Në vitin 1983, senatori republikan Xhezi Helms i shkruante presidentit konservator Ronald Regan:
Fatkeqësisht, por është e vërtetë se rajoni i Ballkanit për dekada është keqkuptuar dhe pak vëmendje ka marrë nga ne. Historikisht, situata në Ballkan nuk ka qenë statike. Perandoria e vjetër Ruse si dhe regjimi sovjetik, gjithmonë kanë synuar një bazë tokësore kontrolli në Mesdhe dhe në portet me ujëra të ngrohta. Me përjashtim të porteve sovjetike ne Detin e Zi, të gjitha portet e tyre kryesore janë të ngrira për 6 muaj në vit. Portet e Detit të Zi, në fakt kontrollohen nga Dardanelet.. Ndaj, pa habi, Bashkimi Sovjetik ka vijuar të krijojë terrenin për destabilizimin e Ballkanit. Sovjetët duan ,aktualisht, të kenë kontroll fizik në vendet e Ballkanit.“
Helsm shqetësohet se sovjetikët do arrinin kontrollin e detrave të ngrohta dhe do të fusin sërish në bllokun e Moskës, Jugosllavinë dhe Shqipërinë. Helms njofton Reganin se një veprimtari subversive dhe propagandistike synon destabilizimin e Greqisë.
´`Partia Komuniste e Greqisë nën urdhrat e Bashkimit Sovjetik, ka vazhduar aktivitetin subversiv dhe kjo solli reagimin e ekstremistëve të djathtë që përdorën Forcat e Armatosura. Në vitin 67 grushti i shtetit nga kolonelët ishte një reagim i skajshëm. Jo vetëm eliminoi stabilitetin që vinte nga monarkia, por përgatiti terrenin që të majtët si Greqia dhe përreth, të kryenin kundër grushte shteti, çka sollën në fuqi Karamanlisin.“
Ultra konservatori Xhezi Helms, konstaton se në Jugosllavi, nacionalistet kanë momentin e tyre. “ Federata është nën kërcënimin e grupeve etnike. Fakti se serbët kontrollojnë ekonominë dhe mënyra se si ndajnë fondet, ka krijuar kundërshti te kroatet, shqiptarët, sllovenët dhe maqedonasit.“
Helms i kujton Reganit se “ në vitin 1970 nacionalizmi kroat u bë një kërcënim real për Federatën Jugosllave. Përplasje me armë, janë raportuar në vitin 1970 dhe sabotimet vazhdojnë edhe sot. Ndërsa Jugosllavia u përpoq të shtypte me dhunë nacionalizmin kroat, grupe të tjera brenda federatës si rajoni i Kosovës, që është etnikisht shqiptare, dhe Maqedonia kanë filluar të kërkojnë të drejtat e tyre kombëtare.“
Helms ka informacion nga CIA, se Moska “ vazhdon të orkestrojë këtë ndarje etnike në favor të BS.“
Helms e di mirë se Moska ka kohë që kërkon të destabilizojë Jugosllavinë, “ duke përdorur ndjenjat nacionaliste, madje pa dijeninë e atyre që kërkojnë të drejtat e tyre.“
Për ne shqiptarët, është me interes konkluzioni i senatorit Helms. Ai i shkruan presidentit Regan se : ´`Në rastin e Kosovës, sovjetikët kanë ngritur një organizatë të quajtur Fronti i Kuq, financuar nga Moska dhe frymëzuar nga Tirana, edhe pse nuk ka lidhje diplomatike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Fronti i Kuq, ka orientim marksist-leninist, por manipulon ndjenjat anti-serbe, që janë sunduese mes shqiptarëve që jetojnë në rajonin e Kosovës dhe vende të tjera. Fronti i Kuq operon në komunitetet shqiptare në Belgjikë, Gjermaninë Perëndimore, Zvicër, Turqi, SHBA, Kanada dhe Australi, disa me emra të ndryshëm. Incidentet e agjentëve komunistë të kontrolluar nga Beogradi dhe regjimi i Tiranës, janë rritur në numër dhe aktivitete në komunitetet shqiptare nëpër Botë, veçanërisht në SHBA dhe Jugosllavi.“
Helms, nuk harron të njoftojë Reganin edhe për situatën në Maqedoni. Ai ka informacion të thellë se Moska ka manipuluar ndjenjat nacionaliste ne Maqedoni
“ përmes surrogateve bullgarë“. Helms, sipas të dhënave nga CIA, i përcjell të dhënat presidentit konservator, se Bullgaria ka deklaruar se 1/3 e Maqedonisë i takon Shqipërisë dhe 2/3 Bullgarisë. Helms mendon se :“ Bullgaria ka planet e saj për Maqedoninë që të krijojë Bullgarinë e Madhe. Kemi raportime se Bullgaria po fut para dhe armë për grupe brenda Maqedonisë të krijojë destabilizim dhe trazira.“
Helms i shpjegon me hollësi Reganit se si Moska kërkon të ngrejë një rrjet pan- sllav mes serbëve, maqedonëve dhe bullgarëve. “ Analizat nxjerrin se sovjetët po manipulojnë një ndjenjë pan-ortodokse si dhe një ndjenjë etnike pan-sllave . Mbështetja e Malit të Zi merret e garantuar.“
Situata në Kosovë
Helms i kujton Reganit se mbreti Leka I në vitet 60-të krijoi Këshillin Ushtarak- të Lëvizjes për Çlirim (MCLEA), me qëllimin për çlirimin e Shqipërisë Etnike, madje ai krijoi një rrjet me shqiptaret brenda Jugosllavisë ( Kosovë).
Helms shkruan, pa nguruim:
“ Ndodhën dy reagime: E para ishte rritja e valës së nacionalizmit në komunitetet shqiptare në Jugosllavi dhe e dyta: është fakti se u krijua nga BS një organizatë paralele me MCLEA.. Të dy këto organizata janë formuar nga vullnetarë, ku ndjenja për nacionalizmin shqiptar është rritur deri në atë pikë sa ata janë gati për rreziqe të mëdha për bashkimin e Kosovës me atdheun e tyre. Veprimet e Këshillit Ushtarak i dhanë popullit në Kosovë një mundësi për rritjen e ndjenjave nacionaliste me veprime konstruktive për të luftuar regjimin aktual në Tiranë. Ata mendojnë se përmes Çlirimit të Shqipërisë, shanset për t´u bashkuar me atdheun do rriten shuma dhe kjo mes negociatave paqësore me Federatën Jugosllave dhe qeverinë në Beograd.“
Pra, duke analizuar këtë informacion, duket se Zogu, duhet të këta pasur edhe bisedime me Beogradin dhe kishte një garanci se nëse, Lëvizja e tij do hiqte regjimin komunist, Beogradi do ishte dakord që Kosova të shkonte me Shqipërinë. Por, a kishte bërë ndonjë pazar Zogu me jugosllavët dhe a ishte realist mendimi amerikan se Zogu mund të çlironte Shqipërinë!? Zogu e kishte përdorur Beogradin, dikur, për të riardhur, vjedhurazi, në pushtet, pas revolucionit demokratik të Nolit. Ai kishte qenë mik në pallatin e pushtetit në Beograd, dhe mbase, qysh asokohe kishte nisur apo rinisur lidhjet e vjetra!?
Pra, Uashingtoni mendonte për Çlirimin e Shqipërisë dhe bashkimin paqësor me Kosovën, megjithatë, dhe me lejen e dhënë nga Tito. Moska nuk mund të rrinte pasive në Ballkan. Në Byronë Politike në Tiranë , Moska kishte njeriun e saj, kryeministrin Shehu, ndërsa Beogradi kishte Hoxhën dhe Kapon. Kapo ishte lojtar i dyfishtë.
Kur Moska nisi de stalinizmin e kampit socialist, ata donin Kapon si kreun e Shqipërisë, por Shehu e kuptoi se nëse Hoxha do trajtohej si Stalini, pra do të dënohej, dhe do të pushkatohej nga Kapo, dhe Shehu do trajtohej si Beria. Moska e detyroi Hoxhën që të dorëzonte postin e kryeministrit dhe nuk do të ishte më Sekretar i Përgjithshëm por Sekretar i Parë. Moska do të niste shkatërrimin e Beogradit dhe, befas apo logjikshëm, si fushëbetejë do zgjidhte Kosovën, duke spekuluar me nacionalizmin shqiptar por edhe duke përfituar nga njeriu i tyre në Tiranë, kryeministri Shehu. Kapo kishte qenë ministër i Shqipërisë në Beograd, dhe duhej të ishte rekrutuar, edhe nga Tito.
Për të treguar besnikëri dhe provën se kishte firmosur për Beogradin, Hysni Kapo nuk e kishte pasur problem të dirvorconte gruan muslimane dhe të martohej me një të krishterë ortodokse, që të tregonte se pranonte të ishte lojtar i Beogradit.
Helms, sa analitik por dhe prognozues, vijon:
“ Përpara se të vdiste marshalli Tito, organizatat e kontrolluara dhe të influencuara nga Moska, filluan veprimet ushtarake në Kosovë. Deri atëherë ata e kishin përmbajtur veten vetëm duke rritur numrin e anëtarëve dhe duke perfeksionuar lëvizjen ilegale duke pasur si mbulojë nacionalizmin. Në të njëjtën kohë disa anëtarë të qeverisë në Tiranë, kishin filluar tí politizojnë klasën intelektuale të shqiptarëve në Kosovë. Ideologjia ishte karakeristikë e Tiranës dhe kësisoj ata i ofruan Kosovës një zgjidhje marksiste-leniniste me qellim maksimal bashkimin kombëtar shqiptar. Kjo ishte dhe është e pranueshme me disa nga zërat vokalë të klasës intelektuale, por nuk është pranuar kurrë nga masa e madhe e popullit në Kosovë dhe pa diskutim e atyre që jetojnë në Shqipëri.“
Pra kemi një dyzim . Moska, përmes Tiranës kërkon një bashkim të Kosovës me Tiranën komuniste përmes marksizëm- leninizmit. Qartazi, del se një pjesë e intelektualëve janë dakord të jenë vegla e Moskës dhe e Tiranës.
Populli, sipas Helmsit është kundër! A janë amerikanët realë në këtë konstatim!? A e hiqte dot një mbret pa fuqi, një perandor të ri komunist si Hoxha!?
Helms vazhdon të mbrojë tezën e tij të bashkimit tonë kombëtar:
“ Më 11 mars, 1981 pati një shkëndijë në trazirat e Universitetit në Prishtinë, shëkndija u dha nga një urdhër nga byroja politike në Tiranë. Ky urdhër, ka mundësi të jetë dhënë pa dijeninë e Hoxhës nga Mehmet Shehu, asokohe kryeministër. Kemi dijeni se edhe përpara kësaj , ka pasur përplasje mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, lidhur me mundësinë që Shqipëria të bashkohej përsëri në influencën e Bashkimit Sovjetik.“
Pra, për Uashingtonin, Hoxha dhe Shehu kanë pasur përplasje dhe kundërshti me mundësinë që Tirana të bashkohej me Moskën. Pra, Shehu, del si njeriu i Moskës apo ka qenë e kundërta sepse mesazhet e Tiranës nuk janë kuptuar kurrë si duhet nga Uashingtoni. Nëse trazirat e studentëve ishin lojë e Moskës, del se Shehu ishte njeriu i tyre, por nëse Shehu dha urdhrin e kryengritjes, por pa urdhrin e Moskës, skenari mbetet enigmatik. Ideja e Zogut ishte zbehur. A ishte Shehu lojtar i Uashingtonit!? Nuk ka asnjë shans, sepse kjo do të ishte vënë në dukje në informimin që Helms i bënte, me shumë hollësi, presidentit Regan. Shehu ishte po aq diktator sa Hoxha, por duke e sfiduar me mbështetjen e tij për trazirat në Prishtinë, Shehu donte t´i tregonte si Moskës dhe Uashingtonit, se ai ishte lideri real i Tiranës, ndërsa Hoxha një kufomë politike. Por Shehu kishte nënvlerësuar Ramiz Alinë, mikun e ngushtë të Nexhmijes, asaj që drejtonte Policinë Sekrete së bashku me mikun e saj të vjetër Alia.
Helms raporton për Reganin , duke dhënë detaje se çfarë ndodhi në Prishtine. Natyrisht, që shfrytëzon spiunimet e CIA-s. Mbase ai kërkon të nxisë për reagim ushtarak presidentin, ndaj shifrat rriten. Kjo nuk është hera e parë, as e fundit. Kur u goditën Kullat Binjake, fillimisht u tha se u vranë mbi 6 mijë vetë dhe Bush hyri në Luftë ,por më vonë doli se ishin afro 3 mijë vetë. Loja e shifrave , gjithmonë ka luajtur një rol sugjestionues për ata që do merrnin vendimin fundor të një lufte masive që do kërkonte gjak për të zhdukur edhe një regjim gjakatar komunist, qoftë edhe aq të vogël sa regjimi i Tiranës.
Helms shkruan se :
“ Trazirat zgjatën disa ditë dhe u përhapen në qendra të tjera të mëdha në Kosovë, përfshi Pejën, Gjilanin dhe Shkupin. Në veçanti përplasjet me armë u bënë më të ashpra në Zonat e Drenicës dhe Rugovës. Në 5 ditët e para, humbjet e jetëve, pa përmendur plagosjet, janë më shumë nga shifrat q jep shtypi me 11 të vrarë dhe 60 të burgosur. Shifrat aktuale janë 1600 të vrarë dhe 5 mijë të burgosur. Që nga ajo kohë situata në Kosovë është bërë më kritike dhe shumica e zonave malore të Kosovës janë prekur. Që nga 30 korriku 1982, shqiptaret kanë humbur 11.800 njerëz, numër i madh janë plagosur dhe nga 20 mijë deri në 3o mijë janë arrestuar dhe ndaluar. Shifrat e dhëna nga Tanjugu, Shtypi Jugosllav, ka rreth 600 të burgosur me dënime nga 15 deri 30 vjet.“
Këto janë shifrat , që Helms paraqet për Reganin. A janë reale? Por ,natyrisht, që shifrat e Tanjugut nuk janë reale, ndaj Helms, ka të drejtë të alarmojë Reganin dhe CIA, gjithmonë ka dhënë shifra që të nxiste Shtëpinë e Bardhë për reagim ushtarak.
Helms, përpiqet të bindë Reganin se problemi është edhe ushtarak me përmasa të mëdha. Beogradi ka lëvizur ushtrinë, dhe kjo mund të nxiste edhe Moskën. Nuk dihet se si do reagonte Tirana. Mehmet Shehu ishte për ndihmë ushtarake në Prishtinë. Ballkani mund të futej në luftë.
Helms vijon në informacionin e tij me detaje:
“ Ushtria Jugosllave ka lëvizur gjithsej 40 mijë trupa përfshirë 200 autoblinda disa helikopterë me mitraloza dhe disa bombardues duke rrethuar rajonin e Kosovës.“
Helms nuk ka gabuar kur ka raportuar për ndikimin e Mehmet Shehut me urdhrin e tij për të nisur trazirat në Prishtinë. Vrasja e kryeministrit të Hoxhës, nuk kalon pa u analizuar nga senatori me përvojë të gjatë për politikën e jashtme të SHBA.
Ai shkruan se :
“ Disa faktorë të rinj kanë dalë në dritë. Vdekja e kryeministrit Mehmet Shehu në Shqipëri, është paraqitur nga qeveria si vetëvrasje, por në fakt ishte si rezultat i një përplasje gjatë një mbledhjeje të mbyllur në Politbyro, mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës.“
Më pas , Helms jep versionin e tij. Faktet janë goditëse për ne, por mbase edhe të fryra. Ku i dihet!? Helms vazhdon :
“ 15 vetë, raportohet të kenë vdekur në betejë me armë, pasi sharjet janë këmbyer, kur Hoxha ka këmbëngulur që Shqipëria të mos ngatërrohej në dhënien e fondeve dhe armëve për rebelimin në Kosovë. Në dijeninë time, ka pasur shkëmbime të vazhdueshme me armë mes mbështetësve të Hoxhës dhe Shehut. Si vijim janë përjashtuar 3000 oficerë nga Forcat e Armatosura dhe Policia e Sigurimit. Shehu ka mbajtur postin e ministrit të brendshëm, kurse kur vdiq ishte kryeministër dhe ministër i mbrojtjes.“
Këto janë fakte, që ne nuk i kemi dëgjuar në Shqipëri sepse Sigurimi kontrollonte çdo gjë. A janë vrarë 15 vetë? Ku u vranë? Si u mbyll kjo çështje kaq sekrete? Nga i kishte gjithë këto informacione Helms, kur flet për sharjet në mbledhje mes Hoxhës dhe Shehut? CIA vepronte. Natyrisht që informatorët kishin hyrë deri afër dhomës së gjumit të Hoxhës dhe Shehut.
Situata është kritike. Unë e mbaj mend mirë. Kur u vra Shehu, ka qenë dhjetor. Ishte ftohtë. Diçka flitej. Ishte e nesërmja me pak shi dhe ftohtë. Tirana heshtte. Njerëzit kishin frikë të flisnin, por shumica besonte se Shehun e kishin vrarë. Ndërsa jam kthyer atë natë në shtëpi, i kam thënë nënës sime se Mehmet Shehun e vranë dhe ajo më ka thënë mos i thuaj njeriu dhe mos dil nesër nga shtëpia. Televizioni dha lajmin e vetëvrasjes, por ai lajm nuk bindi askënd, madje edhe vet Hoxha nuk u bind, deri sa një vit më vonë, do akuzonte Kadri Hazbiun se kishte vrarë kryeministrin e tij Shehu.
Vrasja e Mehmet Shehut, nga Moska, Prishtina apo Beogradi?
Pati shumë dyshime. Nga i erdhi vdekja Mehmet Shehut? Nga dora e tij apo duart e Hoxhës?!
Vrau veten? E vranë rojet e Hoxhës, roja e vet, gruaja e tij apo një ish-shërbyese e vilës?
A u harruan lidhjet e kamarieres së Shehut me Xhevdet Mustafën në Stamboll? Pse nuk kthehet Halit Bajrami nga Zelanda e Re? A e vrau Shehu Isuf Gervallën, pas një letre që akuzonte Shehun se do fuste armë në Kosovë?!
“Vrasësi jeton në Tiranë dhe ka një bisnes të madh”,-deklaratë e një pjesëtari të familjeve të bllokut.
Një i afërm i Kadri Azbiut: “Kadriu i ka thënë Mehmet Shehut t’a vrasim Hoxhën dhe Shehu i ka thënë:” lëre të vdesë vetë plaku”.
Një shqiptar me origjinë greke i arratisur në SHBA: “Kur kam qenë në burg në Shqipëri kam pasur në qeli një ushtar që dinte vrasësin.”
A ishte diçka e sajuar nga Hoxha dhe propoganda e tij? Por shumë shqiptarë nuk besuan se kryeministri kriminelo-komunist mund të vriste veten. Shehu ishte shumë i fuqishëm, thuajse po aq sa Hoxha, ndaj SHBA e cilësonte Shqipërinë si regjimi i Hoxhës dhe Shehut. Në vitin 1949 ambasadori i SHBA në Paris, njoftonte sekretarin e Shtetit se:
“Kontrolli politik ushtrohet përmes regjimit të Hoxhës dhe njeriut të Moskës, Shehu, Ministër i Brendshëm dhe vazhduesi zyrtar i Hoxhës ( Ai nënvizon se Shehu, Gjeneral-Major, është zëvendës-Kryeministër dhe Ministër i Brendshëm, Anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Sekretariatit të Partisë” ( Papa Robert. 2000. Pragmatizëm. SHBA ndaj Shqipërisë, faqe 160)
Në vitin 1946, përfaqësuesi i SHBA në Shqipëri, Jacobs, përmes një burimi brenda Hoxhës, mëson se Mehmet Shehu, i sapo kthyer nga Moska, kishte raportuar në Kabinetin e Ministrave. Shehu kishte thëne se: “sipas Moskës, Shqipëria nuk do të merrte asnjë dëmshpërblim nga italianët”. Moska, përmes njeriut të saj besnik Mehmet Shehu, të këshillonte qeverinë shqiptare. Shehu deklaronte se:
“Moska pret që qeveria shqiptare të lejojë që minierat dhe nafta shqiptare të shfrytëzohen dhe zhvillohen nga sovjetikët. ´Ishte Mehmet Shehu që kishte sjellë ndërrimin përfundimtar të kursit të Hoxhës pro BS-së dhe kundër SHBA.