2012-08-09

Kryeministri Berisha dhe Presidenti Nishani shkarkojnë kreun e SHISH-it

Ishte emëruar në vitin 2005 nga Presidenti i asaj kohe, Alfred Moisiu. Bahri Shaqiri ka qenë akuzuar prej kryeministrit për ngjarjet e 21 janarit. Kreu i ri, Visho Lika, ish-"njeriu" i Gazidedes. SHBA-të shohin me dyshim "kohën dhe arsyen". Reagojnë ashpër PS, AK dhe FRD.


Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar sot lirimin nga detyra të drejtorit të SHISH-it, Bahri Shaqiri dhe emërimin në këtë detyrë të Visho Likës. Kjo ka ardhur pas propozimit të Kryeministrit Sali Berisha për ndryshimet në këtë post, bërë këtë të enjte. Duke qenë një institucion në varësi të Kryeminstrit, prej më shumë se një vitit shefi i qeverisë pati paralajmëruar shkarkimin nga detyra të kreut të SHISH, Bahri Shaqiri, pas akuzave të ngritura ndaj tij për ngjarjet e 21 janarit.

Në faqen zyrtare të Presidencës thuhet se Presidenti i Repubikës, në mbështetje të nenit 92, germa "f", dhe nenit 93 të Kushtetutës si dhe nenit 5, paragrafit 2 të Ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998 "Për Shërbimin Informativ Kombëtar", i ndryshuar, me propozimin të Kryeministrit dekretoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, zotit Bahri Shaqiri dhe emërimin në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, të zotit Visho Ajazi Lika. Kreu i ri i SHISH mbante detyrën e zv/ministrit të Inovacionit.

Kreu i Shërbimit Informativ nuk ka mandat të përcaktuar kohor, ai mund të emërohet e shkarkohet në çfarëdo kohe, kur e kërkon Kryeministri dhe e dekreton Presidenti i Republikës. Në fund të janarit të vitit 2005, Presidenti i asaj kohe Alfred Moisiu e dekretoi Bahri Shaqirin në postin e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Kreu i ri, ish-njeriu i Gazidedes

Kreu i ri Shërbimit Informativ, Visho Lika, ka punuar si zv. drejtor për Shërbimin e Jashtëm në Shërbimin Informativ Kombëtar në kohën kur ai drejtohej nga Bashkim Gazidede. Aktualisht është zëvendësministër i Inovacionit dhe Teknologjisë.K a lindur në 12 shkurt të vitit 1960. Arsimin e lartë e ka kryer në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Në fillim të viteve ’90, sipas burimeve mediatike, ai ka shërbyer si drejtor i kundërzbulimit të huaj në shërbimin sekret të asaj kohe. Në fund të viteve ’90 ai emigroi jashtë vendit, duke u angazhuar në fushën e sistemeve elektronike dhe kompjuterike, për t’u rikthyer në Shqipëri pas vitit 2005.

SHBA, e shqetësuar për shkarkimin

Ambasada e SHBA ka shprehur dyshim në lidhje me shkarkimin e Bahri Shaqirit nga posti i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror. Një burim i nivelit të lartë në ambasadën amerikane i tha "Zërit të Amerikës" se njoftimin për lirimin nga detyra të Shaqirit e kishin mësuar nga lajmet. “Koha dhe arsyeja përbëjnë pikëpyetje”, shtoi më tej burimi. Reagimi erdhi një orë pas publikimit në faqen e presidencës së lajmit për shkarkimin e Bahri Shaqirit dhe emërimin në vend të tij të Visho Likës.

AK: "Berisha përfundimisht pushtoi çdo institucion"

Ka reaguar menjëherë Aleanca Kuq e Zi pas shkarkimit të kreut të SHISH, Bahri Shaqiri, me kërkesë të Kryeministrit Berisha.
Në një deklaratë për mediat, AK u shpreh: “Në Shqipëri nuk ka institucione, por sesione të PD-së. Sali Berisha përfundimisht pushtoi çdo institucion. Tashmë SHISH është në shërbim të partisë. Iu bëjmë apel qytetarëve të kenë kujdes, se përgjohen nga PD-ja” deklaron AK.


FRD: "Demokracia në Shqipëri, shumë e rrezikuar"

Sipas forcës së re politike, FRD, ish-anëtarë të PD-së të larguar prej saj, "me heqjen e kreut te SHISH, Kryeministri po uzurpon të gjitha institucionet kushtetuese". Një nga krerët e FRD, Aleksandër Biberaj, ka shtuar ashpër se "Shqipëria po shkon drejt modelit Lukashenko. Po shkojmë drejt modeleve lindore politike. Shqipëria po i largohet gjithmonë e më shumë Bashkimit Europian dhe NATO-s".

Duke shtuar më tej se "demokracia është shumë e rrezikuar. Rotacioni politik është i domosdoshëm. Presidenti është kukull e kryeministrit. Ndërsa Kryeministri, anëtar partie që nga viti 1966. Po bien këmbanat e alarmit për faktorin ndërkombëtar."


PS: "Vendimi, pa u konsultuar me SHBA-të

Ka reaguar shumë shpejt, por e treta në radhë, edhe PS mbi shkarkimin e kreu të SHISH. Kreu i kësaj partie, Edi Rama është shprehur se “për llogari të Berishës, Nishani shkarkoi Shaqirin. Nishani zëvendësoi kreun e SHISH me një shërbëtor të Saliut. Vetë Nishani është shërbëtor i Berishës. Vendimi i Presidentit është akti më ekzemplar i varësisë së tij nga Kryeministri. Turp sepse rrënoi pavarësinë e SHISH.”

Më pas Rama e ka paraqitur vendimin të gabuar edhe në një këndvështrim tjetër. “Shkarkimi u bë pa u konsultuar me aleatin më strategjik, SHBA-në. Me këtë vendim ktheu kohën pas! Kjo do të sjellë pasoja negative në jetën politike dhe institucionale”…

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...