2012-08-07

Zbulimi dhe kapja e agjentit jugosllav



"Gramafoni", agjenti potencial i UDB-së

Një nga agjentët jugosllav futur me kombinacion në mjediset tona, dhe me një “histori” të veçantë, me karakter përgjithësues për sa i takon formave dhe metodave të veprimtarisë së zbulimit jugosllav ndaj vendit tonë është agjenti “Gramafoni”, me origjinë nga Padeshi i Tropojës. I ati i tij, Syla, kishte qenë nënoficer i Zogut me shërbim ne qytetin e Vlorës, në vitet 1935-1939, dhe para këtyre viteve ishte rekrutuar nga zbulimi jugosllav me detyrë rezident i një prej grupimeve më të spikatura te këtij zbulimi në zonën bregdetare, në drejtim të zbulimeve të tjera, sidomos ndaj atij italian dhe grek, duke bashkëpunuar me zbulimin francez. Siç e kemi theksuar, Ahmet Zogu, pasi kishte refuzuar zbatimin e një varg kërkesave të Beogradit, për portet Durrës dhe Vlorë, si dhe për t’u shkëputur prej tyre gradualisht, i kërkoi ndihmë Musolinit dhe SIM-it italian, duke u theksuar atyre rrezikshmërinë e kësaj rezidence në qytetin e Vlorës dhe “pamundësinë” e tij, për neutralizimin e aktivitetit të saj agjenturor, ose mundet që t’ja faturonte Romës ekzistencën e saj, duke mos “u vetëkomprometuar” edhe për shkak të situatës delikate të marrëdhënieve me jugosllavët. SIM-i italian, tashmë me përvojë në sferën kundërzbuluese, si dhe për shkak të një veprimtarie gati 20-vjeçare në këto treva, kishte vendosur agjenturë kordoni gjatë gjithë bregdetit, sidomos në drejtim të zbulimeve franceze, greke dhe anglo-amerikane. Ndërsa në qytetin e Vlorës kishte organizuar veprimtarinë agjenturore të kamufluar pas agjencisë detare “Pulia”. Ky zbulim, pasi mori të dhënat e para, organizoi mbikëqyrjen e disa personave të dyshimtë, duke bërë dhe një varg arrestimesh sekrete, nga ku gjeti më vonë edhe disa kandidatura të përshtatshme për t’i rekrutuar me material ligjor komprometues, të cilët i shërbyen atij për t’i futur në grupet e para komuniste si dhe në Lëvizjen Nacional-çlirimtare. Dy-tre prej të cilëve arritën funksione të larta në pushtetin e dikurshëm. Kështu kjo rezidencë jugosllave pushoi përkohësisht aktivitetin agjenturor dhe një pjesë e saj u orientua nga zbulimi italian për kryerjen e detyrave të tyre, për të futur në dorë planet e Beogradit në drejtim të Ballkanit dhe të Shqipërisë. Pas viteve ´40-të, Syla kthehet familjarisht në Padesh dhe vazhdon lidhjet, tashmë me OZN-në jugosllave me detyra në drejtim të zonës dhe brezit kufitar me Jugosllavinë, si dhe detyra në drejtim të organizimit politik të zonës së Gjakovës. Duhet thënë se Syla kishte një memorie për t’u admiruar, kishte lidhje të shumta, si dhe episode jo të pakta në sferën agjenturore. Shtëpia e tyre u bë bazë e zbulimit jugosllav deri në vitet 1949-1950 dhe u frekuentua nga dhjetëra kuadro e diversantë të dërguar nga UDB-ja në Shqipëri.

Djali i agjentit jugosllav ndjek rrugën e të atit

Me qenë se mosha nuk e lejonte të ndërmerrte “inkursione” jashtë kufirit, majori i UDB-së, Çedo Mihoviç, me seli në Gjakovë, i kërkoi Sylës të bënte një marrëveshje, duke marrë shkas nga një letër bërë prej tij, për ta lejuar të shkonte në emigracion, për shkak edhe të pamundësisë së tij për zbatimin e detyrave të zbulimit jugosllav në Shqipëri. Thelbi i marrëveshjes ishte: Syla do të lejohej dhe do të ndihmohej të shkonte në emigracion, me konditë që djali i madh i tij, Qemali, të vazhdonte rrugen agjenturore të të atit, në shërbim të UDB-së. Kontrata u firmos nga të dy palët. Syla familjarisht shkon në Zvicër, ndërsa Qemali, që kishte lindur në Vlorë, pranoi bashkëpunimin me serbët dhe vazhdoi shkollën e zbulimit në Beograd dhe një kurs specializimi në këtë fushë në Selanik, ndryshon identitetin, duke u futur me kombinacion në një organizatë studentore, ”për të bërë praktikën e zbulimit të aktivitetit armiqësor të grupeve irredentiste shqipëtare”, në Prishtinë dhe gjetkë. Veprimtaria e kësaj organizate, për shkak “të rrezikshmërisë”, u centralizua në Sekretariatin e Punëve të Brendshme, në Beograd, dhe u ndoq me precedencë. Pasi agjentit të “infiltruar” po i mbaronte koha e praktikës, jepet urdhri nga lart dhe fillojnë arrestimet sekrete, ”hetuesia intensive”, dhuna psikologjike, por sidomos ajo e mirëfilltë fizike. Bashkë me disa të paraburgosur, u arrestua edhe Qemali, me gjithë kundërshtimet e tij dhe ekspozimin e faktit të detyrave që i kishin dhëne si “agjent i infiltruar” në mjedisin studentor kosovar. Në hetuesi e merr nënkoloneli Çedo Mihoviç, i cili e sqaron lidhur me arrestimin me qëllim që “të mos krijoheshin dyshime”, gjë që ka të bëjë me ”perspektivën e tij në sferën e veprimtarisë agjenturore”. Çedo përgatit dosjen e tij me të gjithë informacionet e dala gjatë dy muajve hetuesi intensive dhe me të marrë urdhrin nga zëvendëssekretari për Punët e Brendshme procedon në “rirekrutimin e tij”, këtë radhë me material komprometues me motivacionin “për veprimtari me rrezikshmëri të madhe shtetërore”. Kështu UDB-së nuk i mjaftonte rekrutimi i parë në bazë të kontratës, pasi nuk kishin sa duhet besim dhe me qëllim rritjen e shkallës së garancisë së tij, proceduan duke i hapur dosje, e në rast dekonspirimi ose tradhtie ta ekspozonin para kosovarëve, si dhe organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, si “provokator dhe denoncues i aktivitetit armiqësor të organizatës studentore”. Pas kurthit operacional, pasi kishin proceduar me agjenturë, duke e mbikëqyrur dhe provokuar, jugosllavët krahas dhunës së mirëfilltë, gjatë grumbullimit të “provave materiale” në ngarkim të tij, duke i futur në banesë si dhe në qeli vepra të E.Hoxhës, Historinë e PPSH-së, arritën të krijonin shumë prova fiktive, të shoqëruara me denoncime të marra me dhunë ose të fabrikuara, të gjitha këto plotësonin kuadrin e “garancive të plota, duke e vënë atë midis “tri zjarreve”: të opinionit publik kosovar, të ligjeve të shtetit jugosllav, si dhe para ligjeve të shtetit shqiptar, nëse nuk do të zbatonte detyrat e UDB-së. Nëse agjenti do të tradhtonte, atëherë masat represive do të përfshinin edhe familjen tashmë në Zvicër, banesën, deri në eliminimin e pjesëtarëve të familjes së tij, “me aksident automobilistik”, me sëmundje të papritur “infarkt miokardi” ose me “vrasje me porosi”, në bazë edhe të përvojës së degës sovjetike “Smersh”...


Para se zbulimi jugosllav të fuste “Gramafonin” në Shqipëri, i bënë atij një kurs intensiv dhe e pajisën me një ”histori“, të cilën duhet ta mësonte përmendësh dhe ta përsëriste në çdo kohë, që do t’i kërkohej, pa neglizhuar as edhe një presje të saj. Në vija të përgjithshme, “historia” e tij konsistonte në ekspozimin në kufirin shqiptar identitetin e rremë të tij, si dhe datëlindjen fiktive, duke fshehur 3 vjet të shkollës së zbulimit.


Kishte lindur në vitin 1936 në Vlorë dhe paraqitej i datëlindjes 1939. Tregonte se arratisej nga Jugosllavia për arsye se ndiqej nga UDB për shkak të aktivitetit të tij revolucionar, me një organizatë studentore të Prishtinës, që kërkonte veç të tjerave edhe “Kosova Republikë”. Të paraqiste edhe disa “dokumente e materiale të shkruara “kuptohej nga ekspertët kriminalistë jugosllavë”, ku pasqyrohej “ideali i tij kombëtar deri në vetëmohim, për realizimin e bashkimit me Shqipërinë”. Në këto materiale e shkrime të ndryshme, studime, një pjesë e të cilave, kishte vërtet origjinalitet, të cilat mund të kenë qenë produkte të kontrolleve të hapura apo sekrete të banesave, të mjediseve studentore dhe që u përkisnin studentëve dhe profesorëve kosovarë. Të tregonte dhunën çnjerëzore të përdorur nga policia e fshehtë jugosllave, duke demonstruar edhe plagët e blanat që kishte në trup, të cilat ishin reale. Të përsëriste shpesh shprehjen standarde se “ju nuk i njihni serbët”. Gjithashtu, do t’u jepte organeve të Sigurimit të Shtetit emra konkretë të kuadrove drejtues, inspektorë të shërbimit të fshehtë, deri gardianë të burgut, si dhe disa emra të personave, sidomos në zonën dhe brezin kufitar në Shqipëri, të cilët diheshin prej tyre se ndiqeshin nga shërbimi i fshehtë shqiptar, duke i paraqitur ata si “agjentë të UDB-së”, midis tyre për dezinformacion do të “ekspozonte” disa persona VIP, që mbanin lidhje me UDB-në, sidomos kosovarë, larguar nga Jugosllavia për në Shqipëri, pas viteve 1949-1950, ku përfshiheshin edhe disa profesorë të Universitetit të Tiranës dhe pedagogë, që jepnin leksione në Kosovë. Në këtë “histori” nuk harroheshin edhe disa kosovarë të internuar në Lushnjë, Shtyllas e në Berat, të cilët UDB-ja kishte vendosur për t’i djegur, duke ja “deleguar” Sigurimit të Shtetit shqiptar, pasi nuk zbatonin detyrat e ngarkuara nga inspektorët e fshehtë jugosllavë. Në xhepat e agjentit, ata nuk kishin harruar të vendosnin një bllok shënimesh të koduar me shkrimin e agjentit mbi etnogjenezën e shqiptarëve, mbi shpërnguljet me shifra në vite të kosovarëve, disa shënime me shifra për popullsinë shqiptare në Kosovë e gjetkë, një kartë anëtarësimi në bibliotekën e Prishtinës, si dhe një listë të koduar të studentëve të arrestuar nga UDB-ja”. Në këtë “histori“ bënte pjesë edhe “dëshira e tij për të bashkëpunuar me shërbimin e fshehtë shqiptar, me qëllim hakmarrjeje ndaj shkjave”, si dhe propozimi dhe dëshira e tij për t’u vendosur në tri qytetet; Berat, Fier e Lushnjë. Në rast emergjence, kur nuk do të shikonte rrugëdalje në veprimtarinë e tij, do të kërkonte takim me ministrin e Brendshëm ose zëvendësin e tij.

Vendosja në qytetin e Fierit dhe dezinformacionet që jepte “Gramafoni”

Vendosja e këtij agjenti dukej e paragjykuar në qytetin e Fierit me detyrën e arsimtarit të shkollës tetëvjeçare në një fshat afër qytetit, me qëllim që të mbahej nën kontroll të vazhdueshëm. Në fillim, ai mbante lidhje korrekte me punëtorin operativ të zonës dhe e informonte atë (më tepër duke e dezinformuar) për probleme e detyra që i ngarkonte atij operativi dhe brenda një kohe të shkurtër arriti të zbulojë kontingjentet kryesore, që kontrollonte ky operativ në zonën e tij dhe, në varësi të interesave që kishte “Gramafoni” për ta, raportonte për veprimtari armiqësore në formën e propagandës për ata persona që dyshonte se ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit, me qëllim zbulimin e veprimtarisë së fshehtë të operativit në zonë edhe më gjerë, duke parë me vëmendje interesimin e mangët të tij ndaj këtyre personave, që i anashkalonte si “pa vlerë e pa interes ndjekjeje të mëtejshme”, duke mos u dhënë detyra në drejtim të kontrollit të veprimtarisë armiqësore të raportuar nga “Gramafoni”. Mirëpo, agjenti jugosllav kishte marrë detyra nga eprorët e tij për të riorganizuar rrjetet agjenturore në këto tri qytete, fijet e të cilëve shkonin deri në qytetin e Vlorës. Krahas agjenturës së vjetër, shumica e të cilëve ishin në vendinternimet, atij i duhej për një kohë të shkurtër të studionte dhe të rekurtonte disa kandidatura nga moshat e reja, me qëllim rritjen e efektivitetit të veprimtarise informative dhe zbuluese të tri-katër rrjeteve agjenturore në këto rrethe, gjë që i duhej këtij agjenti të lëvizte, sidomos pas orës 17-18 të ditëve të shtuna dhe të diela. Në fillim edhe pse ishin dokumentuar disa lëvizje të tij, ato justifikoheshin gjoja se “ishte duke zbatuar detyrat e ngarkuara nga operativi”. Natyrisht, kjo nuk do të vazhdonte gjatë.


Zbulimi dhe kapja e agjentit jugosllav

Pas tri vjetësh, pra në vitin 1972, atij i “ngeci sharra në gozhdë” edhe pse ishte i përgatitur dhe i specializuar për të kapërcyer situata emergjente. Nga detyrat që merrte nga operativi i zonës, dhe mënyrën se si i servirte ai për t’i realizuar ato, agjenti “Gramafoni”, kuptoi se operativi kishte mangësi të theksuara në zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë të sferës së zbulimit të agjentëve të huaj, çka i krijoi një përfytyrim të gabuar të aftësive dhe mundësive të tij për t’u vënë në kontakt me aktivitetin zbulues të tij, gjë që u shoqërua me një mendjemadhësi të pajustifikuar, duke nënvlerësuar dhe masat mbrojtëse që duhet të merrte, sidomos gjatë studimeve dhe rekrutimeve për llogari të shërbimit të fshehtë jugosllav. Qysh në momentet e para të aktivitetit, ai hasi në vështirësi. Në mënyrë sekrete një person i afruar nga agjenti edhe pse bënte një jetë jo normale për një të ri sipas ligjeve dhe normave të kohës, edhe pse ky pranon dhurata edhe para nga agjenti, kur erdhi puna, që “Gramafoni” po proçedonte me mendjelehtësi për ta rekrutuar Servet N., pa sonduar në botëkuptimin dhe pikëpamjet e tij, ky ”kandidat” me zgjuarsi e pyeste për demonstratat e studentëve në Kosovë, të drejtat e tyre të nëpërkëmbura nga serbët, sidomos “e drejta e arsimimit, që në Shqipëri ishte e spikatur dhe falas”, ndërsa “Gramafoni” i përgjigjej, duke thënë se “Shqipëria ishte vendi klasik i izolimit dhe i shkeljes së të drejtave të njëriut” etj. Kaq duhej dhe jo më shumë që Serveti të informonte shefin e sigurimit në Berat, i cili shtoi masat e kontrollit ndaj tij dhe brenda vitit “Gramafoni” u dënua me 10 vjet burg, se “kishte konsumuar figurën e krimit të agjitacionit dhe të propagandës armiqësore për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor, parashikuar nga neni 55/1 i Kodit Penal”. Pasi u dënua, u dërgua në Spaç, për të vuajtur dënimin. Atje, ai takonte disa të dënuar dhe zhvillonte një lloj “hetuesie” me ta, duke i pyetur fije për pe se: “Kush i hetoi? Sa qëndruan në paraburgim? Çfarë pranuan gjatë hetuesisë? Si i mbanin lidhjet me shokët dhe pjesëtarët e familjes? Për cilët persona dyshonin si bashkëpunëtorë të Sigurimit jashtë dhe brenda kampit të Spaçit?”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...