Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/05/22

Jeta dhe vepra :Martin Camaj /21.7.1925-12.3.1992/

Nga Flori Bruqi


Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik të vitit 1925; vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih. Ishte shkrimtar dhe albanolog, një figurë e madhe e letrave dhe pedagogjisë shqipe.

Në Shkodër, në Kolegjin Jezuit mori edukatë klasike dhe më tej studjoi në Beograd ku studioi romanistikën, por mori mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhët sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare.

Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më përseafërmi me botën arbëreshe, dhe nis e mëson shqip. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Në Munih, ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në vdekje,. Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Skeda:Martin Camaj.jpg

Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik "Nji fyell ndër male", Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe "Kânga e vërrinit", Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t'u kthyer.

Këto u ndoqën nga "Djella", Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive "Legjenda", Romë 1964 dhe "Lirika mes dy moteve", Munich 1967, kishte disa poezi nga "Kânga e vërrinit", që u ribotuan në "Poezi" 1953-1967, Munich 1981.

Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti (1888-1970).

Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet "Selected Poetry", New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe "Palimpsest", Munich & New York 1991.

Tituj të veprave

Nji fyell ndër male - Prishtinë 1953
Kanga e vërrinit - Prishtinë 1954
Djella (novelë) - Romë 1958
Legjenda - Romë 1964
Lirika mes dy moteve - Munih 1967
Poezi (1953-1967)- Munih 1967
Njeriu më vete dhe me të tjerë - 1978
Poezi 1981
Drandja (proza poetike)- Munih 1981
Rrathë (novelë) - 1981
Shkundullima - 1985
Karpa (novelë)- 1987
Poezi 1981
Tingujt e parë

Botimet dygjuhësore

Poezi (shqip-italisht)- 1985
Me pendlat e korbit të bardhë (shqip-gjermanisht)

Të tjera

Meshari i Gjon Buzukut - Romë, 1960
Tekst mësimor i gjuhës shqipe - Wiesbaden 1969
E folmja shqipe në provincën e Avelinos - Firence 1971
Antologjia: Këngë shqiptare - Dusseldorf 1974
Gramatika shqipe - Wiesbaden 1984

Burimi i të dhënave

 Shkurt mbi M. Camen
(Anglisht) Letërsia shqiptare
 Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut


Prof. Dr. Shaban Sinani
Novela, Martin Camaj
Veprimtaria krijuese e Martin Camajt u zhvillua kryesisht në mërgim dhe fund e krye u dominua prej dy trashëgimish: bota që shkrimtari kishte marrë me vete duke u shkulur prej rrënjëve të të parëve dhe po ajo botë e rizbuluar me dije në vitet e mëvonshme, gjatë kërkimeve të tij gjuhësore, etnologjike, historike dhe letrare. Vetëm dy vëllimet e para poetike u botuan në një mjedis brendagjuhësor shqiptar, dhe këto jo në vendlindjen e mirëfilltë, por në Kosovë.

Camaj si shkrimtar i provoi zotësitë e veta krijuese me të gjitha llojet dhe gjinitë letrare, duke eksperimentuar edhe në shartime dhe kryqëzime të suksesshme të tyre (prozë poetike, tekst i dramatizuar), si dhe duke pagëzuar lloje e gjini letrare që nuk kishin traditë (madrigale, palimpsest, parabolë).

Në gjithë këtë vepër, të shkruar gjatë afro 35 vjetëve a më shumë, Martin Camaj është vetja që kërkon veten, të pandashmin nga fisi dhe atdheu, të pandashëm si e përmban në kuptimin burimor këtë nocion termi latin individuum (in - dividuum). Kërkimi i atdheut të munguar, i vendlindjes që nuk mund ta shohë dhe që e ndjek pas si një dënim, nuk është si në letërsinë e Rilindjes, mall për vendlindjen, vajtim për ikjen. Landi është mallkimi i fatiti të tij: është gjithçka që i mungon dhe duhet ta krijojë në letërsi.
Ka një dallim thelbësor midis kultit të landit në letërsinë e Martin Camajt me mitin e origjinës që sundon për shumë shekuj letërsinë shqipe. Landi është paracaktimi dhe kushtëzimi shpirtëor i shkrimtarit; është njësoj si sundimi i fëmijërisë në kuptimin frojdist në fatin e njeriut dhe të krijuesit veçanërisht.

Kuptimi i atdheut, qysh në lashtësinë heroike antike greke, u shkallëzua në dy nivele - si vendi i akejve dhe më tej i çdo qytet - shteti, mbretërie a krahine të vetëqeverisur: Elada dhe Itaka, për shembull. I njëjti shkallëzim, që lejon edhe kuptimin e gjerë, edhe atë të ngushtë të atdheut, shfaqet edhe në veprën e Martin Camajt. Nuk mund të thuhet se Shqipëria fund e krye nuk është e pranishme drejtpërsëdrejti në veprën e tij ( të paktën në romanin "Rrathë" dhe në njërën prej dramave është i pranishëm edhe realiteti i ri shqiptar), por më shumë është e pranishme vendlindja, vetëdija e landit.

Zgjedhja e shkrimtarit ka qenë krejt e logjikshme: për të mos krijuar çfarëdo opsioni me atdheun Shqipëri, ai e ka zëvendësuar atë me vendlindjen. Kjo mund të shpjegohet me shumë arsye: letrare, psikologjike dhe politike. Ajo Shqipëri, ashtu siç ishte, nuk ishte e denjë për letërsi sipas konceptit të Camajt, por edhe që të trajtohej si anti - ideal estetik nuk ishte e mundshme.
Për të duket se bindja se Shqipëria në letërsi ose duhej të ishte sublime, ose nuk duhej të përmendej fare, shprehje e një delikatese të fisme.

Titulli: Novela
Origjinali: Novela
Gjinia: Novela
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012 
Fq. 400
Pesha: 0.42 kg
ISBN: 978-99956-87-76-2







Poezi, Martin Camaj


Njeriu ndalet në një shej vendi në kohë, harron punën e përditës dhe rrëmon në vete për të gjetur fillin e humbun të ndjesive të veta. Ngjan kështu që mbas secilit varg të fshihet nga një grimë ngashërimi që po në atë çast kur autori iua përcjellë të tjerëvet shndërrohet në gëzim. Kështu shkruan Martin Camaj në këmishë të kopertinës së botimit "Njeriu vetëm e me të tjerë", në vitin 1978.
Gëzimi që të fal arti, dmth gëzimi i zbulesës dhe i estetizmit të botës, rrallëherë ka prodhuar në letërsinë shqipe kaq shumë liri e vetmi sa në poezinë e Martin Camajt. Është fjala, mitra e kësaj lirie dhe vetmie. Te Camaj fjala është ndërtuese dhe përshkruese e botës. Është e thellë sa qenia e poetit dhe e gjerë sa bota e tij.
Poezia e Camajt i jep një kuptim të ri fjalës, e risemantizon dhe e përdor vetëm atëherë kur është e nevojshme. Në poetikën e tij kundërvënia mes botës reale dhe botës së estetizuar e të esencializuar shfaqet me "mosprani", që është njëherësh pritje për një të vërtetë të epërme, të vërtetën e artit, dhe habi për zbulimin e saj, thellë brenda vetes.
Prandaj ngjarjet e jashtme bëhen gjithnjë e më të pangjashme me veten në këtë botë të re, ku hapësira dhe koha shndërrohen në përmasa psikike. Kjo poetikë e kërkimit të thelbësores te Camaj vjen shkallë - shkallë e hap pas hapi, nga vëllimi i parë deri te dorëshkrimet e fundit. Fjala, gjithnjë e më shumë, merr thellësinë e vetimisë. Raportet mes imazheve nuk kanë ngjashmëri me botën reale. Dukshëm, krahasimet zëvendësohen me metafora të largëta, të vështira për t'u interpretuar, foljet kalojnë në kohë gjithnjë e më të shkuar, fjala bëhet gjithnjë e më aluzive dhe e vetmuar në esencën e vet.
Rruga e poezisë së tij është rruga e mundimshme e kthimit në atdhe të një autori të penguar nga të gjithë. Ai vjen vetëm, me gjuhën e vet, me gegnishten e larguar nga vetë gegnishtja e ndaluar, me poetikën e vet të larguar nga tradita shkodrane, edhe kjo e ndaluar, me poezinë e tij moderne e vetjake, krejt të huaj për poezinë vokalike, për tërmetin verbal me shumë epiqendra, për poetikën kolektive të realizmit socialist. Në këtë kënd ajo ka karakteristikat e fisnikërisë që Montale i njeh poezisë: plotësisht e padobishme, por asnjëhetë e dëmshme.

Titulli: Poezi
Origjinali: Poezi
Gjinia: Poezi
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 216
Pesha: 0.29 kg
ISBN: 978-99956-87-49-6





Palimpsest, Martin Camaj



"Ka rrethana në jetën e njeriut që ky don me i harrue. Porsa qet kryet një këso ngjarjesh në kujtesën e tij, ai e ndrydh, për shpirt kishte me e nxjerrë me gjithë rranjë prej fundit të zemrës, por s'ban! Papritmas kujtimet e pakënaqshme mbijnë dikund ku as ndërmend nuk të shkon, shpesh si shfaqje negative, për shembull, në marrëdhënie me të tjerët.

Nëse kjo vetje që don me harrue diçka është krijues, këto ngjarje të pakandshme i shfaqen pavetëdishëm në krijimet e tij në letërsi, për shembull, ose në pikturë apo në tinguj. Ky lloj arti del tepër i kapërthyem, por nëse ashtë vërtet art, del në trajtën e vet i harmonishëm. Me zbërthimin e këtyne krijimeve artistike merren gjurmuesit, kritikët e bile tash së fundi dhe psikologët dhe aty këtu ndonjë gjuhëtar.
Unë nuk i përkas kësaj rigate njerëzish, as si krijues, as si gjurmues. Poezia ime rrjedh nga ato rethana jete që unë dua t'i kujtoj!"




"Rreziku i vëzhgimit të cekët, asnjë milimetër i thellë, në shpirtin e veprës është brenga më e madhe e Camajt përballë veprës së tij të kryer (Qyteti). E kryer, e përfunduar në formën e saj gjuhësore kombëtare, çdo gur i ngrehinës së tij poetike mbart erën e shekujve të traditës klasike që e kanë ushqyer.
Në mëngjes krijimi shqiptar i kryer në qytet të huaj gjendet në një mjedis të shkretuar receptimi, përballë kategorive intelektuale të komercializuara nga sistemi - nëpunës, tregtarë që e shohin, por nuk e kuptojnë veprën poetike, studentë të dogmatizuar me peshën "gur" të librave shkollorë dhe shënimeve që mpijnë vullnetin për të krijuar.
Rikthimi i fjalës mes atyre që flasin të njëjtën gjuhë me të ishte brenga dhe pengu që Camaj i la lexuesit të ardhshëm."

Dr. Blerina Suta

"Palimpsesti i zbulon Camajt misterin e mjeshtërisë së poetit, enigmën e asaj që ai kërkon në poezi. Enigma, sikundër shprehet vetë Camaj, qëndron në "një shkronjë": sigurisht që është fjala për shkronjën që gjendet poshtë asaj të dukshmes. Për "shkronjën" e cila e lë tekstin poetik të hapur, e bashkë me tekstin edhe intepretimin për të.
Por, njëkohësisht, i jep fjalën drejtshkrimin gegë "shkrojë", Camaj e ka fjalën edhe për "të shkruarit" e për "shkrimin" në përgjithësi. Si edhe, pa dyshim, për mundin e poetit në kërkim të shkronjës dhe të shkrojës së saktë. Në këtë pikë, poetika e palimpsestit na zbulon gjithë arsyen dhe forcën e saj. Pa llogaritur që vetë kënaqësia e deshifrimit vjen e bëhet një poetikë më vete."

Prof. Dr. Ardian Marashi

"Lexuesi ka me e pa se në këtë "Palimpsest", magjia e fjalës mbërrin me e risemantizue atë, tue kthjellue të përtejmën e tue zbehë të këtejmen. Në vetminë e tij, poeti nuk ankohet dhe ma së shumti ia beson titujve mesazhin e vet, i cili nuk ka asgja politike apo shoqnore, nuk ka asnji ngjyrë retorike, por zbulon nji vuejtje të qetë që e ban me lundrue në kohë, deri te caku i vet...
Kam shpresë se lexuesi i ri ka me ndërmarrë nji udhtim të mundimshëm e të frytshëm në arkipelagun hermetik të Camajt, tue lexue te lamtumira e tij e pathanun nji mirëseardhje të re.
"Kush ëstë ai zog në Mistral?" - pyet Camaj, e ne e dijmë se kjo erë që fryn prej veriperëndimit sjell të ftohtin në Mesdhe. Ai zog në Mistral asht vetë poeti që zbret prej veriut në tokën e vet në kërkim të nji Fjale që flen brenda nesh."

Prof. Dr. Ardian Ndreca

Titulli: Palimpsest
Origjinali: Palimpsest
Gjinia: Poezi
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 152
Pesha: 0.21 kg
ISBN: 978-99956-87-74-8


Njeriu me vete e me tjere, Martin Camaj

Arshi Pipa


E interpretuar kështu, poezia konfirmon shpjegimin në kopertinën e librit, që çdo poezi fsheh një përvojë të pakëndshme, e cila kur ndahet me të tjerët, bëhet e këndshme, kujtimet e lumturisë kapërcejnë çastet e vështira në jetën e çdokujt, duke qenë një burim kënaqësie. Çështja qëndron nëse kjo kënaqësi ndahet me lexuesin. Që të ndodhë një komunikim ndjenjash ndërmjet autorit dhe lexuesit, ky i fundit duhet të dijë jo vetëm se Ister – i është emri grek i Danubit dhe se "e mungëta" i referohet Munihut, por gjithashtu se autori iku nga Roma pa dëshirë, i vendosur të shkruajë poezi.
Këto gjëra lexuesit mund t'i dijë vetëm nëse ai i përket një elite intelektuale. Një lexues i thjeshtë nuk do të mund të depërtojë në sekretin e poezisë; poezia nuk është shkruar për të. Me këtë poezi, poeti është "më vete", jo "me të tjerë".
Kjo mënyrë e të shkruarit për një elitë, që konsiston më tepër në fshehjen se në zbulimin e kuptimeve, është po ashtu e një modeli modernist, megjithëse mostrat gjenden në trobar – clus – er e poetëve provansalë. Mallarmè tregon një shembull në fund të shekullit, të pasuar nga poetë të tillë, si: George, Valèry, Eliott, Ungaretti dhe Montale.
Komunikimi me lexuesin nuk është shqetësimi i këtyre poetëve, që gjejnë "kënaqësi" pikërisht në qëndrimin e kundërt, atë të ironikut që e largon veten prej të "tjerëve" duke përdorur një gjuhë të pakapshme për ta. Qëndrimi i Camaj në vëllimin në fjalë është në përputhje me këtë qasje elitiste për poezinë.

Titulli: Njeriu më vete e me tjerë
Origjinali: Njeriu më vete e me tjerë
Gjinia: Poezi
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 136
Pesha: 0.20 kg
ISBN: 978-99956-87-73-1

Lirika mes dy moteve, Martin Camaj


Martin Camaj



Në këtë syzim, autori i kësaj përmbledhjeje lirikash nuk qëllimon t'i paraqesë vetveten lexuesve. Nga ana tjetër, poezia nuk lyp shpjegime, edhe ajo flet për veten në atë formë e strukturë që ka. Ka vetëm një trajtë të qëllueme e të drejtë, një radhitje fjalësh, gjithmonë në gjuhën amtare, përmes së cilës njeriu i paraqitet vetes e rrethit të njerëzve që janë të interesuem.

Sikur unë ose çdo autor tjetër të vehej me shpjegue krijimet e veta ashtë rrezik t'i largohet tekstit fillestar e të krijojë diçka të re, pa dashje, të prishë veprën e vet tue e vu në një dritë të rrejshme.

Rrëfej se kam pasë gjithnjë vështirësi, një lloj turpësie të flas për poezinë time apo të lexoj vargje të mia para tjerëve. Kisha gjithnjë përshtypjen se po zbuloj diçka intime a fshehtësi dhe se po humb "fillin e gjetun", drejtpeshimin e krijimtarisë.

Por meqënëse kjo ashtë hera e parë që botohet diçka prej meje në vendin tim, e ndjej për detyrë t'i jap disa njoftime lexuesit të këtij libri rreth veprës sime letrare: shikue drejtas, ajo ndahet në periudha, përkatësisht me fazat e jetës së njeriut. Ndonëse periudhat ndryshojnë nga njena tjetra, ato ndërlidhen nga fije të forta sikur të ishte një libër i vetëm nja 2000 faqesh.

S'ka pasë programime në këtë krijimtari prore e përcaktuese nga koha, si ashtë titulli i një cikli lirikash të Giuseppe Ungaretti "Giorno dopo giorno" (Prej dite në tjetrën), poet italina që ka njoftë edhe ai mërgimin. Le të flasim për poezinë! Si e ndjej unë atë, tërthoras, ndoshta jap edhe ndoj njoftim përmbi artin tim në këtë lami.

Për shembull, ndër nè gjatë periudhës afër gjysmë shekull që e përjetuem u ndeshën dy tema letrare rivalizuese, në një anë, mrekullitë e trimnitë e herojve bashkëkohorë, ndërsa në tjetrën shkriheshin të mbulueme gacat e një zjarrmi të pashueshëm, eshkë e ndezun, nxjerrë nga eshtnat e njerëzve të thyem e të mundun. Të dy përmbajtjet, vetëmburrja e fituesit dhe vuajtjen njerëzore u shfaqën njëkohësisht edhe në lirikë. Specifike në këtë mes ashtë njëkohësia e dy rrymave letrare të papajtueshme njena me tjetrën: trimni / ligështi.

Gjasa tashti ashtë edhe ndër ne të dalë fituese ligështia, ardhja e periudhës së Sofokliut në letërsinë greke, kur poetët nuk do të këndojnë ma për heronjtë homerikë, po secili do të flasë për fatin e vet tragjik. Do të flitet për çentaurat e së kaluemes, për "njerinë – shtazë", me siguri!

Tue u sjellë kah talentat e rinj të dheut tonë, uroj që veprat letrare me tematizime të tilla mos të kalojnë kufijtë e drejtpeshimit e masës në art ( në teorinë e tragjedisë greke: hybris). Gjithnjë tue mbetë në sferën artistike, del pyetja për poetin e ardhshëm: çka do të ndodhë me Edipin? Mbasi verbon veten, a do të shkojë me sosë në shkreti?
Krijimi i poezisë në liri ka tjetër cilësi përjetimi, shujta, ushqimi tjetër shije dhe gjumi tjetër qetësi e prehje.

Titulli: Lirika mes dy moteve
Origjinali: Lirika mes dy moteve
Gjinia: Poezi
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 280
Pesha: 0.31 kg
ISBN: 978-99956-87-73-1




Karpa, Martin Camaj


Prof. Dr. Matteo Mandalá

Bota e trilluar e Karpës është ngritur mbi dy shtylla: nga njëra anë, mbi atë historiko – gjuhësore, që i lejon Camajt të çjerrë velin e pluhurosur të kujtesës e të depërtojë me fuqinë e fantazisë krijuese në skutat e një të shkuare të moçme të padëshmuar nga fiset e malsorëve shqiptarë; nga ana tjetër, mbi shtyllën antropologjike, që i jep mundësinë të shfrytëzojë prirjen kulturore primitive e instiktive të shqiptarëve për ruajtjen e llojit, urtësinë e tyre të lashtë zakonore, aftësinë e tyre arkaike për t'u përshtatur me çdo kusht, me fjalë të tjera, botëkuptimin e tyre që ndër shekuj ia kishte kalitur aq shumë shpirtin, sa i kishte bërë të paprekshëm nga rrjedha e historisë.
Bazuar në këto dy shtylla, Camaj ia doli të rrëfejë qoftë përvojën e vështirë të të mërguarit në kërkim të qendrës së humbur të rëndesës, qoftë edhe përvojën e shumë individëve të cilët, si shkëmbinj të ngulur në tokë, janë kredhur kokë e këmbë në anonimatin e bashkëkohësisë, e për këtë arsye janë ngurosur si fosile të palëvizshme dhe të pandjeshme ndaj rrjedhës së historisë. E tillë është dhe kultura e tyre e egër dhe e padëpërtueshme: kokla traditash dhe kujtimesh që përsëriten prore, pa u cënuar sadopak nga moderniteti.
Posaqë paradoksi kohor i Karpës nuk bazohet mbi kundërvënien mes epokave të ndryshme, a më mirë të themi, mbi kalimin shungullues nga e shkuara në të ardhmen dhe anasjelltas, por mbi sfidën ndaj çdo gjëje të rastësishme dhe jetëshkurtër, atëherë mund të themi se thelbi i atij paradoksi qëndron në përpjekjen për të paraqitur një kohë pa lëvizje, që fshin kundëvënien mes jetës dhe vdekjes.
Me këtë model antropologjik përkon tipi kulturor "karpatik", banori vizionar i një qyteti imagjinar, që Camaj e skalit mjeshtërisht, duke i kushtuar vëmendje të posaçme veçorive gjuhësore, tipareve të jashtme dhe natyrisht përcaktimit simbolik.
Tek e fundit, nëse edhe Camaj, ashtu si Defoe, i besoi personazhit të tij detyrën "të rindërtojë" një botë që t'i ngjasojë atij, duke e lejuar të përdorë të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë rrënojat dhe mbeturinat, siç mund të jenë copëzat kujtimeve dhe të mallit, ky qëllim nuk mund të arrihej veçse përmes krijimit të arij vendi ideal, imagjinar, magjik, origjinal ku njerëzit ëndërrojnë të lënë dëshirat e papërmbushura.

Titulli: Karpa
Origjinali: Karpa
Gjinia: Roman
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 298
Pesha: 0.32 kg
ISBN: 978-99956-87-71-7








Drama, Martin Camaj

Arshi Pipa


Dranja, emri i veprës eponime persona poetica, një breshkë femër "me një emër gruaje", që është gjithashtu "emri i një vajze të bukur prej vendlindjes së autorit", është një formë dialektikore e emrit Drande, "Trëndafile".
Titulli i veprës duhet të lexohet, pra, si gruaja - breshkë" ose "breshka - trëndafile", përpunohet mbi motivin. Natyra e veprës identifikohet me emrin e llojit letrar që pason menjëherë titullin: "Dranja. Madrigale". Një madrigal është një nënlloj lirik erotik, i shkruar në vargje dhe në fillimet e tij i kënduar.
Por, madrigalet e veprës "Dranja" janë shkruar në prozë, e cila është, sidoqoftë, prozë poetike, pikërisht një lloj i ndërmjetëm midis poezisë dhe prozës. Si një rrëshqanor, Dranja është "frymor i ndërmjemë mes sisorëve dhe atyne që pjellin vezë", duke përfaqësuar kështu një stad kalimtar në evolucionin e jetës së kafshëve - nëntitulli shënon "madrigale mbi fatin e një frymori të papërsosun".
Hibridizmi i heroinës, rrëshqanore dhe njerëzore, i përgjigjet hibridizimit të llojit letrar që portretizon personazhin (persona). Për herë të parë që nga Djella (fjala është trajta e shquar femërore e emrit në trajtën e pashquar të gjinisë mashkullore "diell" dhe i përgjigjet në gjermanisht "die Sonne"), një emër i përveçëm femëror kondenson një vëllim në një titull njëfjalësh. Një kondensim i tillë i kuptimit në një njësi minimale semantike formulon një poetikë shpërthyese.
Madrigali i parë është një prolog i kësaj poetike. Një malësor i ri zbulon një fosil, në të cilin zhgualli i një breshke është qarkuar nga një gjarpër. Siç është bërë e qartë nga një madrigal tjetër, në të cilin gjarpri tregohet epshor pas Dranjes, fosili është një ikonë e marrëdhënies seksuale. Gjarpri, që i ngjitet breshkës të kujton Evën që joshet nga Djalli. Mitit biblik i është dhënë një version natyralistik, i afërm me kultin pagan të malësorëve për diellin në pamjen e një gjarpri totemistik.
Te Dranja, Camaj ritregon historinë e jetës së tij të paracaktuar nga origjina e tij fisnore dhe e mbipërcaktuar nga endjet dhe ngulimet e tij jashtë. Këtë herë, megjithatë, alteregoja e tij është një kafshë, një përfaqësuese shumë e zakonshme e faunës së Shqipërisë Veriore, por që ka "një famë të keqe në mitologjinë popullore". Autori e ka zgjedhur zvarranikun si simbol të vetes së tij poetike, duke theksuar kështu më tepër pozitën e tij konsekuente anti - heroike.

Titulli: Dranja
Origjinali: Dranja
Gjinia: Madrigale
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012 
Fq. 168
Pesha: 0.23 kg
ISBN: 978-99956-87-72-4
Drama, Martin Camaj


Ismail Kadare

Tiranitë, krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e rreme e të gabuara. Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha.
Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për "ëngjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre". Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk ka sos.

Titulli: Djella
Origjinali: Djella
Gjinia: Roman
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 136
Pesha: 0.19 kg
ISBN: 978-99956-87-09-0

TRASHEGIMI...

Katundi arbresh kaluer
mbi qafën e bjeshkës
shklet majën e humnerës
Shum ujë në lum
veshi i shkambit ushton.

Dheu më vren me synin e plakës
njiqindvjeçare
"Nanëmadhe, po shkon:
çka don me vehte të merrsh
në kodrinë, nën qeparisa?"
"Hijen e tire, bir!"

Dimën. Në ferrën e murrizit
la delja tri fjolla leshi.
Tri fjalë më la tezja arbreshe
te dheu i eshtnave tonë.

Fjalët e gjuhës seme - nji
udhtimë e gjatë e gjatë në kohë,
nji ushtimë e gjatë e gjatë
ndër veshë.


MOSPERFILLJE...

Mbas mjesnate hana derdhi rrezet
prej majes së shkambit deri në lumë.
Mbasi që u ngi me gjumë
këndon qokthi ndër rreze:
sytë, dy pika uji, ndrisnin dhe kanga
pikon në luginë, në terr.

Dikush buzë lumit n’agim gjeti
sqepin e thyem të qokthit e tha:
dam! Kqyre këtë tingull që ra
e plasi në gurë.

NJI STINE E HUMBUN...

Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.

Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës.


NATA E KONCERTIT...

As bora nuk asht e bardhë në këtë muzg.
Gjindja me kambë të randa vrapon
kah dritaret e tingullit.

Në sallën e koncertit edhe diktatorët
marrin vesh masën e instrumentave.

Ndëgjuesit veshë-imët mbyllën sytë
e kapën currila pullazesh të lashta,
djegie qytetesh e drush të thata.
Në tempon e dytë gzhatshëm era
përkuli grunin deri në tokë.

Në sallën e koncertit edhe dirigjenti
symbyllë s’pau tjetër pos tingujsh
të ndezun mbrenda nji rrotulle terri.



LULE...

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.


MBRAMJA ASHTE LARG...

Mbramja ashtë larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve

e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell.


DREKE MALSORE...

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.

Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot ashtë marrë një gjak.

Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë

Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.

MOTIV ARBERESH...

Në driza janë gjarpij't e zez
E ti je e xhveshun nën diell.
Në driza janë gjarpijtë e zez
E rrijnë buzë në buzë,
E rrijnë buzë më buzë,
E jeta e tyne ashtë e bardhë,
E bardhë e bardhë nën diell,
E jeta e bardhë e bardhë,
Nën diell e bardhë, e bardhë.

Mjaltëzat lagin me mjaltë
Gurzit e prrojeve të thata.


FUQIA E KONES...

Ngjyra e verdhë e fletëve
Shkurtoi dritën në faqe të veta
E të katundit jugor mbi kodrinën
Bote së kuqe.

Para derës rrin Kona
Me barrën e randë në gji,
Dashunon rrezet e pemëve të vokta

Në kanistër
Para burrit kalamendë gjumi.

Tjerr Kona në furkë:
Ngrohtësia e pejve të leshtë shpërtheu
Prej gishtavet
E lëvizja e fëmijës në parzëm
E dridhi në kënaqje të paskaj



RETE E OQEANIT...

Eci krahas me to
Nëpër ditën e gjatë.
Aty ku vete
Asht skaji i kohës së matun
Me rrahje zemre milionësh
Në kërkim të nji emni.

Retë me rrajë thella në det
Rriten e bahen lisa:
Ndër gryckat e tyne fantazma
Konkisdadorësh
Vjelin pemë.


MOTIV I VJETER NE KTHIM...

Shtatë vasha u çuen peshë
Kur ngjyra e korbit fluturoi
Përmbi shtyllën e jetës:
Sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
Mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u quen peshë
E u turrën vrap me funda
Në duer sa qethi mbas korbave
E vetëm me za i tretën si plafa të murmë
Nën karmat e vendit tim.

Po s'erdhët ju, vasha,
Kur të zbardhen pusat e ujit
Në lumë përpara agimit,
Ngurzohen edhe duert e foshnjeve
Në palare.


HOQA FLETEN E LIBRIT TE PARE...

Hoqa fletën e librit të parë
Prej faqes sime dhe mbetën fjalë të paemën.

Dola jashtë e ndeja në shqimthin e derës
Dhe vrejta fiqtë e hindit me ferra
Në vjeshtën time.

Shpirtënt e rinisë larg korpit endeshin
Me fleta gjethi pa pushini shullajave.


VRASJA E POETIT...


Liria e fshehun mbas vargjeve
Të poezisë
Nuk ishte vetëm:
Para tyne rrishin galue roje
Shpend mishngranës
Me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
Tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

RILINDJE...


Dielli herët depërtoi ndër dej!
Si mbas nji cipe të hollë mendimi
E ndriti rrugën tonë nga lindja
E këndej.

Erdhi koha e zgjimit!
Nji rreze e vetme përpara
Mbi mur
Ndriti dhena t’panjehuna përmbas,
mungullim bimësie e filiza shum
me krena gacash përmaje: rreziqe!


MALLI PER JETE...

Lyp dashuninë e syve të mbyllun,
dy molla të tejpashme
me bërthamë zjarrmi në mes.

Zemra e qindrueshme
Rrok mallin e pamort
E pika shiu bien
Mbi rreshpe të pangishme.


KALLNORI APO VETMIA...

Dhe, brej e bjeshke randue me bore
e hej akulli.
Bisha n'krahnor e zanun
rri ngusht e fle pa gjurme permbas
me kthetra kthye ne lekure
nen mish.

Gardhi i rrezuem mbi shteg
e qafa malesh perreth
te mbylluna me dhambe ujqish
ne jerm.

TRAJTA...

Petk i endun prej nji dore
fund e krye, trajta
e kandshme per sy e veshe.

Trajte e thjeshte e lindun
nder mundime prej guri,
e pershkueme shtigjesh te parrahuna
me kambe ose patkoj.

Pendel e lehte ne dukje
po e rande hekur ne peshe,
tingull ose ngjyre
e kthjellet deri ne drite.


KTHIMI I VJESHTËS...

Ngriten prej kodrave balonat e larme,
zotat ulen në lumej.
Këtë verë shfletsova rêt e bilurta
e fletët e tyne m´u shprishen ndër duer.

Ti je endé e vetmja flakë
e vojgurtë në rrasë që jeton në mue.

Korrilat e qiellës janë nisë për Jug :
kambët e mija s´i ndiej npër dhé
në vrap mbas fijeve të mëndashta
që paralajmojnë stinat.


IDILË VERE...

Shegerti I pemtarit vodhi nji mollë
Dhe bija e furrëtarit tinëz ´i frangjollë.

Në breg të detit djali kafshon në curr
Mollën e vajza frangjollën me turr.

Me kambë në ranë ´i mzat përtypet plot shkumë
E deti me vala lëpin bregun në gjumë.


PRANVERA 1961...

Pranverë, sa i bukur pushimi
para syve tu të zgjuem.

S´kam prekun blerim
qyshë se kam lanun Jugun.
(Mbrenda parzmit tem
fluturojnë mija dallndyshash në kthim.)

Toka s´më njeh tue dalë prej borës
dhe kambët e mija npër të
janë të hueja.

Shoh orizontin : pesha e hapsive
që e mbajta gjithdimnin në krah
shkrihet mbi barë.

Shpresoj se kur të bijë bleta
në lule
kam me i buzëqeshë gjithshkades.

LETËR NGA JUGU...

Larg në nji tjetër botë jam
e shikoj kah mali :
rêt ruejn majën kujdesëshëm
pse ajo âsht e vetmja mbështetje
e qindresës së tyne në ajr.
Harrova gjithshka, Lule,
në botën e malit e të qiellës
unë pasqyrë e pandame e rêve.
Po të shkruej se këndej
sa shkambi ka ngjyrën
e faqeve të rrezituna.
Muret e shpijave janë kështjellë
të rrxueme me frangjija të panjehuna
e njimij sy më shikjonë
npër to kur parakaloj
në pikë të mjesditës pa hijen teme për bri.

Lule, sonte ndoshta do të bijë
shi i nxhetë në Jug
e nesër do të shoh mes avullit
ylberin e shtrëngatës së kalueme
e atëhere kam me kthye te ti.

LARGIMI I POEZISË...

Sytë ndalen në pikën ku jeta këputet
e mendueshëm mërgoj
në shkretinë e zotave madhështorë.

“Trajtë e mrekulleshme, fëtyra jote
ngjyrë mjalte endet në paqyrën e brrakave“.

Unë pres diellin e nesërm
e duer drandofillje, tjera,
të më përshëndesin.

Vallet arbreshe
Delet fijet e barit përpara se i këpusin
me dhambë, i ngrohin me frymë.
Edhe kamba e vashëzës lëmon tokën
mandej i lëshon rritmin

Burrat nuk kërcejnë tashti:
dikur i hoqën vigut të luftëtarit të vramë
mbulesën e kuqe,
hynë ndër valle dhe e suellnë n´ajr.

FRAGMENT...

Niset për gurbet punëtori
me nji copë qielli në krah
e krypë deti në kutia pishe.
Në dorë mban nji bahe
e gur lumejsh në gojë
në vend të bukës.

Rruga i zdrit prëpara
me gaca zjarmi në sy.


ATY SI TASH PARA SE ME ARDHË FISET...

Aty si tash pra se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.

U zgjove e përgjakun sa herë
e u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
t'lumejve dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.


DIMËN...

Flokët e borës ndër grykcat e lisave
e krahnjerri i përjargun ndër degë.
Syni kërkon flakën e fshehtë,
vjedulla strofullin
në gjijtë e rrajëve dhe kujton
ngrohësinë e frymës
nën lëkurën e delës së bardhë.

Iriqi me therra të nguluna n'mish
digjet pa flakë
mbrenda katër ballnave të dheut.


FILL I GJETUN...

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n'agim.

Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s'i gjetën në terr.

Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.

Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.


MË FALNI DIÇKA...

Më falni diçkà që më kënaq
si puthja e nanës në ballë;
më gëzoni nji herë
si gëzohet gjethi i njomë në puhí,
më shikoni si hana nëpër rremba
e kam me u falë gjithçka:
mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
dhe në zgavrrat e synit të sáj
do të derdhi lòt.
Avitu, njerí!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
si bima prej fare në pranverë.



HIJA E LISIT...

Dielli i rá për skîthi lisit të madh
e i zbuloi nën hije eshtnat e njérit
si cokla, si drû.
Hija e tij â e qetë si tis
mëndafshi të zí në faltore.
Gjingallat mbi dega gjimojnë
njiheri në vapë sikur vajtore
me ftyra t'gërvishuna n'gjamë.

Kur dielli don me shkue
hija e lisit rritet e kapet për mal
- gjarpën nëpër rremb:
hija e lisit â e zezë,
hija e lisit na tremb.


GJAKMARRJA...

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë nuk lot.

Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mak e vrri.



DITA E MALIT TEM...

Dheu im asht i përmendun
për humneret e thella
ndër banorët e malit e të fushës
deri në det. Mbramjeve atjè
ndëgjohet klithma e grizhlës
ndër kthetrat e shqipes e shpirti i sáj
u flijohet hijevet.
Atje lot drita në sytë e njerzve tash e parë
e epshet s'i njeh kurrkush me emën.
Shpagimi me gjak asht, për shembull,
gjarpën nën gur e gjarpni vetë
na qenka mende femne
nën rubën e bardhë ose të kuqe.

Në muzg atje secili prek ballin e vet
e ndien ndër gishta fillin e jetës
e gëzohet.


LARG ATYRE QE FLASIN SI UNE...

Fishkllin ere nder shelqe te ngime
me ujna prrojesh
veshtoj, te zanafillja, truemje
se si falen dreqit shpirt e korp,
be te forta
mbi gur qiell e dhe.

Jam larg atyne qe flasin si une
sa hana qe bie prej rrezje ne rreze
e pi qumesht n´vedra lanun jashte
per me vu maze.

Hutini i shkambit n´agim
dhe guri n´uje perpijne tingullin
e kuvendit te keq: n´agim
njeriu bekon diellin si une!




NJI DITE E KA EDHE KORBI...

Erdhi nje korb te dheu i bute nen shkrepa.
Ai s´dinte me ndjekun vallet e pllumbave
pale e pale nen hijen e ullive.
E u ruente mos me lshuemun za
mes gazullimit te pergjithshem
per mos me prishe
ritmin e flatrave nder valle.
Kur te e vona pllumbat kthyen ne banesa,
e ndiu vehten korbi pellumb ne shpirt.




VALLE RUGOVE...

Shkyenje qiellin, zurla,
e kaltersia e sferave te nalta
le te bije mbi ne si shi.

Kamba e tupani cajne token e me duer
vrikllojme na shpatat e me duer sutat
ne mal i kapim ne pike te vrapit.

Mos e ulni zanin, kangtare, pse me bie
nder gjuj lodhja e moteve dhe ritmi i ndalun
dyshe m´a ndan krahnorin.



MBRAMJA NE NORD...

Eci e eci gjeti blerimin.
Tingujt e kumbonareve lane pishat
e bredhat e shkuen me bujte ne qiell.
Qetsija e syve t´kalter rrokulliset
neper pullaze t´thepisun e bahet
pasqyre e dritave te kandilave
te shekullit t`kaluem.

Eci e eci muzgu me placka ne krah
e para se me hy mbrende,
e uli barren skaj deres tue lane shej
per ta gjete ne terr me nje t´prekun,
para agimit



NDER MIJA TRAJTA IDEJA...

Prej dite ne dite nji tingull
treqind e gjashtedhete here
prej zgjimi ne zgjim
fryme mali n'pullaz
ose trumcaku lypes meli
ne dritare...



GJARPNI E GRUEJA...

Ajo mbrame harroi trupin e vet
zbuluet
e ne megjes e gjeti pikture te varun
ne murin e gjane dhete pashe:
e kqyri e e kqyri dhe u zhduk.
Petkat e saj teren buze detit
me kemishen e gjarpnit mbi gure.
Shterpia tha se vjen prap, ajo,
deri mbasdite.
Mbasdite vone, gjarpni i rrejtun
doli prej nengurit
e iu zgerdhesh vetmise ndersy,
veshi kemishen e vjeter e shkoi
me fjete.




C'KA I DUHEJ ULIKSIT ITAKA PA GRUE...

Malli, deshire e perjetes
e jo mallengjimi, gurgull frymeshkurte
e joshi Uliksin me kthye i kulluem
atje kah ishte nise.Ne ravgime te paskaje
shtjeri edhe te mbramin petk qe kishte
amzen e pashlyeshme te vegeve ullini
dhe te duerve te grues.
Shtjeri edhe petka tjera leshi e lini
e fjeti nder tesha te hueja, Uliksi,
kur harroi amzen.
Homerit s'i erdhi n'goje me thane
perse Penelopa endte per te me duer te veta
petkun magjik te kthimit.
Homeri i perngeshem u kull kujtueshem e tha:
Uliksi e Itaka pa grue-dy krena binjake dhie
me nje bri te thyem: pune e pakryeme.




NJE ZOG LENGON...

libri i besimit te shpendeve thote:
cdo zog shtrin krahet e vdes mbi bar,
ndeshkim pse preku kufijte e ndaluem
mes qiellit e dheut.
Nji zog lengon per vdekje mbi bar:
gjethet nder lisa jane zogj e shoke
te pamberrishem
e losin me drite e diell
larg dy gur mullinjsh qe bien
si mbas ligjit njeni mbi tjetrin
pa za.




MOSHA E QENIT APO DITELINDJA...

Kremtuem gjith natën i ri e i vjetër kohën
që vdiq e vrame në mue.
E thanë: askush s'do të lypi gjak
për të.

Ajo nuk ishte festë, por drekë!

Në mëngjes mbas dere qentë
me sy keqardhës e të butë
nuk pritshin eshtna, por mue
me u nisë me ta shtigjeve bri lumit
teposhtë.


VDEKJE - KRIZEM...

Vdekje – krizëm
e nji flete gjethi të thatë,
ku të thom te skaji i dheut
pa krizantema në dorë më prit.

Prit, dallëndyshë e shtangun
me fletë mbi valë, frymën time

për t’u çue në ajër
me pendlat e korbit të bardhë.



DITE SHIU ME MERTURIN E GURIT...


Bariu krah-thatë te ura e zjarmit lodhet
ndërmend
për dhitë damtare përjashta:
në gotën e çveshun drite grihen syzit
e hardhiave nën gurë e unurë.

Dhe tret ndër andrra të përhime:
mbi rrasat e gurit në Mertur
plasin sytë e sqepve grimë-grimë
nën dhambët e ujqve,
kokrra groshe e drithi në palaré.

Gjeli këndoi në tra
e u zgjuen prej gacash ndër unë
pendlat – bletë e gretha bashkë:
mija zane plasën në trutë e bariut.
Dhe u çue krejt dheu në kambë
me lata e topra edhe armë të vjetra
e u lëshuen ndër ujq.

Mejti shiu në Merturin e Gurit
dhe dielli u ndejt në perëndim
me rreze të lodhuna
në mishin e ujqve mbi dhambët e majeve
kortarë-kortarë.



BLETA NE VERI...

Kundër thanjes së Herodotit
si mbas të cilit andej Istrit
nuk gjallnuekëshin bletë. –
Libri V, I

Doli agimi e avulli
zbuloi trajta të ajthta
para derës së Veriut.

Sytë e errët mbas një nate
pa gjumë
u prirën andej Istrit e panë
si me qenë në Jug
bletë përpara zgjonit me krahë ari
gati me u lëshue fluturim

kah rrezet për net të mungëta.



DESHTIMI...

Nuke çova zanin në kor
aty ku duhej: prej frike, turpi?
“Atëherë, del jashtë! – Më tha mjeshtri.
– Del jashtë!”

Prej të mbramit rresht në fund
u shkëputa, spec prej vargut në tra,
e njeha shkallët nji nga nji
deri në fund,
nën dhé
me peshën e njiqind syve në krahë.



KONA...

Askush të mos pyesë për pritën e fshehtë
mes dy shkambijve!
Sendet në kohë i mbulon cipa e hollë
e avullit që ishte ujë mes dy shkambijve:
edhe kanga e humbi melodinë e vet,
Kona e vogël.

Mos e sjell kryet andej
e le të bahet fshehësia
rreth i përkryem hekuri.































Mbi veprën “Camaj i paskajuar” të Shaban Sinanit



Në vazhdën e shumë artikujve kritikë, studimorë, ligjëratave të mbajtura në konferenca dhe auditorë të ndryshëm, krijohet përshtypja se për disa prej shkrimtarëve tanë, të anatemuar nga shkenca letrare e periudhës para ‘90-s, është folur dhe s’ka ç’të thuhet më tej.



Martin Camaj është ndër autorët e preferuar (në artikuj, studime, punime të nivelit “master” apo “doktoraturë”). Por studimi “Camaj i paskajuar -rreth tipologjisë së llojeve në veprën e Martin Camaj”, i Shaban Sinanit, na rikujton se:

- interpretimi i artit letrar, te mjeshtrit e mëdhenj, është gjithnjë i papërfunduar;

- se boshti metodologjik, që duhet të qëndrojë në themel të një studimi letrar të vërtetë, është zbulimi i marrëdhënies së variantit letrar (krijimtarisë së autorit) me sistemin letrar;

- se kontributi i vërtetë i një studimi nuk mund të qëndrojë në analiza standarde të dukurive të përsëritshme, që i hasim në trajtimet e poetikave të shumë autorëve, por në zbulimin e origjinales së poetikës, që e bën të veçantë krijimtarinë e një autori;

- se qasja ndryshe ndaj veprës së Camajt është interpretimi më i vlefshëm për shkrimtarin, por dëshmon, njëkohësisht, edhe vlerat e këndvështrimit origjinal të një studiuesi.

Studimi “Camaj i paskajuar – rreth tipologjisë së llojeve në veprën e Martin Camajt” të Shaban Sinanit tërheq vëmendjen për disa teza, sa të reja, aq edhe polemizuese me kritikën e zhvilluar deri tani mbi këtë shkrimtar.

Camaj i paskajuar, studim - Shaban Sinani

Sfida e parë: Vetë titulli “Camaj i paskajuar” hedh poshtë gjithë përpjekjet për ta kanonizuar Camajn si pasues të Mjedës, folklorizant, të ndikuar nga Montale apo Ungareti, surrealist, neorealist, hermetik, etj… Sipas Sh. Sinanit “Camaj pothuajse të gjitha këto ‘skaje’ i ka refuzuar…sepse Camaj gjithë jetën kërkoi amzën, matricën, çfarë nuk ishte bërë më parë, jo si një anti-model; sepse Camaj nuk shkroi kundër askujt, por si shprehje e mitit dhe origjinalitetit – forma e jashtme e një miti më të rëndësishëm të brendshëm, mitit të vetvetes”. Pikërisht kjo është sfida që studiuesi u bën gjithë atyre që i janë qasur krijimtarisë së Camajt për të përcaktuar, me domosdo, burimin e ndikimit te Camaj. Sipas studiuesit, Camaj i largohet së gatshmes, asaj që kanë bërë paraardhësit, duke synuar të papërsëritshmen, por pa ndërprerë udhën e të parëve. Në traditë dhe në ikje prej saj, jo për ta mohuar, por për liri vetjake krijuese!. Duke sjellë një qasje tjetër studiuesi vë në dukje, si pak kush tjetër, se Martin Camaj ishte i madh jo sepse i përket kësaj apo asaj poetike paraardhëse apo bashkëkohore, por sepse është krejtësisht i mëvetësishëm, i papërsëritshëm, se ka një origjinalitet të mahnitshëm në poetikën e krijimtarisë së tij dhe kjo e bën “të vështirë” për t’u lexuar dhe, aq më tepër, për t’u interpretuar.

Duke e përqasur me autorë shqiptarë bashkëkohës të periudhës, kur një brez poetësh projektonin letërsinë e frymëzuar nga idealet e së ardhmes, letërsia e Camajt përcaktohet si “pasatiste”, me të cilën studiuesi nënkupton prirjen estetike për të vendosur lidhje të tërthorta me rrënjë e të parëve, për të qenë larg idesë së projektimit të mitit të së ardhmes. E veçanta e shkrimtarit tonë është se ai nuk përfilli as parimet e përcaktuara të letërsisë së kohës, por, çka është vërtet mahnitëse në procesin e tij krijues, as poetikat e brendshme të vetë letërsisë, formësuar gjatë zhvillimit historik të letërsisë.

Është pothuajse “tronditës” pohimi se Camaj, me gjithë veprën e tij, prishi kufijtë shumëshekullorë të letërsisë, që nga poetikat antike e deri tek ato moderne, të shkollave krijuese të letërsisë shqiptare, se atij “mund t’i qëndronte cilësimi i shkallmuesit të pabujshëm të kanoneve në përgjithësi”. Prandaj, sipas Sh. Sinanit, Camajt i shkon vetëm një përcaktim: i paskajueshëm, që nuk mund ta futësh në asnjë kanon letrar. Cili autor mund të karakterizohej në këtë përmasë?

Sfida e dytë: M. Camaj nuk mund të përdoret! Ai është shkrimtar! Diskutimi në plan teorik e çon studiuesin në disa vëzhgime që lidhen me përcaktimin e Camajt, në mjaft shkrime të periudhës pas viteve ‘90, si shkrimtar disident, emigrant politik, gega i fundmë, antikomunist, verior… Kundërshtimin e një përcaktimi të tillë studiuesi e bën jo vetëm duke iu referuar pohimeve të vetë shkrimtarit në letrën drejtuar studiuesit arbëresh F. Altimari: “Unë nuk shkruej kundër dikujt!”, por në radhë të parë duke depërtuar në sistemin poetik të krijimtarisë së Camajt, në hapësirën universale, të veçantë, që ka të bëjë me botën, me qenien e njeriut, të vetë poetit, ndëshkimin për të shëmtuarën e jetës njerëzore etj., që janë dhimbja dhe meditimi i çdo poeti të madh, në çdo vend e kohë. Në këtë kuptim studiuesi propozon një paradigmë leximi e komunikimi që i përket thelbit të artit të letërsisë: leximin estetikisht të vetëmjaftueshëm, “të çliruar prej qëllimeve të vjetra dhe të reja që kanë shtuar me shumicë studiues dashamirës gjatë dy dekadave të fundit”.

Sfida e tretë: Përcaktimet e specifikave gjinore të disa prej veprave më të diskutueshme të Camajt. Sipas studiuesit nuk mund të përcaktohet tipologjia e shumë veprave të Camajt përmes krahasimit me vepra dhe autorë të tjerë. Kështu referencat e shumta me prozat e shkurtra të Borhes-it, Ungartetti-t, me palimpsestin, madrigalin, etj., që janë bërë për të përcaktuar llojin e veprës “Dranja”, nuk mund të zbulojnë thelbin e papërsëritshëm të poetikës së saj. Autori i argumenton kundërshtimet e tij, nisur nga “refuzimi” që qëndron në themel të botës artistike të vetë M. Camajt. Studiuesi e mbështet arsyetimin në prirjen e shkrimtarit për të rikodifikuar shenjat tradicionale të kulturës dhe psikikës kombëtare, duke shkuar në krijimin e simboleve të reja. Analiza e “Dranja” është pa diskutim një model origjinal, sa intuitiv, aq edhe shkencor, i rrokjes shumëplanëshe, jashtë skemave të njohura në studimet që i janë bërë kësaj vepre. Në një gërshetim befasues të analizës së një sistemi të papërsëritshëm kodesh me sintezat po aq filozofiko-poetike, mitologjike universale dhe shqiptare, studiuesi zbulon magjinë e procesit të krijimit të simboleve të reja. Njohuritë nga fusha biblike-ungjillore, e antropologjisë kulturore, e mitologjisë universale e shqiptare, etnografike, nga historia e gjuhës, nga fusha e semantikës letrare, etj., e çojnë studiuesin në konkluzionin se hermetizmi i veprës buron nga rikodifikimi që Camaj i bën shenjës tradicionale të trashëgimisë shpirtërore të popullit të tij, “duke bartur funksione totemike, rituale dhe magjike nga simboli i gatshëm te simboli që ai krijon vetë”. Do të mjaftonte vetëm analiza e veprës “Dranja”, prej Sh. Sinanit, për të kuptuar thelbin e papërsëritshëm të individualitetit krijues të Martin Camajt.

Sfida e katërt: Duke i kushtuar vëmendje të veçantë tipologjisë së llojeve letrare, studiuesi i qaset kësaj çështjeje gjithnjë mbi bindjen se Camaj, në rrugën e kërkimeve të papërsëritshme, zhduk kufijtë midis gjinive letrare (prozës dhe poezisë), duke guxuar të pohojë se te Camaj më shumë se transmodelim zhanresh, funksionalizim të tekstit narrativ në poezi, ka ndërmodelim ose rimodelim. Të veçantën dhe dallimin e këtij autori nga shkrimtarë të tjerë paraardhës apo bashkëkohorë, e sheh në faktin se ai nuk merr, por rikrijon modele gjinore dhe nëngjinore. Gjinitë apo llojet letrare që ndërton nuk janë asnjëherë format e ngulitura në traditën gjinore dhe kanë ndryshime origjinale prej tyre. Duke alternuar mjete të poetikës së poezisë me poetikën e romanit, vihet në dukje se shkrimtari riformuloi trajta që nuk ishin parë, qoftë në traditën gojore shqiptare, qoftë në letërsinë më të mirë të kohës. Në pamundësinë e klasifikimit tipologjik zhanror, studiuesi gjen një argument tjetër kryesor për ta përkufizuar Martin Camajn si një fenomen “të paskajueshëm” në letërsinë shqipe, duke kuptuar me këtë një origjinalitet jashtë kanoneve të përcaktuara. Për një specialist të studimeve strukturore dhe intertekstuale, studimi paraqet mjaft interes në zbërthimin e pesë formave të lidhjeve ndërtekstuale, ku studiuesi karakterizon veprën (“Dranja”) në nivelet e marrëdhënieve të brendshme me sfera të tjera të krijimtarisë.

Duke hetuar mekanizmin krijues të Camajt, Sh. Sinani “trullos” lexuesin kur guxon të pohojë se “Dranja” është vepër shkrimtari dhe shkencëtari, është letërsi dhe studim, është art dhe besim, është filozofi për jetën dhe argëtim estetik. Gjithashtu duket se për të ashtuquajturën “errësi” të poezisë së Camajt “fajësohet” lexuesi i zakonshëm për mosnjohjen e kuptimeve të hershme të shumë fjalëve. Sfida bëhet më e ashpër!

Sfida e pestë: Loja që shkrimtari bën edhe me titujt e veprave e ka shtyrë vëmendjen e studiuesit drejt terminologjisë së artit kishtar dhe arteve të tjera. Vëzhgimi mbi ndikimet e ligjërimit të letërsisë kishtare, të ligjërimit klasik shqip të humanistëve shqiptarë, të ligjërimit popullor etnografik të epikës legjendare, etj., e çon studiuesin në konstatime interesante mbi të veçantën e gjuhës së Camajt. Sipas tij ajo “e tejkalon gegrishten letrare të njësuar dhe vjen deri te shkalla e një ligjërimi letrar kombëtar të paranjësuar. Struktura e fjalisë së Camajt ruan shpirtin e shëndetshëm të rendit të brendshëm sintaksor të gjuhës shqipe dhe nuk vërehet asnjë ndikim shmangës i strukturave të serbishtes…”. I gjithë ky pohim sfidon thëniet mbi vështirësitë dhe karakterin hermetik të ligjërimit poetik të shkrimtarit.

Sfida e pestë: Studiuesi preferon ta bëjë veprën e vet tërheqëse, duke ndërfutur vargje, faksimile të artikujve të vetë M. Camajt me problematikë historike e kulturore, botuar në “Shejzat”, apo artikuj të shkrimtarëve dhe studiuesve të tjerë mbi vepra të ndryshme të tij, copëza nga romanet apo poezitë e shkrimtarit, artikuj të Camajt për vepra të mëdha, të letërsisë shqiptare, apo dhe të huaj, dorëshkrime të poetit, fotokopje të “Shejzat” apo të njoftimeve mbi botimin e veprave të tij, vargje të poetëve të tjerë, shënime të Camajt për përkthime fetare në shqip, pjesë nga reportazhet kërkimore të Camajt, fotokopje të ilustrimeve për poezitë e Camajt, bërë nga një piktor i huaj, e sigurisht edhe foto të shkrimtarit. Një kompozim i tillë ndërmjet trajtimeve shkencore dhe ilustrimeve të karaktereve të ndryshme, e bëjnë librin më tërheqës dhe më çlodhës për lexuesin, ndonëse, në vështrim të jashtëm, duket sikur nuk i përshtatet strukturës së një monografie klasike shkencore.

Kryesfida: Duket sikur boshti i këtij studimi është pohimi-çudi: ç’është ky shkrimtar që thyen gjithë rregullat gjinore, të drejtimeve letrare, që ndërton një marrëdhënie kaq personale me artin letrar, dhe që, megjithatë, mbetet një shkrimtar i madh, i papërsëritshëm, i papërcaktueshëm në norma apo parime estetike? A mos vallë Camaj deshi të sfidonte vetë letërsinë, në parimet dhe ligjshmëritë e brendshme të zhvillimit të saj, duke e nisur këtë shpërfillje (tërthorazi) që nga konceptet teorike të Platonit e Aristotelit e deri te praktikat poetike të poetëve e prozatorëve të njohur, të bashkëkohësisë?

Apo edhe studiuesi Shaban Sinani, me qasjet e tij origjinale duket sikur sfidon kritikën letrare, një pjesë të studimeve që janë shkruar deri tani mbi M. Camajn, duke vënë në dyshim një varg përcaktimesh që i janë bërë krijimtarisë së këtij autori? Duke njohur pothuajse në mënyrë shteruese çfarë është shkruar deri në ditët tona për M. Camajn, por edhe më gjerë në problematikat teorike (bibliografia shumë e gjerë e dëshmon këtë fakt) ai ka marrë përsipër ballafaqimin me rezultatet e deritanishme, tezat e studiuesve të tjerë mbi Camajn.

Është e çuditshme pse vëmendja e mendimit të sotëm shkencor i qëndron larg këtij studiuesi të spikatur, shumë prodhimtar, me një vullnet dhe kapacitet krijues jo të zakonshëm, me kontribute origjinale disaplanëshe, mbi letërsinë, por edhe të karakterit kulturor…

Pavarësisht se kjo vepër ka edhe aspekte të diskutueshme (e natyrshme për çdo interpretim letrar), ajo jep një model qasjeje provokuese për studimet tona. Njohim disa klishe në mënyrën se si e konceptojmë një studim shkencor, por Shaban Sinani konkretizon konceptin e vet, duke synuar të zbulojë ç’ka të veçantë Martin Camaj, duke shmangur procedimet e përgjithshme dhe të zakonshme që hasim shpesh në studimet tona. Kjo është meritë dhe nxitje debati, njëkohësisht!

Libri “Ditar i ekonomistit – Mitrush Kuteli”


Për të gjithë ata që janë rritur dhe janë dashuruar me punën dhe veprën e një prej figuravë të mirënjohura të letërsisë shqipe, atëherë këto kujtime do ta lejojnë të shikojë në mendimet e ekonomistit i cili u sakrifikuar dhe investoi me gjithçka kishte për vendin e tij duke i’u përmbajtur përgjegjësive dhe detyrave të tija zyrare dhe njëherazi morale.
Ditar i ekonomistit, Mitush Kuteli
Libri, “Ditar i ekonomistit – Mitrush Kuteli: Nga lufta për të shpëtuar floririn e Bankës dhe disa raporte e kujtime” është një përmbledhje shënimesh në fushën ekonomike dhe njëherazi personale. Ndonëse duhet të pranojmë që libri është me vlerë primare për studiuesit e historisë së ekonomisë shqiptare dhe të ekonomisë në përgjithësesi, libri nuk mungon të nxjerrë në pah mendimet dhe aspiratat e vetë autorit në lidhje me gjithçka që shqyrton.

Komente mbi autorin




Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar nga Shqipëria.

Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Studimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin "Doktor i shkencave ekonomike". Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa ndërroi jetë, si përkthyes.
Mitrush Kuteli është njëri prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme.

Vepra e tij ishte e ndaluar apo gjysmë e ndaluar dhe s’u botua e plotë deri në vitin nëntëdhjetë, kurse në faza të ndryshme kohe as u mësua e as u fol për të. Ky, në të vërtetë, është fati i shkrimtarit i cili nuk iu përshtat asnjërit nga dy sistemet e Shqipërisë: Monarkisë e Komunizmit. Po dhe të dy sistemet nuk e duruan atë si njeri të kulturës e të fjalës së lirë.

Libri i Kutelit Sulm e lotë përmban Poemin kosovar dhe Poemin e Shëndaumit si dhe dy lirika: Balta shqipëtare e Po të vdes në dhé të huaj. E pazakonshmja është se libri nënshkruhet me tre emra: Izedin Jashar Kutrulija, Mitrush Kuteli e Dr. Pas, që të tre pseudonime të Dhimitër Paskos. Izedini del si autor i Poemit kosovar, Mitrushi si autor i Poemit të Shëndaumit kurse Dr. Pas si shkrues i parathënies.

Dallohen për problematikën e rëndësishme, për tonin e rreptë antifeudal, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj njeriut të thjeshtë të popullit, për përbuzjen ndaj gjithçkaje të huaj që vjen të shkatërrojë një traditë të bukur tregimet: Vjeshta e Xheladin beut, Hanet e karvanet, Si u takua Ndoni me Zallorët, Gjonomadhë e Gjatollinj, Xha Brahua i Shkumbanares, Kujtimet e kujtimeve, Natë muaji Shembiteri, Natë marsi, Qetësi para fërtyne etj.
Mitrush Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë: Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944). Kritika e tij letrare shfaqet në trajta të ndryshme: shënim, recension, studim e ese. Dy studimet e tij më të njohura për letërsinë shqipe janë ai për poezinë e Lasgush Poradecit dhe ai për poezinë e Fan S. Nolit.
Mitrush Kuteli, bashkë me Ernest Koliqin, është themelues i prozës moderne shqipe dhe njëri ndër autorët më të njohur të modernitetit shqiptar. Madje, ka mendime që Kutelin e shohin bashkë me Lasgushin si autor themelor të gjithë letërsisë moderne shqiptare.

Rreth dyzet vite pas vdekjes, më 27 shtator 2002 me dekretin nr 3478, me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinis dhe Sporteve dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë me dekoraten e nderit të Republikës së Shqipërisë : Urdhri "Mjeshtër i Madh i Punës".

Tituj të veprave

Rrjedhin lumenjtë
Vjeshta e Xheladin Beut
Lasgush Poradeci (1937)
Net shqiptare (1938) [1]
Pylli i gështenjave (1958) [1]
Ago Jakupi e të tjera rrëfime, (1943)
Sulm e lotë (1943)
Shënime letrare (1944)
Havadan më havadan (1944)
Kapllan aga i Shaban Shpatës (1944)
Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea (1946)
Xinxifilua, (1962)
Tregime të moçme shqiptare (1965) [1]
Tregime të zgjedhura (1972) [1]
Baltë nga kjo tokë, (1973)
Në një cep të Ilirisë së poshtme (1983) [1]
Këngë e britma nga qyteti i djegur
E madhe është gjëma e mëkatit (1993)
Xinxifilua (2002)

[redakto]Përkthime
"Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit
"Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekura" të Gogolit
"Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit
[redakto]Poezi
Jam shqiptar kosovar
Jam shqiptar e kosovar; zot e krenar, zot e bujar mbi këtë dhé, q'e kam si fe, e përmbi fé: E kam vatan! E kam atdhe! Që gjysh stërgjysh, që brez pas brez, që gjithëmonë.
Ti shqa thërret, ti shqa bërtet, gjer lartë në retë se jam barbar.
Jo, s'jam si bërtet ti, si buçet ti, ti, Mal i Zi.
Po vendin tim e dua, lirinë e dua, e s'dua zot mbi mua.


Flori Bruqi

Visar Zhiti dhe fundi i vetmisë së Kadaresë


Përshëndetje miq të librit,

kësaj here ju prezantojmë një recencë nga: Dr Gëzim Alpion për romanin e Visar Zhitit ‘Funerali i Pafundmë’.

Po qe se akoma nuk e keni lexuar romanin e Visar Zhitit Funerali i Pafundmë, nxitoni të gjeni nje kopje. Po qe se libri nuk ështe më në qarkullim, i shkruani botuesit menjëherë që të botojë kopje të tjera, mundësisht sa më shumë. Po qe se ribotimi do të marr kohë, më shkruani që t’iu dërgoj kopjen time.

Sa më herët që ta lexoni këtë vepër, aq më shumë do të përfitoni. Sa për sqarim – ky roman nuk është argëtues. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, ose më saktë, pikërisht për këtë gjë, ju duhet ta lexoni këtë libër, dhe sa më parë. Po qe se nuk e ndiqni këshillën time, ka të ngjarë që pa dijeninë tuaj, ju do të vazhdoni të jeni pjesëtarë sonambulistë i një funerali të cilit ju ngjitet ndoshta që kur lindët. Ndosha ju keni lindur në këtë funeral. Ndoshta ky është funerali juaj. Ndoshta ju jeni kufoma që të tjerët përcjellin në varr. Ndoshta ju jeni kufoma dhe një nga pjesëtarët e korteut në të njëjtën kohë.

Në këtë roman Zhitit na rrëfen ne shqiptarëve gjëra që tradicionalisht nuk na pëlqejnë ti dëgjojmë, shikojmë dhe pranojmë, veçanërisht kur bëhet fjalë për mëkate të përbashkëta.

Si çdo vepër me vlerë, ky roman ju ofron lexuesve nje trajtim terapik që do t’i ndihmojë ata ta njohin vetveten ndoshta më tepër se nga çdo libër tjetër që kanë lexuar deri tani. Si nje Froid letrar, Zhiti e drejton lexuesin me mjeshtëri, simpati por disa herë edhe me insistim në turneun e vështirë nëpër labirinthet e errëta të koshiencës dhe subkoshiencës. Me Zhitin, letërsia shqiptare ka gjetur nje stil te ri rrëfimi që u përsos nga James Joyce dhe Virginia Woolf.

Shkrimtarë si Visar Zhiti janë shumë të talentuar për tu liruar nga burgu. Edhe kur artistë të tillë e kryejnë dënimin e ‘merituar’ për ‘komplotet’ që thurrin duke ‘manipuluar’ fjalën, armën më të rrezikshme që disponojmë ne njerëzorët, ata duhen flijuar me ngujim të përhershëm në kullën e harresës. Për këtë të fundit ne kemi merita, veçanërisht kritika letrare shqiptare.

Po qe se prisni që të informoheni nga kritika letrare shqiptare për një libër të jashtëzakonshëm si ky, ka të ngjarë që të mbeteni të patrazuar në padijen tuaj edhe për shumë kohë. Kritika letrare shqiptare, që tani për tani është në një gjendje vegjetative, ka ende shume për të bërë për tu afirmuar si një art i mirëfilltë dhe shkencë në vete.

Kritika shqiptare do ta ngrinte në qiell këtë roman po qe se do të kishte tërhequr vëmendjen e kritikëve në perëndim. Tani për tani kjo nuk ka të ngjarë sepse Zhiti nuk është i interesuar të trajtojë tema folklorike dhe ekzotike që perëndimorët e interesuar për Shqipërinë dhe hapësirat shqiptare, si gjithmonë, vazhdojnë ti kenë aq shumë për zemër. Zhiti është shkrimtar shumë serioz që të shkruaj vetëm me qëllim që të tërheq vëmendjen dhe siguroj aprovimin e kritikës së huaj. Disa shkrimtarë shqiptar, me eksperiencë apo edhe pinjollë të rinj, që me sa duket e masin suksesin kryesisht me kutin e vlerësimeve të befta që vijnë nga përtej Adriatikut, duhet të mësojnë nga dinjiteti dhe integriteti profesional i Zhitit.

Po qe se mendoni se një vepër e tillë duhet te ishte propaganduar nga qeveria shqiptare, në kohën tonë kjo nuk është më e mundur. Shkrimtarët dhe artistët shqiptarë trajtohen nga establishmenti politik si fëmijë ilegjitim te braktisur. Koha kur shteti shqiptar ta kuptojë sa e rëndësishme është të investojë për tu krijuar artistëve si Zhiti kushte dinjitozë për të vazhduar krijimtarinë, fatkeqësisht duket se është akoma e largët.

Megjithëse në kushte jo normale, Zhiti vazhdon të shkruaj vepra të cilat janë pasuri kombëtare. Ky është ndoshta romani me original i botuar në gjuhën shqipe në dy dekadat e fundit. Qoftë edhe vetëm me këtë vepër, Zhiti radhitet ndër klasikët e letërsisë bashkëkohore shqiptare. E megjithatë kjo vepër pothuajse nuk është vënë re. Edhe ato pak komente që janë bërë për të theksojnë se ky është nje roman kundër diktaturës komuniste.

Deri diku, kjo vepër e Zhitit vërtet është nje roman anti-diktature. Diktatura që Zhiti demaskon pamëshirshëm megjithatë nuk është thjesht ajo komuniste. Si çdo shkrimtar, Zhiti pasqyron në veprat e tij eksperiencën personale. Si çdo shkrimtar i madh, ai nuk është rob i saj, por e përdor atë si platformë për të trajtuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kombin shqiptar. Dhe jo vetëm me të.

Romani i Zhitit përqëndrohet, ndër të tjera, në çështjen thelbësore të mardhënieve të njeriut me shtetin si një instrument force, indoktrinimi dhe totalitarizmi. Këto tipare janë karakteristika të shtetit ne çdo sistem shoqëror, përfshirë shtetet demokratike.

Zhiti ka shkruar një vepër origjinale sa moderniste po aq edhe postmoderniste për nga konceptimi dhe ekzekutimi artistik si dhe mesazhi filozofik. Ky roman mund të krahasohet denjësisht me disa nga veprat më të mira të autorëve si Kafka, Orwell, Salinger, Heller dhe Solzhenitsi. Duke pasur parasysh historinë e romanit shqiptar, Funerali i Pafundmë është një arritje jo e vogël për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Që ky roman ka për autor një poet të talentuar si Zhiti e bën këtë vepër edhe më të veçantë. Ky është romani i parë i suksesshëm në shqip i kompozuar në vargje të lira që për nga mesazhi, pasuria e gjuhës dhe thellësia e mendimit mund të barazohet me kryeveprën Toka e Djerrë të T. S. Eliot.

E veçanta e këtij romani-poemë është se edhe pse simbolizon jetën si një korte kotësie (ndoshta Korteu i Kotësisë do të ishte një titull më domethënës për këtë vepër), Zhiti nuk e humb besimin te njerëzimi, tek vitaliteti ynë si qënie njerëzore për të ngadhnjyer në situata kur arsyja duket se ka vdekur. Zhiti gjen kuptim dhe kthen në art anët më të errëta të realitetit njerëzor. Si çdo kryevepër që përqëndrohet në temën e pesimizmit, atë e përshkon një damar elegant optimizmi.

Romani i Zhitit shënon një arritje të re në letërsinë shqiptare, për të cilën duhet të gëzohemi të gjithë, veçanërisht Kadareja. Për më shumë se katër dekada, Kadareja duhet të jetë mërzitur në vetminë e tij. Nuk them se Zhiti është një Kadare i dytë. Kjo do të ishte një pasaktësi e madhe dhe nënvleftësim i pafalshëm si për Kadarenë ashtu edhe për Zhitin. Nuk duhet që ta masim vlerën dhe origjinalitetin e shkrimtarëve tanë me metrin e suksesit të Kadaresë. Kadareja është një fenomen unik në letrat shqiptare. Kur të vlerësojmë shkrimtarë të talentuar si Zhiti, nuk duhet të nisemi nga premisa që të gjejmë në veprat e tyre një Kadare të dytë. Ne nuk na duhet një Kadare i dytë. Asnjë vendi dhe asnjë letërsie nuk i duhen klonë letrare.

Kur kjo vepër të përkthehet në gjuhët kryesore evropiane, veçanërisht në gjuhën angleze, Zhiti me të drejtë do të konsiderohet si një shkrimtar premtues bashkëkohorë. Me shkrimtarë si Kadareja dhe Zhiti letërsia shqiptare dhe ajo ballkanike përfaqesohet edhe më denjësisht në botë.

Universiteti i Birminghamit, Angli

Visar Zhiti: Letërsisë i mungonte rrëfimi i ndjesisë




“Intelektuali, poeti, duhet të jenë të sinqertë dhe poezia duhet të jetë e vërtetë.”

Në një kohë kur ende pas më shumë se dy dekadash në Shqipëri vijon debati për persekutimin dhe persekutorët, për hapjen ose jo të dosjeve të tyre, poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti, përmes dy librave të tij më të fundit “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, na rrëfen përvojën e tij dhe ndjesinë brenda hekurave në kohën e diktaturës, me vokacion të ardhmen. Në këtë bisedë, Zhiti thotë se pa kujtesën kolektive një shtet nuk mund të ecë dot përpara. Poeti “që u dënua se u këndoi trëndafilave”, na tregon se, të gjitha diktaturat preken dhe cenohen nga sinqeriteti dhe e vërteta që sjellin poezia dhe romanet.

Kjo intervistë nisi “si rastësisht” duke folur për shkrimtarin dhe filozofin bashkëkohës, Umberto Eco, më pas kaloi në rolin e intelektualit në Shqipëri, si dhe gazetarinë e publicistikën e sotme, por, gjithsesi, ato na zbulojnë njeriun Visar Zhiti.





“Emri i trëndafilit” ne si lexues na kujton një roman të mrekullueshëm të Umberto Eco-s. Ju kemi parë të vlerësoheni nga U. Eco. Pyetja ime është: Po ju, çfarë mbresash dhe mendimesh keni, jo thjesht për “Emrin e Trëndafilit”, por edhe për vetë “trëndafilin” e vyer, shkrimtarin dhe intelektualin e madh, elitar të Europës, Umberto Eco?

Ashtu siç e thatë dhe ju, Umberto Eco është një personalitet italian ndër më të mëdhenjtë në kulturën europiane, me famë botërore. Eseist, historian, semiotist, filozof, kritik arti, shkencëtar i komunikimit, shkrimtar, ndërkohë që e mposht me kulturën e vet këtë zeje. Të mposht me dije dhe me taktikat sugjestionuese të krijimit, me të vërtetë maestro. “Emri i Trëndafilit” është romani i tij i parë që e bëri të njohur, por dhe romani i tij i fundit, sepse iu rikthye, e ripunoi dhe sapo është botuar mbas 30 vjetësh në vendin e tij, por dhe në Shqipëri.

Pomë pyesni për të, por s’kam ç’them më shumë se një lexues. Emrin e tij e kam dëgjuar pas viteve ’90, kur dola nga burgu. Fati më çoi të punoj në Itali, kemi folur për të, kam lexuar, kam shkuar në qytetin e tij, në universitetet ku jep leksione, por nuk e kam parë asnjëherë. Si çdo i madh, ka adhuruesit e vet dhe kundërshtarët e vet ose nga ata që nuk magjepsen prej tij, janë indiferentë ose dhe kundërshtarë. I çmojnë kulturën, por nuk pajtohen me qëndrimet e tij apo dhe me veprën shkrimtarore.

Të dal te pyetja juaj, ka bërë përshtypje parathënia e tij për një libër, botuar së fundmi në Itali, me autorë të dalë nga burgjet nga vende të ndryshme të botës, përgatitur nga PEN Club italian. Fjala hyrëse e Ecos në këtë përmbledhje u botua në gazetat më të mëdha. Ai i bën një lloj rivlerësimi qëndrimit të tij të dikurshëm për këta lloj autorësh, të cilët, në një parathënie të bërë përpara, dikur në një botim në Angli, thoshte se janë të dënuar të pafajshëm. Tani e korrigjon mendimin e tij dhe këmbëngul se ata janë autorë të fajshëm për diktaturat. Këtë e argumenton me faktin se, nëse nuk do t’i këndoje diktaturës apo diktatorit, pra, do të ishe mënjanas ndaj tyre e do të shkruaje për tjetër gjë, qoftë dhe për trëndafilat, ishte faj. Më merr si shembull mua, më citon duke kujtuar librin tim me poezi për të cilin jam dënuar, “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, dhe ndër të tjera thotë: “…poezia u shkakton frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit, për trëndafilat…”



Pra, paskeni të përbashkët edhe trëndafilat…

Trëndafilat janë për të gjithë, dhe, pse jo, të gjithë janë për trëndafila. Më vjen mirë kur një intelektual i madh arrin të ndiejë tjetrin edhe tej, në tjetër vend e në tjetër gjuhë, që nuk e njeh e s’janë takuar kurrë. Është fat kur të mëdhenjtë janë të tillë se dinë të shohin më gjerë, sintetizueshëm, opinionbërshëm. E çmoj shumë këtë konstatim sfidues të tij, që autorët e burgjeve i zbulon të fajshëm për diktaturat e tyre. Jo të gjithë e pranojnë kështu.

Së fundmi, do të shtoja, për kërshëri, se edhe Umberto Eco edhe unë jemi anëtarë të PEN Clubit italian, kam pasur rast të shkëmbej mesazhe. PEN-i, ju e dini, është krijuar për të mbrojtur shkrimtarët që persekutohen në vendet e tyre, kudo. S’e di a ka këtë rol në Shqipëri.



Atëherë vazhdojmë me termin intelektual dhe për “intelektualin e angazhuar”, që aq shumë flitet. Ju lutem, mendimin tuaj për këtë problem?

Unë, kur dëgjoj fjalën intelektual, nuk e shkëpus dot nga angazhimi. Pra, nëse je intelektual, absolutisht je i interesuar për shoqërinë, për vendin tënd, aktualitetin, historinë, çështjet, deri dhe për tjetrin si individ. Interesi nuk mjafton, duhet të veprosh, të ndërhysh, të mbështesësh, të kritikosh, të mos pajtohesh, të zgjidhësh, të mbrosh, të bëhesh ndërgjegje. Intelektualët e vërtetë i kanë bërë dhe i bëjnë këto. Ata që vetëm dinë, enciklopedikë të mbyllur në Kullën e Fildishtë, siç thuhej, kur nuk janë socialë, të angazhuar, mënjanës, pakësojnë shumë nga vetja e tyre, bëhen të harrueshëm, madje edhe të dëmshëm.

Angazhim mund të jetë dhe vepra ashtu si dhe jeta e intelektualit. Ne shpeshherë e keqkuptojmë fjalën angazhim, kujtojmë sikur do t’i shërbehet një partie apo një lideri a thjesht do të jesh militant diku. Angazhim do të thotë t’i shërbesh idealit, çështjes, vendit, kohës, të angazhohesh do të thotë të plotësosh idealet, idetë dhe qëllimet e tua në dobi të të gjithëve a të një shumice, qoftë dhe të njërit, kur ka të drejtë.



Po për figurën e intelektualit në Shqipërinë e sotme?

Në rastin shqiptar, gjendja, për sa i përket dijes intelektuale, mund të themi se nuk kemi qenë dhe aq keq, a mbase nuk jemi. Për sa i përket rolit intelektual, rolit emancipues që kanë për detyrë ndaj shoqërisë ata që quhen intelektualë, mund të themi se lë për të dëshiruar. Jemi vendi ku është formuar dhe na ka mbetur intelektuali legal i shtetit të diktaturës, i shquar i kompromisit, pa kurajën e duhur qytetare, gjithmonë nga ana e më të fortit, si rrjedhojë e hipokritit të mbijetesës, me ndërgjegje të pakët përgjegjësie dhe janë nëpërkëmbur të kundërtit e tyre, janë braktisur, dënuar e zhdukur si kundërshtarë. Me intelektualët shqiptarë ka ndodhur ajo që zakonisht zbërthehet nga sociologët perëndimorë, që, përgjithësisht, në vendet diktatoriale, intelektualët kanë qenë me diktaturën, sepse ajo u jepte mundësi të bëheshin dikushi, u zhdukte rivalët dhe u jepte famë. Dhe, diktaturat i ndanin intelektualët në të tyre dhe në armiq dhe dihet se ç’bëhej me ta. Në njërin kah ngjitje dhe në tjetrin zbritje. Mesi i mediokërve. Ka një simetri diabolike, për këdo intelektual që ngrihej, një tjetër rroposej dhe me ndihmesën e të parit.

Duke mos lënë shembullin e intelektualit disident, kundërshtues, martir, sepse, edhe kur ishin, ato zhdukeshin dhe përvoja e tyre heshtej – sot, kjo përvojë e vyer, edhe pse duket sikur nuk ka gjetur vlerësimin dhe vendin e duhur, është bërë parësore dhe gjithsesi ka përfaqësues e dishepuj.



Librat tuaj të fundit “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, janë pritur shumë mirë nga lexuesi. Cilat janë, sipas jush, disa nga shkaqet, lidhen me angazhimin?

Në qoftë kështu, gëzohem. Shkaqet për këtë duhet t’i dijë lexuesi më mirë. Unë mund të flas për arsyen a diçka të tillë që pse i shkrova këta libra. Është emocionale, gjakimi për të bërë letërsi, por dëshiroja të isha dhe i angazhuar për të sjellë ndërkaq librat që i shërbejnë kujtesës historike të të gjithëve, të sillja nga vuajtja njerëzore, duke e parë atë, më shumë sesa fakt dhe datë, si ndjesi. Ndjenjat sjellin mendimin dhe veprimin. Me dukej sikur mungonte kjo e vërtetë. Mund të kemi rrëfyer për vuajtjen, por jo ndjesinë brenda saj. Desha jo vetëm të vërtetën si ndjenjë, por dhe ndjenjën si të vërtetë.

Gjithsesi, desha që të ishin dhe romane me personazhe dhe ngjarje të vërteta me qëllimin që, përveç të tjerash, të ndiejmë që ka një sy vëzhgues mbi bëmat tona dhe që gjithkush është i denjë të hyjë në një vepër, romani nuk është “zonë e ndaluar”, repart ushtarak, presidencë a ambasadë, por ngjan me rrugët, sheshet, parqet, ku shkojnë të gjithë, me hotelet ku bujtin, me tempujt ku rrëfehemi, ku dëgjojmë orakujt. Pra si të thuash, ka romane që nuk kanë personazh kryesor fantazinë, por të vërtetën me kredon që ne jemi të aftë të hymë në letërsi me çfarëdolloj jete dhe duhet t’i përgjigjemi asaj. Sado të pasur qofshim, të kaluarën nuk e blejmë dot, përsëris. Sado të varfër qofshim, ëndrrën e së ardhmes nuk na e rrëmbejnë dot. Se ëndrra mund të mbetet dhe pa ne.



Ju folët për kujtesën historike, sa e rëndësishme është ajo për të ardhmen e një vendi?

Kujtesa historike është e domosdoshme për çdo popull, për çdo kulturë, është vetë historia. Nuk ka të tashme pa kujtesë. Kudo, në çdo gjë, që nga më e madhja e deri te më e imta, te e zakonshmja, e dukshmja, e padukshmja, universalja etj., është kujtesa si një përvojë. Madje ka dhe kujtesë të së ardhmes. Bibliotekat, shkenca, të gjitha, i takojnë jetës pa kohë, të gjithëkohshmes. Çasti në të cilin flasim menjëherë bëhet i shkuar. Gjithçka është e ikshme, ikën. Dhe shqetësimi i madh i njerëzimit është dhe mbetet të qëndruarit, të qenët si forma të përjetësisë, vetë përjetësia si një mundësi. Në këtë kuptim, kujtesa është çelësi i kësaj magjie jete, edhe parajetë dhe pasjetë. Kur ajo na vjen nëpërmjet artit, është fat, fat i madh, se është edhe emocion estetik, që do të thotë “të jesh bukur”, gjithmonë, sipas meje.



Ju jeni ndër poetët, publicistët që keni vuajtur mbi supe torturat çnjerëzore të regjimit të egër të Enver Hoxhës. Megjithatë, në poezitë dhe artikujt tuaj, nuk sheh mllef dhe ndjenjë hakmarrjeje, as në hermetizmin tuaj krijues, por gjejmë sinqeritet, vërtetësi, argument, kuptohet dhe kundërshtim. Si arrini ta bëni këtë?

Unë do të thosha se torturat nuk janë njerëzore, por çnjerëzore. Torturat s’duhej të ishin për njeriun, sidomos nuk duhet të vinin nga njeriu. Ç’t’ju them, poezia duhet t’i ketë të gjitha, pse jo, edhe mllef. Njeriu i poezisë duhet të dijë të urrejë, në emër të dashurisë e jo të dashurojë në emër të urrejtjes, kështu besoj, duhet të dijë të indinjohet, që të shërbejë për të krijuar energji pozitive.

Poezia në vetvete është dhe hakmarrje, jo banale, por artistike, e shenjtë mundësisht. Të mos kesh aftësi indinjate, kundërshtimi, do të thotë të jesh tolerues i së keqes. E rëndësishme është t’i përgjigjesh asaj dhe ta kundërshtosh me mënyrën tënde, mundësisht të shenjtë, e them prapë, pra qiellore, e padukshme në tokë. Pavarësisht se ndëshkimi, tokësor e nëntokësor, vjen si rezultat i këtij beteje. Por jo çdo britmë është kundërshtim, jo çdo thirrje është kundërshtim, madje jo çdo kundërshtim është kundërshtim. Mund të kundërshtosh edhe urtë, dhe ky ndonjëherë është më i forti dhe më seriozi. Në këtë kuptim, unë them se vuajta nuk duhet ta bëjë më të keq njeriun, pavarësisht se ia bën më të keqe jetën. Mendoj se ai që kupton më thellë botën, kupton më thellë të tjerët, veten, dhe di se çfarë dhe si të kërkojë. Pse jo, edhe me poezi. Në këtë kuptim, vuajtja njeriun e bën më të sinqertë e më të heshtur. Fillon hermetizmi. Poezia, në një farë mënyrë, duhet të jetë sa më e zhveshur dhe hermetike, jo në kuptimin e qartësisë, se ashtu nuk sjell rezultatin që dëshiron. Poezia hermetike është tjetër gjë, nuk fsheh vetveten a gjendjen, por ka sensin e të paarritshmes si vegim. Intelektuali, poeti, duhet të jetë i sinqertë dhe poezia duhet të jetë e vërtetë. Nëse këto arrihen, është me fat ai poet.



Ndoshta ngaqë edhe vetë jam njeri i gazetarisë, më vjen të bëj pyetjen, ç’mendim keni për gazetarinë dhe publicistikën e sotme?

Ka arritje të shkëlqyera dhe profesionalizëm. Edhe shpërdorime të tyre, edhe… por të pranojmë të mirën. Ndërkaq, unë shoh një paradoks midis gazetarit dhe gazetës së tij. Gazetarët janë shumë më të mirë se gazeta e tyre. Liria ka bërë të shpërthejnë talente, sy vëzhgues, qëndrime kritike, zëra prijës, por…

Me gazetat ka pakënaqësira. Faqet e para duket sikur kërkojnë më shpesh, sforcueshëm, të bujshmen, skupin, të jashtëzakonshmen, të padobishmen, të keqen, ngjalljen e pakënaqësisë. Ndoshta kjo ndodh, sepse kështu shiten më shumë, nëse interes është shitja e gazetës. Por ka dhe shitje të atyre që mbajnë atë gazetë, pronarët. Një sukses i tillë është i dëmshëm. Kur gazetat duan të mbushen me krime, vrasje, hedhje nga ballkoni etj., duket sikur i bëhet apel a pyetje lexuesit të tyre: Po ti, kur do të bësh deliktin tënd? Nëse krijohet kështu një klimë krimi, në të vërtetë ajo është më e keqe se vetë krimi. Lenini thoshte: më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk përmbysa një pushtet. Unë do të thosha: më jepni një gazetë të ngre një popull. Shpirtërisht, moralisht…



Sot ka censurë apo autocensurë?

Censurë – jo. Gjithçka thuhet. Madje dhe me tepri. Autocensura është më e keqe se censura për shkrimtarin, mendoj. Mënyrat për t’i thënë gjërat gjenden. Shpeshherë janë të detyruar të jenë në shërbim të interesave të një klani të caktuar, e kam fjalën për gazetarët. Megjithatë mendimin e tyre mund ta përçojnë në forma të tjera. Nëse pengohet te një gazetë, e thonë te tjetra. Këto janë privilegjet e lirisë. Shkrimtarët po, i gëzojnë të plota, më mirë se kurrë. Artet në përgjithësi. Pengesë duhet të jetë vetvetja tani. Por mungesa e kulturës është autocensurë. Mungesa e moralit është censurë për informimin mbi të vërtetat.



Edhe për traditë, do të desha t’ju pyes për librin a librat tuaj të ardhshëm?

Vërtet nuk e di. Dy librat e porsa botuar që përmendët ju, në njëfarë mënyre kanë qenë dhe si një lloj gërryerje munduese, por e ngazëllyese gjithsesi. Duhet t’i bëja patjetër. Tani jam në gjendjen e “pusit bosh”, siç thoshte dhe e shpjegonte Hemingway. Më duhet të pres ujë të ri jete. Ndonjëherë respektimi i boshatisjes është më i mirë sesa të shkruarit keq. Do ta rimarr ndonjë nga dosjet e mia. Por jo për traditë.

Visar Zhiti

Përsëri shkrimtari Visar Zhiti u jep letrave shqipe një vepër dinjitose, romanin “Në kohën e britmës“, për të cilin mund të themi me plot bindje se është ndër më të mirët e kohëve të fundit në letërsinë tonë, duke shpalosur edhe njëherë fuqishëm talentin e mrekullueshëm të këtij autori. Eshtë një afreskë tronditëse, një rrëfim ku bashkohet enigma me dhembjen, denoncimi i hapur me dashurinë, balta e vuajtjeve me dritat e metropolit, krimi me bukurinë, së cilës duket sikur nuk u mjafton një breg shqiptar, por hidhet dhe në bregun tjetër, atë italian. Koha lëviz vrullshëm në roman nga jeta në vdekje, por edhe e anasjelltas, me personazhe imagjinarë dhe realë, të zakonshëm dhe të shquar, ku dialogu ia lë vendin përsiatjes, që lë jehonë të thellë tek lexuesi, duke përēuar emocione të forta dhe vlera të vërteta artistike.

Romani “Në kohën e britmës” pasqyron një pjesë nga ikjet më të fundit. Njerëzit largoheshin nga dhuna dhe varfëria, në kërkim të një jete më të mirë, duke dalë shpesh dhe nga vetja, dhe kjo duket se e intereson më shumë autorin, ikja nga vetvetja, pjesë të së cilës i rigjejnë apo i humbin përgjithmonë, ndeshen me krimin dhe të keqen, u bëjnë ballë atyre, mposhten dhe mposhtin.

Autori duket sikur nuk pret që realiteti t’i zgjidhë problemet e veta, e llava e ngjarjeve të ftohet, por ai ndërfutet në vorbullat e këtij realiteti, është në grykë të kraterit, madje dhe paraprin, duke marrë përsipër përgjegjësi dhe mision, gjithmonë si një shkrimtar, i cili dhe vetë kështu sikur bëhet ngjarje, jo vetëm estetike, sikur do të na thotë se shpresat janë më të mëdha se zhgënjimet dhe bukuria, sipas një sentence të njohur, pritet të triumfojë duke na bërë të gjithëve më të mirë.

Historia e dy këngëve të dy luftërave çlirimtare



 

Nga: Dilaver Goxhaj


Dilaver Goxhaj
Historia e të dyjave fillon në pranverë, e para në Tepelenën e viti 1942, e dyta në Tiranën e vitit 1998, e para për LANÇ, e dyta për UÇK-në.
Kënga e parë
Historia e kësaj kënge nis në pranverën e vitit 1942. Në një luftim midis njësitit gueril të qytetit të Vlorës me ushtrinë fashiste italiane, vriten dy heronj, ndaj dhe kënga titullohet: “Dy heroj, një ushtri”. Heroizmi i tyre mori dhénë. Në këtë periudhë, shkrimtari dhe poeti Kolë Jakova ndodhej  i burgosur në burgun e Tepelenës. Dy-tre ditë pasi kish ndodhur ngjarja epope e Vlorës, poetit Kolë Jakova i mbrin një letër nga Mustafa Matohiti (Hero i Popullit), atëherë komisari i çetës partizane të Kurveleshit, ku i kërkohej një tekst-këngë partizane. Dhe Kolë Jakova tregon: “Pasi ma sollën letrën, fillova me mendu për tekstin e kangës. Në burg më patën leju me e mbajt mandolinën, të cilën ma pat sjellë familja në një nga vizitat e saj, kur unë isha në burgun e Tiranës.  Në një nga pushimet  e shëtitjes së paradites që banim në kala, (burgu ishte brenda në kalanë e Tepelenës), e hartova tekstin”. (Dhe poeti filloi e recitoi rreshtin e parë të vargut të parë, ndërkohë, ne, dëgjuesit e bisedës, e pasuam në kor:  “Dalëngadalë po vjen behari/ Dalëngadalë po na vjen/ Po na vjen, po na vjen / Bota zjen , bota zjen/ Shokët tanë kjo luftë po na i rrëmben…etj”). Pasi mbaruam së kënduari këngën në fjalë,  poeti Kolë vijoi:
“Si shkodran që jam, kuptohet që edhe melodinë duhej me e ba vetë. E bana edhe melodinë dhe po e ekzekutoja me mandolinën teme. Kur e mbarova së ekzekituemi me mandolinë dhe tuj e këndu me za të ulën, pash se para meje, kish zgjat kokën nji gjarpën prej një vrimë muri dhe po ndigjonte. Thashë me veti: derisa edhe gjarpni nuk po lëviz vendit dhe po ndigjon me vemendie, kënga jeme kenka shumë e goditun si tekst dhe si  muzikë, ndaj dhe fillova me ua mësu të burgosunve të tjerë, të cilët pothuj se ishin që të gjithë të rinj. Për fat, të rinjtë që u bënë më së shumti entusiaztë me atë këngë, u lirun shpejt nga burgu. U gëzova, pasi kënga tash do të përhapej. Mirëpo, pas disa ditësh u pat zhvillu një demostratë në qytetin e Tepelenës dhe mësuam se ata të rinj që e patën mësu ma së miri atë kangë, ishin arrestu dhe dërguar në burgun e kalasë së Gjinokastrës. Epo, thash me veti, humbi dhe kanga jeme.
Pasi dola nga burgu, dola partizan. Në verën e vitit 1944, pasi pat mbaruar lufta për çlirimin e qytetit të Burrelit, ndërkohë që ne partianët po pushojshim në hijet e pyllit, në periferi të qytetit, dhe po këndonim, në një moment dëgjoj se po kandohej kanga “Dalngadal po vjen behari….”. E këndonte një grup partizanësh. Menjëherë brofa në kambë, duke thirrur gjithë gëzim: “Kanga jeme, kanga jeme!”, dhe nuk po mbahesha prej gëzimit që kanga jeme nuk kish humbun. Disa partizanë u befasun e u habitën nga thirrjet e mia, dhe më kapën e më çuan te komandanti i Brigadës Partizane, Shefqet Peçi, duke i thanë se ky partizani kërkon që të na përvetësoi kangën tonë partizane, të cilën kemi më se nj♪ vit që po e këndojmë, duke ia shpjegu se si kish ndodhur grindja e tyne me mua. Komandanti më uli dhe më pyeti se si ishte e vërteta, dhe pasi ia shpjegova në qetësi, thirri komandantin e batalionit, ku unë bëja pjesë, dhe i tha: “Të urdhnoj që partizani poet, Kolë Jakova, të mos lejohet ma me marrë pjesë drejtpërdrejti në luftime. Ky poet dhe muzikant është fat që e kena në brigadën tonë, prandaj kemi detyrë ta ruajmë. Ai duhet të jetoi që të na e ngrejë në piedestalin që i takon luftën tonë heroike”. E falnderova komandantin për “shpërblimin”, por edhe duke i shprehun pikëllimin tem ngaqë nuk më erdhi mirë që nuk do të mersha pjesë direkt në luftime. Urdhëni u zbatu, prandaj dhe jam gjallë e po bisedoj me ju skëndërbegasit sot, pasi luftë ishte…”, e përfundoi bisedën me ne, studentët e Shkollës së Mesme Ushtarake ”Skëndërbej”, shkrimtari dhe poeti i madh Kolë Jakova, në qershorin e vitit 1964.
Kjo këngë këndohej edhe nga luftëtarët e formacioneve të UÇK-së gjatë pushimeve të luftimeve, madje në një rast edhe është filmuar nga Nuri Bexheti, “Hoxha”, si dhe është shfaqur edhe në televizionin e TVSH, Tiranë, dhe nga RTK e Prishtinës.
Kënga e dytë
Kënga e dytë, ndodh përsëri në pranverë, por pas 56 pranverash, në pranverën e viti 1998. Historinë e saj po e marrim të plotë nga libri “Lëvizja”, botim i “Tringa Design” (Tetovë, MK), 2012, faqe 403-405, me autorë Bedri Islami dhe Ibrahim Kelmendi.
“Bedri Islami: Jemi ende në marsin dhe në prillin e vitit 1998. Le të merremi me një ngjarje tjetër, e cila, në dukje, ishte e parëndësishme, por në fakt u bë një gjë jetike, sidomos për të ardhmen. Si çdo ngjarje epike, edhe lufta e zhvilluar në Drenicë, do të kishte jehonën e saj, në mes të tjerave, edhe në këngë, të cilat, kur vijnë në kohën e duhur dhe me frymën e duhur janë, siç e thashë, jetike. Një herë, më duket se ka qenë fillim i vitit 1999, po rrinim në familjen Jashari, tek Baca Rifat, në Mynih dhe djemtë e shtëpisë e pyetën Arif Vladin, këngëtarin e njohur, për këngën e parë që doli menjëherë pas rënies së Ademit, Hamzës dhe të tjerëve.  Kënga është kënduar nga Arif Vladi, me tekst të Gjokë Becit dhe me muzikën e Edmond Zhulalit, në mos gaboj. Arifi, ndërsa fliste për këngën, përmendi edhe emrin tënd (të Ibrahim Kelmendit), si nismëtar i saj. Çfarë lidhje kishe ti Ibrahim me këtë këngë? Nuk të kam pyetur asnjëherë, tani, erdhi koha.
Ibrahim Kelmendi: Merita për këngën himn të UÇK-së u takon kryesisht Arif Vladit, Gjokë Becit dhe Edmond Zhulalit. Roli im qe rastësor dhe më vjen turp të tregoj si ka ndodhur. Dy-tre ditë para se të bëhej kënga, kisha bërë një ujdi me vëllanë e Aif Vladit (më vjen keq që nuk më kujtohet  emri). Më parë ai kishte qenë polic. Meqë pagat ishin të vogla, e kish lënë atë punë dhe punonte taksist, në Tiranë. Unë e angazhova atë për 50 dollarë në ditë, që të na shërbente, qoftë për të na bartur ne, qoftë për të transportuar ndonjë sasi urgjente të armëve, qoftë për të na gjetur njerëz dhe baza në krahinën prej nga vinte ai, (Peshkopi-Kukës). Në fund të ditës së parë dëgjova nga ai një slogan domethënës për kapitalizmin. Honorarin prej 50 dollarësh ia pagova siç ishim marrë vesh. Ai më kërkoi 57 dollarë. E kundërshtova për 7 dollarët më shumë. U arsyetua se duke na pritur gjatë ditës, në lokale kishte pirë kafe dhe kishte ngrënë sanduiç që i kishin kushtuar 7 dollarë. I thashë – paguaj nga 50 dollarët. Më tha: Zotëri, po të mos isha në shërbimin tuaj, kafe dhe bukë do të pija dhe do të haja në shtëpi, te gruaja ime dhe nuk do të paguaja 7 dollarë. Në kapitalizëm, vetëm mirëmëngjesi është pa lekë, të tjerat i ke me lekë. Më provokoi arsyetimi ndaj ia dhashë 7 dollarët..
Arifi duhet të jetë informuar nga i vëllai se ku mund të më gjente. Ai më njihte qysh në fillim të viteve të 90-ta. Erdhi dhe më tha se ishte koha për të bërë një këngë për UÇK-në. Kishte disa herë që më thoshte dhe prandaj po më bezdiste.Dikur reagova: “Shko, përse nuk e bën këngën!?” Më tha se duhen lekë për tekstin dhe kompozimin. E pyeta sa duheshin. Më tha 700-800 dollarë. Thënë të drejtën, nuk e parashikoja fare rëndësinë e këngës, por që ta hiqja qafe, nxora dhe i dhashë njëmijë dollarë. Menjëherë iku nga tavolina.  Të nesërmen erdhi dhe më tha: “Kënga është gati. Do ta dëgjosh?” “Aman, iu përgjërova, më le rehat tani! Nuk dua ta dëgjoj, pa le që nuk marr vesh nga muzika.”
Kaq ishte kontributi im rastësor për atë këngë…….. Sa për rëndësinë e këngës tejet motivuese: “Marshi i ÇK-së”, duhet ta vlerësojnë profesionistët. E falnderoj me këtë rast mikun tim Arif Vladin, që paska përmendur veprimin tim, ndërsa mjetet ishin të Fondit dhe duhen falnderuar donatorët.”

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...