2012-08-07

Spiunazhi i Gjermanisë në Kosovë, misioni i dështuar


Der SPIEGEL

Marrëzia e tre agjentëve të Agjencisë së Jashtme Sekrete të Gjermanisë ka rrezikuar njërën nga operacionet më të rëndësishme të organizatës: ndërtimin e rrjetit të tyre sekret të informatorëve në Kosovë. Gjithashtu ka tendosur marrëdhëniet diplomatike në mes këtyre dy shteteve.

Kompania gjendet në njërën nga lagjet më të mira të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, në një shtëpi të madhe familjare në një kodër, e cila shikon kah lugina në skaj të qytetit. Ndërtesa e bardhë është e rrethuar me gardh të hekurt. Në një shtyllë afër hyrjes kryesore qëndron një shenjë me logon e gdhendur të kompanisë, letrat LCAS, dhe nën të, tri ngjyrat: e zezë, e kuqe dhe e arit.

Një Mitsubishi Pajero me targa të Munichut është i parkuar prapa grilave. Perdet janë të mbyllura dhe dritat e forta të halogjenit me detektorë të lëvizjes janë instaluar nën strehën e çatisë. Një palë gërshërë krasitjeje gjenden para derës, dhe një skarë është në tokë. Anët e shtëpisë, me barin e prerë bukur, janë të gardhuara gjithashtu.

Gjermanët u futën këtu vjeshtën e kaluar dhe gjithmonë kanë qenë shumë të sjellshëm, thotë fqinji Hajredin Shala, i cili gjithashtu cek se njëri prej tyre rregullisht dilte për jogging. Por ai nuk po i shihte shpesh tre burrat. Ai tha se po jetonin vetëm, nuk kishin vizitorë, nuk flisnin shqip dhe kurrë nuk thoshin më shumë se tung.

Tani, mundësia e Shalës që t’i njohë më shumë fqinjët e tij ka kaluar. Të shtunën, të tre njerëzit e lanë Prishtinën me një fluturim special për në Berlin. Së shpejti, treshja – Robert Z, Andreas J. dhe Andreas D., do të përballen me një komitet të parlamentarëve gjermanë, të cilët kanë treguar interesim për rastin e tyre. Sipas të gjitha gjasave, ata kurrë më nuk do të kthehen në Kosovë.

Fytyrat në ballina

E pse të kthehen? Ata hynë në këtë shtet si agjentë të Bundesnachrichtendienst (BND), agjencia e jashtme gjermane për zbulim. Operacioni përfundoi me treshen në lajmet e mbrëmjes dhe fytyrat e tyre të rrumbullosura nëpër të gjitha faqet e para të gazetave gjermane. Një vëmendje e tillë nuk është e mirë për karrierat e agjentëve të fshehtë.

Policia arrestoi tre gjermanët afro dy javë më herët nën dyshimet se kanë gjuajtur eksplozivë në zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë më 14 nëntor.

Lirimi i tre gjermanëve nga paraburgimi shënon përfundimin e një zënke të jashtëzakonshme diplomatike në mes Gjermanisë dhe shtetit të vockël e të ri të Ballkanit. Ndonjëherë, toni i mprehtë shkeli tenorin diplomatik që zakonisht është i matur, thotë një anëtar i Qeverisë së Kosovës. Në një pikë, shefi i punonjësve të Angela Merkelit, Thomas de Maiziere, e paralajmëroi kryeministrin Hashim Thaçi në një bisedë telefonike se Berlini mund të fillojë të mendojë për shkëputjen e ndihmave.

Mbetet të shihet se si do të ndikojë ky skandal në marrëdhëniet afatgjata në mes Berlinit dhe Prishtinës. Sidoqoftë, një gjë tashmë është e qartë. Duke iu falënderuar sjelljeve idiote të agjentëve të tyre, shërbimi i jashtëm sekret i Gjermanisë mund të ketë dëmtuar pa kthim njërën nga operacionet e saj më të rëndësishme.

Me vite, Kosova ka qenë rajon i madh operacional për BND-në. Pos që është politikisht jostabile dhe gjendet jo larg prej kufijve të Gjermanisë, është një çerdhe e krimit të organizuar me lidhje në Gjermani dhe është një shtet ku janë të stacionuar një numër i mirë i policëve dhe ushtarëve gjermanë. Ekzistojnë jo më pak se tri departamente të BND-së, të cilët fokusohen në Kosovë, duke përfshirë Departamentin Pesë, i përgjegjshëm për krimin e organizuar, departamenti i njëjtë, i cili në vitin 2005 siguroi se kryeministri Thaçi është figurë kyçe në rrjetin e mafias kosovare-shqiptare. Atë kohë, raporti i fshehtë shpejt u rrodhi mediave. Thaçi kurrë nuk ua ka falur gjermanëve këtë gjë.

Informata të zbulimit

Departamenti Dy, i përgjegjshëm për vrojtimin e telekomunikimit, është aktive në Ballkan gjithashtu. Në fund të viteve ’90, ky seksion nisi operacionin “Mofa99”, në të cilën gjermanët përgjonin bisedat telefonike në mes të anëtarëve të UÇK-së kontroverse. Operacioni ishte aq i suksesshëm sa që një numër i teknikëve gjermanë ishin stacionuar me vite në Ministrinë e Brendshme Maqedonase që të punojnë në “Mofa99”. Që nga ajo kohë, BND-ja ka mbajtur rrjet të gjerë të informuesve në mesin e funksionarëve të lartë të UÇK-së dhe administratës kosovare.

Kur agjencia sekrete deshi të matë situatën për forcat e armatosura te Gjermanisë, Bundeswehri, presidenti i BND-së, Ernst Uhrlau autorizoi një operacion shtesë në vitin 2006. Departamentit Një iu dha detyra e “mbrojtjes së forcave”, mbledhja e sa më shumë informatave që ishte e mundur që të garantohet siguria e trupave në terren.

Prishtina u zgjodh si bazë e operacioneve për misionin top-sekret. Kryesorët në BND po synonin dy qëllime: mirëmbajtja e kontakteve me informuesit dhe mbledhja e informatave zbuluese. Operacioni iu dha Departamentit 11A, të cilët, sipas skemës sekrete të alokimit të burimeve të BND-së, është e përgjegjshme për “përkrahjen e operacioneve të Bundeswehrit dhe koordinimin e zbulimeve strategjike ushtarake.” Përgatitjet mund të fillonin.

Më 12 prill 2007, dy njerëz, të cilët e identifikonin veten si Michael Hohenstein dhe Rolf Hagen, regjistruan kompaninë LCAS Koordinimi i Logjistikës dhe Shërbime të Vlerësimeve Hohenstein & Hagen GmbH në gjyqin komunal në Munich. Të dy bavarezët cekën se qëllimi i kompanisë ishte të japë “shërbime logjistike,” e cila nuk është edhe tërësisht rrenë. Kompania gjoja ka vetëm dy punëtorë, dhe gjendet në një park të zyrave me ndërtesa moderne prej xhami dhe çeliku në skajin jugor të Munichut, në Ottobrunn.

Ndërtesa në Alten Landstrasse 23 paraqet një front ideal për organizata që punojnë të fshehura. Aty ka afro dhjetëra kompani për kompjuterë dhe disenj, dy firma të ligjit dhe një prodhues i hartave në këtë ndërtesë modeste të zyrave. Një kompani tjetër mund të gjendet prapa secilës derë nëpër korridorin e gjatë. Ata të gjithë e ndajnë një kuzhinë të vogël dhe wc-të, por përndryshe s’kanë asgjë të bëjnë me njëra-tjetrën.

Misioni top-sekret

Një kompani e rreme si LCAS përshtatet aty në mënyrë të përkryer. Askush nuk e di se kush punon këtu, apo nëse po punohet ndonjë gjë. Shenja në derë tani është hequr. Një specialist i ri i kompjuterëve nga ana tjetër e korridorit thotë se kompania ka shkuar diku tjetër, por shton se ai pothuajse kurrë nuk e ka parë ndokënd aty. Por zyra duket thuajse është përdorur.

Një kompjuter gjendet në tavolinë, dhe një riprodhim i Kadinskyt është i varur në mur. Kjo mjafton për mbulimin e misionit top sekret të BND-së në Prishtinë. Ky është vendi ku operacioni filloi në shtator të vitit 2007. Më 5 tetor 2007, LCAS-ja ishte regjistruar zyrtarisht me kapital fillestar prej 2.500 euro nën numrin e regjistrimit 70453415 në kryeqytetin kosovar, dhe pronari ishte regjistruar si kompania ëmë në Ottobrunn. Kompania nuk ka qarkullim, nuk paguan taksa dhe mban asi profili të ulët sa që drejtori i një agjencie gjermane për punësim sot thotë: “Nëse kjo kompani ishte aktive këtu, unë do të dija për të.” Por gjëja e fundit të cilën biznesmenët e rinj nga Bavaria donin, ishte publicitet për kompaninë e tyre.

Një total prej 11 agjentëve të BDN-së ishin stacionuar në Prishtinë në kohë të ndryshme. Ata themeluan kontakte, hulumtuan situatën dhe morën pjesë në operacione spiunazhi. Të gjitha nën mbulesën e LCAS-së. Zakonisht, dy deri në tre agjentë po operonin në të njëjtën kohë në lokacion. Ekipi i fundit përbëhej prej Robert Z., Andreas J. dhe Andreas D., të cilët si shumë kolegë të tyre, ishin transferuar prej Bundeswehrit në shërbimin e huaj sekret të Gjermanisë.

Pyetje të sikletshme për BND-në

Robert Z. 47 vjeç është një agjent me përvojë, i cili ka shërbyer në disa misione të jashtme. Ai ka lindur në Constance dhe jeton në Baden-Wurttemberg. Ai jeton një jetë që s’bie në sy këtu, me gruan dhe vajzën e tij. Fqinjët e dinë se ka shërbyer në Bundeswehr, “por vetëm në rezerva.” Në fakt ai punon “diçka me kompjuterë,” thonë ata. Por ky identitet i dyfishtë është i zbuluar në kutinë e tij të postës, ku duken edhe emri i tij i vërtetë edhe emri i tij kod.

Z. dhe kolegët e tij ishin pjesë e një misioni aq sekret sa që as qeveria kosovare e as atasheja zyrtare e BND-së e stacionuar në Ambasadën gjermane në Prishtinë nuk dinin asgjë për të. Ambasadori gjerman njëlloj ishte në errësirë.

Të premten, më 14 nëntor, rreth orës 5:30 pasdite, një pajisje eksplozive shpërtheu para zyrave kryesore të misionit të BE-së, të njohura si EULEX. Agjencitë e lajmeve shpejt raportuan sulmin. Zyrat kryesore të BND-së dhe Departamentit Një në Pullach, afër Munichut, u lajmëruan. Ata kërkuan nga treshja në Prishtinë që të gjejnë se ç’ka ka ndodhur dhe të dërgojnë një raport për sesionin e ardhshëm të “situatës së inteligjencës” në kancelarinë në Berlin, ku një grup i zyrtarëve të lartë i sigurisë gjermane takohen çdo të enjte. Si president i BND-së, Uhrlau duhet që personalisht të raporton incidentet e mëdha, dhe ai ka qejf të jetë i armatosur me njohuri ekskluzive.

Andaj të tre burrat hipën në Mitsubishin e tyre atë të premte mbrëma dhe u nisën. Shkurt pas orës 9 të natës, Andreas J. doli nga vetura afër skenës së shpërthimit që të bëjë ca fotografi. Gjersa dy kolegët e tij po pritnin në veturë, agjenti u ngjit në ndërtesën fqinje, e cila ende është në ndërtim e sipër dhe paraqet një pikë të përkryer për të parë skenën e krimit. Por ai nuk ishte vetëm: si dukej, shërbimet e tjera sekrete po e mbanin rajonin nën vrojtim.

Fletore e konfiskuar

Gjersa po ikte nga ndërtesa, agjenti i BND-së u ndal nga një paqeruajtës danez i OKB-së, i cili e pyeti se ç’po bënte këtu. Andreas J. u përpoq që të ikte nga situata duke shpjeguar se ai punon për firmën e sigurimit LCAS. Ai thotë se vetëm kishte dashur të shikonte skenën e sulmit. Atyre iu bashkua një zyrtar gjerman i UN-së.

Pastaj u kërkua nga J. që të dorëzojë pasaportën dhe u kontrollua. Hulumtuesit gjithashtu konfiskuan një fletore. Ky incident tejet fatkeq ngre një sërë pyetjesh të sikletshme për BND-në. Pse agjencia i dërgoi agjentët e saj top-sekret në skenë, kur cilido amator do ta kuptonte se ekziston një rrezik i konsiderueshëm nga ndonjë patrullë policie? Pse rezidenti i BND-së nuk u njoftua për këtë punë? Dhe pse J. e mori fletoren me vete, me të gjitha përbërjet sekrete dhe theu secilën rregull të operacioneve të fshehta?

Në dokumentet e konfiskuara, hulumtuesit gjetën emrat e kryeministrit Thaçi dhe shkrime rreth situatës në Kosovë. Për Berlinin, fletorja e BND-së paraqet një pjesë të rëndësishme të enigmës, ndoshta çelësin për të kuptuar këtë rast. A ishin shkrimet ato që tërhoqën interesin e qarqeve politike të afërta me kryeministrin Thaçi? Në cilindo rast, atë natë policia e lëshoi Andreas J të ikë pasi që ai përmendi dy partnerët e tij si dëshmitarë. Ata mund të konfirmonin se ai ishte në zyrë kur ndodhi shpërthimi, tha ai.

Ditën e ardhshme, të shtunën, Andreas J iu lejua që ta marrë pasaportën. Dukej sikur gjithçka ishte qartësuar. Por të mërkurën që erdhi, të tre burrat u arrestuan papritur rreth orës 9 të natës, u vendosën në një qeli të vogël dhe u morën intensivisht në pyetje. Në të njëjtën kohë, autoritetet kontrolluan zyrat e kompanisë LCAS. Shkurt pas kësaj BND-ja u detyrua të pranojë identitetin e vërtetë të tre agjentëve, duke kërcënuar me shkatërrimin e njërës nga operacionet më të rëndësishme të agjencisë.

Incidenti vë në rrezik rrjetin e informuesve të BND-së, që është më i gjerë në Kosovë sesa në shumicën e vendeve përreth botës. Zyrtarët e inteligjencës në Berlin kanë frikë se Qeveria e Kosovës tani mund të arrestojë një numër të madh të informuesve të cilët e kanë furnizuar BND-në me informata të vlefshme.

E vetmja kënaqësi e vogël për gjermanët duhet të jetë se gjithashtu në Prishtinë edhe kosovarët po kërkojnë një kurban për tërë këtë tollovi. Një ndihmës i kryeministrit Thaçi po thotë se së paku një kokë e rëndësishme do të shkojë.

Gazetarët: Renate Flottau, John Goetz, Conny Neumann, Holger Stark, Andreas Ulrich

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...