Kujtim Morina lindi në vitin 1972 në Has. Është diplomuar për Matematikë në Universitetin e Tiranës (1994), për Drejtësi në Universitetin e Shkodrës (2004) dhe ka përfunduar një Program Master 2-vjeçar për Integrim Evropian dhe Rajonalizëm në Universitetin e Gracit/Austri (2008). Nga viti 1999 deri në fillim të vitit 2009 ka punuar me organizata ndërkombëtare në Kukës duke filluar me UNHCR, CARE dhe një kohë të gjatë me OSBE-në. Aktualisht punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe banon në Tiranë.
Deri tani ka botuar dy libra me poezi:
"Dehja nën mjegull", 2007.
"Kthimi i syve", 2010
Ka përkthyer dhe botuar poezi nga Niels Hav (Danimarkë), Linda Hogan (Shtetet e Bashkuara), Asanda Gonya (Afrika e Jugut) etj. Disa tregime të tij janë botuar kohët e fundit në organe të ndryshme të shtypit letrar. Merret edhe me studime.
Cikël me poezi nga Kujtim Morina
STUHIA E TRURIT
Vërshojnë mendimet
Pa i lënë radhë njëra-tjetrës
Fryjnë si erëra të çuditshme
Kryqëzohen, përzihen në tru
Unë nuk di ku të përqëndrohem
Çfarë të mbaj e çfarë të hedh
Në këtë shpejtësi marramendëse
Shpeshherë i them vetes
Të arratisem në një cep të botës
Apo të ngrihem në një hapësirë flurore
Jo shumë larg të tjerëve por vetes
Të paktën të shpëtoj avujt e kujtesës
Nga kjo trysni e pashembullt
Pastaj t’i marr gjërat qetë-qetë
Me mendje të freskët dhe të lehtë
TRONDITJA E HAPËSIRËS
Tronditja e hapësirës
Nga format eterne
Që enden kuturu
Dhe nga pesha e rëndë
E ankthit të padukshëm
Më krijon një ndjesi zbrazjeje
Që hepohet dhe s’arrin dot
Ta gjejë veten në këtë hulli
Të avujve mbetur pezull
Rrekem ta bind veten
Se jam më i rëndësishëm
Se miza që fluturon e sigurtë
Apo zogu me pendë të lehtë
Mirëpo zhgënjehem shpejt
Kur s’e shoh veten
As në tokë as në qiell
Me një barrë hutimi përsipër
Që më rëndon mbi kokë
Si këmbë elefanti
SUPERTICIOZ
Përnjëherësh hapet dera
Dikush sjell kumtin e tmerrshëm
Ke kohë që e parapërgatit veten
Megjithatë nuk e përballon dot
Në rrugë sheh një qenie të pafajshme
Mendime vrastare të yshtin kundër tij
Ndonjëherë mendon t’i hidhesh vetes
Ta fundosësh në një lumë a në një hon
Është më miklues Djalli apo Zoti
Kjo dilemë ka kohë që na mundon
APOKALIPS
Një brengë që më mundoi gjatë
E flaka tutje si një mall i pashitshëm
Miqtë i kontaktoj me e-mail
Është jashtë mode të lë takim
Gati ua kam harruar zërin
I shoh ndonjëherë në kamera apo CD
S’më tërheq të dal në vende piktoreske
As në pranverë, as në dimër
Gjej imazhe, ngjyra të pastra në internet
Saqë natyra më duket si një plak bohem
Dritës së akullt të syve
I kombinova një fytyrë efemere
Dhe një shije pelini në gojë
Kjo më shkon me kostumin ngjyrë vjollcë
Gjumi nuk vjen më si një ari i shtruar
E ndjell me ca doza të larta valiumi
Të shoh ëndërr është si të bëhem i lumtur
Ndërsa e ndjej veten të ri të kërrusur
LUTJE
Më jepni pak shpresë
Se po mbytem
Nën hapësirën qiellore
Që po më zë për fundi
I zhytur në botën e mëkateve
I bëra një lutje qiellit:
A më dërgon një shi magjik
Të fshijë nga kujtesa prapësitë
Përgjigjja erdhi pas shumë pritjesh:
Mund t’a fshijë kujtesën të tërën
Por jo pjesërisht
MALL
O yll që po digjesh
Në hapësirën e natës
A më dërgon një mesazh
Tek njeriu im i dashur
Me valët tua elektromagnetike
Depërto në fijëzat e kujtesës sime
Malli po më bren e po më tret
Tek njeriu im i dashur përcille
Shko si një frymë dhe shkunde
Ta ndajmë mallin përgjysëm
Unë po pres shfaqjen e një ylli të ri
Të më feksë nga qielli përgjigjen
RETË E ZEZA
Po vijnë si hordhi pushtuese
Për të na sulmuar portet,
Qytetet, rrugët, lagjet, shtëpitë,
Të paktën
Të shpëtojmë shpirtrat
UDHËTARË TË VONUAR
Udhëtarë të vonuar
Që rendni në muzgun e mbrëmjes
Apo në dritën e hënës
Ktheni kokën prapa
Keni shansin e humbur
Duke iu falur vetëtimave
Që u ndjellin si zana të malit
Nxitoni të arrini tek një strehë
Që digjet në perëndimet e lagura
Kot e keni
Pendimi ka për t’iu ndjekur
Sepse njeriu asnjëherë nuk e di
Çfarë fiton e çfarë humbet
Kur ngutet drejt një objektivi
Pa i pare pengjet që rrinë varur
Si mollë të fshehura në pemë
NATYRË E MBYLLUR
Ti mbyllesh në vetvete
I ruan shumë të fshehta botës
Mbart dhimbje dhe dashuri
Dhe e shpërndan lehtë-lehtë
Lule më lule e shteg më shteg
E dashur, shprehu,
Hapi buzët e trëndafilta
Të nxjerrin tinguj të ëmbël zanoresh
Dhe zbukuroje botën
Që po fishket përditë pa ty
Sa fate femërore
Kanë shkuar duke marrë me vete
Enigmën e madhe të kësaj jete
Që ka mbetur kaq e ashpër
E trishtë dhe e pandreqshme
SHI PRANVERE
Bie shi i lehtë pranvere
Unë e ndjej por s’e shoh
Afrohem te dritarja e dhomës
Dhe pyes renë që fillon e zbardhet
A mos ka mbetur jashtë
Një vajzë me kacurrela
Që nxiton për të gjetur një strehë
Pastaj i lutem shiut
Më lejo një intermexo të shkurtër
Të vrapoj shpejt si era
Dhe ta bart cupën si flutur
Dëgjoj nje zë të beftë pëshpëritës
Mos u mërzit i dashur
Vajzës nuk do t’i ftohet gjoksi i ngrohtë
Pikat e shiut depërtojnë deri te supet
Por jo në ije e poshtë
ÇASTE LUMNIE
Pasi merr një lajm të mirë
A një kumt fatsjellës
Kridhesh pak caste në botën e amëshuar
Kraharori hapet dhe merr frymë lirisht
Zemra ka një çtendosje nga aritmia
Drejton sytë nga qielli
Ndoshta për të parë engjëjt nga larg
Vozitesh në anijen e ëndrrave
Ndërsa valët vijnë qetë-qetë si një afsh
Përpiqesh t’i shijosh këto çaste
Brenda pak minutash
Pastaj afrohen pa u ndier re të zeza
Që të kaplojnë dalngadalë
Lodhesh më kot, nuk ke ku t’u fshihesh
Dallgët e stresit pasi pushtojnë
Edhe kalanë e fundit të qelizave të trurit
Bëhen të gjithpushtetshme si përherë
Ka mbetur veç një kujtim i ëmbël
Sa për të shpëtuar nga humbja e pashpresë
LULE BLINI
I kam pritur me muaj këto ditë
Të bares rrugëve të qytetit
Kur çelin lulet e blinit
Në këtë vapë vere
Ku njerëzia i ikin diellit
Si prej sherrit
Aroma e lule blinit,
Dhe kokrrizat e verdha
Që lëshon në tokë,
Kurora e bukur
E këtij druri të drejtë hyjnor
I fton njerëzit të bëhen bashkë
Të shijojnë natyrën
Të ëndërrojnë sidomos mbrëmjeve
Për një dashuri të re
Të ngjiten me flatra drejt qiellit
Të shijojnë kënaqësinë e të padukshmes
Të dhurojnë një puthje të ëmbël
Si një kujtim që s’do të venitet kurrë
***
Ditën e parë kur u këmbyem në rrugë
U tranda nga një bukuri mahnitëse
Të nesërmen ajo më pa e para nga larg
Hapësira mes nesh sikur pësoi një krisje
Ditën e tretë, morëm më shumë guxim
Vështrimet u takuan me më pak ndrojtje
Ajo s’e ndërroi rrugën as ditën e katërt
Priste një përshëndetje larg syve të të njohurve
Pastaj e pashë përsëri pa guxuar t’i flisja
Kështu ditë për ditë veten po humbisja
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...