2012-08-07
Portreti i Kasapit të Ballkanit-Sllobodan Millosheviqi
Sllobodan Millosheviqi u lind me 20 gusht 1941, në Pozharevc. I ati ishte pop, ndërsa e ëma mësuese me bindje komuniste. Ata janë ndarë qysh herët dhe që të dy kanë përfunduar me vetëvrasje. Poashtu ka përfunduar edhe xhaxhai i tij, një gjeneral i shërbimit të zbulimit.
S. Millosheviqi shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Pozharevc, ndërsa fakultetin e drejtësisë në Beograd, në vitin 1964.
Si nxënës i gjimnazit ka qenë redaktor përgjegjës i gazetës së shkollës, si student sekretar i komitetit të LK për Fakultetin Juridik, pastaj edhe sekretar i Komitetit të LK për Universitetin e Beogradit.
Është i martuar me shoqen e shkollës, Mirjana Markoviq, profesore e sociologjisë dhe kryetare e partisë JUL (E majta jugosllave), e cila ishte në koalicion me SPS-in partinë e të shoqit kur ishte në pushtet. M. Markoviq rrjedh nga një familje e njohur komuniste serbe. E ëma, gjersa kjo ishte foshnje, është pushkatuar nga gjermanët dhe, më vonë, është akuzuar nga shokët e saj se në pamundësi t'u përballojë torturave ka tradhtuar.
SM me aktivitet politik profesional ka filluar të merret me 1984.
Çifti Millosheviq-Markoviq ka dy fëmijë, Marinë e Markon. E para është e shkurorëzuar dhe merrej me gazetari, ka udhëhequr një radio e televizion privat, ndërsa i biri është marrë me ngarjen e automobilëve të shpejtë dhe së fundi me biznes. Ky ishte i lidhur në mënyrë të drejpërdrejtë me grupimin mafioz që udhëhiqte me të gjitha kanalet e trafikut dhe kontrabandës të cigareve, të naftës, të drogës etj. në Ballkan.
Millosheviqi si 18 vjeçarë është pranuar në LKJ. Krahas kësaj ai ka marrë gradën e kapitenit rezervë të APJ-së. Flet gjuhën angleze, gjer më tani ka botuar librin "Vitet e çnyjimit", 1989, në të cilën përfshihen fjalimet e tij gjatë kohës së ardhjes në pushtet. Libri është përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Karrierën e tij politike e ka filluar në Komitetin e Lidhjes komuniste për Universitetin e Beogradit, ku prej vitit 1963 deri me 1966 ka punuar si sekretar, duke udhëhequr komisionin për çështje ideologjike. Pastaj tri vite ka qenë këshilltar i kryetarit të komunës së Beogradit për çështje ekonomike dhe udhëheqës i shërbimit të sistemit të informacionit në Beograd. Prej vitit 1969 deri në 1973 ka qenë zëvendës i drejtorit të përgjithshëm në ndërrmarrjen e njohur "Tehnogas", e pastaj pesë vite si drejtor i përgjithshëm i saj.
"Tehnogas" për shumë kuadro serbë ka shërbyer si trampolinë për ngjitje të rrufeshme në pushtet.
Pastaj gjer në vitin 1983 ka punuar në Bankën e Beogradit, një kohë edhe në filialin e saj në New York.
Para emërimit si kryetar i komitetit të Lidhjes Komuniste për Beogradin, në prill të vitit 1984, funksion kyç në hierarkinë e atëhershme, ka punuar në kryesinë e Komitetit Qëndror të LK të Serbisë.
Kryetar i KQ të LK të Serbisë është zgjedhur në maj të vitit 1986.
Në mbledhjen e 8-të të KQ të LK, mbajtur më 23-24 shtator 1987, fraksioni i S. Millosheviqit ka fituar mbi krahun e "moderuar" të ish-mikut të tij, Ivan Stamboliq. Në të vërtetë shpatat thyheshin lidhur me Kosovën, dhe jo për qëllimin e fundit, pra heqjen e autonomisë me çdo kusht, sepse ai ishte i njëjtë, por thjesht për mënyrën se si të arrihet gjer aty. Stamboliqi ishte shumë më dinak e më me përvojë dhe preferonte metodat e "buta", pa zhurmë, por me efekt të njëjtë.
Në maj të vitit 1989, pasi ishte suprimuar autonomia e Kosovës, Kuvendi i Serbisë emëroi Millosheviqin kryetar të kryesisë së Serbisë.
Në zgjedhjet e para shumëpartiake presidenciale në Serbi, më 9 dhjetor 1990, si përfaqësues i Partisë Socialiste të Serbisë (ish- LK dhe LSPP e Serbisë), Millosheviqi fitoi bindshëm dhe u bë kryetar i Serbisë. Përsëri është rizgjedhur si kryetar i Serbisë në vitin 1993, ndërsa më 15 korrik 1997 është zgjedhur Kryetar i të ashtuquajturës RFJ. Në këtë funksion ka qëndruar der më 5 tetor 2000, kur humbi zgjedhjet.
Millosheviqi nuk u bë rastësisht lider i serbëve. Ai doli në skenë, apo thënë më mirë e nxorën në skenë shtresat dhe institucionet që përbëjnë themelet e shtetit serb: klasa politike, inteligjencia, kisha, ushtria dhe policia. Ishte kohë e përthyemjeve të mëdha. Elita serbe ishte përcaktuar për rivendosjen e plotë të hegjemonisë serbe në federatë, në radhë të parë duke suprimuar autonominë e Kosovës, Vojvodinës dhe duke ndërruar udhëheqjen federaliste të Malit të Zi. Prandaj kishte nevojë për një prijës të ri e energjik dhe të pakompleksuar, gjegjësisht të padalë nga sqetullat e Titos.
2. Familja
Çifti Markoviq-Millosheviq, është një mpleksje organizative-politike-intelektuale, në të cilën ndikim themelor kishte Mirjana. Ajo ka shkruar të gjitha fjalimet e të shoqit gjatë ngritjes së tij në pushtet. Ia ka krijuar rrethin familjar nga të gjitha qarqet e mundshme: profesorë të universitetit, gjeneral, bankierë, gazetarë, politikanë, gangsterë të kalibrave më të mëdhenj, me të cilët ka formuar partinë e saj e majta e bashkuar jugosllave.
Fjala është për një rrjet të tërë me ndikim në gjithë jetën e vendit: media, diplomaci, shërbim të zbulimit, ushtri, nëntokë etj.
Në sajë të këtyre lidhjeve, përmes të birit, Markos, klani i Millosheviqit ka grumbulluar një kapital të rëndësishëm përmes shvercit dhe formave të ndryshme të plaçkitjeve. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit Millosheviqi përmes bankave të Qipros etj., ka pastruar rreth 4 miliardë dollarë.
I biri qysh 20 vjeçar ka hapur në Pozharevc diskotekën "Madona", më të madhen në Ballkan, pastaj një radio lokale, një shitore buke e pizeri që punon non-stop, një shitore telefonash, si dhe një fushë argëtimi për fëmijët, "Bambi park" që "ishte ndërtuar gjatë kohës së bombardimeve në Pozharevc".
Vajza, Marija kishte të vetin Radio e TV Koshavën që emetonte nga njëra prej ndërtesave më luksoze dhe më të shtrenjta të Beogradit.
Pas një vistër fejesash e martesash të pasuksesshme, Marija ka bashkëjetuar me Haxhikostiqin, padronin e shtëpisë informative "Politika".
3. Fjalimet
Në kohën e ndërrimit të brezave në hierarkinë komuniste serbe, S. Millosheviqi solli një risi në oratorinë politike: ishte i qartë, konciz, cinik e i paskrupull, përdorte fjalor modern dhe konkret, jashtë floskulave ideologjike e të lodhshme dhe në mënyrë të zhdërvjelltë i ndryshonte tezat:
Serbia duhet të bëhet republikë si edhe republikat e tjera.
Ne duhet t'i mbrojmë në Kosovë të gjithë njerëzit, por parasegjithash ata që i janë ekspozuar diskriminimit, keqtrajtimit dhe poshtërimit, e ata siç e di i gjithë opinioni i Jugosllavisë janë serbët dhe malazezët.
Ata (serbët) i janë ekspozuar një presioni të tillë fizik, ekonomik, politik dhe kulturor që në vendet e zhvilluara të Evropës më nuk ndodh.
Përdhunimi i fëmijëve, poshtrimi i pleqve është mjerimi i familjeve serbe në Kosovë, por edhe turp për shqiptarët para syve të të cilëve ndodhin këto dhe ata nuk i dalin në udhë!
Serbia nuk ka në plan të heqë dorë nga qëllimi për t'u bërë Republikë. Forcat jashtë saj, të cilat duke shfrytëzuar specificitetin e saj, që t'i mohojnë këtë të drejtë, pra që të jetë Republikë. Le ta dijnë se ai argumentim nuk kalon në Serbi…
Në mars të vitit 1988, Millosheviqi në një dolli ngritur për nder të Gorbaçovit, thotë:
Ne në Serbi intensivisht po kërkojmë zgjidhje për vështirësitë që kemi. Së pari po lirohemi nga bllokadat ekonomike dhe disa praktika negative kushtetuese dhe sidomos nga pasojat e kundërevolucionit në Kosovë.
Në prag të ndryshimeve të Kushtetutës, apo thënë me mirë të aplikimit të Kushtetutës së tankeve, Millosheviqi mban edhe këtë fjalim:
… Nacionalizmi shqiptar po bën presion fizik, politik, kulturor, para se gjithash mbi serbët e malazezët, çfarë nuk i njohim shembull në Evropën e sotme…
Në krejt Kosovën, mes gjithë qytetarëve është bërë dominuese klima e mosdurimit, mosbesimit, një tension i vazhdueshëm, të cilin askush nuk mund ta evitojë, e që rëndon mbi çdo popull, mbi çdo familje, mbi çdo njeri.
4. Fajësia kolektive
Millosheviqi ka treguar aftësi për të mbajtur pranë faktorët kryesorë politikë në vend, në mënyrë që për çdo vendim të rëndësishëm për shtetin dhe popullin serb të ketë mbështetjen e shumicës absolute në opinion dhe në parlament.
Tingëllon çuditshëm, por është e pamohueshme se jo pak veprime të kreut serb, në plan afatgjatë, kanë qenë të drejtuara kundër interesave të popullit serb. Ta zëmë shkatërrimi i Jugosllavisë, ku ata kanë dominuar dukshëm në të gjithë zërat e jetës etj. Por në të gjitha veprimet, madje edhe në aktet e pashembullta të barbarisë, Millosheviqi dhe suita e tij kanë pasur mbështetjen absolute të shumicës dërrmuese të popullit serb.
Pikërisht kjo shpjegon për përmasat habitëse të mentalitetit racist që është ngulitur në mendjen e një pjese të mirë të popullit serb.
SM është treguar mjeshtër i taktikës. Për të arritur qëllimin ai ka vënë në lëvizje gjithë potencialin serb, përfshirë këtu fashistët e Sheshelit dhe bandat e mafias që i udhëheqite Arkani.
Kjo del dhe nga një shënim zyrtar në prag të zgjedhjeve të vitit 1991:
Shënim nga takimi i punës lidhur me strategjinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet plotësuese për Kuvendin e Serbisë në njësinë zgjedhore në Rakovicë, 30 maj 1991
1. Si kandidat i Partisë Socialiste të caktohet Karaklajiq. Të dhënat kompromentuese për Karaklajiqin dhe faktin se ai ndiqet penalisht të shpërndahen përmes Kanalit të pavarur televiziv Studio B.
2. Punën operative në njësinë zgjedhore dhe kontaktet me përfaqësuesit e Partisë Radikale Serbe, do ta udhëheqë dr. Bozhidar Jeliçiq. Të organizohet vetëm një takim promovues dhe në të të dërgohet një folës i paaftë nga këshilli i PS për Beogradin, mundësisht Nada Popoviq ose Dushan Matkoviq, që janë të kompromentuar. Në këtë takim simpatizuesit e Sheshelit do të bëjnë provokime.
3. Edicionet e gazetës "Politika" do të organizojnë fushatë në favor të Sheshelit. Këtë do ta organizojnë gazetarët Stevan Zec dhe Branko Gjurica. Për kompromentimin e kandidatëve të tjerë t'i drejtoheni Slobodan Jovaniqit (Kryeredaktor i Politika expres) dhe njerëzve që ai ju sygjeron. Në javën e fundit të fushatës të përdoret RTV "Politika".
4. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit për Beogradin do të organizojë gjer në fund të fushatës shërbimin përgjues për të përcjellë funksionarët e partive të Drashkoviqit dhe Gjingjiqit, ndërsa në shtabet zgjedhore të këtyre partive të futen urithët. Më 9 qershor, në prag të zgjedhjeve, policia nuk do të pengojë vandalët e Sheshelit kur ata do t'ua prishin mitingjet e partive opozitare.
Për të gjitha masat e ndërmarra të informohet shefi i kabinetit të Kryetarit të Republikës.
Koordinimin e të gjithë sektorëve e merr Novica Vujiq, i cili është gjithashtu përgjegjës për çështje të zbulimit dhe kriptimit.
Marrë nga libri i Stipe Mesiq "Si u shkatërrua Jugosllavia"
5. Dosja e bisedave telefonike
Revista kroate "Globus", botoi muajin e kaluar bisedat telefonike që SM ka pasur me familjen, me bashkëpunëtorët e tij, por edhe me personalitetet më të njohura të botës. Pjesët e bisedave që i botoi "Globus" ishin marrë nga një dosje tejet sekrete e shërbimit informativ kroat, sektori i përgjimit elektronik.
Në këto biseda, që mund të merren si të besueshme, SM flet me të birin e tij se si ky i fundit ka në plan të operojë veshët, sepse i duken të mëdhenj, se si ka vendosur të ndërrojë të 29 dhëmbët e gojës, se qeni i të bijës komunikon me të zonjën sikur të ishte njeri (Mami, Zelda (kudra e saj) më ka thënë: Mos ma rrëno kasollën, të lutem!), se si e shoqja e quan SM lepojkoviq (bukurosh), se si ai e quan te shoqen bebe, se si i biri ka ngrohur pishinën personale deri në 38 gradë celzius dhe është larë deri sa e ka marrë uria, se si ka nevojë për revole të një kalibri sa më të madh për t'u mbrojtur nga rivalët e tij po ashtu të kriminalizuar; se si SM në telefon me të vëllain, Borisllavin, ambassador në Moskë, kanë sharë si huliganë; se si në një mbledhje, ku kanë marrë pjesë të gjithë funksionarët e komunave të Serbisë, ai ka thënë për kroatët e sllovenët: neka idu u piçku mater (le të shkojnë në pts); se si francezët janë aleatë por edhe pedera; se si dashnorja e të birit, Milica, kërkon nga shefja e JUL-it që të jetë sa më shpesh me të në shtrat. Këto biseda bëhen në një kohë kur miliona njerëz, popuj të tërë përpëliteshin nën çizmën e hekurt të kryeprotoganistit të këtyre bisedave.
Poashtu si dhe mbrojta e tij në gjykatore, pyetjet kryqëzore gjatë procesit edhe këto biseda telefonike dëshmojnë se nuk është fjala për një psikopat, për një njeri të sëmurë, për një njeri që çdo gjë e vë në shërbim të karrierës së tij. Përkundrazi. Dëshmon për prijësin serb, "njeri krejt normal" që është në shërbim të një synimi të qartë, për realizimin e të cilit ai ka vepruar me të gjitha energjitë e veta.
6. Deklarata për Kryebarbarin
"Portretet e mëparshme të Millosheviqit kanë evidentuar edhe dinakërinë dhe zemërgurësinë e tij, por edhe prakticitetin dhe karizmën. Pasqyrimet e negociatave të paqes të vitit 1995 në media vinin në dukje se si Millosheviçi u bënte serenata negociatorëve amerikanë, pinte wiski Johnnie Walker, shante duke përdorur epitete amerikane plot kolori, shprehej me një oratori të fryrë për dashurinë e tij për Nwe York-un, për pamjet dhe aromat e tij, shijonte kafenë amerikane dhe, kur u arritën kompromiset e vështira, bëri sikur i mbylli paksa sytë dhe nuk nxori zë. Atë kohë Millosheviçi të krijonte imazhin, gjë që mbështetej edhe nga Ambasadori Riçard Hollbruk, e një lideri me të cilin Shtetet e Bashkuara mund të arsyetonin dhe të negocionin. Marti Ahtisari i Finlandës (një nga arkitektët e marrëveshjes së paqes për Kosovën) i karakterizoi negociatat e fundit për Kosovën si "efikase" dhe fotot e lajmeve të kohëve të fundit të Millosheviçit nxjerrin në pah një lider që shfaqet buzagaz, i patrazuar, në kontroll të vetvetes dhe të ngjarjeve që e rrethojnë. Sharmi i Millosheviçit i ka rrënjët në mashtrim, pasi magjepsja e tij është e ligë, është ajo e një njeriu që ish-Ambasadori i SHBA, Uorrën Zimerman e ka quajtur "batakçiu më pehlivan i Ballkanit" si dhe "një njeri me një gjakftohtësi të llahtarshme". Millosheviqin e kanë quajtur edhe "aparatçik" dhe e kanë damkosur me nofkën 'Kasapi i Ballkanit'. "
"…Elasticiteti i tij politik dhe aftësia e tij për t'i rikthyer në qeveri kolegët e tij të pushuar nga puna, të tillë si Vojislav Shesheli dhe Vuk Drashkoviçi, janë vërtet të jashtëzakonshme. Millosheviçi e ka përdorur përherë me mjeshtëri politikën e frikës dhe të propagandës në një mënyrë që e zbulojnë atë njeri më shumë si një llogaritës pragmatist, sesa si një ideolog vizionar. Duke përdorur gjuhën e mitologjisë për të ushqyer urrejtjen etnike, Millosheviçi gjithnjë ka shfrytëzuar mjeshtërisht formalitetet ligjore, të gërshetuara me një kontroll thuajse absolut mbi mediat, për të arritur dhe çuar në maksimum pozitën e tij politike.
Duke qenë një manipulues mjeshtër i imazheve, Millosheviçi arriti ta shndërronte veten e tij gjatë fushatës së NATO-s nga një spastrues etnik i Kosovës, në një martir-hero i Beogradit duke e identifikuar veten me Princ Llazarin. Gjatë krizës së Kosovës, ai manipuloi me zotësi si mediat perëndimore, edhe opinionin e brendshëm jugosllav duke shfrytëzuar mjeshtërisht viktimat civile të bombardimeve të NATO-s dhe duke e drejtuar vëmendjen te civilët serbë të gjymtuar dhe të vrarë në spitale, shkolla e qendra të populluara.
Pasi Millosheviçi më në fund ra dakord me kushtet e NATO-s, shumë serbë kapitulimin konkret e festuan duke shpallur fitoren. Millosheviçi përgëzoi kurajën e popullit serb duke deklaruar se ai arriti ta ruante sovranitetin e Kosovës dhe se çështja e autonomisë së Kosovës nuk ishte më në rendin e ditës.
Politikat e Millosheviçit, të mbushura me mbeturinat e mitologjisë nacionaliste, një ditë mund të shihen nga populli serb si një dredhi e mbushur me mizori e vuajtje.
Indiferenca e tij ndaj vuajtjeve të të tjerëve, përfshirë vuajtjet e popullit të tij, të lë pa mend. Megjithatë, Millosheviçi është një manipulues dinak dhe karakterizohet dukshëm nga aftësia e durimit.
Periudha e qëndrimit të Millosheviçit në detyrë ka lënë pas një tragë të mbushur me vrasje të pandriçuara personash të rangut të lartë, që kanë patur lidhje qoftë me të, qoftë me familjen e tij.
Për Sllobodan Millosheviçin, paqja është kriza e rrezikshme e gjithçkaje. Vetëm atëherë për të ekziston rreziku që populli serb mund ta dorëzojë atë njeri edhe në sallën e drejtësisë, edhe në librat e historisë në mënyrë që ai të mos mundë, edhe njëherë, t'ia dorëzojë Ballkanin flakëve të vizioneve të tij të liga dhe apokaliptike. "
"Sllobodan Millosheviqi, për mendimin tim, është politikani serb që këto 5 dekadat e fundit ka bërë më së shumti për popullin serb."- Dobrica Qosiq.
"Zoti Millosheviq është i pari dhe i fundit politikan, i cili në mes të Jugosllavisë antiserbe ka bërë diçka të mirë dhe të madhe për Serbinë." - Milorad Paviq.
"Nëse Sllobodan Millosheviqi është në masën më të madhe përgjegjës për vënien e raporteve të barabarta, dhe nëse ka kontribuar në shkatërrimin e Jugosllavisë së padrejtë e absurde të Brioneve, e cila ishte e mirëseardhur vetëm për kroatët dhe sllovenët që ishin të privilegjuar, atëherë mund të merret me mend pse është bërë objekt i urrejtjes dhe satanizimit." - Mihailo Markoviq
Autorët e këtyre deklaratave me dekada të tëra kanë qenë dha vazhdojnë të jenë maja e elitës intelektuale të kombit serb.
7. Bashkëfajtorët
Me shpërthimin e luftës së fundit në Ballkan, Serbia ishte shumë e përgatitur në rrafshin ushtarak, diplomatik e informativ. Ajo vuri në lëvizje të gjitha lidhjet e vjetra, angazhoi një numër të madh diplomatësh, gazetarësh e informatorësh, përfshirë këtu edhe gejshet e njohura serbe, që u vunë në shërbim të agresionit serb.
Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti se shtetar kyç si Miterani, Meixheri, De Mikelisi, Keringtoni, Oweni, përndryshe mik i familjes së Millosheviqit, e plot të tjerë vërtiteshin nga Millosheviqi dhe për shumë kohë kanë qenë avokatë të mirë të veprimeve të tij kriminale.
Diplomacia ndërkombëtare e udhëhequr nga personalitete të dobëta, edhe pse dihej se, ta zëmë, masakrimi i më se 8'000 burrave të Srebrenicës ishte bërë me dijen dhe me urdhërin e kasapit të Ballkanit, ka lejuar që shtetarët dhe diplomatët e të gjitha niveleve ta takonin dhe të vazhdonin ta konsiderojnë personalitet të pazëvendësushëm për të bërë paqen!
Kjo praktikë e shëmtuar që imponohej nga evropianët dhe i vinte në pozitë të palakmueshme amerikanët sa herë që donin ta ndëshkonin Serbinë, ndryshoi me ardhjen në pushtet të Chirakut, i cili e kuptoi se Franca nuk duhej të përpinte edhe më tej broçkullat e përgjakshme serbe dhe sidomos me daljen në skenë të një personaliteti me përmasa planetare si Toni Blair.
8. Rënia
Edhe pas bombardimeve të NATO-s, Millosheviqi kontrollonte lehtësisht shtetasit dhe shtetin serb. Thjeshtë sepse kontrollonte çdo gjë dhe se numri i bashkfajtorëve ishte tmerrësisht i madh dhe dominues në të gjitha shtresat dhe strukturat e vendit.
Opozita ishte e përçarë dhe lehtë e manipulueshme, sa që perëndimorët, amerikanët në radhë të parë, kishin problem se ku të mbështeten për ta rrëzuar nga pushteti kokën e kriminelëve. Prandaj ata u koncentruan në mbështetjen e Gjukanoviqit dhe në pavarësimin e tij gjithnjë më të madh. Ndërsa në planin e brendshëm, sidomos në vitin 2000 iu futën konsolidimit të opozitës dhe nxjerrjes në pah të të rinjve, sidomos të atyre të mbledhur rreth organizatës "Otpor" (Qëndresa). Në prag të mbajtjes zgjedhjeve të shtatorit të vitit 2000, amerikanët organizuan një seminar në Hungari, ku merrnin pjesë shumë të rinj të "Otporit". Aty ata u stërvitën se si të përballen me regjimin e Millosheviqit. Stërvitja ishte aq intensive dhe aq efikase, sa që njëri prej pjesëmarrësve në një moment tha: "Gotov je!" (Ka mbaruar!) Mendohej në Millosheviqin. Kjo u bë parulla kryesore e "Otporit" gjatë gjithë vitit 2000.
Menjëherë pas zgjedhjeve, Otpori dhe opozita e bashkuar (DOS), filluan të nxjerrin në pah shembuj të qenë e të paqenë të falsifikimit të votave dhe të thonë se kanë fituar zgjedhjet. Regjimi i stepur nga një gjendje e tillë, ishte për përsëritjen e zgjedhjeve.
Serbia ishte në prag të luftës qytetare. Ndërkaq presioni i përendimorëve, i amerikanëve kryesisht, u rrit. Shërbimet informative perëndimore vunë në lëvizje gjithë rrjetin e tyre në Serbi dhe, falë kësaj, brenda strukturave të shtetit, në ushtri, në polici dhe në gjyqin kushtetues u krijuan të çara të pariparueshme. Ushtria nuk intervenoi kundër opozitës që vërshoi Beogradin dhe u fut në Kuvend, policia, elita e saj e njohur si Beretat e kuqe, që udhëhiqeshin nga Ulemeku, i njohur si komandanti Legia, gjithashtu nuk iu përmbajt urdhërave për sulm mbi opozitën (Fjala është për njësi që kishin kryer krime të llahtarshme në Kroaci, po sidomos në Bosnje dhe në Kosovë). Ndërkaq Gjykata Kushtetuese pranoi se zgjedhjet i kishte fituar opozita.
Kur ia kumtuan këtë vendim Millosheviqit, ai tha: "Pra unë nuk paskam se çka të rri më këtu". Veçse kërkoi nga Koshtunica që të mbetej për momentin në Beli Dvor, gjer në një akomodim tjetër. Por rënia tash kishte marrë shpejtësinë shkatërruese të gurit në rrokullisje:
5 muaj më vonë, konkretisht me 1 prill të vitit 201, njësitë e policisë speciale u futën në ambientet e vilës së tij në Dedinje. Njësitë e ushtrisë kundërshtuan arrestimin e Millosheviqit. Në negociata brendaserbe, më në fund, S. Millosheviqi u dorëzua dhe pranoi ta çojnë para gjykatësit hetues, por me akuzë për keqpërdorime financiare. Prej aty, drejt e në CZ (Centralni zatvor, Burgu Qendror), ku e mbajtën deri në Vidovdan.
Vidovdani (28 qershori), është një ditë ëmblematike në historinë serbe: Në këtë ditë është mbajtur Beteja e Kosovës më 1389 dhe më 1914 është vrarë në Sarajevë pretendenti i fronit austriak, në të njëjtën ditë Millosheviqi mbajti fjalimin e tij në Gazimestan…
Të njëjtën ditë, por 12 vjet më vonë, pas një presioni të fortë të Amerikës mbi autoritetet serbe, "Slobo Sloboda" u nxor nga CZ e Beogradit dhe u dërgua te një heliodrom, ku e priste një helikopteri i NATO-s. Aty ishte edhe një funksionar i Tribunalit, i cili, në mënyrën tipike perëndimore i drejtohet Kasapit të Ballkanit:
"A jeni ju Sllobodan Millosheviqi?"
Por cari i dikurshëm i Serbisë iu përgjegj vetëm të tretën herë me një "idi u piçku mater!"
Vetëm në fund pas insistimit të sekretarit të Tribunalit se a jeni ju Sllobodan Millosheviqi, ai përgjigjet:
"Yes, I am..."
Ky "Yes, I am…" i shqiptuar në një heliodrom të Beogradit, në rrugën e pakthim drejt Hagës, ishte fundi i Millosheviqit…
9 "Dubina 2" apo fshehja e gjurmëve të krimit
Pjesa e prapme e kamionfrigoriferit
Njëri prej argumenteve kryesore që Zyra e Prokurorit ka kundër Millosheviqit është dëshmia e pakundërshtueshme për urdhërin që SM ka dhënë për asanimin, "pastrimin" e terrenit, pra për zhdukjen e gjurmëve të krimit. Konkretisht asgjësimin edhe të trupit të viktimave. Kjo lidhet me një mbledhje që është mbajtur në Beli Dvor ( Pallati i Bardhë ), në zyrën e Millosheviqit menjëherë pas fillimit të bombardimeve, e në të cilën, krahas SM ka marrë pjesë Vlajko Stojilkoviq, ministër i brendshëm, Rade Markoviq, shef i UDB-së, Vlastimir Gjorgjeviq, shef i sigurimit publik, gjenerali Sreten Lukiq, komandat i të gjitha forcave të policisë në Kosovës, aktualisht ndihmësministër i policisë i Serbisë. Në këtë mbledhje është vendosur për ndërmarrjen e aksionit për asgjësimin e gjurmëve të krimeve e që mori emrin e koduar "Dubina 2", (Thellësia 2). Me këtë detyrë është ngarkuar gjenerali Dragan Iliq, i cili formoi grupin për aksionin e fshehjes së gjurmëve, ku për ndihmës emëroi edhe funksionarët e policisë Goran Radosavleviq dhe Novica Zdravkoviq.
Kjo ndoshta nuk do të dilte kurrë në shesh sikur ujërat e Danubit të mos nxirrnin në sipërfaqe njërën prej dëshmive më të tmershme të krimeve serbe, kamionfrigoriferin me 86 shqiptarë të masakruar prej tyre shumica dërrmuese gra, pleq dhe fëmijë. Në të vërtetë aty ishin 83 trupa të viktimave dhe tri koka pa trup. Kjo ndodhi në fshatin Teki, afër Klladovës jo larg grykës së Gjerdapit, më 5 prill të vitit 1999. Siç konstatuan organet serbe më vonë vetëm njëra prej viktimave kishte vdekur nga plumbi, gjithë të tjerët ishin mbytur në tortura!
Atë ditë peshkatarët panë frigoriferin që kishte dalë në stom. Menjëherë arrin policia, shpall rastin sekret shtetëror, rrethon vendin, ndërkaq punëtorët e ndërmarrjes së varrimeve i nxjerrin viktimat, i ngarkojnë në dy kamionë dhe i çojnë drejt Beogradit. Dëshmitarët e shumtë kanë parë gra ma dimija, fëmijë etj. dhe kanë konstatuar se viktimat janë shqiptarë, edhe pse policia ka deklaruar se janë turq, që gjoja janë përpjekur të kalojnë kufirin ilegalisht por kamioni ka rënë në ujë.
Sipas një dëshmitari që e citojnë mediat serbe kamionfrigoriferi pa tabela, por me reklamën e qartë se i takon ndërmarrjes "Progres" të Prizrenit është hedhur në lumë 12 kilometra më lartë, aty ku llogaritet se është thellësia më e madhe e Danubit (123m), por për shkak të gomave të pashfryera pas një kohe valët e kanë nxjerrë në stom.
Dëshmitarët pohojnë gjithashtu se ka pasur edhe kamion të tjerë, të paktën edhe dy, që janë hedhur, por që, si duket, pasi janë hedhur në lumë, për të humbur gjurmët më lehtë, janë shpartalluar me eksploziv. Edhe pjesë të atyre kamionëve dëshmitarët pohojnë se ka nxjerrë Danubi në breg.
Sipas Zonjës Natasha Kandiq, në mesin e këtyre viktimave duhet të kenë qenë edhe 16 anëtarët e familjes Berisha nga Suhareka që janë masakruar më 26 mars 1999, nga oficeri i UDB-së së Prizrenit, Misha Mishkoviq, i cili i ka mbyllur në një kafene të qytezës mbi 40 shqiptarë, shumica fëmijë e gra, dhe pastaj ua ka hedhur bombat brenda. Viktimat pastaj i kanë ngarkuar në një kamion. Prej tyre, duke u paraqitur si të vdekur kanë shpëtuar Vjollca Berisha, me djalin e saj Gramozin (8 vjeç) dhe një kushërirë.
Pas heqjes së SM nga pushteti, në kohën e përplasjeve të mëdha në kreun e Serbisë lidhur me presionet që bënte Perëndimi për të detyruar Beogradin të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës, në pranverë të vitit 2001, ministri serb i policisë, D. Mihailoviq e nxori në shesh llahtarinë e shtetit serb të njohur me kodin "Dubina 2". Më vonë doli se janë në pyetje shumë kamionë dhe se ishin zbuluar të paktën trupat e 900 viktimave shqiptare, të cilat ishin varrosur në gropa masive, në Batajnicë, pranë kazermës "13 Maji", të njësive të policisë speciale, afër Beogradit.
Krahas varrezave masive organet serbe një numër të konsiderueshëm viktimash i kanë varrosur në rrugën e re të Novi Sadit, dhe mbi varrezën masive kanë shtruar asfalt. Mbi to prej gati tri vjetësh kalojnë kamionët, veturat, qytetarët e shtetit serb!
Natasha Kandiq, drejtuese e Fondit për të Drejtën Humanitare, në një letër drejtuar qeverisë serbe, më 23 maj 2001, njofton se sipas informatave që i disponon edhe policia në liqenin te Kokin Brod, afër Novi Varosh-it, është dhe një kamionfrigorifer tjetër me trupat e viktimave nga Kosova.
Se me këtë veprimtari kriminale nuk është marrë vetëm policia, por edhe ushtria e dëshmon një dokument ushtarak me shënjën "poverlijvo" dhe me shifrën PrK (Korpusi i Prishtinës), nr. 61/14, datë 30 prill 1999, të nënshkruar nga komandanti i këtij korpusi, gjenerali Vladimir Lazareviq, aktualisht komandant i Armatës së Tretë serbe. Në dokumentin sekret thuhet:
"Në bazë të nenit 8, neni 11 e 17, të Ligjit për mbrojtjen (Fletorja zyrtare nr. 67/93), me qëllim të asanimit të terrenit dhe ekzekutimit të hetimeve, urdhëroj:
1. asanimin e vendluftimit pas veprimeve luftarake antiterroriste duhet ta bëjë njësia e cila është e caktuar për veprime luftarake antiterroriste, varësisht se a është bartës i atij aktiviteti njësia përkatëse e ushtrisë apo policisë."
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...