2012-08-07
GESTAPOJA DO T’IA KISHTE ZILI UDB-SË
Më tepër se një muaj më merrnin në pyetje dy herë në ditë, para dite dhe në mbrëmje, pos të dielave, që me gëzim i prisja për pushim. Të torturohet njeriu një kohë të gjatë dy herë në ditë kjo zor të shihet e të dëgjohet. As në gestaponë hitleriane nuk i kanë torturuar kaq gjatë. Pastaj është fakt se mua nuk më kanë torturuar aq sa kam dëgjuar se i kanë torturuar të tjerët më parë. Në këtë kohë me torturat intensive nga dy herë në ditë, çdonjëri prej tyre po t’ua kishte lënë në dispozicion të zgjedhte torturat apo plumbin, pa hamendje do të zgjedhte këtë të dytin. Kështu do të shpëtonin nga torturat dhe të dilnin faqebardhë, sepse nga torturimi i parreshtur kishte njerëz që do të thyheshin përkundër qëndresës këmbëngulëse. Tërë kohën sa më mbanin në kthinat e UDB-së, 8-12 orë në ditë, kurrë s’më linin të ulesha në karrige e as të mbështetesha për muri. Më ulnin në karrigë vetëm atëherë kur ma fusnin lapsin me zor në dorë dhe më urdhëronin që të shkruaj për gjërat që s’i kisha parë as në ëndërr. Kur më ulnin në karrige më rrinin një para, një prapa shpine dhe dy anash. “Shkruaj”,- më bërtisnin, dhe posa përgjigjesha- s’kam çka të shkruaj,- më kërcitnin grushtat, shuplakat, pendrekët dhe shqelmat nga të gjitha anët. “Atëherë shkruaj për këto që po t’i themi ne”,- gërvalleshin udbashët, dhe posa përgjigjesha se “ato nuk janë të vërteta” më binin me tërë fuqinë me kërbaç duarve të cilat më parë m’i shtrinin në tavolinë.
Të lumtë, nëse qëndron!
Ata: “Shkruaj kush ka mundur të shpërndajë këtë afishe!”. Unë: Nuk di…Aq të poshtër e këmbëngulës ishin sa më thoshin se edhe derr të zi do të pjellësh se çare s’ke pa treguar. Si të duash, nëse do dajak, dajak do të japim. Ne kemi kohë dhe s’po na ngut kush. Nëse s’di të flasësh ne do të të mundojmë kështu nëntë muaj dhe ti nëse qëndron - të lumtë! Deri sot kurkush nuk qëndroi, e qebesa s’do të qëndrosh as ti, se nuk më thonë kot “specialist”, A.S. - dhe më binte me të dy duart përnjëherë veshëve. Torturuesit kryesorë ishin dy-tre serbë, që emrat s’mund t’ua di, pasi që ishte një praktikë që shqiptarët hetues i thirrnin me emra serbë, e serbët me emra shqiptarë. Mund të mësoje, p. sh. se njëfarë L. e thërrisnin Ramush. Ishte kjo një metodë pune për të mos u identifikuar torturuesit nga ana e viktimave të tyre. Ai kryesori ishte një njeri i madh me trup, me kokë të madhe si derri, fytyrën e kishte vrarë lie me dhëmbë si të kalit. Tamam kriminel, specialist për tortura. Ata vinin vetëm kur bëheshin torturat më të mëdha dhe më intensive. Torturues ishin edhe: F.N., M.D., B.B., e shumë të tjerë që s’ua mësova emrat.
Këtyre duhet t’ua çajmë kokën
Fytyra m’u pat enjtur dhe e bërë mavi nga të rënat. Buzët i kisha të çara dhe nga çdo e rënë shpërthente gjaku. Duart dhe këmbët të enjtura sa s’bëhet më, s’mund t’i mbathja as këpucët dot, e në UDB shkoja me papuçe. Kur kërkoja që të më shihte dhe të më kontrollonte mjeku, refuzonin si të tmerruar. Kur më torturonin e linin derën pakëz çelë. Në fillim nuk e dija pse, por më vonë e kuptova. Donin që torturimin ta dëgjonin edhe të burgosurit tjerë në lokalet e UDB-së. Na torturonin me radhë. Kështu, gjersa torturohej njëri, të tjerët merreshin në pyetje nga ndonjë udbash, kuptohet edhe dyert e tyre ishin pakëz të çelura që të dëgjonin të rënat e shuplakave, të grushtave e kërbaçëve dhe britma e atij që torturohej. Të gjithë hetuesit dhe policët e tjerë, gjashtë-shtatë vetë, ishin në dhomën ku torturohej i burgosuri, dhe të gjithë me radhë ose bashkarisht merrnin pjesë në torturim. Të burgosurve tjerë u mbetej që të dëgjonin dhe të prisnin secili radhën e tij. Nuk kishte gjë më prekëse e më trishtuese se sa kur dëgjoheshin gjëmët e shokëve. Dhe kështu shkonin prej një të burgosuri te tjetri duke shfryrë ndjenjat shtazarake dhe gjithë mllefin e tyre personal mbi ne.
Më binin duarve aq sa duart nuk qëndronin më, dhe për të mos më lënë të pushoja ma mbanin dorën vetë dhe më goditnin pareshtur. Kur lodheshin duke m’i mbajtur duart, atëherë nga mllefi më godisnin ku mundnin nëpër trup. Posa lodhej njëri, e zëvendësonte tjetri menjëherë. Më kapnin me të dy duart për flokësh dhe ma përplasnin kokën për muri. Në këto momente torturuesit e nxitnin njëri-tjetrin. Shtazaraku bëhej gjoja human dhe i thoshte atij që më përplaste kokën për muri: “Mos kokën, ki kujdes po e lëndon!”, kuptohej me sy ia bënte të më binte edhe më shumë. Dhe ky përgjigjej: “Pse kujdes? Këtyre duhet t’ua çajmë kokën”, dhe më përplaste edhe më tepër. Më kapnin për organe gjenitale dhe më bërtisnin në fytyrë: “Kemi me të tredhë” dhe më shtrëngonin deri në alivanosje. Ujin e mbanin çdo herë gati, që kur të më binte të fikët të më hidhnin ujë trupit dhe fytyrës, dhe menjëherë do të vazhdonin punën. Më fyenin me sharjet më të ndyra, më ofendonin, më përqeshnin, më pështynin. Ishin këto poshtërime të rënda, por e dija se duhej t’i duroja dhe në veten time mbushesha me urrejtje të shumëfishuar për këtë regjim fashist e terrorist. Dhe kam të drejtë të tregoj për trajtimin shtazarak të policisë fashiste jugosllave ndaj meje, ta çjerrë maskën false të shoqërisë “demokratike” e “humane” që e propagandojnë me aq bujë e që në realitet s’ekziston kurrfarë nuance demokratike në këtë sistem të dështuar që mbështet kryesisht dhunën policore.
Ç’linin mangut hetuesit, e plotësonin gardianët
Edhe disa gardianë të burgut famëkeq të Prishtinës ishin të zgjedhur dhe të ushtruar për trajtim brutal të të burgosurve politikë. Në orët e vona të një nate, kur më kthyen nga torturimet, nuk isha në gjendje t’i kapja me duar batanijet dhe i thashë gardianit që më çoi në qeli. Ishte një djalë i ri si unë, që të m’i hidhte “çebet” në duar, sepse vetë s’kisha mundësi t’i kapja, sepse gishtat m’i kishin shtypur ndër tortura. –“Merri vetë!”- m’u përgjigj ai. Duke mbledhur forcat e fundit mezi i tërhoqa batanijet dhe i futa në disa qeli. Shumë të dresuar këta qen roje! Të mjerët! Nuk kuptojnë çfarë lodrash të përgjakshme të të huajit që janë. Meqë bënte ftohtë i madh, pata arritur ta vjedh një copë batanije të vjetër, duke shfrytëzuar rastin kur gardiani u detyrua ta ngriste receptorin e telefonit. Ishte rrezik të më shihte, por nevoja më shtyri të rrezikoja. Mirëpo, pasi çdo herë nuk isha në qeli, pra kur isha në UDB, apo në nevojtore, gardianët hynin në qeli dhe bënin bastisje detale. Unë mundohesha që ta fshihja gjysmën e batanijes në dyshek por njëri e kishte zbuluar “fajin” tim dhe më kishte denoncuar në UDB. Kështu që, kur më kthyen në qeli, ma mori me brutalitet dhe duke u çjerrë më tha: “Ty s’të takon batanija, bile edhe këto që t’i kam dhënë i ke tepër”.
Pas torturave - dy ditë pushim në javë
Pas më tepër se një muaji filluan të më merrnin në pyetje dhe të më torturonin vetëm mbrëmjeve, pos ndonjë përjashtimi, intensiteti i torturave ishte i njëjtë, pos që të shtunave nuk më mirrnin fare. Tash i kisha nga dy ditë në javë pushim. Kishte të burgosur që s’kishin mundur t’u qëndronin torturave dhe ishin thyer. Kishin pranuar të deponojnë gjëra çfarë u kishin thënë hetuesit, dhe kishin nënshkruar deklarata shpifëse dhe vetakuzuese. Deponimet e tyre me dorëshkrimin dhe nënshkrimin e tyre m’i sillnin dhe m’i tregonin, bile edhe m’i jepnin t’i shihja nga afër. Duke hasur në pathyeshmërinë time, as me deponimet e nënshkruara nga vet të burgosurit, ata përdornin edhe kartën e fundit: ballafaqimin. Mendonin se po të më thoshte ndonjë nga të burgosurit ( të cilët edhe i njihja), se kisha bërë këtë apo atë punë, se kishte kryer punë bashkë me mua këtë apo atë punë, se kishte kryer bashkë me mua këtë apo atë detyrë, se i kisha dhënë për të lexuar ndonjë libër apo gazetë të ndaluar etj., unë do të thyhesha dhe do t’i pranoja deklaratat e cituara nga udbashët dhe përdhunshëm të nënshkruara nga të torturuarit. Më ballafaquan me një të burgosur. Me atë rast salla qe e mbushur me udbashë për t’i përcjellë reagimet e mia. Kur i hodha poshtë deponimet e të burgosurit, u tërbuan fare. Thashë se do të më shqyejnë, aq keq më mbërthyen dhe më goditën duke më bërtitur: “More gomar, more idiot, në sy të dëshmoi para të gjithë neve dhe thua se nuk është e vërtetë. Vetë ai kërkoi të ballafaqohet me ty, ne e sollëm dhe ti tani na nxjerr bisht!”. Por, unë isha këmbëngulës dhe vazhdova në timen, se s’ishte e vërtetë çfarë thoshte deponuesi i këtyre dëshmive të rrejshme. Si ujq të uritur m’u lëshuan, kush me kërbaç e kush me grushta e shqelma. Nuk besoja se do të shpëtoja i gjallë. Isha i përgjakur dhe i tëri i dërmuar. Atë natë më patën çuar për krahësh në qeli, edhe pse isha në gjendje disi të ecja edhe vetë. Pastaj ma sollën të burgosurin për t’u ballafaquar dhe për të më thënë se kisha bërë këtë apo atë punë më të, se unë njihesha me filan personin, etj. I hodha poshtë me indinjatë edhe shpifjet e përdhunshme edhe të këtij të burgosuri, sepse e dija mirë se ai dëshmitar i shkretë ka kaluar nëpër të gjitha këto që po kaloja edhe unë, prandaj është detyruar ndër tortura që të akuzoj veten dhe mua.
Bile, një fjalë që ai e përmendte vërtetë e kisha dëgjuar, por edhe këtë e mohova me këmbëngulje. Egërsimi dhe tërbimi i hetuesve barbarë s’kishte kufi, kështu që më torturuan më shumë se asnjëherë më parë. Më thoshin: - “A të tha në sy se ti njihesh me filan personin?” Unë përgjigjesha: - “ Kjo që po e thuani ju dhe ai nuk është e vërtetë….” Ai duke më rënë: -“ Për ty të gjithë po gënjejnë, a?” Unë: -“ Ai dhe shumë të tjerë janë të detyruar të thonë gjëra që ju ua diktoni…” S’mund të merret me mend tërbimi i tyre.
Buzëqeshja me zor
Në këto situata edhe pse të vështira sa s’bëhet, për mua ishte një kënaqësi e veçantë kur i shihja të tërbuar nga inati duke shkumbuar si qentë e qartur. Shpesh më ndodhte edhe të buzëqeshja, ani pse boll me zor buzët i kisha krejtësisht të çara. Çdo buzëqeshje, natyrisht, më kushtonte shumë shtrenjtë, por mjaftohesha me tërbimin e tyre. Kishin kaluar gadi tre muaj hetime dhe tortura intensive gadi për çdo ditë. Por pas ballafaqimeve intensiteti i torturave filloi të bjerë. Tani më merrnin në pyetje dy ose tri herë në javë. Edhe torturat ishin më të paktat. Pas një kohe, kur kishin kaluar afërsisht katër muaj, filluan të më merrnin në pyetje vetëm njëherë në javë. Më vonë edhe këtë e rralluan, por nganjëherë më thërrisnin për nënshkrimin e procesverbaleve të hetimeve, edhe pse këto ishin kryesisht mohuese. Gjatë kësaj procedure të nënshkrimit provuan për të fundit herë të më mashtrojnë në lidhje me disa persona, por as këtu nuk u përkula dhe qëndrova në deklaratën time të dhënë më parë. Për disa çështje edhe pse nuk kishin të bënin fare me mua, mora përgjegjësinë mbi vete, vetëm e vetëm t’i shpëtoja disa persona, për të cilët interesohej UDB-a dhe mezi priste t’i burgoste.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...