2012-08-09

Misteri i lutjeve


Shtëpia Botuese “Privirea” në Bukuresht ka botuar antologjinë “Misteri i lutjeve”

(Një antologji e poezisë shqipe sot) hartuar dhe përkthyer nga Marius Dobrescu. Agim Vinca, Ali Podrimja, Bardhyl Londo, Besim Bokshi, Bislim Ahmetaj, Gjek Marinaj, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Frederik Rreshpja, Ismail Kadare, Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Natasha Lako, Petrit Ruka, Radije Hoxha, Resul Shabani, Skënder Rusi, Skënder Sherifi, Visar Zhiti, Xhevair Spahiu etj., janë disa nga poetët e përfshirë në botim

Përkthyesi dhe shkrimtari rumun, Marius Dobresku, me një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e kulturës shqipe në Rumani, me botimet e panumërta për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, sjell këtë herë një befasi për lexuesin rumun: një antologji të poezisë moderne shqipe: “Misteri i lutjeve” (Një antologji e poezisë shqipe sot). Kur thua letërsi shqipe në Rumani ke parasysh Ismail Kadarenë dhe duke qenë se e lexojnë Kadarenë në gjuhën rumune, çdo lëçitës i kësaj letërsie ka parasysh në radhë të parë përkthyesin e mbi 30 romaneve të Ismail Kadaresë, Marius Dobrescu-n. Këto ditë shtëpia botuese “Privirea” në Bukuresht ka botuar antologjinë “Misteri i lutjeve” (Një antologji e poezisë shqipe sot) hartuar dhe përkthyer nga Marius Dobrescu, me parathënie nga studiuesi shqiptar dr. Luan Topçiu. Në këtë antologji, sipas rendit alfabetik, zënë vend autorë të mirënjohur të poezisë shqipe si: Agim Vinca, Ali Podrimja, Bardhyl Londo, Besim Bokshi, Bislim Ahmetaj, Gjek Marinaj, Dhori Qiriazi, Dritëro Agolli, Eqrem Basha, Ermir Nika, Ervin Hatibi, Esat Mekuli, Fatos Arapi, Frederik Rreshpja, Ismail Kadare, Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Natasha Lako, Petrit Ruka, Radije Hoxha, Resul Shabani, Skënder Rusi, Skënder Sherifi, Visar Zhiti, Xhevair Spahiu etj

Në parathënien e kësaj antologjie të poezisë moderne shqipe, dr. Luan Topçiu shkruan: “Hartimi e një antologjie tregon një demonstrim polemik të opsioneve estetike, gjë e që bën, par excellence, provokuese, madje edhe kur hartohet në një gjuhë të huaj. Roli i një antologjie nuk mund të jetë veçse propozimi i një tabloje të re, ku takohen autorë që shkruajnë në kushte të ndryshme, që vijnë nga zona të ndryshme, që u përkasin brezave të ndryshëm dhe rrymave të ndryshme, por që i bashkon gjuha amtare dhe hapësira etnike dhe shpirtërore të cilës i përkasin. Kjo antologji është një tablo e poetikave të poezisë bashkëkohore shqiptare”. Përzgjedhësi dhe përkthyesi i kësaj antologjie, Marius Dobrescu, ka kaluar në një filtër të fortë autorët dhe poezitë, duke ofruar për lexuesin e poezisë në Rumani, një imazh të përzgjedhur me sqimë dhe me profesionalizëm. Siç do të shprehet dhe kritiku i letërsisë dhe i artit Luan Topçiu në parathënien e tij “Përpjekjet për të përgatitur antologji të poezisë shqipe nuk kanë munguar, por një antologji kushtuar poezisë bashkëkohore shqiptare, me të gjithë hartën e mundshme shpirtërore, duke përfshirë diasporën, është një nismë e lavdërueshme e autorit të kësaj antologjie, shkrimtarit dhe përkthyesit Marius Dobrescu. Antologjia e konceptuar prej tij vepron pothuajse ekskluzivisht në sinkroni. Janë përzgjedhur poetët shqiptarë më të njohur, duke filluar me gjeneratën e viteve ’60 të shekullit të kaluar, por dhe autorë që janë aktivë sot, por dhe autorë të rinj që afirmohen sot e gjithë ditën. Të gjithë formojnë këtë puzzle që quhet poezia bashkëkohore shqipe”.

Përkthyesi i shquar dhe miku i madh i shqiptarëve, Marius Dobrescu, meriton nderimin e shqiptarëve për këtë vepër me vlera, për gjithë veprimtarinë e tij në të mirë të afirmimit të shqiptarëve dhe Shqipërisë në botë. “Kjo antologji, nën përkthimin e shkëlqyer e njërit prej njohësve të letërsisë dhe gjuhës shqipe, Marius Dobrescu, nuk mund të jetë veçse e mirëseardhur, duke pasur të gjitha gjasat të shndërrohet në një përzgjedhje si pikë referimi për poezinë shqipe bashkëkohore”, e mbyll parathënien e tij Dr. Luan Topçiu. Marius Dobresku është cilësuar me të drejtë si ambasadori i Kulturës Shqiptare në Rumani e në mbarë rajonin. Ai është autor i shumë artikujve publicistikë, që i dedikohen Shqipërisë në shtypin rumun, por mbi të gjitha është një nga përkthyesit më të mirë të veprave shqiptare në gjuhën rumune. Dobresku është vlerësuar edhe me çmime kombëtare në Rumani duke u shpallur “përkthyesi më i mirë i vitit”, për përkthimin e veprave të Kadaresë, por dhe laureati i çmimit “Penda e argjendtë” (Tiranë 2006). Marius Dobresku u lind në Braila në vitin 1951. Ai mbaroi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës. Punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë e më pas iu dedikua gazetarisë. Sot shkrimtari Marius Dobrescu drejton revistën “Prietenul albanezului/ Miku i shqiptarit” që botohet në Bukuresht dhe është autor i shumë librave dedikuar Shqipërisë.

Mira Skënderaj, Bukuresht, gusht 2012

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...