2012-08-09

Historiani grek Nikolas Stavros: “Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”.




PROF.DR.ESHREF YMERI

Historiani grek Nikolas Stavros:“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”.

(Citohet sipas deklaratës së zotit Petrit Bidoshi, Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë, në emisionin “Shqip” të zonjës Rudina Xhunga në kanalin TV “Top Channel” të datës 04 dhjetor 2004. Citatin e mësipërm zoti Bidoshi e kishte nxjerrë nga libri me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj” të historianit të lartpërmendur.)

Kjo deklaratë e historianit shovinist grek, jo rastësisht m’u kujtuar pikërisht ditën e hënë, më 06 gusht 2012, kur, përmes mjeteve të informimit masiv, mësova se Partia Socialiste, e privatizuar që prej gati shtatë vjetësh prej zotit Edi Rama, nuk e dha pëlqimin për votimin e ligjit për heqjen e imunitetit për deputetët dhe të gjithë nëpunësit e lartë të shtetit. Në këto kushte, Kryeministri Berisha deklaroi se aprovimin e ligjit për heqjen e imunitetit, do t’ia lërë në dorë popullit, për ta thënë fjalën e vet përmes një referendumi mbarëpopullor. Mendoj se zoti Berisha bëri shumë mirë që për këtë problem kaq madhor, kërkoi që fjalën e fundit ta thotë vetë populli.


          Nikolas Stavros

Tani besoj se të gjithë duhet të jemi të bindur se imuniteti i shpifur i deputetëve dhe i mbarë “patricëve” të politikës shqiptare, një ditë të bukur, që nuk do të jetë e largët, do të hiqet. Por para se të arrihet deri në atë ditë, shqiptarët e thjeshtë shtrojnë një pyetje të patëkeq:
Po kush e përfshiu në kushtetutë (të cilën zoti Abdi Baleta, me shumë të drejtë, këtu e shumë vite të shkuara, e ka pas etiketuar “pushtetutë”) atë nenin e mallkuar të imunitetit? Dihet që kushtetuta që kemi në fuqi, u hartua jo nga specialistë konstitucionalistë. Ajo u hartua nga dy individë që nuk e dinin se ku binte me adresë konstitucionalizmi. Për më tepër, këshillëtar për hartimin e asaj kushtetute, u caktua një jurist nga radhët e shovinizmit grekomadh, i cili sot është katandisur në grekoleckaman. Për më tepër, ajo kushtetutë, e cila, për atë nen që përmban për imunitetin, nuk meriton ta shkruash me shkronjë të madhe, qe vepër tërësisht e Partisë Socialiste, se vetëm elektorati i saj e votoi, kurse krahu i djathtë i politikës shqiptare e bojkotoi.
Me përfshirjen në kushtetutë të nenit për imunitetin e deputetëve dhe të krejt nëpunësisë së lartë shtetërore, Partia Socialiste, mbarë strukturat e larta të shtetit shqiptar, i vendosi mbi popullin, duke i shndërruar këto struktura në “kështjella” të paprekshme nga ana e kigjit. Kjo ishte një ndarje skandaloze e popullit të thjeshtë nga nëpunësia e lartë shtetërore. Pikërisht për shkak të atij neni famëkeq, populli shqiptar, deri sot e kësaj dite, nuk ka parë në bankën e të akuzuarve asnjë deputet, asnjë ministër, asnjë gjyqtar, asnjë prokuror, se të gjithë këta i ka mbrojtur dhe vazhdon t’i mbrojë “koraca” e imunitetit.
Neni i mallkuar i imunitetit në kushtetutë, dëshmon se Partia Socialiste ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë një praktikë të pastër enveriste në ndërtimin e raporteve mes popullit dhe strukturave të larta shtetërore. Edhe Enveri kishte hedhur parullën “ç’do populli, bën partia, ç’thotë partia, bën populli”. Pra, populli gjoja mund të shprehte dëshira, por ai ishte i detyruar të bënte atë që i thoshte partia. Rrjedhimisht, partia kishte të drejtë për të vendosur për gjithçka.
Kur shqiptari i thjeshtë dëgjon dhe lexon se në demokracinë amerikane (për të cilën përgjërohen aq shumë politikanët tanë!!!) askush nuk ka imunitet dhe para ligjit të gjithë janë të barabartë, ai pyet me dëshpërim: po kur do të jenë të gjithë të barabartë para ligjit në Shqipëri? Kongresisti amerikan Trafikant, që ishte për vizitë në Shqipëri në prag të zgjedhjeve të vitit 2005, kur u kthye në atdhe, përfundoi me hekura në duar dhe u dënua me dy vjet burg. Para do kohësh, për shkelje të ligjit, përfundoi në burg edhe ish-guvernatori i Indianës.
Neni për imunitetin qe përfshirë në kushtetutë, me qëllim që t’i mbronte politikanët nga të gjitha paudhësitë dhe madje nga të gjitha krimet e tyre në dëm të interesave kombëtare.
Politikanët shqiptarë nuk e pyetën popullin e vet dhe le më pastaj të vilnin edhe mendimin e tij për shumë probleme me rëndësi kombëtare. Nuk u pyet populli shqiptar për ardhjen e Janullatosit në krye të kishës ortodokse, e cila, siç ka deklaruar historiani shovinist grek, që prej ditës që Janullatosi shkeli në Shqipëri, nuk është më shqiptare, ajo funksionon si një filial i kishës shoviniste greke.
Politikanët shqiptarë nuk e pyetën popullin e vet për lejen që i dhanë guvernatorit faktik të Greqisë në Shqipëri me emrin Janullatos, dhe Athinës zyrtare, për ngritjen e varrezave, e memorialeve dhe të manastireve në nderim të ushtarëve agresorë grekë, për të cilët shovinizmi grekoleckaman u kujtua pas gati shtatëdhjetë vjetësh. Me lejimin e ngritjes së këtyre objekteve të shpifura që kanë ndotur territorin e Shqipërisë së Jugut, politikanët e sotëm shqiptarë kanë kryer një akt të rëndë që bie era tradhti kombëtare dhe breznive të ardhme u kanë lënë mbi shpatulla kryerjen e një misioni të rëndë për pastrimin e saj nga “duhma” e varrezave greke.
Politikanët shqiptarë, kryesisht përfaqësuesit e krahut demokratikas, nuk e kanë pyetur popullin e vet për vendimin tradhtar që morën në parlament për kufirin detar me Greqinë, në dëm të interesave tona kombëtare. Për këtë çështje, Gjykata Kushtetusese e tha fjalën e vet përfundimisht. Prandaj rishqyrtimi i kësaj çështjeje, sipas orekseve absurde të një Samarasi, do të tingëllonte si një akt i përsëritur tradhtie kombëtare. Po ashtu, demokratikasit nuk e kanë pyetur popullin shqiptar për vendimin që morën për importimin e plehurinave të Evropës drejt territorit tonë, a thua se Shqipëria na qenka një kazan i madh plehrash, ku Evropa kërkuaka të derdhë “të vjellurat” e veta. Madje kërkesës së shoqërisë civile për zhvillimin e një referendumi kundër importimit të plehrave, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve s’ia vuri veshin dhe e shtyu për në vitin 2014.
Nisma e zotit Berisha për referendumin duhet përshëndetur, por në referendum duhet të hidhet një sahat e më parë edhe kërkesa e Atë Nikolla Markut, përfaqësuesit të vërtetë të Kishës së Pavarur Ortodokse Shqiptare, për largimin e Janullatosit nga Shqipëria. Nëse Janullatosi nuk do të largohet nga Shqipëria, atëherë atë mbarë shqiptarët kanë për ta parë pranë Presidentit dhe Kryeministrit të vendit në tribunën e festimit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Prania e Janullatosit në atë tribunë do të jetë një fyerje e rëndë për mbarë martirët e ortodoksisë shqiptare, si Papa Kristo Negovani, Naum Veqil Harxhi, Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi, Anastas Kullurioti, Atë Stath Melani etj., të cilët na i vrau helmi dhe thika greke, Prania e Janullatosit në atë tribunë do të jetë një fyerje e rëndë për figurën e Fan Nolit, themeluesit të Kishës së Pavarur Ortodokse Shqiptare, do të jetë një fyerje e rëndë për figurën e mbretit Zog, mbrojtësit të shkëlqyer të pavarësisë së kësaj kishe, i cili, me guximin e një burri shteti, i tregoi vendin Patriarkanës së Stambollit.
Mendoj se të gjithë shqiptarët e ndershëm e kanë përshëndetur shpirtërisht Aleancën Kuq e Zi për qëndrimin që po mban për mbrojtjen e kufirit detar me Greqinë dhe vendosjen e një shiriti të kuq prej zotit Kreshnik Spahiu, siç e pamë në mjetet e informimit pamor. Por të habit fakti që Aleanca Kuq e Zi dhe Kryetari i saj, zoti Kreshnik Spahiu, deri tani nuk e kanë prekur fare çështjen e pushtimit të kreut të kishës ortodokse prej Janullatosit që këtu e njëzet e një vjet më parë. Për më tepër, deri tani, Aleanca Kuq e Zi nuk ka kërkuar publikisht largimin e Janullatosit nga Shqipëria.
Aleanca Kuq e Zi, gjithashtu, është e bindur që ngritja e varrezave të ushtarëve agresorë grekë në jug të Shqipërisë, është vepër e Janullatosit, si pararoja e shovinizmit grekoleckaman në Tiranë. Por deri tani kjo Aleancë nuk ka shprehur kurrfarë qëndrimi për këto varreza. Vallë të ketë arritur Janullatosi që edhe Aleancës Kuq e Zi t’ia ketë zënë kokën me derë, si gjithë politikanëve të tjerë?
Le të shpresojmë që kjo Aleancë ta thotë fjalën e vet për këto dy çështje, në mënyrë që të mos katandiset si politikanët veteranë të të dy krahëve të politikës, të cilët para Janullatosit e bëjnë kurrizin si pikëpyetje, çka të kujton skenën e qëndrimit të skllavit para agait.

Santa Barbara, Kaliforni
08 gusht 2012



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...