Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/06/21

Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3 milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip.



Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3 milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip. Çfarë zbuluan dhe dokumentuan priftërinjtë arbëreshë Antonio Belushi dhe Jani Kapareli nga viti 1965 deri në 1995. Rrënjët arbërore që zgjaten deri në Athinë dhe represioni i autoriteteve greke në vite

DOKUMENTI / Recensioni i prof. Peter Priftit (1924-2010) mbi veprën “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Helladhë”*. Vepër e Papa Andon Bellushit, botuar me 1994
Faksimile e kopertinës së librit të Antonio Bellusci-it “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia (Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Greqisë – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Greqi)
Në ditët tona vëmendja e botës shqiptare është përqendruar me të drejtë në çështjen e madhe të Kosovës. Ajo përbën sot fushën më të madhe të luftës për liri nga një zgjedhë e rëndë, për pavarësi dhe për bashkimin eventual të të gjithë trojeve shqiptare. Shkurt, është çështja kyç që i jep formë dhe frymë çastit historik para të cilit gjendet sot bota shqiptare.
Megjithatë, shqiptarët një sy dhe një vesh e kanë patur gjithmonë në drejtim të shqiptarëve të Greqisë. Në një mënyrë ose tjetër, janë interesuar për fatin e vëllezërve dhe motrave çame, si edhe për gjendjen e shqiptarëve të vjetër, që u vendosën gati kudo në Greqi që në kohët e lashta të mesjetës.
Një nga këta shqiptarë është prifti i njohur arbëresh, Andon Bellushi (Papa Antonio Bellusci). Të parët e tij, ashtu si të parët e shumicës së arbëreshëve, emigruan nga Greqia që në kohën e Skënderbeut, në vitin 1434. U larguan që të mos binin në duart e shkelësve turq. U larguan me lot në sy që të ruanin mënyrën e jetës së tyre, gjuhën shqipe dhe çdo gjë të shtrenjtë, të trashëguar brez pas brezi nga gjyshët dhe stërgjyshët e tyre.
MALLI PËR MORENË
I nxitur nga një mall i papërshkrueshëm për vendin e prejardhjes, për Morenë e bukur, papa Bellushi udhëtoi në Greqi për të parën herë në vitin 1965. Ai udhëtoi atje jo vetëm si një “pilgrim” i përmalluar, por edhe si njeri i shkencës, si etnograf i pasionuar për të mbledhur folklorin e “arbërorëve”, sikundër quhen zakonisht shqiptarët e Greqisë. (Një tjetër emër për ta është “arvanitë”). Pas vizitës së parë, ai u kthye herë pas here në Greqi, për të vazhduar dhe rafinuar punën e nisur.
Ky libër: “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës”, është fryti i asaj pune të madhe. Në këtë vëllim Bellushi vë në dukje lidhjen e ngushtë që ekziston midis arbëreshëve dhe arbërorëve. Në një takim me arbërorët në Tebë më 1990, ai tha: “Ne flasim ashtu si flisni ju këtu… Kemi gjuhën tuaj, zemrën tuaj. Kemi ritin (fenë) tuaj. Kemi emrin tuaj.” (f.173) Kënga e Moresë, ka thënë Bellushi, “mbajti të gjallë në zemrat tona nostalgjinë për Morenë”. Këtë ndjenjë e ka shprehur bukur edhe peshkopi arbëresh Ercole Lupinacci me fjalët: “E kemi pasur gjithmonë këtë dëshirë të fortë, të njihemi me Dheun e gjyshëve, që i kujtojmë me mall në këngët tona popullore.” (f.101) Lidhja me shqiptarët e Greqisë duket në emrat e vendeve (toponimet) dhe fshatrave të arbëreshëve, në emrat e tyre personale, në shërbesat fetare, dhe, mbi të gjitha, në mënyrën e të folurit, në gjuhën e tyre të përditshme. Nga bisedat që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se shqiptarët e Greqisë dhe ata të Italisë nuk kanë aspak vështirësi për t’u marrë vesh, për të komunikuar me njëri-tjetrin, sepse të dyja palët flasin të njëjtin dialekt – një toskërishte të vjetër. (Është një dialekt ky që tingëllon disi arkaik në veshin e folësit të shqipes moderne). Të bëjnë përshtypje takimet dhe bisedat shumë të ngrohta që pati Bellushi me arbërorët. Ai u prit me plot përzemërsi dhe u nderua si vëlla sepse – siç u shpreh historiani arbëror, Aristidhis Kolljas – ai dhe arbërorët hodhën “urën midis Greqisë dhe Italisë që të gjejë vëllai vëllanë”. (f.92)
ARRITJET E PUNËS ME ARBËRORËT NË GREQI
Duke filluar nga viti 1965, autori i kësaj vepre “fotografoi” gjuhën dhe zakonet e arbërorëve me kujdesin dhe ndërgjegjen e shkencëtarit, duke i inçizuar me trak. Gjatë afro 30 vjetëve ai mblodhi një thesar të dhënash mbi historinë dhe folklorin e arbërorëve: përralla, legjenda, fjalë të urta, mallkime, këngë dhe bisedime – trashëgim kulturor ky i ruajtur shekuj me radhë. Regjistrimet e bisedave dhe këngëve përbëjnë material të pastër etnografik, sepse Bellushi i la njerëzit të flisnin dhe të këndonin shqipen që dinin. Pra, i mori ato dhe i botoi në këtë libër ashtu siç ia dëgjoi veshi, pa i korrigjuar, pa i ndryshuar.
Ja, disa nga rezultatet e punës së palodhur që bëri në Greqi. Sa shqiptarë ka në Greqi, nuk dihet saktësisht. Po një arbëror i shkolluar në Athinë i tha autorit se në Greqi ka 3 milionë “arvanitë”, veçse jo të gjithë flasin shqip. (f.59) Libri ka një listë të gjatë të krahinave dhe fshatrave ku banojnë arbërorët – 696 fshatra në nja 15 krahina. Në këtë listë gjen emra fshatrash si Qiuteza, Vithkuqi, Blushi, Matranga, Variboba, Dara, që dëshmojnë për lidhjet e tyre me fshatrat e Shqipërisë, si edhe me emra të njohur të arbëreshëve në Itali.
Bellushi u njoh mirë me kulturën e lashtë të arbërorëve. Besa e shqiptarit, thotë ai, rron në trojet e shqiptarëve të Greqisë. Ata krenohen me këtë kryevirtyt të racës shqiptare, të cilën e shprehin me frazën, “arvanit-besalith”. Ne “nuk themi fjalë në erë”, i tha një arvanit papa Bellushit. (f.135) Për të zbuluar botën e tyre të përditshme në mënyrë më të imtë, Bellushi i pyeti arbërorët për gjërat më të thjeshta. “Si e bëni bukën, djathin? Si i punoni vreshtat? Si i rrjepni dhitë? Si i ruani bagëtitë nga ujqit?” Pastaj pyet çfarë zogj kanë andej, si u thonë maleve që kanë afër, cilët janë katundet arbërore rreth e përqark? I pyet, gjithashtu, të recitojnë numrat (l,2,3…), ditët e javës dhe muajt e vitit. Përgjigjet që mori ishin pothuaj të njëjta nga një krahinë te tjetra, gjë që tregon se në thelb kultura e shqiptarëve në Greqi është e njëjtë kudo. Autori mblodhi me qindra këngë, shumica e të cilave bëjnë fjalë për dashurinë. Ja, disa radhë të shkëputura nga këto këngë:
Eja të të puth një herë,
Tani që kam pirë verë.
Prapa malit kam një pus,
Eja vashë të të puth.
Prapa malit kam shtëpinë,
Eja vashëzë të rrimë.
Libri hedh dritë edhe mbi figurat arbërore që i kanë bërë shërbime të çmuara popullit shqiptar në Greqi, burra si: I ndjeri Jorgo Marougas, redaktor i shquar i revistës “Dialogoi”, Aristidhis Koljas, autori i librit “Arvanites” (1983), veprës kryesore për njohjen e arbërorëve, Vangjelis Ljapis, folklorist, autor dhe avokat për mbrojtjen e të drejtave të arvanitëve; dr. Jorgo Haxhisotiriov, i njohur si mjek në Athinë, si shkencëtar dhe si mbledhës i folklorit arbëror. Ka edhe të tjerë.
GJENDJA E GJUHËS SHQIPE
Arbërorët janë krenarë për gjuhën e tyre. Një nga këngët që këndojnë në krahinën e Korintit thotë:
Kjo gjuhë arbërishte
Është gjuhë trimërishte.
E fliste Admiral Miaulli,
Boçari dhe gjithë Suli (f.327)
Nga intervistat e shumta që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se ata e duan gjuhën shqipe me zemër, dhe kënaqen kur flasin shqip. Prandaj kanë merak ta ruajnë dhe t’ua lënë trashëgim fëmijëve. Ky merak duket edhe në ndonjë këngë të tyre, si, p.sh. në radhët: “Arvanitete të këndomi/ Gluhenë të mos harromi”. Papa Bellushi pyeti herë pas here kudo që vajti: “Do të rrojë gjuha arbërore?” “Nuk e di,-iu përgjegj një burrë,-sepse është një gjuhë që nuk mësohet në shkollë dhe nuk shkruhet”. Dhe vërtet bisedat e Bellushit me arbërorët zbuluan një konflikt midis atyre që duan ta ruajnë gjuhën me çdo kusht, dhe atyre që preferojnë greqishten, sepse ajo shkruhet. Po në përgjithësi ata kanë besim në të ardhmen e gjuhës. Kanë po ato ndjenja që shfaqi një plak nga Korinthi kur tha: “Unë kam tri vasha me shkollë. Po kur më vinë këtu në shtëpi, flasin arbërisht. Greqishten nuk e flasim neve këtu”. (f.349)
Gjatë gjithë udhëtimeve që bëri në Greqi, meraku më i madh i papa Bellushit ishte për gjuhën shqipe, por edhe për kulturën e arbërorëve, dhe me të drejtë, sepse nga të gjitha anët ai dëgjoi ankime për grekët. Grekët nuk lejojnë hapjen e shkollave shqipe. Nuk i lejojnë shqiptarët as të këndojnë këngët e tyre. “S’kemi mundësi të shkruajmë gjuhën tonë,” thotë arbërori. “S’kemi botime, as fetare, as popullore, as letrare. S’na lejojnë… Jemi si një trup pa shpirt”. (f.426) “Këtu gjuha jonë flitet vetëm midis mureve të shtëpive. Ajo s’ka banesë as në liturgji, as në shkollë, as në shtyp, askund”. Kështu foli plaku 72- vjeçar Dhimitri Gonos në More. (f.419) Priftërinjtë i ndalojnë fëmijët arbërorë të flasin shqip, se “është e mallkuar”. Një burrë i tha Bellushit se kur ishte djalë i vogël në shkollë, mësuesi i rrihte nxënësit shqiptarë po të thonin ndonjë fjalë shqip, dhe i detyronte të shkruanin ato fjalë njëqind herë në dërrasën e zezë. (f.233)
Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet. Edhe emrat shqip të fshatrave të tyre nuk i durojnë, dhe i kanë ndryshuar e u kanë vënë emra greke. (Megjithatë, populli vazhdon të përdorë emrat e tyre të vjetër shqip). Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare. Përgjigjen shqiptarët: “Një e rremë e madhe! Në Korinth, në Beoci, në Atika, në Eube, në Argolidhë, në More, në Thebe arbërorët i gjen si milingonat nga të gjitha anët”. (f.426)
Arbërorët e dinë mirë rolin e shqiptarëve në Revolucionin për Pavarësinë e Greqisë. “Greqinë e kanë ngjallur arbërorët”, thonë ata me këmbëngulje. Por kjo e vërtetë historike nuk u bën përshtypje grekëve. Ata e mohojnë kombësinë shqiptare të herojve të revolucionit grek si Boçari, Miaulli, Xhavella, Kollokotroni, etj. duke thënë se ata ishin grekë që kishin mësuar të flisnin shqip!! Më e keqja është se ka edhe arbërorë që s’duan të thonë se janë shqiptarë. E mohojnë kombësinë e tyre dhe zemërohen po t’ua kujtosh.
UDHËTIM NË MORE MË 1970
Me interes të veçantë është udhëtimi që bëri Bellushi në More më 1970, i shoqëruar nga prifti arbëresh Jani Kaparelli. Përshkrimi i këtij udhëtimi përbën një dokument me vlerë të rrallë. Në hapësirën e gati 20 faqeve, (409-427), autori shkruan për mallin e pafund që kanë arbëreshët për Morenë, sepse, sikurse thotë ai, arbërorët e Moresë dhe arbëreshët “janë lidhur ngushtë nga historia, nga gjuha e nga besa… Jemi si mish e thua”. Ai bën fjalë për takimet e ngrohta bisedat e përzemërta, këngët që kënduan së bashku me shqiptarët e Moresë, të cilat mishëronin gëzimin e tyre të përbashkët, hidhërimin, vajtimin, besën, mundimet, dhe afërsitë shpirtërore që kanë njohur gjatë shekujve.
Pastaj shkruan për prelatin simpatik grek të Moresë, dhespot Stefanos i cili, ndryshe nga qëndrimi zyrtar i grekëve, i mirëpriti arbëreshët dhe tha me gojën e tij se, “këtu janë shumë katunde arbërore”. (f.415) Madje, ai lëshoi një kartë, të hartuar në formën e një “leje” për vizitorët, ku ai përmendte me emër fshatrat e Moresë që donin të vizitonin Bellushi dhe Kaperelli.
“Ky është i pari dokument grek”, thotë Bellushi, “ku shkruhet se në More gjenden edhe sot katunde arbërore!” Dhe si i tillë “ka një rëndësi historike të madhe”. (f.416)
VEPËR E DENJË SHKENCORE
Me botimin e këtij vëllimi, Andon Bellushi ka vënë në duar të lexuesve një vepër që ndriçon jo vetëm gjendjen e shqiptarëve të Greqisë, por edhe të arbëreshëve. Vepra e tij ka material të gjerë të mbledhur në terren, nga një kërkues i pasionuar “që ulet gju më gju analfabetët e të papërfillurit”, sikurse thotë prof. Gjovalin Shkurtaj i Universitetit të Tiranës, “duke regjistruar… gjithçka që ata mbajnë mend”. Prof. Shkurtaj e cilëson veprën si “një enciklopedi të tërë të jetës, shpirtit, kulturës, dokeve (traditave), zakoneve, dhe gjuhës që flitet edhe sot në komunitetet e moçme të shqiptarëve në Greqi”.
Në mënyrë shkencore autori vë në dukje botën e shqiptarëve që zbuloi në tokën e Greqisë, që do t’u vlejë dijetarëve dhe studentëve të historisë, gjuhësisë dhe folklorit. Njëkohësisht, duke iu përmbajtur kritereve shkencore që kërkonte puna e tij, ai paraqet edhe ndonjë të metë, dobësi apo konflikt që gjeti midis arbërorëve. Një nga gjërat që ia rritin vlerën librit dhe e bëjnë atë më interesant, janë fotografitë e shumta që ilustrojnë faqet e tekstit. Ato fiksojnë fytyrat e personave që takoi autori gjatë vizitave në Greqi; rrëfejnë, gjithashtu, edhe diçka nga jeta e tyre: veshjet, dhomat e shtëpive, kisha, monumente, peizazhe. Dy tipare të tjera të librit janë hartat, që tregojnë fshatrat arbërore me emër, dhe qindra e qindra shënime “notes” (në italisht), që e bëjnë tekstin më të qartë për lexuesin.
Me gjithë gjendjen e rëndë të arbërorëve që gjeti autori në Greqi, për shkak të shtypjes së gjuhës dhe kulturës së tyre, ai nuk u dekurajua, nuk u dorëzua. I mbrujtur me ndjenja të thella atdhedashurie dhe i nxitur nga një mall përvëlues historik (që buron nga thellësia e shekujve), papa Bellushi, më se fundi, del fitues si etnograf, si shërbëtor i urtë i Zotit dhe si burrë i Besës shqiptare. Ai e afirmon vetveten si optimist për të ardhmen e shqiptarëve të Greqisë. Shpirti i Arbërit rron, thotë Bellushi, “i freskët, i gjallë, i thjeshtë”. Rron në këngët arbërore rron dhe do të rrojë, se “ajo ka rrënjë të thella”, dhe “flitet nga të mëdhenjtë e nga të vegjlit”. (f.424)
* * *
Teksti i këtij libri është në dy gjuhë: shqip dhe italisht (me disa faqe edhe në greqisht). Pjesa më e madhe e lëndës është në gjuhën shqipe. Teksti italisht është, në të vërtetë, një përkthim disi i përmbledhur i tekstit shqip. Megjithatë, emri i autorit dhe titulli i librit në kapakun e veprës janë në gjuhën italishte, si pason:Antonio Bellusci, “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia.” Libri ka një hyrje nga Aristidhis Kolljas, kryetar i Shoqatës Kulturore Arbërore “Mark Boçari” në Athinë, dhe një parathënie nga prof. Gjovalin Shkurtaj i Universitetit të Tiranës. U botua nga Qendra për Kërkime Socio-Kulturore “G.Castriota, Cosenza, Itali, 1994, 500 faqe.
*Shënim: Citatet nga bisedat dhe këngët e abërorëve janë shkruar gati të gjitha në shqipen e njësuar letrare, për ta bërë më të lehtë leximin e tyre. – P.R.P.
San Diego, California
Shkurt, 1996
Peter R. Prifti 
Peter Prifti (1924-2010) lindi në Rehovë (Kolonjë) më 1924. Pasi kreu shkollën fillore në fshat dhe Plotoren në Ersekë, emigroi në Amerikë më 1940. Peter Prifti mbaroi shkollën e mesme, pastaj u diplomua për art e letërsi në Penn State College. Vazhdoi studimet në University of Pennsylvania ku fitoi gradën shkencore “Master of Art Degree in Philosophy” (1955). Punoi redaktor në gazetën “Dielli” dhe sekretar i “Vatrës” (1958-1960), përvojë e cila e ndihmoi të njihte nga afër Fan Nolin dhe komunitetin shqiptar. Për 15 vjet ishte konsulent për çështjet shqiptare në M.I.T. (Massachusets Institut of Technology) qendër e shquar e studimeve ndërkombëtare. Më 1976 University of California, Dega e Linguistikës e mori si pedagog sapo hapi katedrën e Gjuhës Shqipe. Jetonte në San Diego, Kaliforni. Është autor i librave “Socialist Albania since 1944”; “Remote Albania – The politics of isolation”; “Confrontation in Kosova, The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999”; “Land of Albanians: A crossroads of Pain and Pride”; “Mozaik Shqiptar”; “Unfinished Portrait of a Country”.
Aristidh Kola
Aristidh Kola (1944-2000) është jurist, studiues, publicist, shkrimtar, veprimtar i guximshëm për çështjen kombëtare, kryetar i shoqatës së arvanitasve të Greqisë “Marko Boçari”. Mbante lidhje dhe bashkëpunoi me personalitetet e diasporës në Amerikë e Turqi, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, arbëreshët e Italisë dhe Korsikës. Është autor i veprave “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Gjuha e perëndive”, “Deklarata e Bashkimit Arvanitas”, “Fjalori korregjues i fjalëve arvanite”, “Fjalori krahasues i gjuhës shqipe”, “Greqia në kurthin e serbëve të Milosheviçit”, “Kënga e mercenarëve, prejardhja e grekëve”, “Mithi dhe e vërteta”, “Varrimi i tretë i Marko Boçarit”, etj. Nxorri revistat “Besa” dhe “Arvanon”. Në vitin 1999 përkrahu në mediet greke bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe UÇK-në. Është hedhur në gjyq dhe kërcënuar me vdekje nga qarqet ultranacionaliste greke. Dekoruar nga ish-Presidentët e Shqipërisë Sali Berisha dhe Rexhep Meidani, si dhe nga kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Është “Qytetar nderi i Skënderajt”.
Andon Bellushi (Antonio Bellusci)
Prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindur në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës, (Itali). Diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”. Ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”. Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi. Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Është nderuar nga Qeveria Italiane, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës, etj.
Marrë nga Investigim

Faik Konica: Shqipëtarët s’e duan shumë punën

Këto ditë një mik na shkruante për një këmbim fjalësh që kish bërë me një Shqiptar. -A do të të mësoj shqipen? Jo, or zot, ç’më duhen mua ato? -Po shqipja është gjuha tënde, duhet të dish ta shkruash. -Unë s’përzihem me të tilla punëra. Fund, e shoh që s’do. Po thuamë psenë e vërtetë të kësaj mosdashjeje. – Do të vërtetën? Nuk del ulefeja me shqipen.
S’del ulefeja…! aty është gjithë puna. Po të dilte ulefeja të gjithë ata shqiptarë që sot mohojnë gjuhën e tyre do ta gjenin të mirë, të bukur të shijshme…
Ç’është kjo e Shqipëtarëve që, përveç ulefesë s’duan gjësendi? Besoj se është përtimi. Shqipëtarët s’e duan shumë punën, që nga bujqësia gjer në tregëti të madhe ghithë mjeshtëritë duan, pak a shumë, punë dhe mundime. Po për kundre, a gjen më lehtë se të jetë njeriu “dragat” “memur” “zaptie” a “pasha”?
Është e vërtetë që tregëtia në Shqipëri s’bëhet dot, përveç në qytetet afër detit. Ngarko për tregtim ca barrë nga ato “peshqt” e verës aq të shijshme të Ohrit për t’i shpënë jashtë. Ca kuaj a mushka, duke shkuar anës pronave, nëpër rripa e thika, të ngushta e të rrezikshme, do të bien e do të mbeten në vent, më tutje, ndofta do të dalin kusarët, të të marrin ç’ke e në mbettë nonjë barrë, do t’a arrihne qëllimin pas shtat a tetë vjet e peshqtë do të jenë pak të prishur.
Prandaj rroftë “ulefeja”.
Me bie në ment një e pashfaqur (anektode) që rrëfen mirë dëshirën e Shqipëtarit për ulefenë.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë njoha në Shqipëri një fshatarak i cili dëshironte të bëhej kolhghi. Kish një arë e një vreshtë, por s’i punonte e s’kish bukë. Vente hante nëpër konakët, duke pritur ulefenë.
Dhjetë vjet pastaj e poqa përsëri, e ngaqë më ka pasur gjithmotin enda të kuvendoj me fshtarakët, e pyeta si vente. S’mbaja dot të qeshurën kur më tha që priste ulefenë. Dhjet vjet kish pritur edhe s’qe lodhur.
Me gjith këtë, le të mos harrojmë që Shqipëtari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se kanali i Korinthit, në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u-rrëmih më shumë prej punëtorësh shqipëtarë. Punonin, ata djelmt e shëndoshë të Shqipërisë, punonin e duke i parë, m’u mbush zembëra me shpresë për fatin e Shqipërisë, se ne komb përtimtar, është komb i ngordhur. Nga të gjith anët e Shqipërisë, gjer nga Prizreni, kishin vajtur të punojnë.
Njoha atje një Gegë, i cili, në pak kohë, kish mësuar të kuvendonte greqishten. Edhe e kuvendonte aqë të shtrembur e të shijshme, sa kurrë në jetë t’ime s’kam qeshur aq, -e u ndamë si miq të vjetër.

Faik Konica: Mos përdorni fjalë të turqishtes


Shqipëtarët qi kanë mendjen të lëruar duhet të kenë turp të përdorojnë fjalë të huaja duke folur shqip. “Evet efendem, bahusurs do te vin. Andan-sonra, ghezdisa ne bayce, lok or byrazer, s’ta kam taktin”. Të tilla mënyra folje janë shumë të poshtra. Do të flasësh turqisht? Fol turqisht.
Po kur më flet shqip, lëshoje më n’janë turqishten, mos fol si ato robeshat arapka që sillnin qëmoti pashallarët në Shqipëri.
Përveç fjalëve si ihtimal, velaqin, omos, malista, dunque, që është punë fare e shtrembër t’i fusim në shqipen, ka shumë fjalë turqisht, greqisht ettj. që disa shkronjëtorë shqipëtarë i përdorojnë pa ditur se janë fjalë të huaja.
Sot, po shpallim një mbledhje fjalësh turqisht që duhet të qërohen nga gjuha t’onë.
Mos thoni eglendisem (po thoni: përgëzohem); mos thoni ortak (po thoni: shok); baft (fat); bashte a bagshe (kopshta); hyzmet (shërbim); ihaf (fjalë); sevda (dashuri); sëkëlldisem (mërzitem); inatosem (zemërohem, mërzitem); gjezdis (bares); ghene (prapë, përsëri, rishtazi); ashçi (gjellëtar); terezi (qepetuar); hasm a dushman (armik); dynia (botë); muhabet (kuvend); Allahu (Perëndia, Hyji); fukara (vobek); behar (verë); sokak (rrugë); heqim (mëkat); fiqir (mend); penghere (dritore); kasaba (qytet); jeshil (i, e gjelbër); jetim (i vorfën); javash (ngadalë); ihtiza (nevojë); hise (pjesë); hazer (gati); ferk (ndryshim); skat (shegur); adet (zakon); sebep (shkak); zabit (fiqal).
“Shën Elia”
Katër vjet më parë, u poqa në Manastir me një Shqipëtar që e kish emrin Isa agë, dhe i cili më rrëfeu një ngjarje mjaft për të qeshur, e mjaft për të vënë re, se dëften sheshit mendjen e Bullgarëve.
Isa aga udhëtonte në disa fshatra afër Perlepit. Në një fshat, emri mjerisht s’më kujtohet, vendësit ishin të gjithë Bullgarë; e për këtë shkak e për ca të tjerë, kishin një armiqësi për vdekje për Isa agën. Një ditë, Isa aga hyri në kishë para se të mblidhej bota e vate e u-fsheh nën altar, me një shkop të mirë në dorë.
Vjen ora e meshës, e, kur nisi të meshone prifti, Isa aga zu e po trokiste. Ç’është kjo trokitje? thosh prifti duke vështruar rreth e rrotull, kur dëgjon një zë: Unë Shën-Elia jam! Të gjithë Bullgarët ishin të habitur. Shën Elia pasoi duke thënë: Prej cilit kini vuajtur edhe qaheni? Vuajmë shumë, tha prifti në emër të popullit, prej Isa agës. Po pse s’veni t’a vrisni?
Paguajtëm dy a tre njerëz, por asnjë s’e vrau dot. S’duhet të humbisni shpresë; unë Shën-Elia kam për tju ndihmuar. Cili midis jush do të marrë barrën e kësaj pune? Unë, dhe unë, dhe unë! thanë disa fedakë Bullgarë.
Atëherë, altari u tund, e, atë hop, Shën Elia u shfaq me fytyrën e Isa agës. Katër shokë ishin gati në prag të kishës; hyjnë, mbyllin mirë dyert, edhe shkopinjtë zunë të kërcejnë mbi kurrizët e mbi krerët e Bullgarëve; gjaku rrodhi dendur, edhe prifti mësoi se Shën Elia s’ish ndihmëtar për Bullgarët.
Q’atë ditë, Isa aga u-bë i njohur në gjithë viset e Prilepit me emrin “Shën Elia”.

Faik Konica: S’jemi të zotërit të heqim mësime nga vojtjet e botës


Duké parë dhé duké dëgjhuar, bota mësojnë ment dhé ndërtohén. Ne Shqipëtarët s’marim dot mësimé; malét të tundén dhé të rrëkëléhén, né nuk këmbéjmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po u thom: në ňjëqint vjét, në vafshin si vémi, do të jémi aqë poshtë sa dhé sot.

Gréqia u-rrëkëllyé dhé u-shua për jétë: ne, né vent që të marrim mësimé, dhé duké kërkuar shkakét é rrëkëllimit të Gréqisë, të hapim sytë mos na ngjase dhé né një shojtjé é përjetshme, bëjmë ato që humbën grekun.
Shqipëria është një vent i mjérë dhé i érrët, pa bukë, pa gjuhë, pa qytétari, pa njérëz të shquar, pa njérëz që njohin të mirën dhé përpiqén t’a arrijnë. O është detyra é atyré të pakëvé Shqipëtarë që kanë në kokë ca fara, dhé në zembërë një cikë dashuri për mëmëdhénë? Detyra é tyré është të përpiqen të këndohét dhé të shkruhét gjuha shqip, të hapén ca shkolla, të shëndoshét dhé të rritét mendimi kombiar, të çahén dhé udhëra të mira édhé të shumta nëpër tërë Shqipëri që të ngjallét trégëtia dhe bujqësia të cilat janë të ngordhura në dhé tonë. Po këto punëra s’bëhén pa vojtjé; duhet, për ti mbaruar, ňjë durim, ňjë mjeshtri qe ‘mëmëdhetarët é vërtétë’ s’janë të zotërit t’i kénë. Andaj, ç’bëjnë? Bëjnë ňjë punë shumë më të léhtë: politikë.
Të lëshojë Turqinë ňjériu dhe të dalë jashtë kufisë, të shkruajë ditë për ditë mémoranda, të këndoňjë gazétat, të lëvdoňjë Shqipërinë përpara të huajvé, é të tjéra, janë lodra për të cilat s’duhét as dituri é madhé as mundim i shumë.
Pa të përpiqét ňjériu të ngulë nat’é ditë, mé ç’do mënyrë, mendimin kombiar në tru të Shqipëtarëvé ndofta është ca m’é rëndë.
Të vésh t’u thuash ‘mëmëdhetarévé të vërtétë’ éjani të punojmë për gjuhën shqip dhé për mendimin kombiar, do të lodhésh kot: Ata s’duan mundimé, po lodra, duan si Grékërit të vénë nëpër kaféra, dhe, me fjalë për të qéshur, të këmbejnë kartën e Ballkanikut.
Ashtu bënin Grékërit, andaj u-shuan. Po, sič é thamë, s’jemi të zotërit të héqim mësimé nga vojtjet é botës. Në vent që të vémi të rrëmihim kopshten dhé të mbjéllim, na është me udob të bëjmë gati shportat për të mblédhur pémë që s’kanë zen’ as rrëëňjë. Atyrévé cilëvé u pëlqén, le t’i vénë politikës pas; kémi shprésë që do të bëjnë punëra të mbëdha. Po Shqipëtarët e riňj, në shpirt të cilëvé zjen dashuria é mëmëdhéut, ditë për ditë po mblidhén rréth é rrotull flamurit tonë, dhé lëftojnë né atë luftën é mirë dhé pa gjak nga é cila do të dalë i fortë dhé i math Kombi Shqipëtar.

Faik Konica: Kokëtrashë shqipëtar!

Dhjetë vjet e ca më parë, ishim, në një të madhe shkollë mbretërore të Stambollit nja tridhjetë djelm shqipëtarë, Shqipëtarë nga të gjitha anët e nga të gjitha fetë, midis të cilëve ndodheshin, e mban mend, Ndon Vasa, i nipi i Pashko Vasë pashës, dhe Murat beg Toptani.
Të paktën kohë që ndenja në atë shkollë e shkova si në burg. Kur vajta të parën ditë edhe dola në oborr me të tjerët, më rrethuan disa Grekë e disa turq, e si muarnë vesh që isha Shqipëtar, u përdanë më të katër anët e oborreve duke britur, Grekët: akoma enas kokas! Turqit: faha bir kafalhe Arnaut! Me këtë mënyrë, zunë të githë e po talleshin me mua, si me tërë Shqipëtarët e ardhur së riu, më binin më qafë nat’ e ditë, e, kudo që vija, dëgjoja prapa meje: “Kokas” a “kalhen kafalhe Arnaut (do me thënë: kokëtrashë shqipëtar!)




Në mësim, puna s’ndryshonte shumë, kishim për arabishten një mësonjës anadollak nga Kutahaja, i cili tërbohej posa lëviste pakë një Shqipëtar. Shumë herë, me thosh: eju, kalhun kafalhu pis Arnaut, zira Ualhah-Billah ashanunu jakarum! (hajt, rri urtë, i ndyrë kokëtrashë Shqipëtar, se për Perëndi t’a përvëloj zembrën!
Këto të shara me të cilat na ndiqnin nat’ e dit’ s’do thënë që s’ishin për ne si njerëz, po për ne si Shqipëtarë! Se djelmt e shqipërisë sado që rriteshin mes të armëve, kuptojnë shpejt e mirë-në atë shkollë si në shumë të tjera të Mbretërisë-dëfteheshin afro të gjithë të parët në punët e mendjes.  Prandaj osmanllitë ashit si dhe grekërit talleshin me ne për vetëm një gjë: ishim shqipëtarë. Na shanin pra për atë gjë më të ëmbël në zembërën tonë, për vendin ku u lindmë e ku kemi tanët, për Shqipërinë.
Na kishin ndarë në tre oborre, e me këtë mënyrë në çdo oborr ndodheshim më pakë se dhjetë Shqipëtarë tok. Një ditë, një Kolonjar i rreptë, na thotë se këto të shara duhet të marrin fund; e, nga që ishim të rinj e shpejt ndizeshim, u muarmë vesh për të zënë një udhë. Natën, kur binte daullja për të thirrur djelmtë  në darkë, pritmë se kaperxeu prakun mjeshtri, pastaj kyçmë derën, shuajtëm dritat, u radhuam më n’janë gjashtë Shqipëtare që ishim n’atë vent, e zumë luftën. Ç’gjenin nën dorë e hidhnim kundra armiqve, bibla (libra) të trasha, kallamare, frone. Bënim hov, e rrëmbyem një djalë (u -ndoth Grek), që t’a vërtitnim nga dritoria, kur u hap porta nuk e di se si, edhe hyjti kryemjeshtri i shkollës me n’ja dy të tjerë. Si u ndesnë dritat, pamë që po rridhnin gjakra…
Nga që s’u provua mirë se ne e kishim nisur, puna s’na u ngarkua, po sidomos na ndaluan tre a katër javë të dalim. Që atë ditë, Turq e Grekër na lëshuan më të qettë.
Kujtime të larkta!.

Faik Konica: Ndryshimi i feve dhe shqipëtarët






Gjuha

Fjalët turqisht që shpallmë tjatrën herë janë më të përdorurat. Po ka, mjerisht, edhe shumë të tjera. Japim këtu një tjatër mbledhje:
Mos thoni mutlhak (po thoni: do-e-mos, pa ndyshim); mos thoni siklet (por thoni shtrëngicë); alhaversen (dhëntë Perëndia, dashtë Zoti, etj.); sabah (mëngjes); aksham (mbrëma); karpus (shalqinë); bereqaversen (Perëndia të dhëntë); inshallah (Zoti e bëftë); ghye (turp, mundim); dava (gjyq); hajvan (kafshë); terbije (shtrim); çurek (bukë); hala (ende, edhe); tudshar, reshper (tregetar, kumerkar, shitetar); saraf (kembimtar); bardak (kupe); çunqe, madam, (me qenë që, me gjithë që); dizge (rreze); malli (gjë); mulq (tokë); tavan (plafe); shishe (bucelë); hasha (mohim); bën hasha (mohon); dxhenet (parajsë) dxhenhem (ferr, skëterrë); sokak (rrugë); mejdan (shesh); bën vaki (godit); vakt (kohë); selam (të fala); direk (shtyllë); taban (tra); surrat (fytyrë); made, mesele (çështje); hava (klimë); teptil (përkthim); qefil (dorëzënës); ejvalha (falem nderës): paçe (këmbë kafshësh).

Kombësia

Është e thënë prej shumëve, edhe do të thohet se një nga shkaket më të rënda që ndajnë edhe lëshojnë prapa Shqipëtarët është ndryshimi i feve. Autori i librit gegënisht ‘T’ndodhunat e Shqypnis’ rrëfen, në një copë që do t’a nxjerrim herën e ardhur, qysh qindëra mij Shqipëtarë u-bënë muhamedanë në kohë të ardhjes s’Turqve në dhe tonë.
Në Malësi të Dibrës puna ka ngjarë ndryshe, si e kini për të parë e si na e ka rrëfyer një trimosh dibran.
Osmanllitë, kur hyjtin në Dibër, thirrnë të parët e Malësorëve e u bëjtin një pyetje: Kur ka, thanë, një baba, dy djelm, cilin do më shumë, më të vogëlin a më të madhin? Më të voglin, u -përgjigjnë te padjallëzuarit Malësorë.
Mirë, thanë përsëri Osmanllitë, po me që Perëndia e ka Muhamedin djalë më të vogël, e do më shumë se Krishtin. U muntmë, u-përgjigjnë aherë budallenjtë tanë, e po si berra u-bënë muhamedanë.

Shkenca

Këndojmë te e përkohëshmia shkenctare “Cosmos” se ca kafshë nukë pinë as një pikë ujë në tërë jetën e tyre: Këto kafshë janë lamat e Patagonise edhe gazelet e Lindesit.
Në “kopshte kafshëtore” të Londonit, ku kanë mbledhur nga gjithë shpesat e egërsirat e dheut, një papagall rrojti 52 vjet pa pirë një pikëzë ujë. Shumë shkencëtarë besojnë se ljepurat nukë pinë tjatër gjë përvec vesen e paktë që ndodhet mbi barërat.
Një Amerikan, i quajtur John Bargeman shkruan se gjeti në malet e Meksikut-Ri qen t’egër e të tmerruar.
Këta qen janë ngjyrë hiri, me leshëra të gjata, peshojnë 50 kilo (40 okë) edhe kur derdhen mbi një kope, çajnë kafshët shtëpiake me qindra.

Sadik Përvetica :Gjethet e kujtimeve

Sadik Përvetica u lind më 1949 në fshatin Breznicë, rrethi i Prishtinës. Disa vjet punoi si mësues në vendlindje, kurse pas kryerjes së studimeve në Universitetin e Prishtinës, punoi si profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në një shkollë të mesme, për të vazhduar punën, më vonë, edhe si gazetar, lektor e redaktor në Radio-Prishtinë si dhe në disa gazeta e revista të kohës. Është fitues i disa çmimeve letrare për tregime e pjesë teatrale nëpër konkurset letrare në Kosovë dhe në Maqedoni. 


Shkruan prozë, poezi, drama, vështrime letrare dhe ese. Jeton dhe krijon në Prishtinë. Bibliografi letrare: Kah e shkel këmba e pulës (Tregime humoristike për fëmijë), 1995, 2012, 


Njohje (Tregime për të rritur), 1996, Gëzim dhe lumturi (Pjesë teatrale për fëmijë), 2000, 2012, Shikimi në kornizë (Roman për fëmijë) 2002, 2009, Diell dhe ylber në zemra (Tregime të zgjedhura për fëmijë), 2002, 2004, E kujt është dhia (Humor satira e kozeri për të rritur), 2004, Piramidale (Poezi për të rritur), 2009, Troja (Tregime për të rritur), 2010, Fjalshkurta të moshës (të sitës e të shoshës), 2010, Kur Kashta e ha Vaktin (Poezi satirike haiku), 2010, Nëpër furtunë (Dramë), 2012, Gjethet e kujtimeve (poezi për të rritur, shqip-rumanisht, Prishtinë-Bukuresht, 2012). Vepra të tjera në dorëshkrim:  Tregime për fëmijë, Tregime për të rritur, ese, vështrime, kritika letrare, dromca humoristike shkruar pas luftës për emisionet e Radio Kosovës.






(Sadik Përvetica, Gjethet e kujtimeve/ Frunzele amintirilor, Amanda Edit. Bukuresht 2012)
Në këtë konstekst vlerash të mirëfillta mund të vërehet se shpeshherë del në pah motivi i kujtimit, si dhe ai i lirisë, të trajtuara veçmas apo së bashku, të cilin autori e interpreton nëpërmjet zërave të ndryshëm. Fjala e tij frymëzuese, vazhdimisht ndryshon diçka, kurse lexuesi nuk mund të ankohet për monotoni. Ja Imazhi i lirisë: “Shtëpinë ma dogji robëria/ E robërinë ma hoqi nga qafa/ Guximit i trimave/…/ Dhe një ditë kur liria erdhi/ Trimat u bënë përmendore”./B.Y/



Nuk ka gjë më të shtrenjtë në këtë botë se sa ta duash atdheun, prindërit, fëmijët dhe librat. Janë katër sintagma që simbolizojnë shenjtërinë dhe përjetësinë. Shpirti i të shenjtërve nuk fluturon me aeroplan, nuk zbavitet në shtëpi publike, por mbetet këtu, përreth nesh, për të veneruar ekzistencën tonë. Në kuadrin e bibliotekës „Poezi shqipe nga Kosova“, këto ditë, në Bukuresht e pa dritën e botimit libri i Sadik Përveticës, „Gjethet e kujtimeve“, duke patur për autor të parathënies, poeteshën dhe eseisten e shquar rumune, Monika Mureshan, autore e librit „Kosova letrare“. Fjala është për miq dhe dashamirë, për rezultate konkrete, e jo vetëm për fjalë. Fjalët e disa kungujve të pandjeshmërisë që ende s’e kanë kuptuar misionin e shenjtë të afirmimit të Kosovës në gjuhë të huaja, i merr era. Libri i Sadikut është i strukturuar në dy kapituj, Trilogji Dardane dhe Vargje për lirinë, me subjekte mbi stinët e jetës, dëshmorët e atdheut, nuset e sakrificës,  vitin e qenit, logjikën e pushtuesit, ditën e dhunumit të Kosovës, kriminelë dhe pelegrinë, ngjyrat e atdheut etj.
         Sipas autorit të parathënies, „metafora e titullit të këtij vëllimi bilingv, përkthimin besnik të të cilit nga shqipja në gjuhën rumune e kuptojmë si një seleksion vlerash të mirëfillta antologjike, regjistron që në fillim një atmosferë të zotëruar nga një poezi vlerash meditative/refleksive, nga e cila degëzohen disa tekste që transponojnë poematikisht gjendje revoltash sociale, probleme të historisë dhe politikës, por edhe momente dashurie apo të meditimit filozofik. Nën ombrellën e këtij titulli sugjestiv me tekste periudhash të ndryshme,  zëri lirik i Sadik Përveticës herë pas herë ngjitet me një ton të rëndë e të ashpër, pa imituar zërat e tjerë, duke qenë herë udhërrëfyes, herë evokues, herë retorik apo përdëllimtar, herë i përgjëruar apo protestues. Poeti kështusoj josh kureshtjen e lexuesit duke parashtruar pyetje dhe duke përshkruar situata nga jeta e tij, nga ajo e komunitetit të cilit i përket, por edhe e kombit të tij, apo, duke krijuar kështu një karakter të pjekur, të përgjithshëm dhe universal.
          Pozicionimi i tij në tekst është i nevojshëm nga ky pikëshikim, autori duke qenë një iniciator që trason dhe propozon një temë për diskutim, poezia duke depërtuar kështusoj në një kornizë vlerash atraktive dhe interesante, ndërsa autori del para nesh një rrëfimtar që ndjen nevojën për të krijuar autoportretin, konfesiv, do të thoshim, nëse kjo thënie ndërlidhet me theksin për të nënvizuar diçka në mënyrë speciale: “Jam shumë i vjetër/ Në vuajtje/ Në dhembje// I ri në dashuri/ Në fjalë/ Pa halë” (Bukë e lot). Sadik Përvetica krijon në këtë mënyrë një poezi konfesive me një gjysmë zëri të përshkuar nga përmallimi e dhembja, dhe me gjysmën tjetër të zërit, autoironik, thuajse kemi para nesh një misionar që e ndjen nevojën e pashmangshme dhe permanente, jo vetëm për analizë të një mekanizmi shoqëror që tallet me fatin e njeriut, por edhe për korrigjimin e tij.
          Ndërkaq në Stinët e jetës zëri i tij kaplon një tingull të ashpër e të rëndë: “Pa fëmijëri më kaloi jeta”, peshë të cilën e ruan edhe në konfesionin e “Honeve të jetës”, ku “zvarritem/ Përvajshëm e përgazshëm” (Pa titull). Autouroni gjejmë edhe në poemën Paradoks: “E nuk di të qash më parë/ Apo të qeshësh me ironi// Vallë/  Qenka e vërtetë kur thonë/ Se jeta nuk paska teori?”. Sipas këtij patosi, poeti na fanitet si një udhërrëfyes edhe në vjershën Ndërmjet njerëzve, ndërsa te Nëna Tereze, evokon një nga figurat më të shquara të historisë shqiptare dhe të asaj botërore. Në poezinë Liria, Sadik Përvetica kaplon përmasat meditimit filozofik: “Liria  gjithmonë vjen/ Me rroba të shkyera e të përgjakura/ Përgjatë qiellit dhe dheut/ Dhe me gjakun e vet/ Ia shuan etjen Atdheut“. Pa liri njeriu është një qenje pa erë, thekson Monika Mureshani në reçensionin e saj dhe vazhdon:
        Në këtë konstekst vlerash të mirëfillta mund të vërehet se shpeshherë del në pah motivi i kujtimit (me të cilin e lidh harresa), si dhe ai i lirisë, të trajtuara veçmas apo së bashku, të cilin autori e interpreton nëpërmjet zërave të ndryshëm. Fjala e tij frymëzuese, vazhdimisht ndryshon diçka, kurse lexuesi nuk mund të ankohet për monotoni. Ja Imazhi i lirisë: “Shtëpinë ma dogji robëria/ E robërinë ma hoqi nga qafa/ Guximit i trimave/…/ Dhe një ditë kur liria erdhi/ Trimat u bënë përmendore”. Në vazhdim intervenon një ndryshim nyancash, kur “Lirinë tonë e përfshinë mjegullat” dhe “Humnerën e demokracisë së rreme”. Në këtë kontekst, pikërisht në çastin kur nuk e pret, teksti të josh nëpërmjet befasisë.
         Një tjetër formulë ekspresive gjen për lirinë duke e krahasuar atë me një Nuse të sakrificës, krushqit e së cilës janë “derdhur në bronz”. Një ironi e ëmbël dhe e hidhur i përshkon tekstet me fakturë sociale. Ja një pasazh i rëndësishëm që reflektohet në Trilogjinë dardane: “Nën harkun e hardhisë hardhucat hëngrën hakun e huaj/ Bujqit doktorë shkencash të trandur nga gjumi/ Përmbysën traktorët e filluan të lavronin më buaj/ Mesjeta ringjallej kthehej e hynte thellë në ardhmëri”. Me pak fjalë, poeti sintetizon situatën e krizës ekonomike, më shumë seç mund ta bëjnë disa analistë politikë në një serë edicionesh televizive… Të njëjtin ton, ndoshta disi më retorik, e gjejmë te Heronjtë e atdheut: “Mishin kurban/ E eshtrat/ Lapidarë/…/ Prandaj ju jeni ngritur/ Sot e nesër skalitur/ Në përmendore// Sado që mes përmendoreve e sakrificave/ Disa nga këta të gjallët/ Tani po derdhin pleh korrupcioni”
          I brengosur nga situata ekonomike, autori ngre çështjen e të ashtuquajturit implementim i iniciativës së lirë në demokraci, që funksionon prapsht, në kohën kur fshatarët i braktisin traktorët dhe kthehen në transhumancën e kafshëve. Në të tjera tekste, autori di ta sulmojë burrëirsht politikën e një gangsterllëku të aplikuar nga pushtuesit: “Për vete shumëzon/ Për mua pjesëton” (Logjika e pushtuesit). Me gjithë rrezikun për të abuzuar me citate, nuk mund të anashkalojmë as vargjet që vijojnë, nga kategoria tematike e bashkëvëllezërve letrarë dhe të krijimtarisë në përgjithësi, ku riballafaqohemi me të njëjtin subjekt të papritur të idesë fillestare: “Krijuesit letrarë hodhën farë/Erdhën muza me topuza” (Viti i qenit). Apo: “Mes njerëzve artistëve/ Sillu si njeri/ Ndryshe ata qeshin me ty” (Mes njerëzve).
          Por të gjitha këto citate duket se krijojnë një autonomi të nxjerrë nga tekst/konteksti, dhe kështusoj transformohen në përfytyrime të qëndrueshme të një origjinaliteti indipendent. Efekti dhe efiçienca e tyre nuk bie, por përkundrazi, vargu shndërrohet në definicion, meditim dhe sentencë – ja pra dashuria: “Të gjitha muret e zemrës sime/ Janë të ilustruara/ Me foton dhe emrin tënd/ Kosovë” (Atje ku duhet të jemi). Ja edhe besimi: “Përditë i lutem Zotit… “Përditë i lutem Zotit/ Që të mos më lerë të gaboj/ Më shumë se shtatë herë në ditë//…//Mu për këtë, mbase, shumëkush/ Biografinë e vet shpeshherë e çon/ Në Pastrim Kimik, por./ A e lanë?!” Dhe ja lumturia! Poeti vdes dhe ngjallet duke e ruajtur në kujtesë lumturinë.
Zë i shquar në korin e zërave të poetëve shqiptarë, modern përmes prerjes së vargut dhe klasik përmes mesazhit, atraktiv dhe impresionues, poezia e Sadik Përveticës është si shiu i shkurtër i verës, freskues dhe i gjallë, në kohën kur drita e ditës i shpërndan retë duke i dëbuar. Dhe përnjëherë, papritmas, horizonti terratiset dhe vjen furtuna. E një atmosfere të këtillë, duket klima ndryshuese dhe temperamentale, e ngrohtë dhe e ftohtë, e dhembshme dhe melankolike, në krijimtarinë e tij. Ajo që mbetet e pandryshueshme është erëtima e tij njerëzore dhe mirëseardhja e tij në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet. (Monica Mureşan)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...