putoja skandalizohet me “konvertimin” e ish-kryeministrit shqiptar nga fashist në demokrat (f.130). Edhe tjetërkund Putoja skandalizohet me “voltafaccia” e Konicës ndaj Zogut më 1939 (f. 173). Nuk e kuptojmë sesi mund të skandalizohet Putoja me kend, kur ai vetë, i lidhun kamb e krye me diktaturën e Enver Hoxhës, tue pasë qenë funksionar i naltë i nji regjimi gjakatar që mohonte edhe të drejtat ma elementare, u konvertue në vitet ’90 në korife të të drejtave të njeriut të Komitetit të Helsinkit, madje i asaj dege që preokupohej kryesisht për grekofonët e Shqipnisë!

Kur flet për Koliqin, Putoja improvizohet si nji kritik letrar (f.155), shi prej atyne që kishin dikur “shtëpitë e kulturës” së katundeve. Kalon me dy rreshta kontributin personal të Koliqit në zhvillimin e arsimit në Kosovë, ndërsa botimet e randësishme që u banë në kohën që ai ishte ministër nuk i kujton aspak. As që e përmend nji dëshmi të Petro Markos (shih: Intervistë me vetveten, Tiranë 2000, ff. 405-406), ku shkrimtari disident tregon sesi Koliqi i shpëtoi jetën kur gjermanët donin me e pushkatue në Romë, dhe sesi ndihmonte miqtë e Markos, komunista malazezë dhe grekë tue i pajisë me pasaporta shqiptare për me i lejue me ikë prej Italijet. Putoja duket se e ka shikimin e mveshun prej pasionit politik dhe prej urrejtjes, mbasi deri edhe te didaskalia e fotos (f.157), ngatërron Koliqin me Terenc Toçin, apo citon burime të paverifikueshme, tue i klasifikue si “konfidenciale”, kupto të Sigurimit të Shtetit shqiptar (f.160).

Tingëllon çuditshëm përkufizimi i fashizmit që sjell Putoja: “një sistem në të cilin çdo gjë është për shtetin, asgjë nuk është jashtë shtetit, asgjë dhe askush nuk janë kundër shtetit” (f.156). A s’ishte vallë ky koncept identik me atë të komunizmit? E me mendue se përkufizimi i masipërm asht i Mussolinit. Koncepti i shtetit në regjimin në të cilin Putoja ka shërbye me devotshmëni nuk asht aspak i ndryshëm prej atij që përcakton Mussolini.

Putoja citon Morozzo della Rocca-en edhe përsa i përket At Anton Harapit. Asht e çuditshme sesi ai sjell të gjitha gjykimet negative të Morozzo della Rocca-s për Harapin, të cilat nuk i referohen asnji burimi të mirëfilltë historik. Ndërsa kur Morozzo della Rocca, tue iu referue nji dokumenti të ruejtun në Bundesarchiv-Militärarchiv (Freiburg im B.), sjell gjykimin që kishte Wehrmacht-i për Harapin si: “nacionalist i zjarrtë dhe anglofil i pandehun” (glühender Nationalist; angeblich anglophil) – Putoja nuk e citon aspak (shih: Morozzo della Rocca, bot. cit., f.205, nota 95).

Nuk besoj se nji histori e mirëfilltë shkencore mund të shkruhet kështu siç vepron Putoja. Kam frikë se po të kishte qenë në krye të Bankës Shqiptare, Putoja do t’i kishte shtypë kartëmonedhat vetëm nga njena anë.
Gjithnji tue citue Morozzo della Rocca-n, Putoja e njollos Fishtën si spiun të sivëllazënve të tij pranë autoriteteve fashiste. Asht e çuditshme, por as Morozzo della Rocca (bot. cit., f.166) dhe as Putoja (shih f.165) nuk e mbështesin nji akuzë të tillë denigruese në asnji dokument historik.

Morali: historia e tyne asht nji histori shpifjesh e asgja ma tepër!

Ndërkaq Putoja përsërit në mënyrë jokritike nji absurditet tjetër të Morozzo della Rocca-s, i cili sheh nji dualizëm mes Fishtës dhe Ballit Kombtar (f.166). Morozzo della Rocca-s do t’i kishte mjaftue me dijtë vetëm pak shqip për me marrë vesht se Fishta ka vdekë në dhjetor në vitit 1940, ndërsa Balli Kombtar asht krijue në vitin 1942! Ndërsa Putos do t’i kishte mjaftue me përdorë sadopak arsyen për mos me përsërit teza kaq absurde.

Nuk po flasim për lajthitjet e thjeshta të Putos, p.sh. në vend të Antonio Baldacci-t përmend nji Giovanni Baldacci që s’ekziston (f.148); apo flet për “lektorët romakë” (f.156) që i paskan dhunue shpirtin Koliqit! Ndoshta ndonji lektor historiet do të kishte ba mirë me pasë shikue në kohë shtypajt e librit të Putos, përpara se të na servirte këto mrekullina.

Lajmi i “tmerrshëm” që ai na sjell asht telegrami shumë i përfolun i Fishtës, i cili njihej, pse asht botue te Hylli i Dritës. S’kam ndërmend me ba nji apologji të Fishtës përpara atyne që ma s’parit u janë shitë kambë e krye jugosllavëve të Titos, mandej Stalinit, mbas tij Mao Ce Dunit e mandej vetë dreqit, pse edhe nji gjysëm i shkolluem stepet përpara akuzave të tilla që s’mund të mohojnë veprën patriotike e letrare të Fishtës, të cilën s’e cënon nji telegram i vetëm urimit. Së pari, duhet t’i tregojmë historianit militant Puto se përceptimi i figurave të Mussolinit dhe Hitlerit në vitin 1939 nuk ka qenë i njejtë me përceptimin që ne kemi sot. Në anën tjetër, historiani nuk mund të gjykojë nji epokë të kalueme me kriteret dhe vlerat që ne kemi sot. Sa për ilustrim, i kujtojmë Putos se Léon Blum, hebre socialist i S.F.I.O. shkruente në të përditshmen Le Populaire në vitin 1933, menjiherë mbas marrjes së pushtetit prej Hitlerit, se ky nuk do të ishte i rrezikshëm. Vetë Churchilli gjatë vizitës në Romë do të shprehej se admironte politikën e Mussolinit dhe qëndrimin e tij antibolshevik. Historianë si Henri Massis, eseista si Gonzague de Reynold vlerësonin te Mussolini qëndrimin antikomunist dhe rilindjen e qytetnimit romak; shkrimtarë si E. Waught, H. Miller, E. Pound shprehnin haptas admirimin për të. Këto vlerësime ishin shumë të përhapuna deri në fillimin e viteve ’40, mbasi te Mussolini shihej e ashtuquejtuna “rruga e tretë”, e mesmja mes komunizmit dhe demokracive parlamentare.

Meqë Putoja i thotë vetes historian, dhe duhet ta njohin landën e vet, ne e pyesim çka mendon për faktin se me 28 shtator 1939, me rastin e ndamjes së Polonisë mes Gjermanisë naziste dhe BRSS, forcat sovjetike dhe ato naziste festojnë me nji paradë ushtarake të përbashkët në qytetin tashma kufitar të Brestit? Çka mendon Putoja për telegramin që Stalini i dërgon Hitlerit me 17 qershor 1940 tue e përgëzue për marrjen e Parisit dhe mposhtjen e Francës?! Çka mendon për faktin se Kominterni përpara 22 qershorit 1941 nuk ka nxjerrë asnji direktivë kundër regjimit nazist? A din me na tregue Putoja nji dokument të vetëm, përpara 22 qershorit 1941, të grupit komunist të Enver Hoxhës ku dënohet nazizmi dhe Hitleri? Çka mendon për faktin se treni i fundit me drith prej BRSS, drejtue në Gjermaninë naziste, kalon kufinin sovjetiko-gjerman në mesnatën e datës 21 qershor 1941 dhe se importi ma i madh i Gjermanisë naziste ishte me BRSS?

Si e gjykon Putoja bisedën ndërmjet von Ribbentropit dhe Stalinit e Molotovit natën e 23 gushtit 1939, kur, ndër të tjera, ministri i Jashtëm i Reich-ut i thotë Stalinit se pakti anti-Komintern nuk kishte si qëllim me u drejtue kundër BRSS por kundër demokracive perëndimore, dhe Stalini përgjegjet se ai pakt ka friksue Londrën dhe tregtarët e vegjël britanikë. Atëherë von Ribbentrop shton se edhe Stalini shumë shpejt do të bashkohet me atë pakt! Stalini, shkruen në verbalin e tij zv/sekretari gjerman i shtetit për punët e jashtme A. Hencke, propozon në mënyrë spontane nji dolli për Hitlerin tue thanë: “E di sesa shumë e don populli gjerman Führerin e vet; prandaj do të pi për shëndetin e tij”. Të gjitha këto dokumente, pjesë e arkivit të MPJ të Reich-ut III, tashma janë botue prej Raymond James Sontag dhe James Stuart Beddie.

A din Putoja se kryeministri francez E. Daladier, mbas paktit Ribbentrop-Molotov, e nxori jashtë ligjit Partinë Komuniste franceze, mbasi kjo e fundit nuk pranoi me dënue politikën e Stalinit ndaj Hitlerit?!

Sigurisht të gjithë këto gjana Putoja nuk ka pasë se ku me i lexue, pse nuk gjinden në Arkivin e MPJ të Tiranës, ku ai ka bubrrue për me shkrue pamfletin e tij qesharak!

Çka mendon Putoja, meqë asht studiues telegramesh, për telegramin që konti Schulenburg, ambasador gjerman në Moskë, i drejton eprorëve të vet me 13 prill 1941. Ambasadori Schulenburg kumton në atë telegram sesi vetë Stalini kishte dalë me përcjellë ministrin e Jashtëm japonez Matsuoka, të cilit diktatori sovjetik e kishte sigurue se ishte nji mbështetës i bindun i forcave të Boshtit dhe kundërshtar (Gegner) i Anglisë dhe Amerikës. Ndërkaq, vijon Schulenburg, Stalini m’u afrue, më hodhi dorën në shpatulla dhe më tha: “Ne duhet të mbesim miq në çdo rast (auf jeden Fall) dhe ju duhet të bani gjithçka për ketë qëllim”.

Tue u kthye te libri i Putos, mundena me thanë se nuk janë të pakta pohimet ilogjike dhe jokoherente që ai ban. Për shembull, ai pohon: “I mirënjohuri E. Venizelos, politikani me prestigjin më të madh për mbrojtjen e paepur që i pati bërë “Megali Idesë” panhelenike në konferencat ndërkombëtare…” (f.19).

“I mirënjohuri” i kujt? Nuk kuptohet nëse Putoja e ndien veten grek apo shqiptar për me u shprehë kështu! Dikund tjetër, mbasi asht mundue me provue se pushtimi italian i hoqi pamvarësinë Shqipnisë, ai pohon se “bashkimi është fiktiv” (f.190).


Duket qartë se ka disa momente që profesor Putoja nuk takon aspak!

Ma tutje ai mohon vërtetësinë e neutralitetit shqiptar mbas 14 shtatorit 1943, tue thanë se Shqipnia nuk ishte neutrale si Zvicra (f.202). Putoja harron, e me mendue se ka qenë specialist pranë MPJ të regjimit komunist, se asokohe nuk ekzistonte vetëm nji lloj neutraliteti, mbasi edhe Turqia ishte neutrale ndryshe prej Zvicrës, edhe Persia ishte shtet neutral dhe si e tillë u pushtue prej anglo-sovjetikëve në gusht të vitit 1941!

Prap si specialist i marrdhanjeve ndërkombtare ai kundërshton shprehjen “grusht shtetit” në deklaratën e shkurtë që Kuvendi kombtar bani me 16 shtator për me spjegue shkëputjen prej Italisë dhe rimarrjen e prerogativave themelore të sovranitetit. Putoja, për shkak të moshës, duhet ta mbajë mend se me 8 shtator 1943 në Itali nuk ra shteti, u shpall vetëm nji armëpushim, vendi u nda dysh, në jugun e marrun prej Aleatëve dhe në veriun e Republikës së Salòsë, prandaj edhe akti i Asamblesë kombtare në Tiranë ishte formalisht nji “grusht shtetit”, pse i hiqte Italisë çdo të drejtë mbi sovranitetin shqiptar. Mos të harrojmë se Libia, për shembull, mbetet de jure koloni italiane deri në vitin 1947.

Ma poshtë Putoja, tue ju referue si gjithmonë O. Pearson-it, shkruen: “Njësitë partizane kryen aksionin e parë në Drashovicë, pikërisht ditën e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv në Tiranë, më 14 shtator. Zunë barakat ushtarake dhe çliruan 7000 robër ushtarë italianë që u bashkuan me partizanët” (f.210).

Ngjarjet në të vërtetë kanë ndodhë ndryshe. Sulmi partizan i batalionit “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” kundër kampit të Mavrovës, për të marrë municionet panumërta që nji ploton gjerman ruente së bashku me 7 mijë robët italianë, shkaktoi viktima të panumërta mes robëve, por edhe i liroi ata prej gjermanve. Megjithatë, disa autoblinda gjermane që mbërritën me shpejtësi prej Vloret hodhën në erë depon e municioneve tue shkaktue nji numër të madh të vramësh e të plagosunish. Askush nuk mund të flasin për numrin e italianëve që u bashkuen me partizanët, pse pjesa ma e madhe u lëshuen me ikë përgjatë lumit, nji pjese iu grabitën këpucët dhe teshat, ndërsa me qindra të plagosun u lanë në mëshirën e fatit. Nji oficer italian, i cili mjekonte Hysni Kapon që kishte thye kambën, i kërkoi këtij të fundit disa mushka dhe njerëz për me tërheqë të plagosunit. Ku asht pra gjithë ai heroizëm për të cilin flet me aq patos Putoja!

A thue e din Putoja se partizanët kishin krijue në Punëmirë, në veriperëndim të Voskopojës, nji kamp përqendrimi për ushtarët italianë, të cilët mbaheshin në kushte çnjerzore, me shumë pak ushqim dhe detyroheshin me punue në shërbim të komandës së kampit! Figura ma e urryeme e kampit të Punëmirës ishte komisari i komandës partizane të Voskopojës, nji kriminel sadist, që përdorte gjithfarëlloj torturash mbi robët italianë. Ma vonë nji sulm gjerman detyroi partizanët me ia mbathë e vetëm atëherë robët fituen lirinë dhe u nisën drejt bregdetit, por shumica vdiqën rrugës.
Edhe pse beteja e Putos me historinë asht krejtësisht e humbun, Klioja, muza e historisë, para se me e shpallë të mundun, e nxjerr edhe qesharak. Qe se çka shkruen ai: “Ky ishte Operacioni i Dimrit që zgjati tre muaj nga dhjetori deri në prill1944” (f.217).

Dhjetor – prill tre muej!? Putoja mirë se ka probleme me historinë, por edhe në aritmetikë nuk e kalon lehtë klasën!

Xh. Deva, për të cilin nuk kemi simpati as si politikan dhe as si inxhinier, quhet kudo në libër “terrorist” (ff. 219, 224 etj.). Sigurisht mbi të bjen përgjegjsia e nji akti terrori siç asht 4 shkurti. Po pse nuk quhet edhe Mehmet Shehu terrorist? Trimi i Çorrushit vrau krejt kot 67 nacionalista në Lushnjë, për ketë masakër madje ai do të bante autokritikë në plenumin e nandorit të vitit 1953. Përposë kësaj, Shehu pushkatoi me 2 prill 1943, 44 rob italianë. Jo vetëm, por pushkatoi me 5.6.1943 afër Çorrushit nënkolonel Ricci-n dhe kapitenin Raffaele, që mbaheshin si pengje, madje ketë të fundit e kishte pasë shok kursi në akademi.

A nuk ishin terrorista komandantat partizanë Kadri Hoxha dhe Xhelal Staravecka, që pushkatuen 110 rob italianë të drejtuem prej nënkolonel Gamucci-t, që kërkonin me u bashkue me forcat partizane për me luftue gjermanët! Teshat dhe gjanat personale të robëve u ndanë mes partizanëve. Staravecka, për me shpëtue veten, do të dëshmojë në gjyq në Itali, në vitin 1952, se urdhni për pushkatim erdhi nga nalt.

Keto janë “dekorimet” për të cilat flitet në fonogramet e Enver Hoxhës, për të cilin Putoja nuk shpreh asnji gjykim, nuk jep asnji opinion.

Deri para 20 vjetësh ky libër i Putos do të kishte qenë i përshtatshëm me u lexue në “forma edukimit”, sot ai s’vlen asnji lek, pse asht thjesh propagandë ideologjike, e cekët, pa ide, pa horizont historik, pa kulturë, pa kujtesë, pa inteligjencë dhe mbi të gjitha pa ndershmëni qytetare dhe intelektuale.

Leximi i këtij libri qe për ne nji humbje e madhe kohet, por i nevojshëm për me tregue sesa marrina e sa paturpsina mbërrijnë me shkrue ende historianët mjerana, bishtukët e regjimit kriminal të Enver Hoxhës.

Arben Puto: Shqipëri-Kosovë, dy pjesë të një kombi





Nga Elvin LUKU


Kosova dhe Shqipëria, ndonëse dy shtete të pavarura, janë pjesë të një kombi. Kështëu shprehet studiuesi i njohur i historisë, prof. Arben Puto, në këtë intervistë, ndërsa shton se, si të tilla, këto dy vende duhet të integrohen gjithmonë e më shumë. Historiani Puto e cilësoi ndarjen mes dy shteteve si konjukturale dhe thekson se zgjidhja është bashkimi i kombit në një bashkësi të vetme.

Në këtë intervistë, akademiku i njohur ndalet, në mënyrë të veçantë, në momentet më të rëndësishme në këto100 vjet, duke analizuar ngjarjet që sollën ditën e shënuar të Pavarësisë, krijimin e shtetit shqiptar, Revolucionin e Qershorit, vitet e drejtimit të Mbretit Zog, krisjen e marrëdhënieve me Greqinë, çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës.

 Puto thekson se 100-vjetori i madh i Pavarësisë duhet të shërbejë si një moment reflektimi i së shkuarës, si mjet i domosdoshëm për ecurinë e fatin e vendit. Ai vë theksin te bashkëpunimi dhe solidariteti mes politikbërësve, për të arritur marrëveshje të mëdha, në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Profesor, kohët e fundit, në prag të përvjetorit të 100-të të Pavarësisë, ju keni hedhur tezën se, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më shumë se një produkt i diplomacisë së Fuqive të Mëdha, është rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Si e argumentoni?

Skeda:Arben Puto.jpg

Arben Puto: Shqipëri-Kosovë, dy pjesë të një kombi 

Teza që e bëri Pavarësinë e Shqipërisë si produkt i diplomacisë evropiane është një tezë spekulative, e përhapur, në radhë të pare, nga qarqet zyrtare të shteteve fqinje. Në të gjitha konferencat ndërkombëtare që kanë trajtuar çështjen shqiptare, kjo tezë, bashkë me tezën tjetër të “paaftësive të shqiptarëve për vetëqeverisje, për të krijuar shtet”, janë përdorur si argumente për copëtimin e trevave shqiptare.

Me rënien e perandorisë osmane, me dëbimin e Turqisë nga Ballkani pas luftës ballkanike, veçanërisht Serbia dhe Greqia e quajtën një moment të përshtatshëm, një okazion për të realizuar synimet e tyre ekspansioniste. Trevat shqiptare duhet të ishin “plaçkë lufte”, si shpërblim për fitoren kundër Turqisë.

Siç dihet, gjendja e krijuar në Ballkan pas disfatës së Turqisë ka qenë objekt shqyrtimi në Konferencën e Londrës, të Fuqive të Mëdha, që zhvilloi punimet në vitin 1912-1913. Përfaqësuesit e Serbisë dhe Greqisë, gjithë aktivitetin e tyre e përqëndruan të synimi për të marrë tokat shqiptare. Ata patën, veçanërisht, përkrahjen e Rusisë.

Konferenca e Londrës nuk i kushtoi vëmendje lëvizjes shqiptare. Ajo u pajtua me këto teza, dhe, për pasojë, u la fushë të lirë pretendimeve serbe dhe greke. Si rezultat, u krye një padrejtësi e madhe kundër kombit shqiptar.
Front Cover

Tokat shqiptare dhe të banuara nga shumica shqiptare u cunguan rëndë. Serbia mori Kosovën, Greqia mori Çamërinë. Sipas një shprehjeje të shtypit shqiptar të kohës, Shqipëria mbeti “dy pëllëmbë e gjatë dhe një pëllëmbë e gjerë”.

Një padrejtësi tjetër, që lidhet pikërisht me gjoja “paaftësinë e shqiptarëve për vetëqeverisje”, ka qenë mosnjohja e faktorit kombëtar shqiptar në organizimin e shtetit të ri. Nuk e njohën as Shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës, as Qeverinë e Përkohshme të dalë prej tij. Qeveria e Përkohshme, e kryesuar nga një burrë shteti si Ismail Qemali, do të ishte bërthama e natyrshme e krijimit të shtetit të ri.



Por, Fuqitë nuk e njohën. Ato nuk njohën, as vendimin e Kuvendit të Vlorës, as Qeverinë e Përkohëshme.
Pra, nuk njohën fitoren historike të Lëvizjes Kombëtare.

Ato organizuan një shtet të uzurpuar prej tyre. Krijuan Principatën e Wied-it, një krijesë e rreme, e sajuar, që nuk hodhi kurrë rrënjë në realitetin e vendit.

Si konkluzion, Pavarësia e shpallur nga Kuvendi i Vlorës, më 28 Nëntor 1912, dhe Qeveria e Përkohshme ishin rezultat i përpjekjeve kombëtare shqiptare. Principata e Wied-it ishte produkt i diplomacisë së Fuqive të Mëdha.



Si e vlerësoni ju rolin e rilindasve në krijimin e shtetit të ri shqiptar?

Rilindja shënon zgjimin kombëtar të shqiptarëve, të ndrydhur për pesë shekuj nën sundimin turk. Rilindasit Sami Frashëri, Naim Frashëri, Vaso Pasha, Ismail Qemali etj…, ishin prekursorë të Lëvizjes Kombëtare, që do të çojë në shpalljen e Pavarësisë. Pavarësia nuk ka qenë projekt imediat. Ismail Qemali kishte fillimisht, një projekt tjetër, atë të transformimit të Perandorisë Turke në një bashkësi kombesh të barabartë, të organizuar sipas parimeve kushtetuese moderne evropiane. Perandorinë e reformuar, Rilindasit e quanin një strehë përballë rrezikut të coptimit të trevave shqiptare nga shtetet fqinje, ashtu sikurse ndodhi më vonë.
Rilindja del në dy dimensione: së pari, si taban i lëvizjes kombëtare; së dyti, si një bërthamë e artë e kulturës kombëtare.

Në këndvështrimin tuaj si studiues, cila ka qenë rëndësia e periudhës së pasluftës I-rë, vitet 1920-1924?

Së pari, këtë periudhë unë e kam karakterizuar si një eksperiment pozitiv në organizimin e jetës politike, mbi bazën e pluralizmit politik dhe të parlamentarizmit.
Ajo që ka më shumë rëndësi të vihet në dukje, në këtë periudhë, është Kongresi i Lushnjes, i janarit 1920. U krijuan disa parti politike me orientime dhe programe të pa qarta. Ishte një, parlamentarizëm i brishtë, i karakterizuar nga një gjendje e pastabilizuar. Nuk vonon shumë, dhe kjo gjendje nxjerr në shesh tendenca diktatoriale. Ahmet Zogu zuri postin e Ministrit të Brendshëm në qeverinë e dalë nga kongresi dhe u afirmua si “dorë e fortë”. Kjo shkaktoi reagimin e krahut liberal, që u materializua me Revolucionin Demokratik të qershorit të 1924-ës. U formua qeveria e Fan Nolit, dhe Ahmet Zogu u detyrua të strehohej në Beograd. Ishte një qeveri e “majtë”, dhe, si e tillë, ajo ra në një izolim të plotë ndërkombëtar, që përcaktoi krizën dhe rrëzimin e saj në dhjetor.

Rikthimi i Zogut, me ndihmën jugosllave, shënon fillimin dhe konsolidimin e diktaturës së tij personale.
Kongresi i Lushnjes ka rëndësi të madhe nga pikëpamja e rolit vendimtar të faktorit të brendshëm në organizimin e Shtetit. Kongresi hapi një faqe të re në historinë 100-vjeçare të Pavarësisë.

Aty krijohet shteti shqiptar mbi baza kombëtare, duke i dhënë fund ndërhyrjes së faktorit të jashtëm në qeverisje.
Në programin e qeverisë së re ishte edhe mbrojtja e integritetit territorial. Kjo pati si pasojë konfliktin me Italinë, që zinte një pjesë të madhe të territorit, bashkë me Vlorën.

Këtu shkruhet një nga faqet më të lavdishme të historisë, epopeja e Luftës së Vlorës, që e detyroi Italinë të tërhiqej, në gusht 1920.

Në dhjetor të vitit 1924, Zogu erdhi sërish në pushtet dhe e drejtoi shtetin shqiptar si president, e më pas, si mbret, deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Cili është qëndrimi juaj për këtë periudhë të gjatë qeverisjeje?


Janë 15 vjet, periudha më e gjatë pas Shpalles së Pavarësisë, deri në agresionin fashist më 1939.

 Rikthimi i Zogut në pushtet mori formën e Republikës, me Zogun president (1925), dhe pastaj u vendos Monarkia me Zogun mbret.

Kjo periudhë ka dy anë. Në pikëpamje të shtetit, pushteti i Zogut ka si meritë kryesore konsolidimin e themeleve të shtetit kombëtar, palë e pavarur në marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Krijohen institucionet në nivel qendror dhe lokal. Përpunohet një legjislacion mbi bazën e modeleve evropiane, që e ndan vendin nga legjislacioni oriental turk.

Ndërtohet një rend politik i qëndrueshëm në të gjithë vendin. Shtet laik, në një vend multifetar. Zhvillimi i arsimit mbi themelet e kombësisë.

Në pikëpamje të regjimit, u vendos një diktaturë personale, veçanërisht në Mbretëri, dhe një pushtet i mbështetur në një rreth të ngushtë bejlerësh e çifligarësh; një shtet me natyrë agresive që zbaton gjerësisht dënimin me vdekje. Parlament fiktiv dhe zgjedhje të manipuluara.

Korrupsion i kapur në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe vetë Zogun që ka ambicjen e pushtetit dhe të pasurisë

. Shpërdorim masiv fondesh për Mbretin dhe oborrin e tij, kur vendi është i zhytur në varfëri. Politika e jashtme është e përqëndruar në marrëdhëniet me Italinë, e cila merr koncesione politike dhe ekonomike me shpërblimet që Zogu merr “nën dorë”, “Shqipëria në një aferë ekskluzive të interesave italiane.” Përfundimi logjik: pushtimi i vendit nga Italia fashiste, më 1939.

Profesor, në librin tuaj “Lufta Italo-Greke: Diktatorë dhe Kuislingë”, ju argumentoni se është lufta Nacional-Çlirimtare ajo që shpëtoi Shqipërinë dhe shqiptarët nga një coptim i dytë. Disa fjalë rreth kësaj ideje…

Dihet, se lufta italo-greke, tetor 1940 - prill 1941, përfshin edhe Shqipërinë. Ishte qeveria kuislinge që e futi në luftë. Qeveritë kuislinge, bashkëpunëtore të pushtuesit, ishin një fenomen i përhapur në Evropë gjatë Luftës së Dytë.

Qeveria kuislinge e Tiranës e justifikonte bashkëpunimin me Italinë, në agresionin kundër Greqisë, si një okazion i rrallë që i jepej kombit shqiptar për të ndrequr padrejtësitë e të kaluarës dhe për të realizuar ëndrrën e shtetit kombëtar, për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”.

Kështu, në aktin e shpalljes së luftës kundër Greqisë vinte firmën dhe qeveria kuislinge. Greqia u përgjigj me shpalljen e luftës, jo vetëm kundër Italisë, por edhe kundër Shqipërisë, të cilën e konsideronte, jo si vend të pushtuar, por si aleate të Italisë agresore.

 Në Konferencën e Paqes të vitit 1946, Greqia përdori si argument pikërisht kolaboracionizmin për të kërkuar Shqipërinë e Jugut. Atë e shpëtoi vetëm rezistenca antifashiste, Lufta Nacional-Çlirimtare që e rreshtoi Shqipërinë në radhët e Aleancës antifashiste.

Nuk ishte e rastit që Greqia e rreshtonte pjesëmarrjen e popullit shqiptar në luftën e fuqive të Boshtit dhe mbështetej vetem te veprimtaria e qeverive kolaboracioniste.

A e shikoni të mundshëm realizimin e ëndrrës së dikurshme të shqiptarëve për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”, bashkimin me Kosovën apo me trevat e tjera shqipfolëse, në kushtet e sotme, krejtësisht të reja, të integrimit euroatlantik? Si mund të jetë sipas jush ky bashkim?

Shekulli i Pavarësisë do të festohet edhe për ngjarjen e madhe të kombit tonë, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha sërbe. Të kujtojmë si filloi me shkëputjen e Kosovës, të kremtojmë daljen e saj më vete si shtet i pavarur.

Jemi dy pjesë të një kombi. Ishte një ndarje koniukturale, që i ngjan dy shteteve gjermane. Ka vetëm një zgjidhje: bashkimi i kombit në një bashkësi të vetme.

Çfarë i kanë dhënë Shqipërisë këto 100-vjet Pavarësi, dhe si duhet festuar ky jubile?

I kanë dhënë shumë. Kemi shtetin tonë të pavarur kombëtar. Me gjithë rreziqet dhe ndërhyrjet e dhunshme Pavarësia është rikthyer, u shpëtua. Shqipëria ka dalë nga një ndrydhje, errësirë shekullore dhe ka zënë vendin që i ka caktuar gjeografia me sytë e drejtuar kah qytetërimit perëndimor. Janë realizuar vlera të mëdha në shumë fusha. Kemi kulturën dhe arsimin tonë. Janë ngritur universitete e institucione të larta. Tirana, nga një fshat është bërë metropol…

Kemi të drejtë të kremtojmë 100- vjetorin, por edhe të reflektojmë. 100-vjetori e gjen vendin që ka kaluar pragun e demokracisë, por nuk e ka arritur objektivin. Gjendja është e pastabilizuar, nën goditjen e një antagonizmi të skajshëm.

Tranzicioni është i gjatë dhe i vështirë. 100-vjetori na gjen në mes të rrugës. Të shpresojmë, që ky përvjetor i madh, të na nxisë e të na frymëzojë për bashkëpunim dhe solidaritet, për marrëveshje, si mjet i domosdoshëm i përparimit drejt shtigjeve të reja. Ky është mesazhi i 100-vjetorit të Pavarësisë.


Intervistoi: Elvin LUKU






------------------------
Arben Puto lindi në Gjirokastër në 1924. Është profesor i shkencave i cili ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.
Mësimet parauniversitare e kreu në Liceun francez të Korçës (1935-1939), në Liceun francez dhe Liceun klasik në Romë. Mori pjesë në LANÇ, fillimisht në Gjirokastër pastaj në Tiranë. Arsimin e ndërprerë e përfundoi pas çlirimit në gjimnazin e "Tiranës" sot gjimnazi "Qemal Stafa" më 1946. Studimet e larta i kreu në Moskë në Fakultetin e Drejtësisë dhe i perfundoi më 1951 në degën e së Drejtës Ndërkombëtare Publike. Me hapjen e UT-së më 1957 punoi si pedagog deri më 1990.

Botime

Çështja Shqiptare në aktet ndërkombëtare pas luftës I botërore (Vëllimi III)
E Drejta Ndërkombëtare Publike Libër Universitar
Historia diplomatike e çështjes Shqiptare 1878-1926
Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut në përqasje me Kushtetutën e Shqipërisë
Nëpër analet e diplomacisë Angleze
Shqipëria Politike 1912-1939
Lufta italo - greke, diktatorë e kuislingë


Përgatiti:Flori Bruqi

SHKRIM ME SHKAS:Dr. Mirela Bogdani – Talent dhe force nepermjet te vertetes


NGA ROBERT MARTIKO 



Falë edhe një predispozicioni që buron prej kohësh të egra, izolimesh të përbindëshme brenda Perdesh të Hekurta, me duhet të pranoj qysh më parë se nga aktiviteti i gjithashëm shkencor, shoqëror e politik i Mirela Bogdanit, pjesën me pikante për mua e përbën aktivizimi i saj aktual, i suksesshëm në radhët e Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar: një Legjendë e Vërtetë!
Dhe jo më kot…
Qysh në fëmini mbaj mend se me ç’farë fjalësh poshtëruese e denigruese rrethonte propaganda komuniste në Shqipëri një nga personalitetet më të spikatura politike në botë, siç qe Winston Churchill-i, kryetar i Partisë së mësipërme. Ndërkohë që i mbushur me lavdi e nderime thithte purot e tij të famshme: Havana, Montekristo ose Romeo e Xhuljeta në Westminster, Douning Street, Chequers Court, në megayachting e gjithëveshur në ar “Christina”, të shumtë qenë aktorët shqiptarë, që të nxitur nga propaganda e një udhëheqje pa mend e të verbër përpiqeshin ta tallnin, duke i rrasur barkut të uritur ndonjë jastëk me kashtë: për të imituar linjën e tij të shëndetshme, trupore…Ç’do udhëheqësi të paditur e shtrëmbaluq, lindor, i dukej sikur mund ta arrinte. Çuditërisht, në rrugë të shtrembër: duke e vënë në lojë…Edhe pse bëhej fjalë për një individ të jashtëzakonshëm, një nga kokat më të mëdha që Njerëzimi njohu gjatë shekullit të kaluar…Njësoj si partia e tij, ky person i rrallë, vijon të përbëjë edhe sot një mit të vërtetë. Arriti të shpëtojë mijera jetë njerëzish në saje të zbatimit të politikave të mençura antifashiste, duke përfunduar me sukses, së bashku me Aleatët, Luftën e Dytë Botërore. Nëse Winston Churchill nuk do të qe përballur me dritëshkurtësinë politike të Franklin Ruzveltit në Jalta, Bashkimi Sovjetik nuk do të shtrinte dorën e përgjakur drejt Europës Lindore. Nuk do të ndodhnin atrocitetet që shkaktuan miliona të vrarë e të asgjësuar nga praktikat e udhëheqjeve të çmendura komuniste, të cilat me zell të patreguar shfarosën në masë popujt e vet. Me Partinë Konservatore Angleze lidhen edhe emra të tjerë legjendë, ku midis tyre dallon e ashtuquajtura Gruaja e Hekurt, e famshmja Margaret Thatcher…Dhe mjaft të tjerë!
Deri tani është e qartë se edhe pse nuk kam gabuar ne vlerësimet e mia politike, e pranoj që kam folur deri diku, nëpërmjet gjuhës së simbolikës së evenimenteve të ndodhura matanë Perdes së Hekurt: ku unë, së bashku me miliona të tjerë jetonim tmerre e ankthe pambarim, përjetime underground, filma bardh e zi, rrëqethës, të përgjakur, të stilit Alfred Hitchcock ose Xhon Romero… Duke mos dashur të zgjatem më tepër, mjafton të ve në dukje se porsa në horizont u shfaqën rrezet e para të dritës hyjnore të lirisë, qe e natyrshme që mjaft nga njerëzit e mençur e të talentuar të Shqipërisë të vërshonin jashtë kufijve të saj, duke shpalosur kudo në botë vlerat e tyre me të mira shkencore, artistike, shoqërore, politike dhe humane.


Një prej tyre është padyshim Mirela Bogdani.

Duke iu referuar biografisë së mjaft individëve të veçantë e të talentuar, ne jo pak raste ndryshimet e profesioneve janë regjistruar të suksesëshme kudo në botë…Përfaqësuesin më human e njëkohësisht më ekspresiv të arratisjes profesionale e ka përbërë shndërrimi i mjekut në shkrimtar ose politikan. Mbasi, thuhet se mjaft prej tyre, të pajisur nga natyra me një shpirt të ndjeshëm, duke u ndodhur në trysninë e dhimbjeve të pacientëve që vuajnë, e shtrijnë profesionin e tyre në mënyrë krejt të natyrshme, drejt dy profesioneve të mësipërme. Jam i bindur se pikërisht kështu duhet të ketë ndodhur edhe me Mirelën si mjeke e suksesshme stomatologe, kur përpos drejtimit në nivel kombëtar të këtij sektori të shëndetësise, jepte edhe mësime si pedagoge në Universitetin e Tiranës me titullin Doktore Shkencash. Dhe ndërkohë zhvillonte dijen dhe ekspertizën si studente pasuniversitare e kërkuese shkencore, duke bërë artikuj e libra, traktate, mastera e disertacione në mjaft universitete prestigjioze të botës, si fjala vjen në Universitetin “George Washington” apo atë të Bostonit në Amerikë, Universitetin e Londrës në Angli etj…Ashtu si shumë të rinj idealistë ne vitet ’90, Mirela u përfshi ne politikë (me forcat e djathta) dhe kjo erdhi pikërisht në vitin e mbrapshtë të kaosit të piramidave.


Jam i bindur se politikania e njëkohësisht akademikja në fjalë ka karakter e shpirt që i përkasin më tepër të tjera shkollave… Mjaft më dinjitoze nga ato që ofron ekzistencializmi i mjeruar në lidhje me modelet e tij njerëzore!…Mirela nuk është aspak një tip i varur nga të tjerët. Për të janë të huaja fenomenet masive të larjes e të lyerjes me furça servilësh të eprorëve apo shefave, më shqip: të sahanlëpirjes së rëndomtë, banale, përherë të mirënjohur e pandryshuar prej trajtës së saj historike, klasike…Mendimet Mirela i thotë drejt dhe hapur. Pa zbukurime! Mbi të gjitha zotëron një kurajo mjaft të lartë. Aq sa, në mjaft raste ua kalon edhe burrave…Eshtë diçka, që si fenomen i rrallë femëror, më habit. Në shumë gjëra që kanë të bëjnë jo thjesht me inteligjencën dhe ambicjen, po edhe në karakter, ajo ka mjaft cilësi të perbashketa me heroinën e saj Margaret Thatcher, e cila thoshte “Nuk jam një politikane pragmatike, po një politikane me parime e bindje” (I am a conviction politician, not a pragmatic politician). Dhe ashtu si heroina e saj, Mirela i mbron dhe lufton për bindjet e saj, kur mendon që kjo është e drejta, bile edhe kur kjo involvon risk.

Kur shikon websitin e Mirela Bogdanit (http://mirelabogdani.com/bogdaniAlbanian/index.htm  ), që hapet me fjalën Welcome të shoqëruar prej një buzëqeshjeje të ëmbël gruaje serioze e të pashme, impresionohesh duke lexuar për arritjet e saj, backgroundin e saj, eksperiencen e suksesshme në dy kariera, e më pas gjen rastin të shikosh fotografi të shumëllojshme me mjaft personalitete politike, shoqërore e akademike të botës perëndimore…Dallon midis tyre Margaret Thatcher (te cilën Mirela e ka takuar dy herë), Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, Kryetarin e Partisë Konservatore Britanike David Cameron, Kryetarin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, Kryetarin e Parlamentit Europian Hans Gert Poetering, europarlamentarët Doris Pack e Jonathan Evans, Lordin britanik John Taylor, Komisionerin për Zgjerimin e BE-së Olli Rehn, Presidentin e Universitetit të Oxfordit Chris Patten, ish Kryeministrin spanjoll Jose Maria Aznar, kandidatin për President të Rusisë Gary Kasparov, studiuesen britanike Miranda Vickers e mjaft të tjerë… Pastaj, humbet, me plot kuptimin e falës, në xhunglën amazonike të diplomave, artikujve, universiteteve, disertacioneve, kolegjeve, seminareve, çertifikatave, departamenteve, masterave, projekteve, programeve, strategjive, anëtarësimeve, kandidaturave, leksioneve, kërkimeve shkencore, përfaqësive në organizma politike, akademike e profesionale ku Mirela është zgjedhur në saje të inteligjencës, aftësive, shpirtit fisnik dhe natyrës së saj energjike e dinamike.


E pranoj: porsa shkarkova një mori elementesh të shumëllojëshme natyrash më tepër akademike. Kjo më bën të ndërgjegjshëm, sepse nuk e teproj me fjalën e mësipërme: xhungël… Ndofta ka ndodhur, ngaqë historikisht, kam parasysh gjendjen fillestare të ndërtesave të Univeriteteve të Oksfordit apo Kembrixhit përbri shkurreve e pemëve të paprera në fillimet e shekullit të dymbëdhjetë…Ku një ditë prej ditësh, një student në sezon provimesh, ndërsa ishte duke studiuar në natyrë, goditi një derr të egër me një libër të trashë në kokë duke iu hakërruar gjithë mllef: “This is Greek to me!” (“Kjo është e pakuptueshme për mua!”) Me sa dukej, personi i mësipërm vështirësohej në mësimin e greqishtes se vjetër edhe nga ambienti përreth, qe siç u përmend më lart, gjëndej i mbuluar me drurë, bar e shkurre…Një xhungël e vërtetë! Të më falin të gjithë…Nuk mund të flitet për xhungël në hapësirat e universiteteve më prestigjioze të botës, fjala vjen si ai i Oksfordit apo Kardifit… ku Mirela jo vetëm ka studjuar por edhe ka dhene edhe leksione…

Sa për derrin e egër, jo më kot e përmend: në një rol të dyfishtë… Ndofta për të simbolizuar forcat regresive shqiptare, ku sipas Ainshtainit, diktatorët përherë gjenden të shoqëruar prej maskarenjsh të mëdhenj…apo pseudo intelektualë! Të gjithë së bashku pengonin dritën e zhvillimit dhe dritës të arrinte edhe në Shqipëri. Për tu çliruar populli i tyre…Ose për tu hapur rrugën mjaft talenteve të tjera, të cilat shkëlqejnë sot kudo në botë, duke nderuar origjinën apo vendlindjen. Përbëjnë me plot kuptimin e fjalës margaritarë të vërtetë për një vend, deri dje të vrarë e të munduar in ekstremis …
Do të doja ta përfundoja këtë artikull të pamjaftueshëm për të inkluduar gjithë dimensionin e aktivitetit politik, shkencor, shoqëror e mbi të gjitha moral e human të Mirelës, duke i uruar rrugë të mbarë në karrierën e saj. Përveç kësaj, ajo është nje nënë dhe amvise shëmbullore. Në kohën e lirë i pëlqen të notojë, të shetisë me bicikletë apo të bëjë patinazh së bashku me të bijën e saj Cindy dhe.. çdo të diel shkon në kishë. Eshtë diçka që Mirelën e nderon.


Ndërsa zgjedhja e modeleve humane merr rëndësi të jashtzakonëshme në jetë, mungesa e tyre përbën një tragjedi të vërtetë për njeriun. Në rastin konkret, figura e Mirela Bogdanit në mënyrë koncize tregon se si aktiviste e politikës reale ajo përpiqet te ndodhet sa më larg praktikave demagogjike, që janë mësuar të përkëdhelin e njëkohësisht mashtrojnë, bastisin e vjedhin turmat e pambrojtura popullore…
Ndërkohë, të gjithë bijtë e ndershëm e të talentuar, do ti qëndrojnë Shqipërisë si gurë të çmuar kurore mbretërore në kokë…Pak a shumë, si diamantët e Imperial State Crown në Tower të Londrës. Do të dëshiroja ta mbyllja këtë shkrim me moton e Universitetit të Uashingtonit, ku Mirela ka studiuar: “Per veritatem vis”… Eshtë mjaft kuptimplotë jo vetëm për atë, por për gjithë intelektualët që përparojnë në jetë në saje të zotësivë të tyre personale. Dhe jo prej lançimeve të diktatorëve dhe gjakut të derdhur të bashkatdhetarëve…

Motua e mësipërme ka kuptimin se forca buron nga e vërteta! Dhe Mirela Bogdani përbën një nga shembujt më tipikë…


2012/04/22

Takim i vonuar... mister!



Enkas për Floripress nga Vilhelme Vranari Haxhiraj


Sahati i qytetit tingëlloi njëmbëdhjetë herë.

Qielli i përflakur kuqëlonte nga një grumbull resh të kuqrremta, në ngjyrën e zjarrit. Dukej sikur stinët kishin ngatërruar kohën e riciklimit. Moti vetëdeklarohej për një verë të nxehtë, të pa parashikueshme.
Një djalë i ri priste në këmbë, para kafe “Iliria”.

Pas pak vuri re se para hotel “Turizmit” ndali një taksi. Një burrë, në dukje “Zotëri” mbi të pesëdhjetat, pagoi shoferin dhe zbriti prej saj. Me një çantë turistike në supin e majtë dhe një valixhe diplomatike në dorë, qëndroi disa çaste palëvizur duke kundruar përreth. Një vëzhgues i hollë do të kuptonte se vizitori rikthehej pas sa e sa vitesh dhe ndoshta kërkonte të shihte ndryshimin që sjell koha. Tundja e pakënaqur e kokës, fliste për zhgënjimin e të sapoardhurit.

“ -Të jetë ky vallë?

-Ndoshta...”-dialogoi me veten. Gjithsesi nuk lëvizi nga vendi... Gjithmonë në pritje...Ajo pritje ngjante me një mister...takim i vonuar...A ishte i duhur ky takim? Ndoshta po, ndoshta jo... Veçse atij i dukej si një mister...Po, po ishte mister i një takimi të vonuar, që ndoshta s'duhej të ishte bërë kurrë. Gjithsesi i riu priste si mbi gjemba...

Pas rreth gjysmë ore vuri re se “Ai” doli nga hoteli, vetëm me një çantë turisti në sup. Veshja e tij e kushtueshme, mënyra e qëndrimit nën vetkontroll, ecja me hap të matur, tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve të rastit. Qëndroi pak në shëtitoren, që u duk sikur kërkoi të orientohej. Pastaj me hap të matur, gjë që dëshmonte për ecurinë e qetë të jetës së tij, u drejtua te kafe “Iliria”. I riu ndërkohë hyri brenda në kafeteri, për të mos i dhënë “Atij” të kuptonte se po e priste në ankth.

Për cilindo që do të takohet me një njeri të afërm, pas sa vitesh, pritja është e ethshme, ngjall shumë emocione dhe shqetësime. Madje aq e ngutshme, sa i duket sikur akrepat e orës nuk lëvizin dhe koha është strukur diku, ka ngecur në një gradë meridiani. Kurse djali nuk provonte ndjesi të tilla, por zemërimi e bënte të ngashërehej gjithë duf. Dukej sheshit se kërkonte vetëm një shkak që të shpërthente.

”Po unë ç'bëj këtu? Përse më duhet ky takim? “Ai” është një i panjohur, ose...ose një i vdekur për mua...”- mendimet ia ndërpreu zilja e telefonit të kafenesë. Baristi që i kishte lënë porosi, u përgjigj se njeriu për të cilin interesohej ndodhej brenda.

I panjohuri hyri, përshëndeti baristin i cili i tregoi me kokë nga djali. I përhumbur për këtë takim të padobishëm, i riu s' e vuri re fare.

-Hello...!- përshëndetja e tij e ftohtë dhe tejet e huaj, e bindi akoma më shumë që kishte gabuar me ardhjen në këtë takim. U ngrit në këmbë me përtesë dhe tejet i lënduar. Krenaria për nënën, motrën dhe veten ia kyçi gojën.

-Ah,! Më fal! Forca e zakonit atje në...Tungjatjeta! Mister Xhon...- u paraqit i huaji dhe i zgjati dorën të riut.
Djali ia ktheu përshëndetjen ftohtë, me një përkulje koke dhe i zgjati dorën me përtesë. Në atë shtrëngim duarësh ndjeu ngricën e akullit që përciell vdekja.

-Përse këtu dhe jo në shtëpi, zotëri? Në këto rrethana nuk mund të bisedohet. Pas këtij takimi ju do të lini këtu vetëm hijen e një të panjohuri apo të një fantazme...Kurse unë do të bëhem objekt bisede kafenesh. Ndaj nuk lashë asnjë vendtakimi. Kujtoja se ende e mbanit mend rrugën për në shtëpi.

-Ndoshta...nëna jote nuk do të...Pastaj ku ta dija se nuk jetoni diku gjetkë...Gjithsesi, shko përpara se po të arrij...

Dhjetë minuta pas meje ai trokiti në portë. Pas një hetimi të shpejtë me një shikim disi pyetës, shprehu habinë, që ...

-Akoma në këtë hale jetokeni? Qenkeni në ditë të hallit, në po atë gjendje që ju kam lënë. Çudi?!
-Qysh kur vallë braktisja e familjes së varfër nga babai, i dhuroka asaj një jetë prrallore?! Po të isha në vendin e tim ati dhe të isha po aq fajtor sa “Ai” nuk do ta kisha shqepur fare. E dini që ndaj nënës sonë dhe ne të dyve “Ai” ka bërë një krim të shëmtuar?

 Nuk e kishim kufomën e babait, askush nuk e pa, që ta besonim se nuk jetonte më. Gjithsesi për ne ka qenë dhe ngelet i vdekur. Kush mund ta besonte apo ta besojë se babai i fëmijëve të braktisur, të lënë në mëshirën e fatit jeton në Amerikë me një grua tjetër?!

-Ti dhe askush nuk dini gjë dhe nuk keni për ta mësuar kurrë. Ndaj nuk keni të drejtë ta gjykoni babanë. Për këdo ai është Xhon Nikols... Babai yt vdiq atë ditë, kur la gjithçka. Ai i përket së shkuarës...Dua të di përse më ke thirrur? Çfarë do të mësosh, ç'kërkon të dish për babanë tënd?

-Nuk e kam kërkuar dhe nuk e kërkoj kurrë, sepse nuk kam çfarë të marrë nga një i vdekur. Kanë qenë të tjerët që të nxitën të vish këtu e të takosh djalin legjitim të Nikolin Prelës. Ti je një i huaj me të cilin nuk më lidh asgjë. Po të ishte gjallë babai, genet e të cilit trashëgoj, do t'i kërkoja që të na ndihmonte të ndërtonim një shtëpi, që ti Mister Xhon mos ta konsiderojë më hale.

Kjo nevojtore e ndyrë mban erën e të pëgërit që la kryefamiljari, kur na tradhtoi, na mohoi si pjellën e tij, pasi mori një identitet të ri dhe u quajt Mister Xhon.

Zotëri, unë kam të drejtën të pyes, si një bir i një ati që e mohoi, e harroi, e la në mes të katër rrugëve. Dua një përgjigje: “meshkujt që nuk janë në gjendje të mbajnë përgjegjësitë e familjes, përse martohen vallë?! Më mirë le t'i përkasin mosekzistencës dhe harresës. Egoizmi për të realizuar veten, e shtyu tim atë në një veprim të skajshëm çnjerëzor. Sa shtrenjtë ia kanë shpërblyer heshtjen eprorët?

 Dua ta di cilët e joshën e ia mohuan identitetin, Sigurimi i Shtetit Shqiptar apo agjentura e huaj?

-Asnjëri dhe as tjetri...I ke buzët ende me qumësht për të më gjykuar dhe për të zgjidhur enigmat. Harroje Nikolinin...Para teje është një tjetër zotëri që nuk e lidh asgjë me të shkuarën....

 Di vetëm një gjë, se i ashtuquajturi “baba” jeton në një makth, ka frikë nga e vërteta. Nuk di çfarë ishte më e rëndësishme për të, të jetuarit në mosekzistencë apo të qenit bashkëshort dhe baba?

 Ai që i mohon vetes të qenit prind, nuk është asgjë. Jeta e tij s'ka asnjë synim, shpirti i këtij katili është një zgavër bosh. Jeton me ankthin e së vërtetës, ndaj nuk mund të përballet kurrë me të. “Ai” bënë një jetë të dyfishtë mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, mes reales dhe ireales, mes jetës dhe vdekjes, mes të qenësishmes dhe të paqenësishmes, mes pohimit dhe mohimit. Janë pikërisht këto të kundërta që veprojnë brenda personit të tij, që nuk e lejojnë të dijë se cili është.

Ankthi i të vërtetës së hidhur e pengon të njohë veten. Tani që mësova ekzistencën e tij të rreme, çuditem me nënën time se si e deshi dhe e do aq shumë atë njeri. Për nënën, mua dhe motrën, tani që e mësova se fantazma e tij jeton, “Ai” është askushi. Nuk dua asgjë prej tij se brenda asaj qenieje gjenden njëkohësh dy gjysma qenieje, gjysmëjete e vdekur dhe gjysma tjetër e gjallë.

Për ne është një varr i rihapur...që kall vetëm tmerr dhe frikë.

Nuk e kuptoj dot... përse e mohoi jetën e tij?

Mos vallë për shtetin?

Dhe nëse do të ishte e vërtetë, po për cilin shtet ëëë...?

Për një shtetburg, për një vendbunker ?!

Bashkëshorti, babai i dy fëmijëve u zhduk sikur të mos kishte qenë kurrë dhe për kë?

Për një qeveri kriminele, që tokën tonë të pasur dhe të bukur si ëndërr, e mbushi me kufoma që ngelën pa identitet. Vendi im i bukur, binte era kufomë pa hyrë ende në kufijtë tanë shtetëror.

Vendin e lirë me emrin “Parajsë” e vaditi me gjak të pafajshëm shqiptari.

Harroi përgjegjësinë e prindit. Dhe përse? Për një shtet utopik që na izoloi si kafshët e egra të xhunglës brenda një kopshti zoologjik, ku u eksperimentua me jetët njerëzore, me një popull të tërë, vetëm për të parë se edhe sa kohë do të mbijetonim të ndarë nga bota e të gjallëve?

Këtë provë bëri edhe i ashtuquajturi “baba” me ne?

Shteti nis te familja e nëse kjo është e përdhosur, mjerë ai komb... Me se do të mburret vallë?

Familja është themeli i shtetit dhe nëse këto themele kalben, godina shtetërore nuk e ka të gjatë dhe një ditë do të rrëzohet. Si mund të jesh atdhetar, i mirë kur mohon familjen?

Nuk e besoj dot më as atë dhe askënd që ka ndjekur këtë rrugë të gënjeshtërt, rrugën e mohimit. Kjo ishte veç një pandehmë e imja. Burra të tillë, pa moral dhe pa përgjegjësi familjare, nuk ka ç'i duhen atdheut.
Jo, im atë ka vdekur ditën kur e bija e tij, ime motër mbushi tre vjeçe.

Më thuaj, ç'më duhet ekzistenca e tij tani?

A ka ndërgjegje “Ai”? Po paska qenë fare i paskrupullt!

Edhe mëshirës do t'i vinte krupë nga një i vdekur e i pakallur si babai im...

Zotëri, më vjen keq, por do ta këshilloja atë, të ashtuquajturin baba, të shihet në pasqyrë dhe të pyesë atë pak ndërgjegje që mund t'i ketë ngelur se, përballë me të a ndodhet shembëlltyra e tij e vërtetë?! Këtë herë a do të ketë guximin e duhur që të japë përgjigje?

Kurrën e kurrës! Le të vazhdojë të qëndrojë në hije dhe t'i përkasë mosekzistencës...Asnjëherë nuk ka për të qenë vetvetja.

Unë dhe ime motër kemi lindur nga një nënë e mrekullueshme, që meriton nderim dhe mirënjohje. Sikur të mundja asaj zonje të rrallë, do t'i dhuroja gjithë të mirat e botës, por...”-ndërsa unë flisja ...ai heshtëte si gur varri...

Djali heshti disa çaste, mbështeti kokën në kraharorin e nënës dhe duke i kërkuar ndjesë asaj gruaje heroinë, i tha: “kjo ishte hija e misterit dhe enigmës së këtyre ditëve, ndoshta ditët më të gjata e më të lodhshme të jetës sime...”

Pas këtij rrëfimi të dhembshëm, që duket si aktakuza e një dëshmitari në gjyq, vështroja nënën që qante heshturazi e lotët i rrëshqisnin mbi faqet e flashkura, tejet të lodhur si jeta e saj, si jeta jonë.

-Të faleminderit bir! Edhe pse je treguar i ashpër me të, ishte e drejta jote t'i kërkoje llogari. Më vjen mirë që ai mësoi se vuajtja dhe mungesa e babait të kanë burrëruar.

Gjithsesi, do apo s'do ti, është babai yt... Ndoshta një ditë “Ai” do të jetë gjykatës i ndërgjegjes së tij të ndotur, pasi jetoi një jetë enigmë. Por tani s'ka asnjë dobi, biri im… Për mua dhe të tjerët, zhdukja e tij do të ngelet mister...

Koha e të vërtetës




Shkruan për Floripress: Ymer Halimi 

Fatkeqësisht, nuk kuptonte se Bisedimet në Vjenë udhëhiqeshin edhe nga diletant politik qe e ndjenin rezultatin e bisedimeve politike, si rezultat ndeshje futbolli.



Vjena 1.

Me qene se bota demokratike ishte përkrah luftës për liri të popullit shumicë të Kosovës, prezenca e saj sot këtu, si edhe zhvillimi i bisedimeve në Vjenë për ‘çështje teknike’ të Kosovës, janë fakte notare se do të hiqet kolonia e fundit në Evropë. Kjo është një arritje e demokracisë dhe veçmas e popullit të Kosovës.

Pa hyrë në analizën se si u ulëm për bisedime në Vjenë, si raportoi Grupi i Unitetit dhe disa anëtarë të këtij delegacionit në Kuvend; me kë bisedohet e si bisedohet, dhe sa ishte e sa është transparent Grupi i Unitetit në këtë Kuvend; unë do flas kryesisht mbi bazën e materialeve të Këshillit të Komuniteteve, dhe materialit për Decentralizim, përkatësisht Reformimin e Pushtetit Lokal.

Nga këto dy materiale kuptohet, saktë, kahu i lëvizjes së proceseve për statusin e Kosovës dhe, në një masë, shihet silueta e vendimit përfundimtar- struktura e shtetit.

Unë do të flasë për disa “cikërrime”, të cilat besoj flasin për tërësinë.

Në fjalorin politik, ka lindur një term i ri ‘diskriminim pozitiv’. Thënë saktë, kjo qëndron kështu, kur Komunitetet i fitojnë disa avantazhe që nuk ua njohin as konventat Evropiane - ndërkombëtare, por u janë dhënë te ne, dhe shumica nuk i ndjen efektet negative të këtyre avantazheve. Kjo është domethënëse për kujdesin e shumicës ndaj Komuniteteve. Por, konkretisht Komunitetet (pakicat) duhet t’i kenë vendet në Kuvend, komfor vendeve të përparuara Evropiane dhe Kuvendi nuk duhet të ketë votë asimetrike.

Të jetë e qartë, ky ‘diskriminim pozitiv’ në mënyrë implicite, popullatën shumicë në Kosovë e akuzon, për diçka. Pse? (e pa civilizuar).

Më pastaj, “zonat e sigurisë”, përreth Manastireve Ortodokse Serbe, janë paradoksale. Thënë sinqerisht, të bëjnë të habitësh. Habisin edhe përshkrimet juridike-menaxhuese të këtyre hapësirave dhe parashikimet për to.

Për ata që i menduan dhe aprovuan këto zona, do të thosha fjalët e Krishtit: “O zot falu mëkatet...”

Ju lutem, janë 1100 të vërteta, që ato zona si të tilla të mos ekzistojnë, e një gjysmë e vërtetë i pohon.

Ne i ruajtëm me shekuj (kishat). I ruajtëm edhe atëherë kur serbet i lanë vetëm.

Objektet e Kultit ortodoks serb do të jenë të sigurta aq sa ka siguri vetë Kosova.

Për këto zona mbrojtëse nuk ekziston shkaku, por, për këto zona është qëllimi.

Në politikë, veprimet e mëdha nuk hyjnë në porta të hapura, por për vrima dere.

Deputetë të nderuar, nga Materiali për Reformimin e Pushtetit Lokal i dorëzuar nga Ministri Haziri, shihet në mënyrë eksplicite, se si pala Kosovare e humb ekuilibrin e dialogimit dhe rrëshqet, në planin e bisedimeve, prej hapi në hap. Kjo është një përshtatje e tepruar dhe ndoshta dikujt i nevojitet për mbijetesë politike!. Shumë gjëra që ministri Haziri i ekspozoi më parë, do të pësojnë ndryshime rrënjësore. Do të bindeni. Kjo është shqetësuese, por momenti nuk është për panik.

Pjesa e materialit “për decentralizim” që Delegacioni i Kosovës e dorëzon më 20 Shkurt 2006 në Vjenë, në procese të mëvonshme, pësoi aq metamorfozë, ashtu si procesi biologjik kur krimbi arrin të shndërrohet në flutur-krijesë tjetër.

Në faqen e 2-të të këtij Dokumenti, të “Parimet themelore”, te pika 1.4. shkruan: “Reforma e pushtetit lokal do të respektojë karakterin shume etnik të shoqërisë Kosovare. Ky karakter do të reflektojë në mënyrë të duhur, në nivelin komunal nëpërmjet ekzistencës dhe formimit të njësive shumetnike të qeverisjes lokale”.

Çka ndodh te Dokumenti i 29 Gusht 2006 i Grupit punues të delegacioni!? Pranon të formohen Komuna të reja mbi bazën etnike 100% serbe, e nuk e përfshin asnjë fshat me popullatë shqiptare edhe pse pozicioni gjeografik e imponon, por edhe anasjelltas. Te komunat me shumicë shqiptare mundësisht nuk lë asnjë fshat serb. A nuk u shkel parimi themelor që e promovoi Grupi politik? A nuk është ky segregacion etnik territorial ?!

Kryesorja, për ironi, rreth 90% e serbëve grupohen në territore të caktuara, në një anë, e në anën tjetër po ashtu edhe shqiptarët. Ky është letërnjoftimi i Kosovës nesër, me dashjen apo pa dashjen tonë!.

Nuk matet interesi i Kosovës mbi atë vlerë që folën ministrat më parë /Haziri e Gjini/. Kjo ishte irrituese.

Sa u përket kompetencave, unë po e marr vetëm një shembull që i deshifron disa rrafshe vepruese politike e juridike në planin e decentralizimit.

P.sh. “Parimet e decentralizimit”. Pjesa A dhe E Sqarim teksti: “Paraqet mirëkuptimin e Prishtinës mbi projektmarrëveshjen e Statusit/Decentralizimit në mes të UNOSEK-ut dhe Prishtinës, siç është diskutuar me 23 e deri më 25 Gusht 2006”.

Pika 9. Paragrafi (e) shkruan: “Në pajtim me legjislacionin kornizë të Kosovës, komuna me shumicë serbe e veriut të Mitrovicës do të jetë përgjegjëse për Universitetin publik serb”. A nuk e demanton kjo Ministrin Haziri a?!.A nuk e deshifron kjo tërësinë e qëllimit përfundimtar!? Vetëm miopet politik nuk e shohin.

Prandaj, të më lejoni që të shpreh mendimin, që duket si një digresion nga ky debat, por megjithatë konvergjon saktë.

Dhe, ta kemi të qartë, pavarësia nuk është kuptim abstrakt. Është vlerë që matet me parametra në mënyrë të saktë. Sa më pak kemi nevojë për të tjerët, e aq më pak kemi presion nga të tjerët dhe sa më pak bëjmë presione mbi të tjerët, e aq më shumë e zbatojmë ligjin dhe e luftojmë krimin; sa më të aftë jemi ta mbrojmë veten, e aq më funksionale te janë tërësitë tona të brendshme, aq më të pavarur jemi si individë dhe si shtet.

A i fuqizuam ne këta parametra në këto shtatë vite...?!

Si do të funksionojë Kosova nesër - nuk e ka të qartë askush, sepse sa duket jemi tepër, skajshëm të ndryshueshëm (transformueshëm)?!

Deputetë të nderuar, “botën e transformojnë veprimet e jo llafet”. Kështu mësohet në filozofi, nëse nuk e keni harruar. Tash po veprojnë të tjerët, kur ne nuk vepruam mençur në këto vite të fundit.

Grupi i Unitetit duhet mbështetur deri në arritjen që Kosova ta ketë pavarësinë e plotë në të gjitha rrafshet. Lëshimet te decentralizimi nuk justifikohen më me asgjë tjetër.

Por, Popujt kurrë nuk lodhën në luftën për liri! (mos e harroni)

(Ky është Diskutimi i im ne Seancën e Kuvendit te Kosovës, e mbajtur me 05.09.2006)

Kryetarja e Grupit Parlamentar, pas diskutimit tim, ma tërhoqi vërejtjen se, diskutimi im ishte “tepër i ashpër dhe i pa konsideratë për te tjerët”. Por, ajo assesi nuk e kuptonte se unë po e shpalosja të pathënën e dokumentit, pasojat e te cilit sot e gjithë kohën ka t’i vuaj Kosova.

Fatkeqësisht, nuk kuptonte se Bisedimet në Vjenë udhëhiqeshin edhe nga diletant politik qe e ndjenin rezultatin e bisedimeve politike, si rezultat ndeshje futbolli, ku e deklaronin fitoren si tetë me zero apo tetë me dy, kundruall Serbisë. Ky përfaqësim pa dyshim do të mbetet në kujtesën tonë historike si mjerimi i ynë. Por, e kuptonte se unë, si edhe disa deputet tjerë n’atë Kuvend, atyre nuk u besonim! Këtu kishte të drejtë.


Dr.sci. Ymer Halimi

yrhi@hotmail.com
Profesor i lendes Fizike mjekesore me Biofizike ne FM
Lagja e Universitetit, Rruga 2. nr.57
Prishtinë
tel. +37744111066

Ngushllime miku im Arben Dervina!








Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...