Përgaditi: Ibrahim Egriu - Përkujtim - Musa PIPERKU (kompozitor) -
7 vjet ngavdekja e kompozitorit, e atdhetarit, e engjëllit, e krijuesit dhe mentarit-Musa Piperku.
6 vjet, në pranverën e Prishtinës legjendare, mijëra e mijëra bashkëkombas nga të gjitha trojet etnike, me nderime te mëdha, ia dhënë lamtumirën e fundit birit të tyre shumë të dashur e të pavdekshëm-Musa Piperku, i cili, me punën e tij të palodhshme i la muzikës autoktone shqipe gjurmë të thella në drejtim të komponimit të këngës së pastër autoktone shqipe.
Shumë është shkruar e folur për këtë bir të Madh të popullit tonë, i cili, gjatë viteve 1967/68, me komponimet muzikore të tia përmes Ansamblit dibran ”Liman Kaba” me këngët: ”Trim o Skënderbe”, ”Bukuri-ri në Shqipëri”, ”Trim o Bajram Curr” ”Se Shqipëria nuk don tjetër, veç do vendin me çlirue” etj. etj. të interpretuara nga korri dhe solistët e mirënjohur: Sulejman Borova, Haxhi Maqellara e Violeta Turkeshi e gjëmuan, jo vetëm Kaçanikun e Idris Seferit, por mbarë Kosovën dhe, s’kaloi pak kohë, në Nëntorin e Tretë të ´68-tës filluan demonstratat gjithëpopullore dhe e tërë Kosova u çua në këmbë, me kërkesat:
Duam Universitet! Liri, barazi dhe Republikë! Trepça punon, Beogradi ndërton! Pra, po ky Ansambël dibran i udhëhequr nga kompozitori i Madh, Musa Piperku, i dha shtytje e shkas U D B-së dhe pushtetarëve ishjugosllav të ndërmarrin masa represive ndaj kryatrit trim Sali Bajra, Bedri Kyçykut, Latif Nallabanit dhe intelektualëve të tjerë atdhedashës.
Në takimin e parë me kryetarin dhe atdhtarin e ndjere, z. Sali Bajra, m’u drjtua e pyeti:
Si e kam kompozitorin Musa Piperku? Mandej vazhdoi: Ai eshte një engjëll, ashtu i dashur, ashtu i matur, ashtu fisnik, ashtu i ditur, aq atdhedashës, ashtu simpatik e i bukur sa që kurrë s’mund ta harroj bisedën me te në Darkën e shtruar për nder të Ansamblit ”Liman kaba”, i cili fliste qetë e pak dhe që punonte shumë, theksoi z. Sali Bajra.
Me rastin e 6 vjetorit të vdekjes së tij, me respekt e krenari e perkujtojnë më të afërmit e tij, shokët e tij, miqët e tij dhe mbarë kombi shqiptar kudo ne botë. Sjellja dhe shembëlltyra e tij do të mbesin udhërrefim për të gjithë brezërit e ardhshëm. Ai s’ka vdekur dhe do jetojë i gjallë gjithmonë në zemrat tona.
Lavdi veprës së tij! - Shpirti i tij le t’i prehet plot dritë e hijeshi!
Diber, qershor 2011 Me respekt, shokët e miqët dibranë nga Diaspora.
Ibrahim Egriu
* * * * * * * * * *
Akademik prof.dr.Akil Koci (kompozitor)
Ç’thotë, Akil Koci, rreth Figurës se kompletuar artistike te kompozitorit te shquar, Musa Piperku.
Musa Piperku u lind më 1 gusht të vitit 1945 në Dibër, ku kreu shkollën fillore, për të vazhduar shkollën e mesme muzikore në Prizren e më pas edhe Akademinë Muzikore në Beograd.
Pas diplomimit u kthye në vendlindje, ku punoi si profesor në Gjimnazin e Dibrës dhe aty zhvilloi veprimtari të dendur dhe, ndër të tjera, menjëherë formoi orkestrën e mandolinave dhe korin e shkollës. I gjerë ka qënë edhe aktiviteti që zhvilloi në gji të shoqërisë artistike "Liman Kaba" të Dibrës.
Gjatë viteve `71/72 e shohim si bashkëpunëtor i muzikës të Radio Shkupit, kurse në vitin 1973 erdhi në Radio Prishtina. Për disa vjet u mor me SHKA "Ramiz Sadiku" të këtij qyteti, si udhëheqës artistik i saj. Musa Piperku ka marrë pjesë në shumë edicione të "Akordeve muzikore të Kosovës" dhe ka fituar shtatë "Okarina" dy "Lyra të argjendta" si dhe dy "Plaketa të arta" siç emërtoheshin atëherë çmimet e këtij festivali.
Gjatë asaj periudhe mori pjesë edhe në mjaft festivale të tjera, siç ishin ato të Opatisë, Shkodrës, Prizrenit, Sarajevës, Tetovës dhe Gjakovës. Ka lënë mbi 600 këngë të zhanreve të ndryshme dhe librin "Tingujt gazmorë" për shkollën fillore (në bashkëpunim me Gjorgje Smokvarskin).
Kënga si sintezë e frymëzim Musa Piperku ishte njeri i përkushtuar, i qetë, i matur dhe i këndshëm, veti këto që e dallonin prej të gjithë kijuesve tanë. Por temperamenti i tij krijues gufonte me një dinamikë të brendshme, plot veçanti dhe energji krijuese. Brenda një kohe të shkurtër u bë kompozitori më i dalluar i këngës shqiptare në të tre zhanret: në këngën zbavitëse, në muzikën me frymë popullore dhe në këngën për fëmijë. Sidoqë muzika argëtuese nuk konsiderohej "elitiste" Musa Piperku bëri që edhe ky lloj i muzikës të ngrihej në një shkallë më të lartë artistike dhe të respektohej njëlloj si të tjerët. Me këngët që kompozoi, ai u bë aq popullor, saqë shumë këngëtarë, grupe dhe shoqëri, mezi prisnin t`i interpretonin me ëndje krijimet e tij. Këngët e Musait dhe tërë puna e tij krijuese paraqesin një sintezë të gjerë frymëzimi.
Për dëgjuesin këngët e Musa Piperkut ishin melodi të freskëta, gjithnë të reja, sepse kompozoi me shije, duke integruar mjeshtërisht folklorin tonë të pasur.
Kjo veçori e krijimeve të Musa Piperkut përbënte një, ”modus vikendi” ngaqë këngët e tij kanë qenë të kapshme, të ngrohta, realiste, me ideale të sinqerta dhe të një natyre të qetë e njëherësh të hareshme. Objekti i këngës së tij ka qenë gjithnjë në shërbim të së bukurës në art, i orientuar nga realiteti, pra pasqyronte me besnikëri jetën tonë të përditshme me të gjitha sfidat e saj. Një veçori e tillë i ofronte mundësi çdo këngëtari për interpretim, pasi gama melodike dhe ajo ritmike ishin në shërbim të një natyre të qetë, siç ishte edhe ajo e autorit, në një kohë që, siç e vumë në dukje, mbështeteshin fort në tabanin kombëtar, në traditën tonë të pasur.
Opusi jashtëzakonisht i pasur e i larishëm i Musa Piperkut në muzikën argëtuese, popullore dhe për fëmijë, të cilave iu përkushtua tërë jetën, na bën ta quajmë me plot të drejtë "Mohikan i fundit" i një muzike “të perënduar” që, mjerisht, tashmë shumë pak ose aspak kompozohet në Kosovë, duke u zëvendësuar me një "muzikë e re", që na vjen përmes mjeteve elektroakustike.
Të vetëquajturit kompozitorë, pa ditur asnjë notë, sajojnë këngë "të reja", duke përdorur blloqe të tëra ritmesh dhe orkestrimesh të llojllojshme, duke filluar që nga ritmet orientale e deri te ato latino-amerikane që nuk kanë asgjë të përbashkët me këngën e mirëfilltë, sikurse e pranojnë tani kritikët muzikorë.
Pra, Musa Piperku ishte klasiku i fundit i një kënge që mbijetoi mbi 50 vjet në hapësirën tonë muzikore, duke u bërë ballë të gjitha sfidave që e kanë përcjellë gjatë tërë kohën këtë krijimtari. Vërtet shumë prej nesh kemi kompozuar muzikë zbavitëse dhe kemi krijuar këngë të reja, por Musa Piperku na e ka kaluar të gjithëve, pa ndonjë pompozitet dhe zhurmë, siç dinte të bënte shumëkush. Figurë e kompletuar artistike.
Musai ka krijuar rreth 600 këngë, por emblema e këngës zbavitëse shqipe pa dyshim është "Prandvera në Prishtinë", e cila tashmë ka hyrë në antologjinë e këngëve argëtuese shqiptare të tipit klasik. Po e quaj "klasik" sepse ky më duket se është përkufizimi më i saktë i krijimtarisë së këtij kompozitori.
Ai ka qenë personalitet i formuar dhe i plotë në profesionin e tij. Sa më shumë i dëgjoj këngët e tij, me nostalgji i kujtoj ato ditë që i kemi kaluar sëbashku në punë dhe në festivale dhe gjithnjë mendoj se sa humbje të madhe kemi përjetuar të gjithë me vdekjen e tij, sepse kemi humbur një krijues të pazakontë, që aq shumë e donte dhe e ndjente muzikën shqiptare.
Tani që ai nuk është më, e ndjejmë më shumë mungesën e tij, sepse mjedisi ynë muzikor dhe ai kulturor në përgjithësi, kishte nevojë të madhe për këtë krijues dhe për krijimtarinë e tij, sidomos në këtë kohë, kur po kalojmë nëpër një krizë serioze të identitetit tonë kulturor, krizë të vlerave dhe një krizë shumë më të madhe pikërisht në atë fushë, që me aq përkushtim e lëvroi Musa Piperku. Nuk është e rastit që shumë këngë të Musa Piperkut u mbijetuan të gjitha sfidave, zhbërjes dhe degradimit. Shembëlltyra e kompozitorit të shquar Musa Piperku tani del në një dritë më të qartë, sepse bëhet fjalë për një figurë të kompletuar artistike në të gjitha aspektet e krijimtarisë muzikore. Edhe ne, ish-kolegët e tij, sikundër mbarë Kosova, duhet të jemi krenar që kemi pasur një personalitet të tillë. Prandaj, mendoj se, në shenjë të kujtimi dhe nderimi për ketë krijues të shquar, do të ishte mirë që komuna e vendlindjes, Dibra, sikundër edhe Prishtina, ku dha kontributin më të madh dhe kaloi vitet më të mira krijuese, emrin e Musa Piperkut ta mbajë ndonjë rrugë ose institucion, sepse ai e ka merituar plotësisht këtë.
* * * * * * * * * *
Nga: "Latif Nallbani" -->> ibrahim@home.se
REQUIEM: Musa Piperku, kompozitor i shquar i kombit tonë.
Shumë i nderuari Imi.
Më gëzoi letra jote dhe me kërshëri e lexova përkushtimin tënd për të madhin Musa PIPERKU. I ndjeri ka qenë njeri i madh dhe i përkushtuar ndaj kombit.
Veprimtaria e tij prej kompozitori të mirëfilltë të vlerave kombëtare ka dëshmuar se tek ai, tek shpirti i tij, tek mendja e tij dhe tek trupi i tij pushon një kompozitor vigan dhe i përkushtuar ndaj kombit. Këtë e kanë vërtetuar veprat e tija madhështore, jeta e tij e bujshme dhe puna krijuese që nga veprimtaria e tij e hershme prej kompozitori.
Edhe Ti Imi je i madh, sepse i përkujton njerëzit e mëdhenj. I përkujton ata me pietet dhe lë gjurmë për veprimtarinë e tyre të bujshme. Ti Imi je i mirë, sepse shkruan për të mirët dhe merresh me të mirët. Ti Imi je madhështor, sepse i përkujton gjithnjë dhe gjithandej të madhërishmit. Të lumtë Imi i nderuar dhe gjithmonë të punoftë mendja dhe lapsi.
Të përshëndes duke të dëshiruar të gjitha të mirat Ty dhe familjes sate të nderuar. Të lumtë! /Qafime, Latifi
* * * * * * * * * *
"Këtij përkujtimi të kompozitorit tone te njohur Masa Piperku i bashkohem edhe une dhe familja ime. Ai i dha shume gjate gjithe jetes se tij muzikes shqiptare dhe ai radhitet ne panteonin e arte te kompozitorëve shqiptare qe nje jete ia kushtuan muzikes se popullit te tij. Ne kete pervjetor ne e kujtojme dhe perulemi para vepres se tij. Ai eshte i gjalle sepse jeton vepra e tij. Dhe brezat do te kene se çfarë te mesojnë nga ai. Shpirti i tij le te prehet ne paqe!
Me respekt, Luigj Shkodrani me familje-Danimarkë