2012-08-07
JUSUF GËRVALLA: "NEVE NA VRAU UDB-a JUGOSLLAVE!"
Shkruan: Xhafer SHATRI
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka është një datë e trishtë në historinë e shqiptarëve. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet (tani 26 vjet - Sh.B), ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta. Fjala është për pjesëtarët e brezit që i vuri kazmën Jugosllavisë së fuqishme, vetëm me një synim: të çlirohet Kosova dhe territoret e tjera shqiptare në këtë ish-shtet.
Nëse ju rastis të vizitoni ndonjërin prej këtij brezi do të shihni se nëpër banesa akoma i mbajnë portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach. Ato portrete prej kohësh kanë statusin e ikonave. Për më tepër janë pjesë e rritjes, formimit dhe burrërimit të fëmijëve të tyre. Ky brez ende pyet dhe pyet: pse edhe pas kaq vjetesh, ky krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka mbetur i pandriçuar, ndërkohë që në inatet ndërshqiptare përplot emra janë lakuar si vrasës të mundshëm apo të sigurt?
1. Një Lëvizje e re përballë një shteti të vjetër
Në Kosovë, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pati filluar në përmasa të pabesueshme, radiologjia e diferencimit politik që nënkuptonte terrorizimin psiqik, largimin nga shkolla e nga puna, arrestimin, torturën dhe burgimin e gjatë. Shërbimet jugosllave përmes arrestimeve i kishin dhënë një grusht të rëndë Lëvizjes për pavarësi, mijëra njerëz ndodheshin nëpër burgje civile ose ushtarake; mbikëqyrej çdo gjo gjë e çdo kush. Elita politike duke qenë e papërgatitur për këto rrethana dhe e përçarë nuk mundi t'a përballojë presionin serb që mëtonte nënshtrimin definitiv të shqiptarëve. Në anën tjetër intelegjencia duke qenë krejt e papërgatitur dhe e pambrojtur u struk para rrezikut evident, kështu që politikën e shqiptarëve filluan ta bëjnë të rinjtë, që ende ishin me njërën këmbë në fëmijëri. Dhe kjo nuk ishte një politikë e madhe: aty këtu ndonjë trakt, ndonjë parullë, ndonjë revoltë e shkruar në letër, në mur ose në asfalt, po që përçonte një measazh të fuqishëm: kurrë nuk do të mund të na nënshtroni!
Në këto rrethana mërgata shqiptare përbënte një eshalon të veçantë të Lëvizjes për pavarësi. Përparësia e saj ishte se ajo ishte larg veprimit të drejtpërdrejtë të aparatit shtetëror, ishte prezente në vend, sepse një pjesë e madhe e mërgimtarëve qarkullonin rregullisht brenda e jashtë, kishte kontakte familjare e personale… Roli i saj ishte ndier në mënyrë të drejtpërdrejtë në prag, gjatë dhe pas demonstratave të vitit '81 përmes shtypit që përgatitej jashtë dhe shpërndahej brenda, përmes krijimit të rrjetit të organizimit etj.
I vetëdijshëm për rëndësinë e mërgatës shqiptare sektori i kryesisë së Jugosllavisë që koordinonte aktivitetin e gjithë sistemit të shërbimeve informative civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga slloveni Stane Dollanc, u përcaktua për një grusht shkallmues që do t'i jipej mërgatës, në mënyrë që ajo të shfaktorizohej njëherë e mirë.
Në këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Atentati u krye në kohën kur krejt aparati shtetëror i Jugosllavisë ishte përqëndruar në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare; atëherë kur Kosovës po i dërrmoheshin njëra pas tjetrës të gjitha të drejtat dhe institucionet vetanake që ishin fituar me shumë përpjekje e flijime.
Atentati pati pasoja të rënda sepse u krye kur shumë prijës të Lëvizjes për pavarësi, që vepronin ilegalisht ose gjysmilegalisht ishin arrestuar dhe kundër tyre ishin kryer ose përgatiteshin proceset politike. Veç të tjerash, kjo vrasje shkaktoi tronditje të mëdha edhe për faktin se u krye në një periudhë destabilizimi e krize të thellë politike në gjithë hapësirat shqiptare. Ngjarjet e Kosovës në Shqipëri patën efekt të drejtpërdrejtë , sepse çuan deri te konflikte të përgjakshme në vetë udhëheqjen e shtetit për politikën që ishte ndjekur apo që do të ndiqej aty e tutje. Këto trandje madje ndikuan në fundin tragjik të kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehu.
Duhet pasur gjithashtu parasysh se atentati në Gjermani ishte edhe përballje e organeve të shtetit jugosllav me organet e shtetit shqiptar, sepse në rrethanat që ishin krijuar në Kosovë për politikën e Shqipërisë viktimat e atentatit ishin gurë me peshë në luftën politike e diplomatike që do të bëhej aty e tutje.
2. Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë
Në atë kohë në mërgim vepronin shumë organizata. Që në krye duhet nënvizuar se mërgata e vjetër ishte rraskapitur madje edhe dërrmuar në përballjet e shërbimeve jugosllave me ato shqiptare që ishin bërë brenda saj. Por objekt i kësaj trajtese do të jenë ato grupime që mund të kishin një ndikim në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë. Atëherë në Evropën Perëndimore, konkretisht në Gjermani e Zvicër vepronin:
Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte vrarë në Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i Besëlidhjes, ndërsa në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin tjetër, Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik me orientim të djathtë dhe bashkëpunonte me mërgatën kroate.
Grupi komunist "Zëri i Kosovës", një qerthull që drejtohej nga Riza Salihu.
Fronti i Kuq Popullor, udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, dhe nxirrte gazetën "Bashkimi" (janë botuar 3 numra). Kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë.
Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës që nxirrte gazetën "Liria" (janë botuar 6 numra). Këtë organizatë në mërgim e udhëheqte Kadri Zeka. OMLK prej vitesh kishte aktivistët e saj në Zvicër.
Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla. Fillimisht Jusufi ka ndihmuar substancialisht nxjerrjen e gazetës "Bashkimi", pastaj ka nxjerrë gazetën "Lajmëtari i Lirisë" (gjithsej tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të LNÇKVSHJ-së gazetën "Zëri i Kosovës".
Gazetat e organizatave politike në perëndim
Pas shpërthimit të demonstratave të vitit '81 u bënë përpjekje për bashkimin e disa prej këtyre organizatave, konkretisht mes atyre që kishin udhëheqje politike brenda, pra OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së.
Përpjekjet për bashkim janë bërë në Kosovë dhe në mërgim. Bisedimet për bashkimin e organizatave janë vonuar e vështirësuar për shkak të veprimit në ilegalitet dhe të rrethanave që u krijuan pas arrestimeve të mëdha gjatë gjithë vitit të demonstratave. Një takim i mbajtur në Stamboll, në tetor të vitit 1981, e në të cilin kishin marrë pjesë në një anë, Kadri Zeka si përfaqësues i OMLK-së, dhe në anën tjetër Sabri Novosella e Bardhosh Gërvalla, si përfaqësues të LNÇVSHJ-së kishte dështuar jo vetëm për shkak të dallimeve konceptuale. Bisedimet për bashkim të këtyre organizatave nuk mund të përjashtoheshin nga rrethanat shqiptare dhe rajonale, sepse organet e shtetit shqiptar pas disa dështimeve në përballjet me shërbimet jugosllave, përpiqeshin ta konsolidojnë apo thënë më mirë ta kontrollojnë Lëvizjen e Kosovës për pavarësi. Në treshin që u vra shteti shqiptar shihte shtyllat e rëndësishme të mbajtjes gjallë të qëndresës në Kosovë.
Megjithatë aktivistët e këtyre dy organizatave jashtë, konkretisht Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar ngushtë në nxjerrjen e gazetave, në organizimin e demonstratave dhe manifestimeve të ndryshme. Sipas burimeve të besueshme në prag të vrasjes janë bërë përpjekje fort serioze për bashkim dhe ai duhet të ketë qenë shumë afër.
3. Uniteti i veprimit
Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka janë takuar për herë të parë në mërgim, në fillim të vitit 1981. Prej atëherë dhe gjer në vrasjen e tyre ata kanë vepruar bashkë në shumë drejtime: në përgatitjen dhe publikimin e shtypit ilegal, konkretisht të gazetës "Liria", në organizimin e manifestimeve dhe demonstratave në mbështetje të kërkesave të Lëvizjes Studentore në Kosovë.
Demonstratën e parë e kanë organizuar në Bernë të Zvicrës më 1 prill 1981, një javë më vonë një demonstratë tjetër në Zürich, më 25 prill kanë organizuar një demonstratë në Stutgart. Me këtë rast janë hetuar agjentët jugosllavë duke fotografuar demonstruesit. Disa aktivistë të udhëhequr nga Bardhosh Gërvalla i kanë zënë ata në flagrancë dhe u kanë marrë aparatin. Në mesin e "fotografëve" kishte qenë dhe një shqiptar (BH), nëpunës i konsullatës jugosllave në Stutgart, përndryshe gjatë viteve shtatëdhjetë inspektor i UDB-së, i ngarkuar për mbikqyrjen e Qendrës së Studentëve. Më 9 maj kanë organizuar një demonstratë në Dusseldorf. Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë në Bruksel.
Me këtë rast në formë të një peticioni konkretizohen kërkesat politike:
Kosovës t'i njihet statusi i Republikës në kuadër të federatës;
Popullit tonë t'i njihet e drejta për vetëvendosje;
Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë;
Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t'i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet;
T'i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;
Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me studentët e universiteteve tjera të Jugosllavisë;
Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje;
Lirinë e fjalës dhe shtypit;
Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore;
Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjellura nga jashtë;
Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin e merituar.
Krahas organizimit të demonstratave Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë vepruar edhe në shtrirjen e rrjetit të organizimit brenda dhe jashtë. Një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar shkatërrimit të klubeve që kontrolloheshin nga përfaqësitë jugosllave. Falë këtij aktiviteti prej vitit 1981 e tutje klubet jugosllave nuk janë frekuentuar më nga mërgimtarët shqiptarë. Veç klubeve janë prishur dhe diskredituar një vistër manifestimesh që regjimi i organizonte jashtë me qëllim të joshjes dhe manipulimit të mërgimtarëve shqiptarë.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...