2012-08-07

Çarmatosja e shqiptarëve nga UDB-a- jugosllave

Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1999, organet e sigurimit jugosllav ishin të angazhuara posaçërisht në çarmatosjen e shqiptarëve, si dhe në ndërprerjen e rrugëve të furnizimit të tyre me armë. Edhe pse ish-shteti jugosllav dispononte njërën nga ushtritë më të armatosura në rajonin e Ballkanit, posedimi i armatimit të lehtë nga shqiptarët konsiderohej i rrezikshëm për ta. Në të njëjtën kohë, kërkimi i armëve te shqiptarët nga organet e sigurimit jugosllav, ka shërbyer edhe si pretekst për të ushtruar dhunë kundër kësaj popullate.

Edhe pse të gjithë popujt e ish-Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin formacione të rregullta ushtarake, të cilat bashkëpunuan me gjermanët dhe italianët, pas luftës në asnjërën nga ish-republikat jugosllave nuk pati aksione për çarmatosjen me dhunë të popullatës. Në Kosovë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, me urdhrin numër 31, të datës 8 shkurt të vitit 1945, i cili mbante shifrën »Tepër sekret«, komandanti i Përgjithshëm i Armatës Popullore të Jugosllavisë urdhëron »që në Kosovë të vendoset administrata ushtarake, e cila do të jetë pushtet ushtarak në territorin e përmendur«[1]. Me këtë urdhëresë, në Kosovë vendoset administrimi ushtarak, i cili i mori të gjitha kompetencat ekzekutive dhe gjyqësore. Deri më 10 korrik sa qëndron në fuqi ky administrim, veç vrasjeve të shumta, forcat e ushtrisë jugosllave në hapësirat shqiptare në ish-Jugosllavi dhe atë kryesisht në Kosovë dhe pjesën Perëndimore të Maqedonisë, kanë realizuar rreth »220.000 bastisje«[2]. Në fakt, gjendja në Kosovë në kohën e administrimit ushtarak, kërkonte njëfarë vigjilence nga pushteti »popullor«, por marrë të tërësi, masat që u ndërmorën në këtë kohë ishin të pajustifikueshme dhe ato kishin për qëllim nënshtrimin e shqiptarëve dhe çarmatosjen e plotë të tyre. Në vazhdën e këtyre masave, mbledhja e armëve duhet të ketë qenë vetëm njëri ndër objektivat dhe preteksti kryesor i ushtrisë jugosllave për nënshtrimin dhe disiplinimin e shqiptarëve.

Aksioni tjetër më i madh për çarmatosjen e shqiptarëve është ai i dimrit të viteve 1955-56, që është udhëhequr nga Sigurimi i Brendshëm Shtetëror (UDB). Gjatë këtij aksioni famëkeq dhe i drejtuar drejtpërdrejtë kundër shqiptarëve, »policia i kishte duart e lira sa i përket zgjedhjes së metodave dhe mjeteve për qërimin e hesapeve me shtetasit e pafajshëm. Duke filluar me sharjet, rrahjet, futja në ujë gjatë dimrit, mbajtja në ambiente të ftohta e deri te gjymtimi dhe vrasja, ishin metodat dhe masat gjatë zhvillimit të këtij aksioni«[3]. Për shkak të sjelljeve çnjerëzore të organeve të sigurimit jugosllav, pjesa më e madhe e atyre që kanë poseduar armë i kanë dorëzuar. Sipas burimeve të arkivave të sigurimit jugosllav, gjatë këtij aksioni janë grumbulluar »11.522 pushkë, 10.004 pistoleta, 4.400 bomba, 434 automatikë, 260 pushkëmitrolozë dhe 53 mitrolozë.«[4] Ndonëse këto shifra mund të jenë fryer, për shkak se për një kohë ishin në shërbim të politikës ditore antishqiptare, pjesa më e madhe e armëve të mbetura nga lufta janë konfiskuar gjatë këtij aksioni, por edhe në vazhdim.

Pjesa më e madhe e armëve të konfiskuara gjatë kësaj periudhe kanë qenë armë të lehta të këmbësorisë, të cilat i kishte në përdorim ushtria gjermane dhe ajo italiane, ndërsa armët artilerike ishin të pakta dhe ato kryesisht ishin mortaja dhe topa të lehtë, të cilat me kohë i kishin konfiskuar partizanët. Kryesisht atëbotë ka dominuar armatimi italian, meqë pas kapitullimit të Italisë më 9 shtator të vitit 1943, ushtria italiane e dislokuar në hapësirat shqiptare edhe pse ishte çarmatosur nga gjermanët, një pjesë e madhe e armatimit të saj në forma të ndryshme kishte kaluar në duart e popullatës vendëse. Nga armatimi më masiv që e përdornin shqiptarët dhe i cili u konfiskua nga sigurimi jugosllav ishin pushkët përsëritëse Manlicher-Carcano M-1891 të kalibrit 6,5 mm. me të cilën kryesisht ishin të armatosura njësitet alpiniste të ushtrisë italiane. Kjo pushkë ishte mjaft e kërkuar ndër shqiptarë dhe është quajtur italiania e shkurtër; pastaj pushka standarde e ushtrisë italiane Manlicher-Carcano M-1938 e kalibrit 6,5 mm. e njohur në popull me emrin »italiania e gjatë« dhe pushka standarde e ushtrisë gjermane Mauzer G-98 k. Gjithashtu mjaft e përhapur ishte edhe pushka standarde e ushtrisë së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene e sistemit Mauzer M-1924ČK e kalibrit 7, 9 mm. Kjo pushkë prodhohej në Kragujevc të Serbisë sipas licencës së blerë nga fabrika belge »Fabrique Nationale«. Për shkak se jugosllavët bashkë me licencën nga kjo fabrikë kanë blerë edhe 100.000 pushkë të gatshme, te shqiptarët kjo pushkë ka mundur të gjendet me shenjën origjinale të fabrikës belge.

Gjithashtu mjaft të kërkuar ishin edhe automatikët, si ai italian M-38A Beretta të kalibrit 9 mm, të cilin për shkak se edhe ushtria italiane e posedonte në pakicë, edhe në Kosovë nuk ishte i shprehur shumë, si dhe automatikët gjerman MP-38 dhe MP-40 Schmeisser të kalibrit 9 mm.

Në grupin e pushkëmitralozëve, atëbotë ishin të përhapur pushkë mitralozi italian Breda M-30 e kalibrit 6, 5 mm. i cili mbushej me karikator prej 20 fishekësh, si dhe ata gjerman MG-34 dhe MG-42.[5]

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...