2012-08-09

Dimri i Vetmisë së Madhe

Skeda:Dimri i vetmisë së madhe.JPG



Dimri i vetmisë së madhe Gjinia: Roman. Autori: Ismail Kadare. Shtëpia botuese: Onufri. Viti i botimit 2012. Faqet e librit 510. ISBN 978-99956-87-85-4




Gjykata ka vendosur që dorëshkrimi i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe”, i shkrimtarit Ismail Kadare, i cili posedohet në mënyrë të padrejtë, sipas shkrimtarit, nga e veja e diktatorit Hoxha, Nexhmije Hoxha do të ruhet përkohësisht në arvikat e shtetit deri në momentin që të vendoset përfundimisht se cila nga palët ka të drejtë. Gjyqtari Bledar Abdullai vendosi të zgjedhë këtë rrugë të mesme deri në përfundimin e plotë të gjyqit të hapur nga ana e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili më 18 korrik ngriti një padi civile ndaj Nexhmije Hoxhës.

Ai kërkoi nga Gjykata të detyrojë të venë e diktatorit që t’i kthejë dorëshkrimin origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, i cili është shkruar nga autori në vitin 1971 dhe është botuar në 1972 për herë të parë. Në padi Kadare pretendon se Nexhmije Hoxha e ka marrë dorëshkrimin në vitin 1972 gjatë një vizite që bëri në shtëpinë e tij, për ta ruajtur në Arkivin e Partisë. Ndërkohë, mbrojtësi ligjor i Hoxhës është shprehur se ajo do ta zbatojë vendimin e gjykatës dhe dorëshkrimin do ta dorëzojë në Drejtorinë e Arkivit të Shtetit, por ai pretendon se zotëron dokumente të shkruara nga vetë Kadare ku vërtetohet se ky dorëshkrim i është bërë dhuratë Nexhmije Hoxhës nga shkrimtari.

Masa e marrë për ruajtjen e dorëshkrimit, i cili ka vlera historike, por edhe shpirtërore për shkrimtarin Kadare, bëhet me qëllim që ai të mos cenohet apo dëmtohet deri në përfundim të procesit gjyqësor të nisur pak kohë më parë nga shkrimtari për të rimarrë diçka, që sipas tij i është vjedhur me anë të mashtrimit dhe pretendimit se do të ishte pjesë e arkivës së shtetit.
26 korrik 2012



Aktdhurimi është bërë më 17 qershor 2011. Një kopje e ka marrë edhe Kadare



Në Arkivin Qendror të Shtetit gjendet vetëm një fotokopje e dorëshkrimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Kjo fotokopje është bërë përmes një aktdhurimi të nënshkruar nga vetë Nexhmije Hoxha. Ivan Loli, drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në AQSH, thekson se përveç kësaj fotokopjeje, dhuruar më 17 qershor të vitit 2011, në arkiv nuk ka hyrë ndonjë dorëshkrim origjinal. Ai ka theksuar se fotokopja është bërë nga vetë familja Hoxha dhe dorëzuar si e tillë, duke dashur të theksojë se specialistët e arkivit nuk e kanë parë origjinalin.

Zoti Loli, a ka ardhur ndonjëherë dorëshkrimi origjinal i romanit “Dimri i vetmisë së madhe” në Arkivin Qendror?

Për sa i përket dorëshkrimit origjinal, di të them se nuk ndodhet në arkiv. Unë kam qenë i pranishëm në vitin 1992 kur u sekuestruan dokumentet e Kadaresë nga organet e sigurimit të kohës. Të pasigurt për ruajtjen fizike, hetuesia kërkoi ruajtjen fizike të tyre dhe i solli në arkiv të mbyllura, të dyllosura dhe të lidhura. I kishim vetëm për t’i ruajtur, pa asnjë të drejtë për t’i hapur apo për t’i sistemuar. Nuk pamë se çfarë kishte në ato kuti. Më kujtohet se rreth vitit 1996-1997, Ismaili së bashku me Helenën kanë ardhur në zyrën e drejtorit të atëhershëm Luan Malltezi. Ne i sollëm arkat që ruanim, i hapi dhe e kujtoj edhe sot që u emocionua jashtë mase kur pa veprat e veta. Të gjitha ato që përmbanin kutitë iu dorëzuan Ismail Kadaresë. Në vazhdimësi, nisur nga vlerat që kanë pasur veprat e tij, arkivi ka mbajtur korrespondencë me shkrimtarin, ku i është kërkuar që të dorëzojë dokumente sipas vullnetit të tij. Duhet të jemi të qartë që ai nuk është i detyruar të dorëzojë asgjë ligjërisht. Ne kemi ngritur një fond të posaçëm me emrin e shkrimtarit, ku ai ka dorëzuar disa materiale. Janë bërë përpjekje dhe janë marrë disa, kemi edhe një fond me procesverbale, janë inventarizuar dhe është krijuar një dosje me numër të saktë.

Dimë që nga Arkivi Qendror i janë bërë disa kërkesa Nexhmije Hoxhës për të kthyer origjinalin e këtij romani. A ka pasur përgjigje të saj?

Është e vërtetë që janë bërë përpjekje që nga viti 2005 e në vazhdim, nga drejtori i mëparshëm Shaban Sinani, por edhe nga drejtoresha aktuale Nevila Nika. Pas këtyre kërkesave, më 17 qershor të vitit 2011, arkivit i është bërë një akt dhurimi nga Nexhmije Hoxha. Në të është shkruar shumë qartë që dorëzohet një dokument shqip, dorëshkrim, por fotokopje. Është thënë qartësisht se fotokopja e një ekzemplari i dorëzohet Arkivit Qendror të Shtetit. Po ashtu shënohen edhe të dhëna të tjera, siç është numri 1255 i faqeve. Duhet theksuar se fotokopja është sjellë nga vetë familja Hoxha dhe nuk është bërë nga ne mbi origjinalin. Ne kemi realizuar një kopje të dixhitalizuar të këtij dorëshkrimi, ndërkohë që fotokopjen ia kemi dorëzuar shkrimtarit Ismail Kadare.

Në padinë e tij, zoti Kadare pretendon se ka dëmtime të origjinalit. A ishin të dallueshme këto në fotokopjen që është dorëzuar në arkiv?

Nuk mund të them dot gjë për kushtet fizike në të cilat mund të jetë origjinali duke u bazuar në fotokopjen, pasi në versionin origjinal që kemi, është vështirë ta thuash. Por shkrimtari e dallon më mirë nëse i janë bërë dëmtime origjinalit.

Ju thatë se është ngritur një fond me emrin e shkrimtarit Ismail Kadare. Çfarë është dorëzuar në këtë fond?

Ne kemi bërë një klasifikim sipas rregullave tona në dorëshkrime, letërkëmbime etj. Gjendet një fotokopje e dorëshkrimit të romanit të parë të Ismail Kadaresë, “Qyteti pa reklama”, shkruar në Moskë në vitin 1959 dhe shoqërohet me një fletë ku atuori me autograf ka shënuar dhurimin për arkivin në datën 24 maj 2002.

Një letër personale e Ismail Kadaresë drejtuar Hekuran Isait në përkrahje të një kërkese me shkrim që Dhori Qiriazi i ka dërguar këtij të fundit (dorëshkrimi origjinal, shqip), fotokopje të dy letrave të Lasgush Poradecit për një problem të tij familjar dërguar Ismail Kadaresë, në njërën prej tyre ka shkruar edhe poezinë e vet “Trashëgimi” (fotokopje). Lista vazhdon me dokumente të tjera.

Në çfarë viti është bërë dhurimi i fundit?

Ky inventar është përditësuar deri në vitin 2005.



Letrat e muzeut

Nexhmija: Kam edhe dorëshkrime të tjera të Ismailit

Përveçse një letërkëmbimi të vazhdueshëm me Arkivin Qendror të Shtetit, Nexhmije Hoxha ka pasur një tjetër letërkëmbim edhe me Muzeun Historik Kombëtar, po për dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Ish-drejtori Kasëm Biçoku, i ka dërguar dy letra në vjeshtë të vitit 2009, ku i kërkon zonjës Hoxha t’u huazojë dorëshkrimin e romanit me rastin e një ekspozite që parashikohej të çelej me dorëshkrimet e shkrimtarit. Nexhmije Hoxha i është përgjigjur me një letër kësaj kërkese, ku përveçse nuk ka pranuar të dorëzojë dorëshkrimin, shprehet edhe e pakënaqur nga trajtimi që i është bërë figurës së Enver Hoxhës në Muzeun Historik Kombëtar. Ndonëse kjo letër nuk është vënë në dispozicion nga muzeu, duke u konsideruar personale e zonjës Hoxha, në letrën e dytë që i është dërguar nga drejtori Biçoku, theksohet fakti që Nexhmije Hoxha kishte folur jo vetëm për dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, por edhe për dorëshkrime të tjera të Ismail Kadaresë. I pyetur për këtë rast, ish-drejtori i MHK-së, Kasëm Biçoku, pohon se këtë gjë e ka shënuar vetë zonja Hoxha në përgjigjen e saj. Sipas tij, kjo është thënë qartë në letrën që gjendet në Muzeun Kombëtar së bashku me letrat drejtuar asaj për huazimin e dorëshkrimit.



Letra e parë

Tiranë, 24.09.2009

Lënda: Kërkesë

Drejtuar: Znj. Nexhmije Hoxha

Muzeu Historik Kombëtar së shpejti do të hapë një ekspozitë për “Jetën dhe veprën e Ismail Kadaresë”. Në të do të ekspozohen edhe dorëshkrimet e veprave të tij. Nga korrespondenca juaj e viteve 2002-2004 me drejtorinë e Arkivit të Shtetit jemi në dijeni se ju dispononi dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, që ndoshta është vepra më e rëndësishme e Ismail Kadaresë.

Ju lutem që dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” të na e huazoni për ta ekspozuar. Në ekspozitë do të shënohet emri juaj si pronare e dorëshkrimit.

Ditën që do të mbyllim ekspozitën ne do t’ua kthejmë menjëherë dorëshkrimin e këtij romani.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.

Drejtori Kasëm Biçoku





Letra e dytë

Tiranë, më 08.10.2009

Lënda: Kërkesë

Drejtuar: Znj. Nexhmije Hoxha

Znj. Nexhmije Hoxha

Po ju drejtohem edhe njëherë për të mundësuar ekspozimin e dorëshkrimit të romanit të Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, si edhe të dorëshkrimeve të tjera të tij që ju dispononi.

Mendoj se jeni e keqinformuar për qëndrimin e Muzeut Historik Kombëtar ndaj figurave historike, duke përfshirë edhe Enver Hoxhën.

Në Pavijonin e Luftës, që ndodhet në katin III të muzeut, janë ekspozuar disa objekte personale të Enver Hoxhës, foto të tij, madje edhe tuajat. Gjithashtu në fondet e muzeut janë në ruajtje të gjitha objektet e tij që ka trashëguar muzeu. Kurse një pjesë e objekteve të ish-muzeut “Enver Hoxha”, që janë dhurata të institucioneve të kohës dërguar Enver Hoxhës, janë në ruajtje të përkohshme në bodrumet e muzeut për mungesë vendi në mjediset e tjera të tij. Këto materiale nuk i përkasin MHK; unë i kam kërkuar me shkrim Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, largimin e tyre prej ambienteve të muzeut.

Pas këtyre sqarimeve besoj se do të na huazoni për ekspozim dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” dhe dorëshkrimet e tjera të Ismail Kadaresë. Ato do të vendosen në një vitrinë të veçantë, në të cilën do të shënohet edhe emri juaj si dhuruese e tyre. Jam i bindur se ekspozimi i tyre ju nderon.

Duke shpresuar në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj.

Drejtori Kasëm Biçoku



Fondi “Kadare”

Që prej vitit 2003, në Arkivin Qendror të Shtetit është krijuar një fond i posaçëm që mban emrin Ismail Kadare. Ky fond, i krijuar kur në krye të këtij institucioni ishte studiuesi Shaban Sinani, mban numrin 779 dhe përmban materiale të dorëzuara nga shkrimtari.



1255

Faqe ka fotokopja e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” (viti 1970) që është dorëzuar nga familja Hoxha në Arkivin Qendror të Shtetit



Aktdhurimi

Në Arkivin e Shtetit ruhet aktdhurimi, sipas të cilit në datën 17 qershor 2011, Nexhmije Hoxha ka dorëzuar fotokopje të dorëshkrimit



I vendosur në 7 dosje, në dorëshkrim dhe shtypshkrim, “Dimri i Vetmisë së Madhe” do të qëndrojë në dhomën e kodikëve, një dhomë e sigurisë së lartë deri në vendimin e Gjykatës së Tiranës për përplasjen mes Ismail Kadaresë dhe Nexhmije Hoxhës
Mbyllen në kuti të vulosur 1252 faqe. Nuk mund të hapet nga askush





Dorëshkrimi i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë është dorëzuar në Arkivin Qendror të Shtetit. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për sekuestrimin e dorëshkrimit dhe ruajtjen e tij në arkiv, familja Hoxha e ka dorëzuar dje vullnetarisht. Në orën 15:00, avokati i familjes Hoxha, Aranit Roshi, së bashku me Teuta Hoxhën, kanë hyrë në derën e Arkivit të Shtetit për të dorëzuar dorëshkrimin. Ndonëse orari zyrtar i ditës së premte për AQSH-në mbyllej më 14:00, ky institucion është treguar i gatshëm të kryejë procedurat e pranimit. Sipas avokatit të familjes Hoxha, Aranit Roshi, përpara se të bëhej dorëzimi, është njoftuar edhe avokatja e shkrimtarit Ismail Kadare, Flonia Tashko, e cila ka qenë e pranishme së bashku me një përmbarues. Për dorëzimin e dorëshkrimit është mbajtur një procesverbal i nënshkruar nga përfaqësuesit e palëve, përmbaruesi dhe përgjegjësja e sektorit të ruajtjes në Arkivin Qendror të Shtetit, në praninë edhe të Teuta Hoxhës. Sipas këtij procesverbali, është marrë në shqyrtim dorëshkrimi fletë për fletë dhe nga numërimi kanë dalë 1252 fletë, në dorëshkrim dhe shtypshkrim, të vendosura gjithsej në shtatë dosje. Pas shqyrtimit të detajuar, në procesverbal thuhet se gjendja e dorëshkrimit është e mirë dhe pa dëmtime fizike. Në një nga pikat e tij të padisë, shkrimtari Ismail Kadare ka ngritur edhe shqetësimin se dorëshkrimi nuk ruhej në gjendje të mirë dhe kishte dëmtime. Pas nënshkrimit të procesverbalit, dorëshkrimi i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” është vendosur në një kuti, e cila është mbyllur me skoç, mban sipër vulën e përmbaruesit, vulën e dyllit me shenjën e arkivit dhe të avokatit të familjes Hoxha. Ashtu siç ishte thënë edhe më parë, kutia me dorëshkrimin është vendosur në dhomën e kodikëve, një dhomë e sigurisë së lartë. Kjo kuti nuk mund të hapet pa praninë e të gjithë nënshkruesve, sepse në të kundërt do të mbahet përgjegjësi penale. Gjatë periudhës që do të zhvillohet procesi gjyqësor mes Nexhmije Hoxhës dhe shkrimtarit Ismail Kadare, autori nuk ka të drejtë ta shohë apo ta studiojë në hollësi dorëshkrimin e romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Vetëm nëse vendimi i Gjykatës së Tiranës do të jetë në favor të tij, atëherë Kadare mund të ketë të drejta mbi romanin e tij. Duke theksuar se Nexhmije Hoxha e ka dorëzuar me vullnetin e saj dorëshkrimin në arkiv, avokati Aranit Roshi ka përsëritur edhe një herë se zonja Hoxha do të ishte e gatshme t’ia dhuronte këtij institucioni. “Nexhmije Hoxha është e gatshme t’ia falë shtetit shqiptar këtë dorëshkrim duke ia dorëzuar Arkivit Qendror të Shtetit”, ka theksuar avokati i familjes Hoxha. Pavarësisht se procedura në këto raste parashikon që nga njoftimi për ekzekutimin e vendimit duhet të kalojnë dhjetë ditë për të bërë ekzekutimin vullnetar dhe vetëm në rast të mosrespektimit të këtij afati bëhet sekuestrimi, avokati Roshi shprehet se ata nuk kishin marrë ende asnjë njoftim, por kanë vendosur ta dorëzojnë dorëshkrimin, pasi, sipas tij, Nexhmije Hoxha e ka pasur këtë vullnet edhe më parë. Nga ana tjetër, duke theksuar edhe një herë se dorëshkrimi i romanit të Kadaresë është një vlerë kombëtare, avokatja e shkrimtarit, Flonia Tashko është shprehur se procedura gjyqësore ka për qëllim ta ruajë në një vend të sigurt dorëshkrimin dhe pas vendosjes në arkiv, do të respektohen të gjitha rregullat e këtij institucioni. Prej gati dy javësh, përplasja mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës ka përfunduar në dyert e gjykatës pas padisë së shkrimtarit. Kadare pretendon se dorëshkrimi mbahet në mënyrë të paligjshme nga Nexhmije Hoxha, ndërsa kjo e fundit ka theksuar disa herë se dorëshkrimi i është bërë dhuratë në vitin 1972, në shenjë mirënjohje nga shkrimtari. Ndërsa Kadare ka theksuar se nuk ka asnjë akt dhurimi dhe është shprehur se është detyruar t’ia japë dorëshkrimin zonjës Hoxha pasi në atë kohë ajo ishte me influencë e nuk mund ta kundërshtonte. Beteja gjyqësore mes palëve do të vazhdojë, ndërsa gjatë kësaj kohe dorëshkrimi do të qëndrojë i mbyllur në arkiv dhe i pahapur.


Flet Kadare: Gjyqi me Nexhmijen  sprovë force e regjimit të përmbysur


1252

Fletë ka dorëshkrimi i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë. Në prani të palëve, dorëshkrimi i cili ruhej në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës në shtatë dosje është dorëzuar në Arkivin Qendror të Shtetit



Kutia e vulosur

Pas nënshkrimit të procesverbalit, dorëshkrimi i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” është vendosur në një kuti, e cila është mbyllur me skoç, mban sipër vulën e përmbaruesit, vulën e dyllit me shenjën e arkivit dhe të avokatit të familjes Hoxha. Nuk mund të hapet deri në mbarim të procesit



Ora 15:00

Në orën 15:00, avokati i familjes Hoxha, Aranit Roshi, së bashku me Teuta Hoxhën, kanë hyrë në derën e Arkivit të Shtetit për të dorëzuar dorëshkrimin. Ndonëse orari zyrtar i ditës së premte për AQSH-në mbyllej më 14:00, ky institucion është treguar i gatshëm të kryejë procedurat e pranimit


Padia

Prej gati dy javësh, përplasja mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës ka përfunduar në dyert e gjykatës pas padisë së shkrimtarit. Kadare pretendon se dorëshkrimi mbahet në mënyrë të paligjshme nga Nexhmije Hoxha, ndërsa kjo e fundit ka theksuar disa herë se dorëshkrimi i është bërë dhuratë në vitin 1972, në shenjë mirënjohje nga shkrimtari.




Dorëshkrimi origjinal i veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe” do të vendoset në Arkivin e Shtetit, deri në zgjidhjen e konfliktit midis Ismail Kadaresë dhe Nexhmije Hoxhës. Gjyqtari Bledar Abdullai vendosi dje që dorëshkrimi do t’i rimerret të paditurës Nexhmije Hoxha dhe pasi të kryhet inventarizimi do të mbahet në arkiv, derisa të zgjidhet çështja në themel. Sipas gjykatës, kjo masë sigurimi vlerësohet e përshtatshme për shkak se arkiva, referuar detyrimeve ligjore dhe kushteve teknike të ruajtjes së dokumenteve origjinale, gëzon të gjitha cilësitë e nevojshme. Në seancën e djeshme, avokati i Nexhmije Hoxhës, Aranit Roshi, kërkoi rrëzimin e kësaj kërkese, pasi sipas tij, dorëshkrimi në fjalë ka një vlerë monetare, krahas asaj të trashëgimisë kulturore.



Pretendimet e avokatëve

Avokati pretendoi se pala paditëse (avokatët e shkrimtarit Ismail Kadare) duhet të paguanin një shumë për regjistrimin e padisë, pasi dorëshkrimi i veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe” ka një vlerë monetare. Megjithatë, kërkesa u rrëzua dhe avokati Roshi pohoi se ishte dakord që dorëshkrimi të vendosej në Arkivin e Shtetit, deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit, për të cilin tha se klientja e tij disponon të gjitha dokumentet që vërtetojnë se këto shkresa janë dhuratë.




 “Ne jemi dakord që ky dorëshkrim të shkojë në një institucion të caktuar nga gjykata, por pretendojnë dhe kemi prova se dorëshkrimi i është dhuruar Nexhmije Hoxhës. Në seancat e ardhshme do të vërtetojmë se dorëshkrimi i është dhënë Nexhmije Hoxhës në shenjë mirënjohje nga ana e shkrimtarit për kërkimet që ky i fundit ka bërë në atë kohë në Arkivin e Partisë për të punuar këtë vepër”, pohoi avokati. Një seancë më parë, avokatja e Kadaresë, Flonja Tashko, i kërkoi gjykatës të sekuestrojë këtë dorëshkrim deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, ndërsa pohoi se klienti i saj nuk e ka dhuruar.




Ajo pohoi se në vitin 1972 e paditura kishte vizituar shtëpinë e shkrimtarit dhe i kërkoi këtë dorëshkrim, me pretendimin se do e vendoste në Arkivin e Partisë. Pas kërkimeve në arkiv gjatë rënies së diktaturës, shkrimtari nuk e ka gjetur dorëshkrimin dhe pas letërkëmbimeve me Nexhmije Hoxhën iu drejtua gjykatës me një padi civile ku kërkon që ky dorëshkrim t’i rikthehet.



Vendimi i gjykatës

Pas shqyrtimit gjyqësor, gjykata vlerëson se ekzekutimi i vendimit për të drejtat e paditësit, do të bëhej i vështirë në rast të mosvendosjes së një mase sigurie, pasi në këtë mënyrë, pasojat që do të prodhoheshin si rezultat i dëmtimit të veprës, do të ishin pasoja të rënda, gjë që nëse do të pranohej padia e paditësit për çështjen në themel do të vështirësonte ekzekutimin e vendimit të themelit ose do ta bënte të paekzekutueshëm. “Lejimi nga gjykata i marrjes së kësaj mase sigurie çmohet si e domosdoshme dhe në zbatim të arsyetimit të vendimit unifikues nr.10, datë 24.3.2004 të kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë sipas së cilit vendimet për marrjen e masave provizore për sigurimin e objektit të padisë, kanë për qëllim të krijojnë një gjendje që të ngrijnë konfliktet midis palëve, derisa të zgjidhet në themel, përmes një vendimi gjyqësor përfundimtar dhe të formës së prerë”, pohon gjyqtari Bledar Abdullai. Sipas tij, për sa i përket llojit të masës së sigurimit të objektit të padisë, kjo gjykatë vlerëson se masa e propozuar nga kërkuesi (paditësi) është e përshtatshme për të krijuar garancitë e nevojshme për ruajtjen e dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”.



 “Vendosja në ruajtje e dorëshkrimit origjinal të kësaj vepre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave vlerësohet si e përshtatshme për shkak se ky institucion, referuar kompetencave të tij, detyrimeve ligjore në trajtimin e dokumenteve arkivore dhe kushteve teknike të ruajtjes së dokumenteve origjinale, gëzon të gjitha cilësitë e nevojshme për zbatimin e masës së sigurimit në mënyrë korrekte. Për këto arsye u vendos: pranimi i kërkesës. marrja e masës së sigurimit të padisë, duke urdhëruar kryerjen e inventarizimit të dorëshkrimit origjinal të veprës ‘Dimri i Vetmisë së Madhe”, sekuestrimin e tij, si dhe lënien përkohësisht në ruajtje të këtij dorëshkrimi pranë Drejtorisë së Përgjithshme deri në përfundim të përfundimit të çështjes në themel”, thuhet në vendim.



Arkivi: Dorëshkrimi, në një dhomë sigurie të lartë

Drejtoresha e Arkivit Kombëtar, Nevila Nika, pohon se dorëshkrimi ende nuk ka mbërritur në institucionin që drejton. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Nika pohon se “Dorëshkrimi ende nuk ka arritur në Arkivin e Shtetit dhe me dijeninë tim duhet të kalojnë disa ditë për zbardhjen e vendimit”. Megjithatë, thotë Nika, arkivi është përgatitur për ruajtjen e tij dhe janë të gjitha kushtet e ruajtjes. “Nëse do të ketë pretendime për sa i përket sigurisë dhe ambienteve ku do të vendoset dorëshkrimi, ne kemi mundësi që ta vendosim në një dhomë të sigurisë së lartë, siç është dhoma e kodikëve dhe ajo e dorëshkrimeve të rralla orientale”, përfundon Nika.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...