2012-08-09

Zhdukja e mistershme: A mbahet i burgosur Ukshin Hoti?


Pas shumë vitesh hulumtime, rendjes në çdo vend, ku mund të mësohen detaje të reja për Ukshin Hotin, Sefer Pasha ka shkruar tre libra për njeriun që u sakrifikua për lirinë e Kosovës. Pas burgosjesh së njëpasnjëshme e torturash, prej vitit 1999 nuk dihet më asgjë për fatin e tij. Hamendësimet janë të shumta, përshirë edhe thëniet se mbahet i burgosur


Oliverta Lila

Historia e zhdukjes së Ukshin Hotit mbetet e mistershme. Njeriu që punoi shumë për filozofinë e çlirimit të Kosovës, i përndjekur vazhdimisht nga forcat jugosllave, prej majit të vitit 1999, ka humbur gjurmët. Prej shumë vitesh, Sefer Pasha qëmton çdo hollësi mbi jetën e tij. Ka udhëtuar në Krushë të Madhe, aty ku përzihet fëmijëria dhe izolimi i vonshëm i tij, ka takuar njerëz që e kanë njohur, të burgosur që kanë dëshmuar, ka shkelur në vende, ku mendohet se ka ende diçka për të zbuluar. Prej herës së parë që ka dëgjuar për këtë figurë, pas një impenjimi të gjatë, Pasha ka shkruar tashmë tre libra kushtuar Ukshin Hotit. I fundit, “Qind për qind jam gjallë” është botuar vetëm pak kohë më parë. Intelektual, filozof, veprimtar, thuhet se Ukshin Hoti ishte një ndër ata që arkitektoi lirinë e Kosovës. Për këtë arsye ishte gjithkund i vëzhguar. I lindur më 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit, pas kryerjes së shkollës fillore dhe të mesme në Prizren dhe Prishtinë, u diplomua për Shkenca Politike në Zagreb. I etur për dije, të cilat do t’i vinte më pas në funksion të çështjes kombëtare, u specializua deri edhe në Universitetin e Harvardit. U kthye në Kosovë ku doli hapur me idetë e tij për një lëvizje për liri. Këtu do të fillonte kalvari i dhembjeve, i burgosjeve të njëpasnjëshme, duke e çuar deri në kufijtë e ekzistencës. “Ukshin Hoti, i gjendur në skajim dramatik, herë në burg e herë në Krushë të Madhe, ngërthen thelbin dhe ankthin ekzistencial. Përtej caqeve mbetet shëmbëlltyra dhe vlera e filozofit baladesk, që vendosi gurët e themelit për çështjen shqiptare. M’u në qendër të pamjes së Kosovës reagoi emocionalisht, doli kundër rrymës, dhe me dokumente autentike nxori në sipërfaqe ndjenjat e popullit të Kosovës kundër pushtuesit serb. I gjithë tharmi i veprës së tij, me prurje së andejmi nga demonstratat e studentëve, nga burgjet e fronti i rezistencës ndaj së keqes, u shkrua në faqet e mureve të birucave, në pllakat e betonit të tualeteve, në fletoret e byrekëve me lakror, në kapakët e paketave të cigareve e në pjatat e aluminta, kur hante gjellën e burgut“, thekson Pasha. Kontakti i tij i parë me figurën e Ukshin Hotit ka qenë pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla.



Prej asaj kohe vazhdon hulumtimin.“ Profesor i Universitetit të Prishtinës, Ukshin Hoti mbrojti në Katedrën e Filozofisë demonstratat e studentëve në 1981. Në këtë ditë e arrestuoi shërbimi sekret i UDB-së jugosllave. Fillojnë torturat në burg. Montohet gjyqi dhe e ndajnë nga gruaja. Pas disa vitesh burg, lirohet. Nuk e pranojnë të japë më mësim në universitet e madje nuk e pranojnë të punojë as si pjatalarës. Policia i merr banesën dhe pa asnjë lek në xhep endet në gjendje dramatike në rrugët e Prishtinës. E vetmja strehë e tij bëhet fshati i lindjes Krusha e Madhe. Aty e mbanin babai Nazyfi, që ishte gazetashitës dhe nëna Fatimja, që ishte shtëpiake. Me ato që kam hulumtuar, edhe në këtë gjendje, gati i izoluar, forcat e UDB-së e ndiqnin edhe në kopshtin e perimeve, aty ku ai lexonte Niçen dhe u jepte mësim studentëve që vinin ta takonin fshehtas. Nuk hoqi dorë nga mendimi i tij filozofik për çlirimin e Kosovës. Vite të tëra do t’i shpenzoi me punë ilegale nëpër bjeshkën e Celinës, qoshe më qoshe me militantët e ardhshëm të UÇK –së, përfshi dhe komandantin legjendar Adem Jashari”, tregon Sefer Pasha. Vet Ukshin Hoti do të tregonte për përndjekjen e forcave jugosllave. “Ndërkaq, habia që e theksoja edhe më parë, konsiston në faktin se akoma edhe sot e gjithë ditën, pas katër vitesh të burgut, ka insistime që të depërtohet në trurin tim. Tani kjo gjë më duket e tepruar. Është një gjë që po më bezdis, sidomos për shkak të përpjekjeve diletante që të mësohet mendimi im për ndonjë çështje ose ngjarje të ditës”, shkruan vet ai. Duke ndërtuar një rrjedhë kronologjike të historisë së tij, duke shtuar herë pas here detaje që rrjedhin nga dëshmi të reja, Pasha tregon se arrestimi i dytë iu bë në mars të 1993, sepse një vit më parë kishte organizuar një homazh masiv për martirët e demokracisë në Brestovc. Në gjyqin që iu bë Ukshin Hotit nga Gjykata e Qarkut në Prizren më 29 shtator 1994, i lidhur këmbë e duar me zinxhir do t’i drejtohej Prokurorit publik të Republikës së Serbisë në Prizren, Dobrivoje Periç dhe gjykatëses serbe Nada Haxhi-Periq, të cilët i lexuan aktakuzën duke iu kundërpërgjigjur: “Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar mendoj se duhet të jetë Prizreni. Kjo i takon historikisht këtij qyteti, ndërsa i përgjigjet edhe gjeografikisht, pasi gjendet në qendër të trojeve shqiptare”.

Për herë të tretë dënohet më 17 maj të vitit 1994. Shkon në pallatin e Shtypit në Prishtinë për të vizituar grevën e urisë të Adem Demaçit. “Në kthim, në Gllogoc e kap policia serbe, i thyen të gjitha brinjët, madje thuhet se koloneli urdhëron që t’i hiqen organet gjenitale. Prishet edhe kurora me gruan e dytë, me të cilën kishte djalin Andinin dhe vajzën Brisilda. Ndërsa nga martesa e parë kishte vajzën Erleta. Nuk mundi kurrë t’u qëndronte pranë”, thekson Pasha. “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, libër i botuar katër herë, mbetet një nga librat emblematikë. Një ditë para se të përfundonte dënimin, Ukshi Hoti zhduket në mënyrë të mistershme. “Nëpërmjet dokumenteve të pakontestueshme, mësohet se ditën e diel, në orën dhjetë, të datës 16 maj 1999 drejtori i burgut të Dubravës, afër Istogut, Aleksandar Rakoqeviç e nxjerr nga burgu filozofin e Krushës, Ukshin Hotin. Këtë e pranon dhe vetë Rakoqeviç. Natyrshëm vijnë disa pyetje: Përse drejtori e ka nxjerrë nga burgu Ukshin Hotin ditën e diel, kur nuk punonte fare administrata? Kush e urdhëroi të shkelë ligjin? Përse drejtori i burgut nuk ia ka kontrolluar fare tre çantat e zeza me tesha, libra e dokumente që ka pasur në qeli Ukshin Hoti? Cilët qenë ata që e prisnin në makinë para burgut të Istogut? Kush e shoqëroi që nga qelia e gjer në makinën gri? – Ç’ishin këta civilë brenda në makinë?”, thotë Pasha. Pas bombardimeve të NATO-së, më 19 maj 1999, në burgun e Dubravës ka ndodhur masakra më e përgjakshme: janë ekzekutuar e masakruar 173 të burgosur shqiptarë nga forcat serbe. Babanë e vëllanë ia vranë po ashtu. Prej asaj kohe nuk është dëgjuar më për të. Hamendësimet janë të shumta. Pasha tregon se vet Hoti ishte shprehur se nuk ishin vetëm nga Beogradi, por edhe kosovarë të shitur. “Kisha vënë re se të burgosurit e rëndomtë serbë, sado që pretendonin të dukeshin apolitikë, nuk e ‘gëlltisnin’ shpjegimin se vetëm pushteti i Serbisë ishte fajtor për burgosjen time. Këmbëngulin në tezën, që nga fillimi, se një gjë e tille nuk ishte e mundur pa ‘pjesëmarrjen e shqiptarëve’. Me ‘shqiptarët’ mendonin pushtetin paralel shqiptar, por këtë nuk e thoshin. Këtë ata e ‘ruanin’ në vete si në fshehtësi”, shkruan Ukshin Hoti. E ndërsa hamendjet për fatin e tij janë të shumta, e motra, Myrveti, është kthyer në një Doruntinë. Rend ku dëgjon që hapet një varr apo gjendet një trup. “Hamendjet janë të shumta. Mendohet se e mbajnë peng. Ka të tjerë që thonë se është në një burg privat, ku i shërbejnë dy shurdh memecë, që të mos dalë sekreti. Thuhet gjithashtu se do të vijë një orë që serbët do kërkojnë mijëra dollarë për rikthimin e tij. Hamendjet janë të pakufishme”, thotë Sefer Pasha, i cili e ka ndërtuar librin e tretë pikërisht mbi këto teza të zhdukjes së mistershme të Hotit. Sefer Pasha thotë se shteti i Kosovës duhet të ketë më shumë vëmendje ndaj mijëra të zhdukurve në Kosovë, përfshirë edhe fatin e Ukshin Hotit, historitë e të cilëve tashmë janë kthyer në balada.





Rexhep Qosja

“Ukshin Hoti – ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe, kjo tregon se populli ynë e çmon, ashtu siç duhet, njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare, që rrezaton sot emri i tij.”



Ismail Kadare

“Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir… Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme.”



Biografi

Ukshin Hoti ka lindur më 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Prizren dhe në Prishtinë. Shkencat politike i kreu në Zagreb, kurse 2 vite pasuniversitare i kreu në Beograd, në seksionin për marrëdhënie ndërkombëtare politike dhe ekonomike. U specializua një vit edhe në universitetet amerikane: në Chicago, në Universitetin e Harvardit, në Boston si dhe në Washington D.C. Në vitet ’70-të ushtroi detyra të shumta, në pozita të ndryshme të jetës politike dhe arsimore të Kosovës. U burgos tre herë: më 19 Nëntor 1981, pasi në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë mbrojti hapur kërkesat e studentëve shqiptarë për Republikë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë; në mars të 1993 u burgos për herë të dytë, pasi një vit më parë kishte organizuar homazh për martirët e demokracisë në Brestovc. Më 17 maj 1994 e dënuan me 5 vjet burg për arsyen se ishte pjesëmarrës i lëvizjes për Republikën e Kosovës. Më 16 maj 1999 kishte mbaruar afati i vuajtjes së dënimit politik prej 5 vjetësh. Pasi nxirret në mënyrë të fshehtë nga burgu i Istogut, prej vitit 1999 nuk dihet më asgjë për fatin e tij.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...