2012-08-07
LUFTA AFATGJATË E SHËRBIMEVE SEKRETE SERBE PËR DEKOMPOZIMIN E TROJEVE SHQIPTARE PËRMES RRJETEVE AGJENTURORE DHE KOMBINIMIT TË LUFTËS SË FTOHTË ME TIPET E LUFTËS SPECIALE DHE ASAJ MEDIALE
Veprimet e shërbimeve sekrete serbe për dekompozimin e trojeve shqiptare përmes rrjeteve agjenturore dhe koordinimit të luftës së ftohtë me tipet e luftës speciale dhe të asaj mediale janë vërejtur edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, përmes të cilave është përçarë populli ynë dhe ka kaluar në një luftë të haptë me përmasa vëllavrasëse. Faktikisht, fillet e këtyre përpjekjeve të agjenturave serbe datojnë edhe më herët, por në këtë rast ne do t’i trajtojmë veçanërisht që nga formimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, dështimi i Konferencës së Mukjes e Konferencës së Bujanit dhe luftën që kanë zhvilluar qarqet komuniste në bashkëpunim me instruktorët e PKJ-së, të cilët kishin ardhur për ta ndihmuar PKSH-në.
Të “deleguarit” e PKJ-së, inskenuan dhe trilluan të gjitha prapësitë që ndodhën mes nesh. Veprimtaria e tyre për një kohë të gjatë në Shqipëri ua mundësoi të bëjnë një varg skandalesh në hapësirën mbarëshqiptare.
Në mbarim të luftës, qarqet shoviniste serbe, tashmë të rigrupuar së bashku në brigadat partizane, komunistë e çetnikë, filluan aksionet për shfarosjen dhe asimilimin e popullin tonë në të gjitha drejtimet. Duke ia mohuar luftën që zhvilloi kundër fashizmit, e më pas duke e aneksuar Kosovën si pjesë të Serbisë, duke i vrarë, keqtrajtuar e burgosur masovikisht. Njëkohësisht duke ua mohuar kulturën, duke hapur shkolla turke me qëllim të identifikimit të popullit shqiptar si turq, apo pakicë turke, duke ia mohuar shkollimin në gjuhën amtare dhe duke u bërë presion për t’i shpërngulur masovikisht për në Turqi, me qëllim të rikolonizimit dhe tjetërsimit të strukturës së popullsisë së Kosovës.
Krahas këtyre akteve të shëmtuara, qarqet e pushtetit serb të instaluar në Kosovë shkaktuan “zijën e bukës”, pastaj aksionin për mbledhjen e armëve të dedikuar vetëm për popullsinë shqiptare, që shërbente si pretekst për t’i torturuar dhe për t’i eliminuar kuadrot që kishin orientim të pastër kombëtar.
Ç’është më keq, u zhdukën dhe u vranë pothuajse të gjitha kuadrot që ishin të njohura edhe ndërkombëtarisht dhe mbanin pozitat më të larta të kohës. E gjithë kjo u bë sipas një plani, për të cilin dinte vetëm elita shovene serbe e kohës.
Përpunimi i planeve për shfarosjen e popullit shqiptar ishte bërë në prag të “çlirimit” të vendit nga Sfetozar Vukmanoviq – Tempo, i cili njihet si njëri nga xhelatët e popullit tonë. Tempo ishte ndër ata që zbatoi planet gjenocidiale kundër shqiptarëve të mbetur jashtë territorit të Shtetit Shqiptar.
Autoritet kryesor për zbatimin e këtij “plani” me kompetenca të pakufizuara, ka qenë, Pavle Joviqeviqi, ish sekretar i Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovë, Mitro Milkoviq, anëtar i Komitetit Qendror të PK për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, kolonel Savo Derleviqi, komandant i Shtabit Ushtarak për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit.
Të lartëcekurit kishin hartuar një komplot sekret për zhdukjen masive të shqiptarëve në Kosovë.
Vlen të ceket se tek shqiptarët e mbetur në kuadër të Republikës së Maqedonisë, për zbatimin e platformës gjenocidiale dhe shfarosjen e shqiptarëve që jetonin në trojet etnike ishin caktuar: Llazar Kolishevski, kryeministër i Maqedonisë, pastaj gjeneral lejtnant Cvetko Uzunovski, i cili mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë. Në këto projekte makabre kundër popullit shqiptar ndihmë të jashtëzakonshme kanë dhënë edhe gjeneral lejtnant Mihal Apostolski dhe komandanti i Korparmatës maqedonase Savo Joksimoviqi.
Në zhdukjen e shqiptarëve në masë dhe shfarosjen e tyre në përmasa kolektive, pas vitit 1944/1945 u dallua edhe Spasoje Gjakoviqi, i cili i drejtonte grupet speciale të OZN-ës, për likuidimin e kuadrove shqiptare, i ndihmuar edhe nga Gjokë Pajkoviqi, kuadër i lartë i partisë dhe shtetit. Po ashtu, nuk harrohen krimet dhe tmerret e bëra në Drenicë e rrethinë, por edhe në tërë rajonin e Dukagjinit, gjatë viteve 1949-1957, nga drejtuesit e UDB-së, Çeda Topalloviqi (kolonel) dhe Çeda Mujoviqi, që të dy zëvendësshefa të UDB-së krahinore, të ngarkuar nga qarqet më të larta të Jugosllavisë për t’iu shkaktuar sa më shumë dëme dhe vuajtje shqiptarëve.
Në këto periudha u dallua për të keq edhe njëri nga udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë së dikurshme, Aleksandër Rankoviqi, i cili ishte njëri nga pasuesit më besnikë të organizatës famëkeqe terroriste serbe “Crna Ruka”, nën urdhërat e të cilit punonin edhe Dushan Mugosha dhe Spasoje Gjakoviqi.
Strukturat e tilla shtetërore bënë krime, vrasje në masë dhe spastrime kolektive mbi popullin shqiptar, i cili, çmimin e lirisë e pagoi shumë më shtrenjtë se të gjithë popujt tjerë që jetonin në bashkësinë jugosllave, duke dhënë 6 200 dëshmorë nga radhët e 55 000 luftëtarëve, sa ishin të angazhuar në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës. Por kjo liri e pritur nuk ishte asgjë më shumë pos një robëri e re.
Projektet për asimilimin e shqiptarëve u bënë në dy faza. E para kishte filluar në prag të mbarimit të luftës, kurse e dyta pas luftës.
Realizmin e këtij projekti, tek shqiptarët e Maqedonisë e kishin marrë përsipër ndihmësministrat e OZN-ës: Savo Joksimoviq e Marko Jeliseje, Pavle Joviçeviq e Mitro Milkoviq të cilët, digjnin, grabitnin e plaçkitnin nga një vend në tjetrin duke iu dhënë urdhër edhe veglave të tyre që të bëjnë masakra e terror. Të lartëcekurit kishin urdhëruar të bëheshin vrasje dhe masakra edhe nëpër rrethe ku merrnin pjesë shefat e OZN-ës lokale, sekretarët e komiteteve të partisë, komandantët e brigadave e batalioneve, por edhe njësitë speciale të përzgjedhura nga OZN-a. Kurse, ndër oficerët dhe drejtuesit tjerë të pushtetit që morën pjesë në krime kundër popullit shqiptar, pos të tjerëve, ishin edhe Boshko Çekiqi, Millutin Paviqeviqi, Vllado Popoviqi (i cili njihej si likuidator i shumë shqiptarëve dhe kuadrove patriotike të Gjilanit me rrethinë), pastaj Gjoka Pajkoviqi, Bogolub Radiqi dhe Vllado Dashiqi, oficerë të UDB-së. Këta, me theks të veçantë, u dalluan për keqtrajtimin e popullit shqiptar në aksionin për mbledhjen e armëve, aksion ky i njohur në popull si “Aksioni i armëve” në krye të të cilit qëndronte vet Aleksandër Rankoviqi, bashkëpunëtorët e të cilit s’lanë gjë pa bërë mbi popullin e pafajshëm të Rrafshit të Dukagjinit dhe përgjithësisht në hapësirat shqiptare të mbetura nën Jugosllavi.
Duke i parë këto padrejtësi, gjenocidin, terrorin e vrasjet në masë që bëheshin para syve të udhëheqësisë shqiptare, në muajin nëntor të vitit 1944, ata krijuan një komision shqiptar, i cili përbëhej nga Aqif Lleshi, më vonë deputet në Ansamblenë Federative të Jugosllavisë në Beograd, Nexhat Agolli nënkryeministër i Maqedonisë dhe Rexhep Zajani. Ata shkuan tek Llazar Kolishevski, i cili, më vonë do të jetë kryeministër i Maqedonisë për t’u ankuar lidhur me masakrat dhe terrorin që po ushtrohej mbi popullin shqiptar. Kolishevski i drejtoi tek gjenerali Apostolski, i cili ishte edhe komandant i Korparmatës së I-rë maqedonase. Delegacionin shqiptar Apostolski e priti me këto fjalë: “Kjo nuk është gjë, është një pastrim që bëjmë në kuadër të punës dhe kështu do të vazhdojmë. Ju po të doni ankohuni më lartë”.
Ishte kjo kohë kur prej Kumanovës e Tetovës, në nëntorin e vitit 1944, ishin pushkatuar mëse 1 000 shqiptarë pa iu bërë gjyq fare. Edhe në Mitrovicë kur ka hyrë Brigada IV e “Kosmetit” janë pushkatuar mbi 2 000 shqiptarë, vetëm nga qyteti. Kurse gjatë hyrjes së forcave partizane për të dytën herë në qytetin e Gjilanit ishin pushkatuar pa gjyq mbi 1 000 shqiptarë. Ndërsa, me rastin e “çlirimit” të qyteteve, veçanërisht në Gjilan me rrethinë, mendohet të jenë vrarë 8 000 shqiptarë. Në organizimin e kësaj masakre kanë marrë pjesë Sima Mileniqi, Vllado Popoviqi, Lubo Shotra etj. Kjo gjendje ishte e përsëritur në të gjitha qytetet e Kosovës. P.sh.: në Skënderaj ishin gjetur mbi 250 vetë të mbytur me sopata e bajoneta të cilët i kishin mbytur burgjeve dhe i kishin hedhur në periferi të qytetit. Në ketë periudhë mbi 200 shqiptarë të tjerë ishin pushkatuar në vendin e quajtur “Taukbahqe” në Prishtinë, shumë prej tyre atdhetarë në zë.
Oficerët e OZN-ës kishin zgjedhur mbi 500 djem shqiptarë të cilët i morën kinse për t’i inkuadruar në brigadat partizane, përkatësisht në Bigadën e IV të Maqedonisë në Shkup. I inkuadruan përmes kolonelit Marko Jeliçev në bashkëpunim me oficerët tjerë të divizioneve maqedonase. 300 prej këtyre djemve, që nga ajo ditë i zhdukën pa gjurmë. Në vitin 1944 në stacionin e Monopolit të duhanit në Tetovë qarqet e OZN-ës kishin mbyllur brenda mbi 10 000 shqiptarë në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra e fëmijë. Vetëm brenda një nate u pushkatuan mbi 1 200 vetë, kurse të nesërmen u pushkatuan edhe 20 të tjerë. Gjatë atij viti vetëm në fshatin Zajaz të Kërçovës OZN-a vrau 320 shqiptarë. Më 26 nëntor 1944, në Gostivar OZN-a pushkatoi, pa ndonjë arsye, më shumë se 20 shqiptarë të pafajshëm. Këto vrasje u bënë me urdhër të shefit të atëhershëm të OZN-ës së Gostivarit, Tafit Andro Grueski nga fshati Mavrovë, i cili më vonë shërbeu si oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë. Bashkëpunëtor në këtë vrasje ka patur komandantin e atëhershëm të komandës së vendit të Gostivarit, Mitko Iliev.
Edhe Kazerma e Gostivarit, kah fundi i vitit 1944 ishte shndërruar në burg nga OZN-a. Atje I kishin burgosur më shumë se 5 000 shqiptarë, njerëz të pafajshëm të marrë nga fshatrat e rrethinës së Gostivarit. Në muajin nëntor, vetëm brenda një dhjetëditëshi, janë pushkatuar më shumë se 300 prej tyre. Titistët i nxirrnin jashtë qytetit, i detyronin t’i hapnin vetë varret e tyre dhe pastaj i pushkatonin oficerë të zgjedhur apostafat për këtë punë nga OZN-a. Dy oficerët më të dalluar në këtë krim ishin Lupçe Gjinevski nga rrethi i Kërçovës dhe Petro Kitanovski.
Për ta mbajtur nën sundim dhe për ta shkombëtarizuar e asimiluar në afat sa më të shkurtër popullin shqiptar, në fund të janarit të vitit 1945, KQ i PKJ-së, kishte hartuar dy projekte për ndarjen administrative të pushtetit në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit. Projekti i parë parashihte që rrethet Mitrovicë, Drenicë, Vuçitërnë, Podujevë, Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Gjilan e Kamenicë, të vareshin nga RS e Serbisë, kurse Rrafshi i Dukagjinit me rrethet e sotshme Istog, Pejë, Gjakovë, Rahovec, Prizren, Dragash e Suharekë të vareshin nga RS e Malit të Zi. Ndërkaq, në projektin e dytë, qarqet shoveniste serbe kishin paraparë, që krahina e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit t’i aneksoheshin Serbisë dhe të shpalleshin “krahinë autonome”. Siç dihet, në qershor të vitit 1945 u mblodh Kuvendi Krahinor i Këshillit Nacionalçlirimtar. Vet sekretari Gjoko Pajkoviqi propozoi që krahina e Kosovës dhe Rrafshi i Dukagjinit të bashkohen me Republikën e Serbisë. Mjerisht, ky propozim u përkrah nga Fadil Hoxha, Ismet Shaqiri, Mehmet Hoxha, Xhavit Nimani etj. Që në muajin korrik, Kosova u vu tërësisht nën administrim ushtarak.
Pas kësaj, përparësi e veçantë iu dha serbizimit në gjykatat e qarqeve. Me urdhër të drejtëpërdrejtë të Dushan Mugoshës, u hoq gjyqi krahinor, dhe u bënë katër gjykata qarqesh si në Pejë, Prizren, Prishtinë dhe në Gjilan - me qendër në Ferizaj, me ç’rast u caktua që të katër kryetarët e gjyqeve të jenë serbomalazezë. Këta ishin: Petar Shoshkiq, Dragan Jakiq, Vojo Stankoviq dhe Sfetozar Nediq. Kuptohet, edhe në trevat tjera shqiptare si në Maqedoni, Mal të Zi, etj., titullarët e gjykatave ishin serbomalazezë.
Në këtë kohë, Gjoko Pajkoviqi, nënkryetar i Këshillit Krahinor bashkë me Pavle Joviqeviqin, sekretar, ia imponuan Këshillit Popullor dy vendime. Njëri vendim ishte heqja e deputetëve Iljaz Cingu, Hysen Thaçi dhe Hilmi Zatriqi nga posti i deputetëve, me akuzat e trilluara se “kanë lidhje me bandat e arratisura” apo me “armiqtë e popullit”. Vendimet u miratuan menjëherë. Në vend të tyre zgjidhen dy serbomalazezë dhe një shqiptar - Sinan Hasani i cili u zgjodh në Këshillin Krahinor, në mbledhjen e dytë të Asamblesë Krahinore, të mbajtur më 30 dhjetor 1945. Pas këtij akti, komunistët shqiptarë të Kosovës dhe të trevave të mbetura nën Jugosllavi, iu përshtatën situatës së re. Një pjesë e tyre dalëngadalë u bënë vegla të vërteta në duart e OZN-ës, ndihmuan në terrorizimin e popullit të vet. Të tjerët u futën në strukturat e pushtetit dhe ndihmuan konsolidimin e tij. Një pjesë tjetër që nuk u bindën u likuiduan fizikisht, u ndëshkuan me burgje shumëvjeçare duke i eliminuar nga skena politike. Ç’është më keq, me popullin tonë ndodhi një gjë e tmerrshme dhe ende e pashpjegueshme shkencorisht. Nga viti 1944 deri në vitin 1950, u vranë, u persekutuan dhe u zhdukën komplet elita udhëheqëse, duke mos i kursyer as ata që luftuan në anën e partisë komuniste të Serbisë as ata që luftuan kundër tyre. Pre e këtyre makinacioneve kishte rënë Emin Duraku, anëtar i Byros së Komitetit Krahinor të Kosovës, i cili ishte dërguar nga PKSH në Kosovë si njëri ndër kuadrat më të forta. Fillimisht u kritikua nga Boro Vukmiroviqi dhe Pavle Joviqeviqi për “shovenizëm” dhe “irridentizëm” e pastaj iu kurdis një pritë në të cilën u plagos, dhe pas 13 ditësh vdes në spitalin e Prizrenit nga neglizhencat e njerëzve të vijës partiake. Në rrethana të tilla vritet edhe Zenel Hajdini i cili për vite me radhë mbajti gjallë rezistencën në trevat shqiptare në Medvegjë, Jabllanicë e Tupellë. Edhe ky ishte goditur sipas një skenari të përgatitur më herët. Qëllohet pas shpine nga pushka e komisarit të tij gjatë një përleshjeje me forcat çetnike. Eliminimi i kuadrave atdhetare shqiptare, mënjanimi dhe diskualifikimi i tyre nga ana e PKJ-së, vazhdonte me një mjeshtri të kurdisur nga vet shteti dhe organet sekrete të shtetit serb që aso kohe kishte filluar të njihet si “Jugosllavi e re”.
Dushan Mugosha dhe rrethi i tij i përdorte edhe disa struktura brendashqiptare për të ngjallur armiqësi përmes thashethemeve me qëllim të nxitjes së vëllavrasjes dhe armiqësimit të shqiptarëve mes veti. Bëhet fjalë për njerëzit që kishin të hapura disa kanale agjenturore në shërbim të linjave anglezo-gjermano-jugosllavo-italiane në të cilat kishin qasje edhe organet e OZN-ës përmes kanaleve të veta. Njëkohësisht, Mugosha dhe stafi i tij mbante lidhje të rregullta dhe i koordinonin veprimet me formacionet çetnike të Drazha Mihajloviqit.
Qysh më parë, kuadrat politike shqiptare likuidoheshin në rrethana të dyshimta duke i përdorur të gjitha format e mundshme, madje, duke kooperuar edhe me gestaponë dhe shërbimin sekret italian. Më 8 prill 1944, u arrestua nga gestapoja Xhevdet Doda i cili ishte denoncuar nga fqinji i tij serb. Denoncuesi kishte detyra të larta në celulat e partisë por punonte edhe me organet e gestaposë. Prapa shpine u likuidua po atë vit edhe komisari dhe patrioti i shquar Meriman Braha. Me një mjeshtri të madhe u realizua edhe asgjësimi i njërit ndër shtyllat e luftës Hajdar Dushi, likudimi i të cilit u bë në Kalanë e Dodës, më 22 shtator të vitit 1944. Në Konferencën e Bujanit, Hajdar Dushi, kishte shtruar aq fuqishëm dhe në mënyrë bindëse çështjen e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.
Fatin e kuadrave të lartëcekura e pësuan edhe Sadik Pozhegu dhe Reshit Deda, të cilëve, Dushan Mugosha ua kishte përgatitur kurthet e fshehta për të rënë në to. Viktimë e këtyre kurtheve dhe e terrorit ndaj kuadrove shqiptare kishte rënë edhe veprimtari dhe patrioti i shquar, Avdullah Presheva, të cilin e helmojnë dhe më pas vdes në spitalin e Shkupit.
Nga repartet e OZN-ës u likuidua edhe Emrush Miftari, atdhetar dhe luftëtar i paepur për mbrojtjen e shqiptarëve nga çetnikët serbomalazezë. Në vitin 1943, kishte ngritur zërin kundër masakrimit të mbi 3 000 burrave, grave dhe fëmijëve në krahinën e Bihorit, dhe kërkonte me ngulm zbatimin e vendimeve të Bujanit. Emrush Miftari, nga qarqet e Shtabit Krahinor u konsiderua si “anarkist” dhe “bashkëpunëtor i shërbimit britanik”. Për këto arsye, Emrush Miftari u arrestua në fillim të vitit 1945 dhe u zhduk nga grupi sekret i OZN-ës. Këtë grup në rastin konkret, e drejtonte Spasoje Gjakoviqi, i cili Emrush Miftarit nuk i la as gjurmë varri.
Për shkak që nuk iu nënshtrua trathtisë jugosllave dhe nuk ra në grackat e saj, nga organet e OZN-ës, u likuidua edhe Asim Luzha nga Drenica, i cili më parë kishte shkuar në Beograd në kuadër të një delegacioni të shqiptarëve të Kosovës për të diskutuar me Titon rreth fatit të Kosovës. Pas atij takimi, më 9 prill 1945, gazeta “Borba” e Beogradit, shkruante se “Kuvendi i Serbisë e miratoi “dëshirën” e popujve të Kosovës për aneksimin e saj – Serbisë”.
Duhet theksuar se pothuajse gjysma e atyre delegatëve (nëntë prej tyre), që kishin marrë pjesë në takimin me Titon, për të diskutuar për çështjen e Kosovës, më vonë ishin zhdukur pa gjurmë, pa varr…
Në këtë kohë, Rifat Berisha si zëvendëskryetar i Këshillit Krahinor dhe kryetar i Frontit Popullor do të vritet tradhtisht nga organet e OZN-ës, në qershor të vitit 1949. Trupi i këtij vigani u gjet i vrarë në breg të lumit Puhoc të Gjakovës, bashkë me trupat e Islam Brahimit dhe Mustafë Berishës të vrarë tradhtisht nga njësiti i UDB-së i cili drejtohej nga Çeda Topalloviqi dhe bashkëpunëtori i tij Ismajl Gajraku. Edhe vrasjet e Hajdar Dushit, Rashid Osmanit dhe Sadik Pozhegut e kanë nismën pikërisht tek trathtia serbomadhe.
Në luftime me banda të ndryshme në Fushë Aliaj në Dibër, Meriman Jakupi, vritet prapa shpinës nga një pjesëtar i OZN-ës që mbante pseudonimin “Zhuti” i ndihmuar edhe nga Hajredin Ballkani i njohur me pseudonimin “Karrshilliku”. Meriman Jakupin, njërin nga kuadrat më të përgatitura të kohës, qarqet e OZN-ës e zhdukën haptas vetëm pse ishte i aftë dhe përbënte rrezik për ta. Në rrethana të tilla u vra Shaban Spahia, djalë hasreti, nga Peja, i cili ishte njëri nga luftëtarët e orëve të para.
Vrasjet e figurave më markante të kombit, vazhdonin të kryheshin në të dy anët e kufirit: në Kosovë e viset tjera por edhe në Shqipëri, gjithnjë të dirigjuara e të organizuara nga emisarët e organeve sekrete të PKJ-së.
Në një pritë që ia organizon Dushan Mugosha bashkë me njerëzit e tij, vritet Hysen Lepenica, pastaj forcat komuniste do ta qëllojnë pas shpinës, Aziz Çamin, që bëri aq shumë për Kosovën për Shqipërinë, për Çamërinë.
Nga njësitet ekzekutive të partisë komuniste u vra Iljaz Agushi në Tiranë, njëra ndër figurat më të ndritura të kombit shqiptar.
Në vitin 1945, pa fije turpi, në gjyqet speciale të partisë dënohet me vdekje Ymer Lutfiu i cili vdes në tortura pas tri vitesh brenda qelive të burgut. Edhe Kolë Tromara bashkë me Bahri Omarin zihen nga forcat partizane dhe pushkatohen gjatë vitit 1945. Këta i takonin plejadës së njerëzve më të spikatur. Në rrethana të tilla vritet Cen Elezi. Pasi arrestohet tradhëtisht, mbytet në qelinë e burgut në Shkup në vitin 1949, sikurse edhe Xhemë Gostivari i cili zihet tradhëtisht dhe ekzekutohet pamëshirshëm nga qarqet e ndjekjes, sikurse edhe Veli Nimon Doçi, Xh. Nikoçi dhe Alo Hoti.
Në vitin 1945, vritet Aqif Blyta nga Pazari i Ri, njëri nga kuadrat më të vyeshme të çështjes kombëtare, të cilin, komunistët e asgjësuan si kundërshtar apo si njeri me influencë dhe autoritet të gjerë në masa.
Kundër Bedri Pejanit, njërit ndër figurat më markante të të gjitha kohërave, luftëtar, udhëheqës dhe mbështetës i të gjitha përpjekjeve për liri organet komuniste organizuan një gjyq.
Bedri Pejani pas riokupimit të Kosovës nga pushtesit serbë kishte kalur në Shqipëri, mirëpo, për të qenë fatkeqësia më e madhe, arrestohet në Shkodër nga organet e sigurimit shqiptar. Pas kërkesës së organeve të UDB-së, organet e Shtetit Shqiptar e kthejnë në Jugosllavi, me ç’rast “gjyqi popullor i Qarkut të Prizrenit” e dënoi me vdekje.
Më 21 shkurt 1946, pas disa seancave të mëparshme, duke dëgjuar përpos të tjerave edhe fjalën fyese të prokurorit publik Ali Shukriut, trupi gjykues jugosllav shpall fajtor Bedri Pejanin, më 16 mars, me aktakuzë se “ka bërë propagandë kundra popujve jugosllavë, tue përhap shovenizmin në mes të popujve, e në këtë mënyrë njëkohësisht tue dëmtue lëvizjen nacionalçlirimtare, kështu pra me të këtilla veprime të veta ka ba krime të parapame në art. 3, pika 3, 4, 5 dhe 6 të ligjit mbi krime kundra popullit dhe Shtetit Jugosllav”. Më pas, Bedri Pejanin OZN-a e helmoi në qelinë e burgut, ku edhe ndërroi jetë.
Listat sekrete të OZN-ës për likuidimin e kuadrave shqiptare ishin të gjata por edhe dora ekzekutuese ishte e pamëshirshme.
Për ta larguar nga skena politike qarqet komuniste likuiduan Xhevat Begollin nga Peja, intelektual, në zë i kohës, i cili zihet në Lipë nga forcat e Salk Myderrizit bashkë me të nipin Skënderin. Ata i burgosën dhe i dërguan në shtëpinë e Xheladin Begollit, të cilën komunistët e kishin shndërruar në burg. Xhevatin e dënuan me vdekje por vdes në burg nga torturat para ekzekutimit. Me vdekje dënohet edhe vëllai i Xhevatit, Rifati, i cili vdes nga torturat e komunistëve në burgun e Tiranës. Xhevat Begollit sllavokomunistët ia vranë edhe vëllanë tjetër, Qamilin.
Xheladin Hana nga Gjakova ishte luftëtar i orëve të para, por edhe ish-anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, njëri ndër bashkëautorët e formulimeve të dokumenteve bazë të Konferencës së Parë Nacionalçlirimtare në Bujan dhe drejtor i gazetës “Rilindja” në Prishtinë. Si i tillë Xheladini u arrestua në mënyrë sekrete, kinse po dërgohej diku me shërbim, por e vërteta ishte ndryshe. Atë e dërguan menjëherë në zyrat e UDB-së ku pas shumë torturash u vra nga shefi i UDB-së krahinore, më 14 dhjetor 1948.
Më 29 mars 1946, te Shpella e Kusarit afër Gjakovës OZN-a likuidoi: Ndoc Lleshin nga Grabanica, Prenk Shytin nga Prizreni, Gjon Çunin nga Dersniku, Zef Arifin nga Grabanica dhe Palush Prendin nga Dollci.
Për në kohë të shkurtër brenda territorit të Dukagjinit ishin vrarë 19 vetë nga udbashët e Gjakovës. Në të gjitha kohërat u përsëritën proceset gjyqësore me inskenime dhe trillime. Nga një proces i tillë u dënua Shejh Hasani i Prizrenit i cili papritmas u gjet i vdekur. Viti 1947 ishte i kobshëm për shqiptarë. Pos “zijës së bukës” vriteshin edhe njerëzit më të spikatur të rezistencës.
Më 1947, u vra tradhëtisht luftëtari i Rugovës Rizë Zymeri nga sllavo-komunistët e përbetuar Çedo Mijatoviqi dhe Vujo Vojvodiqi, të cilët i kishin bërë thirrje Rizës që të dorëzohet pasi që atë e kishin rrethuar. Pas dorëzimit, Rizën e vrasin në vend. Po atë vit Rizë Zymerit, Çeda bashkë me Vujën ia vrasin edhe djalin e vetëm, Hasanin.
Organet e UDB-së do ta vrasin edhe Imer Maliqin nga Nokshiqi, i cili ishte djali i Maliq Hakut dhe Kajë Shabanes, e njohur në luftën e Nokshiqit e cila i vret katër serbë. Imeri kishte luftuar gjithë jetën kundër të gjithë armiqve dhe okupatorëve të vendit derisa u vra nga organet e UDB-së.
Trojet shqiptare që kishin mbetur jashtë trungut amë, gjatë vitit 1948 e më pas, do të përfshihen në një valë të terrorit të ri, të gjenocidit e shfarosjes në masë të burrave më të spikatur të kombit, duke i përdorur metodat më perfide e më dinake. Në rrethana të tilla, pasuesit e OZN-ës dhe UDB-së organizuan tek shqiptarët e Kosovës “zijën e bukës” në vitin 1947, kur zbrazën hambaret e shqiptarëve, me qëllim të varfërimit të popullit shqiptar. Në fakt ky ishte presion ekonomik dhe psikologjik. Njëkohësisht kosovarët goditen edhe nga një furtunë përmbysëse - terrorizmi gjyqësor i cili do të vazhdon gjerë në ditët tona.
Njerëzit vdisnin në tortura, vetëmbyteshin nga presionet psikologjike, torturoheshin deri në çmenduri, vriteshin në kufi kinse kanë dashur të dilnin në Shqipëri. Kufomat e njerëzve të vrarë i hudhnin në bunare, buzë lumenjve e pjesëve periferike, që të mos bien në sy. P.sh.: Haxhi Alia i Junikut vdiq nën torturat e udbashit famëkeq Dragan Okileviq. Kufomën e tij e hodhën në bunar dhe të vrarin e shpallën “të vetëmbytur”. Ashtu ndodhi edhe me Saq Mushtishtin nga Prizreni, i cili u gjet i hudhur në baltën e një kënete. Edhe Haziz Zhilivoda nga rrethi i Prishtinës vdiq gjatë torturave. Jetish Mushtishtin familja e mori të vdekur nga duart e UDB-së. Selim Gashi nga Lubova u mbajt 5 javë në tortura dhe pas pak ditësh vdiq. Zef Shalën e Shtupeqit të Vogël të Rugovës pasi e torturuan tek posta e Kuqishtës, e vranë tek kisha e Pejës dhe e deklaruan të “vetëvrarë”. Islam Bala nga Vrella e Istogut (tani Burimit) e mbajtën duke e torturuar mbi dy muaj dhe pasi iu dorëzua familjes me brinjë të thyera vdiq në familje si pasojë e torturave çnjerëzore. Çelë Ibrahimi nga Kabashi i Prizrenit vdiq si rrjedhojë e torturave. Musa Berisha në Suharekë vdiq në tortura të UDB-së. Sali Hysenit nga Gërgoci ja thyen krahërorin dhe e torturuan mizorisht. Si pasojë e këtyre torturave vdes. Man Tafa i Prelezit të Ferizajt dhe Bajrush Mersala vdiqën në tortura të UDB-së. Shyqëri Gaçka u torturua me sadizëm nga udbashi Misheviq. Shaban Shkreli nga rrethi i Pejës gjithashtu u mbyt në tortura. Bekë Isufi nga Dugajeva e Rugovës së Pejës, pasi ishte torturuar mizorisht nga UDB-a, therë veten dhe vdes. Rexhep Fetahu nga Drelajt u hodh nga shkëmbi për t’iu shmangur torturave. Ibrahim Peci i Lipës së Pejës u mbyt në lum, duke kërkuar vdekjen si të vetmin shpëtim. Cenë Isuf Gacaferri nga Juniku, pasi u torturua gjatë ditës nga udbashët kur u kthye në shtëpi ai therë veten pasi kishte për të shkuar prapë në organet e UDB-së. Edhe Rexhep Tahiri nga rrethi i Pejës u vetmbyt pasi u torturua rëndë nga UDB-a. Likuidimet e shqiptarëve vazhdonin pamëshirshëm. Pre e këtyre terroreve ranë edhe Brahim Kuçi dhe Muharrem Kuçi nga Nabërgjani i Pejës, të cilët u likuiduan dhe vetëm pas dhjetë ditësh, u gjetën të masakruar dhe të mbuluar me gjethe.
Më 1949 në lokalitetin e Hotit dhe Grudës UDB-a, arrestoi dhe i vrau 6 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe sekretarin e këshillit të lokalitetit të Grudës. Po atë vit, UDB-a vrau patriotin e shquar nga Bujoviqi i Andrijevicës Ethem Kollçakun. E kishin vrarë edhe Pjetër Smajlin nga Hoti, pjesëmarrës dhe luftëtar i dalluar i LNÇ-së, kurse të vëllanë ia kishin therrë me thika në vitin 1947. Në vitin 1949, organet e UDB-së, konkretisht Llukan Markoviqi dhe aspiranti i tij Dushan Dovodoviqi vranë Tomë Sylë Gjurën si dhe Prekë Gjokën nga Gruda, kufomat e të cilëve i zhdukën pa gjurmë.
Pa ndonjë pretekst që arrestuar i riu Martin Gjokaj nga Triepshi në vitin 1948, dhe qe dërguar në Goli Otok ku edhe vdiq. Arsyeja e arrestimit të Martinit qe bërë për shkak se pati thënë në një mbledhje të partisë se “ky sistem që na predikoni nuk është marksizëm-leninizëm por tradhti”.
Vala diskriminuese ndaj shqiptarëve në trojet e mbetura jashtë trungut amë ishte tmerruese. Në atë kohë në burgun e Gostivarit nga torturat u çmend Mark Abdia, kurse në këtë burg u pushkatua pa gjyq Sali Krosini nga Dibra. Pak kohë më parë ishte pushkatuar Mazllum Pesjaku nga fshati Arne mu në mes të rrugës. Në tetor të vitit 1948 është vrarë Ramadan Ademi nga fshati Qyqel i rrethit të Lipjanit për shkak që s’e kishte paguar “porezin” (tatimin) krejtësisht. Ky ishte vrarë nga deputeti i atëhershëm në Lipjan, Ibrahim Rizaj dhe sekretari i rrethit të Lipjanit. Në tetor të atij viti në Drenicë u vra Grata Dranofci nga Bllazha Bubiçiqi, drejtues i UDB-së, vetëm pse i kishte thënë Bllazhës, se “nuk po kemi për ta paguar porezin”. Pas kësaj Bllazha nxjerrë revolen dhe i bie tri herë Gratës në kokë duke e lënë të vdekur.
Në marsin e vitit 1949 ishte arrestuar dhe më pas zhdukur pa gjurmë Cenë Shyqriu nga Gjakova. Ishte vrarë edhe Qerim Delia i rrethit të Gjakovës para syve të familjes, ndërsa në anën tjetër njerëzit e UDB-së përhapën fjalën se i gjetën materiale propagandistike kundër regjimit. Për hiqgjë u vra edhe Qerim Binaku, nga Shishmani i Gjakovës, vetëm pse organet e UDB-së, e kishin gjetur në një fshat tjetër pa leje të njoftimit. Edhe Sali Kolçi nga Dibra, çoban, vetëm pse s’u tha “mirëdita” organeve të UDB-së, që ishin duke trupuar atypari, u vra. Nga organet e UDB-së u zhduk pa shenjë edhe djali i Sadik Hamzës nga rrethi i Pejës. Pa asnjë arsye nga organet e UDB-së u zhdukën në mënyrë misterioze për të futur tmerr e panik në popull edhe këta shqiptarë: Muhamet Rufati nga Tuplica e Gostivarit, Rrahim Rufati nga Kolishti i Gostivarit si dhe Veli Pyroku nga fshati Pyrok i Gostivarit.
Terrori dhe masakrimi i njerëzve vazhdoi edhe gjatë vitit 1950. Në Triepsh, organet e UDB-së, vranë Gjon Lush Cungajn dhe gruan e tij Drenën. Udbashët i vranë para shtëpisë së tyre e pastaj i therrën me thika, ndërsa shtëpinë dhe pronën e tyre organet e UDB-së ia dorëzuan si shpërblim Preng Martinit për pjesëmarrje në këtë vrasje. Këtë vit është vrarë gruaja e Qazim Jakupit, 20-vjeçare bashkë me të birin 2 vjeç, për shkak të arratisjes së burrit të saj Fazli Jakupit si informbyroist. Në këtë fazë shërbimet sekrete serbe shquhen me presione të vazhdueshme për të bërë sa më shumë njerëz për vete, për t’i çuar me detyra të caktuara në Shqipëri. Këtë vit është vrarë Shaqir Rama nga Pogragja, me pretekst se “ka hapë proklamata kundër shtetit”. Më 12 qershor 1950 forcat e UDB-së kishin vrarë Isuf Rekën nga rrethi i Gjakovës duke u kthyer nga puna, të cilin e lënë të shtrirë në mesin e rrugës mbi 24 orë. Në gusht të vitit 1950 është vrarë Masllëm Pasjaka nga një fshat i Dibrës si dhe Ramë Halili nga një fshat i Deçanit. Po ashtu, nga UDB-a është vrarë Haxhi Tishuku nga Isniqi i Deçanit, trupin e të cilit e kanë gjetur disa muaj pas vrasjes të hedhur në gërmadhat e Bjeshkëve të Nemuna.
Në tortura të UDB-së vdiq në burg Ali Skara nga Konjari i Dibrës bashkë me Osman Kazanin. Në Span të Dibrës, në qershor të vitit 1950, ishte arrestuar profesori i mirënjohur Shaban Kryeziu të cilin pas shumë torturash e zhdukën në mënyrë misterioze.
Në këtë kohë do të goditet pamëshirshëm treva e Vardarit nga një terrorizëm i organizuar në shkallë vendi i cili kishte filluar me përbuzjen e flamurit shqiptar e deri tek vrasjet e bijve më të spikatur të këtij vendi. Ndër të parët që UDB-a ia vuri prangat ishte Nexhat Agolli nga Dibra e Madhe, i cili përfaqësonte Shqipërinë Lindore në Qeverinë Republikane të Maqedonisë si nënkryeministër. Edhe këtë burrë të pathyeshëm të kombit tonë organet e UDB-së do ta likuidojnë në pamundësi për ta gjunjëzuar, apo për ta bërë për vete.
Një fat të tillë e pësoi edhe Isuf Torozi nga Dibra e Madhe, anëtar i Komitetit të Partisë në Dibër. U arrestua nga organet e UDB-së në vitin 1949, si njeri më pikëpamje nacionaliste, të cilin e mbytën në tortura. Në vitin 1951, ia kthyen familjes disa rroba personale pa kurrfarë sqarimi, vetëm se në njëfarë mënyre e konfirmonin vdekjen e tij.
Në format më bizare do të vriten edhe shumica e drejtuesve të Mbledhjes së Dytë të Prizrenit ndërsa ata që patën fatin të shpëtojnë do të burgosen dhe do të dënohen me burg shumëvjeçar, disa prej të cilëve dënohen me vdekje - pushkatim. Më vonë do të vriten edhe shumë nga drejtuesit e organizatës së NDSH-së. Disa prej tyre do të dënohen nëpër burgje, dhe nga torturat do të vdesin në burgjet e Goli Otokut e burgjet tjera serbe. Fatin e tillë të vrasjeve në moh duke i çitur në prita e duke u kurdisur kurtha e tradhëti, do ta ketë edhe Shaban Polluzha, Mulla Idris Gjilani i Velekincës, i cili do ta djegë veten me benzinë në qelinë e burgut. Pastaj Mehmet Gradica, Ymer Berisha, Ukë Sadiku, Marije Shllaku, Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Halim Orana, Hajdar Planeja, Berdnard Llupi, Ukshin Kovaçica, Sadri Gashi, Sylë Hotlla nga Kumanova, Muharrem Fejza, Hysni Rudi, Mehmet Bushi, Kemajl Skënderi e qindra të tjerë, të gjithë atdhetarë me fuqi kreshnikësh. Secili prej tyre kishte krijuar histori më vete. Kishin punuar në mundësinë e vet një jetë kushtuar atdheut e çlirimit të vendit. Mjerisht, këta burra do të pushkatohen dhe hjekësohen prej atyre që ishin kundër lirisë së vendit nga ata që ishin pajtuar me robërinë e re. Para gjithë kësaj mynzyre kishin heshtur njerëzit që u shtirën për 50 vite si “përfaqësues të popullit” si Fadil Hoxha i cili gëzonte pozitat më të larta të kohës, pastaj Ali Shukriu i cili u bëri gjyqin bijve më të mirë të kombit duke i dënuar me vdekje shumë prej tyre. Xhavit Nimani bashkë me Ismet Shaqirin dhe Xhevdet Hamzën as që guxuan të ngritnin ndonjë çështje. Ata ishin bërë mashë e partisë. Kurse Mehmet Hoxha nëpër këto vorbulla kalonte si i bashkangjitur i Dushan Mugoshës që punonte në favor të Serbisë. Po atë rrugë kishte zgjedhur edhe Sinan Hasani.
Mjerisht, ajo çka po ndodhte me elitën udhëheqëse të shqiptarëve që mbetën jashtë trungut amë po ndodhte edhe në Shqipëri në të njëjtën kohë nga e njëjta shtresë udhëheqëse. Likuidohej dhe shkatërrohej pamëshirshëm pjesa drejtuese e cila nuk pajtohej me formën e punës së udhëheqjes komuniste. Persekutoheshin klerikë, intelektualë në zë, luftëtarë të devotshëm, njerëz me autoritet edhe në qarqet ndërkombëtare të kohës, mohohej e kaluara, kultura, shtrembërohej historia. Disa brigada partizane ishin dërguar në Kosovë për të luftuar me vëllezërit e tyre që luftonin edhe më tutje për t’i sjellë lirinë e premtuar vendit, si në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Tashmë në Shqipëri ishin vrarë pjesa më e madhe e të arratisurve, si Mark e Llesh Gjomarkaj, Llesh Marashi, Cen Elezi, Prek Cali, Halil Alia, Jup Kazazi etj. Kurse nga gjyqet speciale ishin dënuar patriotë e figura të larta të nacionalizmit shqiptar si Patër Anton Harapi, Lef Nosi, Shejh Karabunara, ndër ta edhe gjeneral Aqif Përmeti, e Miradashi, e plot oficerë të tjerë madhorë. Shumë prej njerëzve që i përbënin forcat patriotike por edhe nacionaliste që kishin luftuar kundër shumë okupatorëve ishin shtrënguar të ikin nga presioni i pushtetit komunist në Shqipëri. Qindra patriotë e luftëtarë kosovarë që kishin ikë nga pushteti jugosllav në Shqipëri u kthyen pas, e pastaj u dënuan në gjyqet jugosllave. Shumë prej tyre edhe u pushkatuan. Burgjet ishin mbushur plot me shqiptarë si në Maqedoni ashtu edhe në Kosovë e Mal të Zi. Nëpër këto burgje pothuajse çdo ditë vdisnin nga torturat dhjetëra shqiptarë e pushkatoheshin çdo ditë me dhjetëra të tjerë. Burgu i Sheremetit në Pejë ishte bërë tmerr për shqiptarë, Kulla e Popit në Istog - alkatraz i vërtetë, Idrizova ferr. Hani i Tozës, Monopoli i Duhanit e dhjetëra vende tjera u ngjanin kampeve të Mathauzenit e Aushvicit gjerman në të cilat po zhdukej e masakrohej ajka e kombit shqiptar.
Ky terrorizëm përfshinte çdo rreth e fshat në trevat shqiptare. Fatet e kobshme të një pjese të popullit tonë do t’i pëson edhe Sabaudin Gjura i cili ishte një nga bijtë më të ditur të Tetovës që UDB-a e kishte vënë në shënjestër. Atij, torturat ia dërmuan trupin e njomë, ishte bërë kufomë me frymë në burgun e përgjithshëm. Pas disa ditësh, trupin e tij të strërmunduar e çuan diku në brendi të Sharrit plak që ta shkyenin egërsirat.
Terrorizimi individual me likuidime ishte një praktikë e vazhdueshme, e njohur si traditë e organizatave terroriste serbe. Mirëpo njerëzit e UDB-së nuk e kishin harruar traditën e terrorizmit në grupe, siç ishte rasti i Metë Idrizit nga Drenoci i Deçanit të cilin e kishin likuiduar organet e UDB-së bashkë më një grup të shokëve.
Ndër çetnikët që nuk lanë gjë pa bërë mbi popullin shqiptar ishte edhe oficeri i OZN-ës, Vllado Popoviqi, bir i dy breza çetnikësh, që vrau dhe masakroi popullin e Gjilanit me rrethinë. Ngjashëm ka vepruar edhe kapiteni i OZN-ës Pepe Jovanovski i cili kishte krijuar një burg special në qytetin e Kërçovës me sëmundjen e tifos së morrit. Duke u treguar ky eksperiment efikas, organet e OZN-ës e përhapnin tifon e morrit edhe nëpër brigadat partizane shqiptare që operonin pothuajse në të gjitha territoret e Jugosllavisë, ku nga kjo sëmundje gjetën vdekjen mijëra partizanë shqiptarë. Në këtë kohë qarqet e OZN-ës në bashkëpunim me aparatin shtetëror të sapoformuar, arritën që pos masakrave dhe vrasjeve në masë të vrasin dhe burgosin elitën udhëheqëse dhe ushtarake si dhe të gjithë ata që patën guxim ta ngrisin zërin kundër shtypjes e robërisë së re jugosllave.
Mu në këtë kohë kur Serbia ia mohoi popullit shqiptar të gjitha të drejtat duke filluar nga ato elementare, deri tek e drejta për jetë. Udhëheqja jugosllave dërgoi në Shqipëri misionin e vet ushtarak, më 6 shtator 1944. Përfaqësues i këtij misioni ishte Velimir Stojniq. Ky mision, sipas Velimir Stojniqit, qëllimet e veta i paraqiti në Plenumin e Beratit, ku thuhej qartë se “qëllimi i këtij misioni është që të përgatitej terreni për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë.” Në fillim të vitit 1946 nga ky mision u muar vesh se 6 nga 7 punonjësit e këtij misioni ishin kuadra të zbulimit jugosllav. Të tillë ishin kapiteni Ziko Nazim Shorkiq, i cili ishte ndihmës i atasheut ushtarak, pastaj doktoresha Nada Milionoviq, oficere e OZN-nës, e cila ishte e kamufluar me detyrën e mjekes. Një rol të tillë e kishte edhe nëntogeri Fisher Josip, daktilografist, aspiranti Velio Popoviq, i cili ishte zyrtarisht në detyrën e korierit. Duhet cekur se në këtë mision, qeveria jugosllave, kishte dërguar kuadra të zbulimit edhe në përfaqësinë diplomatike si p.sh.:, Josip Djerzha, ish ministër, Sergei Kraiger, këshilltar i Legatës, Ostrec Juboviq, ish sekretar i Legatës, Savo Bozhidaroviq, ish nëndrejtor për ndërtimin dhe shfrytëzimin e hekurudhës dhe më vonë funksionar i Legatës, të cilët kishin qenë prej kohësh kuadra të OZN-ës dhe më vonë të UDB-së. Këto misione kishin detyrë parësore futjen në dorë të të gjitha hallkave kyqe të aparatit shtetëror e të partisë. Në radhë të dytë ata e shtrinë rrjetin agjenturor duke shkelur të gjitha rregullat e bashkëpunimit e të miqësisë.
Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit për dhunën dhe gjenocidin sllav kundër shqiptarëve 1912-1913
Raportimet e luftës të Leon Trockit, janë rrëfime realiste, të tmerrshme dhe të llahtarshme, të cilat përshkruajnë vrasjet mizore masakrimet dhe shfarosjen e shqiptarëve gjatë Luftërave Ballkanike, 1912-1913.
Leon Trocki
Leon Trocki ( 1879–1940) teorik i marksizmit dhe revolucionar, ka qenë i dërguar në Ballkan me qëllim për të raportuar për gazetën e majtë më të popullarizuar në Rusinë Jugore “Kijevskaja misl” ( Mendimi i Kijevës). Raportimet e tij nga vendi i luftimeve janë botuar në fletushkat e veprave të zgjedhura, të papërfunduara, në gjuhën ruse, mes viteve 1923–1927. Raportet e tij për Ballkanin dhe luftërat ballkanike janë përkthyer në gjuhen angleze në vitin 1980 dhe janë ribotuar mes viteve 1991–1993, në kohën e ripërsëritjes së luftërave ballkanike( në Kroaci e Bosnje).
Teksti në vazhdim flet për veprimet e shteteve ballkanike kundër popullatës myslimane në vitet 1912-1913 dhe për heshtjen e shtypit rus lidhur me krimet të cilat i kanë kryer aleatët e tyre në Ballkan.
Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit
Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës. Qysh në fillim isha i irrituar nga autoritetet e Beogradit lidhur me lejen për qarkullim. Nga pengesat që m’i ka bërë Ministria e luftës, kam filluar të mendoj se njerëzit, të cilët e udhëhiqnin luftën nuk e kishin ndërgjegjen e pastër dhe që atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe nga sa paraqitej në shtypin zyrtar. Kjo përshtypje ose parandjenjë më është përforcuar me rastin e takimit me një oficer, i cili kishte qëndruar në Shkup me ushtarët të Shtabit të Përgjithshëm.
Ky oficer, të cilin e kam njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm. Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, ai me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja atje dhe që Beogradi sipas tij nuk e kuptonte se çka po bënte kur i lejonte “të huajt” të shkonin në Shkup. Në Vrajë në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ta ndërroja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë për pamjet që do t’ i shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme”. Krejt kjo më duhet të pranoj se më bënte edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”.Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria? Apo Qeveria? Përgjigjen në këto pyetje e mësova sapo arrita në Shkup. Trishtimi filloi sapo e kaluam kufirin. Në orën 5 pas dite jemi afruar te Kumanova. Dielli po perëndonte dhe terri tashmë ishte lëshuar.
Sa më shumë që errësohej aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtylla zjarri, deri te hekurudha.
Ishte ky një shembull i një lufte të tmerrshme shkatërruese, që kam parë në zonat e luftimeve. Për një çast pasuria e atyre njerëzve e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund po kthehej në flakë. Kjo monotoni e zjarrit na ka përcjellë gjatë tërë rrugës deri në Shkup. Kam zbritur nga vagoni me të cilin kam udhëtuar. Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, Vetëm para stacionit të trenit ishte një grup ushtarësh, nga ku përhapeshin zëra të dehurish. Secili shkonte në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat në gjendje gatishmërie. Në mesin e grupit të ushtarëve qëndronin dy të rinj shqiptarë, me plisa të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër shishen e rakisë. Çetniku urdhëroi shqiptarët të binin për tokë. Ata gjysmë të vdekur nga frika ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër ata ngihen. Këtë ai e përsërit disa herë....
Pastaj çetniku duke sharë dhe duke i kërcënuar u drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyron të pinë raki, pastaj... i puth. I dehur nga forca nga rakia dhe gjaku ai argëtohej, duke luajtur me ta ashtu si macja e egër me minjtë. Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë të dehur qëndronin duke ruajtur mos shqiptarët po iknin ose do të kundërshtonin, derisa çetniku po argëtohej. “Këta janë arnautë” më thotë një ushtar “tash do t’ i therë”.
Prej frikës u largova nga grupi. Nuk kishte kuptim të mundohesha t’i mbroja shqiptarët. Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë vetëm me një forcë të armatosur … Krejt kjo skenë po luhej në stacionin e trenit kur sapo erdhi treni. Ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjen e tyre për ndihmë...
Në qytet, nëpër rrugë ishte aq qetësi, sa dukej shkret. Të gjitha dyert ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pas dite. Me të rënë nata, çetnikët fillojnë punët e tyre. Futen dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve dhe kryejnë veprat e tyre të vrasjes dhe plaçkitjes. Shkupi kishte 60 mijë banorë nga të cilët gjysma ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur. Dhe tash, gjatë natës kundër tyre kryhen krime.
Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që do të shihej në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej se ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime....
Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos myslimanët fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë. Duke rrëfyer se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë duke plaçkitur. Kam biseduar me tre prej këtyre “torbarëve”. Më i riu prej tyre, një burrë i shkurtë i sojit të “trimave” lavdërohet sesi me pushkën e tij ka vrarë dy shqiptarë, por dy të tjerë i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar e vërtetonin rrëfimin e tij.
“Një gjë nuk është e mirë” ankohen ata. “Nuk kemi para me vete. Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj. Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopejkë). Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë të cilin e gjen. Përmes ushtarëve mund të marrësh një pendë qe për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vrajës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare me qëllim për të rrëmbyer gjithçka të gjejnë. Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare që kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare.
Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat të cilat i çarmatosin shqiptarët. Një ushtar pyet ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën meqë nuk kisha parë monedhë turke. Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerrë dukatin nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë.
Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë”, thotë njëri, “por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për të marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira”. Për bëmat e tyre ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta. Njerëzit nuk e kuptojnë se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës. Mund të shihet se deri në ç’ nivel njeriu varet nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë.
Një tog ushtarësh po marshonte rrugës kryesore të Shkupit. Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun për murin më të afërm dhe e pushkatuan në vend. Togu vazhdoi tutje ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë.
Atë mbrëmje në një pijetore kam takuar një oficer të cilin e njihja. Njësia e tij ka qenë e stacionuar në Ferizaj në qendrën e shqiptarëve, “Serbia e vjetër”. Me njerëzit e tij rreshteri ka tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë defilimit nga Koçani deri në Shkup. Ky top to t’i dërgohet ushtrisë e cila e cila ka rrethuar Edrenen.
“Çka po punon tani në Ferizaj mes shqiptarëve” e pyes. Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë” thotë duke bërë grimasa dhe hapur gojën nga lodhja. “Ka shumë njerëz të pasur mes tyre.
Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur me shtëpi sikur kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre bij. Ishin katër veta dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia i kemi radhitur gratë dhe ua kemi prerë burrat para syve të tyre. Gratë nuk kanë qarë. Na kanë lutur të futen në shtëpi dhe të marrin rrobat e tyre. I kemi lejuar. Ato pastaj na kanë dhënë nga një dhuratë. Pastaj ia kemi dhënë zjarrin tërë vendit...
“Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale”, - e pyes i çmeritur me rrëfimin e tij. “Nuk e di as vetë-mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikur e dini, komandanti iu urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin”.
Shumë gjëra si këto kanë ndodhur jo moti.
Derisa e kemi bartur atë top në Shkup gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra të mbuluar deri në brez. Përnjëherë kam nuhatur erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, po mendoja. E kam ndaluar qerren dhe i kam pyetur kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin duke u arsyetuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një magjup, i cili na tregoi se katër të plagosurit kishin marrë pjesë në luftime në Merdare. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kisha kuptuar kush ishin. “Zbritni” urdhërova. Kuptuan çka po iu them, por hezitonin. Çka të bësh? E kam vendosur bajonetën në pushkë dhe i kamë therur të katërtit....
E kam njohur atë njeri. Ka qenë kamerier në Kragujevc. Njeri pa ndonjë kualitet. Jo luftarak nga natyra. Kamerier, ashtu sikur të gjithë kamerierët në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar por u largua...
Dhe shikoni tash se në çka është kthyer.
“Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni pa bërë asnjë dallim”, bërtita, duke ndier një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar. Eprori u gjend në një situatë të vështirë. Duket sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta arsyetojë vetveten, i bindur dhe serioz kumtoi një frazë e cila hidhte edhe më shumë të zeza sesa kisha parë dhe dëgjuar.
“Jo. Kjo nuk është ashtu. Ne ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri më të ri se 12 vjet. Për çetnikët nuk të them asgjë me siguri. Ata janë krye në vete. Unë mund të iu siguroj për ushtarët. Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga mesi i të papunëve, të paaftëve, elementë të ligj dhe të pa vlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre me krimet, plaçkitjet dhe dhunën.
Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti ndihej jo mirë nga banalitetet e tilla të përgjakshme të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të ndërmarrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.
Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, nuk kisha lukth për t i duruar ato. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy se si bëhen gjërat e tilla, u fundosen. Tashmë kisha vetëm një dëshirë. Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në vagon. Po shikoja fushat e gjëra rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë gjerësia. Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flasë kur ju vetë i dini këto ide, vetëm ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fortë.
Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardë nga stacioni një kufomë me fes në kokë, më fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 5o jardë kah hekurudha po qëndronin dy rojtarë serbë, pjesë e forcave që po e ruanin hekurudhën. Me siguri se kjo ishte vepër e tyre.
Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë nga ky vend.
Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës ushtarët po hapnin një gropë të madhe. I pyes për çka po hapej ajo gropë. Më thanë se gropa po hapet për mish të prishur që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilën ishin stacionuar anash.
Ushtarët nuk e kishin marrë mishin që iu kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore madje edhe më shumë ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. Në atë kohë kam ngrënë më shumë mjaltë që u merrej shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime më thotë një ushtar, të cilin e njihja. Për çdo ditë ushtarët serbë thernin qe, dele, derra, pula të cilat i hanin dhe i gjuanin mbetjet anash. “Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë sipas do rregullave”.
Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen. “njerëzit mbi 12 vjet”... të gjithë janë brutalizuar, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore. Lufta po del në sipërfaqe si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet nëse shpalosni pak perden, e cila ri varur para veprave të trimërisë së ushtarëve... “Kievskaya Mysl” No. 355 23. dhjetor, 1912.
Trocki raporton për dhunën, gjenocidin dhe barbarinë që ushtronin aleatët sllavë kundër shqiptarëve, turqve dhe hebrenjve
Nga këto vise të çliruara, po vijnë lajme të këqija. Në fillim na kanë folur për brohoritjet e popullatës së çliruar, kanë mbajtur fjalime patriotike për administratorët e rinj. Por brohoritjet patriotike tashmë janë shuar. Prapa ka mbetur kaosi dhe e liga. Edhe para luftës, në Maqedoni ka pasur mjaftë elementë dezintegrues dhe anarki politike. Lufta kryengritëse dhe sulmet dinamike i kanë dhënë areal ushtarak këtyre elementeve dhe kanë fituar bindjen se gjithçka është e lejueshme. Përkohësisht lufta i ka dehur. Tash sërish kanë dalë në sipërfaqe krejtësisht të prishur nga përvoja e luftës. Më ka rënë në dorë një letër, të cilën e ka shkruar një zyrtar, i dërguar në Shtip, me qëllim për ta themeluar një filiale të Bankës Kombëtare. Letra është aq e qartë sa të tërën do ta jap në tërësi.
“Kam arritur para katër ditësh dhe tashmë jam penduar përse kam ardhur.
Këtu kam parë gjëra të tmerrshme. As që kam ëndërruar se gjëra të tilla janë mund të bëhen.
Në orën gjashtë të mbrëmjes qyteti vdes.
Shtëpitë e turqve dhe të hebrenjve, të cilat këtu përbëjnë gjysmën e qytetit krejtësisht janë të zbrazëta. Të gjitha dyqanet e asaj pjese të qytetit janë plaçkitur dhe janë djegur. Vrasje dhe plaçkitje ndodhin përditë. Kam parë me sytë e mi, se më 2 nëntor në mesditë, 20 deri 25 çetnikë plaçkitës kanë sulmuar një hebre të moshuar rreth 60 apo 70 vjeçar, të cilit ia kanë shtypur kokën. Unë fillova ta thërras policinë. “Kapeni, edhe ky është hebre”, thanë ata. Filluan të më ndjekin dhe u detyrova të ikë. U mbylla në katin e parë të dhomës sime, nxora revolen ashtu sikurse edhe pronari i banesës ku po banoja. Plaçkitësit filluan të shtynin dyert, por dera kryesore ishte shumë e fortë. Gruaja ime e cila kishte mbetur jashtë po mundohej të fshihej në podrum. Kur ndjekësit u bindën se unë nuk jam aty, u tërhoqën. Kam lajmëruar prefektin, shefit e policisë dhe komandantin e kryengritësve. Pas një orë, 12 apo 15 anëtarë nga kreu erdhën në dhomën time. U vërtetua pa ndonjë vështirësi se kush e kishte mbytur dhunshëm plakun hebre. Ishin disa kryengritës të njohur të sapo pranuar në radha. Asnjëri prej tyre nuk është dënuar. Këtu nuk ka ushtri dhe këta “kryengritësit” e kanë në dorë situatën. Disa prijës të këtyre kryengritësve, gjatë kësaj periudhe kanë grabitur pasuri dhe të holla me vlerë deri në 4 mijë lira ( një lirë vlen 23 franga). Në Radovishte, dyshohet se shefi i policisë lokale bashkëpunon fshehtas me këto banda.
Është një situatë e tmerrshme.
Kur shoh nganjëherë sesi janë gjymtuar fshatarët paqësorë, sesi iu është marrë pasuria, ndërsa fëmijët e gratë e tyre janë lënë të vdesin urie, zemra më lëngon nga dhembja. Në mes të Radovishtit dhe Shtipit ndodhen mbi 2000 të ikur, shumica prej tyre gra e fëmijë kanë vdekur urie. Plaku 70-vjeçar me kokë të shtypur, mijëra gra e fëmijë të vdekur urie, kryengritësit revolucionarë të degjeneruar në banda, shefi i policisë mbrojtës i plaçkitësve, kjo është pasqyra e jetës në një krahinë të çliruar.
Kufizimi për vetëpërmbajtje është definuar keq, ndërsa mundësia e pasurimit të shpejtë është mjaft sfiduese. Ja fjalët e një anonimi. “Një zyrtar i shkruan tjetrit”.. Toka mund të blihet shumë lirë, sidomos në Ovce Polje. Turqit, ( është fjala për shqiptarët, meqë turq nuk kishte nëpër fshatra, por jo të gjithë zyrtarët e vërenin këtë dallim) kanë ikur dhe i kanë lënë shkret pasuritë e tyre dhe grabitja e pasurive të tyre po bëhet me shpejtësi. Njerëzit largpamës tashmë kanë zbuluar rrugët që shpijnë në këto vise, ata hulumtojnë dhe po nuhasin mundësi të tjera. Shumë ushtarë bullgarë mendojnë, jo pa leje nga lartë, se tokat do t’u jepen atyre. Në ditët e lira ata hulumtojnë tokat më të mira dhe fillojnë të vendosin kufijtë... Këta burra po gabohen. Ata do të sjellin nëpër shtëpitë e tyre ndonjë turk invalid apo bjerrakohës, për t’ i shërbyer deri në fund të jetës.
Tokat po i marrin politikanët e pasur e largpamës. Sot pronat e reja janë të paluajtshme, kufiri është vendosur. Për pak kohë do të fillojë lufta e ashpër qytetare, lufta qytetare në të cilën kryengritësit duhet ta thonë fjalën e tyre të fundit. Por mbi të gjitha vendosja e rendit në “viset e tyre” do të bëhet një peshë tjetër popullit punëtor të Bullgarisë.
Protesta e Leon Trockit kundër Qeverisës ruse, e cila ishte frymëzuese dhe bashkëfajtore e krimeve të kryera nga Aleanca e shteteve sllave të Ballkanit kundër shqiptarëve
Një pyetje jashtëparlamentare z. N. Milukov *
Zotëri deputet! Ju jeni njëri nga inspiruesit e asaj që njihet si “Lëvizje pansllave”, e cila bazohet në principet e përgjithshme të qytetërimit, humanizmit dhe çlirimit kombëtar. Ju shumë shpesh si në shtyp ashtu edhe foltoren e Dumës, i keni bindur aleatët, dinastitë dhe klikat e tyre, të cilat e sundojnë Ballkanin, lidhur me simpatitë që ata kanë për shoqërinë ruse dhe për fushatën që ata kanë ndërmarrë për “çlirim”.
Jo moti, pas ndërprerjes së zjarrit ju keni ndërmarrë një udhëtim politik nëpër Ballkan. Keni vajtur nëpër krahina, dhe çka është më e rëndësishme, keni vizituar krahinat, të cilat janë pushtuar nga aleatët.
Gjatë udhëtimeve Tuaja a thua a nuk keni dëgjuar për këto akte të mizorisë dhe brutalitetit, të cilat i kanë kryer disa nga aleatët në zonat Tuaja të luftimeve, jo vetëm kundër ushtarëve të paarmatosur turq, kundër robërve dhe të plagosurve, mirëpo edhe kundër popullatës paqësore myslimane, kundër pleqve e plakave dhe kundër fëmijëve. Nëse keni dëgjuar, dhe nuk mund të mos keni dëgjuar, atëherë përse heshtni. Përse hesht fjala juaj?
Faktet e pamohueshme a nuk ju kanë detyruar të kuptoni se bullgarët në Maqedoni dhe në Serbinë e Vjetër, në turrin e tyre kombëtar për të përmirësuar të dhënat për statistikat etnografike, të cilat nuk janë sipas shijes së tyre, ata thjesht po angazhohen për të shfarosur në mënyrë sistematike popullatën myslimane nëpër fshatra, në qytete dhe në rrethe.
Çka keni për të thënë lidhur me këto metoda për të siguruar fitoren e elementit sllav? A nuk do të pajtoheni se heshtja nga i tërë shtypi juaj shtetëror, nga gjarpri i patriotizmit “Novoje Vremja” , pastaj “Ruskaja Molva”, “Ruskoje Slovo” dhe “Reç” të cilat gjithnjë vazhdojnë të tregohen më të përkushtuara, dhe kjo marrëveshje e brendshme e të gjithë juve për të heshtur, a nuk iu bën juve bashkëfajtorë për këto akte shtazarake, të cilat do të lënë damka të zeza për tërë epokën?
Në rrethana të tilla, protestat tuaja kundër veprimeve të shëmtuara turke, të cilat nuk i mohoj, a nuk janë të njëjta me veprimet fariseje: që rrjedhin jo nga principet e përgjithshme të kulturës dhe humanizmit, por nga kalkulimet lakuriqe imperialiste?
A thua a nuk e keni të qartë se heshtja e tillë e “partive udhëheqëse të Rusisë” kundrejt veprimeve çmeritëse serbe e bullgare, tani kur aleatët ballkanikë kanë rifilluar operacionet ushtarake, i lehtëson këto të fundit që të angazhohen në veprat e tyre Kainiste, në masakra të tjera kundër popujve të “Gjysmëhënës” në interes të “kulturës” së Krishtit?
A mund të përgjigjeni në këto pyetje të qarta dhe të thjeshta, zotëri deputet?
Apo ndoshta ju jeni mësuar të llogaritni vetëm sa bëjnë dy e dy, dhe të konstatoni se prijësit janë fajtorë... Kjo letër proteste e Trockit është botuar në Gazetën “Luç” Nr. 34 (110) 30. Janar, 1913.
* Pavel Nikolajeviç Miljukov (1859-1943), ka qenë historian, i njohur për orientimin e tij sllavofil dhe figurë politike. Themelues dhe udhëheqës i Partisë kryesore Liberale Ruse, redaktor i gazetës “Reç” dhe udhëheqës i delegacionit të Kadetëve në Dumën e Katërt, në kohën kur Trocki i ka drejtuar këtë protestë.
• Këtë shkrim e përgatiti për botim: Ahmet Qeriqi, drejtor i Radios Kosova e Lirë.
Portreti i Kasapit të Ballkanit-Sllobodan Millosheviqi
Sllobodan Millosheviqi u lind me 20 gusht 1941, në Pozharevc. I ati ishte pop, ndërsa e ëma mësuese me bindje komuniste. Ata janë ndarë qysh herët dhe që të dy kanë përfunduar me vetëvrasje. Poashtu ka përfunduar edhe xhaxhai i tij, një gjeneral i shërbimit të zbulimit.
S. Millosheviqi shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Pozharevc, ndërsa fakultetin e drejtësisë në Beograd, në vitin 1964.
Si nxënës i gjimnazit ka qenë redaktor përgjegjës i gazetës së shkollës, si student sekretar i komitetit të LK për Fakultetin Juridik, pastaj edhe sekretar i Komitetit të LK për Universitetin e Beogradit.
Është i martuar me shoqen e shkollës, Mirjana Markoviq, profesore e sociologjisë dhe kryetare e partisë JUL (E majta jugosllave), e cila ishte në koalicion me SPS-in partinë e të shoqit kur ishte në pushtet. M. Markoviq rrjedh nga një familje e njohur komuniste serbe. E ëma, gjersa kjo ishte foshnje, është pushkatuar nga gjermanët dhe, më vonë, është akuzuar nga shokët e saj se në pamundësi t'u përballojë torturave ka tradhtuar.
SM me aktivitet politik profesional ka filluar të merret me 1984.
Çifti Millosheviq-Markoviq ka dy fëmijë, Marinë e Markon. E para është e shkurorëzuar dhe merrej me gazetari, ka udhëhequr një radio e televizion privat, ndërsa i biri është marrë me ngarjen e automobilëve të shpejtë dhe së fundi me biznes. Ky ishte i lidhur në mënyrë të drejpërdrejtë me grupimin mafioz që udhëhiqte me të gjitha kanalet e trafikut dhe kontrabandës të cigareve, të naftës, të drogës etj. në Ballkan.
Millosheviqi si 18 vjeçarë është pranuar në LKJ. Krahas kësaj ai ka marrë gradën e kapitenit rezervë të APJ-së. Flet gjuhën angleze, gjer më tani ka botuar librin "Vitet e çnyjimit", 1989, në të cilën përfshihen fjalimet e tij gjatë kohës së ardhjes në pushtet. Libri është përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Karrierën e tij politike e ka filluar në Komitetin e Lidhjes komuniste për Universitetin e Beogradit, ku prej vitit 1963 deri me 1966 ka punuar si sekretar, duke udhëhequr komisionin për çështje ideologjike. Pastaj tri vite ka qenë këshilltar i kryetarit të komunës së Beogradit për çështje ekonomike dhe udhëheqës i shërbimit të sistemit të informacionit në Beograd. Prej vitit 1969 deri në 1973 ka qenë zëvendës i drejtorit të përgjithshëm në ndërrmarrjen e njohur "Tehnogas", e pastaj pesë vite si drejtor i përgjithshëm i saj.
"Tehnogas" për shumë kuadro serbë ka shërbyer si trampolinë për ngjitje të rrufeshme në pushtet.
Pastaj gjer në vitin 1983 ka punuar në Bankën e Beogradit, një kohë edhe në filialin e saj në New York.
Para emërimit si kryetar i komitetit të Lidhjes Komuniste për Beogradin, në prill të vitit 1984, funksion kyç në hierarkinë e atëhershme, ka punuar në kryesinë e Komitetit Qëndror të LK të Serbisë.
Kryetar i KQ të LK të Serbisë është zgjedhur në maj të vitit 1986.
Në mbledhjen e 8-të të KQ të LK, mbajtur më 23-24 shtator 1987, fraksioni i S. Millosheviqit ka fituar mbi krahun e "moderuar" të ish-mikut të tij, Ivan Stamboliq. Në të vërtetë shpatat thyheshin lidhur me Kosovën, dhe jo për qëllimin e fundit, pra heqjen e autonomisë me çdo kusht, sepse ai ishte i njëjtë, por thjesht për mënyrën se si të arrihet gjer aty. Stamboliqi ishte shumë më dinak e më me përvojë dhe preferonte metodat e "buta", pa zhurmë, por me efekt të njëjtë.
Në maj të vitit 1989, pasi ishte suprimuar autonomia e Kosovës, Kuvendi i Serbisë emëroi Millosheviqin kryetar të kryesisë së Serbisë.
Në zgjedhjet e para shumëpartiake presidenciale në Serbi, më 9 dhjetor 1990, si përfaqësues i Partisë Socialiste të Serbisë (ish- LK dhe LSPP e Serbisë), Millosheviqi fitoi bindshëm dhe u bë kryetar i Serbisë. Përsëri është rizgjedhur si kryetar i Serbisë në vitin 1993, ndërsa më 15 korrik 1997 është zgjedhur Kryetar i të ashtuquajturës RFJ. Në këtë funksion ka qëndruar der më 5 tetor 2000, kur humbi zgjedhjet.
Millosheviqi nuk u bë rastësisht lider i serbëve. Ai doli në skenë, apo thënë më mirë e nxorën në skenë shtresat dhe institucionet që përbëjnë themelet e shtetit serb: klasa politike, inteligjencia, kisha, ushtria dhe policia. Ishte kohë e përthyemjeve të mëdha. Elita serbe ishte përcaktuar për rivendosjen e plotë të hegjemonisë serbe në federatë, në radhë të parë duke suprimuar autonominë e Kosovës, Vojvodinës dhe duke ndërruar udhëheqjen federaliste të Malit të Zi. Prandaj kishte nevojë për një prijës të ri e energjik dhe të pakompleksuar, gjegjësisht të padalë nga sqetullat e Titos.
2. Familja
Çifti Markoviq-Millosheviq, është një mpleksje organizative-politike-intelektuale, në të cilën ndikim themelor kishte Mirjana. Ajo ka shkruar të gjitha fjalimet e të shoqit gjatë ngritjes së tij në pushtet. Ia ka krijuar rrethin familjar nga të gjitha qarqet e mundshme: profesorë të universitetit, gjeneral, bankierë, gazetarë, politikanë, gangsterë të kalibrave më të mëdhenj, me të cilët ka formuar partinë e saj e majta e bashkuar jugosllave.
Fjala është për një rrjet të tërë me ndikim në gjithë jetën e vendit: media, diplomaci, shërbim të zbulimit, ushtri, nëntokë etj.
Në sajë të këtyre lidhjeve, përmes të birit, Markos, klani i Millosheviqit ka grumbulluar një kapital të rëndësishëm përmes shvercit dhe formave të ndryshme të plaçkitjeve. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit Millosheviqi përmes bankave të Qipros etj., ka pastruar rreth 4 miliardë dollarë.
I biri qysh 20 vjeçar ka hapur në Pozharevc diskotekën "Madona", më të madhen në Ballkan, pastaj një radio lokale, një shitore buke e pizeri që punon non-stop, një shitore telefonash, si dhe një fushë argëtimi për fëmijët, "Bambi park" që "ishte ndërtuar gjatë kohës së bombardimeve në Pozharevc".
Vajza, Marija kishte të vetin Radio e TV Koshavën që emetonte nga njëra prej ndërtesave më luksoze dhe më të shtrenjta të Beogradit.
Pas një vistër fejesash e martesash të pasuksesshme, Marija ka bashkëjetuar me Haxhikostiqin, padronin e shtëpisë informative "Politika".
3. Fjalimet
Në kohën e ndërrimit të brezave në hierarkinë komuniste serbe, S. Millosheviqi solli një risi në oratorinë politike: ishte i qartë, konciz, cinik e i paskrupull, përdorte fjalor modern dhe konkret, jashtë floskulave ideologjike e të lodhshme dhe në mënyrë të zhdërvjelltë i ndryshonte tezat:
Serbia duhet të bëhet republikë si edhe republikat e tjera.
Ne duhet t'i mbrojmë në Kosovë të gjithë njerëzit, por parasegjithash ata që i janë ekspozuar diskriminimit, keqtrajtimit dhe poshtërimit, e ata siç e di i gjithë opinioni i Jugosllavisë janë serbët dhe malazezët.
Ata (serbët) i janë ekspozuar një presioni të tillë fizik, ekonomik, politik dhe kulturor që në vendet e zhvilluara të Evropës më nuk ndodh.
Përdhunimi i fëmijëve, poshtrimi i pleqve është mjerimi i familjeve serbe në Kosovë, por edhe turp për shqiptarët para syve të të cilëve ndodhin këto dhe ata nuk i dalin në udhë!
Serbia nuk ka në plan të heqë dorë nga qëllimi për t'u bërë Republikë. Forcat jashtë saj, të cilat duke shfrytëzuar specificitetin e saj, që t'i mohojnë këtë të drejtë, pra që të jetë Republikë. Le ta dijnë se ai argumentim nuk kalon në Serbi…
Në mars të vitit 1988, Millosheviqi në një dolli ngritur për nder të Gorbaçovit, thotë:
Ne në Serbi intensivisht po kërkojmë zgjidhje për vështirësitë që kemi. Së pari po lirohemi nga bllokadat ekonomike dhe disa praktika negative kushtetuese dhe sidomos nga pasojat e kundërevolucionit në Kosovë.
Në prag të ndryshimeve të Kushtetutës, apo thënë me mirë të aplikimit të Kushtetutës së tankeve, Millosheviqi mban edhe këtë fjalim:
… Nacionalizmi shqiptar po bën presion fizik, politik, kulturor, para se gjithash mbi serbët e malazezët, çfarë nuk i njohim shembull në Evropën e sotme…
Në krejt Kosovën, mes gjithë qytetarëve është bërë dominuese klima e mosdurimit, mosbesimit, një tension i vazhdueshëm, të cilin askush nuk mund ta evitojë, e që rëndon mbi çdo popull, mbi çdo familje, mbi çdo njeri.
4. Fajësia kolektive
Millosheviqi ka treguar aftësi për të mbajtur pranë faktorët kryesorë politikë në vend, në mënyrë që për çdo vendim të rëndësishëm për shtetin dhe popullin serb të ketë mbështetjen e shumicës absolute në opinion dhe në parlament.
Tingëllon çuditshëm, por është e pamohueshme se jo pak veprime të kreut serb, në plan afatgjatë, kanë qenë të drejtuara kundër interesave të popullit serb. Ta zëmë shkatërrimi i Jugosllavisë, ku ata kanë dominuar dukshëm në të gjithë zërat e jetës etj. Por në të gjitha veprimet, madje edhe në aktet e pashembullta të barbarisë, Millosheviqi dhe suita e tij kanë pasur mbështetjen absolute të shumicës dërrmuese të popullit serb.
Pikërisht kjo shpjegon për përmasat habitëse të mentalitetit racist që është ngulitur në mendjen e një pjese të mirë të popullit serb.
SM është treguar mjeshtër i taktikës. Për të arritur qëllimin ai ka vënë në lëvizje gjithë potencialin serb, përfshirë këtu fashistët e Sheshelit dhe bandat e mafias që i udhëheqite Arkani.
Kjo del dhe nga një shënim zyrtar në prag të zgjedhjeve të vitit 1991:
Shënim nga takimi i punës lidhur me strategjinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet plotësuese për Kuvendin e Serbisë në njësinë zgjedhore në Rakovicë, 30 maj 1991
1. Si kandidat i Partisë Socialiste të caktohet Karaklajiq. Të dhënat kompromentuese për Karaklajiqin dhe faktin se ai ndiqet penalisht të shpërndahen përmes Kanalit të pavarur televiziv Studio B.
2. Punën operative në njësinë zgjedhore dhe kontaktet me përfaqësuesit e Partisë Radikale Serbe, do ta udhëheqë dr. Bozhidar Jeliçiq. Të organizohet vetëm një takim promovues dhe në të të dërgohet një folës i paaftë nga këshilli i PS për Beogradin, mundësisht Nada Popoviq ose Dushan Matkoviq, që janë të kompromentuar. Në këtë takim simpatizuesit e Sheshelit do të bëjnë provokime.
3. Edicionet e gazetës "Politika" do të organizojnë fushatë në favor të Sheshelit. Këtë do ta organizojnë gazetarët Stevan Zec dhe Branko Gjurica. Për kompromentimin e kandidatëve të tjerë t'i drejtoheni Slobodan Jovaniqit (Kryeredaktor i Politika expres) dhe njerëzve që ai ju sygjeron. Në javën e fundit të fushatës të përdoret RTV "Politika".
4. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit për Beogradin do të organizojë gjer në fund të fushatës shërbimin përgjues për të përcjellë funksionarët e partive të Drashkoviqit dhe Gjingjiqit, ndërsa në shtabet zgjedhore të këtyre partive të futen urithët. Më 9 qershor, në prag të zgjedhjeve, policia nuk do të pengojë vandalët e Sheshelit kur ata do t'ua prishin mitingjet e partive opozitare.
Për të gjitha masat e ndërmarra të informohet shefi i kabinetit të Kryetarit të Republikës.
Koordinimin e të gjithë sektorëve e merr Novica Vujiq, i cili është gjithashtu përgjegjës për çështje të zbulimit dhe kriptimit.
Marrë nga libri i Stipe Mesiq "Si u shkatërrua Jugosllavia"
5. Dosja e bisedave telefonike
Revista kroate "Globus", botoi muajin e kaluar bisedat telefonike që SM ka pasur me familjen, me bashkëpunëtorët e tij, por edhe me personalitetet më të njohura të botës. Pjesët e bisedave që i botoi "Globus" ishin marrë nga një dosje tejet sekrete e shërbimit informativ kroat, sektori i përgjimit elektronik.
Në këto biseda, që mund të merren si të besueshme, SM flet me të birin e tij se si ky i fundit ka në plan të operojë veshët, sepse i duken të mëdhenj, se si ka vendosur të ndërrojë të 29 dhëmbët e gojës, se qeni i të bijës komunikon me të zonjën sikur të ishte njeri (Mami, Zelda (kudra e saj) më ka thënë: Mos ma rrëno kasollën, të lutem!), se si e shoqja e quan SM lepojkoviq (bukurosh), se si ai e quan te shoqen bebe, se si i biri ka ngrohur pishinën personale deri në 38 gradë celzius dhe është larë deri sa e ka marrë uria, se si ka nevojë për revole të një kalibri sa më të madh për t'u mbrojtur nga rivalët e tij po ashtu të kriminalizuar; se si SM në telefon me të vëllain, Borisllavin, ambassador në Moskë, kanë sharë si huliganë; se si në një mbledhje, ku kanë marrë pjesë të gjithë funksionarët e komunave të Serbisë, ai ka thënë për kroatët e sllovenët: neka idu u piçku mater (le të shkojnë në pts); se si francezët janë aleatë por edhe pedera; se si dashnorja e të birit, Milica, kërkon nga shefja e JUL-it që të jetë sa më shpesh me të në shtrat. Këto biseda bëhen në një kohë kur miliona njerëz, popuj të tërë përpëliteshin nën çizmën e hekurt të kryeprotoganistit të këtyre bisedave.
Poashtu si dhe mbrojta e tij në gjykatore, pyetjet kryqëzore gjatë procesit edhe këto biseda telefonike dëshmojnë se nuk është fjala për një psikopat, për një njeri të sëmurë, për një njeri që çdo gjë e vë në shërbim të karrierës së tij. Përkundrazi. Dëshmon për prijësin serb, "njeri krejt normal" që është në shërbim të një synimi të qartë, për realizimin e të cilit ai ka vepruar me të gjitha energjitë e veta.
6. Deklarata për Kryebarbarin
"Portretet e mëparshme të Millosheviqit kanë evidentuar edhe dinakërinë dhe zemërgurësinë e tij, por edhe prakticitetin dhe karizmën. Pasqyrimet e negociatave të paqes të vitit 1995 në media vinin në dukje se si Millosheviçi u bënte serenata negociatorëve amerikanë, pinte wiski Johnnie Walker, shante duke përdorur epitete amerikane plot kolori, shprehej me një oratori të fryrë për dashurinë e tij për Nwe York-un, për pamjet dhe aromat e tij, shijonte kafenë amerikane dhe, kur u arritën kompromiset e vështira, bëri sikur i mbylli paksa sytë dhe nuk nxori zë. Atë kohë Millosheviçi të krijonte imazhin, gjë që mbështetej edhe nga Ambasadori Riçard Hollbruk, e një lideri me të cilin Shtetet e Bashkuara mund të arsyetonin dhe të negocionin. Marti Ahtisari i Finlandës (një nga arkitektët e marrëveshjes së paqes për Kosovën) i karakterizoi negociatat e fundit për Kosovën si "efikase" dhe fotot e lajmeve të kohëve të fundit të Millosheviçit nxjerrin në pah një lider që shfaqet buzagaz, i patrazuar, në kontroll të vetvetes dhe të ngjarjeve që e rrethojnë. Sharmi i Millosheviçit i ka rrënjët në mashtrim, pasi magjepsja e tij është e ligë, është ajo e një njeriu që ish-Ambasadori i SHBA, Uorrën Zimerman e ka quajtur "batakçiu më pehlivan i Ballkanit" si dhe "një njeri me një gjakftohtësi të llahtarshme". Millosheviqin e kanë quajtur edhe "aparatçik" dhe e kanë damkosur me nofkën 'Kasapi i Ballkanit'. "
"…Elasticiteti i tij politik dhe aftësia e tij për t'i rikthyer në qeveri kolegët e tij të pushuar nga puna, të tillë si Vojislav Shesheli dhe Vuk Drashkoviçi, janë vërtet të jashtëzakonshme. Millosheviçi e ka përdorur përherë me mjeshtëri politikën e frikës dhe të propagandës në një mënyrë që e zbulojnë atë njeri më shumë si një llogaritës pragmatist, sesa si një ideolog vizionar. Duke përdorur gjuhën e mitologjisë për të ushqyer urrejtjen etnike, Millosheviçi gjithnjë ka shfrytëzuar mjeshtërisht formalitetet ligjore, të gërshetuara me një kontroll thuajse absolut mbi mediat, për të arritur dhe çuar në maksimum pozitën e tij politike.
Duke qenë një manipulues mjeshtër i imazheve, Millosheviçi arriti ta shndërronte veten e tij gjatë fushatës së NATO-s nga një spastrues etnik i Kosovës, në një martir-hero i Beogradit duke e identifikuar veten me Princ Llazarin. Gjatë krizës së Kosovës, ai manipuloi me zotësi si mediat perëndimore, edhe opinionin e brendshëm jugosllav duke shfrytëzuar mjeshtërisht viktimat civile të bombardimeve të NATO-s dhe duke e drejtuar vëmendjen te civilët serbë të gjymtuar dhe të vrarë në spitale, shkolla e qendra të populluara.
Pasi Millosheviçi më në fund ra dakord me kushtet e NATO-s, shumë serbë kapitulimin konkret e festuan duke shpallur fitoren. Millosheviçi përgëzoi kurajën e popullit serb duke deklaruar se ai arriti ta ruante sovranitetin e Kosovës dhe se çështja e autonomisë së Kosovës nuk ishte më në rendin e ditës.
Politikat e Millosheviçit, të mbushura me mbeturinat e mitologjisë nacionaliste, një ditë mund të shihen nga populli serb si një dredhi e mbushur me mizori e vuajtje.
Indiferenca e tij ndaj vuajtjeve të të tjerëve, përfshirë vuajtjet e popullit të tij, të lë pa mend. Megjithatë, Millosheviçi është një manipulues dinak dhe karakterizohet dukshëm nga aftësia e durimit.
Periudha e qëndrimit të Millosheviçit në detyrë ka lënë pas një tragë të mbushur me vrasje të pandriçuara personash të rangut të lartë, që kanë patur lidhje qoftë me të, qoftë me familjen e tij.
Për Sllobodan Millosheviçin, paqja është kriza e rrezikshme e gjithçkaje. Vetëm atëherë për të ekziston rreziku që populli serb mund ta dorëzojë atë njeri edhe në sallën e drejtësisë, edhe në librat e historisë në mënyrë që ai të mos mundë, edhe njëherë, t'ia dorëzojë Ballkanin flakëve të vizioneve të tij të liga dhe apokaliptike. "
"Sllobodan Millosheviqi, për mendimin tim, është politikani serb që këto 5 dekadat e fundit ka bërë më së shumti për popullin serb."- Dobrica Qosiq.
"Zoti Millosheviq është i pari dhe i fundit politikan, i cili në mes të Jugosllavisë antiserbe ka bërë diçka të mirë dhe të madhe për Serbinë." - Milorad Paviq.
"Nëse Sllobodan Millosheviqi është në masën më të madhe përgjegjës për vënien e raporteve të barabarta, dhe nëse ka kontribuar në shkatërrimin e Jugosllavisë së padrejtë e absurde të Brioneve, e cila ishte e mirëseardhur vetëm për kroatët dhe sllovenët që ishin të privilegjuar, atëherë mund të merret me mend pse është bërë objekt i urrejtjes dhe satanizimit." - Mihailo Markoviq
Autorët e këtyre deklaratave me dekada të tëra kanë qenë dha vazhdojnë të jenë maja e elitës intelektuale të kombit serb.
7. Bashkëfajtorët
Me shpërthimin e luftës së fundit në Ballkan, Serbia ishte shumë e përgatitur në rrafshin ushtarak, diplomatik e informativ. Ajo vuri në lëvizje të gjitha lidhjet e vjetra, angazhoi një numër të madh diplomatësh, gazetarësh e informatorësh, përfshirë këtu edhe gejshet e njohura serbe, që u vunë në shërbim të agresionit serb.
Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti se shtetar kyç si Miterani, Meixheri, De Mikelisi, Keringtoni, Oweni, përndryshe mik i familjes së Millosheviqit, e plot të tjerë vërtiteshin nga Millosheviqi dhe për shumë kohë kanë qenë avokatë të mirë të veprimeve të tij kriminale.
Diplomacia ndërkombëtare e udhëhequr nga personalitete të dobëta, edhe pse dihej se, ta zëmë, masakrimi i më se 8'000 burrave të Srebrenicës ishte bërë me dijen dhe me urdhërin e kasapit të Ballkanit, ka lejuar që shtetarët dhe diplomatët e të gjitha niveleve ta takonin dhe të vazhdonin ta konsiderojnë personalitet të pazëvendësushëm për të bërë paqen!
Kjo praktikë e shëmtuar që imponohej nga evropianët dhe i vinte në pozitë të palakmueshme amerikanët sa herë që donin ta ndëshkonin Serbinë, ndryshoi me ardhjen në pushtet të Chirakut, i cili e kuptoi se Franca nuk duhej të përpinte edhe më tej broçkullat e përgjakshme serbe dhe sidomos me daljen në skenë të një personaliteti me përmasa planetare si Toni Blair.
8. Rënia
Edhe pas bombardimeve të NATO-s, Millosheviqi kontrollonte lehtësisht shtetasit dhe shtetin serb. Thjeshtë sepse kontrollonte çdo gjë dhe se numri i bashkfajtorëve ishte tmerrësisht i madh dhe dominues në të gjitha shtresat dhe strukturat e vendit.
Opozita ishte e përçarë dhe lehtë e manipulueshme, sa që perëndimorët, amerikanët në radhë të parë, kishin problem se ku të mbështeten për ta rrëzuar nga pushteti kokën e kriminelëve. Prandaj ata u koncentruan në mbështetjen e Gjukanoviqit dhe në pavarësimin e tij gjithnjë më të madh. Ndërsa në planin e brendshëm, sidomos në vitin 2000 iu futën konsolidimit të opozitës dhe nxjerrjes në pah të të rinjve, sidomos të atyre të mbledhur rreth organizatës "Otpor" (Qëndresa). Në prag të mbajtjes zgjedhjeve të shtatorit të vitit 2000, amerikanët organizuan një seminar në Hungari, ku merrnin pjesë shumë të rinj të "Otporit". Aty ata u stërvitën se si të përballen me regjimin e Millosheviqit. Stërvitja ishte aq intensive dhe aq efikase, sa që njëri prej pjesëmarrësve në një moment tha: "Gotov je!" (Ka mbaruar!) Mendohej në Millosheviqin. Kjo u bë parulla kryesore e "Otporit" gjatë gjithë vitit 2000.
Menjëherë pas zgjedhjeve, Otpori dhe opozita e bashkuar (DOS), filluan të nxjerrin në pah shembuj të qenë e të paqenë të falsifikimit të votave dhe të thonë se kanë fituar zgjedhjet. Regjimi i stepur nga një gjendje e tillë, ishte për përsëritjen e zgjedhjeve.
Serbia ishte në prag të luftës qytetare. Ndërkaq presioni i përendimorëve, i amerikanëve kryesisht, u rrit. Shërbimet informative perëndimore vunë në lëvizje gjithë rrjetin e tyre në Serbi dhe, falë kësaj, brenda strukturave të shtetit, në ushtri, në polici dhe në gjyqin kushtetues u krijuan të çara të pariparueshme. Ushtria nuk intervenoi kundër opozitës që vërshoi Beogradin dhe u fut në Kuvend, policia, elita e saj e njohur si Beretat e kuqe, që udhëhiqeshin nga Ulemeku, i njohur si komandanti Legia, gjithashtu nuk iu përmbajt urdhërave për sulm mbi opozitën (Fjala është për njësi që kishin kryer krime të llahtarshme në Kroaci, po sidomos në Bosnje dhe në Kosovë). Ndërkaq Gjykata Kushtetuese pranoi se zgjedhjet i kishte fituar opozita.
Kur ia kumtuan këtë vendim Millosheviqit, ai tha: "Pra unë nuk paskam se çka të rri më këtu". Veçse kërkoi nga Koshtunica që të mbetej për momentin në Beli Dvor, gjer në një akomodim tjetër. Por rënia tash kishte marrë shpejtësinë shkatërruese të gurit në rrokullisje:
5 muaj më vonë, konkretisht me 1 prill të vitit 201, njësitë e policisë speciale u futën në ambientet e vilës së tij në Dedinje. Njësitë e ushtrisë kundërshtuan arrestimin e Millosheviqit. Në negociata brendaserbe, më në fund, S. Millosheviqi u dorëzua dhe pranoi ta çojnë para gjykatësit hetues, por me akuzë për keqpërdorime financiare. Prej aty, drejt e në CZ (Centralni zatvor, Burgu Qendror), ku e mbajtën deri në Vidovdan.
Vidovdani (28 qershori), është një ditë ëmblematike në historinë serbe: Në këtë ditë është mbajtur Beteja e Kosovës më 1389 dhe më 1914 është vrarë në Sarajevë pretendenti i fronit austriak, në të njëjtën ditë Millosheviqi mbajti fjalimin e tij në Gazimestan…
Të njëjtën ditë, por 12 vjet më vonë, pas një presioni të fortë të Amerikës mbi autoritetet serbe, "Slobo Sloboda" u nxor nga CZ e Beogradit dhe u dërgua te një heliodrom, ku e priste një helikopteri i NATO-s. Aty ishte edhe një funksionar i Tribunalit, i cili, në mënyrën tipike perëndimore i drejtohet Kasapit të Ballkanit:
"A jeni ju Sllobodan Millosheviqi?"
Por cari i dikurshëm i Serbisë iu përgjegj vetëm të tretën herë me një "idi u piçku mater!"
Vetëm në fund pas insistimit të sekretarit të Tribunalit se a jeni ju Sllobodan Millosheviqi, ai përgjigjet:
"Yes, I am..."
Ky "Yes, I am…" i shqiptuar në një heliodrom të Beogradit, në rrugën e pakthim drejt Hagës, ishte fundi i Millosheviqit…
9 "Dubina 2" apo fshehja e gjurmëve të krimit
Pjesa e prapme e kamionfrigoriferit
Njëri prej argumenteve kryesore që Zyra e Prokurorit ka kundër Millosheviqit është dëshmia e pakundërshtueshme për urdhërin që SM ka dhënë për asanimin, "pastrimin" e terrenit, pra për zhdukjen e gjurmëve të krimit. Konkretisht asgjësimin edhe të trupit të viktimave. Kjo lidhet me një mbledhje që është mbajtur në Beli Dvor ( Pallati i Bardhë ), në zyrën e Millosheviqit menjëherë pas fillimit të bombardimeve, e në të cilën, krahas SM ka marrë pjesë Vlajko Stojilkoviq, ministër i brendshëm, Rade Markoviq, shef i UDB-së, Vlastimir Gjorgjeviq, shef i sigurimit publik, gjenerali Sreten Lukiq, komandat i të gjitha forcave të policisë në Kosovës, aktualisht ndihmësministër i policisë i Serbisë. Në këtë mbledhje është vendosur për ndërmarrjen e aksionit për asgjësimin e gjurmëve të krimeve e që mori emrin e koduar "Dubina 2", (Thellësia 2). Me këtë detyrë është ngarkuar gjenerali Dragan Iliq, i cili formoi grupin për aksionin e fshehjes së gjurmëve, ku për ndihmës emëroi edhe funksionarët e policisë Goran Radosavleviq dhe Novica Zdravkoviq.
Kjo ndoshta nuk do të dilte kurrë në shesh sikur ujërat e Danubit të mos nxirrnin në sipërfaqe njërën prej dëshmive më të tmershme të krimeve serbe, kamionfrigoriferin me 86 shqiptarë të masakruar prej tyre shumica dërrmuese gra, pleq dhe fëmijë. Në të vërtetë aty ishin 83 trupa të viktimave dhe tri koka pa trup. Kjo ndodhi në fshatin Teki, afër Klladovës jo larg grykës së Gjerdapit, më 5 prill të vitit 1999. Siç konstatuan organet serbe më vonë vetëm njëra prej viktimave kishte vdekur nga plumbi, gjithë të tjerët ishin mbytur në tortura!
Atë ditë peshkatarët panë frigoriferin që kishte dalë në stom. Menjëherë arrin policia, shpall rastin sekret shtetëror, rrethon vendin, ndërkaq punëtorët e ndërmarrjes së varrimeve i nxjerrin viktimat, i ngarkojnë në dy kamionë dhe i çojnë drejt Beogradit. Dëshmitarët e shumtë kanë parë gra ma dimija, fëmijë etj. dhe kanë konstatuar se viktimat janë shqiptarë, edhe pse policia ka deklaruar se janë turq, që gjoja janë përpjekur të kalojnë kufirin ilegalisht por kamioni ka rënë në ujë.
Sipas një dëshmitari që e citojnë mediat serbe kamionfrigoriferi pa tabela, por me reklamën e qartë se i takon ndërmarrjes "Progres" të Prizrenit është hedhur në lumë 12 kilometra më lartë, aty ku llogaritet se është thellësia më e madhe e Danubit (123m), por për shkak të gomave të pashfryera pas një kohe valët e kanë nxjerrë në stom.
Dëshmitarët pohojnë gjithashtu se ka pasur edhe kamion të tjerë, të paktën edhe dy, që janë hedhur, por që, si duket, pasi janë hedhur në lumë, për të humbur gjurmët më lehtë, janë shpartalluar me eksploziv. Edhe pjesë të atyre kamionëve dëshmitarët pohojnë se ka nxjerrë Danubi në breg.
Sipas Zonjës Natasha Kandiq, në mesin e këtyre viktimave duhet të kenë qenë edhe 16 anëtarët e familjes Berisha nga Suhareka që janë masakruar më 26 mars 1999, nga oficeri i UDB-së së Prizrenit, Misha Mishkoviq, i cili i ka mbyllur në një kafene të qytezës mbi 40 shqiptarë, shumica fëmijë e gra, dhe pastaj ua ka hedhur bombat brenda. Viktimat pastaj i kanë ngarkuar në një kamion. Prej tyre, duke u paraqitur si të vdekur kanë shpëtuar Vjollca Berisha, me djalin e saj Gramozin (8 vjeç) dhe një kushërirë.
Pas heqjes së SM nga pushteti, në kohën e përplasjeve të mëdha në kreun e Serbisë lidhur me presionet që bënte Perëndimi për të detyruar Beogradin të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës, në pranverë të vitit 2001, ministri serb i policisë, D. Mihailoviq e nxori në shesh llahtarinë e shtetit serb të njohur me kodin "Dubina 2". Më vonë doli se janë në pyetje shumë kamionë dhe se ishin zbuluar të paktën trupat e 900 viktimave shqiptare, të cilat ishin varrosur në gropa masive, në Batajnicë, pranë kazermës "13 Maji", të njësive të policisë speciale, afër Beogradit.
Krahas varrezave masive organet serbe një numër të konsiderueshëm viktimash i kanë varrosur në rrugën e re të Novi Sadit, dhe mbi varrezën masive kanë shtruar asfalt. Mbi to prej gati tri vjetësh kalojnë kamionët, veturat, qytetarët e shtetit serb!
Natasha Kandiq, drejtuese e Fondit për të Drejtën Humanitare, në një letër drejtuar qeverisë serbe, më 23 maj 2001, njofton se sipas informatave që i disponon edhe policia në liqenin te Kokin Brod, afër Novi Varosh-it, është dhe një kamionfrigorifer tjetër me trupat e viktimave nga Kosova.
Se me këtë veprimtari kriminale nuk është marrë vetëm policia, por edhe ushtria e dëshmon një dokument ushtarak me shënjën "poverlijvo" dhe me shifrën PrK (Korpusi i Prishtinës), nr. 61/14, datë 30 prill 1999, të nënshkruar nga komandanti i këtij korpusi, gjenerali Vladimir Lazareviq, aktualisht komandant i Armatës së Tretë serbe. Në dokumentin sekret thuhet:
"Në bazë të nenit 8, neni 11 e 17, të Ligjit për mbrojtjen (Fletorja zyrtare nr. 67/93), me qëllim të asanimit të terrenit dhe ekzekutimit të hetimeve, urdhëroj:
1. asanimin e vendluftimit pas veprimeve luftarake antiterroriste duhet ta bëjë njësia e cila është e caktuar për veprime luftarake antiterroriste, varësisht se a është bartës i atij aktiviteti njësia përkatëse e ushtrisë apo policisë."
JUSUF GËRVALLA: "NEVE NA VRAU UDB-a JUGOSLLAVE!"
Shkruan: Xhafer SHATRI
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka është një datë e trishtë në historinë e shqiptarëve. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet (tani 26 vjet - Sh.B), ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta. Fjala është për pjesëtarët e brezit që i vuri kazmën Jugosllavisë së fuqishme, vetëm me një synim: të çlirohet Kosova dhe territoret e tjera shqiptare në këtë ish-shtet.
Nëse ju rastis të vizitoni ndonjërin prej këtij brezi do të shihni se nëpër banesa akoma i mbajnë portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach. Ato portrete prej kohësh kanë statusin e ikonave. Për më tepër janë pjesë e rritjes, formimit dhe burrërimit të fëmijëve të tyre. Ky brez ende pyet dhe pyet: pse edhe pas kaq vjetesh, ky krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka mbetur i pandriçuar, ndërkohë që në inatet ndërshqiptare përplot emra janë lakuar si vrasës të mundshëm apo të sigurt?
1. Një Lëvizje e re përballë një shteti të vjetër
Në Kosovë, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pati filluar në përmasa të pabesueshme, radiologjia e diferencimit politik që nënkuptonte terrorizimin psiqik, largimin nga shkolla e nga puna, arrestimin, torturën dhe burgimin e gjatë. Shërbimet jugosllave përmes arrestimeve i kishin dhënë një grusht të rëndë Lëvizjes për pavarësi, mijëra njerëz ndodheshin nëpër burgje civile ose ushtarake; mbikëqyrej çdo gjo gjë e çdo kush. Elita politike duke qenë e papërgatitur për këto rrethana dhe e përçarë nuk mundi t'a përballojë presionin serb që mëtonte nënshtrimin definitiv të shqiptarëve. Në anën tjetër intelegjencia duke qenë krejt e papërgatitur dhe e pambrojtur u struk para rrezikut evident, kështu që politikën e shqiptarëve filluan ta bëjnë të rinjtë, që ende ishin me njërën këmbë në fëmijëri. Dhe kjo nuk ishte një politikë e madhe: aty këtu ndonjë trakt, ndonjë parullë, ndonjë revoltë e shkruar në letër, në mur ose në asfalt, po që përçonte një measazh të fuqishëm: kurrë nuk do të mund të na nënshtroni!
Në këto rrethana mërgata shqiptare përbënte një eshalon të veçantë të Lëvizjes për pavarësi. Përparësia e saj ishte se ajo ishte larg veprimit të drejtpërdrejtë të aparatit shtetëror, ishte prezente në vend, sepse një pjesë e madhe e mërgimtarëve qarkullonin rregullisht brenda e jashtë, kishte kontakte familjare e personale… Roli i saj ishte ndier në mënyrë të drejtpërdrejtë në prag, gjatë dhe pas demonstratave të vitit '81 përmes shtypit që përgatitej jashtë dhe shpërndahej brenda, përmes krijimit të rrjetit të organizimit etj.
I vetëdijshëm për rëndësinë e mërgatës shqiptare sektori i kryesisë së Jugosllavisë që koordinonte aktivitetin e gjithë sistemit të shërbimeve informative civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga slloveni Stane Dollanc, u përcaktua për një grusht shkallmues që do t'i jipej mërgatës, në mënyrë që ajo të shfaktorizohej njëherë e mirë.
Në këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Atentati u krye në kohën kur krejt aparati shtetëror i Jugosllavisë ishte përqëndruar në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare; atëherë kur Kosovës po i dërrmoheshin njëra pas tjetrës të gjitha të drejtat dhe institucionet vetanake që ishin fituar me shumë përpjekje e flijime.
Atentati pati pasoja të rënda sepse u krye kur shumë prijës të Lëvizjes për pavarësi, që vepronin ilegalisht ose gjysmilegalisht ishin arrestuar dhe kundër tyre ishin kryer ose përgatiteshin proceset politike. Veç të tjerash, kjo vrasje shkaktoi tronditje të mëdha edhe për faktin se u krye në një periudhë destabilizimi e krize të thellë politike në gjithë hapësirat shqiptare. Ngjarjet e Kosovës në Shqipëri patën efekt të drejtpërdrejtë , sepse çuan deri te konflikte të përgjakshme në vetë udhëheqjen e shtetit për politikën që ishte ndjekur apo që do të ndiqej aty e tutje. Këto trandje madje ndikuan në fundin tragjik të kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehu.
Duhet pasur gjithashtu parasysh se atentati në Gjermani ishte edhe përballje e organeve të shtetit jugosllav me organet e shtetit shqiptar, sepse në rrethanat që ishin krijuar në Kosovë për politikën e Shqipërisë viktimat e atentatit ishin gurë me peshë në luftën politike e diplomatike që do të bëhej aty e tutje.
2. Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë
Në atë kohë në mërgim vepronin shumë organizata. Që në krye duhet nënvizuar se mërgata e vjetër ishte rraskapitur madje edhe dërrmuar në përballjet e shërbimeve jugosllave me ato shqiptare që ishin bërë brenda saj. Por objekt i kësaj trajtese do të jenë ato grupime që mund të kishin një ndikim në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë. Atëherë në Evropën Perëndimore, konkretisht në Gjermani e Zvicër vepronin:
Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte vrarë në Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i Besëlidhjes, ndërsa në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin tjetër, Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik me orientim të djathtë dhe bashkëpunonte me mërgatën kroate.
Grupi komunist "Zëri i Kosovës", një qerthull që drejtohej nga Riza Salihu.
Fronti i Kuq Popullor, udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, dhe nxirrte gazetën "Bashkimi" (janë botuar 3 numra). Kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë.
Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës që nxirrte gazetën "Liria" (janë botuar 6 numra). Këtë organizatë në mërgim e udhëheqte Kadri Zeka. OMLK prej vitesh kishte aktivistët e saj në Zvicër.
Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla. Fillimisht Jusufi ka ndihmuar substancialisht nxjerrjen e gazetës "Bashkimi", pastaj ka nxjerrë gazetën "Lajmëtari i Lirisë" (gjithsej tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të LNÇKVSHJ-së gazetën "Zëri i Kosovës".
Gazetat e organizatave politike në perëndim
Pas shpërthimit të demonstratave të vitit '81 u bënë përpjekje për bashkimin e disa prej këtyre organizatave, konkretisht mes atyre që kishin udhëheqje politike brenda, pra OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së.
Përpjekjet për bashkim janë bërë në Kosovë dhe në mërgim. Bisedimet për bashkimin e organizatave janë vonuar e vështirësuar për shkak të veprimit në ilegalitet dhe të rrethanave që u krijuan pas arrestimeve të mëdha gjatë gjithë vitit të demonstratave. Një takim i mbajtur në Stamboll, në tetor të vitit 1981, e në të cilin kishin marrë pjesë në një anë, Kadri Zeka si përfaqësues i OMLK-së, dhe në anën tjetër Sabri Novosella e Bardhosh Gërvalla, si përfaqësues të LNÇVSHJ-së kishte dështuar jo vetëm për shkak të dallimeve konceptuale. Bisedimet për bashkim të këtyre organizatave nuk mund të përjashtoheshin nga rrethanat shqiptare dhe rajonale, sepse organet e shtetit shqiptar pas disa dështimeve në përballjet me shërbimet jugosllave, përpiqeshin ta konsolidojnë apo thënë më mirë ta kontrollojnë Lëvizjen e Kosovës për pavarësi. Në treshin që u vra shteti shqiptar shihte shtyllat e rëndësishme të mbajtjes gjallë të qëndresës në Kosovë.
Megjithatë aktivistët e këtyre dy organizatave jashtë, konkretisht Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar ngushtë në nxjerrjen e gazetave, në organizimin e demonstratave dhe manifestimeve të ndryshme. Sipas burimeve të besueshme në prag të vrasjes janë bërë përpjekje fort serioze për bashkim dhe ai duhet të ketë qenë shumë afër.
3. Uniteti i veprimit
Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka janë takuar për herë të parë në mërgim, në fillim të vitit 1981. Prej atëherë dhe gjer në vrasjen e tyre ata kanë vepruar bashkë në shumë drejtime: në përgatitjen dhe publikimin e shtypit ilegal, konkretisht të gazetës "Liria", në organizimin e manifestimeve dhe demonstratave në mbështetje të kërkesave të Lëvizjes Studentore në Kosovë.
Demonstratën e parë e kanë organizuar në Bernë të Zvicrës më 1 prill 1981, një javë më vonë një demonstratë tjetër në Zürich, më 25 prill kanë organizuar një demonstratë në Stutgart. Me këtë rast janë hetuar agjentët jugosllavë duke fotografuar demonstruesit. Disa aktivistë të udhëhequr nga Bardhosh Gërvalla i kanë zënë ata në flagrancë dhe u kanë marrë aparatin. Në mesin e "fotografëve" kishte qenë dhe një shqiptar (BH), nëpunës i konsullatës jugosllave në Stutgart, përndryshe gjatë viteve shtatëdhjetë inspektor i UDB-së, i ngarkuar për mbikqyrjen e Qendrës së Studentëve. Më 9 maj kanë organizuar një demonstratë në Dusseldorf. Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë në Bruksel.
Me këtë rast në formë të një peticioni konkretizohen kërkesat politike:
Kosovës t'i njihet statusi i Republikës në kuadër të federatës;
Popullit tonë t'i njihet e drejta për vetëvendosje;
Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë;
Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t'i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet;
T'i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;
Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me studentët e universiteteve tjera të Jugosllavisë;
Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje;
Lirinë e fjalës dhe shtypit;
Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore;
Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjellura nga jashtë;
Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin e merituar.
Krahas organizimit të demonstratave Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë vepruar edhe në shtrirjen e rrjetit të organizimit brenda dhe jashtë. Një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar shkatërrimit të klubeve që kontrolloheshin nga përfaqësitë jugosllave. Falë këtij aktiviteti prej vitit 1981 e tutje klubet jugosllave nuk janë frekuentuar më nga mërgimtarët shqiptarë. Veç klubeve janë prishur dhe diskredituar një vistër manifestimesh që regjimi i organizonte jashtë me qëllim të joshjes dhe manipulimit të mërgimtarëve shqiptarë.
Vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës
Pse u krye atentati?
Veprimtaria e gjithanshme e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet jugosllave jashtë dhe brenda. Ata ishin një trio e kompletuar, që një lëvizjeje atdhetare i duhet shumë kohë për ta krijuar: Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë, Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe ishte komunikator i talentuar. Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim.
Mirëpo, përballë tyre ata kishin një shtet të fortë e me shumë mundësi. Jugosllavia prej themelimit të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një luftë të pamëshirshme kundër oponentëve të këtij shteti, konkretisht kundër përfaqësuesve të popujve që nuk kishin pranuar të futen nën tutelën serbe. Prijësit më me peshë të kroatëve, maqedonëve dhe shqiptarëve, që i janë kundërvënë politikës serbe, janë ndjekur në vazhdimësi dhe janë luftuar me të gjitha mjetet nga eskadronet speciale serbe.
Prej atëherë e gjer më sot sektorët më të përgatitura të shërbimeve informative serbe kanë qenë ato që kanë luftuar kundër mërgatës kroate, shqiptare etj. Format e luftës kanë qenë të nduarduarshme: përcjellje e përgjime hap pas hapi, intriga e përçarje, kërcënime dhe eleminime fizike.
Kjo praktikë ka vazhduar edhe më me këmbëngulje pas Luftës së Dytë Botërore. Disa dhjetëra prijës kroatë janë vrarë në atentate spektakulare nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet.
Struktura të tëra të shërbimeve informative që janë kontrolluar nga serbët kanë funksionuar jashtë. Këto struktura kanë pasur fonde marramendëse, përmes të cilave kanë depërtuar jo vetëm nëpër "organizatat armiqësore", por edhe në struktura shtetërore të vendeve të ndryshme dhe në organizata e institucione ndërkombëtare me peshë.
Shërbimet serbe me dekada kanë vepruar të papenguara nëpër shumë vende perëndimore, ku përmes parave, femrave, shantazhit etj. kanë qenë fort të pranishme edhe në qendra themelore të vendimmarrjes. Frytet e këtij aktiviteti Beogradi do t'i korrë sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë, kur pa ndonjë pengesë serioze do ta përgjakë keq Kroacinë, do ta masakrojë Bosnje e Hercegovinën dhe përmes një apartheidi të hapur e brutal do ta mbajë Kosovën në zgripc të ekzistencës.
Ndikimi i nëndheshëm i Serbisë u rrënua vetëm kur Beogradi, faqe tërë botës, u përpoq ta asgjësojë krejt popullin e Kosovës.
Në këtë kuptim përballja e mërgatës së re politike të Kosovës (që ishte pa asnjë mbështetje politike, që nuk kishte arritur të ketë as ndikimin më të vogël në mediat e fuqishme perëndimore, që kishte një gjendje financiare katastrofike) me strukturat e shërbimeve jugosllave ishte tmerrësisht e pabarabartë. Lëvizja shqiptare kishte vetëm një epërsi: idealizmin e pakufishëm, i cili mund të mbijetojë vetëm në aspiratën e përjetshme për të qenë dhe për të jetuar të lirë.
Me një fjalë, shërbimet serbe kanë përcjellë gjithë aktivitetin e mërgatës shqiptare nga brenda dhe nga jashtë, sepse ky ka qenë një organizim që posa kishte filluar të vërë rrënjë dhe infiltrimi i provokatorëve nuk ka qenë i pamundshëm. Kështu që përcjellja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës nuk ka qenë ndonjë problem i madh për UDB-në. Lëvizjet dhe aktivitetet e tyre kanë qenë publike :
28 Nëntorin, ditën e Flamurit e kanë festuar në rrethinën e Ludwigsbourg-ut. Aty Jusufi e Kadriu kanë pasur një debat të drejtpërdrtejtë (pyetje-përgjigje) me bashkatdhetarët.
Më 2 janar është martuar Kadri Zeka me Saime Isufin. Në dasmë kanë marrë pjesë rreth 50 aktivistë nga Zvicra dhe Gjermania. Ne dasmë kanë qenë edhe vëllezërit Gërvalla.
Më 13 janar 1982 Kadri Zeka ka udhëtuar me tren për Gjermani. Konkretisht në Dusseldorf, ku ka ndejtur gjer më 16 janar. Po atë ditë ka udhëtuar për në rrethinën e Stutgartit, konkretisht në Bernhausen, ku Vëllezërit Gërvalla kishin organizuar shfaqje të filmave shqiptarë me një rreth bashkatdhetarësh.
Aty kanë ndejtur deri pas mesnatës. Në banesën e Vëllezërve Gërvalla, në rrugën Habichthöhe, nr. 40, në Untergruppenbach, qytezë afër Heilbronn-it kanë arritur kah ora 3 e mëngjesit. Atë natë nuk kanë fjetur fare. Gjatë ditës kanë planifikuar aktivitetet e mëtejme. Në mbrëmje kanë dalë nga ora 22:00 me veturën e Bardhit, një BMW 316 ngjyrë e gjelbër me targë HN-CY 353.
5. Neve na vrau UDB-ja jugosllave!
Lagjja ku kanë banuar Vëllezërit Gërvalla ka qenë një lagje e qetë e banuar kryesisht me mësues, mjekë, inxhinierë. Në njërën hyrje të rrugës, në anën e majtë ka pasur shumë garazha, gjithashtu edhe përballë banesës dykatëshe të familjes Gërvalla ka pasur të tilla.
Ndërkaq në fillim të kthesës atëherë ka qenë në ndërtim e sipër një shtëpi trekatëshe. Siç është konstatuar më vonë, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave prej asaj ndërtese kanë përcjellë jo me ndonjë drojë të veçantë banesën e familjes Gërvalla, hyrjet, daljet etj…
Atë kohë ka pasur jo pak indikacione se po përgatitet eliminimi i Vëllezërve Gërvalla dhe i Kadri Zekës.
Nata e 17 janarit 1982 ka qenë shumë ftohtë e me shumë borë.
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë dalur në atë kohë, siç i kanë thënë shoqes së Jusufit, Syzana Gërvallës për ta bërë një telefonatë nga një kabinë e një fshati fqinj. Ndoshta për të evituar përgjimin.
Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë hyrë në garazhë, kanë hipur në veturë, të cilën e ka ngarë Bardhoshi. Për të dalë nga garazha në rrugë, vetura për shkak të borës është dashur të ngitet së prapthi deri në krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në krye të kthesës vetura është lakuar majtas për të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në rrugë. Ky manovrim është bërë mu përballë shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë të fshehur vrasësit.
Këta të fundit kanë parë daljen e veprimtarëve shqiptarë nga banesa pastaj hyrjen në garazh dhe janë bërë gati për të ekzekutuar atentatin. Kur vetura ka ardhur së prapthi përballë shtëpisë në ndërtim, vrasësit kanë qenë prapa saj. Sipas dëshmitarëve kanë qenë dy vrasës, njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën duke e qëlluar 6 herë, ndërkaq tjetri ka vrarë Kadri Zekën që ishte në ulësen e përparme, në anën e djathtë. Pastaj e kanë plagosur për vdekje Jusuf Gërvallën që ishte ulur në ulësen e prapme. Dhe janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba. Ndërkaq vetura ka vazhduar të ecë përpara gjersa është ndalur në derën e një garazhi përballë.
Ndërkohë një fqinj, gjerman, ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Ai e ka pyetur për Bardhin e Kadriun se a janë gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur. Pastaj i ka lënë porositë e fundit gruas së tij.
Pas gjysmë ore vjen ndihma e shpejt nga Heilbronn-i.
Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3 të mëngjesit të datës 18 janar 1982 edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt. Por para se të vdes Ai arriti t'i thotë policisë gjermane: Neve na vrau UDB jugosllave!
Kjo fjalë e atdhetarit dhe poetit Juusuf Gërvalla, e shqiptuar me frymën e fundit do të sfidojë gjithë makinerinë jugosllave të dezinformimit.
6. Praktikat e ekzekutimit
Vendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjtë, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët), sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton, me kë praktikon hyrjedalje, etj., etj.). Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi.
Pasi është analizuar dosja është caktuar ekipi i atentatorëve dhe i mbështetësve përanash, shlyerësit e gjurmëve të mundshme. Krahas kësaj janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në këtë veprimtari përfshihen edhe letrat e telefonatat anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve të ndryshme. Synimi është që jo vetëm të fshehen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh në mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh në mes përfaqësuesve të nëntokës etj. etj.
Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. U ngrit një pluhur i tillë dezinformatash sa që nuk errësoi vetëm mërgatën por edhe krejt Kosovën. Ky pluhur vazhdon të ndotë ambientin politik shqiptar edhe sot pas njëzet vitesh nga atentati. Lakohen emra njerëzish, kryesisht shqiptarë. Në këtë ka ndikuar edhe bashkëfajësia e organeve gjermane për këtë rast, sepse ato menjëherë pas atentatit madje edhe përmes shtypit nxorën dhe arrestuan si të dyshmitë kryesor për atentatin një refugjatë shqiptar nga Kosova, konkretisht Riza Salihun, duke publikuar në media edhe fotografinë e tij, gjë që dëshmon se sektori i UDB-së për dezinformim, kishte kryer punën në mënyrë të përkryer.
Riza Salihu, një refugjat entuziast nga Mushtishti i Therandës, krahas aktivitetit atdhetar ka qenë i angazhuar, si jo pak të rinj të Kosovës, edhe nga ana e Ambasadës shqiptare në Vjenë, ku ishte qendra e sigurimit të shtetit për Evropën Perëndimore, për të propaganduar politikën e shtetit shqiptar dhe për të informuar për çdo gjë që sheh e që dëgjon, jo vetëm në mjediset e mërgatës shqiptare në Gjermani.
Në këtë veprimtari Rizah Salihu si duket ka qenë edhe më tepër si i përpiktë e i përkushtuar. Shkas për arrestimin e tij ka qenë fakti se ai gjoja i ka hapur kutinë postare (Postfachun) Jusuf Gërvallës, për ta kontrolluar dhe për të informuar Qendrën e Sigurimit shqiptar në Vjenë. Jusufi gjoja e ka kuptuar këtë dhe i ka informuar shokët e tij? Apo se policia gjermane e ka ndalur me një rast dhe i ka gjetur një revole… Se Riza Salihu mund të ketë pasur konflikte me grupet e tjera politike në mërgim kjo nuk është për t'u çuditur, sepse nxitja e grindjeve dhe përçarjeve në mërgatë ka qenë një metodë klasike e sigurimit shqiptar për ta kontrolluar edhe mërgatën e Kosovës, e cila ditë e më tepër fitonte në peshë me rolin dhe mundësitë e saj. Rizah Salihun organet hetuese gjermane e mbajtën në burg rreth 5 muaj. Por Riza Salihu nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai më tepër ka rënë viktimë e veprimeve speciale të UDB-së gjatë fshehjes së gjurmëve të krimit në Untergruppenbach.
Fillimisht policia e Baden Würtembergut formoi një komision special ku duhet të kenë qenë të angazhuar rreth 40 persona. Që në ditët e para policia publikoi përshkrimin e mundshëm të vrasësve duke premtuar edhe një shpërblim prej 10 mijë DM për dëshmi të besueshme. Në kërkesën e policisë për bashkëpunim jipen edhe këto të dhëna:
Të dielen, më 17 janar 1982, rreth orës 22h15 i kanë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe shokun e tyre Kadri Zekën. Gjatë daljes së tyre nga garazhi dy persona kanë shtënë me armë mbi ta. Ka të dhëna të besueshme se vrasësit janë sjellur nëpër Untergrupenbach të paktën prej datës 10 janar 1982. Ata duken si më posht:
I dyshimti i parë: Rreth 30 vjeç, i gjatë 180-183 cm. I fuqishëm. Ka në kokë një kapelë të kthyer në majë. Pallto të shkurt ngjyrë kafe me jake të mbylltë, pantollona të kuq e të ngushtë, çizme të gjata me një rreth leshi të bardhë lart. I dyshimti i dytë: ka rreth 25 vjet, është më i thatë dhe më i vogël se i pari. Ai ishte i veshur me tesha ngjyrë të mbylltë. Në kokë kishte një kapulaçë të leshtë me një topth në majë.
Krahas këtij informacioni, policia kishte publikuar gjithashtu edhe fotografinë e veturës me të cilin mund të jenë arratisur vrasësit. Fjala është për një Citroén CX2000 ngjyrë të çelur.
Për dëshmitarët e mundshëm ishte dhënë edhe telefoni i policisë: 07131 104 2205.
Pas nëntë muaj hetimesh, kur dosja 08/15 kishte rreth 30 vëllime dokumentacion, por asnjë të arrestuar me akuzë të argumentuar, autoritetet gjermane vetëm mund të pohojnë se "kjo është një vrasje politike e kryer nga vrasës profesionistë dhe se dyshohet se një apo më shumë shërbime të fshehta drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë marrë pjesë në tërheqjen e këmbëzave të revoleve të kalibrit 7.65 mm" (Heilbronner stimme, datë 1 tetor 1982).
7. Kush i vrau Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën?
Eshtë e njohur se UDB-ja si armë për atentate ka përdorur revolet "Bereta" të kalibrit 7.65mm.
Pas vdekjes së Titos kupola e shërbimeve informative, ka qenë e përqëndruar në duart e Stane Dollancit, anëtar i Kryesisë së RSFJ-së. Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë gjenerali partizan Franjo Herleviq, me kombësi kroate.
Me ardhjen e Dollancit në Kryesi, shërbimet informative ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej ndryshimeve është ajo se UDB fillon të angazhojë nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë.
Sipas shumë burimeve del se atentatin në Untergruppenbach e ka kryer Zheljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit) me kombësi malazez. Ai që krejt i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime. Duke qenë në vuajtje të dënimit ai ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakulare krimi. Arrestohet, por arrin të ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës. Nga kriminel me renome ndërkombëtare Arkani, me insistimin personal të Stane Dollanc-it bëhet oficer me ndikim të fortë i shërbimeve serbe.
Ka indikacione se në këtë krim ka qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së Frankfurtit, Ljubo Zemunac.
Këta të dy, një vit më vonë, e kanë ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar edhe me sopatë.
Gjatë viteve nëntëdhjetë Arkani do të jetë grushti i hekurt i regjimit serb kundër popullsisë civile në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë. Ai ka udhëhequr njësitë e ushtrisë që kishin në përbërje kriminelët më të regjur e më katilë të nëntokës serbe.
Edhe sot, pas njëzet vitesh, policia gjermane zhvillon hetime lidhur me krimin në Untergruppenbach. Gjykata e këtij vendi të madh evropian akoma nuk ka nxjerrë në bangë të zezë organizatorët, vrasësit apo pjesëmarrësit e çfarëdo niveli në këtë atentat.
Por nuk duhet harruar se shërbimet informative gjermane, duke qenë ndër më seriozet e më profesionalet në botë dhe më depërtueset në Evropën Juglindore e dijnë saktësisht gjithë zinxhirin dhe gjithë personat e implikuar në këtë vrasje të shumëfishtë, e cila e qiti në të dy gjunjtë Lëvizjen e Kosovës për Pavarësi.
Eshtë udhëheqja politike gjermane ajo që bart përgjegjësinë pse nuk ka ngritur kurrë zërin për këtë krim të shëmtuar. Eshtë vetëm një përjashtim: menjëherë pas atentatit një deputet i partisë Socialdemokrate, aso kohe në opozitë, pati shtruar një pyetje në parlamentin federal se a qëndrojnë shërbimet serbe prapa këtij atentati. Asgjë më shumë. Për më keq as autoritetet lokale nuk denjuan familjen Gërvalla, që kishte kërkuar strehim politik në këtë vend, me një telegram ngushëllimi.
As mediat gjermane nuk i kushtuan rëndësinë që pritej atentatit në Untergruppenbah. Bën përjashtim vetëm revista prestigjioze Der spiegel, e cila menjëherë pas vrasjes botoi një artikull, në të cilin pa asnjë hezitim drejtoi gishtin drejt burimit të këtij krimi, duke e ngarkuar me përgjegjësi UDB-në jugosllave.
… Dhe dihet se në këtë organ diabolik kanë punuar dhe jo pak shqiptarë dhe ka në mesin e tyre që e dijnë saktësisht se si dhe kush i ka vrarë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, se si dhe kush e ka vrarë Rexhep Malën e Nuhi Berishën, se si është qitur në kurth Zija Shemsiu, se si dhe kush i ka eliminuar Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun…, që e dijnë se cilët kanë qenë urithët e policisë politike nëpër organizatat ilegale të Kosovës jashtë dhe brenda… etj., etj. Por deri më sot asnjëri prej tyre nuk e ka çelur thesin. Dhe kjo flet shumë, flet për mungesë ndërgjegjeje, madje edhe për bindje se kanë vepruar drejt… Flet për shoqërinë kosovare, e cila ka mbamendje kaq të cekët, flet për elitën politike shqiptare dhe për moralin e saj të dyshimtë… Sepse ajo në bërrylimet për pushtet gati fiktiv harroi 20 vjetorin e vrasjes në Untergruppenbach dhe detyrimin e saj që në njërin prej shesheve kryesore të kryeqytetit t'u ngrisë një përmendore të përbashkët atyre që ishin ndërgjegja e kombit, atyre që u flijuan për këtë ditë të madhe… Dhe njëherit të rezervojë dy pëllëmbë toke te varrezat e dëshmorëve e t'i vendosë aty eshtrat e këtyre Burrave që nderuan Kombin.
Plani Sekret Serb per Mitrovicen
Ura mbi lumin Ibër do të mbyllet, do të armatosen rreth 1000 punëtorët e UDB-së, policët serbë të SHPK-së do t’i përfillin urdhrat e Beogradit. Të premten nga Beogradi do të arrijë edhe njeriu që do ta jetësojë planin serb për Kosovën. Express sjell një pjesë të këtij plani.
Ngjarjet që mund të ndodhin në ditën e pavarësisë në pjesën veriore të Mitrovicës, mund t’ua prishin festimet për pavarësi të gjithë kosovarëve. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, ura mbi lumin Ibër do të mbyllet për qarkullim nga punëtorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Një burim i gazetës Express në pjesën veriore të Mitrovicës tregon për planin serb, që do të implementohet kur të shpallet pavarësia e Kosovës.Ai tregon se gjëja e parë që do të bëjnë rreth një mijë punonjësit e MUP-it në atë pjesë, është që ta bllokojnë urën mbi lumin Ibër.
Sipas tij, të gjithë janë në gjendje gatishmërie dhe shumica e tyre janë edhe të armatosur, ndërsa disa të tjerë do armatosën në ditët që vijnë.
Ai tregon se të premten, më 15 shkurt, pritet që të mblidhen të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe në pjesën veriore te Mitrovicës. Dhe në këtë takim do të formohet një këshill, i cili do të udhëhiqet nga një i dërguar special nga Beogradi. Shumica e tyre do të njihen edhe me planin serb, që duhet të implementohet nëpër të gjitha enklavat serbe në ditët pas pavarësisë. “Kryetari Boris Tadiq iu ka bërë thirrje policëve serbë të Shërbimit Policor të Kosovës që mos t’i zhveshin uniformat. Ata do t’i mbajnë armët, por do t’i përfillin urdhrat që vijnë nga Grupi Koordinues që pritet të themelohet të premten”, tregon ky serb në kushte anonimiteti.
Ai thotë se serbët që jetojnë nëpër enklava do të jenë kundër shpalljes së pavarësisë të pjesës veriore të Mitrovicës. “Udhëheqësit e të gjitha komunave me shumicë serbe janë kundër shpalljes së pavarësisë nga Veriu i Kosovës. Ata frikësohen se shqiptarët mund të hakmerren në komunitetin serb që jetojnë nëpër vende të tjera në Kosovë. Këto dhe shum ë çështje do të diskutohen të premten, aty do të merren vendime të rëndësishme”, shton ai. Sipas tij, edhe nëse ndonjë pjesëtar i KFOR-it do ta takojë ndonjë punëtor të MUP-it të armatosur, nuk do të tentojnë t’i arrestojnë apo t’i çarmatosin.
“Ata do të veprojnë sipas urdhrave. Të gjitha veprimet do të koordinohen shumë mirë. Pas shpalljes së pavarësisë, një pjesë e tyre do të kenë edhe armë, disa prej tyre qysh tash janë të armatosur”, shton ai. Edhe Adem Mripa, përfaqësues i Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicën veriore thotë se të gjithë serbët në atë pjesë janë të armatosur. Megjithëkëtë, ai beson se në ditën e pavarësisë gjithçka do të shkojë mirë dhe pa eksese. Para pak ditësh, Mripa ka pasur kërcënime në telefon, ndërsa i është fotografuar edhe shtëpia e tij në Lagjen e Boshnjakëve. “Ka lëvizje, personalisht unë kam pasur kërcënim javën e kaluar. Me anë të telefonit e kanë fotografuar edhe shtëpinë dhe jam më se i bindur se ata kanë qenë punëtorë të MUP-it. Mirëpo, jemi mësuar tash me kërcënime”, thotë Mripa për Express. Ai dhe banorë të tjerë në këtë lagje kanë marrë garanci nga përfaqësuesit e KFOR-it dhe UNMIKut për mbajtjen e sigurisë në atë pjesë. “Ata na kanë thënë që më nuk do të përsëritet viti 2000 apo 2004. Kam shpresë që fjalën do ta mbajnë”, beson Mripa. Ndërsa Nexhmedin Spahiu, analist politik nga Mitrovica, thotë se nuk e di se çfarë përmban plani serb. Por, sipas tij, Qeveria e Beogradit synon që Kosovën ta ndajë në dy entitete. “Mund të pritet që diçka do të ndodhë dhe qëllimi i asaj, pa marrë parasysh a realizohet me dhunë apo pa dhunë, është që Kosova të ndahet në dy entitete. Rezultat final që mund të realizohet mund të jetë ajo”, vlerëson Spahiu. Ai thotë se disa serbë nga fshatrat mund të zhvendosen për të krijuar imazhe para bashkësisë ndërkombëtare se ata janë të pakënaqur me vendimin e Prishtinës për të shpallur pavarësinë e Kosovës.
BND ka qenë e involvuar në Kosovë edhe në marsin e 2004-ës
Sipas shumë shkrimeve të revistave me të njohura gjermane ("Spiegel", "Focus", "Die Zeit" etj.) dhe TV shtetëror ARD, Bundesnachrichtendienst (BND) und Bundeswehr-i gjerman, kanë ditur për pregaditjet e aksioneve kundër pakicës serbe në Kosovë ne marsin e vitit 2004 me ç'rast sipas të dhënave oficiele të UN-s kanë humbur jeten 19 veta, por nuk kane llogaritur së gjerat mund të shkojnë aq larg dhe situata mund te eskaloj.
Ne një inervist të presidentit të BND August Hanning për "Die Zeit", thuhet se BND dhe Bundesëehr-i gjerman, duke përgjuar telefonatat e një islamisti dhe komandanti të UÇK-së, Samedin Xhesairi, kane ditur se çka është duke u pregaditur në Kosovë, por kanë ardhur në perfundim se ajo çka është ndëgjuar në ato telefonata nuk është për tu marre seriozisht.
Nga ana tjetër, gazeta "Junge Welt", duke u thirrur në burime të veta, ne një shkrim të datës 22 nëntor 2004, shkruan se personi i lartpërmendur Samedin Xhesairi, ka qënë një agjent i paguar nga vetë BND-ja dhe njëri ndër organizatoret kryesore të trazirave të marsit 2004 në Kosovë. Në po të njejtin artikull, "Junge Welt" shton se komandanti i UÇK-së Samedin Xhezairi është në listen e rrogave të BND-s, CIA-s dhe sherbimit sekret të Austrisë.
Revista "Spiegel" duke u thirrur në qarqe qeveritare, raporton se shqiptari nga Kosova me emrin Samedin Xhezairi në kohen e trazirave të marsit ne Kosove, nuk ka qenë më burim i BND-së.
Gjithënjë sipas "Spiegel", BND-ja e ka kontaktuar Samedin Xhezairi në shtatorin e 2003-shit, por pak më vonë ka hequr dorë nga një bashkëpunim më i gjatë me të. Samedin Xhezairi njihet në Kosovë si person me kontakte në boten kriminele dhe me disa sherbimeve të huja sekrete.
Subscribe to:
Posts (Atom)
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...